More
    KreuÇmimeFlurans Ilia: Dy fjalë për Çmimet Kombëtare të Letërsisë, ngushtësisht poezinë, për...

    Flurans Ilia: Dy fjalë për Çmimet Kombëtare të Letërsisë, ngushtësisht poezinë, për vitin 2022

    u gëzova për Olimbi Velajn si poete fituese

    Qysh në kryeradhë duhet falënderuar qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ministria e Kulturës për përpjekjet e vazhdueshme në këtë drejtim, pavarësisht se ka njerëz që nuk pajtohen me këtë nga këndvështrime të ndryshme, sepse gjithmonë ngelet diçka për t’u përmirësuar dhe se kritikat duhet të mësohemi t’i marrim si diçka të shëndetshme. Pa humbur kohë, do të flas ngushtësisht për poezinë në këto rreshta, sepse poezia është domosdoshmëria më e brishtë mes vlerësimeve dhe vënies në dukje të formave të tjera të artit, për ta bindur shtetasin e republikës se ky vend ka art dhe arti poetik edhe pse i vetmuar, është një nga format më të epërme të dashurisë për gjuhën (shqipe).

    Janë pesë finalist që dalin në krye përgjatë botimeve të shumta të vitit. Që të jem i sinqertë u befasova nga prania ime këtë vit në këta pesë emra. Ndërsa përpiqesha të gjeja një botues për librin tim me poezi në vitin 2022, përgjigja më e shpeshtë që kisha marrë nga botues të ndryshëm ishte HESHTJA! Askush nuk do që të vihet në rrezik me botimin e një “libri me vjersha”. E shohin si “djallushe të gjelbër” poezinë. Aq sa një miku im botues me të drejtë mu përgjigj: Flurans, çfarë pritshmërie ke ti nga poezia? Çfarë t’i thosha? Që kam vite që nuk pres asgjë veç përmbushjes të asaj çka më bënë të ndihem në jetë, fal Zotit. Që më bënë të dua më fort si njeri atë, tjetrin. Që na është zhvoshkur lëkura e përditshmërisë të fjalëve dhe membrana e syrit nga “recetat se si duhet shkruar poezia’, se “kush është apo jo poet”, nga uni dhe ereksioni i qenies dhe mos qenies në majë të pendës (me d). Të gjitha këto i mendoja atë çast kur pashë emrin tim në atë listë dhe në mediat sociale kam shkruar pas përmendjes së emrit të çdo finalisti në veçanti se “është privilegj të jesh mes jush” – ndërkohë që shihja në qendër të pamjes andej këndej vetëm sy narcisin. Aq sa në statusin tim dikush shkruan se, më i miri është filani apo fistëku, gjë të cilën e konsideroj si të pasjellshme dhe absurde nga ana e dikujt të mbrujtur me kulturë dhe artin e të cilit e respektoj. Ka ardhur koha ta shohim njëri tjetrin ashtu si është dhe jo ashtu si ti do që ta modelosh, i dashur intelektual. Ndryshe, njëtrajtësimi i vlerave sipas midesë krijon një gjellë bajate pa pikë erëzash.

    Nuk e fsheh, u gëzova për poeten Olimbi Velaj si fituese. Kjo ngaqë e kam lexuar herrët Olin dhe i njoh përpjekjet e saj të heshtura në drejtim të poezisë në këto njëzet e ca vite. Madje edhe titullin e librit e gjej si krejt të veçantë dhe fisnik, “Lumturia e të tjerëve”, lumturi të cilën ia shpreha Olit nëpërmjet një mesazhi intim, ashtu si e do zakoni. Dhe përgjigja e saj e menjëhershme nuk vonoi. “Flurans, është pak të të them faleminderit. Më gëzove shumë! Nuk kam fjalë. Është një gjë e madhe për mua ky mesazh, sidomos në këto rrethana.” Ja, për kaq pak gjë kemi nevojë të dashur njerëz të artit dhe kulturës.

    Por, do jem i sinqertë edhe i pamëshirshëm me veten gjer në fund të këtyre rreshtave. E vetmja keqardhje që pata pas shpalljes së çmimeve 2022 për poezinë, nuk është fakti që nuk fitova unë, mos e dhëntë Zoti se kush i dëgjon gojët e liga, por fakti që Trilogjia “Frymë” e Erina Çokut nuk mori atë që i takonte. Janë tre libra që krijojnë një trup të vetëm në sasi dhe cilësi teje të qëndrueshme, aq sa qysh atë vit i kisha thënë hapur Erinës dhe kujtdo që ky është libri i vitit për poezinë dhe vazhdoj gjer në këtë çast ta besoj këtë. Për aq kohë sa nuk kam lexuar ende librin e Olit! E shikoni pra se si janë gjërat? Një grackë e vogël për jetë a vdekje që ka të bëjë kryekëput me njohjen dhe mosnjohjen e tjetrit përpara se të hapësh gojën dhe të flasësh? Pra është thjesht çështje dije, çështje urtësie dhe kaq. Sepse do isha vërtet i njëanshëm dhe, njëanshmëria e ka bërë artin te ne t’i përngjajë një fshati të vogël me kufij të paracaktuar klanore. Dhe nuk më vjen keq për këtë sepse është një tabu që do të thyhet një ditë dhe ato kufij kanë për t’u zgjeruar. Më vjen keq për veten që nuk kam pasur mundësi gjer dje të lexoja librat e kolegëve të tjerë duke qenë teje i “preokupuar” te vetvetja! Apo jo, kolegë të nderuar?

    Ashtu si e do zakoni i shqiptarit, do e mbyll me librin tim tani! Se nuk na lëshon sedra ne, jo! Dua të falënderoj të gjithë ata shokë dhe shoqe, që me mesazhet e tyre apo vetëm me faktin e thjeshtë që janë gjendur pranë duke ta lexuar shpirtin, kanë dëshmuar njeriun, i dashur njeri. Dhe njeriu është ajo që na mungon sot si shoqëri. Poetë, përkthyes, studiues, dhe shkrimtarë kjo tokë do të nxjerrë vazhdimisht me të gjithë gamën e problematikave dhe mirësinë që mbart. Çdokush me individualitetin e vet ka për të krijuar pamjen e plotë të shpirtit të gjuhës të derdhur ndër ato germa, për ato germa po ua them, sinqerisht.

    28 Dhjetor, 2023


    BOTA E NËNDHESHME E LIBRIT

    Marrëdhëniet me lexuesin janë gjithmonë të ndërlikuara. E them këtë nga përvojat e mia. Kjo edhe si rezultat i realitetit të marrëdhënieve me botën e librit. Sepse “i takon” kryesisht (edhe) autorit, puna për ta bërë njëfarësoj librin të bjerë në duart dhe syrin e lexuesit. Një proces i koklavitur ky sepse i jep idenë e gabuar publikut sikur autori po përpiqet të na shesë mendje, gjë që nuk është e vërtetë. Shkrimtari në shoqërinë e sotme është një qenie e vetmuar. Këtu mund të krijohet një parantezë e thukët gjithashtu me autorë jo të zakontë të cilët jetojnë prej vitesh jashtë vendit. Artisti ka vetëm veten, fillin dhe vrimën e gjilpërës që është gjuha e tij, dhe po qe se është pak me fat, një grup shoqesh dhe shokësh, të cilët i kanë qëndruar për një arsye ose një tjetër besnik në avlëmendin e kohës, nga rrethana letrare por edhe nga këndvështrimi njerëzor. Nuk dua t’i futem institucionalizimit si formë ndërtimore se si projektohet gjithmonë e më shpesh libri, se sa dua të heq një vijë paralele me atë që përbënë botën e nëndheshme të librit për një kategori të caktuar autorësh.

    Ditën e shtunë, vete me tim bir në zyrën e postës (instaluar brenda një kinkalerie) për të postuar dhe nisur një kopje të librit tim “Katër palë flatra” në Evropë, një prej lexueseve të mia më besnike ndër vite për të cilën kam një mal me respekt dhe dashuri të ndërsjellët. Brezi i tim biri nga ajo çfarë kam parë me bashkëmoshatarë të tij nuk janë të interesuar për librin, dhe kjo më vret. Leximi u duket kohë e humbur, jo saktësisht, por kohë që zvarritet, ndërkohë që këta ecin shumë më shpejt me imazhin, në aspektin teknologjik të fjalës. Ajo çka për ne dje ishte botë letrare, një univers imagjinar përshkruar me fjalë dhe personazhe, për fëmijët e sotëm është personazhe dhe video-game. Edhe këta krijojnë me mënyrën e tyre figurative. Problemi qëndron te abuzimi i industrisë me ta.

    Në kinkaleri, drejtohem në zyrën e postës ku nga njerëzit në radhë vetëm një zonjë e moshuar më shikon me ca sy që i shndrisin gjithë melankoli teksa fus librin në zarf, dhe pjesa tjetër (kryesisht të rinj) më shohin si jashtë-tokësor, si personazhin K të Franc Kafkës. Sikur mos mjaftojnë shikimet e tyre, ndihem paksa i abuzuar nga vështrimet, sikur ne të tjerët nuk jemi njerëz me shpirt e zemër, është edhe im bir që më qepet t’i blej një kartë Roblox që të ketë mundësi të luaj me të në linjë.

    Janë një armatë e tërë fëmijësh ballas prindërve, ku thembra e konfliktit zhvillohet jo më rreth mureve të Trojës, por qark qarkut të trojeve tranzitore të kibernetikës. Lufta e sotme i përngjan po atij dreq kali të drunjtë që u kanë futur brenda mureve pabesisht. Si ajo shprehja që thotë “U kanë futur shejtanin në bark!” Por nuk jam paragjykues në këtë drejtim. Koha bënë kohën e vet. Kush do jetë produkti i kësaj kohe? Këtë nuk mund ta them hë për hë. Por të gjitha këto po i bluaja në mendje në zyrën e postës.

    Shumë më vonë pasi ishim kthyer në shtëpi, u kujtova papritur, dhe u turbullova pa masë, mu prish gjaku teksa po realizoja në mendje se kisha harruar t’i nënshkruaja një mbishkrim mikes time të mirë! Gabim i pafalshëm nga ana ime. Por, a nuk thamë më sipër se edhe ne jemi njerëz me shpirt e zemër edhe, njeriu bënë edhe gabime? Njeriut në fjalë iu desh të përshkonte të gjithë këtë trysni rrethanore për ta shpënë librin e tij pikërisht drejt lexuesit ideal dhe kur çasti shfaqet harron një dedikim njerëzor për këtë marrëdhënie kaq intime me tjetrin?! Atëherë i thua vetes me keqardhje se, je një copë k – jo e vogël e shtypit – K me germa kapitale, përballë Kështjellës, Procesit, Amerikës, Kolonisë ndëshkimore, madje edhe vet Metamorfozës së personazhit, prej nga ku Franci ynë krijoi alibinë e autorit të një libri si fajtor kryesor i mos nënshkrimit të librave të vet.

    Dhjetor, 2023

    NJË KOMENT

    1. Nuk me kujtohet qe deri me tash te kem lexuar diçka dalë nga shpirti- zemra sikur ky shkrim, puplikim i vërtetë .Të vërtetën qe tash më, ka kohë është ,, shqyer ujqërish malor, por në kët rast ujqërish ,, GJELOZ” kuptohet ata që s’ ia kanë ,,alet”të përdorin ,, penën e artit” Në gjuhën Shqipe ështé stërmbushur dora pene dosisdo sidomos ato, ata që përpiqën të béjné ,, POEZI” krijimi më alitar i fjalës srtistike. F. ka arsyen e plotë né mendjen e tij , ndaj urojmë që VLERA jo të jetë vetëm tij, por edhe lexuesit t’mirëfillt. Mergimtari

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË