More
    KreuForumi mbi përkthiminXhahid Bushati: Në Shkodër për herë të parë “Kallximet e Andersen-it” -...

    Xhahid Bushati: Në Shkodër për herë të parë “Kallximet e Andersen-it” – për shkolla e familje –

    Në veprën e tij të vlefshme, me qasje shkencore e ndriçuese, me titull: “Histori e Letërsisë Botërore për fëmijë” me autor prof. as. dr. Astrit Bishqemi[1]; pasi lexojmë, fillimisht, të dhënat për jetën e përralltarit të famshëm danez Hans Kristian Andersen, më pas analizën e thukët të përrallave të tij, klasifikimin e tyre; ndalemi në faqen 84, ku mësojmë këtë informacion: “Duke përfunduar shënojmë se vëllimi i parë i përrallave të Andersenit në vendin tonë, me sa dimë është: “L. Efthimiadhi – F. Fishta – K. Shiroka / KALLXIMET E ANDERSEN-it – për shkolla e familje -, Shkodër, Shtëpija Botuese “ORA”, 1936.

    Duke i hequr frazën “me sa dimë”, nga hulumtimet e mia, pohoj se, botimi i parë i përrallave të Andersenit është në Shkodër, 87-vjet më parë. Pra, udhëtimi i parë i përrallave të Danezit të Madh është në Shkodër. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, ajo magji e përrallave vinte në një qytet me kulturë, me trashëgimi të pasur, me dëshmi letrare, me rrezatim shkrimtarësh në vite. Iniciativa dhe misioni i tre përkthyesve: L. Efthimiadhi – F. Fishta – K. Shiroka përbën një monument nderimi dhe lavdie që duhet përmendur dhe nuk duhet harruar. Është e rëndësishme të theksojmë se, botimi i dytë i përrallave të Andersenit në vendin tonë, vjen në vitin 1955. 68 vjet më pas, dhe përkthyer nga rusishtja. Kjo ardhje me “vonesë”, nuk bën asgjë tjetër por autorëve-përkthyes iu rritet më tej lavdia dhe evropianizimi i tyre.

    Tre përkthyesit, të ditur e të kulturuar i bënë nder lexuesit të vogël shkodran, qytetit të Shkodrës e më gjerë, si dhe Shkollës e Familjes, të cilët me të drejtë e kanë vënë si nën titull, për të vlerësuar maksimalisht këto dy vatra të rëndësishme të edukimit dhe dijes, që në raport me fëmijët, në mirërritjen dhe edukimin e tyre janë bazamentale.

    Tre përkthyesit, “Kallximet e Andersen-it” e kanë shoqëruar edhe me një parathënie autoriale. Këndvështrimi im është i përqendruar te kjo parathënie e vlefshme, ku spikasin disa dukuri interesante.

    Dukuria e parë, në Parathanje-n e tre përkthyesve rrezaton përgjegjësia, dëshira,  brumosja dhe kulturimi i fëmijëve me një letërsi dimensionale, cilësore, edukuese dhe të bukur. Autorët shkruajnë: “Dishiri me u dhânë lexuesave të vegjel Shqiptarë nji libër njikohësisht të vjefshëm dhe t’argëtueshëm, na shtyni t’u vëm ndër duer përkëthimin e kallximeve të HANS KRISTJAN ANDERSEN-it…”.   

    Dukuria e dytë, vlerësimi i emrit të shkrimtarit dhe raporti i tij me përrallën që la shenjë në letërsinë botërore, i bënë përkthyesit të shprehen, kështu: “Emni i tij, sidomos në botën e të vegjelvet, u kujtue dhe kujtohet me kënaqjen mâ të madhën. Ka kenë nji nga ata shkrimtarët e përmendun i cilli  me prrallat e veta të bukura të cillat nuk kan për të dijtë kurr mort (nënkupto: përjetësinë dhe pavdekësinë), kâ përcjellë me nji mjeshtri të jashtëzakonëshme dhe të hollë rienin në botën e ngjarjeve të bukura, qi përbân jeten e sajë dhe prirjet e saja. (Nënvizojmë: “Shum nga librat kan gjetun vend ndër shkollat si libra shum të dobishëm për arsimin e fëmijvet.”).

    Dukuria e tretë, Fëmijët, nga që duhet të lexojnë vepra të mira; i motivon përkthyesit të shprehen në rëndësinë e këtyre shprehive: “Asht gjâ e dijtun se fëmijt dishrojnë të lexojnë ngjarje. Rreth tyne âsht i qandërzuem krejt interesi i tyne. Ata kërkojnë pâ tjetër prralla, kallxime qi t’a kënaqin fantazin e tyre të pângishme.»

    Dukuria e katërt, Evidentohet roli, vlera dhe misioni i vyer i edukatorëve ndaj fëmijëve. Autorët-përkthyes shkruajnë këtë mesazh: “Asht nji detyrë e edukatorit qi të përfitojë nga kjo rasë dhe kështu t’u paraqesë këtyne natyrave të njoma sende të dashtuna per to e mâ të dashtuna per ata mirërritës të tyne qi zhvillimin menduer dhe mirërritjen e fmijvet i këqyrin si dritën e syvet.”

    Dukuria e pestë, Misioni i tre përkthyesve: L. Efthimiadhi – F. Fishta[2] – K. Shiroka[3] përmes “Kallximeve të Andersen-it” është që Letërsisë Shqipe për fëmijë duhet t’i ofrohen vetëm vlera të qenësishme nga Letërsia Botërore, si dhe të flasin e shkruajnë bukur Gjuhën Shqipe. Kumti i tyre është: “Kemi pasë përmbi të gjitha kujdesin qi tekstin e këtyne kallximevet t’a paraqesim të kandëshem edhe si shtyp, përcjellë aty këtu edhe me piktura, qi i apin mâ gjallësi kallximit. Në kët rasë kemi këqyrë të bâajmë me bashkpunuem arti e letratyra me edukatën mëndore, morale e esthethike të fmis dhe kështu dora doras t’i arrihet sâ mâ parë atij qellimi të bâjmë qi ndër fmit t’onë të lindi vullndeti për lexim e, dalë ngadalë, lexuesit e vegjel t’onë të bâahen ata vetë t’aftë jo veç të mendojnë, por edhe të flasin e të shkruejnë mâ së miri.”

    Dukuria e gjashtë, Në “Kallximet e Andersen-it” janë përzgjedhur këto përralla përmes një gegnishtje të amël, si: – “Tuku i vogël”, – “Hia”, – “Robat e rea të Dukës së Madh”, – “Shoku i udhtimit”, – “Princesha mbi një bizele”, – “Vogëlusha”, – “Vajza e vogël dhe shkrepsat”, – “Vajza qi shkeli bukën”, – “Lule-delja”, – “Ushtari trim prej plumbi”, – “Ndeshja e të ngamit”.

    Dukuria e shtatë: Fjalët kyçe: dëshira, vlefshmëria, argëtimi, lexuesi i vogël, edukatorët, emri i shkrimtarit, vlera dhe magjia e përrallave, mirërritje, si drita e syve, ardhmëria, të shkruajmë mirë gjuhën shqipe, edukatë, kujdes, edukim… etj. 

    Shkodër, dhjetor, 2023


    [1]  Bishqemi, prof. as. dr. Astrit: Histori e Letërsisë Botërore për fëmijë, botim i dytë i përmirësuar e i plotësuar, Sejko, 2006; shkrimi: Hans Kristian Andersen (1805 – 1875), f. 77 – 84.

    [2]  Fishta, Filip (28.04.1904 – 1976). Gjuhëtar, studiues, Profesor. U lind në Shkodër. Në vendlindje kreu shkollën fillore dhe Kolegjin Saverian. Shkollën e mesme dhe studimet e larta i kreu për gjuhësi në Beograd. Në vitet 1924 – 1925 fillon të botojë vjersha në revistën “Kalendari i Vjetës” së Shoqërisë “Vepra Pijore”. Në vitet 1931 – 1932 botoi në revistën “Misao” të Beogradit “Historinë e letërsisë shqipe”. Pas studimeve punon si lektor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në “Ecole Nationale des Langues Orientales vivantes” në Paris nën drejtimin e Prof. Mario Roques. Në vitin 1933 emërohet në Elbasan, ndërsa në vitet 1934 – 1935 vjen në Shkodër, më 1938 është në Tiranë në Institutin “Nana Mbretneshë”, ku punon deri në mars të vitit 1944. Në mars emërohet në bibliotekën e “Institutit të Studimeve Shqiptare”, deri në fillim të vitit 1945. Me datën 19.01.1945 arrestohet nga komunistët. Dënimin e rëndoi në mënyrë të veçantë botimi në revistën “Drini”, i studimit “Kosova për historinë e letërsinë kombëtare”. Pas daljes nga burgu punoi në Bibliotekën e qytetit të Shkodrës, duke lënë një skedar me shënime të çmueshme albanalogjike, pastaj në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës dhe në Institutin e Gjuhësisë derisa vdiq. Bashkëpunoi me revistat e kohës: “Kalendari i vjetës”, “Hylli i Dritës”, “Leka”, Përpjekja shqiptare”, “Shkëndija”, “Tomorri i vogël”, “Drini”, etj. Jep ndihmesë në fushën e folklorit duke botuar këngë të mbledhura si dhe folklor të Kosovës. Ka shkruar me pseudonimin ‘Qytetari akademik’. (Shih më gjerë edhe shënimet e Willy Kamsit).

    Në letërsinë për fëmijë e të rinj këtë autor e përmendim për dy tekstet antologjike që ka hartuar për shkollat e mesme. Botimi I mban këtë mbulesë: – “Filip Fishta / Profesuer i Gjymnazit Shtetnuer të Tiranës / ANTHOLOGJI SHQIPE / Për përdorimin e shkollave të mesme: për gjymnaz, për institut teknik, për shkollë normale e për shkollë qytetse. / Pelqyem me shkresë Nr. 3924, d. 27 – IX – 1935 të Ministris s’Arsimit / Bleni I. / Tiranë, 1935 / Shtëpija Botonjëse “Kristo Luarasi””. Gjithashtu Filip Fishta ka dhënë ndihmesë edhe në shqipërimin e përrallave të Andersenit. Në këtë mbulesë të këtij libri shënohet: – “L. Efthimiadhi – F. Fishta – K. Shiroka. “Kallximet e Andersen-it”. Për shkollë e familje. Në faqen e parë shënohet: “Shkodër, Shtëpia Botuese “ORA”, 1936”).

    Filip Fishta ishte një figurë poliedrike. Gjithashtu, ai ishte: studiues letërsie, bibliotekist, bibliograf, përkthyes dhe njohës arkivash.

    [3]  Shiroka, Kolë (Kolë B. Shiroka, Prizren, 01.01.1922 – Beograd, 21.05.1994). Ka qenë aktivist dhe luftëtar shqiptar nga Kosova, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në maj të vitit 1982, u emërua në postin e Kryetarit të Kryesisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovë. Në këtë post qëndroi për një mandat, deri në maj të vitit pasues (1983), kur Shefqet Nebih Gashi u emërua në këtë post. Veprimtaria e tij letrare: “Përmbledhje pjesësh teatrale, redaktorë: Sulejman Drini, Hilmi Kryeziu; përkthyer nga Kolë B. Shiroka; Prishtinë, Botues: “Rilindja”, 1961, f. 357, tirazhi: 3000 kopje; fjalët kyçe: Letërsia jugosllave, Letërsia botërore, Letërsia për fëmijë, drama; “Sikur të isha djalë” (dramë në katër akte, simbas romanit të Haki Stërmillit), Prishtinë, (botuesi: pa emër, f. 66, viti 1969); “Me kangë deri në fitore” (recital kushtue kremtimeve të ndryshme të revolucionit popullor dhe krijimit të Jugosllavisë së Re; Prishtinë, botuesi: pa emër, f. 36, me nota, 1969. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË