More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAndreas Dushi: Faik Konica dhe “Hylli i Dritës”

    Andreas Dushi: Faik Konica dhe “Hylli i Dritës”

    Përgjatë viteve, Atë Gjergj Fishta kishte botuar herë pas here në revistën “Albania”, drejtouar prej Konicës, revistë e cila u botua deri më vitin 1907. Për herë të parë, Fishta boton më nr. 9, 15 tetor, 1900 një tingllim me titull T’nnérueshmit Zotnie Gég Postrippes Kangtarit t’permênnun.*Shcypja é Burrit. Pseudonimi i përdorur prej autorit ishte Rushmani.

    Nën po të njëjtin pseudonim boton edhe më vonë, deri në vitin 1901, ndërsa pastaj e ndryshon në Castigat Rideondo, Suta apo Fushk n.Dushk, duke u rikthyer herë pas here tek iniciali i të parit, Rr.[1] Prandaj kur më 1913 u themelua revista “Hylli i Dritës”, drejtori i atëhershëm duhet ta ketë ftuar Konicën për të sjellë një shkrim, dhe kështu ndodhi. Qysh në fillim, menjëherë pas shkrimit të drejtimit dhe komentit të Pashko Bardhit, në faqen 11-14 botohet shkrimi i Konicës me titull Problemi i Madh i cili fillon me paragrafin:

     Andra e Shqipniës s’lirë po vërtetohet. Kush e kish paa ket anderr të bukur? Nji pakicë shumë e vogël prejë nesh, idealist të perqeshun a t’pakuptuemin prejë vulgut të cillt maa teper se pesmdhetë vjet me radhë kemi paa rrezikon, kemi dishrue shelbimin, kemi diftue mjetin e shelbimit. Koha, mikneshë e kadaltë por e shigurtë e mendimtarve, provoj plotnisht se kishim arrsye: Rrenimi i Mbretniës Otomane e shpuri kombin t’onë në buzë të vorrit e gadi e shtyni mrendë, por Shqypnia u njallë, edhe u njallë vetem prejë asajë dore t’cillen na e kishim kasnecue si shelbojse.

    Për të kuptuar natyrën e shkrimit, po e vendosim me faksimile nga botimi origjinal, ndonëse shkrimi është botuar edhe pas ’90.

    Qysh kur e kam lexuar për herë të parë te Hylli më ka bërë shumë përshtypje mbyllja e tij, (Ka maa), e përdorur si formulë për të thënë se vazhdon.  Por kjo nuk ndodhi,, vazhdimi s’u botua asnjëherë.

    Po përveç kësaj, më ka bërë përshtypje edhe diçka tjetër: Si ka mundësi që Konica të ketë shkruar me një gegnishte të atillë? Jo se e vija në dyshim a e zotëronte apo jo, por më dukej e çuditshme si zgjedhje… Pse ta ketë bërë?

    Përgjigjen për këtë na e jep Atë Zef Pllumi kur, duke treguar për Atë Justin Rrotën, shkruan:

    Kur u themelue revista e kulturës shqiptare “Hylli i Dritës” nga At Gjergj Fishta më 1913, At Justinin e caktuene redaktor, me qëllim që të unifikonte ortografinë, detyrë sot gjithnji e më e vështirë, sepse liria e fjalës e aq më tepër e shkrimit, janë të drejta që çdokush i kërkon për vete, edhe në mos kjoshin të garantueme. At Justini aso kohe me gjithë dijet e mjaftueshme, nuk kishte përvojën e jetës dhe pa dashtë u ndesh ndër pengesa të cilat shkaktojshin pakënaqësi e fërkime edhe mes miqsh e dashamirësh.[2]

    Një nga këto pakënqësi ishte edhe ajo e Konicës i cili, sipas Pllumit pati shkruar nji letër me shumë spec që gjindej në arkivin e “Hyllit të Dritës”. Ai [Konica] protestonte se redaktori kish ndërrue dialektin toskë në atë gegë, ndërsa “Albania” e tij të gjithëve ua kishte botue artikujt në atë dialekt që e shkruejshin. Kish arsye Faiku i madh dhe, megjithëse miqësia mes tyne nuk u lëkund kurr, ai nuk shkroi ma artikuj për “Hyllin e Dritës”.[3]

    Pra është e vërtetë se pavarësisht këtij “incidenti”, Konica nuk e humbet kurrësesi respektin për revistën. Më 25 prill, 1923 boton në “Dielli” një shkrim ku ndër të tjera tregon edhe konsideratën për të: “Hylli i Dirtës”, revista e bukur që botojnë në Shkodër Atërit Franciskanë […] dhe për gjimnazin e drejtuar po nga anëtarët e redaksisë së Hyllit: “Shkolla e madhe që kanë themeluar Franciskanët në Shkodrë me emërin Gymnasium Illyricum, e vetëma shkollë me frymë humaniste në Shqipëri, do me thënë e vetëma shkollë që ka për program studimin e vjetërsisë klasike greko-romane.[4]

    Paçka se konstatimi përmbyllës i Pllumit është tërësisht i vërtetë, pena e Konicës nuk mungoi përjetësisht në Hyll. Kështu si në 1930 kur revista drejtohej nga Fishta, si në ’39 kur botohej numri i parë i drejtuar nga Atë Gjon Shllaku, u botuan dy shkrime të tij. I pari Ca kujtime mi At Gjechovin (HD, VI/1930, Nr.4, ff. 227-230) dhe i dyti, Shqypja e disá zyrtarëve (HD, XV/1939, Marc-Korrik, Nr. 3-7, ff. 348-349). Por asnjëri prej tyre nuk ishte shkruar për Hyllin. Redaktorët apo drejtuesit i kishin marrë nga Dielli, revistë që aso kohe botohej në Boston, me shumë të ngjarë duke njoftuar autorin paraprakisht dhe duke i kërkuar leje.

    Ashtu sikurse na thotë Ilir Konomi, Faik Konica dhe Atë Gjergj Fishta ishin dhe mbeten dy miq të vjetër[5], me ide të ngjashme në shumëçka. Por jo vetëm me të. Konica ruajti miqësi dhe me françeskanë të tjerë, sidomos me Atë Shtejfën Gjeçovin me të cilin kishte letërkëmbim të rregullt dhe nderim të veçantë.

    Prandaj kur ndërroi jetë, Atë Pashko Bardhi boton një shkrim për të, duke u kujdesur të veçojë kontributin e tij të madh, sidomos me Albanian:

    Faik Konica ka shkri të rit e vet mbas “Albaniet” e mbas mendimit t’em, n’at kohë kerkush s’i ka ba gjuhës shqype nji sherbim ma të madh se këjo e përkohshme. Sa nder bashkpuntorë të saj duelen shkrimtarë zamëdhaj e ndoshta, mos t’i kishin fillue botimet e veta n’”Albanie”, kishin mbetë në terr e nuk ishin ndie për së gjalli. [6]

    Aq i madh vijonte të ishte kujdesi që të mos përsëritej një situatë e ngjashme, saqë autori, në vijim të atij shkrimi, kur boton një pjesë të letërkëmbimit me Konicën, kujdeset të qartësojë se Letrat e Faikut po i qitoj me alfabet të soçëm, tuj e lanë të paprekun ortigrafinë. [7]

    Kështu, mosprania e Konicës në faqet e Hyllit ishte parimore, dhe ajo çfarë ndodhi nuk u harrua, as pas Kongresit të Manastirit, as pas Komisisë Letrare së Shkodrës e as pas dy përpjekjeve të redaksisë për ta afruar sërish. 


    [1]  Shih. Kamsi, Ëilli, “Albania, Bibliografi Kronologjike”, Botimet Françeskane, Shkodër, 2008.

    [2]  Pllumi, Atë Zef “Françeskanët e Mëdhaj”, Botimet Françeskane, Tiranë, 2001, fq. 89-90.

    [3]  Po aty.

    [4]  Konica, Faik, “Vepra 3, Publicistika”, “Dudaj”, Tiranë, 2001, fq. 281.

    [5]  Krh. Ikonomi, Ilir, “Faik Konica, jeta në Uashington”, “Onufri”, Tiranë, 2011, fq. 112.

    [6]  Bardhi, Atë Pashko, “Faik Konitza”, “Hylli i Dritës”, nr. 11-12, Nanduer-Dhetuer, 1942, fq. 474.

    [7]  Po aty, fq. 475, (footnote 2).

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË