VARGANI
…në kujtim të SA…
…Kishte marrë “zotimin” të jetonte më shumë se varrmihësit e tij. Veçse ishte një zotim i mbyllur në qarkun e mendjes. Brenda vetes së tij. Për hakmarrje? Apo se nuk kish fuqi për tjetër gjë? As vetë nuk e dinte…
Kish fiksimin, që po ta bënte zotimin hapur, do të gjenin një mënyrë për ta rivrarë. …Qoftë edhe për “sport”. Për të mbyllur diçka të çuar deri afër fundit. Që e kishin lënë pranë fundit se viktima gati u kish mbetur në duar, kufomë e pakallur.,.
“Lere dreqin…le të cofi vetë dalëngadalë” patën thënë duke mos dashur të ndynin duart më tej.
…E gjithsesi, veç Zoti e di se si e qysh, zotimi i ëndërruar, po realizohej. Ata që i kishin mihur varrin, pothuaj e patën vrarë, syrgjynosur, po iknin njëri pas tjetrit, para tij nga kjo botë. …Zënë fill që nga ajo ditë që e patën pothuaj varrosur të gjallë. E fill pas gjëmës e bujës së saj…e në vijim…kishin ndërruar e po vijonin të ndërronin jetë njëri pas tjetrit…
…Duke qenë supersticioz, ia mbajti besën vetes e nuk e foli kurrkund hapur zotimin. Edhe në media madje… ta kishin ftuar, nuk do e tregonte (Fjala që bie…). Atje ku dihet sekreti ruhet më shtrënguar se kudo tjetër…Ha ha ha.
…Sipas supersticionit i binte që po të deklaronte datën e papërcaktuar të vdekjes pas tyre, do prishej shansi… vargani i vdekjeve të varrmihësve…
…Apo edhe ndofta do të mendonin se po i “vriste” ai?! S’dihej se si… Kjo nuk mund të dihej as nga ata e as nga ai…se..si mund të supozohej ti vriste…ai…? Se ai nuk kishte fare përvoja të tilla…As nuk pat vrarë, as dinte e as kish dashur kurrë të vriste kurrkënd. Mirëpo frika e tyre jo veç ruante vreshtat, pa qenë nevoja për rojtar. Ajo madje, edhe qëllonte në tym a në mish për të vrarë ndokënd.
…Ata ishin prej kohe të frikësuar. Por jo prej tij. Kishin mihur shumë varre. Po ku ta dish? Edhe nga ai…Frikacaku është më i rrezikshëm e më i paparashikueshëm se i patremburi, në këso rastesh…
…Po sikur të mendonin, a edhe fantazonin, ata më të kënduarit, se po i vriste telepatikisht. Në distancë…Me fuqi të mbinatyrshme…a si ai cigani a ajo gruaja me fuqi mallkimi diabolike, që po të të mallkonte, nuk kish zot të të shpëtonte nga ai mallkim…
…Po ai as edhe nuk dinte të mallkonte. Do të ndodhte si me atë ciganen plakë, që u shqye në gaz…Ndodhi kur një i mallkuar prej saj, që po e zinte keqas mallkimi, i doli përpara kësaj. Në mes rruge. Dhe me hakërrimin e një shpirti të mallkuar keqas e pa shpëtim, i ulëriti:
“Ja tani do të të mallkoj unë ty, ty që më mallkove mua, jevgë e ndyrë plakë e mallkuar…mallkuar qofsh…vdeksh ishalla…vdeksh…”
“Ha ha “ u shkul së qeshuri ciganja…” po ku di ti të mallkosh o mjeran…”
Dhe vërtet… Se siç thuhej ajo cigan e gjithë soji i paraardhësve të saj, dinin të mallkonin fort bukur… në 7 breza…Profesion a zeje e trashëguar…
…Ja pra që edhe po të donte të mallkonte, edhe mallkimi i tij, mallkimi një njeriu që nuk dinte të mallkonte, nuk do t’i tejshponte dot…keqbërësit…
…E megjithatë ata po vazhdonin të vdisnin njeri pas tjetrit e ai ndonëse nuk po lulëzonte e ishte bërë koleksion sëmundjesh nga vuajtjet, prapë mbetej gjallë. Hajde shpjegoje këtë. Dikush aty lart, me gjasë, a kështu ia kish qejfi të besonte, po ia mbante krahun…
…Kjo lloj magjie, koincidence, vendimi perëndie, që shihte e vinte në peshore gjithçka (në këtë botë lahen të gjitha!), kush e di se çfarë…e se si…por gjithsesi po vazhdonte të vepronte…
…Po a mund të quhej e prishur si magji a hakmarrje sipërane, e gjitha kjo…sikur, le të supozonte, të vdiste ai vetë, viktima e gjithë atyre “vrasësve”… e ndofta shkaku mistik i gjithë atij vargani vdekjesh?!
…Po sikur, (varianti tjetër), t’i binte ndonjërit syresh në sy a ti vinte ndër mend se po iknin ca si shumë, të gjithë njëri pas tjetrit nga ata që e kishin sakatuar për jetë?
Zor se… ai pothuaj ish harruar… E kush merrej me të. Kalë i ngordhur… kur pas gjëmës e pat braktisur e shoqja, neveritur fëmijët, patur ikur diku, larg, në një humbëtirë vend e askush nuk dinte se ku. Ish kthyer vite më vonë, i transformuar dhe e kishin pranuar së fundmi, ashtu të rrënuar, pa e njohur kush qe, roje nate në një biznes privat, ku shtynte ditët në mjerim… E me të vetmin kuriozitet, të ndiqte herë pas here me të dëgjuar a duke parë në një TV të vjetër, vdekjet vargan para tij, të jetë-vrasësve të tij… me emër…
…Lëre pastaj që kush kujtohej për të… Sa e sa vetë kishin marrë në qafë ata. Duhet të kontrollonin gjithë listat e viktimave… e të gjenin sa kishin mbetur syresh gjallë… Llogari e vështirë…
…Kaluan ca kohë e ata vijonin e vijonin të vdisnin njëri pas tjetrit… dikush me kancer, një tjetër me covid, aksident, vrasje në përleshje, helmim, burgim i gjatë e vdekje atje nga marazi…
…Atij i pëlqente të mendonte se drejtësia po vihej në vend… Po i zinte haka e tij… Zoti që sheh gjithçka ishte në krah të tij… ndonëse pa kontributin e tij… Ndofta për të vendosur ekuilibrin ndër njerëz a për mëshirë karshi tij. (Zot ma merr hakun!)
…Kuriozitet: një ditë mendoi: po sikur( thjesht hipotezë) t’i shkrepej të vriste veten. Thjesht kureshtar: a do ndalonte vazhda e vdekjeve? Si do mund të shpjegohej? Vallë me faktin që nuk do kish më kush të gëzohej për vdekjet varg(an)…
…Ajo çka nisi si supozim po kthehej në obsesion, fiksim… po sikur… po sikur të vriste veten (po ai varianti me gjasme… sikur kish vdekur… po nuk i hante Zoti ato…sikur të kishte qenë dora e tij, natyrisht)… Në fund të fundit jetë koti po bënte. Një askush, një hiç, roje nate… më shumë i vdekur se i gjallë… me njëqind sëmundje… e prapë gjallë… nuk po e linte Zoti të vdiste. Le që kush do t’ia thoshte pas vdekjes se si po shkonte puna me varganin e vdekjeve… Ishte pakëz besimtar, por si shumica e patriotëve pa edukim fetar, pa rite…
…Duhej gjetur një përgjigje për enigmën: A po vdisnin para tij rastësisht e do të vdiste edhe ai dikur përpara pjesës së mbetur të tyre… apo ishte paracaktuar të vdiste i fundit… natyrshëm… pas të gjithë atyre… a ndryshe të vdisnin të gjithë ata para tij… A do thyhej vargani e do hynte ai në të përpara atyre që kishin mbetur ende gjallë… Apo kish qenë vullneti i Zotit a thjesht koincidencë. Po edhe koincidencë të qe, a nuk do të ishte dhe si e tillë, një lloj triumfi i tij… triumf i viktimës mbi varrmihësit që kishin shkuar vetë përpara në gropat e tyre…natyrisht jo në gropën e hapur për të…, siç thotë ajo shprehja aq rrallë e realizuar në jetë…se dhe ai në gropë para kohe do vinte me gjithë ato që kish hequr…po gjithsesi një lloj triumfi, fitoreje do të ishte…
(…Njeriu i gjorë, ngriti kokën lart, pa qiellin dhe sikur t’ia kishin dërguar s’andejmi përgjigjen, u kujtua…a ju duk se kuptoi së fundmi “enigmën”. Ishin ndofta të gjithë pjesë e varganit, edhe ai, varrmihuri, edhe varrmihësit…vrasës e viktima… në një radhë përcaktuar fatalisht nga lart. Të gjithë njeri pas tjetrit, më herët ose më vonë, për koincidencë ose jo…)
… “ndal, kush je ti… kush po kalon aty…” i bërtiti i frikësuar, me zë të dridhur, roja i natës i biznesit privat, hijes që pasi kapërceu murin rrethues, po afrohej drejt tij…
“Varrmihësi, varrmihësi, kush tjetër…” u përgjigj tjetri, “kam ardhur thjesht, të të hap gropën… bëhu gati…” të ka ardhur radha…”
HAJDUTI I MIRË
Ai ishte një hajdut elegant, i pandierë, diskret, buzagaz. Nuk donte të bezdiste njeri. Të hynte në shtëpi ditën kur nuk ishe. Natën tek flije. Nuk ngiste as mizën. Nuk e ndiente as qeni. Mbaronte punë aq shpejt. Brenda pak minutash shtëpia zbrazej nga gjërat e “tepërta…”, pa vlerë. Sendet paketoheshin, me kujdes. Transporti priste te dera. Hidhej malli fët e fët…dhe ti nuk ndieje asgjë. Shpëtoje pa dhimbje nga çdo gjë “e tepërt”. Siç shpëtojmë nga një dhëmballë e vjetër, rrangallë, hequr mjeshtërisht nga dentisti.
…Kur rastiste e burri zgjohej… zgjonte dhe gruan. Po lehtas… Pa u ndierë. Me të prekur. Dhe nuk pipëtinin. As njëri e as tjetri. Fëmijët në dhomën tjetër ishin në gjumë të thellë…Pastaj fëmijë. Ku kuptonin gjë ata… Burri e gruaja, që kuptonin… prisnin në heshtje të mbaronte hajduti.
“Zot shyqyr”, thoshte burri, “na ka rastisur hajdut i mirë. Nuk prek njeri me dorë (të tjerët të vrasin për plaçkë). Mbaron punë e ikën… ja ky është hajdut… I dashur, buzagaz…Jo si të tjerët…”
Atij nuk i ndahet buzagazi vërtet. Dashamirësia tek vidhte. Qeshte e vidhte. Rob Zoti. Vidhte e qeshte. Ja, dallonin dhëmbët e bardhë e të bukur edhe në errësirë…”
…Ishin kohëra të bukura…Kish plasur vjedhja e madhe… vjedhje mjeshtërore. Kish zënë vend ajo fjala e atij hajdutit të vogël në kuvend burrash dikur. Drejtuar hajdutëve të një bande tjetër: “Ju nuk dini as të vidhni…”
Dhe vërtet. Banda e tij e kish përsosur vjedhjen aq mjeshtërisht ndër vite, sa që vjedhjet e dikurit, ngjisnin më lojna kalamajsh…
…Kur hajduti ikte, burri e gruaja, çoheshin e bënin inventarin…
“E mo s’na ka vjedhur ndonjë gjë të madhe… një TV, një komplet sermi… ca rroba të djalit… le të hajë edhe ai një çap bukë…”
…Dhe erdhi së fundmi ajo kohë fatlume për lagjet tona, që nuk e kish njohur lagje në botë. Në histori hyri me emrin Demokraturë…
…nuk zgjidheshin më deputetë…
Nuk kish më parlament. Çdo lagje zgjidhte hajdutin e saj. Njerëzia përpiqeshin të zgjidhnin hajdutin më të mirë, më të ndjeshëm, më njerëzor, më të buzëqeshur… mes hajdutëve. Lagjet me hajdutët më të mirë, i propozonin ata për kryehajdut. Si me thënë, thjesht për krahasim, për një biçim kryetar shteti…Popujt e lagjeve natyrisht veç propozonin. Vox popoli. Populli e kish pushtetin. Zgjedhjen e kryehajdutit e bënte një komision a juri hajdutësh zgjedhur nga vetë Çetat. Cilat çeta? Natyrisht as të Ballit, as të partizanëve…Ato i takojnë kohëve të lashta…
…Kryehajduti i zgjedhur pastaj, përcaktonte ligjet e vjedhjes. Nuk ish nevoja për parlamentarë, senatorë a rrogëtarë parazitë të këtij lloji…Përderisa i kish zgjedhur vetë populli, ligjet i binte ti bënte ai. Nëpërmjet çetave e kryetarit të çetës së zgjedhur.
…Ishin kohëra të qeta. Të lumtura. Pa turbullira. Çdo gjë e përcaktuar mirë për vite të tëra të ardhme. Nuk kish zënka. As luftra zhurmëmëdha çetash a partish. Fitonte gjithnjë me shumicë votash partia, më falni,…e njëjta çetë hajdutësh. Çeta e hajdutëve më të mirë. Për ç’arsye bindëse të provoje të kishe në krye një çetë hajdutësh të tjerë?
Popull ish bërë i mençur. Arsyetonte drejt. Popull i qetë. Popull qengj. Popull i arsyeshëm. Për së mbari… Popull që fle…Si ai çifti më lart.. Por popull me nuhatje
…Si pat thënë një analist, i mençur si populli: “…popull që kurrë nuk pat gabuar në zgjedhje”.
PAGESA PËR VDEKJE
(nga cikli “Reality cocktail”)
…U porosit një dyshek. Për një plak që dergjej. Plaku vdiq. Plaka e një kushëri u morën me varrimin. Djali në emigracion nuk erdhi. Çoi një mesazh ngushëllimi… Ishte larg. Plaka harroi. Nuk shkoi të marrë dyshekun. Le që ç’i duhej. Plaku vdiq. Por ai i dyshekut erdhi e i kërkoi paratë. “Nuk kam ku e shes. Përmasa të vogla… kështu e deshe… për trup të mbaruar…të fishkur.”
U bë pak sherr. Sa ç’kish fuqi plaka për sherr. Por plaka nuk kish para. Paratë e dyshekut, një pjesë, shkuan për varrimin. Sado varrim i thjeshtë. Pak para. Pension leshi… (as për dyshek leshi). Djali në emigracion nuk dërgonte më para ( “nuk vinin më remitanca”, thoshte eksperti).
Atëherë dyshekbërësi kanosi se do digjte shtëpinë me gjithë plakë brenda.
…Se nga e mori vesh e erdhi djali nga emigracioni… takoi kërcënuesin:
“Sa të bën dysheku?”. i kërkoi dyfishin.
“…kë mashtron ti…më ke kërcënuar dhe nënën…”
“…ke dhe kamatë vonesë… jam investitor unë… bëj dyshekë…duhen pare për ditë…porosi…”
“Ç’kamatë?! Dyshek-kamatë…me kë tallesh”…
“Tallu me tët ëmë…”
“Kush je ti… kush jam unë…”
Emigranti nxori armën e vrau dyshekbërësin. E rrasën në burg…
Më pas kur doli, pasi pagoi, vrasësin e dyshekbërësit e vrau një vrasës me pagesë. Paguar nga vëllai i të vrarit…
…Kirurgu i njohur ishte natyrshëm shumë i nderuar. Kish shpëtuar sa e sa jetë. Ishte multikirurg. Operonte çdo organ. Gjinj me qelb, stomak me halle, mushkëri copë-copë, zemra të vrara, kocka të thyera. Të tëra… Që nga koka e deri te gishtat e këmbëve. Kish studiuar jashtë. Ishte doktoruar e pastaj kish punuar me vite, po atje. Në vendin më të famshëm të botës. Ish kthyer në vendin e vet humbëtirë, nuk dihej pse. Diku në muzg të moshës së dytë… Thuhej se kish lënë dikë çyryk nga koka atje. Pa mend a pa kujtesë… pasi i kish hapur kokën…Operim delikat…Thuhej se ky ishte një përjashtim. Se duart i kish të arta. Gjithsesi prapë diç thuhej… andej e pat kërcënuar një i fuqishëm, i afërm i të operuarit…Kurrkush nuk e dinte saktë.
…Këto u kujtuan e u molloisën në popull, kur fama e mirë e kirurgut u trondit. Kjo, kur gojë të liga a njerëz të gjithë-informuar (nga ata që “ta japin me firmë”), filluan të përhapnin fjalë se kirurgu merrte para edhe kur i vdiste pacienti në duar…në operim. Pas operimit…
Thuhej se në një rast si ky pat thënë: “ …nuk jetoi, por unë e bëra timen…Është punë… Qëllon që nuk ecën. Rast i vështirë…Harxhova mund, kohë… çdo gjë paguhet. Ekonomi tregu…”
…E përgojuan gjatë…Një ditë e përgjuan.. E spiunuan. E pritshme kjo. Vendi kish famë të mirë për spiunë. Profesionista. Me dhe pa pagesë…Mjekun e hetuan. Më pas e gjykuan…
…Gjykatësi nuk mund ta dënonte. Kirurgu i pat shpëtuar të ëmën. Me një këmbë në varr. Ia pat nxjerrë varrmihësit prej duarsh… Përgjimi u quajt jo-autentik. I palejueshëm…Jo i autorizuar. Kirurgu doli nga gjykata i lirë e nuk ja pa më as sytë e as bojën atdheut. Çau ferrën e iku në një vend tjetër. …Nuk dëgjoi më njeri për të e familjen…
…Gjykatësin që fali kirurgun, e goditën me predhë. Nga një makinë suferinë që fluturoi bri makinës së tij. Mjeshtra. Gjyqtari u plagos rëndë…
Shpëtoi po mbeti ulok. E operoi një kirurg që nuk merrte pare. Gjyqtari nuk e ushtroi më zanatin… (të më thotë faleminderit që e lashë ulok , por gjallë në tregim, se shokë të tij janë bërë për rahmet)…
…Atentatori i gjykatësit rastisi të ishte po ai vrasës me pagesë që vrau emigrantin, vrasësin e dyshekbërësit…Kësaj radhe, për të vrarë gjykatësin, e pat paguar një politikan. Ky politiqeni, kishte hesap për të larë me gjykatësin. Vite më parë, ky gjykatës, me gjithë paralajmërimet e “kafet”, kish dënuar të fortin e qarkut. Atë që i siguronte votat politikanit. Veç votave, ky politiqen, kish të përbashkët me të fortin, edhe një biznes të fshehtë……
(Gjykatësi bënte pjesë te një tjetër klan të fortësh. Kish urdhër nga ata me futë në burg të fortin e politiqenit)
…Pastaj atë vrasësin me pagesë e vrau…po lëreni mër vrasësin në punë të vet. Ai një çap bukë po ha…
Le që ça na duhet më?!…Qarku u mbyll…
…Qarku i vdekjeve a në daçi i jetëve. Besoj më besoni. Cili nga episodet më sipër nuk është pjesë e serialit?!(edhe më zi).
Do thoni:
“Po ç’është ky thriller? ç’janë gjithë këto koincidenca?”
—Epo…a nuk jemi, siç thuhet, veçse një katund i vogël, i bukur, ku të gjithë biem kushëri…E lemë kokën për njeri tjetrin. D.m.th. a na i ha me qejf kokën tjetri…? Po në një poç a nuk p… ? Atëherë diku do takohemi. Dikur do puqemi. Rrethi do mbyllet se do mbyllet…Se s’bën!
…Plus pastaj që nuk kemi as zë fyti e as zemër. Me ba ndonji ndryshim… Ankimim… Andaj edhe vdesim… andaj edhe ikim…
…Zoti na ruajt…