More
    KreuÇmimeJon Fosse: Për mua, të shkruarit është një lloj dëgjimi. Nuk e...

    Jon Fosse: Për mua, të shkruarit është një lloj dëgjimi. Nuk e di çfarë po dëgjoj, por po dëgjoj.

    Përgatiti dhe përktheu Andreas Dushi

    Çmimi Nobel në Letërsi i është dhënë shkrimtarit 64-vjeçar norvegjez, Jon Fosse, “për dramat dhe prozat e tij inovative të cilat i japin zë të pathënshmes. Veprat e tij përfshijnë serinë e romaneve “Septology”, “Aliss at the Fire”, “Melancholi” dhe “A Shining”.

    “Vepra e tij e madhe, që përfshin një varietet zhanresh, përbëhet nga rreth 40 drama dhe me në pasuri romanesh, koleksione poezish, ese, libra për fëmijë dhe përkthime”, tha Anders Olsson, kryetari i komitetit të Nobelit për letërsinë. “Fosse shkrin një rrënjosje të gjuhës dhe natyrës së tij norvegjeze me teknika artistike në vazhdë të modernizmit.”

    “Jam i emocionuar, dhe disi i frikësuar. E shoh këtë si një çmim ndaj letërsisë që në radhë të parë ka qëllim të jetë letërsi, pa pretendime të tjera,” tha Fosse në një deklaratë.

    Ai tha po ashtu për një televizion norvegjez se ishte “i habitur por edhe nuk ishte” se kishte fituar. “Kam qenë pjesë e diskutimit për 10 vite dhe pak a shumë e kisha përgatitur veten se kjo mund të ndodhte,” tha ai.

    Jacques Testard, botuesi i Fosse-s, tha pasi dëgjoi lajmin: “Është një shkrimtar i jashtëzakonshëm, i cili ka arritur të gjejë një mënyrë tërësisht unike të të shkruarit të fiksionit.” Ndërsa redaktorja e tij norvegjeze Cecilie Seiness tha së fundmi në një intervistë: “Po hape një libër nga Jon dhe po lexove nja dy rreshta,  [e kupton se] nuk mund të jetë shkruar nga dikush tjetër. “

    “Fiksioni i tij është hipnotizues, mistik, dhe i rrënjosur një peizazhet e fjordeve perëndimore ku është rritur”, shtoi Testard. “Është shumë e rëndësishme të mbash mend se ai shkruan në gjuhën Nynorsk ose norvegjishten e re, një gjuhë minoritare në Norvegji, që në vetvete është një akt politik. Është gjithashtu një dramaturg dhe poet i veçantë. Është një mendje e jashtëzakonshme, dhe nuk mund t’i kishte ndodhur një njeriu më të mirë”.


    Një ndër librat më të njohur të Fosse-s, i nominuar dhe për Man Booker-in e 2020 është edhe Një tjetër emër, prej të cilit një pasazh të shkurtër e sjell të përkthyer Arstidh Shqevi nga norvegjishtja. Po atë vit, autori dha një intervistë për Granta, të cilën, bashkë me tekstin e përkthyer nga romani, po e sjellim për të dhënë një shije të letërsisë së këtij shkrimtari.

    Një tjetër emër i Jon Fosse përshkruan dy ditë të njëpasnjëshme në jetën e rrëfimtarit Asle, një piktor i ve që jeton vetëm në një shtëpi të veçuar në Dylgja. Një tjetër Asle identik, po ashtu piktor, jeton në qytetin e afërm Bjørgvin. Libri i Fosse-së lëviz qetësisht mes këtyre të burrave, dy versione të të njëjtit person, në shtigje të ndryshme.

    Si është t’i rikthehesh një libri të përfunduar, me rastin e përkthimit të tij? Të duket sikur  ndjenjat për librin kanë evoluar qysh kur e mbarove më së pari?

    Nuk është një eksperiencë e re për mua të përkthehem. Dramat më janë përkthyer në mbi pesëdhjetë gjuhë, nuk e di sa romane po ashtu, por tanimë është vendosur që Një emër tjetër, libri i parë i Septology, është, ose do të jetë, i përkthyer në katërmbëdhjetë gjuhë dhe ka edhe vende të tjera që po tregojnë interes. Sigurisht, jam i lumtur për këtë, edhe sepse Emri tjetër është mirëpritur në vendet ku tanimë është botuar. U botua thuajse në të njëjtën kohë në norvegjisht, anglisht dhe gjermanisht; mori përshtypje të mira. Nuk ka dyshim se libri që unë kam botuar ka marrë përshtypjet më të mira.

    Kur filluan të më përktheheshin dramat, provova të lexoja përkthimet në gjuhët që mund të lexoja e t’i flisja me zor, gjuhë të tjera skandinave, gjermanisht dhe anglisht. Por më mori shumë kohë, vërtetë shumë, kështu vendosa të ndaloja. Duhet t’i besosh të tjerëve, njëlloj si drejtorëve dhe aktorëve, edhe përkthyesve!  E megjithkëtë, përkthyesi im fantastik në anglisht, Damion Searls dhe unë vendosëm të bashkëpunojmë për përkthimin e Një tjetër emër, kështu iu përgjigja pak pyetjeve dhe folëm për mundësi të ndryshme përkthimi, etj. Ishte hera e parë që punova aq ngushtësisht me një përkthyes.

    Përpiqem mos të më interesojë dhe aq se si pritet një libër imi. E rëndësishme është se jam munduar të shkruaj aq mirë dhe aq vërtetësisht sa kam mundur, dhe se libri është botuar. Rrallë lexoj përshtypjet, por të tjerët i lexojnë për mua. Kur isha shkrimtar i ri, isha shumë i shqetësuar për to dhe përherë mbaja mend gjërat e këqija që shkruheshin për një libër – akoma e bëj – dhe shpejt harroja ato të mirat. Kështu, pas disa vitesh, zbulova se parimisht, është më mirë mos t’i lexosh përshtypjet.

    Libri paraqet dy burra të quajtur Asle, njëri që jeton në fshat dhe tjetri në qytet. Në shumëçka, janë identikë, por në të tjera, janë të ndryshëm. Më tregoni se si erdhi kjo strukturë…

    Parapëlqej të mos planifikoj asgjë para se të filloj të shkruaj, ose shumë pak gjëra: Këtë herë vendosa se dua të shkruaj atë çfarë unë e mendoj si “prozë e ngadaltë”, kjo e kundërta e intensitetit të përqendruar që duhet në një dramë. Doja ta lija gjuhën të lëvizte vetë ngadalë, si një valë e gjatë. Doja të qetësohesha gjatë shkrimit, nëse mund ta them kështu. Doja të shkruaja një novelë ose roman. Dhe doja që personazhi kryesor të ishte piktor. Përherë jam mrekulluar nga bojërat e vajit në kanavacë dhe kam pikturar edhe vetë në periudha të jetës.

    Atëherë, si përherë, thjesht u ula dhe fillova të shkruaja. Fillimin e shkrova gjatë një vere që kalova në kështjellën Paul Claudel në Francë, ku isha ftuar të rrija nga familja e tij, kështu Asle i parë u shfaq aty. Dhe mandej nuk ndalova. Atëherë doli Asle-ja tjetër. Thjesht ndodhi. Arti ndodh, sikurse Martin Heidegger shkruan.

    Për mua, të shkruarit është një lloj dëgjimi. Nuk e di çfarë po dëgjoj, por po dëgjoj. Dhe mandej e shkruara, pak a shumë, shkruan veten. Shpesh, në një pikë të caktuar,  ndjej sikur ajo çfarë po shkruaj është shkruar tanimë dhe thjesht duhet ta shkruaj dhe unë para se të zhduket. Ose herë të tjera ndjej sikur më duhet të gjej tekstin që tanimë është aty.

    Nuk më intereson fare të shkruaj atë çka kam përjetuar vetë. Shkruaj më shumë për ta hequr veten qafe sesa për ta shprehur atë. Është krijimi i një universi të ri, personazheve, humoreve, një histori, një mënyrë e veçantë e të shkruarit ajo çfarë më interesin. Dhe nëse ja dal ta shkruaj mirë, i sjell kësaj bote diçka që nuk ka qenë më parë. Dhe që është tërësisht e re për mua.

    Nga ana tjetër, sigurisht që di diçka rreth asaj çfarë po shkruaj, por përjetimet më transformohen përmes të shkruarit. Besoj se ky transformim, sikurse mund ta qush, mund të shpjegojë pjesërisht pse shkrimet e mia udhëtojnë ashktu sikurse bëj dhe unë.

    Rrëfyesi i librit është një piktor. I ke përfshirë thellësisht lexuesit në aspektet teknike të kësaj mjeshtërie. Si i ke mësuar gjithë këto gjëra?

    Kam pikturuar vetë. Dhe kam miq të afërt që janë piktorë.

    Kishte piktura ose shkolla pikturash që kanë shërbyer si gashtë[1] në shkrimin e këtij libri?

    Jo. Por përkthyesja ime në japonisht më shkroi një herë se shkrimet e mia i kujtonin pikturat e Mark Rothko. Dhe mund ta kuptoj çfarë donte të thoshte. Është një zë aq i fortë që flet nga pikturat e tij dhe shpresoj të jetë edhe një lloj zëri i heshtur që flet nga shkrimet e mia.

    E ke përshkruar Septology (në një intervistë me Cecilie Seiness në Syn og Segn) si “ka të ngjarë një çast i i menjëhershëm, i ngarkuar i vdekjes” Kjo frazi ndoshta ka pësuar ndryshime në përkthimin nga norvegjishta në anglisht, por a mund të flasësh më tepër për idenë e një momenti të ngarkuar?

    Septology është një roman i gjatë. Më para kurrë, asnjëherë nuk kam shkruar diçka që i afrohet gjatësisë së këtij romani. S’e kam planifikuar këtë gjatësi, por thjesht e kam shkruar, në punë e sipër dhe në fund kisha shkruar më shumë se njëmijë e pesëqind faqe. Po të kisha pasur ndonjë ide se sa të gjatë planifikoja ta shkruaja, do të thoja ndoshta njëqind e pesëdhjetë faqe. Romani, pak a shumë, shkroi veten. E kërkoi vetë gjatësinë e vet. Dhe në shkimin e tij, ndihesha përherë e më shumë se ishte shumë e rëndësishme për mua t’ia dilja ta plotësoja, ta mbaroja deri në fund. Dhe isha vërtetë i lumtur kur ia dola.

    Kur mendoj tani për çfarë kam shkruar, mund të them se te Septology ka shumë përbërës nga dramat dhe romanet e mia, por janë vendosur në një mënyrë të re, janë parë në një dritë të re, në një mënyrë të re që së bashku shkojnë si një lloj njëkohshmërie, si një çast i ngarkuar ndoshta. Kam dëgjuar të thonë se disa njerëz para se të vdesin, në çastin e vdekjes, mund ta shohin t’u kalojë gjithë jeta para syve. Askush s’mund ta dijë vërtetë a jo, por ndoshta. Ndihem vërtetë jo mirë duke interpretuar shkrimet e mia, por kur u tha për herë të parë, mund ta kuptoja se Septology mund të shihej si një çast i tillë. Ose se romani mund të lexohej në këtë perspektivë. Por kjo, sigurisht, është veç një mënyrë për interpretimin e tij.

    Diku në fillim të librit, rrëfimtari përshkruan “një dritë të butë e të padukshme” që vjen nga piktura e tij. Ideja rimerret në roman. Çfarë propozon një dritë e tillë?

    Nuk e di. Por po ashtu, dua që një lloj drite të vijë nga ato çfarë shkruaj. Një lloj pajtimi mes gjithë asaj dhimbjeje, gjithë atij pikëllimi. Dhe mendoj se një dritë e tillë është e mundur. Drita që të duhet është diku aty.

    Botoni prej tridhjetë e shtatë vitesh. Pa diskutim që ju dhe të tjerët keni vënë re tema të qendrueshme në vepën tuaj. Gjendet aty ndonjë shembull të cilit i rikthehesh? A ka ndryshuar qëndrimi yt përballë tyre?

    Kam filluar të shkruaj që dymbëdhjetë vjeç. Poezi dhe histori të shkrutra. Dhe në shumë mënyra, jam akoma djaloshi dymbëdhjetëvjeçar i ulur duke shkruar. Atëherë, e ndjeja tanimë se të shkruarit më jepte një lloj strehe. Më pëlqente të rrija në hapësirë, ose në vend, ku shkruaja. Shkrova romanin e parë që u botua në të njëzetat dhe ai u botua tre vjet më vonë, kështu i bie që po shkruaj për t’u botuar tash dyzet vjet. Dhe të shkruarit, sa më shumë shkruaj, bëhet përherë e më interesante. Ndoshta ngase nuk ka rregulla për të. Është ndryshe gjatë gjithë kohës.

    Secili tekst i ri është një tjetër sfidë, një tjetër përjetim.

    Ka motive që më rikthehen sërish e sërish, por megjithkëtë, sërish janë ndryshe. Ndoshta ngjan me punë e një piktori që pikturon të njëjtët motive sërish e sërish, por edhe i ndryshon, gjatë gjithë kohës. Një nga këto motive është dikush i ulur, ose që rri para një dritareje duke parë përjashta, shumë shpesh duke parë detin. Kjo situatë është një motiv që rimerret në Septology.

    Asnjëherë në fakt nuk ndihem sikur po shkruaj për këtë apo atë temë, ajo për çfarë po shkruaj është pjesë e asaj që unë, shumë josaktësisht, mund ta quaj formë. Dhe në këtë bashkim të formës dhe përmbajtjes, ose temë, është thënë diçka shumë specifike që nuk mund të thuet në ndonjë mënyrë tjetër prej mënyrës se si është shkruar. Dhe prap, ndonëse kjo është sikur nuk është “Rreth” diçkaje, është ajo çfarë është, në një farë mënyre.

    Ke fituar shumë çmime përgjatë viteve. Cili është qendrimi yt përballë çmimeve?

    U deshën pak vite para se të fitoja të parin çmim të madh dhe ishte vërtetë një çast i bukur kur më ra telefoni dhe mu tha se do ta merrja unë. Ishte një nga çmimet më të rëndësishme letrare në Norvegji. Tani po, kam fituar shumë çmime, por jam shumë i lumtur për secilin syresh. Ata sikur provojnë se nuk e kam kaluar gjithë jetën në kotësi, të paktën kam shkruar diçka që mund të jetë e mirë për të tjerët, ose për disa të tjerë, ose kjo është shpresa ime, të paktën.


    [1]  gásht/ë,a – gur i fortë në ngjyrë të zezë që përdoret për të provuar argjendin. (FGJSSH, 2006)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË