More
    KreuOpinionXhevair Lleshi: Atdheu lakuriq i Trifon Xhagjikës

    Xhevair Lleshi: Atdheu lakuriq i Trifon Xhagjikës

    Dritarja me një dantellë trëndafili, ndriçohej me një dritë të zbehtë agimi, ndërsa zemra digjej nën Atdheun që është lakuriq, por drita e tyre e dobët rrethohej nga një errësirë e rëndë.

    …E pashë Atdheun lakuriq, (vetëm pa miq e shokë)/mundohej të këpusë një degë dafine/nga lavdia e shekujve./Atdheun e dija të uritur!/Por sa i vogël qenka!/As një degë nuk e këpuste dot./E mora për dore/ta rrit në zemrën time…/Vëllezër-/Po e kërkuat Atdheun,/e kam unë./Ndihmomëni të qesh/ Ndihmomëni të gëzoj./Atdheu është lakuriq!/(1963)

    Mërzia binte si re. Ndoshta thurej ndonjë aventurë që hallakatej andej-këtej me zë të ulët, pasi gjithçka kish nisur më 20 korrik 1963, kur një shofer i parkut automobilistik të Korçës, ka trokitur në Degën e Punëve të Brendshme në Pogradec dhe ka denoncuar se “një major që kishte marrë një makinë nga Elbasani, zbriti pa pritur në rrugën Qafë Thanë – Pogradec, afër lapidarit të Reshit Çollakut”. Sytë përqendruar, veshja e thjeshtë me një çantë shpine ushtarake, ngjyra blu herë e çelët dhe herë e rënduar, qe thelluar në mënyrë të çuditshme në një vijë të hollë e të guximshme, duke krijuar një subjekt të përsosur për një artikull gazete. Aty në bisht të vijës prisnin dy civilë të tjerë, të cilët kishin hipur në Elbasan. Ja, pra, “majori do të takonte dy civilë”, me siguri e shtuar nga hetuesi. Dukej ndodhì e çuditshme! Hetimet e rrepta u mbushën plot e përplot. Orekset kënaqeshin me të qeshura duke treguar dhëmbët e prishur të diktaturës, që në një hetim të ndjerë, përshkruanin se “pas pak mbërriti dhe shoferi i dytë, që raportoi në Degën e Brendshme për zbritjen e tre civilëve të tjerë në të njëjtin vend. Emrat e tyre: Thoma Rafaeli, Vangjel Lesho dhe Franko Sara”.

    Funksionarët e diktaturës kishin “qëndrim dhe sjellje korrekte” dhe, si të thuash, të papërlyer, në dukje, gjë që ishte e domosdoshme asaj kohe për njerëzit në ato organe; gjithnjë me atë vështrim të fikur e të shtrënguar brenda syve, aq sa kishte rrezik të mos lëviznin apo të vëzhgonin dot. Në çantat e shpinës 3 kamerdare makine, 6 salvaxhente për të lidhur varkën në breg, 6 lopata të vogla dore për të lëvizur varkën e përgatitur me kompensatë, një bajonetë, një thikë dore, një elektrik dore i izoluar, për t’u ruajtur nga uji, një revolver sovjetik, pagure me pije alkolike dhe dokumente të tjera personale. Dhe natyrisht plani: “Do të arratiseshim për në Jugosllavi”… Këtu zë fill arrestimi dhe ndëshkimi i grupit më politik dhe antikomunist të viteve ’60. Trifon Xhagjika, Fadil Kokomani, Robert Vullkani dhe Stavri Rafaeli…

    Një qoshe krejt e dyshimtë, por spikaste me qetësinë e moshuar e të dashur. “O njerëz të thjeshtë,/ju dua,/Mund t’iu shërbej,/si ushtar, si shërbëtor besnik,/Veç me mua ejani,/t’iu rrëfej të vërtetën,/që ndrit./Ta dinë udhëheqësit lart,/dhe e larta Republikë,/se ne nuk jemi,/as të verbër,/as shurdh në politikë…/Tek ty jam,/I lirë pa liri,/I gjallë i pajetuar,/I vdekur, i pavarrosur. Është “Kënga e verbër”(Trakt). A thua se kishim një akuzë të hapur, një shpërthim të sinqertë dhe rebel. Sekonda solemne. Ndërkohë, dëgjoheshin hapat e butë të vdekjes, e cila përshkonte hapësirën e zbehur, në zjarrin që digjte shpirtra, gazmendi i hijeve të rënda. Ishte sikur mes bisedës së tyre, krejt papritur të kishte hyrë e papritura, duke i parë të pranishmit me atë vështrimin e saj të akullt. Por Trifon Xhagjika dinte t’i këndonte bukur edhe dashurisë, të cilën e mbante në dorë dhe në zemër. “Dashuria, – shkruan ai diku, – ka qenë për mua gëzim që bulon nga lulja në akull, freski e borës që lodron në rrëze dielli, stuhi e egër që skërmitet në oqeane.”

    Dhe fjala  mori dhenë… mbërthyer prej kësaj atmosfere të gëzuar, me të qeshura që morën një tingull aq të çuditshëm, sërish të habitur, por që ngjanin me zhurmën e tingullt të kristaleve që thyhen. Madje, u krijua e gjitha kjo skenë gjykimesh të  rrëmujshme ku elementët e ndryshëm të pranishëm përziheshin me skeptikë mondanë dhe shtyheshin e hidheshin njëri – kundër tjetrit. Nga i gjithë ky grup, dy vetë u pushkatuan, Trifon Xhagjika dhe Thoma Rafeali. Dhe Trifoni është i vetmi që as tentoi të arratisej. Të tjerët u dënuan me nga 25 vite burg, por më pas u pushkatuan në revoltën e Spaçit në vitin 1973.

    – Thuaj, pra, sa do të jemi nesër?… Po tjetër?

    – Kurrë nuk dihet me saktësi se sa do të jenë, por ma thotë mendja se do të jenë shumë!

    – Po pse, gjithë popullin do ta pushkatojnë?

    – Jo gjithë popullin, po në emër të popullit!…

    Më 23 gusht të 1963 Trifon Xhagjika ishte para hetuesve të tij, kapiten Rustem Çipi dhe prokurorit Major Sami Kapllani, duke rrëfyer “veprimtarinë armiqësore” kundër pushtetit popullor.

    E di cila është e mërzitshme te këto histori me pushkatime? Duket se janë gjithmonë të njëjtët njerëz… Mirëpo duhen fytyra të reja. Ka nevojë njeriu i gjorë… Përpiquni, pra, të na gjeni ndonjë… Pa shiko!… Më erdhi një ide! Po shkoj t’i lutem atij njeriu atje… E di ti, or mik se Trifon Xhagjika ishte një antikomunist i sinqertë? Se, sinqeriteti qoftë edhe antikomunist, si ai i Trifon Xhagjikës, do të çonte patjetër te pushkatimi i tij në fund. Ai që fliste ishte duke u përgjumur mu në mes të sallës së pritjes në Degën e Punëve të Brendshme. Në atë mënyrë ai argëtohej për së largu duke ndjekur bisedat delikate, por duke mbajtur një pozicion me dinjitet të paparë. Pastaj ai u kthye, duke thënë se Trifon Xhagjika duket se është bërë pjesë e këtij grupi, prej miqësisë me Vangjel Leshon, ish gazetar i Radio Tiranës dhe mik me Trifonin. Hetime të vështira dhe torturuese: Dhe gazetari që pat tentuar të arratisej, pranoi se në grupin e tyre ishte dhe Trifon Xhagjika.

    – Kjo nuk është e mundur.

    – Çfarë?! Edhe ju paskeni qenë në atë grup! – mërmëriti hetuesi duke qeshur.

    – Eh, jeta duhet njohur me të mirat dhe me të këqijat e saj…

    Ata u zgërdhinë një copë herë. u tërhoqën pas, duke u fërkuar e përplasur njëri me tjetrin, të pushtuar nga një gaz i papërmbajtur. Ky kalama ishte gjithë turp dhe si i mahnitur. Më 15 gusht të vitit 1963, ai ka pranuar para hetuesit se në shoqërinë e tij bënte pjesë dhe Trifon Xhagjika. Ai më hiqte mërzitjen.

    – Po vënë një pjesë të jashtëzakonshme në skenë.

    – Po si kështu, zotëri! Është e mundur të gjendet një njeri që të mos e dojë punën?!

    – Armiqtë e popullit nuk e duan, ndaj ne u japim plumbin… – Kapiteni rrinte te dera si i kafshuar nga qeni.

    S’kishe si të kos i admiroje ata njerëz, që bënin tërë atë punë ‘të fisme’! Dhe zëri i atyre që flisnin ishte bërë i butë e molisës, sikur të ndjenin një prehje shpirtërore prej kishe, apo atë këngën diskrete e të mekur që luhej aty. Thuhet qartë në aktpadinë e ‘krimit’, se nga i gjithë grupi, Trifon Xhagjika ishte pro-Perëndimor, ishte gati të arratisej jashtë kufirit dhe më pas në Itali, kurse pjesa tjetër pro-Ruse.

    Asnjë prej hetuesve, të cilët si zakonisht tundnin derën, nuk kishte ndërmend të dorëzohej, ndaj hidhnin vështrimin sa andej-këtej. Të paktën të kishin gjetur një bionde të mrekullueshme. Por megjithatë erdhi çasti të mbeteshin vetëm. Hetuesit përziheshin me ta, thoshin ndonjë frazë miqësore, të besueshme, shpejt e shpejt, pastaj ktheheshin me një shkelje syri dhe me një shenjë mirëkuptimi. Ishte si një parullë që ai e shpërndante në një mënyrë të natyrshme. Njoftimi vraponte sa tek njëri, tek tjetri, përmbi zhurmën e ethshme të këtij operacioni fajësie. Disidenca letrare? Trifoni kishte botuar ndërkohë një libër me poezi “Gjurmët” dhe kishte ende pa botuar një grumbull poezish të mirëfillta disidente. Poezia “Kroi plak”, “Atdheu është lakuriq”, “Për ty Republikë” etj., janë dokumente të forta të vetëdijes së tij antikomuniste.

    – Jo, mos flisni kot, – thoshin të dy hetuesit me një zë. – Poezia është gëzim, është dritë… E keni dëgjuar mirë apo jo?

    – E mrekullueshme! – mërmëriste roja, i plakur brenda një dite. Ai fshihte një buzëqeshje të papërcaktuar e disi enigmatike, e cila nxirrte në pah pak nga e verdha e dhëmbëve të tij.

    Ndryshe nga të tjerët më 23 gusht, si sot 60 vite më parë, Trifoni ka dhënë llogari para hetuesve për këto poezi. Ka dëshmuar kujt ia ka dhënë, kush i ka lexuar e pse i ka shkruar. Këto vargje Trifoni i deklamoi përpara trupit gjykues. Tirana drithëronte. Tirana rrëqethej. Tirana dëgjonte poetin tridhjetenjë vjeçar, qe nuk i luante qerpiku. Diktatura dhe shërbëtorët e saj shtrëngonin nofullat, lëshonin britma ogurzeza “në emër të popullit”(?!). Po luhej akti i një tragjedie… 

    Avokatja Vera Bodo thotë se ata ishin të akullt, të pandjeshëm dhe të prerë. Vendimin e kish marrë tjetërkush. Sadizmi komunist. Por… e pashoqe qe qëndresa dhe krenaria e Trifonit. 

    – Po filloj të shqetësohem edhe unë…

    Kishte ardhur momenti për të rrezikuar.

    Mbrëmja letrare në hetuesi po shkonte për bukuri. Edhe titujt flasin shumë: “Kënga e verbër”, “Ndihmomëni të qesh”, “Nuk duan të kuptojnë, që jemi njerëz” etj. E besonte edhe vetë se e kishte seriozisht atë që kishte shkruar dhe në ato që thoshte. 

    – E kam vërtet shumë seriozisht… Është një trill, ju e dini.

    – Ee, meqë puna qenka kështu, atëherë do t’ju ndihmoj unë, – dëgjon t’i thonë.

    Dhe sinqeriteti i tij i keqpërdorur!

    Në fakt historitë e vërteta njerëzore nuk janë bardhë e zi. Trifoni ishte pjesa e sinqertë e grupit, që besonte si antikomunist, vepronte si i tillë dhe donte të arratisej në Perëndim. Por sa vinin dhe e humbnin ritmin, bëheshin më pak aktivë dhe një lloj lodhje dukej sikur i përkundte e i përgjumte.

    Hetuesit iu vunë punës për ta shkatërruar fshehurazi, po edhe drejtpërdrejt poetin, me një lloj zhurme të lehtë prej dhelpre; ndërkohë që hundën e kishin futur tërësisht brenda në dosje, shoqëruar me një ndjenjë të trashë kënaqësie, saqë nuk donin as t’u binte ndërmend ta hiqte që andej, gjithnjë pa u ngutur, duke shkuar sa tek njëri tek tjetri, pa ngulur këmbë, rrinin aty disa çaste për të vështruar burrin e sinqertë dhe kurdoherë me një pamje pyetëse të heshtur dhe duke vënë buzën në gaz dhe… bënin tutje.

    Zjarri i madh digjej në gjoksin e paduruar të historisë, duke e shndërruar atë – herë në ngjyrë rozë, herë si të thatë – më shumë seç duhet, po edhe çuditërisht të ngathët. Ai u arrestua në shtëpi sepse kishte marrë pjesë në çdo plan antikomunist(!), ai ishte edhe vetë formuluesi i trakteve të hedhura në prill të vitit 1962 në Tiranë! Dëshmitarët e pranojnë këtë. Vangjel Lesho ka porositur Trifonin. Shkrimi i përmbajtjes. Pastaj edhe Fadili. Më në fund shpërndarja. Dorezat plastike të motrës infermiere për të mos lënë shenja gishtash dhe një shishe zamke… Dhe kështu ka humbur sekreti, por në hetuesi del qartë. Trakti i shpërndarë në Prill të vitit 1962 qe ideuar nga Trifoni dhe Vangjel Lesho.

    Padyshim edhe lidhjet e shpikura nga gjithë këqyrja e dosjes ka dy detaje që duket se janë të shpikura nga vetë anëtarët e grupit, për të krijuar besim tek njëri-tjetri por që në fund u janë përdorur si vepra të rënda penale. E para ka qenë lidhja me jugosllavët. Këto lidhjet i pranuan në hetuesi, ku thuhet qartë se që në fillim të bindej Trifoni se nuk ka rrezik për arratisje, pasi do të ndihmojnë jugosllavët matanë kufirit. Pastaj edhe pjesëtarët e tjerë të grupit. Legjendat që thureshin me ambasadën jugosllave për arratisjen e tyre, është një nga ato mitet që njeriu ngre për t’i besuar vetë. Trifon Xhagjika i rrinte pranë mendimit të tij, herë-herë hidhte vështrime të buta, të shoqëruara gjithnjë me një buzëqeshje të zbehtë. Në urinë e tij prej ujku, duke u bërë ceremonial, ai provokonte se në këto çaste gjithçka vëzhgonte me bishtin e syrit.

    Gënjeshtra më e bukur ishte atentati politik kundër dikujt nga udhëheqja. E gjithë kjo është bërë në përpjekje për të bindur Trifonin t’u gjente bomba dhe pistoleta, që t’i kishin për t’u arratisur. Atdheu i veshur dhe i mbetur lakuriq e ka ngrënë sapunin për djathë. Dhe mbetën tek ideja se duhej një akt terrorist ndaj udhëheqjes që të bënte bujë.

    Trifon Xhagjika i ka besuar të gjitha hamendjet që përfundonin në veshët e Sigurimit e të hetuesisë. Bombat dhe pistoletat që nuk u gjetën kurrë, u përdorën si aktakuza themelore ndaj poetit, që i ka kushtuar pushkatimin. Qëndrimi krenar dhe ekstravagant, mendimi krejt i dukshëm në ballë, mania e një sinqeriteti të sëmurë, larg – shumë larg marifeteve, me të vetmin qëllim që të mos turpërohej kur ta shihnin në sy, ndeshte gjithnjë në ngërdheshjen e tmerrshme e të hapur, bëhej hezitues, nuhatës, duke lënë gjithçka në harresë. Një ushtarak model, por i konsideruar tradhtar ndaj atdheut u bë lajtmotiv për fundin e tij është tragjik.

    Nga i gjithë grupi ky është i vetmi që ka shfaqur gatishmëri antikomuniste, por s’ka bërë asnjë gjest penal përveç poezive që konsideroheshin agjitacion e propagandë, kanë takuar diplomatë të huaj. Ky vetëm ka qenë dakord. Dhe u pushkatua. Drama e sallës së gjyqit është një histori më vete. Prokurori ka lexuar pretencën: “Veçanërisht paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore të pandehurit Trifon Xhagjika dhe Thoma Rafaeli, të cilët duke qenë oficerë të Ushtrisë Popullore, kanë tradhtuar adheun.”

    Trifoni krenar, dëgjonte me interes të veçantë dhe adhurim të bindur, të fshehtat e tjetrit, asnjëherë dhe kurrë nuk i rrëfente ato që kishte brenda vetes. Vëllai i tij Ylli Xhagjika sapo dëgjoi shqiptimin e vendimit me vdekje dhe me të parë ligështinë e Trifonit në fytyrë u ngrit dhe i tha: “Ngrije kokën lart. Nuk u frikësohemi këtyre ne!” Është ndaluar në sallën e gjyqit dhe arrestuar dy javë më vonë. Sytë e saj digjeshin prej kureshtjes. Ajo vdiste që të ishte në mes të historive të forta, i mbërthyer nga dëshira për të dhënë si i vëllai edhe më sublimen, jetën.

    Tiranë, 18.01.2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË