More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBashkim Kuçuku: Portret psiko-letrar i Martin Camajt

    Bashkim Kuçuku: Portret psiko-letrar i Martin Camajt

    Nëpërmjet letrave dhe shënimeve të arkivit vetjak, në shtëpi, Lenggries (Gjermani)

    Zhvendosje në vetëdijen e shkrimtarit

    Shkrimtarët në mërgim, ndryshe nga shkrimtarët në atdhe, jetojnë një realitet dhe përjetojnë njëherësh dy realitete, për mjedisin ku janë dhe atdheun. Ndonëse, fillojnë jetë dhe përvojë tjetër, ndjekin a marrin pjesë në dukuri dhe ndodhi të atjeshme, nxënë kulturë, veçanërisht letrare, rrallë ndodh të frymëzohen e të shkruajnë për ato mjedise.

    Në atdhe nuk janë fizikisht të pranishëm e as pjesëmarrës në gjarjet e dukuritë e tij. Vetëm i përjetojnë së largu e së jashtmi. Mirëpo, prej andej buron krijimtaria, e cila, herët a vonë, kthehet e mishëruar te zanafilla e vet. Nga këto mospërputhje, në vetëdijen krijuese, ndodh një zhvendosje zëvendësuese. Largësia hapësinore e atdheut të munguar zëvendësohet me përjetimet e të shkuarës, me kohën subjektive, kur shkrimtari ishte atje. Kujtesa domosdoshmërisht merr rol parësor në qeniesinë e shkrimtarit dhe në krijimtari. Vështrimin e drejtpërdrejtë, perceptimin e atdheut/vendlindjes e zëvendëson përfytyrimi sipas topografisë në kujtesë. Pas kësaj, atdheu/vendlindja, në vetëdijen krijuese, mbeten të ngrirë, siç ishin, në çastin e largimit. Ndryshimi, në vetëdije, i marrdhënieve kohë-hapësirë me atdheun, shpie në ndryshimin e gjedhes së përftimit të shëmbëllimeve dhe shëmbëlltyrave letrare. Me largimin prej tij nis edhe largimi nga e njëmendëta/realja konkrete, pakësimi i shëmbëllimeve dhe i shëmbëlltyrave të saj letrare. Përkundër këtij kahu, zhvillohet kahu drejt jo të njëmendëtës/ joreales konkrete, për rrjedhojë, shtimi i shëmbëllimeve dhe shëmbëlltyrave të saj. Dëshira e dashuria për të njëmendëtën/realen e munguar e shndërron atë në kult dhe obsesion.

    Shkrimtarët në mërgim, po ashtu, gjallojnë midis dy gjuhëve: gjuhës së mërgimit, të cilën e zotërojnë në vazhdimësi, dhe gjuhës së mëmës, e cila, edhe pse humbasin vazhdimisht prej saj, mbetet gjuha e letërsisë. Me këmbimin e gjuhëve ndodh një zhvendosje dhe riorganizim tjetër i vetëdijes krijuese. Tanimë, në të është hapur konflikti mes tyre, që shpie në tkurrjen, ngurtësimin dhe prapambetjen e gjuhës së shkrimtarisë, krahasuar me gjuhën, në atdhe, në përditshmëri dhe në letërsi.

    Vendlindja/atdheu, kult obsesioni

    Martin Camaj mungesën e atdheut dhe të gjindjes së vet e ka ndjerë thellë. Gjurmë të saj, të dukshme dhe të padukshme, janë të pranishme në mbarë krijimtarinë e vet, në poezi dhe në prozë. Jeta në mërgim, për të, është artificiale, jo e njëmendët, e vështirë, me privacione dhe stres, prandaj, veçse në kalesë mund të arrihen disa ambicie:  “Nga jeta artificiale që ashtë mërgimi në kalesë merret shkas të realizohen disa ambicione….” * Copëza nga shënimet, pa datë. Shqetësimi i përhershëm për të ishte qenia prej shumë vitesh pa nënshtetësi, d. m. th., pa identitet shtetëror, përcaktueshmëri e domosdoshme, në botën e madhe, për të qenë i mbrojtur e i sigurt. Dhe, ankohet, se «shumicën e jetës e kam kalue pa nënshtetësi, tue jetue përkohesisht herë në një vend herë në një tjetër mbrenda atyne vazove relativisht të pavaruna që quhen universitete, herë student, herë docent, ma tepër si gjurmues. Në se e kundroj sot jetën time, kujtohem se kam gjallnue tue u fshehë mbas hijes së korpit tim të brishtë. Kjo më ka dhanë (?) një lloj pavarësie.» * * Copëza nga shënimet, pa datë.

    Vendlindja, Dukagjini, madje i shenjuar me disa cilësi të skajshme të vështirësive natyrore, me gurët dhe toka e djegun prej diellit, * * Shënime të përgjithshme, daktiloshkrim, “kam lindë në një vis të egër”,  “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit”, kaq i thyeshëm ashtë ky vend. * * Jo gjithë jeta qenka burim poezie, Martin Camaj Vepra 6, Onufri, 2010, faqe 107-108). në vetëdijen dhe mendësinë e tij, është kthyer në kult obsesioni. Nga njëra anë, është, shkas për vuajtje të përjetshme për pamundësinë e kthimit, dhe, nga ana tjetër, burim i përhershëm frymëzimi për krijimtarinë letrare, edhe kur nuk konkretizohet me tiparet dalluese, sidomos në poezi.

     Mungesën e atdheut Shqipëri e zëvendësoi me “atdheun” arbëresh, në Italinë e Jugut, ku njohu nga afër dhe studio arbërishten, u lidh me profesorë, studiues, shkrimtarë të asaj bashkësie të njohur në histori për ruajtjen e traditës dhe ndihmesat në kulturën shqiptare. 

    Nuk janë dy pole të kundërta ambientesh: malësia dhe Italia e jugut. Tue marrë në pikëpamje të përftyrimit ambienti i dytë ashtë nji plotësim, me fjalë tjera zgjanim, për mos me thanë, sqaron vetë Camaj, zëvendësim i botës shqiptare që çdo njeni prej nesh e ka harrue mjaft.” * * Shënime të përgjithshme, daktiloshkrim.

     Zanafilla dhe bërthama e kronotoposit të krijimtarisë së tij, për hapësirë, ka shëmbëlltyrën peizazh të vendlindjes, dhe, për kohë, ecurinë e përvojës jetësore. Me pasurimin e përvojës jetësore, duke kaluar nga Shqipëria në mërgim, në ish Jugosllavi, Itali dhe Gjermani, edhe peizazhi i vendlindjes në kujtesë, që ka mbetur po ai, i ngurtësuar, nën ndikimin e lëvizjeve të mëdha në jetë, zgjerohet nëpërmjet këndperceptimeve nga pika të ndryshme kohore. Në rrjedhën e vet të vazhdueshme, koha “zhvillon” edhe hapësirën e ngurtësuar/të ngrirë.

     «Meqenëse nisem prej përvojës jetësore time, pejzazhi i vendlindjes ashtë zgjanue në kohë, por si bazë mbeten viset jugore. Bjeshkë e vrri shndërrohen ma vonë në jug e veri.»* * Shënime të përgjithshme – mbi Varg librash letrarë, daktiloshkrim.

     Nuk është e qartë se me çfarë zgjerohet konkretisht pejzazhi i vendlindjes. Thënia si bazë mbeten viset jugore vështirë të njëjtësohet plotësisht. Në krahasim me Gjermaninë, në Veri të Europës, ku shkroi pjesën më të madhe të veprës, bota shqiptare dhe arbëreshe janë në Jug, në Mesdhe. Nisur nga vendlindja, Dukagjini, në Veri të Shqipërisë, Jugu është pjesa në skajin tjetër të saj për nga Mesdheu dhe bota arbëreshe.

    Topos-i letrar është shndërruar në dy simbole antitetikë: bjeshkëvërri, që funksionojnë krahas e këmbyeshëm për të shpërfaqur anë të ndryshme tij. Zgjerimi dhe zhvillimi në kulm i krijimtarisë, zgjeron edhe hapësirën përfshirëse, e cila bëhet: jug-veri.

    Në rrafshin gjuhësor, jashtë konteksteve metaforike e simbolike me domethënie të tjera, dyshja antitetike ka këto kuptime:

    Bjeshkë, –a, 1. Mali i lartë me kullota verore; 2. Kullotë verore.

    Vërri,a, 1.Vend i ulët, i ngrohtë. 2. Kullotë dimërore.

     Dy hapësirat përcaktuese janë me relieve kundërt, e, për rrjedhojë, edhe me të dhëna klimatike të kundërta. Nëpërmjet këmbimit stinor, nga vera në dimër dhe anasjellas, dhe nëpërmjet lëvizjes në hapësirë, metonimikisht e simbolikisht ruhet jeta më mirë dhe plotësohen burimet e saj. Këto domethënie fillestare, ku më pak e ku më shumë, nuk humbin në morfologjinë e konteksteve letrare të ndryshme. Topos-i camajan, në vetvete, antitetik, përngjit të kundërtat jo aq për të nxjerrë në pah ndryshimin, se sa  njësinë e domosdoshme të qeniesisë në dy trajta.       

     Antitetikja Jug-Veri është mjaft më e gjerë dhe më e përgjithshme. Në çdo pikë të globit, natyrore, shtetërore, kombëtare, gjuhësore, kontinentale, planetare ka Veri dhe Jug. Edhe hapësira shqiptare, në shtrirjen e vet shtetërore e kombëtare, ka Veri dhe Jug. Këto pika të horizontit mund të konkretizohen në një farë mënyre, duke u nisur nga Pika Zero. Nëse Veriu është vendlindja, Dukagjini, apo, Malësia, këto do të ishin disa pika gjeografike, drejtuese të domethënieve. Dhe, nëse Veriu është Gjermania, vendi kryesor i jetës dhe i veprës së tij, këto do të ishin pika të tjera drejtimi për domethëniet. Përcaktimi i Veriut është edhe përcaktimi i Jugut. Sidoqoftë, në poezi e në prozë, shëmbëlltyra zotëruese është e vendlindjes, e Malësisë.

     Atdheun «e humbur», e ka ëndërruar vazhdimisht, qoftë edhe nëpërmjet qarkullimit të librave në botën shqiptare. Fillimin e demokratizimit në Shqipëri, më 1991, e përjeton si ngjarje të madhe për veten dhe gjithë mërgimtarët, veçanërisht ramjen e komunizmit, të cilën nuk shpresonte ta arrinte në gjallje të tij.  Letërkëmbimi e telefonatat me emra të njohur të drejtuesve të partive të reja, me personalitete të letërsisë, me funksionarë të institucioneve kulturore në Shqipëri dhe në Kosovë e emocionojnë, e bëjnë entuziast, se arriti qëllimin e jetës.

     «Ju falnderoj fort ju (Preç Zogaj, atëherë Ministër i Kulturës – dhe miqve tuej që e banë të mundshëm kontaktin me njerëzit e vendit tim. Kjo ishte dëshira e jetës. Po marr letra nga ana të ndryshme të Shqipnisë, në jug e veri, se dëshirojnë të lexojnë diçka nga vepra ime letrare: kjo i përgjigjet dhe qëllimit tim që t’ju paraqitem me veprën time, jo aq si vetje. Në fillim, ndoshta, edhe kjo u donte.” (Mynih 23. 7. 1991/ I dashun Preç Zogaj…

    Foto nga shtëpia e Martin Camajt. (Arkivi personal i B. Kuçukut)

    Qenia shkrimtar, qenia malësor

    Lidhja me vendlindjen nuk është thjesht fizike, as vetëm shpirtërore-gjuhësore nëpërmjet mbresave e kujtimeve, por më e thellë, gjenetike, është vijimësi e vazhdueshme, zhvillim e përpunim, në rrethanat e jetës në mërgim, i gjithçkaje që mori prej saj, duke përfshirë edhe dhuntitë krijuese, talentin.

    Letërsia është e varur dhe përcaktohet nga qenia e shkrimtarit. «Zhdërvillimi i fjalës, shkruan Martin Camaj,”përnjësohet me proceset e krijimit artistik që mund ta përftyrojmë si një fryt, pjeshkë, thelbi i së cilës ashtë qenia njerëzore si shqiptar, për shembull.” * * Rëmime mbi poezinë, Mynih, maj 1991, daktiloshkrim, dhe i botuar  në Vepra 2, Onufri, Tiranë, 2010, faqe 9).

    Në vijim, logjikisht, mund të arsyetohet, se, edhe thelbi i qenies së tij njerëzore është shqiptarësia. Letërsia ka në vetvete edhe projeksionin e qenies së shkrimtarit, formimin, mendësitë, ndjesitë vetiake, dhe nëpërmjet saj mund të ndërtohet portreti i tij.    

    Qenia shqiptar është njëherësh edhe qenia malësor. «Qenia «malësor» s’ndahet meje!» *  * 22. 8. 1989/I dashuni Idriz Lamaj… shkruan me humor kënaqësie, në një letër, që sintetizon thelbin e qenies së vet si shkrimtar.

     Përse e thekson këtë, pikërisht, kur iu përgjigjet pyetjeve, që i ka drejtuar një bashkatdhetar në SHBA, duke i shpjeguar atij diçka nga metoda e rrethanat në të cilat “kam ba letërsi”?

     Qenia «malësor», në kontekstin përkatës, është në kuptimin e shkrimtarit. Thënia «qenia «malësor» s’ndahet meje!» përmbyll mendimin e shtjelluar për konseguencën tematike në veprën e vet, të cilës, sikurse pohon, i ka mbetur besnik që prej poezisë së parë.  Përjetimet e fëmijërisë për vendlindjen, malësinë, njerëzit, qiellin, tokën, stinët, lumenjt, tingujt e currilave «me mote n’mue janë rritë,/lule gjaku në shullâje/për të dalun kangë nji ditë» * * Tingujt e parë, Vepra 2, Onufri, 2010, faqe 13).

     Qenia natyrore e lindjes, fëmijërisë, adoleshencës dhe e rinisë së hershme, sa ishte në atdhe, që është themelore në formimin e njeriut, po ashtu, edhe të shkrimtarit, nuk i është ndarë e nuk mund të ndahet prej tij, se ajo është vetvetja.  Shpjegimi plotësohet me obsesionin e vet krijues, të përngjasuar me atë të piktorit, që s’mund të ndahet nga një objekt apo fytyrë e caktueme. Në krijimtari, obsesioni mishërohet në përsëritjen e temave, të cilat shndërrohen në zotëruese/dominante (shprehje, fjalë e terma të përdorura prej tij). 

    Gjuha e rrezikuar

    Ai nuk ka qenë vetëm larg atdheut, por edhe pa atdhe fizik. I detyruar mos ta shihte më kurrë, të ndërpriste çdo lidhjeje me të dhe me të vetët, madje dhe me familjen, atdheu me gjithçka të tij i u ndry në vetëdije dhe në pavetëdije prej nga dilte i shndërruar, në poezi e në prozë, në metafora abstraguese e tepër abstraguese, simbole, etj., shpesh vështirësisht të identifikueshme/njëjtësueshme në konkretësinë e tyre. Humbja e atdheut ishte për të si shkëputja e Anteut prej tokës, humbje e mënyrës së mëparshme të qeniesisë dhe përshtatja me një mënyrë tjetër jetese e krijimi. Në Romë komunikonte drejtpërdrejt vetëm me disa shqiptarë, dhe, me raste, bashkëpunimi për revistën Shejzat, ndërsa, në Mynih me disa pak studentë shqiptarë a të huaj, që mësonin shqip, e ndonjë albanolog. Në rrethana të tilla, ku gjuha e mëmës nuk flitej në përditshmëri, dhe libra në shqip mezi gjente, më e keqja ishte, se, rrezikohej të humbte edhe atdheun gjuhë. Rrezikun e humbjes së gjuhës amtare, në mërgim, e kanë vuajtur edhe shkrimtarë të tjerë, disa prej të cilëve janë shprehur edhe me shkrim, ndër ta dhe Koliqi. Poeti mërgimtar për Camajn, në se “don me mbetë ashtu si ashtë, merr frymë përmes gjuhës amtare”. * * Rëmime mbi poezinë, Mynih, maj 1991, daktiloshkrim, i botuar edhe në Vepra 2, Onufri, Tiranë, 2010, poezi 1953-1967, faqe 9.

      Identiteti i tij i lindur, njerëzor dhe i poetit, është te gjuha dhe vet gjuha amtare, që njëjtësohet në krijimtari. Këtë mendim, të shprehur nga fundi i jetës, e ka pas pasur bindje, që kur me vetëdije i hyri rrugës së letërsisë. Ndryshe nga shumica e shkrimtarëve të tjerë të ardhur prej Lindjes në Europën Perëndimore dhe në SHBA, që shkruan në gjuhët e mëdha ndërkombëtare, anglisht, frëngjisht, etj., përkundër dhe mendimit të Koliqit, mentorit dhe mikut të tij të afërt, (i cili…”donte që unë të vijosha karrjerën letrare e vetëm letrare, ashtu si letrarët rumunë në Francë, rusë në USA etj. etj.”) * * München 27 marc 1991, I dashuni Gjon, kur pata mbërritë në Romë…, ai u shpreh para miqve më të ngushtë, se ”dosha me mbetë shkrimtar shqiptar” * *Munchen 27 marc 1991, I dashuni Gjon, kur pata mbërritë në Romë…. Për dhuntitë e pasionin e vet, si dhe për ta pasur shqipen sa më të plotë e të qëndrueshme, të ardhmen e veprës e paramendoi me dy kahe: studime- albanologji, dhe krijimtari letrare. Në këto dy drejtime ka punuar në Beograd, Romë e Mynih.

    Përballë formimit, vetëdijes, këmbënguljes së Camajt ishte bota e madhe, kultura, gjuhët e huaja të mjediseve, ku kaloi, me trysninë e vazhdueshme për ta tjetërsuar, së pari e së fundmi, prej gjuhës amtare. Këtë trysni, që e ka mbajtur mbi shpatulla, e shihte qartë në vështirësitë që i delnin në procesin e krijimit letrar. Shkrimtari mërgimtar, sheh “dita ditës si fjalët e saj shyten në nënvetëdije e harrohen.” * * Rëmime mbi poezinë, maj 1991, daktiloshkrim, i botuar edhe në Vepra 2, Onufri, Tiranë, 2010, poezi 1953-1967, faqe 9.

       Ai ishte këmbëngulës dhe nuk u nda kurrë prej fjalës shqipe. Kur ajo i largohej, e afronte në mendje dhe në letër. Fjalën që e ka humbur e gjen në fjalor, një mundim i dhimbshëm. Shkrimtarët në atdhe nuk e përjetojnë një përkushtim të tillë. “Gjysma e jetës kalon në kërkimin e fjalës së vet të humbun. Ai bie në një vorbull e sillet rrethas dhe del andej kur kujtohet se bashkë me të, me poetin, ka mërgue edhe fjala (ky skajim “l’esilo della parola” u trillue nga disa antropologë italianë që merren me kulturë e gjuhë arbëreshe) * * Rëmime mbi poezinë.

    Foto nga studio e Martin Camajt. (Arkivi personal i B. Kuçukut)

    Shprehësia gjuhësore, funksione të përshkallëzuara

     Në letra Camaj ka jo pak mendime për gjuhën standarde, dialektet, motërzimet letrare të shqipes dhe historinë e tyre, etj., për të cilat jep shpjegime argumentuese. Ne do të ndalemi te gjuha mjet i artit letrar.

      Procesi i krijimit artistik letrar, i ndërlikuar dhe i mundimshëm, përmblidhet thukshëm me një sintagmë: zhdërvillimi i fjalës, në kuptimin më të gjerë, të gjuhës. Letërsia është arti i zhdërvillimit, përpunimit të fjalës,  dhe nëpërmjet tij, të mendimeve dhe ndjeshmërive emocionale. Nisja është nga fjala, gjuha dhe jo nga mendimi, ideja, përmbajtja. Megjithatë, nisja nuk është dhe as nuk përfundon formaliste. Më tej kalon në një qëndrim filozofik dhe shoqëror kombëtar. «Zhdërvillimi i fjalës përnjësohet me proceset e krijimit artistik që mund ta përftyrojmë si një fryt, pjeshkë, thelbi i së cilës ashtë qenia njerëzore si shqiptar, për shembull.» * * Rëmime mbi poezinë, maj 1991, daktiloshkrim, i botuar edhe në Vepra 2, Onufri, Tiranë, 2010, poezi 1953-1967, faqe 9.

     Thelbi i frytit të këtij zhdërvillimi/përpunimi, është, në përgjithësi, qenia njerëzore, ndërsa, në veçanti, për fjalën dhe letërsinë shqipe, është qenia shqiptar. Me këtë bindje ai ndjek gjedhen e shkrimtarit shqiptar misionar e të letërsisë misionare, që prej Rilindjes, pararilindjes dhe deri sot, e cila nuk përputhet me qëllimet e shkrimtarëve dhe të letërsive europiane moderne e pasmoderne, as me poetikat, strukturat dhe përftesat moderne e moderniste të veprave të tij.

      Koncepti i tij për gjuhën/fjalën është i gjerë dhe i hapur. Funksionet e shprehësisë së saj shihen të përshkallëzuara në rrafshe të ndryshme, më tepër formale, artistike.

    Pjesë kryesore e formës sidomos në poezi ashtë gjuha vetë; ajo ashtë jo vetëm ngjyra e veprës letrare, por edhe përmbajtje….vetëm me nji gjuhë që ka rrajët e veta në popull munden me u shkrue vepra letrare të vlershme……” * * Shënime të përgjithshme – Mbi Varg librash letrarë

    Funksionet dhe burimi i gjuhës:

    1. Pjesë kryesore e formës

    2. Ngjyra e veprës letrare

    3. Përmbajtje

    4. Rrënjët e saj në popull

    1. Pjesë kryesore e formës

     Forma, ndonëse kryesore, nuk është vetëm gjuhë, por është edhe diçka tjetër, tej saj. Këta janë përbërës të kulturës popullore shqiptare, ndërveprues me gjuhën shqipe, dhe të përftuar ndërsjellas prej njëri tjetrit. “Zakonet e një kombi, ka pohuar Ferdinand de Saussure, lënë gjurmë mbi gjuhën e tij dhe po ashtu gjuha vetë, në një masë të madhe, mbrun kombin.” * * Ferdinand de Saussure Kurs i gjuhësisë së përgjithshme, përktheu nga origjinali Ledi Shamku-Shkreli, botues K&B, 2002, faqe 130, 131.

     Në shprehësinë letrare me mjete autokton e gjuhësore, thanje e frazeologji shqipe popullore, Camaj përfshin edhe përftyrime të kulturës popullore shqiptare, fytyrat e besimet mitologjike. * * Shënime të përgjithshme – Mbi Varg librash letrarë.

     Fytyrat/shëmbëlltyrat, besimet e mendësitë mitologjike, në krijimtarinë e tij letrare, janë një prej konstanteve dalluese, që drejtojnë në domethënie, struktura e përftesa nga më të rëndësishmet e poetikave të tij. I thërret gjuha në funksion, apo, ato thërrasin fjalët dhe format gjegjëse? Procesi i ndërsjellë e i ndërvarur nuk është aq i tejdukshëm. E mirëqenë është shprehësia polifonike e tyre.

     Në një letër tjetër, vë theksin te harmonia e lirikës, që e gjen nëpërmjet drejtpeshimit të tre përbërësve, formalë dhe përmbajtësorë, mes të cilëve parësorë janë tingujt, ana tingullore. «Lirika e vërtetë ashtë dhe drejtpeshim, gjuhe, tingujsh dhe përmba[j]tje.» * * Lenggries 2. 11. 1987/I dashun Nuo,/shkoi gjatë këqyrja…/

    Përsëri shprehësia gjuhësore i prin përmbajtjes, e kërkon dhe gjen atë. Në lirikë tingujt e shqiptueshëm, bashkëtingëlloret, zanoret me theksat, rimat e brendshme dhe të jashtme, asonancat e konsonancat, kanë funksion parësor, pa shkuar në formalizëm, që e absolutizon anën tingullore për të zotëruar muzikalizmi mbi domethëniet. Vet tingujt janë formë dhe përmbajtje. Muzikalizmi, melodia, ritmi i fjalëve të zgjedhura shpreh, gjithashtu, një përmbajtje të caktuar e të përcaktuar në vartësi të tyre * * Shënime të përgjithshme – Mbi Varg librash letrarë.

    Forma ka ndërrue prej poezive (1953-67) vazhdimisht. Ka ndërrue edhe gjuha, sepse e kam ndjekë zhvillimin e saj edhe pse gjuhën e kam si zanat.” * * Shënime të përgjithshme – Mbi Varg librash letrarë.

    Gjuha është në varësi të formës. Kuptimi i tij i qartë për varësinë e saj prej formës letrare lejon të shihet zhvillimi i brendshëm i veprës së tij. Në përputhje me ndryshueshmërinë e vazhdueshme të formës letrare, ka ndërrue edhe gjuha. Ajo ndërron, nga njëra anë, në përputhje me format e lëvruara, në poezi e në prozë, dhe, nga ana tjetër, sipas ecurisë së zhvillimit të gjuhës së folur dhe të shkrimit në përgjithësi. Camaj, shkrimtar dhe gjuhëtar, ndjek me vëmendje këtë ndryshueshmëri të dyanshme dhe në mesin e saj gjen zgjidhjen drejt përkryerjes.  

    2. Ngjyra e veprës letrare

     Çdo gjuhë, në krahasim me të tjerat, ka ngjyrën e ekuivalencave/barazvlerave të veta shprehëse, kuptimore e formale, dhe, në sistemin e saj letrar, larminë e madhe të ngjyresave të brendshme. Përzgjedhjet e shkrimtarit prej thesarit gjuhësor, në varësi të lëndës e të stilit vetiak, tharmi popullor e stilizimet e tij, kontekstet e reja, origjinale të çdo vepre përbëjnë ”ngjyresën” e saj. Vepra e Camajt, në letërsinë shqipe bashkëkohore, dallohet veçanërisht prej ligjërimit në motërzimin gegërisht me thënjet, frazeologjizmat, sintaksën, trajtën e vet historike. Funksionin e ngjyrës e të ngjyresës gjuhësore e thekson edhe në një letër tjetër “Mue varianta gege më vlen edhe për kolorit” * * München, 11. 2. 79/I dashuni Gjek Gjonlekaj, më ra në dorë letra…

    Ai, që punonte mes shqipes, italishtes dhe gjermanishtes, e dinte mirë, madje, diku e përmend, edhe si zgjerohet kuptimi i fjalëve të gjuhës amë në ndërkomunikim me gjuhë të tjera. “Fjala e tij me kuptime specifike përpiqet me gjuhë të ndryshme dhe mundet me iu zgjanue edhe kuptimi, natyrisht, pa u zvetnue.” * * Rëmime mbi poezinë, Mynih, maj 1991, daktiloshkrim, i botuar edhe në Vepra 2, Onufri, Tiranë, 2010, poezi 1953-1967, faqe 9.

    3. Përmbajtje
    Mendimi i tij, se gjuha ashtë edhe përmbajtje, kalon, nga rrafshi krijues letrar, në rrafshin teoriko- filozofik. Para se të jetë përmbajtje, ajo është formë. Camaj ishte gjuhëtar i mirëformuar me teoritë moderne e bashkëkohore të shekullit XX. Për veten thoshte se ishte strukturalist. Për të pasur një lloj ideje për kahun e tij mjafton të pranëvihet me të thelbi i teorisë gjuhësore të Ferdinand de Saussure-it.

    «Nuk mund të veçohet tingulli nga mendimi dhe as mendimi nga tingulli»; «Gjuhësia punon pra mbi një truall kufitar, tek i cili kombinohen elemente të të dyja rendeve; ky kombinim prodhon formë, jo lëndë.»; “Çdo gjuhë është njëherësh shprehje dhe përmbajtje”. * * Ferdinand de Saussure Kurs i gjuhësisë së përgjithshme, përktheu nga origjinali Ledi Shamku-Shkreli, botues K&B, 2002, faqe 130, 131. Dhe, koncepti i Louis Hjelmslev-it, pasues i Saussure-it: “Gjuhët karakterizohen njëherësh edhe në rrafsh të shprehjes edhe në rrafsh të përmbajtjes.” * * Osvald Dykro, Cvetan Todorov Fjalor Enciklopedik i Shkencave të Ligjërimit, përktheu nga frëngjishtja Dr. Rexhep Ismajli, Rilindja, Prishtinë, 1984, faqe 44/ Osëald Ducrot/Tzvetan Todorov Dictionnaire encyclopédique des sciences du langage, Editions du Seuil, 1979, faqe 38.

     4. Rrënjët e saj në popull

      Shkrimtari modern i bashkëkohësisë ka edhe me një qëndrim romantik për gjuhën, i cili, së paku, në dy raste, është parashtruar si domosdoshmëri. Një herë, në mënyrë përjashtuese, shkruan: vetëm [me] nji gjuhë që ka rrajët e veta në popull, mund të përftohen vlera letrare, duke i njëjtësuar ato me vet artin. Megjithatë, kërkesa e skajshme nuk pengon lirinë dhe as mundësi të tjera zgjidhjeje. Vetëm rrënjët duhen në popull. Trungu, degët dhe degëzimet e pafundme, janë zhvillime e përpunime të shkrimtarit sipas poetikave të përshtatshme me dhuntitë e formimin vetiak. Në një rast tjetër, këshillon jo rrënjët në tërësi të jenë në popull, në fjalorin, trajtat dhe format kanonike, por frymën e saj, me të cilën nënkuptohet një përpunim më i thellë a tjetërsim subjektiv: “nëse nuk ndihet fryma e gjuhës së folunmos të presë kush art të vërtetë…” * * München, 11. 2. 79/I dashuni Gjek Gjonlekaj, më ra në dorë letra… Dhe, përsëri, pa përbërësin përcaktues– fryma e gjuhës së folun, nuk ka art të vërtetë. Me fryma e gjuhës së folun, dialekti është ngritur në lartësinë e parimit estetik, sendëzuar, në veprën e tij, me gegërishten letrare të rrëfimtarit autor, si dhe të personazheve. Kjo kërkesë a parim krijues shpie te realizmi, personazhet e të cilit karakterizohen me gjuhën e tipit dhe të mjedisit ku vepron. Edhe në poezi, ligjërimi është po në motërzimin e letrares gege. Në kontekstin e saj, subjekti lirik shpesh shëmbëllen autorin. Përkalimi i anasjellë poet-subjekt lirik ka ndodhur njëmendësisht edhe gjatë procesit të krijimit.

     Zotërimi i gjuhës, qoftë edhe në dialekt, nuk është i mjaftueshëm për poetin lirik. Ai ka edhe një “shqisë” të veçantë me të cilën e ndien atë fizikisht, me tingujt, tingëllimin, ritmikën për t’i shndërruar në tingëllim e ritmikë poetike. Me ndie fizikisht gjuhën është kërkesë problematike. Jo të gjithë e kanë këtë kërkesë. Ndieja fizike e saj përfton harmoninë poetike. Nëse shkrimtari nuk e ka të lindur a të përvehtësuar këtë ndiejshmëri është dobësi e gabim.Prandaj, një poeti të ri i këshillon “Mos me ba gabimin e kosovarëve me shkrue në nji gjuhë që nuk e ndien.” * * Lenggries 8. 5. 80/ I dashun Ndok Sinishtaj…

    Një vepër e rëndësishme e modernizmit bashkëkohor, e ushqyer drejpërsëdrejti nga letërsitë e mëdha të vendeve perëndimore, e ngjizur dhe shkruar në Itali e Gjermani, nuk mund të ngrihej vetëm mbi simbolikën e mitologjinë iliro-shqiptare. “U muer vesh se në këtë simbolikë analogjia, aluzioni, përkujtimet e pavetëdijshme shtrihen përtej skajeve të botës shqiptare dhe ndërlidhen me letërsinë e lashtë e të re botnore.” Shprehësia e saj, në shqip, është pasuruar me figura e motive edhe nga kultura të tjera, prandaj, dhe horizonti i pritjes është i hapur, tej caqeve të shqipes. Në shënimet e veta hasen hulumtime për llojet poetike, mitet e legjendat, marrëdhëniet e njeriut me natyrën dhe përftimin e figurave e të shëmbëlltyrave imagjinare të lashtësisë së hershme e më të hershme.

    Kliko për ta blerë

    Vetmia, mënyrë jetese

        Largimit të tij nga atdheu i u shtua vetmia. Si një prej mërgimtarëve shqiptarë, të shpërndarë në vende të ndryshme të Europës dhe SHBA-ve, të paorganizuar, “të ndamë e të përçamë” ka ndjerë vazhdimisht vetminë, të cilën “e njeh ma mirë se fytyrën e vet”.   Ajo e ka prapandjekur edhe prej kërkesave që ka pasur në marrdhënie me të tjerët. Krahas kulturës, dëshironte nga bashkatdhetarët mërgimtarë, mirëkuptim, sinqeritet e dashamirësi në bashkëpunim për të mirën e atdheut, kulturës e letërsisë shqipe, të cilat, një pjesë e madhe e tyre, nuk i kishte. Megjithatë, me zemërgjerësi e merr përsipër «fajin», se “kam folë me ta një gjuhë të pakuptueshme”….. Por, pranon, se ndenjtja më vete, moskomunikimi e mosbashkëveprimi me këdo, ishte për të ruajtur pavarësinë, integritetin dhe personalitetin e intelektualit, poet e gjurmues/studiues “Thelbi ka qenë ruejtja e pavarësisë; këndej shpjegohet mërgimi në [të] kaluemen që mos të manipulohen nga injorantat dijekëqij, zotnues të kohës në të cilën jetojmë” * * Copëza nga shënimet.

     Vetmia e tij edhe mes njerëzve, ku jetonte, e rikthen mendimin përsëri te vendlindja, në malësi. Ndoshta, edhe mbylljen, në një masë, e ka prej qenies «malësor»? Në  një letër, për vërejtjet që i bën Z. Logoreci për dialogë të paktë në romanin Rrathë, i përgjigjet: «njerëzit që unë paraqes në roman si edhe ambjenti asht i ndrydhun,  prandej ka shumë pak dialoge që prozën do ta banin ma të rrjedhshme. Kam jetue në ato rrethana e njerëzit flasin ma tepër me vete se sa me të tjerë: rëmohet e mendohet në vete» * * 30. 4. 79/ I dashun z. Logoreci, mora letrën tuej…

     Të folurit e malësorit, ma tepër me vete se sa me të tjerë, është një lloj shkëputjeje nga bashkësia e gjindjes mes maleve, një lloj vetmie, e shndërruar në mënyrë jetese.  Rrethanat e largësisë gjeografike e shoqërore kanë përftuar një individualizëm të theksuar, me pasojë mosbesimin ndaj të tjerëve. «Rëmohet e mendohet më vete». Zgjidhjet i kërkon dhe i gjen në vetvete. Kështu, vetmia e detyruar e mërgimit, lëngatë e përhershme e Camajt, ndonëse më e rëndë, i është bashkëngjitur kësaj vetmie, që ka marrë në shpinë prej vendlindjes.

      Edhe në jetë prekej prej atij që vuante dhe merrte anën e tij, madje të atij që ishte  kall i vetëm. Prekja dhe anësia e tij, sikur i gjegjet fatit dhe gjendjes së vet, i vetmuar në botën e madhe. Tek ai, vetëdijshëm e pavetëdijshëm, shihte veten, apo, njëjtësohej me të? “… fati i njeriut, sidomos i atij që vuen, më ka prekë… në veprat e mia letrare si në lirikë, ashtu në prozë instiktivisht, pa paragjykime ideologjike, kam marrë anën e individit, e njeriut kall i vetëm». * * 1991/Letërsia shqiptare sot dhe autorët e saj/Nga shënimet për një intervistë dhanë Zërit të Amerikës.  Mund të jetë ndikimi i frymës së humanizmit kristian. Camaj ishte katolik me bindje të thella. Në një letër shkruan: “Po më kujtohet një vrejtje jote se në veprat e mia se [s’e] permendi fort Perendinë. Unë po të thom se Ai ashtë i pranishëm gjithkund, sidomos në lirikë, pos në Karpa” * * 28. 8. 1988/I dashtuni Gjon…

    Ngjashëm me shkrimtarin, të vetmuar janë dhe personazhet. Në fillimet e leximit të veprës së tij, pa pasur  në dorë letrat, arritëm të vërejmë: «Filozofia e saj, ngjan të jetë filozofia e ekzistencës së njeriut si individ, e lirisë dhe e kufizimit të tij, e përcaktimit/determinimit të fatit prej vetes, mjedisit shoqëror dhe e një force jashtë dhe mbi mjedisin. Njeriu i saj e jeton jetën individualisht dhe jo shoqërisht sipas marrdhënieve që ka me mjedisin shoqëror, natyrën, apo me të dyja së bashku.» * * Bashkim Kuçuku Shprehje moderne e shumëllojshme, Drita 4 prill 1993/libri Historiografi, risi, shformime, Toena, 2019, faqe 350-351).

    Nuk përjashtohen dhe faktorë të tjerë, që kanë përcaktuar qëndrimin e tij mbyllës dhe jetesën anash bashkësisë, sikundër, mund të jetë përftuar edhe një bartje e tillë, e vetes, njeri dhe shkrimtar, në letërsi.

     Ekzistencializmi, ndër filozofitë më të rëndësishme të shekullit XX, që kishte në qendër ekzistencën e njeriut individ, kushtet dhe cilësitë e tij, pati ndikim të madh në letërsi. Camaj jetoi rreth tridhjetë vjet dhe shkroi pjesën më të madhe të veprës, pikërisht, në Gjermani, në vendin e përpunimit të disa prej motërzimeve parësore të ekzistencializmit. Në kahun e njeriut kall i vetëm atë e shpinte edhe kundërvënia ndaj realizmit socialist, të zyrtarizuar në atdhe. Ai e kritikonte dogmën, se himnizonte kolektivin dhe e humbte individin, duke kërkuar prej tij nënshtrim, disiplinë dhe vetmohim. * * 1991/Letërsia shqiptare sot dhe autorët e saj/Nga shënimet për një intervistë dhanë Zërit të Amerikës.

     Kuptimin për vetminë, në shënimet Pikënisje poetike, Lavdi enigmave të natyrës, e ngre në rrafsh psiko-filozofik nga këndvështrimi i shtytjes së brendshme të njeriut për t’u harmonizuar me natyrën, forma kryesore e qeniesisë së tij, që me shfaqjen në tokë. Për këtë shtegëton larg, në lashtësi, dhe interpreton zanafillën psikologjike, qëllimin dhe funksionin e «kangëve të lavdisë» (einigma/ainigma/ainos), të cilat i mendon si të vetmen rrugë pajtimi të njeriut me natyrën.  Entuziazmi, që ato bartin, për bukurinë dhe madhështinë e saj, është një lloj eufemizmi për ta marrë me të mirë, sepse, njëmendësisht, janë nxitur prej frikës që kishte njeriu i lashtë. 

      «Lavdia e fshehtë apo e hapët [e] natyrës niset nga dëshira që ajo të më pranojë si element të vetin, të shkrihem në të sepse vetmia si individ ashtë e padurueshme. Shkrimja në të përmbledh në vete dhe tretjen në të, zhdukjen time në enigmën e saj gja që unë e quej vdekje. Arsyeja: sa ma tepër që i avitem vdekjes ndiej peshën e enigmës së natyrës nga rrodhi dhe kanga përla[v]duese në lashtësi.” * * Pikënisje poetike/ Lavdi enigmave të natyrës.

      Shtytje për një përgjithësim të tillë janë përjetimet e rënda- vetmia si individ ashtë e padurueshme. Çfarë ndodh në se diçka është e padurueshme? Kërkohet një rrugëzgjidhje. Nga vetmia e di që nuk shpëton, nuk ndryshon dot as veten as rrethanat, që kanë detyruar gjendjen e padurueshme. Atëherë, zgjidhjen e kërkon në marrëdhënien e njeriut, përkatësisht, shkrimtarit, me krijimin, artin, e cila e shpie në krye të herës, në lashtësi, në lindjen e këngëve të enigmës/përlavdërimit të natyrës.     

     Mirëkuptimi me natyrën është më i rëndësishmi, parësori. Në gjirin e saj është lindja, jeta dhe përtej jeta. Kur nuk të pranon, apo, nuk të mban më shoqëria, duke të braktisur, ose, duke e braktisur atë, natyra fisnike të pranon në çdo kohë dhe përgjithmonë. Pranimi prej saj përmbledh edhe tretjen në të, zhdukjenvdekjen, me të cilën mbaron udhëpërshkimi i njeriut.

     Martin Camaj nuk e lë “fronin” e shkrimtarit për atë të filozofit. Argumentin për rolin e enigmës së natyrës e ka subjektiv, prej gjendjes emocionale dhe arsyetimit të vet: “Arsyeja: sa ma tepër që i avitem vdekjes ndiej peshën e enigmës së natyrës nga rrodhi dhe kanga përla[v]duese në lashtësi.” Edhe, në se nuk mjafton vëzhgimi empirik për një përfundim filozofiko-letrar, deduksioni i tij të shtie në arsyetime e deduksione të tjera.

    Tragjizmi/tragjedia në qenien e poetit lirik

    Në rrafsh psiko-filozofik trajton edhe tragjizmin/tragjedinë e njeriut, prej kohëve parake, më të lashta, deri sot, po ashtu, dhe në shtrirjen më të madhe të mundshme- në marrdhënie me natyrën e jo me shoqërinë. Në enigma, kangë lavdie në lashtësi (ainos, ainigma) na jepet mundësia të zbulojmë diçka nga mundësitë tona. Në këto lavdina lejohemi (ia lejojmë vetvetes) që në këto lavdina të tregojmë edhe pakënaqësi bile dëshprim që të zbulojmë varrën ma të randë në shpirtin tonë, thelbin e tragjedisë që ashtë edhe ama e artit njerëzor.  Tragjedia dëshmon qenien e dualizmit tonë në natyrë dhe në na dhe gradën që kemi mbërrijtë në zbulimin e ndërgjegjes. * * Pikënisje poetike, Lavdi enigmave të natyrës.  Një thënie e tillë ndihmon ndjeshëm në zbulimin e thelbit të krijimtarisë së tij, të cilin e kemi cilësuar tragjik, që në fillimet e leximit të saj (1993) *

     * Futnotë: “Martin Camaj poet dhe prozator, lirik, dramatik dhe tragjik i ashpër, herë-herë, i butë është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe bashkëkohore…  /* Bashkim Kuçuku Historiografi, risi, shformime, Letërsi shqipe bashkëkohore, Toena, 2019, faqe 349; Drita, 4 prill 1993; Në ligjërata në universitet, në degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë kemi theksuar vazhdimisht, se ajo ka një thelb të përhershëm tragjik, që lidhet me tragjizmin historik të jetës së shqiptarit dhe bashkësisë shqiptare.

     Tragjizmi është pasojë e dualizmit të njeriut, në marrdhënie me natyrën dhe në vete, i cili zbulon edhe shkallaren në të cilën ka mbërritur vetëdija në njohjen, zotërimin dhe harmonizimin e tij me mëmën natyrë.  Fraza e Camajt nënkupton një progresion të tij, në rritje, në ecurinë historike, që, do të thotë, se është më i madh në bashkëkohësi.  Me një mendësi e bindje të tillë, të shqiptuar nga mbyllja e ciklit të krijimtarisë letrare, ndonëse e ka pasur prej fillimit, nuk është rastësi, pse dy temat qëndrore të saj, sipas autorit, janë njeriu dhe natyra.  * * Shënime të përgjithshme.

    Vetmia e padurueshme e individit përballë natyrës, kur ajo ende nuk e ka pranuar si element/përbërës të vetin, përfton tragjizëm. Pakënaqësia, dëshpërimi, varra ma e randë e shpirtit njerëzor janë burim i tij.  Poeti lirik për të, në brendësi, duke përfshirë dhe veten, është tragjik. “Tragjedia ime momentane, për shembull, si lirik, pohon Camaj, më afron me vuajtjet e të gjithë njerëzve: në këtë gjendje dëshprimi kam përshtypjen se e përjetoj artin ose atë që na përcaktojnë si art të naltë. Njohja e tragjedisë (për mue) ashtë një mjet dhe shtytje që të përmirësoj dhe mjetet shprehëse në lavdinë e enigmës së natyrës. Si rrjedhim: nuk jam i kënaqun me vetvete, ndaj nuk ndalem në zbulimin e të keqes në mue.” * * Pikënisje poetike/Lavdi enigmave të natyrës.

      Tragjizmi përftohet edhe prej humanizmit të tij kristian, ose, dhe bashkëkohor, universal, prej ndjeshmërisë për vuajtjet e të gjithë njerëzve, pa dallim vendi, prejardhjeje racore, gjendjeje shoqërore. Kjo e shtie në dëshpërim, karakteristikë e poetëve lirikë klasikë, sidomos romantikë, e jo modernë bashkëkohorë.

     Tragjizmi vetjak nuk buron nga ankthi i rrezikut të jetës, sikurse ndodh rëndom, por nga pafundësia e përsosjes së artit letrar, pikërisht, për lavdinë e enigmave të natyrës. Nga njëra anë, poeti garend për harmonizimin e vet me natyrën,  dhe, nga ana tjetër, artin e tij e mendon në funksion të shprehjes së enigmave të saj, funksioni më i lartë, me rreze domethëniesh universale.

     As në këtë shkallare të lartë poetiko-filozofike nuk është i kënaqur. Të keqen përherë e gjen tek vetja, te “paaftësia” për të mishëruar përsosmërisht, në poezi, enigmat e natyrës, ndryshe, marrëdhëniet e njeriut me të…. nuk jam i kënaqun me vetvete, ndaj nuk ndalem në zbulimin e të keqes në mue.

     Pakënaqësia ka një shkak të brendshëm psiko-qeniesor/ekzistencial: ballafaqimin me vdekjen, fundin e.qenies njerëzore dhe të poezisë. “Sa ma tepër që i avitem vdekjes ndiej peshën e enigmës së natyrës nga rrodhi dhe kanga përla[v]duese në lashtësi.” Në marrdhënien e përjetshme të njeriut me natyrën, në harmoninë, apo, mosharmoninë, poeti bashkëkohor nuk ka ndryshim nga poeti i lashtësisë. Ata janë në të njëjtin rrafsh dhe kanë të njëjtin kuptim, pavarësisht kohës së madhe dhe ndryshimeve shoqërore mes tyre.

    Dalja prej vetvetes, rikthimi te vetja

     Në shënimet dorëshkrim me titullin Pikënisje poetike, dhe nëntitullin Në fillim këtë poezi e quejta Hoja, në disa rreshta me ligjërim tërheqës biografik, është parashtruar një dramë e zhvilluar në psikologjinë e tij krijuese, që ka zgjatur gjithë jetën. Hoja në Malësi është një qenie imagjinare popullore, e përfytyruar e huaj, që nuk thirret për mik në shtëpi. Negativizmi, që mishëron nuk sqarohet. Nisur nga kodi kanunor, mendësia shqiptare për mikun, që i hapet dera, mund të hamendësohet, se keqbërja e saj, ndoshta, lidhet me pabesinë, shkeljen e nderit e të besës. Për fëmijët është bubazheli. Me të trembin fëmijët natën, kinse vjen për t’i marrë, kur nuk duan të flenë. Camaj, në këtë sjellje me “funksion” “disiplinues” e “qetësues”, shikon dukuri psikologjike të papajtueshme, të cilën nuk i ka kuptuar as i rritur. Konteksti ka edhe domethënien, se nuk e pranon një lloj të tillë edukimi, për mos të thënë diçka tjetër. Si mund të flejë fëmija, duke i ngjallur përjetime tmerri? Në fëmijëri, frikën prej saj e ka përjetuar edhe vet, madje i është kthyer në makth. Në moshë të rritur Hoja, në psikologjinë e tij, shfaqet në dy pamje e në dy pozicione. Njëra është figurë e frikshme e kujtesës së fëmijërisë, e zhytur, me kalimin e viteve, në nënvetëdije, që përcjell anth me adresë të humbur. Tjetra është përfytyrim i të papranueshmes në shtëpi, se mishëron të keqen e madhe, të papërcaktuar. Mospranimi i saj është mospranim i të keqes, mbyllje e derës. Pranimi është gabim fatal i bërë me vetëdije. Këto dy figura, apo, përfytyrime, i janë kthyer në obsession. “Kjo fjalë [Hoja] dhe përftyrimi i saj gjith bashkë më kanë ndjekë tanë jetën të konkretizuem në një grue njëqindvjeçare e veshun nuse. Ajo ka jetue bashkë me mue pa shndërrue kurrë fytyrë.” * * Pikënisje poetike, Lavdi enigmave të natyrës.

    Edhe përfytyrimi i përjetshëm, që e ka përndjekur psikologjikisht Camajn, i është shfaqur në dy pamje përjashtuese të njëra tjetrës. Edhe njëqindvjeçare, plakë, thuajse, e dënuar me pavdekësi, edhe e veshur nuse. Shëmtimi, e keqja e përjetshme, të fshehura në bukuri. Sikur po i afrohemi një lloj kuptimi, thirrjes për ruajtje prej saj.

     Prej obsesionit e ka çliruar krijimtaria. Me vetëdije e vullnet e ka shmangur shëmbëlltyrën e saj, duke e zëvendësuar me poezi për jetën dhe natyrën. Me zëvendësim e saj ka dalë prej vetes Martin për të qenë plotësisht poet.

     “Për ta shmangë atë, më ashtë dashtë të dal prej vetvetes dhe t’i këndoj jetës a natyrës sepse një qenie si Hoja s’e meriton kangën e aq ma pak ta quej librin tim të shtatë në emën të saj, Hoja. Ma mirë Lavdi einigmave të natyrës.” * * Pikënisje poetike, Lavdi enigmave të natyrës

      Shmangu më të madhen. Doli prej vetes, duke mos e titulluar librin Hoja. Mirëpo, nuk shpëtoi plotësisht prej saj. Një shtytje tjetër, e pa përballueshme, e riktheu tek obsesioni i fëmijërisë.

    Prej mllefit psikologjik është përftuar poezia Hoja (* * Vëllimi me poezi, dygjuhësh shqip-anglisht, Palimpsest, përkthyer prej Leonard Fox, Munich and New-York, 1991.

     me domethënie shoqërore aktuale. Përkundër bestytnisë popullore, që Hojës i mbyllet dera dhe nuk thirret për mike në shtëpi, njerëzia është në ekstazë euforie nga vallja dhe thirrjet e saj. Plaka njëqind vjeçare, e veshur nuse, sikurse e ka pasur përfytyrimin vetjak gjatë gjithë jetës, e shndërruar në shëmbëlltyrë poetike është e marrë dhe magjistare. Në përmbytjen apokaliptike të Pazarit të Shkodrës, ku janë zhdukë mija ngjyra të folklorit dhe gjithçka është përzieshëm, Hoja, thrrèt e thrrèt e kërcen, vetëm ajo dëgjohet, ndërsa, turma i brohorit në jehonë madhështore: Hoja! Hoja! Hoja! Sikur i thotë Lavdi! Lavdi! Lavdi! e Rroftë! Rroftë! Rroftë!  

    Metoda e rrethana në të cilat “kam ba letërsi”

    Ai kishte droje, mezi fliste për veprën e vet, edhe kur e pyesnin bashkatdhetarët nëpërmjet letrave. E quan të domosdoshme të thotë diçka vetëm në mbyllje të ciklit të krijimit (1989). Dhe atëherë, jo aq për të, se sa, sikurse shkruan, ndoshta mbi metodën e rrethana në të cilat “kam ba letërsi”. Këto mund të mendohen, se kanë qenë kryesoret, që kanë përcaktuar veprën.

    Cilat janë rrethanat?

    Më e plotë, do të thuhej, gjendja e shkrimtarit dhe rrethanat.

    Letërsia i është shfaqur fillimisht në formë pasioni, si te çdo talent i ri. Me ndërgjegjësimin për aftësitë e veta, të bërit letërsi, mes vështirësive të mërgimit, i shndërrohet në pasion të skajshëm, që njëjtësohet me jetën, me qëllimin dhe kënaqësitë e saj. Me kohë, edhe kjo kapërcehet. Shkon në një gjendje tjetër, në shkallaren më të lartë të qeniesisë/ekzistencës. Letërsia e mban gjallë, i jep edhe vullnetin për të jetue

     “Qysh prej fillimit ishte një pasion, nga lirika kam kalue në shkencën gjuhësore për mos t’u nda nga krijimi letrar: prej letërsisë kam pasë gjithçka, edhe vullnetin për të jetue. Kjo quhet edhe obsesion.” * * Ndoshta ka qenë e dobishme që i kam pjekë temat e mjetin “gjuhën” pa qenë fort i ndikuem nga faktorët e jashtëm: lirika, sidomos, e don vetminë e zhvillimin * * 22. 8. 1989, I dashuni Idriz Lamaj, mora kasetat bashkë me tekstin e emisionit mbi Fishtën….

     Ai ka jetuar për të bërë letërsi dhe nëpëmjet të bërit letërsi. Aq i fortë ka qenë ky motiv jete sa i është shndërruar në obsesion. Në fund të frazës, shpjegon: kjo quhet dhe obsesion, i cili, sipas psikologjisë, është gjendje emotive tronditëse, e padurueshme, që synon të zejë gjithë fushën e vetëdijes. 

    Larg të vetëve- lexuesve, letërsia i u shndërrua në obsesion, në një ngarendje tej kufirit të zakonshëm, në humbje barazpeshe mes qenies- njeri, dhe qenies- shkrimtar. Njeriu Camaj ka humbur nga hapësirat e qeniesisë, të cilat i ka “pushtuar” shkrimtari Camaj.

    Mbi shkrimtarin luajnë rol faktori i jashtëm, mjedisi me rrethanat, dhe faktori i brendshëm, gjendja e tij psiko-shpirtërore. Nga faktorët e jashtëm nuk ka qenë fort i ndikuem. Bota përreth e mërgimit mbeti “e huaj” për “letërsinë” e tij. Rrallë gjendet ndonjë poezi për rrethanat dhe mjedisin e mërgimit. Mosprania e saj, zbulon, se nuk e kishte as në shpirtin krijues, dhe, as “aparati” i përftimit të letërsisë nuk e pranonte.

     Faktori i brendshëm, zotërues i gjendjes, aktivizohej mbi të zakonshmen për të mbuluar edhe mangësinë e faktorit të jashtëm. Mjedisi dhe rrethanat e jetës shqiptare, bie fjala, nuk ishin pranë e përreth tij. Ato i kishte marrë me vete dhe, nga faktor i jashtëm, ishin kthyer në faktor të brendshëm. Rëndësi parësore ka bota e brendshme e shkrimtarit, zhvillimi i saj, të cilën e mendon të pavarur prej mjedisit. Lirika, sidomos, e don vetminë e zhvillimin e mbrendshëm të pavarun. * * 22. 8. 1989, I dashuni Idriz Lamaj.

    Ai, që, disa herë është ankuar përvuajtshëm për vetminë, në këtë rast, e shikon si një mundësi pavarësimi prej rëndomtësive të përditshmërisë. Shkëputja, veçimi prej të tjerëve, që e ngre në shkallaren e domosdoshmërisë, sidomos për poetët lirikë, nuk është për t’u mbyllur në “kullën e fildishtë”, por për të qenë sa më i lirë, i pandikueshëm në shprehjen e vetvetes në art.                                        

     Ka qenë ky zhvillim i brendshëm i pavarun, pa program a qëllim të paramenduar, që e ka drejtuar fillimisht te lirika, pastaj edhe në prozë, të cilat i ka lëvruar krahas njëra tjetrës, e disa herë në ndërthurje të tyre nën të njëjtin titull, për të arritur në sintezën kulmore të tyre te Dranja.  Prandaj, vepra e tij, pavarësisht lëndës, mishëron një art të pastër e të mirëfilltë, pa detyrime, veç shprehjes së domosdoshme të shkrimtarit për të komunikuar me lexuesin, më tepër imagjinar se konkret, i pangjashëm në llojin e vet.

    Ndjekja e rrymës së zhvillimit të mbrendshëm nga lirika kam kalue në prozë, por jo tue i thanë lamtumirë lirikës, si ngjan shpesh: i kam lavrue të dy gjinitë njëkohësisht: Djella shënon këtë kthesë që ashtë shkrue në prozë e poezi.sintezës mes poezisë e prozës i jam avytë në veprën Dranja.” * * 22. 8. 1989/I dashuni Idriz Lamaj,mora kasetat bashkë me tekstin e emisionit mbi Fishtën…

     Tërësinë e veprës, poezi- prozë, e ka menduar me një regularitet, ose, konseguencë, që, mund të quhet edhe vijimësi në zhvillim e embrionit fillestar tematik e gjuhësor në dialekt, gegënisht, të lidhur me vendlindjen, në malësi. “Në prozë kam pasë mundësi, pavetëdijshëm, të jem dhe strukturalist, ndoshta sepse edhe në gjuhësi jam strukturalist? Nuk mund ta pohoj sepse krijimi letrar ka metodën e vet. Nuk e mohoj se kultura e shumanshme sidomos gjuhësore jep edhe (?) të jesh jo struktural, por në veprën tande në tanësi të ketë një “regularitet”. Mund të quhet dhe konseguencë që del ma së forti në pah në tematikën të cilës i kam mbetë besnik tue fillue nga lirika “tingujt e parë’ që kam shkrue kur isha 25 vjeç…”/ * * 22. 8. 1989/I dashuni Idriz Lamaj. mora kasetat bashkë me tekstin e emisionit mbi Fishtën….

     Regulariteti, konsekuenca është edhe në motive, figurshmëri, struktura të përsëritshme, etj., të cilët nuk i përmend. Në prozë pranon, se, pavetëdijshëm është strukturalist, me qenëse është strukturalist në gjuhësi. Strukturalizmi ka kaluar nga gjuhësia në letërsi. Struktura e ndërlidhur e poezive dhe e prozave, brenda të njëjtit titull dhe nga titulli në titull, origjinalizmi, veçanësia strukturore e secilës dhe domethënia në mënyrën e leximit janë disa nga të dhënat e tij.

    Camaj, që gjithandej shfaqet modest për veten dhe ndihmesat letrare, pas një përvoje të gjatë, në poezi dhe në prozë, ka kulmuar me sintezën e shkrirjes së tyre te Dranja. Në një moment (1989), pohon: tue shkrue Karpa e kam ndie veten shpesh “virtuoz”. Me këtë fjalë, shenjuese e aftësisë së lartë të krijimit, ai kupton jo vetëm aftësinë e pakufizuar për të shprehur plotësisht veten, por edhe mënyrën e të shprehurit. “… mora zemër me shkue dhe një hap përpara me KARPA: tue shkrue këtë vepër e kam ndie veten shpesh “virtuoz”, dmth jam në gjendje të thom shqip gjithçka due! P.sh. , në një periudhë pesë rreshtash me projektue shtresa të ndryshme domethanje. * * 22. 8. 1989/I dashuni Idriz Lamaj,mora kasetat… mbi Fishtën….

    Njësia bazë e të shprehurit është shumë e vogël: një periudhë me pesë rreshta, e cila mund të merret edhe si njësi bazë strukturore e stilit të tij, sidomos te Karpa. Përkundër madhësisë së saj të zvogëluar skajshëm, domethanjet janë disa, madje, dhe me kahe diverguese, tipar kryesor dallues i stilit të modernizmit bashkëkohor në zotërimin e të cilit është njëmendësisht virtuoz.

    Vetjakja në poezi, shndërrim i të njëmendëtave

    Në se do t’i përmbahemi konceptit, se lirika më shpesh zotërohet nga ndjenja e ndjesi intime, pasione e obsesione të poetit, që përjeton thellë në rrethanat e jetës, Camaj ka një mendim e qëndrim tjetër, ndonëse, në poezinë e tij, mund të vërehet, se, nuk është plotësisht, sikurse ka shkruar në letra e shënime.

     Subjekti lirik i saj mbart cilësi psikologjike dhe të dhëna “biografike” të ngjashme me të biografisë së poetit. Më shpesh ata të dy janë të njëjtësuar, duke mishëruar cilësi universale, njëkohësisht dhe të dhëna psikologjike vetjake e intime.

     Marrdhënia mes vetjakes dhe të përgjithshmes njerëzore është problem për çdo poet, aq më tepër në lirikë, në të cilën, humbja e barazpeshës së këtyre përbërësve rrezikon me zhvlerësimin e saj. Përmasa, që zë njëra dhe tjetra, denduria, harmonitë mes tyre janë nga më të ndryshmet, në varësi të temperamentit dhe konceptit, që ka secili për poezinë e vet.  Për Camajn ka qenë një nga problemet krijuese më të rëndësishme. Shqetësimi dhe qëllimi i tij ishte të gjente mënyrat më të përshtatshme: “si t’i thjeshtësoj ngjarjet e ndjesitë e mia” * * Shënime të përgjithshme – mbi Varg librash letrarë. Të gjente ku mund të kapej filli i krijimit për të kaluar në përgjithësime me rreze të gjerë. Parimi artistik për të thjeshtësuar ngjarjet e ndjesitë vetjake vinte prej konceptit, që kishte për poezinë: “Njehja e tyne në mënyrë realiste, as me qenë tue shkrue biografinë për mue nuk ashtë art.” * * Shënime të përgjithshme – mbi Varg librash letrarë. Praninë e tyre të madhe, dhe, ashtu si kanë qenë, “realiste”, nuk e quan art, se ngjan me biografinë, që anon nga historiografia. Ndikim, në këtë qëndrim, ka pasur edhe kodi etik, modestia e dëshira për mos t’u dukur para të tjerëve si “hero” “Nuk kam qenë kurrë aq i pakrypë me qitë ndjesitë e ngjarjet e jetës sime të idhta e të gëzueshme troq…” * * Shënime të  përgjithshme – mbi Varg librash letrarë. Thjeshtësimin e ka arritur nëpërmjet stërhollimit, largimit të skajshëm, shndërrimit të të njëmendëtave deri në tjetërsim: “pa i shndërrue dhe stërhollue sa mos me i njohë as vetë” * * Shënime të përgjithshme – mbi Varg librash letrarë. Pohimi, se, në veprat e tij, nuk mund të njëjtësohen përbërës biografikë, i zhdrejton studiuesit në gjurmimin e tyre. “Nëse ndokush prej gjurmuesve të letërsisë ka me kërkue elementa autobiografikë në veprat e mia, ai hyn në pyll pa spatë…” * * Shënimë të përgjithshme – mbi Varg librash letrarë.

       Rrallë, për ndonjë moment tepër të rëndësishëm, përmend faktin e njëmendët, pa pasur qëllim zbulimin e lidhjes me poezinë. Bie fjala, kur, me rrezik jete kaloi kufirin për t’i shpëtuar përndjekjes. Ndodhinë e kujton pas 33 vjetësh. Edhe këtë në trajtë jo letrare, në letrën, që i ka dëguar bashkëpërjetuesit, At Danielit (Daniel Gjeçajt)  “… a ka mbetë kush gjallë prej atyne me të cilët kemi kalue kohët e vështira? Mner! Shumëve u kam harrue edhe emnat. Thelbin e atyne përjetimeve – të shndërrueme – e kam përpunue edhe në veprat e botueme deri dikund; shum motive kësi lloji i kam në dorëshkrime që sigurisht se nuk do të botohen kurr.” * * Lenggries, 27.8.81/I dashtuni Atë Dannjel,megjithëse kaloi …… Krejt odiseja e arratisjes është e përmbledhur në tri fjalë: kohët e vështira. Mner! E njëjta ndodhi (1948) është përshkruar e zhvilluar nga At Danieli, në kujtimet e tij, me kujdesin dhe përjetimet e ankthshme të atyre, që, në malet e thepisur, fshiheshin, edhe nga drita e hënës, për t’i shpëtuar syrit dhe veshit të ushtarëve të kufirit.

    Përshkrimi i At Daniel Gjeçajt:

    U çuem më një anë të errët, përpara se të delte hana. Rruga, e pa rrugë, kalonte nëpër pyllë, gjithkund në të përpjetë. Në fillim s’shihej kurrgja… Dikur, ndoshta dy orë para mjesnatet, nisi me dalë hana si qêthë, përherë e ma e shndritshme. Majet e maleve të thepisuna e të bardha, shkamb i gjallë, dukeshin në tanë madhninë e vet kristaline, si të veshuna me argjend. Hijet e luginave e shpatet në kapt bâheshin ma të dêta e qitshnin në pahj trajtat e relievet një mijë formash me një sfond qiellet tejet të kaltër, ku hyjt zbeheshin në dritë, sa mâ fort çohej hana në udhtim të vet. … Qellimi ishte që të mos shiheshim prej rojeve të cilat mund të gjindeshin ndër maje e qafa të kufinit. … Dikur, mbas orëve të rrugës të pa rrugë…. u kapëm në qafën e kufinit… Sigurisht s’ishte koha me vrojtë bukuritë, as veçantitët përherë tërhjekëse të maleve tona të vrashta e përherë të virgjra… Ishte një çast takimi me bukurinë, me naltësitë. Martini mâ vonë i thandroi në art këto çaste tmerrësisht madhështore. Fryt i këtij takimi me hanin, rrethue prej telash ferrc, asht poezia “Telat me thepa nën hanë”, e cila ndoshta-ndoshta nuk kishte për t’u kuptue si duhet, pa këtë kornizë:

                                   S’mund ta harroj hanën mbi krye

                                   kur ishte nji rrotull e rrezikshme

                                  hekuri së skuqun. Preksha eshtnat

                                  e shpatullavet të mija, të ngurta

                                  e trimnohesha.

                                   Telat me thepa, kufini i botës:

                                   përtej njerzija ishte e veshun

                                   e pa tundime në shpirt,

                                    këndej na lákur para njani tjetrit.

                                    Npër parzmat e hollë tejshiheshin

                                    përmbrencat; për të parën herë diktova

                                    se edhe zemrat  ishin ngjyra-ngjyra.

                                    Hana ecte kadalë mbi krye:

                                    astronomët rreth telash e vrejshin

                                    me turbí të gjata në dorë.

     Këto mendonte atë çast poeti, ndërsá kujdesi i atyne që na përcjellshin e na drejtojshin ishte frika e takimit me roje të kufinit, për të cilat s’kishim njoftësí as se sa ishin, as me ç’mjete luftarake ishin të pajisun. Ndoshta edhe ata kishin turbi të gjata në dorë, për me pá hyjt. E me i vrá!

     Gjithnjë na ishim pregatitë për ndeshje me armë. * * At Daniel Gjeçaj/pseudonimi Pal Dukagjini Si e njofta Martin Camajn, gazeta Shekulli, e shtunë 25 shtator 2010)/  Poezia Telat me thepa nën hanë, e cituar nga At Daniel Gjeçaj, është qortuar (disa pak ndryshime të vogla) sipas motërzimit që është në librin Vepra poetike, Onufri, 2017, faqe 103.  Më lart poezia është sipas librit të Onufrit.

    Është një rast i rrallë i dokumentuar, se si Camaj ngjarjen e përjetimet e njëmendëta i shndërron në poezi. Për të parë shndërrimin dhe mënyrën e shndërrimit do të duhet të hulumtohen të përbashkëtat dhe ndryshimet mes fjalëve dhe metaforave të përshkrimit dhe metaforave e simboleve të poezisë, të cilat mund të ndahen:

    Në përshkrimin e At DanielitNë poezi                  
    Fjalë çelësFjalë metafora çelës, të njëjta me përshkrimin
    hana kufini telahana kufini tela
    TogfjalëshaMetafora me fjalë të njëjta e të ndryshme me përshkrimin
    tela ferrc hana si qêthë hana ma e shndritshme     hana në udhtim të vet                            tela me thepa hana mbi krye hana nji rrotull e rrezikshme hana nji rrotull… hekuri së skuqun hana ecte kadalë mbi krye
    Përshkrimi nuk ka fjalë të tilla gjegjëse me të poezisëFjalë metafora të poezisë, pa gjegjëset e tyre në përshkrim
     eshtnat [preksha eshtnat e shpatullavet të mija] trimnohesha përtej njerzija ishte e veshun [përtej njerzija] pa tundime në shpirt këndej/ këndej na lákur para njani tjetrit astronomët… e vrejshin [hanën] me turbí të gjata në dorë
    Fjalë e shprehje të përshkrimit, që nuk janë në poeziPoezia nuk ka metafora gjegjëse të këtyre fjalëve                                                                                                                                        
    rruga, e pa rrugë majet e maleve të thepisuna e të bardha në tanë madhninë e vet kristaline                        roje [mos shiheshim prej rojeve]   
    çast takimi me bukurinë, me naltësitë  tmerrësisht madhështore [çaste]
     

     Fjalët çelës të përshkrimit: hana, kufini, tela janë, gjithashtu, metafora e simbole çelës të poezisë. Në përshkrim, ato përcaktojnë tre objekte kryesore. Hana u ndriçon rrugën, që nuk dinë, ku shkelin, por shton edhe rrezikun, se mund t’i dallojnë ushtarët. Kufini shënjon vijën ndarëse, nëse do shpëtojnë, apo, do të flijohen. Telat (ferc) e vështirësojnë, gati, në pamundësi kapërcimin e kufirit. Edhe përjetimet e At Danielit vërtiten rreth këtyre tri fjalëve, mes të cilave, ndërfuten fjalë dhe togfjalësha të tjerë.

     Dallimi i poezisë nga përshkrimi nis të shpërfaqet më qartë në fjalët e ndryshme mes tyre. Telat me ferrc përngjasohen me ferrën, që të kap e nuk të lëshon. Hana sa më e madhe, aq më shumë dritë lëshon. Dhe, bëhet ma e shndritshme. Në qêthë gatuhet buka, që ushqen jetën. Është perceptim subjektiv për dritën e saj, që i shpëtoi të gjenin rrugën pa zhurmë. Prej At Danielit, ajo është perceptuar dhe i është dhënë kuptim pozitiv, ndihmues.

    Hana në udhtim të vet, në përshkrim, objektivizon lëvizjen e saj në rrugën e vet kozmike, pa lidhje psiko-emocionale me përjetuesin. Në poezi, hana ecte kadalë mbi krye është perceptim subjektiv i poetit. Ndryshimi bëhet më i madh me ndërfutjen e fjalëve të tjera, si dhe të fjalëve të përshkrimit, që nuk janë në poezi dhe anasjellas.

    Poezia mund të ndahet në këto njësi strukturore, metaforiko-simbolike:

    I. Hanë

    1. Hanë

    2. Hanën mbi krye

    3. Hanën nji rrotull e rrezikshme

    4. Hanën nji rrotull… hekuri së skuqun

    5. Hana ecte kadalë

    6. Hana ecte mbi krye

    II. Telat me thepa

    1. Telat me thepa

    2. Telat me thepa, kufini i botës

    III. Astronomët

    1. Astronomët rreth telash

    2. Astronomët e vrejshin (hanën)

    3. Astronomët e vrejshin (hanën) me turbí të gjata në dorë.

    IV. Kufini

    1. Kufini

    2. Kufini i botës

    3. [Telat me thepa], kufini i botës

    V. Vendi, bota, hapësira e njerëzimit

    1. [Bota] përtej

    2. [Bota] përtej njerzija ishte e veshun

    3. [Bota] përtej njerzija ishte pa tundime në shpirt

    4. [Bota] këndej

    5. [Bota] këndej na lákur

    6. [Bota] këndej na lákur para njani tjetrit

    VI. Koha

    1. Kur

    Objektet e jashtme, të simbolizuara, të mjedisit e të rrethanës, që e “objektivizojnë” lëndën e poezisë, janë të pakta: hana– në qiell, telat me thepa– në tokë, kufini i botës, përtej dhe këndej, astronomët, turbi të gjata. Thuktia e fjalëve, që shenjojnë këto simbole objekte, nëpërmjet sintaksës strukturore bart një lëvizje mendimi dhe ndjesish prej tokës në qiell, si të gjallërohej një lëvizje kozmike.

      Ndajfolja kohore, kur, ndryn gjithë kohën e asaj ndodhie, të cilësuar s’mund ta harroj, pa shenja konkrete, të rrethanës e të mjedisit, me përjashtim të hanës, metonimi simbolike e natës së njëmendët. Ndonëse, kur, aktivizohet vetëm një herë, mbetet nyja mbi të cilën është varur tërësia e domethënies. Nëpërmjet elipsës, kuptimisht, ajo është e barazvlefshme në krye të çdo njësie të sintaksës strukturore, që shpreh kohën.

     Hapësira diegjetike, që përfshin ligjërimi lirik, është e përcaktuar me simbolet ndajfoljore të përgjithshme: këndej dhe përtej. Këndej është hapësira në të cilën veprojnë subjektet, në shumës- na [këndej na lákur para njani tjetrit]. Mes tyre edhe subjekti lirik, njëkohësisht autori.  Përtej është hapësira tjetër, skajshmërisht kontrastuese (këndej na lákur/zbuluar; përtej njerzija veshun) Ligjërimi i tij, gati, bashkon hapësirën njerëzore- tokën, me kozmosin- hënën, apo, qiellin, duke kaluar sa nga njëra te tjetra. Ndryshe nga shtrirja tokë- qiell në vazhdimësi, hapësira e jetës njerëzore është e ndarë. Dy ndajfoljet vendore, përtej dhe këndej, simbolizojnë përballjen e dy botëve të kundërta në mënyrën e të jetuarit dhe marrdhëniet e brendshme me njëri tjetrin. Ndarja është me telat me thepa, ndalim-komunikim i plotë dhe i dënueshëm. Përtej njerzija ishte e veshun e pa tundime në shpirt. Ndodhia, që s’mund të harrohet, është përjetuar këndej, aty ku, na lákur para njani tjetrit.               

     Në poezinë Telat me thepa nën hanë, vargu i parë është S’mund ta harroj [hanën mbi krye]. Fillon me pamundësinë e të harruarit të asaj, që ka ndodhur, e ngritur në sipëroren absolute, në të cilën, zakonisht, ngjiten, ose, ndodhitë shumë të gëzueshme, ose, tmerrësisht të këqia. Ky varg, sikurse të pesëmbëdhjetë vargjet e saj, ka për bërthamë shprehjen e përdorur prej Camajt në letrën drejtuar At Daniel Gjeçajt a ka mbetë kush gjallë prej atyne me të cilët kemi kalue kohët e vështira? Mner! Pikëçuditësja shenjon shkallaren e lartë të rrezikut që kanë përjetuar.

    Ligjërimi është në vetën e parë, i cili i ka hapur rrugë subjektit lirik për t’u njësuar me vet autorin. Në dukje nuk vërehen të dhëna aubiografike të tij. Disa objekte simbolike të rrethanës dhe të mjedisit, me domethënien e tyre, shpien drejt një lloj përcaktueshmërie, duke të afruar me të dhëna të biografisë.

      Hana, ndonëse është përdorur dy herë, është simboli më aktiv, gjithashtu, aktivizues e zotërues, që u jep vlerë edhe domethënieve të metaforave dhe të simboleve të tjerë. Në gjysëmvargun hana mbi krye është fshirë largësia kozmike. Ajo është zbritur fare poshtë, rri mbi krye, sipas gjedhes frazeologjike i rri tjetrit mbi krye (për ta mbikqyrur), i rri rreziku mbi krye.  Objektet simbolike, që e bashkëshoqërojnë në sistemin figurativ, pasurojnë domethënien e rrezikut e të rrezikshmërisë, madje e konkretizojnë fjalshmërisht hana nji rrotull e rrezikshme. Më tej, zhvillohet në rrezik, që vjen prej hekuri të skuqur: hana nji rrotull… hekuri së skuqun. Dikur qe damkë shenjë në trupin e skllevërve për t’i dalluar prej qytetarëve të lirë. Hekuri së skuqun ndërmend edhe plumbin e mundshëm, që mund të hanin nga pushka e ushtarëve.

     Hana mbi krye mbart rëndesë të madhe psikologjike, ndezjen e llampës së kushtrimit në trurin e tronditur. Gjendja është pa lëvizje. Në vargun tjetër, Hana ecte kadalë mbi krye, nis lëvizja, ecja, por ngadalë, perceptim subjektiv i poetit. Njëmendësisht, ajo ecën me shpejtësinë e vet kozmike. Janë përjetuesit, me ta dhe poeti, që, për shkak të rrezikut mbi kokë, që pritet nga çasti në çast, ritmi i ecjes i u duket i ngadaltë. Përqasur me përshkrimin e At Danielit, mund të thuhet, se hana ecte kadalë është metonimi e lëvizjes së ngadaltë të klandesitinëve për mos të bërë zhurmë. Hana, në vargjet: Hana mbi krye, hana nji rrotull e rrezikshme, .. nji rrotull hekuri së skuqunhana ecte kadalë  mbi krye   është perceptuar dhe ka marrë doemthënie negative, rreziku i përhershëm mbi krye të jetës. Ka të ngjarë, që, në mendjen e Camajt, hana me ndriçimin e saj, në ndodhinë e njëmendët për të kapëcyer kufirin, rriste mundësinë e zbulimit prej rojeve. Frikën dhe ankthin mishërojnë edhe vargjet antitetikë: Preksha eshtnat/ e shpatullavet të mija, të ngurta/e trimnohesha. Elipsa e trimnimit ka në skajin e vet të kundërtën, e pashenjuar- frikën, ankthin.

    Pse gjendja pa lëvizje dhe gjendja në lëvizje, në poezi, është e ndërvarur prej hënës?

      Një nga shndërrimet figurative tjetërsuese janë rojet e simbolizuara në astronomë. Logjika figurative zhvillohet mbi bazën e funksionit të tyre të njëjtë: shikimin, vëzhgimin, si dhe të mjeteve, që përdorin. Rojet e kufirit vëzhgojnë me dylbi, në tokë, mos kalojnë klandestinë. Astronomët me tejkqyrë vëzhgojnë trupat qiellorë. Objekti i vëzhgimit të rojeve, klandestinët, në se ato i qëllojnë me armë, do ngjiten në qiell. Sublimim poetik i tyre. Këmbimi i rojeve me astronomët ka edhe domethënien e vëzhgimit të tyre të jashtëzakonshëm, zhbirimin në largësi tejet të mëdha, përftuar nga ndjenja e madhe e rrezikut qeniesor, që ka ndjerë njëmendësisht Camaj në atë rrethanë. 

      Në poezi, edhe pse është ndryrë një ndjeshmëri e madhe subjektive e subjektivizimi nëpërmjet njësimit të poetit me subjektin lirik, është tepër e vështirë të dallohet në të ndodhia vetjake e njëmendët, tanimë, e dokumentuar. Megjithatë, në vargjet:  Preksha eshtnat/ e shpatullavet të mija, të ngurta/ e trimnohesha subjektivizmi theksohet në një mënyrë më vetjake. Pasiguria i ka pushtuar qenien. Prekja e eshtnave e trimnon, duke e bindur, se, ende, është e mund të dalë i gjallë. Një gjendje e tillë psikologjike ankthi qeniesor/ekzistencial është pasojë e atij mneri, që kujton, në letrën e lartpërmendur, nga endja e tij nëpër male, në rrugë pa rrugë, nën syrin vrojtues të ushtarëve.

      Përjetimi, rrafshi i përbashkët i letërsisë dhe i fesë

     Letërkëmbimin më të shpeshtë e ka pasur me klerikë dhe njerëz në shërbim të fesë katolike për të cilët kishte vlerësimin dhe nderimim më të madh. 

        I lindur në familje katolike, në Malësinë e Dukagjnit, ndoqi mësimet e mesme në Kolegjën Saveriane, në Shkodër, me sistemin pedagogjik të Urdhërit të Jezuitëve.  Formimi dhe edukata katolike ishte rrënjosur prej fëmijërisë dhe adoleshncës, të cilat i ndërmend edhe në vitet e mbrame të jetës, me ndjenjën e mirënjohjes së thellë ndaj atyre “që na edukuen e na dhanë kulturën e ndjenjën humanitare”./ 3. 12. 1989/Fort i dashtuni Pater Danjel; “na kanë bâ njerëz të cilit i falnderoj dhe pozitën e dijen që kam sot/München 27 marc 1991/I dashtuni Gjon, megjithse…

    Edukata, kultura dhe ndjenja humane jo vetëm ndjehen, por edhe janë mishëruar në trajta të ndryshme, në poezinë dhe prozën e tij, sidomos humanizmi i konkretizuar në anësinë e përhershme ndaj të pambrojturve, sikurse është shpjeguar më lart.

    Tradita gjuhësore gege e teksteve fetare, që studionte, Meshari i Gjon Buzukut me të cilin doktori, përkthimi prej tij i psalmeve, ishte një lidhje tjetër e fortë kulturo-shpirtërore me klerikët katolikë.

     Më tepër se feja, me ta e lidhte intimizmi miqësor, interesimi për kulturën në mërgim, revistat, librat, që botoheshin, pasi ata ishin studiues të gjuhës, letërsisë, kulturës shqiptare. Me njërin syresh, At Daniel Gjeçajn, i cili ishte në grupin e malësorëve që u arratisën, pati lidhje shpirtërore të veçantë. Njohja në ankthin e rrezikut më të madh për jetën u shndërrua në miqësi e mirëbesim të plotë, në komunikim të sinqertë. Atij i tregonte pengesat, shqetësimet, arritjet si në një rrëfim para Atit. Këshillohej sa herë kërkonte të gjente një rrugëdalje nga vështirësitë. Në kujtimet e tij, At Danieli përshkruan edhe qëndrimin e Camajt ndaj fesë:  “Martini, megjithëse i edukuem ndër jezuit, rrallë e gati kurr merrte pjesë me grupin e uratës. Duket se koha e shkurtë e mësuesisë ndër male, e kishte ndërrue diametralisht jetën e të riut në drejtimin e fesë. Gjithnjë Martini s’ishte as kje kurr anmik i deklaruem i katoliçizmit as i moralit kristian.”/ * * Shekulli, 25 shtator 2010.

     Camaj, ndryshe nga përshkrimi i Atë Danielit, ka qenë vazhdimisht i interesuar për fatin tragjik të klerit katolik në Shqipëri, madje dhe për mbajtjen gjallë, aq sa ishte e mundur, të kishës, në diasporë si qendër e bashkimit dhe e ruajtjes së identitetit të shqiptarëve.

    I ndërgjegjshëm për rolin e pazëvendësueshëm, që ka feja në psikologjinë njerëzore, në moralin, edukatën, ruajtjen e virtyteve, i ka kërkuar me këmbëngulje ministërpresidentit të Bavarisë Jozef Shtraus /Joseph Strauss/ të ndërhynte, duke i vënë kushte Tiranës, për të ndaluar përndjekjet ndaj klerikëve.

    Krejt programin e ministerpresidentit të Bavarisë në lidhje me të dy vizitat në Shqipni kanë qenë të përgatituna prej zyrtarësh që kanë studiue albanologji tek unë. Para udhëtimit të dytë jam takue edhe unë me Straus… ku i jam lutë me duer të ngjituna që të intervenojnë për klerin katolik shqiptar dhe të vêhej si kusht në traktatet për vumjen e marrëdhanjeve diplomatike. Mâ parë isha shprehë kundër këtyne marrëdhanjeve, si këshilltar, natyrisht.” * * München 27 marc 1991/I dashtuni Gjon, megjithse…

     Vërejtjet në qëndrimin ndaj fesë, sado të vogla, që kanë qenë, nuk i ka pranuar asnjë herë. I ka kundërshtuar, me argumente nga veprimtaria “nën rrogoz”, “pa u ndjerë” dhe me fakte nga vepra letrare.  Mikut të afërt, Gjon Sinishtës, për vërejtjen, se, “ti nuk e përmend emnin e Zotit në poezinë tande” i përgjigjet: “Nuk të kam kundërshtue, por kam ra në mendim. Kam pasë disa periudha krijimi; sidomos mbas 1967 kur nis periudha abstrakte apo ajo mâ e kapërthyemja: fund e maje vepra ime ka Provaninë e Perendisë mbrendë. Palimpsest, shkrue në dy vjetet e fundit, sos me tematikë mistike.” * *  München 27 marc 1991/I dashtuni Gjon,megjithse…

    Shkrimtari dhe besimtari në qenien e Martin Camajt janë të barabartë, sepse, në mendësinë e tij, letërsia dhe feja janë, në të njëjtin rrafsh. Shkrimtari, sikurse besimtari te Zoti, ka besim absolut te forca e jashtëzakonshme e letërsisë, që ka qenë jeta dhe qëllimi i saj. “…. jam letrar obsesiv dhe për ndamjen e artit nga manipulimet facioze politike …..  Mos më përzieni në politikën e vogël “të katundit” e mos të ndiqen modelet komuniste të politizimit të letërsisë; arti e feja e përjetueme janë pronë e individit, të njeriut. Ndoshta janë fjalë të mëdha, por unë besoj në to.» * * Lenggries 1. prill 1991/Gjon i dashun… Në këtë shprehje arti letrar është ngritur në shkallaren e eprëme, të besimit te feja, dhe anasjellas, feja është ngritur në shkallaren e mrekullisë shpirtërore shndërruese të letërsisë. Barazvlershmëria e tyre është përjetimi emocional, përtëritja shpirtërore, e drejta vetiake, privatësia e të dyjave, mos ndërhyrja në to e askujt.

      Lexuesi model, i papranishëm

    Lexuesit e veprës së Martin Camajt, deri në gjallje të tij, kanë qenë fare të paktë. Mendimin e tyre, gojarisht a nëpërmjet letrave, vetëm në disa raste ka mundur ta dijë. Po ashtu, edhe vet, kur e kanë pyetur me këmbëngulje, është përgjigjur me kursim. Sado të kursyera, mendimet e tij për marrdhënien autor-lexues, vepër-lexues, duket qartësisht, se, janë të përftuara prej teorisë moderne bashkëkohore, të receptimit, natyrisht, edhe prej përvojës krijuese vetjake

     Në letrat e tij gjenden terma të tilla: perceptim, dialog shkrimtar-lexues, autor-lexues, reagim, momenti reciptiv, të teorisë së receptimit, përpunuar në Gjermani, në vitet 1960-1970 nga Hans Robert Jauss, Wolfgang Iser, etj., që u përhap, në Europë dhe në botë, me përplotësime e degëzime të saj.

     Rëndësi parësore i jep dialogut shkrimtar-lexues, jo thjesht në kuptimin e bisedës, ndërkëmbimit të mendimeve, por  të “dialogut” të drejtpeshimit, të afërsisë kulturore mes tyre. Me këtë, edhe pse nuk e emërton fjalshëm, ai flet për lexuesin model, të cilin e dinte, që nuk ishte i pranishëm në horizontin e pritjes. “a) Në botën shqiptare, përgjigjet në një letërkëmbim, nuk asht gjetë ende drejtpeshimi mes shkrimtar – lexues: s’ka djalog të kënaqshëm dhe për këtë duhet kohë shumë; na të dy këtë s’kemi për ta përjetue. b) Realizmi e shkatërroi lexuesin shqiptar; realizmi asht mjet propagandistik.” * * Lenggries 8. 5. 80/I dashun Ndok Sinishtaj,sot mora letrën tande…

      Drejtpeshimi mes shkrimtar- lexues, pa metonimi, do të thuhej drejtpeshimi vepër- lexues. Edhe “dialogu”, marrveshja e mirëkuptimi, është mes tekstit dhe aftësive të lexuesit për të aktivizuar sa më shumë nga domethëniet e tij. Ankohet, se, Në botën shqiptare s’ka djalog të kënaqshëm. Ndryshimi i madh mes tyre, në shkallaren kulturore e letrare, nuk e mundësonte. Mosmarrveshjen, dialogun e pakënaqshëm mes tyre, prapambetjen dhe njanshmërinë, e shpjegon, konkretisht, në një letër tjetër, me shkaqe shoqërore të të shkuarës dhe të bashkëkohësisë.

    Koncepcioni im ka qenë e asht ky: Shqiptarët që kanë fillue me lexue vonë, si thoni ju, janë të mësuem të lexojnë sende të drejtimit realist e sentimental. Asnji nesh, shkrimtar apo lexues, s’e kemi gjetë ende kohën të rëmojnë pak ma thellë “mbi qenien tonë dhe mbi tjerët”. Për këtë na kanë mungue shumë kushte. Mbas luftës së dytë botnore – dhe duhet pranue – mbasi që mësuem të mbledhim germat (Buzuku e ka “mbledh” për “lexoj”) qemë të shtrënguem të lexojmë sende e slogane propagandistike. Realizmi social: kurrfarë ndryshimi mes artikullit të gazetës e të prozës artistike.” * * Lenggries 3. 1. 79/I dashuni Idriz Lamja, e mora letrën tuej…

     Historikisht, shqiptarët, deri vonë, kanë pasur arsimim tepër të kufizuar, vetëm disa shtresa dhe kategori shoqërore të caktuara, për pasojë, lexuesit kanë qenë edhe më të kufizuar. Me një arësimim, kryesisht, të ulët, dhe, në një masë të vogël, të mesëm, ishin të njanshëm, të pa përgatitur për pëlqime të ndryshme. Në periudhën bashkëkohore të arsimit masiv, u detyruan të mësohen me pëlqimin e realizmit socialist, duke ruajtur dhe pëlqimin tradicional, realist dhe sentimentalist.

      Në mërgim, vëren, se, pëlqimi letrar i tyre ka mbetur po ai, që kanë pasur në atdhe, vite të shkuara, ndonëse, jetojnë në mjedise me kulturë. Njëmendësisht, kultura letrare e lexuesve në diasporë ishte larg prej një shkrimtari të tillë dhe veprës së tij moderne, të abstraksioneve metaforiko-simbolike. Intelektualët e mirëfilltë, me përjashtime të rralla, ishin me formim klasik. Ndonjëri prej tyre, që bënte vërejtje, nisej nga pritja e formimit të vet, e cila nuk përputhej me mënyrën e leximit, që projektonte teksti.

    Prandaj, lexuesin më të plotësuar e gjen në Kosovë e Shqipëri. “Me fjalë tjera unë po e shoh se lexuesit qenkan andej sidomos në Kosovë e jo këndej.” * * Lenggries 3. 1. 79/I dashuni Idriz Lamja,e mora letrën tuej të gjatë dhe urimet për festa…

      Mirëpo, në një letër tjetër, bie në kundërshtim me këtë pohim. Pavarësisht nga vlerësimet e larta, që i shkojnë nga Shqipëria (1991), nuk beson, se lexuesi i formuar ideologjikisht dhe nën trysninë e dogmës letrare, do ta kuptojë veprën e tij. më janë sjellë plot intelektualë nga Tirana e sidomos asish që kanë studiue në Prendim, jo si njeri politik, por si letrar. Thonë se ky drejtimi im, kryekreje lirika sepse deri tash vetëm nga kjo degë kanë lexue diçka, do të përgjithësohet në Shqipni. Si asht natyra ime unë jam skeptik: njoh vlerën e veprës sime e se ajo asht fort e vështirë të kuptohet nga njerëz të rritun në stalinizëm” * * Lenggries 1.prill 1991/Gjon i dashun…

    Ankesën për vështirësi receptimi të atyre, që nuk kanë kulturën e domosdoshme, e shpërfill.

     Para se të ankohen, u këshillon, të nxejnë për t’u ngritur në shkallaren kulturore. ”Natyrisht se lexuesit tanë (sadopak këtu jashtë) nuk janë mësue me lexue shkrime të tilla. Mirë po unë nuk mundem me shkrue me urdhën që të më kuptojnë të gjithë e shpesh njerëz që nuk ia kanë ba sherbimin punës për të mësue se çka ashtë arti. (Pa marrë parasysh shkallën e kulturës këto vepra i kuptojnë ata që dinë shqip).”  * * Shënime të përgjithshme – mbi Varg librash letrarë/.

      Duke e pranuar vështirësinë e receptimit, sidomos të poezisë, jep shpjegimin. Ai nuk mund të shkruante ndryshe, ta zbriste atë nga majat e abstraksionit, as ta shmangte nga gjedhet e modernizmit. Një arsye bazore, e njëmendët e “vështirësisë” të të kuptuarit ishte kultura jo e ngritur e pjesës më të madhe të lexuesve, të mësuarit e tyre me poezinë tradicionale të metaforave të drejtpërdrejta e të një proze të realizmit klasik, aq më keq me gjedhen tkurrëse të realizmit socialist. Theksin e vë edhe te një dukuri më e thellë, te mosnjohja, pikërisht, e kulturës, apo, trashëgimisë kulturore shqiptare, mitet, legjendat, ritet tradicionale të shkrira në të, me të cilat ka ngjizur e konturuar linjat kryesore të saj.  “Kuptimi i veprave të mia, shpjegon, vështirësohet edhe nga rrethana se lexuesit shpesh nuk e njohin këtë kulturë apo pajë shpirtnore shqiptare.” * * Shënime të përgjithshme – mbi Varg librash letrarë.

     Arritjen e drejtpeshimit dhe të dialogut të kënaqshëm e shikon si proces historik, madje të gjatë: Për këtë duhet kohë shumë, me kalim brezash. Autorë të shquar, modernë avangardë, sidomos të shekullit XX, edhe në letërsi të tjera, lexuesin e fituan dalëngadalë, me kalimin e kohës. Brezat e mëpasëm, me shkallare më të lartë, i rivlerësuan, duke zbuluar anë të reja të veprave të tyre, të pa aktivizuara më parë. Edhe veprës së Camajt, pas 1990-s, lexuesit iu afruan ngadalshëm, pak e nga pak, krahas emancipimit botëkuptimor, njohjes së letërsive të gjuhëve të tjera dhe të teorive moderne bashkëkohore.

    Në shkrimin Rrëmime mbi poezinë, në hyrje të vëllimit me lirika, që u botua për herë të parë në atdhe, duke qenë edhe takimi i parë i këtij lloji me lexuesin pas rreth dyzet vjetësh, i detyruar moralisht, ka paraqitur disa të dhëna për poezinë e vet. Megjithatë, sqaron, që në fillim të shkrimit, se syzimi i tijnuk qëllimon t’i paraqesë vetveten lexuesve. Nga një paraqitje e tillë ndihej keq emocionalisht, sepse nuk i a lejonte etika e modestisë. Rrëfimi për poezinë e vet, i ngjante, se zbulonte diçka intime, që duhej mbajtur e fshehtë, siç mbahen ndjenjat më të thella. I dukej me pasoja edhe në subjektin krijues, edhe në poezi: “po humb “fillin e gjetun”, drejtpeshimin e krijimtarisë”.

     Shkrimtari, sipas tij, ka vetëm një mënyrë për t’u paraqitur te të interesuarit- nëpërmjet veprës, e cila është portreti më i plotë dhe më i natyrshëm. Madje, për t’u ballafaquar, edhe para vetes, të vejë veprën. Përballja me të flet më saktë dhe më shumë.

    Shpjegimet, komentet e autorit për krijimin vetjak i mohon. Paramendon rrezikun e largimit nga teksti, sajimin e një metateksti të panevojshëm, që mund ta zhdrejtojë lexuesin.

    Ka vetëm një trajtë të qëllueme e të drejtë, një radhitje fjalësh, gjithmonë në gjuhën amtare, përmes së cilës njeriu i paraqitet vetes e rrethit të njerëzve që janë të interesuem. Sikur unë ose çdo autor tjetër të vehej me shpjegue krijimet e veta ashtë rrezik t’i largohet tekstit fillestar e të krijojë diçka të re, pa dashje, të prishë veprën e vet tue e vu në një dritë të rrejshme.” * * Rrëmime mbi poezinë– Martin Camaj Vepra, vëllimi i dytë, Onufri, Tiranë, 2010, faqe 7.

    Të jetë thjesht një parim estetik, apo, është i ndikuar nga kodi i i etikës së modestisë dhe i mbylljes në vetvete? Çfarë mund të thuhet për Umberto Eco-n, që ka shkruar gjerësisht, për përftesat e krijimit të veprave, duke i ngritur në rrafshe të përgjithshme teorike letrare? Po për Ismail Kadarenë që, ka folur herë pas here, ka shkruar libra për laboratorin e vet të krijimit? Cilido qoftë qëndrimi është e drejtë e autorit.

    Me këtë mendim i jepet pavarësi e plotë lexuesit para autoritetit të shkrimtarit, sidomos prej manipulimeve të mundshme prej tij.

    Teksti është më i rëndësishmi, krijimi, letërsia. Realistët, duke pohuar: vepra është realiteti, mbiçmonin relitetin, dhe, gati, mohonin rolin e subjektit krijues. Modernët dhe modernistët, ndër ta Martin Camaj, çmojnë lart subjektivitetin: autori është vepra, dhe, anasjellas, vepra është autori. Mendimi i tij mund të ndihmojë në përkapjen së mbari të strategjisë së receptimit, dhe, po ashtu, mund të pengojë, ose, ngatërrojë, në se ndërfut vlerësime të veta subjektive.

    Pranverë, 2020; vjeshtë, 2021

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË