More
    KreuLetërsiBibliotekë"Në ndërmjetësinë e një dite me shi", tregim nga Ballsor Hoxha

    “Në ndërmjetësinë e një dite me shi”, tregim nga Ballsor Hoxha

    “Kam edhe vajzë timen, edhe burrë, vjehërr, qen e diplomë doktorature, e jam qikë! (Se si kam dalë kaq herët, apo… kaq vonë për t’u taku me të!). Flet me veten, e çoroditur, Vesa. Flet në dy zëra, dy ndërgjegje. Herë duke medituar për jetën e saj, dhe herë duke medituar për takimin.

    Është pranverë, por, është ditë, muaj, vit i tërë me shi. “Është sikur fundi i Njëqind vjetë vetmi te Marquez!” mendon Vesa. “Duket sikur kurrë nuk do të prëfundojë shiu. Është plakur, është rrudhur e tërë bota. Dhe edhe ëndrrat e njerëzve janë disi si të papuna, jemi bërë si njerëz të papunësuar, të kotë në plakjen e botës e të ëndrrave, të pa ide çka të bëjnë me veten, me jetët tona”. Shikon tutje në terracën e kafenesë para saj, janë shumë të paktë mysafirët në kafenenë që i duket gjigante në zbrazëtinë e saj.

    Rigon, pikon shi dhe shpërhapja e mysafirëve në kafenenë gjigante, i bën të duken si shpendë të lagur, “të veçuar secili nga tjetri. Qoftë edhe ata që janë bashkë në të njëjtat tavolina me kafet e esspressot e tyre të ngrohta në këtë kohë, po shikojnë telefonat e tyre, nuk ka bisedë, nuk ka fjalë as gjuhë… kohë e ndërmjetme, ndërmjetë çdo gjëje”, (“qoftë edhe ndërmjet mëngjesit që ka kaluar dhe mesditës që ende nuk është, derisa po e pres atë. Është sikur e tërë Kosova, edhe ai, e edhe unë. Por edhe tërë shqiptaria, dhe… edhe kjo botë e lagtë”), mendon Vesa, duke shikuar në terracë, shiun dhe njerëzit përreth.

    Një muzikë krejtësisht jashtëkohore duke luajtur, njëlloj gjysmë opere bashkëkohore, me ritëm, “krejtësisht palidhje, e shkëputur, rënë ndërmjet disi!”. (“Por, athu çkado të thotë Rio, për këtë. Sidoqoftë, do t’i them, se si duket po fitojnë shumë këta pronarë e nuk dinë çka me ba me krejtë fitimin e po eksplorojnë me nervat tona!”), mendon Vesa duke pritur.

    Vesa është e ulur në kafenenë afër shtëpisë së saj, zyres së saj, çerdhes edukuese të vajzës së saj, shtëpisë së prindërve të saj, marketit ku blenë për shtëpi, afër. Afër tërë universit të saj. Vetë e ka caktuar këtë vendtakim, me të njohurin e saj, Riodezhanejro. Sapo ka porositur kafen, ‘amerikane’ dhe po e pyet veten pse e ka bërë këtë gjë. Zakonisht pin makiato të vogël, kurrë pa e ditur cila është më e lehtë, e madhja apo e vogla? Meqenë se kafja i jep vrull e mundim, duke qenë introverte e skajshme, por që e mirëmbanë me antidepresivë të përshkruar nga psikiatri.

    “Qifsha emrin! Vesa? Çfarë emri kam? Mbetur peng e kohës së kosovarëve kur kishin filluar dhe mbaruar së lexuari poezi, saktë në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar. E jam veshë si hallë, këmishën teget, kumashe, dhe në pantollona të hirtë. Uf, si i kam flokët. Si e kisha hundën në pasqyrë. Prit, a i kam pastru dhëmbët sot? (Por, prit… çka kam kështu? Nuk kam dalë as mu qi me Riodezhanejron, as me fillu najsen! Tani, Tanasi im, dhe Nita po më dalin për hundësh). Nejse”, i thotë vetes e zemëruar Vesa, dhe ndalet, provon të ndalet së medituari e shpërthyeri para këtij takimi.

    “Duhesh me pasë nanën qikë” thonin, e thonim kur ishim të rinjë, për të thënë se një gjë është e pamundshme, e paimagjinueshme! Por unë jam qikë! Dhe pikë! Bashkëshorte, qe sa vite, dymbëdhjetë, trembëdhjetë, as nuk e mbaj mirë në mend; jam edhe nanë, e qime domethënë, e shkërdhyer, pjellur një herë.. tërë këto vite, por edhe paraprakisht martesës… kur jetoja në Danimarkën e matur, të butë, të fortë e të madhe si penisi i Soren. Çfarë budallice, kam jetu sa vite në Danimarkë dhe kam pasë lidhje, seks, veç me nji danez. Nejse.” Por, jam, ndjehem, punoj e jetoj si qikë. Si e paqime. E virgjër. Pjellur e shkërdhyer në të gjitha pozitat e mundshme, që nga mosha gjashtëmbldhjetë vjeçare. Por, jetoj si: qikë! (“Së paku kështu do të më shoh Riodezhanejro!”).

    “Uh, erdhi, megjithëse nuk po e shoh. Është kollitja e tij, është në kollitjen e tij e tëra. (Se si thash erdhi! Se si edhe kollitet seksi, se si edhe hapat që po ia dëgjoj anash murit, i ka tërheqës. Emri, hapat, kolli burrëror dhe zëri i i tij i mekur e penetrues). Uf! Çka po ndodhë me mua, para këtij takimi. (Por është si gjithë, edhe ashtu, gjithë më ndodhë kështu…)

    “Tung Rio”, e përshëndetë Riodezhanerjon Vesa me të arritur të tij në tavolinën e saj, prej prapa kafenesë.

    “Tung Vesa, si je? Më fal, ndoshta jam vonu” thotë Rio, edhe pse e din që është saktë në kohë, thotë dhe e vëzhgon Vesën, dhe kënaqet në të shikuarit e saj, është e bukur dhe e plotë si grua e moshës së tyre, e plotë në mënyrë tërheqëse.

    “Mirë jam, shumë. Edhe pse na mbyti shiu, ha ha” qeshet Vesa, dhe në mendje i shkon se ka qeshur si e çmendur. Por në të vërtetë është koha, moti dhe shiu i pandërprerë për disa javë tash. Edhe Rio ndjehet sikur i atakuar përnjëherë nga e qeshura e Vesës, ç’është e vërteta. Ka qenë i humbur në mendime, në të përkujtuarit e tërë bisedës që do të zhvillonte me Vesën në këtë takim, për të provuar të gjejë ndonjë punë.

    “Më fal, ndoshta qesha shumë me të madhe” thotë Vesa, e ndërgjegjësuar.

    “Jo jo, nuk e ke keq, ndoshta na bën mirë e qeshura në këtë mot. Ndoshta po ndjehemi si në ndonjë strehë religjioze tërë shoqëria në këtë qetësi  të krijuar nga shiu dhe zbrazja e rrugëve prej njerëzve. Si po kalon?”

    “Mirë. Por tanë kohën po me sjellen mendime rreth papunësisë. Po më dalin përpara të gjithë shokët tanë të përbashkët pa punë, e me punë të çmendura që nuk i meritojnë për tërë atë që munden. Si i ke punët?” e pyet shpejtë Vesa, për të përfunduar së foluri, dhe tërë kohën duke i thënë vetes (“a je çmendur, po i vardisesh, po e ndjellë… çka është tërë ky kujdes? Çka hamami e sjellë bisedën për punën…”).

    “Paj, të thash tërë kohën po më duket vetja si…” flet Rio, por Vesa humbë në zërin e tij të mekur. (“Sa tërheqës, por se si kjo mjekërr e tij është paksa pa kujdes, paksa pa shumë mirëmbajtje. Rio nuk është sikur Tani, Tanasi, ky është i pakujdesshëm.” Mendon Vesa, dhe tërë kohën shikon buzët e tij, që po flasin, që po lëvizin. (“Po flet, me një përpjekje disi, sikur të ishte gjysmë i fundosur diku në shiun e këtij mëngjesi, apo në mëngjesin e tij në këtë shi. Në këtë mëngjes të largët disi. Të largët si, si… hej, çka je duke bërë oj Vesë, ai është duke të folur!!)… prapë kthehet në bisedë dhe kupton zërin e mekur të Rios, “dhe kur njerëzit janë në kishë, për shembull, ata duhet t’i përmbahen rregullave të saj, ha ha” përfundon Rio, dhe qeshet. “Por qeshet me kujdes, me dro, me përpjekje edhe, me një vështirësi, po po, ka mbetur në këtë mëngjes disi”, mendon Vesa, por edhe qeshet me fundin e të folurës së Rios që e ka dëgjuar. Qeshet mekanikisht.

    “Se si, gjithnjë ma kujton Bolanon, ky njeri. Me zë, me sjellje, me fat edhe më shumë (para se t’ia dilte Bolano), me jetën e tij… Biseda ka vazhduar. Vesa thotë ndonjë fjali, apo vetëm fjalë, apo edhe vetëm qeshet shkurtë, dhe vazhdon e mbetur në vëzhgimin e Rios. Vazhdon duke e shikuar sikur të ishte ndonjë seks simbol. E përpin me sy, dhe vazhdimisht rregullon këmishën e saj teget dhe stomakun e saj që i është paska i plotë, por që në të vërtetë i duket Vesës sikur një balenë derisa e vëzhgon Rion. Ka kaluar më se një orë, dhe megijthëse janë takuar për mundësinë e gjetjes së ndonjë ndonjë përkthimi nga portugalishtja (në Kosovë!!!) për Rion, duke qenë se Rio ka jetuar atje një kohë të gjatë si refugjat pas luftës, ajo, Vesa, nuk i ka thënë asnjë gjë, Rios. Tërë atë që ka bërë tërë kohën është se ka provuar me përpjekje të mëdha ta dëgjoj, por e ka dëgjuar vetëm zërin e tij, dhe ka bashkëjetuar me këtë zë për këtë ndërmjetësi mëngjesi e dreke, e pranvere e dimri, e shiu e mallkimi, e të tërë ndërmjetësive të botës dhe të universit , i thotë vetes. “Sikur jam në pubertet, sikur jam përndezur seksualisht pa asnjë kuptim, sikur nuk di çka të bëj me macën time, sikur, sikur… jam e çmendur” i thotë vetes Vesa, derisa janë duke u ndarë, pastaj i thotë vetes një “nejse” zemërimi, dhe mundohet të përshëndetet së paku, si duhet me Rion. Dhe derisa i thotë “tung” mbanë në dorë të pasmen e saj të majtë, duke e shtrënguar dhe përmbatur veten, ndjenë njëlloj ngrohtësie si të largët dhe të harruar, të dashur dhe të dëshiruar në të njëjtën kohë. Me dorën dhënë Rios, kthehet dhe shikon shiun, dhe se si i duket se është duke ardhur vetë! Në orgazëm.

    Ka shkuar, ai tashmë. Është vetëm, Vesa, dhe e lirë, të mendoj, të qortoj, të shajë, të çmendet me veten e saj. Rrugës fillon të mendojë se sa do të donte të masturbonte. Të derdhej dhe të qullosej deri në fundosje. I vjen turp, epsh dhe ankth.

    Shikon tutje, duke ecur, është shi, ka harruar ombrellën dhe as nuk don të kthehet ta marrë prapë. Është në ndarjen e rrugëve, të tërë universit të saj siç i kishte thënë vetes më herët. Është shi, është pranverë, është ndërmjetësi, dhe është njëlloj rikthimi i diçka krejtësisht të harruar, të larguar qe një kohë të gjatë dhe të injoruar qe një kohë të gjatë. Provon ta imagjinojë çka mund të jetë kjo gjë, si mund të jetë, dhe si e ka harruar. Kujton Danimarkën. Kujton rininë e saj. Kujton tërë jetën e saj, “si qikë” por me marrëdhënie seksuale, dhe nuk mund ta shquaj çka është, si është dhe ku është kjo ndjesi që e ka në lëkurën e përndezur të qafës. “Nejse” i thotë vetes në zemërim dhe me nervozizëm.

    Mendon çka nëse Tani, Tanasi do të jetë në shtëpi dhe e sheh kështu të përndezur të përçartur dhe të harruar në këtë ndjesi të panjohur, apo thënë më saktë të harruar.

    Ecë, dhe bartë diçka mbi supe. Është duke menduar për këtë kohë të vështirë, për Rion, për veten, për Tanin, Tanasin, për vajzën e saj, për këmishën e saj kumashe teget. Dhe për tërë Prishtinën, Kosovën dhe për tëtër botën. E bartë të tërën mbi supe, mendon. Dhe e rëndon po kjo, pikërisht në supe. Dhe çuditërisht për shkak të kësaj ndjesie të harruar nuk e din nëse është duke e dashur këtë shi, apo nëse është duke u fundosur brenda kësaj ndërmjetësie. Nuk e din çka ka, dhe as çka është duke ndodhur, në këtë ditë. Nuk e din, si është të jesh kështu, si ka qenë të ishe kështu. Nuk e din dhe e don këtë shi, vendos se e don këtë shi. “Mu sikur në Danimarkë”.

    I dalin përpara rrobat e hedhura sido në tërë apartamentin e tyre, me Tanasin, i dalin përpara shkrimet e shpërndara kudo dhe sido, notesët, dhe fletoret e saj të poezive. Pastaj edhe enët, obligimet e kuzhinës për sot, për dje, për nesër, për çdo ditë, për tërë jetën deri në vdekje, dhe më pas, mendon, qoftë edhe pas vdekjes do t’i marr me vete këto obligime. Këto imtësira që më çjerrin thellë, thellë në shpirt.

    Por duke provuar ta ruajë këtë ndjesi të saj për shiun, këtë Danimarkë të saj të vogël brenda dhe ndërmjet pikave të shiut, kësaj që ka ndjerë në takimin me Rion, provon të harrojë të tërat. “Por do të masturboj, do të masturboj dhe do të më hiqet e tëra” mendon në vete Vesa. Ecën nëpër shi, tashmë e lagur e tëra, dhe duke ndjerë edhe orgazmën që e kishte pasur derisa i kishte folur Rios. “Nejse!” I thotë vetes me nervozizëm dhe me zemërim. “Por, si është e mundur që kisha orgazëm aq shpejtë, aq lehtë dhe aq padashje? Athu çka dua unë? Me të vërtetë, çka po dua? Çka dua sot. Këtë ndërmjetësi, këtë hiç ditë, këtë seks, këtë tradhëti, këtë dashuri dhe këtë familje dhe këtë botë e shi. Çka dua me të vërtetë? Danimarkën time?”

    Vesa është duke mbushur një çantë të madhe krahu me rrobat e saj më të domosdoshme. Palosë, por jo, nuk i palosë por as nuk ngutet, vetëm i futë pa i zgjedhur as pa i shikuar, as pa e ditur se çka dhe për çka i duhen këto rroba. Pastaj fillon t’i fusë shpejt dhe ashpër rrobat në një çantë krejtësisht të harruar për tërë këtë jetë me familjen e saj, qe sa vite. Dymbëdhjetë? Pyetet. Nejse! I thotë vetes me zemërim dhe nervozizëm. Ndalet, mbështetet për murin e korridorit të apartamentit, që është ngushtë sa të kalojë vetëm një njeri. I kujtohet vajza e saj, nga ngjyra rozë e murit të korridorit. “Çka jam duke bërë?” Pse? Por prapë vazhdon. Ndalet dhe shikon brenda çantës së saj të harruar, pikërisht nga Danimarka. Është e mbushur me mbathje, me dy tre libra dhe me laptonin e saj me të cilin shkruan poezi, të cilat kurrë askush nuk i lexon përpos Rios. “Së paku kështu unë e di”, i thotë vetes. 

    Në të dalur nga dera e apartamentit të përbashkët, kontrollon sa para i ka në xhep. “Sa pak” thotë në vete duke iu dridhur zëri, nga turpi, ankthi, epshi dhe ethet që e kanë kapur. “Janë aq pak”, mendon. Por, “nejse”, i thotë vetes. Prapë me zemërim dhe nervozizëm. Por, sidoqoftë, niset, shkon. Del nga ndërtesa e apartamentit. I kujtohet se ka qenë duke rënë shi dhe se nuk e ka marrë ombrellën nga kafeneja.

    “Paj, të filloj nga aty” thotë me vete dhe niset prapë në kafene.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË