More
    KreuOpinionPrizreni, qyteti me një harmoni të rrallë

    Prizreni, qyteti me një harmoni të rrallë

    Reportazh kulturor për Prizrenin nga studentë nga vende ballkanike

    Autoret:
    Elsa Salihu, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Kosovë
    Yoanna Dimitrova, Universiteti i Veliko Tarnovos, Bullgari
    Jessica Maxhaku, Universiteti i Tiranës,
    Dea Vjero, Universiteti i Tiranës
    Flaureta Domi, Universiteti i Tiranës
    Redaktore:
    Mimoza Hasani – Pllana, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Kosovë


    Kujtimet e mia për Prizrenin

    Nga Elsa Salihu

    Të shtunën e njëzet e katër nëntorit, derisa po ecja mbi Urën e gurit në Prizren, e pashë qytetin ndryshe nga që e kisha parë më herët. Për herë të parë e pashë me sytë e një studentje. Më herët këtu vija si nxënëse me programe të ndryshme shkollore, kryesisht ekskursione dhe vizita kulturore. Vizita e parë që bënim ishte në Shtëpinë Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Do të më thoni pse së pari aty? Se aty u zhvillua një pjesë e rëndësishme e historisë shqiptare për pavarësinë e Shqipërisë (1912). Ne vizitonim edhe Kalanë e qytetit, ngjiteshim lart mbi rrugicat e ndërtuara shekuj më parë¸ për të parë bukurinë që rrethon Prizrenin, sheshin e Shadërvanit, Urën e Gurit dhe Lumbardhin e Prizrenit. Po ndalem me kaq kujtime nga vizitat paraprake, për të shkruar pse e pashë ndryshe Prizrenin me sytë e një studenteje. Më parë nuk e kisha vënë re që në një hapësirë ​​kaq të vogël urbane qytetarët shqiptarë, turq, boshnjakë dhe goranë jetonin në një harmoni të rrallë, nuk kisha parë kurrë që në një shesh kaq të vogël të funksionojnë aq paqësisht, xhamia, kisha katolike dhe ajo ortodokse. Këtë harmoni ndëretnike dhe ndërfetare e ndjeva sot në lëkurën time, teksa ndjeva butësinë e borës së bardhë që binte vazhdimisht.


    Prizreni më kujton Kyustendilin, qytetin e vogël bullgar ku u rrita

    Nga Yoanna Dimitrova

    Arritëm në Prizren pak pasi përjetuam borën e parë për këtë vit, të paktën për mua që vij nga Bullgaria. Ndonëse po ngrija nga i ftohti, por me këmbë të thata e pa u largur shumë, ecja përpara përgjatë vijës sonë, duke ndjekur rrugët e ngushta por të zhbllokuara të trotuareve të Prizrenit, nga stacioni qendror i autobusëve deri në lagjen e vjetër të qytetit. Gjithsesi, për shkak të borës, e kisha shumë të vështirë të ngrija kokën. Kjo lloj ecjeje është sfiduese kur je në terren të panjohur, mirëpo gjatë gjithë kohës u ndjeva plotësisht e sigurt sepse njerëzit në Prizren (si dhe ata në Prishtinë) mbrojnë njëri-tjetrin.

    Derisa ecja pashë tregtarët që po pastronin borën përpara dyqaneve të tyre, por prapë kishte pjesë të rrugës ku mund të rrëshqiteshe, kishte edhe rrugë të kalueshme më lehtë.  Nuk ecnim vetem ne, studentët, kishte edhe këmbësorë të tjerë, të gjithë ishin të duruar me njëri-tjetrin, ishin të kujdesshëm që të mos na pengonin ose të mos i pengonim.

    Reshjet e borës u rralluan dhe më në fund arrita të ngrija sytë e të dalloja dyqanet, të cilat ishin një fenomen tipik i Kosovës, një përzierje karakteristike e dyqaneve moderne, bar-kafeve dhe tezgave të së kaluarës. Dritat e ngrohta shkëlqenin nga brenda tyre, e ne mund të shihnim edhe njerëz që bisedonin të qetë, pa nxitim dhe pa stres. Mendja ime u vërshua me kujtime: një përzierje e kujtesës së qytetit të vogël dhe komod ballkanik ku u rrita (Kyustendil) dhe shumëllojshmërisë së ngjyrave të qyteteve të bregdetit të Mesdheut.

    Në Prishtinë ndjeva frymën e përbashkët krijuese, pikërisht sikur të gjithë të ishim të përfshirë për të ndërtuar diçka së bashku. Prizreni po ashtu me krijoi atë ndjenjë paqësore të bashkëjetesës në tërësi.

    Vizita jonë përfshinte xhaminë historike të Sinan Pashës, kishën ortodokse të Shën Gjergjit dhe katedralen Zonja Ndihmëtare. Të gjitha këto ishin të vendosura afër njëra-tjetrës dhe mjaft lehtë për t’i vizutar duke ecur në këmbë. Këta tempuj të tre besimeve të ndryshme, ishin plotësisht funksionale dhe në gjendje perfekte, duke lënë dyert e hapura për besimtarët, turistët dhe hulumtuesit e historisë së artit.


    Shpresoj të kthehem për “Doku Fest”

    Vizituam edhe kinemanë “Lumbardhi”, një institucion kulturor me një histori të ve[antë qëndrese e mbijetese. Kuptova se kinemaja shërben edhe për organizime tjera kulturore, si: koncerte, shfaqeje, diskutime me të rinjtë e qytetit, si dhe për të trasnmetuar filmia gjatë kohës së verës meqë në stinën e dimrit është e ftohë.

    Që nga viti 2002, në Prizren mbahet festivali “Doku Fest”, një festival tetë-ditor për filma dokumentarë dhe të shkurtër. Festivali, i cili dikur ishte ideuar nga një grup miqsh, tashmë është kthyer në një ngjarje të rëndësishme kulturore për Prizrenin, ku marrin pjesë artistë dhe audiencë ndërkombëtare….

    Teksa po vazhdonim rrugën dhe kalonim urave të vjetra të gurit, duke ecur në rresht për te stacioni i autobusëve, po shikoja rrugët përreth lumit të Lumbardhit, duke imagjinuar jetesën këtu gjatë verës ose pranverës. Po shpresoja se pavarësisht si do të ndryshonte ky qytet në të ardhmen, do të mbetej pikërisht ashtu siç e pashë unë këtë ditë e si[ do ta mbaj mend: një qytet autentik, magjepsës, i sigurt si për banorët si për ne mysafirët. Shpresoj, do të kthehem përsëri në Prizren, në gusht, për të qenë pjesë e festivalit “Doku Fest”.


    Prizreni na kujton Beratin qytetin e një mbi një dritareve

    Nga Jessica Maxhaku, Dea Vjero, Flaureta Domi

    Të ngazëllyera nga bora e parë e këtij viti, patëm fatin që në një mëngjes të ftohtë nëntori, pak para ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, të merrnim rrugën së bashku me miqtë tanë, studentë ballkanas, për në qytetin e bukur të Prizrenit.   Për shumë prej nesh, kjo ishte hera e parë që preknim këtë qytet të lashtë, jashtë librave e historisë. Në pamje të parë, për disa nga ne që e kanë vizituar qytetin e Beratit, na lëvriu një ndjesi e njohur. Shtëpitë me qerpiç dhe rrugët me kalldrëm, Ura e famshme e Gurit, Lumbardhi i Prizreni që rrjedh furishëm sa ai i Osumit.

    Ndërsa bora derdhej mbi malet e Sharrit, duke mbuluar çdo gjethe të mbetur ende nga stina e vjeshtës, marshuam mbi Urën e Gurit drejt në lagjen e vjetër të Prizrenit, si dëshmitare e një qëndrese mijëravjeçare.

    Njohja me monumentet kulturore të Prizrenit, vazhdoi me xhaminë e Sinan Pashës, e cila konsiderohet si perla e qytetit si dhe xhamia më e bukur në Kosovë. Sipas dëshmive historike, ndërtimi i saj filloi në vitin 1607 dhe përfundoi në vitin 1615. Mban emrin e Sinan Pashës, një njeri me pozitë të rëndesishme në administratën Osmane. 

    Xhamia ka arkitekturë katrore nga jashtë, ndërsa në pjesën e brendshme, kupola është e pikturuar me motive florale dhe vargjet e Kuranit. Xhamia është shpallur nën mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Evropës për Trashëgimi Kulturore, që prej vitit 2016.

    Ndërkohë që fjollat e borës vazhdonin të na përkëdhelnin supet, ne vazhduam marshimin, herë krah për krah e herë duke ngacmuar njëri-tjetrin me topa dëbore, drejt kishës së Shën Gjergjit. E vendosur në sheshin “Shadërvan”, kjo kishë e vjetër është ndërtuar në fund të shekulli XV dhe mendohet se i është kushtuar Shën Gjergjit. Më pas vazhduam rrugën drejt një monumenti tjetër interesant, tek kinema “Lumbardhi”. Drejtuesit e Fondacionit “Lumbardhi” u treguan shumë mikpritës duke na strehuar nga reshjet e dendura të dëborës, brenda kinemasë. Me një kapacitet prej 700 vendesh, kinemaja u themelua në vitin 1952 dhe shërbeu si epiqendër e aktiviteteve kulturore dhe tubimeve shoqërore në Prizren. Pavarësisht restaurimeve që iu nënshtrua, në të dy katet e kinemasë u ruajtën elementë nga periudha e pasluftës së dytë botërore. Kjo vihej re më shumë në katin e dytë, teksa ngjitëm shkallët prej druri që të çonin në një hapësirë ​​jo më shumë se me 30 ulëse. Kjo pjesë na kujtoi lozhat e operave dhe teatrove. Në anën tjetër ishte një dhomë e vogël, ku ishin grumbulluar relike të vjetra, si televizorët e parë apo projektorë të vjetër si dhe posterat e filmave të parë të shfaqur. Një nga drejtuesit e fondacionit mori rolin e cicëronit duke na shpjeguar gjithçka mbi këtë monument të vyer kulturor, duke ndarë me ne dhe histori ose përvoja nga tregimet e gjyshërve e stergjyshërve.

    Kështu, duke çarë me padurim masën e dëborës që kishte mbuluar rrugët, duke kaluar pazarin e vjetër të Prizenit me qindra dyqanet që e rrethonin, shkundëm këpucët dhe zumë vend në restorantin ”Tiffany” për të shijuar gjellërat tradicionale të qytetit. Përveç ambientit dhe shërbimit tejet të ngrohtë, kuzhina e pasur tradicionale dhe e pakursyer, na la mbresa si ne që ishim të njohur me të, si shokëve tanë bullgarë, polakë, çekë e grekë. Të “dehur” nga ushqimi i bollshëm dhe atmosfera mikpritëse, filluam të diskutonim mbi ngjashmëritë e shumta në kuzhinn e vendeve tona.

    Pas një hareje të papërmbajtur në mjediset e restorantit, për fat të keq ekskursionit tonë po i vinte fundi. Buzavarur na u desh të futeshim sërish në autobus dhe të merrnim rrugën mbrapsht për në hotelin ”Afa” në Prishtinë. Por si për të na e vërtetuar që vendin e bën kuvendi, bashkëudhetarët tanë nga Universiteti i Prishtinës morën kurajon që të thyenin heshtjen lënguese dhe të na zgjonin nën ritmin e muzikës popullore shqiptare. Muzika, si të ishte një forcë magjike e padukshme, na bashkoi të gjithëve nën një ritëm, duke rrëzuar çdo barrierë e çdo hezitim. Këngë bullgare, greke, polake pasuan shumë shpejt duke shkundur çdo hatërmbetje e çdo hendek kulturor midis nesh.

    Për ne ky udhëtim do të mbetet në kujtesë si një nga përvojat më frymëzuese e simbolike që kemi përjetuar ndonjëherë. Simbol i qëndresës tonë ndaj kushteve të vështira të motit ashtu si qëndresa e dikurshme ndaj sulmeve të huaja (kujtojmë Lidhjen e Prizrenit).

    Prizenin do e kujtojmë si simbol i unitetit dhe i bashkimit të të gjithëve nën një flamur të përbashkët, që mbart ngjyrat e të gjithë Ballkanit. Simbol i mirëkuptimit dhe i dëshirës për të rrëzuar ndasitë fetare, politike e kulturore. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Prizrenin e pamë si një simbol të rebelimit kundër dhunës, përçarjes e lakmisë për pushtet për të na bërë të kuptojmë se duke qëndruar të bashkuar si kombe, si shtete e më e rëndesishmja si njerëz, kemi më shumë të përbashkëta sesa mendojmë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË