More
    KreuForumi mbi përkthiminRudolf Marku: Një debat për përkthimin e poezisë - përkthyesi si poet...

    Rudolf Marku: Një debat për përkthimin e poezisë – përkthyesi si poet i fshehur? 

    Përgjigjet e mia  tre pyetjeve të  bëra nga ALTA- American Literary Translators Association (Lidhja e Përkthyesve letrarë të Amerikës). Ftoj kolegët e mi  të nderuar, shkrimtarë dhe përkthyes të letersisë, por dhe lexuesit e sprovuar, që të japin përgjigje po në EXLIBRIS, këtyre pyetjeve të ALTA-s, duke shprehur dhe argumentuar mospërputhjet e mendimeve të veta me kolegët, atëherë kur vertet ekzistojnë këto mospërputhje mendimesh. Ose thjesht, në traditën e hershme të letërsisë, t’u japin përgjigje pyetjeve të mesipërme, duke hapur kësisoj një debat publik për Përkthimin.

    Çfarë është përkthimi i Poezisë? 

    Përkufizimin më të mire se çfarë është përkthimi i Poezisë me duket  se e ka dhënë  poeti amerikan Robert Frost, i cili me thënien e vet të jep përshtypjen se po i përgjigjej një pyetjeje tjetër: Çfarë është poezia? Ai thotë: Poezia është ajo çka humb në përkthim. Pra,  diferenca mes tekstit origjinal dhe tekstit të përkthyer, është Poezia. Sipas Robert Frost, idealja është që Poezia të mos përkthehet, sepse përkthimi i Poezisë është një ndërmarrje e kotë. Ndërkohë, Kulla e Babilonit është shkatërruar të paktën nja 10.000 vite më parë se të lindte Robert Frost. Njerëzit kanë pasur nevojë dhe kanë nevojë që të lexojnë poezitë në gjuhët që nuk i njohin, dhe gjuhet e panjohura janë ku e ku më shumë se gjuhët që dinë dhe poliglotët më të thekur. Por tek pranojmë si një të keqe te pashmangshme Përkthimin e tekstit letrar – dhe bashkë me të dhe përkthimin e Poezisë, që është dhe akti më i komplikuar dhe më i elaboruar linguistik – del e udhës që të jemi të vetëdijshëm se çfarë është përkthimi…

    Te Grekët e lashtë, Perendia e përkthyesve është Hermes, i cili shfaqet me detyrën që të çojë mesazhet e Zotave te njerëzit vdekatarë… Hermes është në të njëjtën kohë shkelës kufijsh, detyra e tij është që të shkapërceje matanë caqeve, përtej  kufijve, mbas vijave, me qëllim që të arrijë që të komunikojë me të huajt, me të panjohurit, që gjithmonë ndodhen përtej cakut… Sipas Platonit (Cratylus), Sokrati jep këtë përkufizim aspak simpatik për Hermesin: 

    Sokrati E po mirë, emni Hermes duket se ka të bëj disi me Gjuhën. Hermesi është një kasnec, një hajn, dhe një mashtrues, një 99-sh, dhe të gjitha këto përfishen në forcën ka gjuha! 

    Vetë Platoni  u jep  një farë përparësie përkthyesve në raport me gjuhëtarët, ngase, sipas tij, ndërsa  gramatikanët  mund të jenë të dobishëm ngase janë në gjendje të na përshkruajnë germat dhe format e shkruara të gjuhës, përkthyesit janë në gjendje që të na tregojnë kuptimin e vërtetë të asaj se çfarë është thënë. 

    Mithet e një kulture kanë të regjistruara dhe të inkoduara dijen e vërtetë historike apo dhe dijen para-historike të njerëzimit, dhe Mithi i Zotit Hermes si Zoti i përkthyesve mund të jetë ilustrimi më i qartë i kësaj. Sipas Mithit grek, përkthyesi është ai që çon mesazhet e Zotit-Krijuesit – te vdekatarët (lexuesit). Është shkelës kufijsh, në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse na bjen autorët e vendeve të tjera dhe te kohnave të tjera tek lexuesi i një vendi të caktuem dhe i një kohe të caktueme. Është hajn, sepse dhe përkthyesi më i ndershëm nuk e bjen kurrë kuptimin e saktë në përkthim. Asht 99-sh,sepse i dredh dhe i spërdredh kuptimet dhe nuancat e origjinalit.

    Përkthyesit më të mirë janë ata të cilët e njohin shumë mirë gjuhen në të cilën përkthejnë, madje më mirë nga gjuha nga e cila përkthejnë. Po kështu, ata duhet të jenë të mirinformuar rreth kulturës së gjuhës burimore nga e cila përkthejnë. Sepse letërsia ekziston jo vetëm brenda një  gjuhe, por gjithashtu edhe  brenda një kulture. Del kësisoj se të përkthesh letërsi shpesh do të thotë të përkthesh Kulturë. Gabimet më serioze në përkthim nuk krijohen nga keqkuptimi i gjuhës së tekstit, se sa prej njohjes së pamjaftueshme të diferencave në kulturën e dy gjuhëve – nga ku përkthen dhe në të cilën përkthen… Njëra nga veçoritë e përkthimit të poezisë është Interpretimi i tekstit që përkthehet. Është ajo që mund ta shtyjë përkthyesin që të shkojë përtej kuptimit real të tekstit, tek ndryshimet e koncepteve  të  origjinalit. Në këtë rast, poezinë e përkthyer nuk ke se si e boton njat tekstit origjinal, si botim bi-lingual. Vitet e fundit përkthimet më skandaloze që janë botuar në shqip janë autorët si Fernando Pessoa dhe Willam Blake. Botime, ironikisht të sponsorizuar nga Traduki paneuropian. Pa përmendur sidomos përkthimet shumica amatoreske nga shqipja në gjuhët europiane. Janë botime pretencioze, në raport të drejt me keqkuptimet e tekstit dhe të çdo gjëje tjetër që duhej të përfshinte përkthimi. Dhe për fat të keq, këto përkthime skandaloze –  siç dhe mund të pritej –  janë shpallur si përkthimet më të mira të viteve, duke marrë çmime kombëtare nga Ministria e Kulturës dhe nga Juritë e Panairit Kombëtar të Vitit.

    A duhet që veç poetët ta përkthejnë poezinë? 

    Le ta quajmë përkthyesin jo-poet: përkthyes profesional. Kur një poet përkthen poezinë, ai ka disa avantazhe të mëdha nga përkthyesi profesionist : ka vesh të ndjeshëm që e bën të aftë për të kapë emocionet më të fshehta, më vibruese, më të holla, të cilat rrëshqasin drejt e në det  nga  rrjeta me bira të mëdha  të përkthyesit profesionist. Poeti, kur përkthen poezinë,  ka disa vegla pune që përkthyesit profesionist i mungojnë: ka instinktin e lindur të ritmit, ka shijen e duhur  për zgjedhjen e fjalëve të sakta, është i familjarizuar me strukturën poetike, ka mirëkuptimin e duhun përkundrejt stërhollimeve metaforike, i kupton  instinktivisht aliteracionin, asonancen, tonin, humorin, suspensin… Poeti, kur përkthen, e njeh instinktivisht kontrollin dhe balancën emocionale dhe di të shprehet me një zë natyral që vjen pa ngërçe. Nga ana tjetër, pranohet nga të gjithë se  përkthyesi profesionist nuk ka barot te mjaftueshëm emocional  për t’i mbush fishekët…

    Me gjithë këto avantazhe të poetëve përkthyes, a mund ta pranoj përkthimin e poezisë vetëm nga Poetët?

    Përkthimi i poezive vetëm nga poetët më kujton atë zakonin e martesave vetëm brenda fisit. Martesa të tilla bëjnë që fëmija i lindun të ketë pasë  ma kufizim në  zgjedhje në menynë e  AND-s.

    Përkthimi i Li PO-s, i mjeshtrit të poezisë kineze të shekullit të 8-të nga Ezra Pound asht konsideruar si shprehja e tmerrit të poetit në kohen e luftës, që korrespondon me tmerrin Evropian të Luftes së Parë botnore. Pra, përkthimi ka të bëj pak me origjinalin. Kur poeti përkthen, ai përkthen vetveten dhe tek vetvetja. Poezia e përkthyer nga Poeti gjithmonë ka për të mbajtë shenjen e personalitetit të perkthyesit. Sa më i njohun të jetë Poeti që përkthen, aq më shumë ekziston rreziku i përkthimit të vetvetes …Kur përkthimi i Propertius u shfaq në revisten Poetry, në pranveren e vitit 1914, Pound u gjend në vorbullen e një stuhie sharjesh nga profesorët latinistë dhe akademikët. Nuk arrihej të kuptohej se si Pound të kishte njohje kaq të cekët të latinishtes. Profesor Ëilliam Gardener Hale i Universitetit të Chicagos shkruan se E.Pound ‘’ është injorant der’ në pabesueshmeri i latinishtes’’.Thomas Hardy i shpreh rezervat e veta më më takt në një leter drejtuar Ezra Pound-it : ‘’Me siguri ti e ke llogaritë që të mos çash koken për mendimet e të tjerëve’’!’’Vetë Ezra Pound mbrohet duke thënë se  nuk ka synuar të bëj një përkthim fjalë për fjalë..’’Qëllimi im ishte të sillnja një të vdekur tek të gjallët, duke e ringjallë poetin romak në kohen tonë,, (Homage to Sextus Propertius).

    Siç shihet, përkthimi i poezisë nga poetët nuk meriton gjithmonë duartrokitje. Personalisht, mendoj se përkthimet më të mira në gjuhen shqipe i kemi nga përkthyesit profesionist, dhe jo nga poetët. Emrat e Fan Nolit, Mitrush Kutelit, Gjon Shllakut, Petro Zhejit, Pashko Gjeçit, Sotir Cacit, Klio Evangjelit, Henrik Lacajt, Vedat Kokonës, Vehxhi Buharas, Aurel Plasarit, Petraq Kolovices, Ardian Klosit, Dritan Çelës, dhe i sa e sa të tjerëve kanë qenë disa herë më sugjestionues e më të respektuar se shumë shkrimtarë e poetë bashkëkohës me ta. Edhe për një arsye tjetër, shpjegimin e së cilës e gjejmë në Greqinë e lashtë. Plutarku tregon te ‘’Jeta e Themistokleut’’ se profesioni i Përkthyesit është shpesh i bartun me rreziqe. Themistokleu, me miratimin e popullit të Athinës, pat dënuar me vdekje një përkthyes nën akuzen se ai pat bërë të njohura ligjet dhe kodet e barbarëve në gjuhën greke…,,

     A mund të jetë përkthimi më i mirë se origjinali? 

    E dëgjojmë shpesh  herë shprehjen se aksh përkthim tingllon më mirë nga vetë origjinale. Këtë shprehje njerëzit e thonë si një lavdërim për një përkthim shumë të mirë. Ndërsa unë këtë shprehje do ta merrja si të kundërt, si një konfirmim për një përkthim të keq.

    Asnjë përkthyes nuk ka nevojë ta përkthej një tekst më mirë nga origjinali, sepse, një përkthim më i mirë nga origjinali nuk do t’i përkiste më autorit të përkthyer, por vetë përkthyesit. Një tekst që përkthehet, në rastin më të mirë, nuk duhet të tingëllojë më keq nga origjinali, por në  asnjë mënyrë jo më mirë nga ai.

    Përkthimi i Rubairave nga Noli është shembulli i keqkuptimit kur përkthyesi përpiqet ta kalojë origjinalin. Rubairat e Nolit më tepër janë përkthime të versionit anglisht të Fitzxheraldit, se sa përkthime të Omar Khajamit.

    Megjithatë ka plot që besojnë se përkthimi i poezisë mund të bëhet edhe atëherë kur përkthyesi nuk e ka rrokë kuptimin e qëllimit të autorit. Përkthimi i Rubaive te Fitzexheraldit është krejt i pasaktë dhe  është shumë larg nga teksti original. Po të bisedosh me një njohës të mirë të Persishtes klasike, ai ka për të  sqaruar se shumica e strofave te Fitzexheraldit (dhe te Nolit në shqip) nuk korrespondojnë  me asnjërën nga rubai-t e Khajamit. Fitzexheraldi ka bërë më shumë një krijim të veten, dhe Noli ka përkthyer më shumë Fitzexheraldin se sa Khajamin. Por po qe se Noli do të kishte përkthyer besnikërisht Khajamin, përkthimi i tij nuk do të kishte qenë kaq popullor dhe kaq i pëlqyeshëm nga lexuesit sa ky që njohim sot si Rubairat në shqip. Përkthimet e Fitzexheraldit dhe të Nolit nuk janë  përkthime Ad Verbum. Por duke  mos qene të tillë, ato mbesin  një shembulli  i përkryer i përkthimit Ad sensum.


    CHARLES BAUDELAIRE
    Lexuesit
    (Përktheu nga frëngjishtja R. M.)

    Gabimi, koprracia, mëkati, marrëzia,
    Na pushtojnë në shpirt e na mundojnë në trup,
    Ne ushqejmë pendimet tona më në fund
    Siç ushqejnë lypësat morrat me mijëra.

    Kokëfortë i kem’ mëkatet, pendohemi me frikë,
    Pendimet i paguajmë me çmim të lartë,
    Dhe kthehemi gëzueshëm në rrugën me baltë
    Tek besojmë se njollat na’i heq loti hipokrit.

    Mbi jastëkun e së keqes Satani Trimegjist
    Përkund shpirtin tonë të magjepsur në djep;
    Dhe metal i çmuar i vullnetit krejt
    Avullohet nga ky dijetar kimist.

    Është djalli aj që na lëviz gjithë qënien tonë,
    Me sendet e neveritshme joshja na kap.
    Çdo ditë drejt Ferrit zbresim nga një hap
    Pa tmerr, mes Ferrit që kutërbon.

    Si një i çthurur varfanjak që puth i dehur
    Gjirin e munduar të një kurve plakë,
    Ne vjedhim ndonj’knaqësi kalimthi si tinzakë
    Për ta rrokë fort si një portokall të fshehur.

    Në trurin tonë dëfrejnë djajt-mizëri,
    Si një milion krimba gjallojnë pa u ndalë;
    Tek marrim frymë, vetë Vdekja, lumë i pafjalë
    Me rënkime të shurdhëta na zbret në mushkëri.

    Nëqoftë se Përdhunimi a Helmi, Thikë a Zjarr
    Ende nuk kanë qëndis me vizatime plot vlerë
    Kanavacen banale të fateve tona të mjerë,
    Kjo ndodh sepse-Medet!-shpirtin s’e kemi guximtar!

    Por midis çakejve, panterave e ujkonja
    Majmunë, akrepë, zhgaba e gjarpërinj,
    Përbindësha që kuisin, hungërojnë, zvarriten, ulërijnë
    Në vathen e fëlliqur të veseve tona,

    Është një më e ligë, më e ndyrë e gjithë shëmtim,
    Ndonëse nuk lëshon gjeste e as klithma të mëdha,
    Botën do ta bënte copë e th’rrime, hatá
    Me qejf do ta përpinte me një gogësimë.

    Është Mërzia! Lot’i pavullnetshëm në sy i regëtin,
    Tek pi duhan, karamanjollën ëndërron ngjat.
    Ti e njeh, o lexues, kët’ përbindësh delikat,
    Ti, lexues hipokrit, i përngjashmi im, vëllai im.


    William Butler YEATS
    Kur të jesh plakë
    (Përktheu nga origjinali anglisht R. M.)

    Kur të jesh plakë, me thinja dhe tërë gjumë,
    E pranë zjarrit të kotesh, e kapë kët’libër në dorë
    Ngadalë lexon, dhe ëndërron për atë vështrim hyjnor
    Që sytë e tu kishin, dhe hijet e thella që kanë lënë gjurmë;

    Sa njerëz i deshtën çastet e tua plot hir e gëzim,
    Dhe deshën bukurinë tënde-me dashni a rrenë,
    Por veç një burrë e deshi shpirtin tënd që s’pren,
    Dhe desh pikëllimin e fytyrës tënde gjithë ndryshim.

    Dhe tek përkulesh pranë flakëve që kanë mbetë
    Pëshpërit, me pak trishtim,se si Dashnia ikë,
    Dhe se si Dashnia ecën lart përmbi malet thikë
    Dhe në grumbull yjesh fsheh fytyren e vet.


    SAVATORE QUASIMODO
    Pa u kujtuar për vdekjen
    (Përktheu nga italishtja R. M.)

    Pranvera ngren pemët dhe lumenjtë,
    Unë s’e dëgjoj zanin e saj të thellë
    I humbur tek ti, e dashura ime.

    Pa u kujtuar për Vdekjen,
    Të bashkuar në mish,
    Rrapëllima e ditës së fundit
    Na zgjon adoleshentë.

    Askush nuk na dëgjon,
    Frymëmarrja e lehtë e gjakut.

    E bërë degë
    Lulëzon në brinjët e tua
    Dora ime.

    Nga bimët, gurët, ujërat
    Lindin kafshët
    Në frymën e ajrit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË