More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFloresha Dado: Parimet metodologjike të E.Çabej në interpretimin e letërsisë dhe kulturës...

    Floresha Dado: Parimet metodologjike të E.Çabej në interpretimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare

    Në dy studimet kapitale  të E. Çabejt,  “Për gjenezën e letraturës shqipe1938-39 dhe “Romantizmi në Europë Lindore e Juglindore dhe në literaturën shqiptare 1945, shprehet qartazi, nga njëra anë, koncepti mbi letërsinë “si shprehja më e mirë e shpirtit shqiptar, si shprehje estetike dhe shprehje etnike”, nga ana tjetër, sistemi i tij i interpretimit shkencor, ku aplikohen metoda historiko-kulturore dhe metoda komparativiste. Raporti i letërsisë me historinë e kombit, në kuptimin e gjerë si histori ideore, etno-kulturore, shpirtërore, si dhe marrëdhëniet folklorike e letrare të kulturës shqiptare me ato të vendeve ballkanike, dhe më gjerë, përbëjnë bazën filozofike, metodologjike, në sistemin e të menduarit të E. Çabejt. Ky aspekt i rëndësishëm i metodologjisë së interpretimit deri më sot nuk është hetuar në qasjen dhe thellësinë e duhur.. Tezat e tij duhen parë brenda kuptimit të letërsisë si një sistem specifik, që e shfaq veten në kohë historike, çka na bën të kuptojmë se poetika e veprave letrare, në një kuptim, është poetikë historike dhe reciproke me mjedisin e gjerë kulturor. Dy aksiomat e përcaktuara prej tij : ndikimi i madh i poezisë popullore në shkrimtari, roli i poetit si prijës shpirtëror, çka bënte që “nacion dhe politikë” të ishin “temë kryesore e krijimit letrar”, lidhen me pikëpamjen që e konsideron rrugën e zhvillimit të letërsisë si “rrugë e zhvillimit mendor të kombit”  me bindjen se “nëpërmjet autorëve kuptojmë shpirtin e kohës”,  për të arritur në sugjerimin që  “të nxjerrim në dritë, në pikat më kryesore, personat e dukjet që janë themelore për vijën e zhvillimit të literaturës”. Në strukturën teorike të tij ne gjejmë një kuptim më specifik të asaj që ai e quan “metodë sinkronike dhe diakronike”.

    Mendoj se gjithë sistemi i Çabejt mbi kuptimin dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare, ngrihet mbi dy boshte themelore, pa njohjen e të cilave nuk mund të shpjegohen parimet metodologjike  të këtij studiuesi, i cili,  krahas gjenisë gjuhësore, mbeti orientues edhe  në fushën e  shkencës letrare.

    I. BOSHTI I PARË (METODA HISTORIKO-KULTURORE)

    “Për gjenezën e literaturës shqipe”(1938-39)

    Dihet se në zhvillimin e shkencës së letërsisë, në dy shekujt e fundit, u shfaqën një seri pikëpamjesh teorike-metodologjike, lidhur me paradigmën dominuese të studimit letrar. Eshtë folur për katër revolucione në studimin  e letërsisë, teorisë letrare, kritikës, të cilat përcaktohen si

    1. Kalimi nga paradigma metodologjike idealiste te ajo pozitiviste;

    2. Kalimi nga paradigma metodologjike pozitiviste tek anti-pozitiviste, e brendshme, ose formale, shtrirë në shumë variante: fenomenologjike, formaliste, gjuhësore, stilistike, retorike, kritikë e re etj.;

    3. Lëvizje nga paradigma formale te strukturore, e cila është e radikalizuar në praktikën teoriko-metodologjike semiotike, duke e parë veprën letrare si një strukturë dinamike të hapur, për të cilën janë të rëndësishme tre përbërës themelorë –tekst në vetvete, autori dhe lexuesi i saj;

    4. Kalimi nga matrica metodologjike strukturore-semiotike në atë dialogjike, hermeneutike, ndërdisiplinore dhe kontekstuale, dominante në teoritë poststrukturaliste dhe postmoderniste (neo-krahasimtare historike dhe sociologjike të Bahtinit, nëpërmjet teorisë së recepsionit, kritikës së lexuesit, kritikës psikoanalitike dhe feministe).

    Shohim se diskutimi mbi metodën dhe metodologjinë e studimit të letërsisë, është ekstremizuar në dy qasje kryesore : “letërsia është rruga e zhvillimit mendor të kombit” dhe “letërsia nuk ka histori”. Filozofia e Hegelit solli konceptin e vështrimit “historicist” të historisë, por edhe të formave  të artit. Në kuptimin e këtij raporti pranohej se do të ishte gabim të studioheshin veprat e artit pa iu referuar shoqërive të veçanta, në sfondin e të cilave janë krijuar. Por historicizmi, në interpretimin e letërsisë, ka të bëjë me përcaktimin e fenomenit të ri letrar jo thjesht dhe vetëm në një sfond të përcaktuar historik, por edhe në procesin e konfirmimit të ndryshimeve thelbësore të tij, sipas parimit “…të shpjegosh shkakësisht një gjë, do të thotë të shpjegosh si dhe përse ka ndodhur, domethënë të tregosh “historinë” e saj.” Mbi këtë filozofi qëndron teoria e Çabejt.

    Vetë titulli i punimit “Për gjenezën e literaturës shqipe” prezanton, që  në krye se parimin themelor metodologjik i tij është raporti shkakor dhe i origjinës, që orienton se zhvillimi i letërsisë është ndryshim i vetë sistemit letrar, se letërsia jonë lindi në një kontekst social-historik-kulturor, se ajo ekziston në kohë dhe hapësirë të caktuar. Sipas tij rruga e zhvillimit mendor të Kombit duhet parë  nga vija që ka ndjekur literatura. Kjo do të thotë, nga ana tjetër, se evolucioni letrar ndodh dhe në marrëdhënie me sisteme të tjera, social, kulturor, historik, etj., pra me ndikime letrare e joletrare. Pikërisht mbi këtë bazë metodologjike, në sistemin e të menduarit dhe studimit të Çabejt ndodh gërshetimi i vëzhgimeve antropologjike me ato historike, apo gjuhësore, gjeografike, folklorike. Metodologjia historiciste  sjell në studimin e tij një qasje sa interesante, aq edhe origjinale, që nxit disa teza dhe orientime të rëndësishme, si: “t’i trajtojmë një herë së brendshmi këto çeshtje, por sidomos historinë shqiptare, duke e studiuar nga gjendja e sotme në të shkuarën, duke nxjerrë nga fakte të reja të njohura përfundime për perioda të moçme”; apo, kur i jep një shtrirje më të thellë interpretimit të poezisë popullore, e cila duhet studiuar tërësisht dhe sintetikisht brenda kuadrit të folklorit të përgjithshëm”; apo teza se “këngët popullore janë në gjendje të lëshojnë dritë edhe në historinë e fiseve tona” e të tjera, që do shihen më pas. 

    Lind pyetja : përse Çabej, i diplomuar në një nga qendrat më të zhvilluara të shkencave filologjike, në Vjenë dhe Grac, qëndron në pozitat pozitiviste, pikërisht në vitet kur mendimi teorik bashkëkohor (Formalizmi Rus, që spostohet më pas në Pragë etj.) si dhe ai anglo-amerikan (Kritika e re) ishin bërë pothuaj mbizotërues ? Si shpjegohet mbizotërimi i metodologjisë së kuptimit të letërsisë si fenomen shkakor, i lidhur ngushtë me faktorë historikë e kulturorë ? Do të mendoja se arsyet kryesore janë këto:

    1. Ndikimi  nga historicizmi dhe shkolla historiko-kulturore e shekullit XIX ishte i fuqishëm në sistemin e tij të të menduarit. 2. Arsyeja e dytë : metodat e studimit të letërsisë përpunohen sipas specifikës dhe ndryshimeve që shfaq vetë letërsia. Zhvillimet letrare shqiptare të deri atyre viteve dhe rrethanat historike të Shqipërisë kërkonin, ndoshta, pikërisht këto kritere të interpretimit shkencor që përpunoi studiuesi ynë. Prandaj koncepti metodologjik i Çabejt i përket modelit historicist dhe përcaktues, zbatimet themelore të të cilit janë metoda kronologjike, shkakësia, fakti, përshkrimi, biografia dhe psikologjia. Ky pikëvështrim, që përqendrohet në gjenezën e fenomenit letrar, në objektivitetin dhe empirizmin, në kronologjinë letrare, në marrëdhëniet shkakore midis fenomenit letrar e jo letrar, në marrëdhëniet midis letërsive të mëdha dhe të vogla, në kontekstualizimin e procesit letrar, në bazë të kriterit bazë nacional ose rajonal, etj. është aty, i pranishëm, brenda studimit të shkurtër të Çabejt mbi gjenezën e literaturës shqipe.

    Në themel të tezave të Çabejt mbetet interpretimi, në plan të gjerë, i krijimtarisë popullore; ai bën një përcaktim aq të saktë mbi specifikën e poezive, të këngëve, të gojëdhënave, të proverbave, të përrallave, madje të nënllojeve të këtyre krijimeve, koncepte të cilat mund të jenë në shtrat të çdo studimi të këtyre llojeve të krijimtarisë popullore nga specialistë të fushës. Është me shumë interes qasja e tij mbi një aksiomatikë të dyfishtë brenda letërsive ballkanike: Së pari,  ndikimi i poezisë popullore në letërsi, duke shkuar në ekstremin pohues se s’mund të ketë poezi të vërtetë pa këtë ndikim. Në këtë rast metoda historike-kulturore mbizotëron në pikëvështrimet e Çabejt. Aksioma e dytë : theksimi i ngjyrës politike të letërsisë, temat kryesore të së cilës ishin nacion dhe politikë. Sipas Çabejt, në raport me letërsitë e perëndimit ky nuk ishte ndryshim, por tipar i brendshëm kulturhistorik e tipologjik . Në këtë qasje historiko-kulturore është interesante teza se ndarja e letërsisë shqiptare sipas pikëpamjesh sistematike ose kronologjike-historike do ishte me të meta, nëse nuk do të  vlerësohej edhe roli i karakterit të popullit, i personalitetit të shkrimtarit, si produkt i lidhjes etnike dhe etike me fisin…Mendoj se Çabej është nën ndikimin edhe të teorisë së Hipolit Ten-it, shek.XIX, i cili studimin e letërsisë e lidh me tre faktorë themelorë : raca, ambjenti dhe momenti. Mbi konceptin metodologjik, që qëndron në shtratin e këtyre qasjeve, Çabej paraqiti tezën tjetër se karakterizimi i letërsisë shqipe nuk duhet bërë prej periodash historike, por prej qarqesh kulturore dhe letrare, duke përcaktuar katër qarqe, që tashmë njihen prej shkencës sonë.. (Qarku katolik i Shqipërisë Veriore, Qarku italo-shqiptar, Qarku ortodoks i Shqipërisë Jugore dhe Literatura kombëtare e shekullit XIX). Është interesante teza tjetër, sipas së cilës, njësia shqiptare e letërsisë sonë është e projektuar në kohë, d.m.th. në fillim janë trajtat e ndryshme që më pas konvergojnë në njësinë letrare, ide që mund të zhvillohet më gjerësisht nga historianët e letërsisë.

    II. BOSHTI I DYTË ( METODA KOMPARATIVISTE)

    “Romantizmi në Europë Lindore e Juglindore dhe në Literaturën Shqiptare” 1945,

    Të dy studimet e Çabejt shprehin ndikimin nga shkolla komparativiste. Përpjekjet për interpretim në plan krahasimtar, sado përmes skicimeve të shpejta e të shkurtra, midis letërsisë sonë dhe të Ballkanit, midis letërsisë dhe poezisë popullore, midis letërsive ballkanike dhe atyre evropiane, afirmojnë këndvështrimin specifik metodologjik të tij.  Kjo qasje krahasimtare nuk niset thjesht nga vëzhgime të rastit, por nga njohja e specifikave të secilës letërsi ballkanike apo evropiane. Vihet re se në përqasje të tilla, metoda komparativiste nuk qëndron në vetvete, por e gërshetuar me metodën historiko-kulturore, çka sjell vëzhgime dhe teza interesante në karakterizimin e dallimeve midis letërsive të Perëndimit dhe atyre të Lindjes. Konkluzioni i studiuesit E.Çabej se “literaturat , sidomos të kombeve të vogla, të Europës së Lindjes e të Juglindjes kanë më shumë një karakter receptiv, ato janë mbrujtur në një farë mënyre me përkthimet që u bënë nga literaturat e Perëndimit…se te kombet e Lindjes na shfaqet më fort funksioni nacional dhe etik i literaturës, te kombet e Perëndimit më fort ana artistike e saj” është tezë që studimet e sotme mund ta zhvillojnë më gjërësisht.   Qasja komparativiste midis romantizmit të Perëndimit dhe atij të Lindjesi, i nxjerr studiuesit disa pikëpyetje si: a humbi romantizmi diçka nga karakteri origjinal në këtë kalim? Apo pohimi befasues se ‘a mund të flitet më për romantizëm në Europën Lindore?’

    Në këtë qasje specifikuese studiuesi zbërthen specifikën e romantizmit shqiptar. Dhe teza më interesante është ajo që “pozita gjeografike e ndërmjeme e Shqipërisë midis Perëndimit dhe Lindjes…i ka dhënë drejtimin dhe literaturës.” Kryqëzimi i botës romake-katolike me botën bizantine, herë duke ngadhnjyer njëra mbi tjetrën, herë duke jetuar të dyja njëkohësisht dhe paralel, por më shumë duke u shkrirë në një njësi bashkë me lëndën anase të vendit, janë ndër konkluzionet më interesante të aplikimit të metodës komparativiste, duke arritur në teza që pak janë shfrytëzuar nga studiues të djeshëm dhe të sotëm. Një tezë shumë e rëndësishme për kohën, por edhe sot, mbetet pyetja metodologjike  se a duhej kuptuar letërsia shqiptare si një njësi, apo si një mozaik, duke konstatuar të metat e deriatëhershme  mbi këtë raport, ku sipas tij, kjo njësi ish cënuar nga disa studiues, të cilët, përqëndroheshin vetëm në një aspekt të formave të jetës shqiptare, pa kqyrur tërësinë. Sipas studiuesit tonë, dijetarëve u mungon vështrimi i përgjithshëm. Në kohën kur u botua ky studim kjo tezë kishte rëndësi të veçantë. “Njësia është, thekson ai. Është njësi etnike e kulturhistorike”. Gjithashtu, krahas vlerave të jashtëzakonshme që solli lulëzimi i romantizmit në Europë e Ballkan, (aspekte që tashmë ne i dimë), vështrimi objektiv i dukurive letrare ballkanike i  jep kurajën shkencore për të pohuar se “nacionalizmi që e ka gurrën e tij letrarisht te romantizmi, zhvilloi edhe anën e tij të prapë, shovinizmin. Siç ndodh shpeshherë me kombet e vogla, nderimi i vlerave të polemit të vet pati për pasojë që këto vlera shumë herë u çmuan më lart se ç’duhej.”.             

    Suksesi i metodës komparativiste të Çabejt u shfaq sidomos në interpretimin e romantizmit arbëresh, ku duket se vëzhgimet e tij ndikuan në shkrimet e disa studiuesve që u morën më pas me romantizmin arbëresh dhe atë shqiptar, në përgjithësi. Kjo metodë e drejton shkencëtarin tonë në  përvijimin e specifikës së strukturës romantike të veprës së poetit arbëresh De Rada, në përqasjet interesante të personazheve të tij me ato të veprave të autorëve perëndimorë, të kulturës antike, të letërsive orientale, në veçoritë që e lidhin poetin me patosin dhe poetikën romantike evropiane…I tillë është edhe  krahasimi i Darës me poezinë e botës skoceze, etj.

    Është interesant edhe karakterizimi i romantizmit naimian, ku dallon se te ky poet nuk ka ndikim të poezisë popullore, siç ndodh në romantizmin gjerman, të vendeve sllave apo dhe te autorë të tjerë shqiptarë. Shkakun e gjen në dy plane a- në përqasjen e romantizmit turk e grek me “romantizmin e vendeve gjermanike, ku interesi për krijimtarinë popullore kish ardhur përpara lindjes së romantizmit” dhe b- në vëzhgimin e vendeve sllave, ku “poezia popullore dhe poezia romantike shkrihen me njëra tjetrën si në pikëpamje të kohës ashtu dhe të përmbajtjes”. Metoda komparativiste zbulon dukuri thelbësore jo thjesht te Naimi, por te veçoritë e specifikës së romantizmit shqiptar, i cili duhet të hetohet jo në bllok, por në mënyrë më të specifikuar të origjinës dhe faktorëve të brendshëm të shfaqjes së tij.

    Të kuptosh dhe zbatosh metodën komparativiste, do të thotë që vështrimi i letërsive të krahasuara të rrokë njëkohësisht strukturën e brendshme dhe të jashtme, planin  e thellësive dhe  të  sipërfaqes. Ky është orientimi metodologjik i sistemit të  Çabejt, që ngërthen brenda vetes disa vëzhgime origjinale, për të shkuar në konkluzione teoriko-historike të rëndësishme. 

    Siç e thashë më parë, metoda komparativiste e aplikuar nga Çabej, nuk do të kishte suksesin e thellësisë së vëzhgimit, nëse do të mbetej thjesht në një krahasim në plan të jashtëm të dukurive letrare. Ajo mplekset me thellësitë e njohjeve historike e kulturore të epokave, me krahasimin midis letërsive e kulturave, me dallimin që sheh midis romantizmit të Europës Lindore dhe asaj Juglindore. Kështu, duke njohur zhvillimin historik të dy lëvizjeve të mëdha mendore të Europës Perëndimore në shek.XVI, humanizmin dhe renesansën, por edhe atë të karakterit kishtar-religjioz, si dhe romantizmin me lindjen e nacionalizmit në shek.XIX, Çabej ndërton panoramën e zhvillimeve kulturore e letrare në Europë e Ballkan; në këtë sfond përcakton edhe specifikat e romantizmit shqiptar. Në konceptin e tij metodologjik zbulohet gërshetimi i metodës sinkronike me diakronike mbi marrëdhëniet letrare të vendeve ballkanike. Këtë qasje, specifikuese dhe dalluese, e gjen mjaft interesante edhe në krahasimin e përrallave dhe gojëdhënave, duke iu referuar “teorisë së valëve” të Johannes Shmidt. Ai e quan shikim izolues prodhimin poetik të një populli ballkanik pa krahasimin me poezinë e popujve të tjerë. Kështu, mund të them se, në sajë të kryqëzimit tëmetodës historiko-kulturoreme metodën komparativiste, që ngrihen mbi një koncept të qartë filozofik-metodologjik, studimi i tij kapërcen kufijtë e trajtimit të gjenezës së letërsisë sonë dhe sidomos të romantizmit shqiptar, duke shënuar tipare të rëndësishme të metodologjisë së studimit të përgjithshëm.

    ***

    Shkencëtari ynë ishte i vetëdijshëm për shkurtësinë e analizave të tij, (siç jam edhe unë e vetëdijshme për trajtimin jo të plotë të dy studimeve të tij), por vlera e jashtëzakonshme e E.Çabejt qëndron në faktin se qasja e tij  nuk ka  karakter thjesht përshkrues; ai propozon thellësinë, kombinimin e dy metodave…I vlerësuar si gjeni i gjuhësisë shqiptare, E.Çabej duhet njohur edhe si një teoricien specifik i letërsisë dhe i krijimtarisë popullore. Vetëm në dy studime, jo shumë të gjatë, ai vendosi disa piketa, la teza që meritojnë të rimerren për t’u zhvilluar më tej nga shkenca jonë letrare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË