More
    KreuForumi mbi përkthiminHumbur në përkthim: Si duhet përkthyer rreshti i parë i romanit “I...

    Humbur në përkthim: Si duhet përkthyer rreshti i parë i romanit “I huaji”?

    Ryan Bloom, The New Yorker

    Përktheu Granit Zela

    Për lexuesin modern amerikan, pak rreshta në letërsinë franceze janë kaq të famshme sa rreshti i parë i romanit “I huaji” (L’Étranger) të Albert Camus: “Aujourd’hui, maman est morte”. Duke lënë mënjanë çështjet e thella dhe të ndërlikuara, fjalia e parë e “I huaji” është aq elementare sa që edhe një nxënës shkolle me njohuri themelore të frëngjishtes mund ta përkthente si duhet. Po pse profesionistët vazhdojnë të gabojnë? 

    Brenda fjalisë së parë të romanit, dy vendime delikate dhe në dukje të vogla në lidhje me përkthimin kanë fuqinë të ndryshojnë mënyrën se si lexojmë gjithçka që vijon. Ajo që i bën të mprehta këto zgjedhje të veçanta është se ato hapin një debat të gjatë në komunitetin letrar: nëse është e nevojshme që një përkthyes të ketë një lloj afrie të veçantë me autorin e një vepre për të dhënë tekstin më të mirë të mundshëm.

    Arthur Goldhammer, përkthyesi i një vëllimi me editoriale të Kamys në gazetën “Combat”, e quan “marrëzi” të besosh se “përkthimi i mirë kërkon një lloj simpatie mistike midis autorit dhe përkthyesit”. Ndërsa ta cilësosh si “mistike” mund të jetë me të vërtetë paksa e tepruar, është e vështirë të shikosh fjalinë e parë të famshme të Kamys, qoftë e përkthyer nga Stuart Gilbert, Joseph Laredo, Kate Griffith, apo edhe, në një shkallë më të vogël, nga Matthew Ward, pa menduar se pak më shumë mirëkuptim midis autorit dhe përkthyesit mund të kishte bërë të mundur që teksti të mos merrte ngjyrime të atilla që Kamy nuk i kishte menduar kurrë. 

    Stuart Gilbert, një studiues britanik dhe mik i James Joyce-it, ishte personi i parë që provoi të përkthente “L’Étranger” të Kamys në anglisht. Në vitin 1946, Gilbert përktheu titullin e librit si “I huaji” dhe rreshtin e parë e përktheu si “Mother died today”. Përkthim i dhënë thjeshtë, me pak fjalë dhe në mënyrë të pasaktë.

    Në vitin 1982, Joseph Laredo dhe Kate Griffith dhanë përkthime të reja të “L’Étranger”, secili duke zgjedhur një titull të ndryshëma nga i Gilbert-it, “The Stranger”, por duke ruajtur rreshtin e tij të parë. “Mother died today” mbeti dhe vetëm në vitin 1988 fjalisë iu ndryshua një fjalë e vetme. Pikërisht atëherë përkthyesi dhe poeti amerikan Matthew Ward e ktheu “Mother” në fjalën në frëngjisht “Maman”. Një fjalë? Pse qenka kaq gjë e madhe? Është sepse një pjesë e madhe e mënyrës se si e shohim dhe (krahas episodeve në gjykatë) dhe në fund fare e gjykojmë Mersonë, ka të bëjë me perceptimin që ne krijojmë për marrëdhënien që ai ka me nënën. Ne e dënojmë ose e lëmë të lirë mbështetur jo në krimin që ai bën, por në vlerësimin tonë për të si person. A e do ai nënën? Apo është i ftohtë ndaj saj, madje moskokëçarës? 

    Përshtypjet e para kanë rëndësi dhe, për dyzet e dy vjet, mënyra se si lexuesit amerikanë u prezantuan me Mersonë ishte përmes formalitetit të paanashëm të deklaratës së tij: Mother died today. Ka pak ngrohtësi, njëfarë lidhjeje, afërsie ose dashurie te fjala “Mother” e cila në anglisht është një term statik, arketipal, jo nga ato që përdorim për një qenie të gjallë, që merr frymë me të cilën kemi marrëdhënie të ngushta. Për ta bërë këtë do të ishte njësoj si ta quash një bashkëshort “burri”. Kjo fjalë na detyron ta shohim Mersonë si të largët nga gruaja që e ka lindur.

    Po sikur rreshti i parë të ishte: “Mommy died today?”, si do ta kishim parë atëherë Mersonë? Me shumë mundësi, përshtypja jonë e parë do të ishte se po flet një fëmijë. Në vend që të krijohej një përshtypje e ftohtë, do të kishim ndjerë keqardhje ose simpati. Por edhe kjo do të kishte paraqitur një pamje të pasaktë të Mersosë. E vërteta është se asnjëri prej këtyre përkthimeve – “Mother” ose “Mommy”, nuk përcjell saktësisht origjinalin. Fjala në frëngjisht “Maman” qëndron diku midis dy skajeve: nuk është as “Mother” e ftohtë dhe e largët dhe as “Mommy” tepër fëmijërore. Në anglisht, “Mom” mund të duket më e përshtatshme për fjalinë e Kamys, por ka ende diçka të ftohtë dhe të papritur te fjala me një rrokje; Maman me dy rrokje krijon një ndjesi butësie dhe ngrohtësie që humbet me “mom”.

    Pra, a mundet përkthyesi në gjuhën angleze ta shmang ndikimin e panevojshëm te lexuesi? Duket se Matthew Ward-i, përkthyesi më i fundit i romanit, bëri të vetmen gjë logjike: s’bëri asgjë. Ai e la fjalën e Kamys të paprekur, duke përkthyer rreshtin e parë të famshëm, “Maman died today”. Mund të thuhet se Wardi na paraqet një problem të ri: tani, që në fillim, lexuesi amerikan është përballur me një term të huaj, me një pështjellim që nuk ekzistonte më parë. Megjithatë, përkthimi i Ward-it është i zgjuar dhe tre arsye tregojnë se pse zgjidhja e tij është më e mirë.

    Së pari, fjala franceze maman është aq e njohur sa ta analizojë një lexues në gjuhën angleze. Në mbarë globin, ndërsa fëmijët mësojnë të formojnë fjalë duke belbëzuar, ata fillojnë me tingujt më të thjeshtë. Në shumë gjuhë, bashkëtingëlloret dybuzore “m”, “p” dhe “b”, si dhe zanorja e ulët “a”, janë ndër më të lehtat për t’u nyjëtuar. Kësisoj, në anglisht, shohim se fëmijët fillimisht i drejtohen njërit prind si “mama”. Edhe në një gjuhë në dukje të ndryshme si kinezishtja mandarine, kemi fjalën māma; në gjuhët e Indisë Jugore është  amma, dhe në norvegjisht, italisht, suedisht, islandisht, si dhe në shumë gjuhë të tjera, fjala e përdorur është “mamma”. Fjala në frëngjisht maman francez është kaq e ngjashme sa lexuesi në gjuhën angleze do ta kuptojë pa kurrfarë mundimi.

    Me kalimin e viteve, brezat e rinj të lexuesve amerikanë, të cilët shpesh ndeshen për herë të parë me librin e Camus në shkollën e mesme, largohen gjithnjë e më shumë nga konteksti historik i romanit. Duke përdorur fjalën origjinale në frëngjisht në fjalinë e parë në vend të ndonjë prej varianteve në gjuhën angleze shërben gjithashtu për t’u kujtuar lexuesve se ata në fakt po hyjnë në një botë të ndryshme nga e tyrja. Ndonëse ky tregues mund të mos jetë i mjaftueshëm për të informuar lexuesin më të ri se, për shembull, gjasat që një francez në Algjerinë koloniale të marrë dënimin me vdekje për vrasjen e një arabi të armatosur ishin të pakta, gati nuk ekzistonin, të paktën ofron një aluzion fillestar për këto fakte jashtë tekstit.  

    Së fundi, dhe ndoshta më e rëndësishmja, lexuesi amerikan nuk do të krijojë asnjë nocion të paragjykuar për fjalën maman. Kuptohet me lehtësi, por nuk do të mbart asnjë ngarkesë, nuk do të na mbjellë asnjë farë të padëshiruar në kokë. Fjala nuk do të na lëkundet që ta shohim Mersonë si tepër e ftohtë dhe e pashpirt dhe as si tepër e ngrohtë dhe e dashur. Dhe ndërsa një pjesë e saktësisë së fjalës është në të vërtetë e humbur për lexuesin në gjuhën angleze, maman ende na jep një ton më neutral në të njohur sesa “mother”, e cila i afrohet më shumë origjinalit të Camus.

    Pra, nëse Matthew Ward – i  më në fund e korrigjoi përkthimin e fjalës “mother”, ku  saktësisht ka gabuar ai dhe përkthyesit e tjerë? Duke shkruar për rreshtin e parë të “The Stranger” në The Guardian, Guy Dammann thotë: “Disa hyrje në prozë janë aq të parashikues sa duket se mbartin në vetvete edhe pjesën tjetër të librit, si jehona semantike që përsëritet me këmbënguljen e  motivit të parë të Simfonisë së pestë të Beethovenit”. Çdo përkthyes i mirë e kuptk  që për sa i përket rrjedhshmërisë gjuhësore, në aspektin e sintaksës, “Aujourd’hui, maman est morte”, nuk është fjalia më e rrjedhshme në anglisht. Kështu, në vend të përkthimit fjalë për fjalë, “Today, mother has died”, kemi, “Mother died today”, një përkthimi më i butë dhe më i natyrshëm. Por pyetja është: Nëse ndryshojmë sintaksën e fjalisë, a po ndryshojmë edhe logjikën e saj, kuptimin më të thellë “mistik”? Përgjigja është një oui kumbuese! 

    Përkthimi i rreshtit si “Mother died today” shpërfill plotësisht një renditje specifike të ideve që ofrojnë njohuri për psikikën e brendshme të Mersos. Gjatë gjithë romanit, lexuesi kupton se Merso është një personazh që, para së gjithash, jeton për momentin. Ai nuk ndalet me vetëdije në të kaluarën; nuk shqetësohet për të ardhmen. Ajo që ka rëndësi është sot. Faktori i vetëm më i rëndësishëm i qenies së tij është pikërisht tani.

    Megjithatë, jo shumë prapa është Maman. Duke reflektuar jetën e Kamys, Merso  ka një marrëdhënie unike me nënën, pjesërisht për shkak të paaftësisë së saj për të komunikuar (nëna e Kamyd ishte analfabete, pjesërisht e shurdhër dhe kishte probleme me të folurin). Si Kamys ashtu edhe Mersos kanë mall për Maman, për lumturinë dhe dashurinë e saj, por e kanë të vështirë shprehjen e këtyre emocioneve. Megjithatë, në vend që të distancojë nënën nga i biri, ky tension e vendos atë në qendër të jetës së të birit. Ndërsa fillon libri, humbja e Maman e vendos atë midis aftësisë së Mersos për të jetuar sot dhe njohjes së tij të një kohe kur nuk do të ketë më një të sotme.

    Kjo humbje është motori i veprimit në romanit, duke e çuar në mënyrë të pashmangshme deri në fund, te pika e fundit, te ajo që rri pezull mbi gjithçka tjetër: vdekja. Në fillim të librit, kamy e lidh vdekjen e nënës së Mersos me ​​rrezet shtypëse të diellit, gjithnjë të pranishëm, kështu që kur të arrijmë në skenën kulmore të plazhit, kuptojmë simbolikën: dielli është i barabartë me humbjen e nënës, dielli bën që Merson të tërheqë këmbëzën.  Në rast se nuk e kuptojmë, Camus e bën të qartë lidhjen, duke shkruar: “Ishte i njëjti diell si në ditën që varrosa Maman dhe, si atëherë, balli po më dhembte veçanërisht, të gjitha venat pulsonin së bashku nën lëkurë.” Ndërsa këmbëza tërhiqet, po ashtu edhe sot, fillimi (përmes humbjes së Maman) i nënshtrohet vdekjes, fundit.

    Renditja e fjalëve në fjalinë e parë të Camus nuk është rastësi: dita e sotme është ndërprerë nga vdekja e Maman. Fjalia, ajo që duhet ta shohim të përkthyer saktë në një përkthim në anglisht të “L”Étranger”, duhet të jetë: “Today, Maman died”.

    Shënim i përkthyesit: Për kureshtjen e lexuesit, në gjuhën shqipe, romani “L”Étranger”, është përkthyer për herë të parë në gjuhën shqipe nga Ferid Perolli dhe Gani Luboteni, në vitin 1961 me titullin “I hueji”, botim i shtëpisë botuese “Rilindja” dhe fillon kështu:  “Sot, nana ka vdekë. Ndoshta ajo ka vdekë qysh dje, ku ta dij unë. Mora nji telegram prej strehimores: nana ndërroi jetë. Vorrimi nesër. Ngushllime të thella”. Prej kësaj s’po mundem me marrë vesh gjâ. Ndoshta ka ndodhë dje”.

    Në vitin 1991, romani u botua nga Shtëpia Botuese Fan Noli me përkthimin e Rajmonda Vuçinit dhe fillon kështu: “Sot më vdiq mamaja. Apo ndoshta dje, nuk e di. Mora një telegram nga azili: “Nëna vdiq. Varrimi nesër. Ngushëllime të sinqerta.” Kjo s’do të thotë asgjë. Ndoshta ka ndodhur dje. Ky përkthim u botua edhe nga “Koha ditore” në vitin 2005.

    Në vitin 2005, romani u botua edhe nga shtëpia botuese “Vëllezërit Tafa” me përkthimin e Nasi Lerës dhe fillon kështu:  “Mamaja sot vdiq. Ndoshta edhe dje, nuk e di. Në telegramin që mora nga azili shkruhej: “Nëna vdiq, Varrimi nesër. Ngushëllime.” Por kjo nuk do të thotë asgjë. Ndoshta ajo vdiq dje. 

    Në gjuhën shqipe kemi këto përkthime të rreshtit të parë të romanit të Kamysë: “Aujourd’hui, maman est morte”.  1. Sot, nana ka vdekë. 2. Sot më vdiq mamaja. 3. Mamaja sot vdiq.

    Një trajtesë kritike e përkthimeve të Rajmonda Vuëçinit dhe Nasi Lerës është bërë nga shkrimtari Dashnor Kokonzi me titull “Kamyja i përafërt”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË