More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMigena Kapllani: Ankthet e kohës që jetojmë

    Migena Kapllani: Ankthet e kohës që jetojmë

    Për librin me tregime “Asgjëja ime” të Laura Olldashit

    Ditët e para të tetorit në Tirana International, promovoi librin e saj të dytë, Laura Olldashi, një autore e re në krijimtari, por me vetëbesim e me gjënë e saj në të shkruar. “Asgjëja ime”, një vëllim me tregime, vjen si një pretendim për atë të pathënën tonë, që sa herë na shohin të menduar e na pyesin, ne përgjigjemi “Asgjë!”. Shpesh ajo gjëja e pathënë na flet më shumë.

    Edhe pse është vetëm libri i saj i dytë, autorja lundron e sigurtë në ujërat e saj me stilin e thukët e plot nëntekst. Fjalitë e saj kanë një figuracion jo të përsëritshëm dhe të rënduar, por që vjen me një gjallëri e një gjuhë të freskëtt dhe mund të themi se në rreshta të shkrimeve në prozën e saj, ka shumë poezi moderne. Temat e tregimeve janë një refleksion nga e përditëshmja, jo si historitë e autores, por bazuar në atë që e rrethon, e heton dhe e kërkon. Gjuha e saj është e dhënë shpesh me mungesa fjalësh, por që të lejojnë të aludosh për gjëra që lidhen me lexuesin. Përsiatjet filozofike bëhen pjesë e zanafillës së copëzave të historive që sjell autorja. Refleksionet, reagimet letrare nga të tjera vepra të njohura, e bëjnë të afërt këtë lidhje për t’u “ribërë nga fillimi”, “jetuar brenda shumë jetëve”, “pavetëdijshëm për dritën” e të tjerëve, në kërkim të vetvetes që shpesh e humbet ose e rigjen të plagosur nga dhimbjet që përballim. Në shkrimin e saj, njerëzit gjenden të rrethuar me një tradhtar të madh: vetveten. Me mendime të “mbështetura mbi Danub”, në netë të gjata pritjesh idiote, autorja është e vetëdijshme edhe kur bën “sakrifica” për dashurinë, si dashuri për veten.

    Herë vjen me një prelud me shije jete që sillen vërdallë nesh me ngjyra, hapësira, natyrë, aroma e herë vjen me refleksionin e pasigurive që na sjell jeta sot me globalizmin e saj, me ngarkesën e me dukjen që na ofron, por që edhe na kontrollon. (Teknologjia si një rrezik; nëse njerëzit nuk të shohin me sy apo në rrjete sociale, për ta je i vdekur.) Herë sjell të premten si ditën e saj pikë vlimi analize, e herë të shtunën, si refleksion i një dite ku shpirti i njeriut në kërkim të ndjenjës gjen atë që zemrës i përshtatet i bëhet transplant shërues zemre të papërplotësuar; si të vetmet ditë të sajat. Refleksionet ndalen mbi marrëdhënien e njeriut me dashuritë që dhembin e që ikin, ashtu rrjedhshëm si lotët, si pjesë e jetës, si pjesë e marrëdhënies jetë-vdekje;

    Në libër, kohët përsëriten, luftërat e zemrës, por edhe ato të vërtetat vijojnë pasi “Lufta e Shvejkut është akoma mes nesh, sepse mbushim stomakun nga e njëjta supë”; trishtimi dhe dhimbja na shoqëron njësoj.

    Mënyra se si e përdor në tregimet e saj çdo detaj, na përcjell tërheqjen ndaj së bukurës, të pëlqyeshmes për sytë. Autorja kur thotë “…tymin e mbështes mbi flokët e tua. Ai të vesh si vesë dhe të zbret. Të mbulon, duke të zbuluar.” (“Sonata e hënës”), na sjell një skicë të bukurisë që të ikën duarsh, sjellë me fjali telegrafike. Soneti i hënës është realisht një prelud i të bukurës në dashuri. Në secilën fjali, metaforat e përshkrimet mbizotërojnë në këndëvështrimin e një burri. Çdo gjë aty është esencë fjalësh për dritën që kanë ca njerëz e që arrijnë ta shpërndajnë. Nuk janë të bukur, por janë ndiçues të jetës së atyre që u rrinë pranë. Ka një gjuhë të gjallëruar e të pangjarë nga autorë të tjerë. Sjell mendjen e saj me imagjinatën e kulturën e saj krijuese, pa huazuar nga ç’mund t’i kujtohet nga autorë të tjerë. Librat që lexon i do për emocionin që i falin dhe që ajo i “përkthen” në fëmijën e saj të krijuar nga ajo vetë.

    Tregimi që hap vëllimin e Laura Olldashit është “Rënia e gërmave”, një shkrim ku ndërthuren batuta të vjetra filmash, personazhe tipike të një kohe tjetër, lidhur me një histori tradhëti-dashuri, ku njeriu me shumë mundësi do të lypë jo më dy lekë, po dashuri nga të tjerët. Askush nuk do të gjejë më asgjë, as duke rrëmuar astarët e xhaketës, se asnjë nuk e ushqen dhe rrit atë (dashurinë), as për vete. Pyetjet ku rrahin mendimet në tregim, na dërgojnë në përsiatje që të ruajmë të bukurën brenda nesh. Shpesh njeriu mes pyllit të jetës, humbet shikimin për gjërat e duhura. Çfarë duhet të bëjë njeriu që mos të humbasë shpirtin? Cilat janë kompromiset për të pasur dashuri? Deri ku mund të shkojë njeriu për të pasur dikë pranë? Fjala të dua ka më shumë rëndësi; shpirtin nuk duhet ta humbasim. Paralelizma të filmave të vjetër, të figurave emblematike të librave klasikë, të imazheve krijuese nga një foto, melodi etj., shoqërojnë një pjesë të mirë të tregimeve të saj.

    Gruaja-dhimbja-vetja

    Laura ka në qendër gruan që strapacohet e vetme në jetën e saj punë-shtëpi e prapë punë, sa e premtja është një ditë “premtuese për shlodhje e argëtim”. Kjo grua vuan, por nga lodhja nuk arrin ta kuptojë këtë lodhje. Rutina e rrëmben dhe e bën të besojë se po shijon në mënyrën e saj moderne, pa kushtëzime jetën e saj edhe në lidhje. Kjo jetë, nuk dihet pse nuk i do më romantizmat, po shpejt të kthen në luftën e përditëshme të punës, për të shpëtuar jetë të tjera kur punon në mjekësi. Prandaj thotë: “Si njerëz modernë, i vrapojmë rreth e qark ditës, për të “shpëtuar” botën dhe është e paktë koha që kemi për veten.” Vonë, kjo grua kur hap sytë, kupton që është keq, vuan, nuk është e lumtur dhe pse gabimisht këtë gjë e ka projektuar te njeriu që është në një lidhje (“Pacienti numër zero, E premtja”).

    Figura e gruas me dramën e saj, vjen me një tjetër dhimbje te “Requiem për Suhade Cakrani”, drama e njeriut që në mënyrë absurde vuajti persekucionin. Përmes letërkëmbimit, paraqiten dy gjendjet e vajzës në jetën e saj, atë të vuajtjeve dhe atë të ëndrrave. Një rebelim migjenian e shoqëron këtë shkrim me paradigmën e njohur të hapave para e pas të Migjenit duke i zbritur në numër drejt zeros. Si do të ishte Shqipëria “sikur e bukura të kishte triumfuar”? Bëhet më e madhe dhimbja kur na shpërfytyrojmë në këtë botë ëndrrat më të pastra e më të bukura. Si nuk çmendet njeriu nga gjërat e shëmtuara që mëson se ndodhin në këtë botë?! Si vazhdon jeta?! Si lindim akoma fëmijë?! Mbase mendojmë se me lindjet e reja do të korrigjojmë jetët e humbura.

    “Ulur jashtë trupit tim”, është tregimi ku lexuesi në të përditëshmen e tij zbulon gjëra që tingëllojnë kaq pikturë, kaq muzikë. “E kam parë trupin që hekuros rrudhat e së përditshmes: kur lan sytë, kur përkul ëmbëlsisht qerpikët me rimel, kur lyen buzët e mishta dhe të thella me buzëkuqin ngjyrë korali dhe dy pikat e parfumit që rrëshqasin rrëzë veshit; si i mbyll sumbullat e këmishës së bardhë, kur përplas derën dhe i futet “e bukur” ditës së saj të kotë.”

    Jeta e lidhur pas kavanozësh të mbushur me dhimbje, inate, urrejtje, mllef e çdo dhimbje që e bën shpirtin ta braktisë trupin, përcillet me temën e vajzës prostitute, produkt i jetës në luftë (luftës më të re të kontinentit tonë, asaj të Ukrainës). Përmes simbolikës së gjetur të kavanozëve që shtërgojnë dhimbjet brenda, shohim si endet me to nëpër rrugët e luftrave të jetës, e vogla Luizë. Këta kavanozë, njerëzit hallemëdhenj e pa mbështetje, i bartin sa në një vend në tjetrin. Pika e lidhjes, e zgjidhjes, e dhimbjes së madhe të tregimit, varet pas një letër babai; një histori dhimbjeje që merr shkas nga lufta ku “brenda jetës, dhimbja dhe urrejtja gjallonte aktivisht” ku dashuria nuk “prodhohej” më. Luftrat mundojnë vetëm njerëzit e popullit që u duhet dhe e duan atdheun, por që nuk duan aspak luftën. Çmimet që u varin në trup, ua zbulojnë më mirë tërë të keqen që kanë përjetuar e që nuk do të donin kurrë t’u ndodhte.

    Ardhur nga një “botë dhimbjesh të thella” në duel e në përballje më të, vjen dhe tregimi “Fotografia”. Kur “hap sëndukun e shpirtit”, e sheh atë të plagosur rëndë dhe pse përsëri krenaria nuk të lë të mposhtesh. Luftrat tona çuditërisht nuk u duken aq luftra të tjerëve. Historia jonë është e mbushur me të tilla, por kjo krenaria dhe rezilienca jonë na bën çuditërisht të papërfolshëm. Fotot e luftrave tona duhet t’i ndalim e t’i “përflasim” gjatë si dhimbje të mëdha të atyrë kohërave që historia i shteron në libra. Ndalu djalë i fotos e zbrit të na rrëfesh. “A e kupton që je një epokë?”. Mes dhimbjesh të forta për historinë tonë, autorja thotë: “unë përjetoj shpirtin e një kombi që ka në zemër fotografia”. Historia jonë e të voglit, është shfrytëzuar gjithmonë në fitim të më të mëdhenjve. Fati i të voglit e të pafuqishmit na ka përndjekur. Na duhet të mësojmë “shah” që të dimë “lëvizjen e radhës”. Vetëm kjo ka qenë porosia e pleqve tanë.

    Dy anët e medaljes

    “Kur i zhvishem ditës sime”, një shkrim për veten, e vetëdijshme për ditët e sakrifikuara që duhet të ecë e të mbajë “peshën e botës”, mbi supe, sjell gruan që imagjinon ditët e saj, e zhgënjyer nga harresa e botës dhe pse ajo e mban në këmbë botën. Jeta ecën dhe ditët ikin pa të vënë re askush. Është vetëm imagjinata ajo që na i ndihmon këto ditë të vështira. Si do ia dilnim kësaj bote të lodhshme nëse nuk do strukeshim ngrohtë në ëndrrat tona, larg njerëzve që të paragjykojnë, gjykojnë, që moralizojnë?! Por inatet e saj ndaj botës ndalen shpejt prej shpirtit të bukur artist. Inate që zgjasin “aq sa i hekuros gërmat mbi letër, sa i nxjerr nga vetja”, pastaj le t’i “vënë flakën” dhe le ta “djegin në turrën e druve…”.

    “Dy anët e medaljes – Dy gratë e një burri”, ashtu si te “Kur i zhvishem ditës sime”, përsëri kthimi te dita, te e përditshmja, te e tashmja, te prezentja, te dashuritë, te mungesat. Duket sikur në këtë botë dashurinë sot më shumë e studiojmë se sa e ndiejmë. Një zë brenda kokës na kërkon gjithmonë llogari për dashuritë, shifrat dhe përqindjet e ndjenjave siç ndiqet “moda e fundit, ndjekim leksione si ta manipulojmë dashurinë” e ta kërkojmë teorikisht me studime, shembuj, citime apo teorira nga “ekspertët e humbjeve apo triufatorëve” në dashuri. Cili është i duhuri, a duhet të duam dikë që ka një jetë paralele thjesht për hir të dashurisë si ndjenjë; çfarë e bën dashurinë jodalldisje dhe të pandershme? Pyetje që ndërgjegjja sjell në përhumbjet në ndjenjë, në dëshirën e marrë sot për ta pasur atë pranë vetes, pavarësisht formës se si na vjen. Vdesim për pak dashuri…! Çfarë ndodh kur ajo tërheqje e madhe që ne e quajmë dhe dashuri, nuk është më?! Çfarë bën një burrë “kur ka në krahë gruan që nuk e do më”?! Të vetmuar, i veshim zërit të saj notat e zërave të sirenave që na tërheqin drejt… asaj që na e treguan bukur si përrallë për të na vënë në gjumë dhe nuk na zgjuan për të parë të vërtetën të nesërmen e lindjes së diellit. I mbyllëm sytë gjithmonë për të gjetur atë ëndërr të bukur dashurie kur “ata jetuan përgjithmonë të lumtur”. A është dashuria një gjendje mashtrimi, apo është vërtet ajo që mban botën akoma në këmbë? Egoizmi, na mbyt fotografinë e parë të personit që ne deshëm aq shumë, atë foto të parë të dashurisë.

    Autorja me autorët e saj

    “Djella”, një shkrim që sjell histori të letrave shqipe, nga një shkrim i autorit tonë të madh M. Camaj, një shkrim që sjell dhimbjen në fjalët legjendare “jam ulur në pemën që la hija e kokës tënde e varur dhe lagem nga lotët e shirave të vjetër”. Në këtë kërkim thellë në kohë, vjeshta dhe gjethet e harruara në xhep janë në të njëjtat vende, por me stacione të ndryshme kohore. Njerëzit kërkohen me dëshirën për të ndezur zjarret e shpirtit, por luftrat janë përqark gjithmonë si për të na kujtuar se është i vështirë bashkimi. Dashuria ndër ne është gjithmonë një luftë e vështirë bashkimesh. Dashtë Zoti të mos kujtohemi gjithmonë për dritën e vërtetë të dashurisë, kur ajo të jetë në qiell. Historia jonë është e mbushur me thirrjen “Ku je?”.

    “Shkruar me katër duar: Unë dhe Pessoa”, vjen si një lidhje me poetin e zemrës së autores, ku jeta komplikohet e shihet në të tjera dimensione dhe kuptime. Për autoren jeta imagjinohet si kurrizi i një djali veshur me pallto, me jaka të ngritura që i largohet në horizont që nuk arrin as t’i prekë flokët. Kështu ikën ajo përduarsh pa u jetuar.

    “Letër kurrë e shkruar nga Milena Jesenská për Franz Kafkën”, na vë në kërkim të së vërtetave që historia na tregon e përmes saj kupton absurdin. “E mbështesin jetën, të vetmen bukuri që i është dhënë mbi kotin bosh të sipërfaqësores. Janë gjeni për të krijuar procesin e kaosit, aq sa s’mjafton një jetë për ta zhbërë dhe shqepur rrëmujën.” Dashuria në letra, aq romantike dhe aq shteglënëse bëhet shteg mendimi për ne të ftohtët e shekullit virtual. Si është dashuria me letra? E pavdekshme, si një vepër e shkruar.

    Si mbyllje

    Duke dashur të shpjegojë ankthet e kohës që jetojmë, bën një portret të vetes, ndryshe nga ajo që bota do dhe pret, por e sigurtë që më mirë ta thotë me zë të lartë atë që është e do të ndihet. Boll më me korniza sociale që na e vështirësojnë jetën, kur ajo është boll e vështirë vetë. Të numërosh me dhimbje ditët e tua, do të thotë të dish t’i japësh vlerë asaj që është më e rëndësishmja për secalin; jeta jote.

    Tregimi i Laurës sjell historinë e zgjimit të nostalgjisë, mallit për të bukurën në jetën e njeriut, se pa të nuk jetohet. Bota është sa e madhe, aq dhe e vogël, pështjellur në duart e personazhit. Një botë që na rrethon nga jashtë e një botë që na pushton nga brenda. Bota na mundon dhe e mundojmë një botë që “s’mund ta hedhësh” se “aty mbështet trupin”. Ajo ofron pa kuptuar gjëra aq të bukura që vetëm kur i lexon në një libër ke mundësi të shohësh qartë se çfarë të dhuron jeta në të rëndomtën e të përditëshmen e saj. A do t’i ishe larguar ndonjëherë asaj vajze që ka buzët “qershi gjysmë të hapura”, që vijnë si “një lloj ftese për valse të gjata puthjesh”; a mendon se pas këtij përshkrimi ndahesh nga ajo? Duhet t’i kthehemi faqeve të librit tonë të jetës gjithmonë si për kujtesë të asaj që më vonë e quajmë normale e të përditshme. Njeriu pa kujtesë e pa vëmendje për gjërat e bukura në jetë, thjesht “ndien keqardhje në vetvete” dhe “trishtimi i ushqehet ngadalë në mes të gjoksit dhe fillon të dalë si bimëz në sipërfaqen e trupit”. Këto gjëra na mungojnë sot; komunikimi, të themi dy fjalë me dikë. Nuk e kuptojmë që jemi izoluar e mbyllur në egoizmin tonë. Pas pandemisë, bota shumë gjëra i mbylli e po i mbyll. Konkluzioni më i duhur për kohën që jetojmë thuhet në tregimin “Të puth”: “Qeshim, sepse e dimë që askush nuk dashurohet me trishtimin. Dashurohemi me buzëqeshjen, me njerëzit e lumtur. Me guximin, kur ngrihemi nga rëniet dhe zërat entuziaste që na rrahin shpatullat: ti po që ia del, sepse je i fortë!”

    Vitet lodhin sfilisin e plakin çdo pjesë të trupit, trurit, nervave. Njeriu ka dëshirë të “zihet” me jetën, por gjithmonë kjo grindje materializohet me njerëzit që ke afër. Jeta duhet pranuar me të vërtetat e saj të vështira. Nuk mund të bëjmë më teka fëmijësh me dua apo s’dua. Jeta do të përballesh me dallgët e saj edhe kur do t’i ikësh asaj nga sytë këmbët. Dili zot gjërave të tua o njeri. Jeta nuk është pëlhurë Penelope që mund të thuret/shthuret sa herë të duash që të fitosh kohë. Në jetë nuk e gjen dot aq kollaj një shpirt binjak që të ka shoqëruar gjatë, prandaj kthehu gjithmonë me harresën e ditëve të këqija e kujtesën e ditëve që ia vlen.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË