More
    KreuIn memoriamDr. Ernest Nasto: Kujtojmë shkrimtarin amerikan Xhek London

    Dr. Ernest Nasto: Kujtojmë shkrimtarin amerikan Xhek London

    John Griffith Chaney (12 janar 1876 – 22 nëntor 1916), i njohur si Xhek London (Jack London), shkrimtar, gazetar dhe aktivist i shquar amerikan.

    Pionier i tregimeve e romaneve komerciale të serializuara në revistat e kohës, ai u dallua edhe si novator në zhanrin fantastiko-shkencor, duke u bërë një nga autorët më të parë amerikanë me famë botërore. London bënte pjesë në grupin letrar radikal The Crowd (Turma) në San Francisko dhe si socialist i flaktë, ishte mbrojtës i të drejtave të punëtorëve e të shtresave të shtypura. Disa nga veprat e tij trajtojnë pikërisht këto tema, si romani distopik

    “Thundra e Hekurt” (The Iron Heel), përmbledhja me reportazhe “Njerëzit e humnerës” (The People of the Abyss), apo eseja “Lufta e klasave” (War of the classes). Prej këtyre prirjeve të majta censorët e regjimit komunist u kishin dhënë “vizën” e botimit veprave të tij edhe në Shqipëri, sigurisht nën shembullin e censorëve sovjetikë, siç veprohej rëndom atëherë në të gjitha vendet lindore.

    London ishte madje edhe më i privilegjuar në krahasim me autorë të tjerë të huaj, sepse studiohej veçanërisht në programet shkollore.

    Në brezin tim të viteve ‘70 – ‘80, ai admirohej jo për “Thundrën e hekurt”, një roman i dobët që s’e lexonte njeri, e as për idetë socialiste, por sidomos për romanin “Martin Iden” (Martin Eden), ku heroi ishte tipi i njeriut individualist, të fortë e të paepur, të vendosur në arritjen e qëllimeve të tij për t’u bërë dikushi. Edhe veprat më të mira të London si “Kushtrimi i të parëve” (Call of the wild) dhe “Dhëmbi i bardhë” (White fang) pëlqeheshin prej nesh për të njëjtat arsye që e bënë atë të famshëm në Shtetet e Bashkuara e në shumë vende të tjera: përshkrimin mjeshtëror të natyrës së ashpër e të karaktereve po aq të ashpra, këmbënguljen dhe fitoren e më të aftëve, apo atë lloj primitivizmi magjepsës të jetës në viset e largëta veriore. Ngjarjet e të dyja këtyre veprave zhvillohen në Jukon (dhe Alaskë) gjatë etheve të arit të Klondajkut, ashtu si edhe ato të pjesës më të madhe të tregimeve të tij të shkurtra si “Shkretëtirë e bardhë” (The white silence) apo “Të ndezësh një zjarr” (To build a fire). Një version filmik i këtij të fundit, i vitit 1969, shfaqej edhe në televizionin shqiptar në vitet ‘80.

    Më kujtohet ndërkaq edhe se si teksti ynë i letërsisë së huaj në shkollë të mesme nuk harronte të vinte në dukje “kufizimet ideore” të Xhek London, ngaqë ky s’kish kuptuar mirë “rolin udhëheqës të partisë”, apo se ishte tip anarkisti. Po ashtu atje theksohej se një nga romanet e tij të fundit, “Aventurë” (Adventure), ishte me pikëpamje të hapura raciste e kolonialiste.

    Xhek London vdiq më 1916 në Sonoma të Kalifornisë në moshën 40 vjeçare. Është hamendësuar se ai bëri vetëvrasje, aq më tepër që kështu kishte përfunduar dhe personazhi i tij i njohur, Martin Iden, por studiuesit seriozë të tij e kundërshtojnë dhe e dokumentojnë që ishte vdekje.

    Letërsia e tij më e mirë ka lënë gjurmë të forta dhe lexuesi shqiptar e ka dashur dhe çmuar.

    Tregimi që po sjellim, ka gjithashtu për sfond Jukonin dhe kërkuesit e arit, por i përket një zhanri për të cilin ky autor i madh amerikan s’është edhe aq i njohur, atij humoristik. E pata përkthyer vite më parë, fillimisht nga italishtja, dhe revista “Hosteni” e kish nxjerrë me shkurtime në dy numra më 1986. Përkthimi i tanishëm, i plotë, është nga origjinali anglisht.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË