More
    KreuLetërsiShënime mbi libraGani Bytyçi: Fataliteti i një gruaje mëkatare, por të pafajshme

    Gani Bytyçi: Fataliteti i një gruaje mëkatare, por të pafajshme

    Romanin “Nessun Dorma” të Roland Gjozës, nisa ta lexoja me kënaqësi, i bindur në talentin e autorit, ngaqë ruaja një përshtypje shumë të mirë nga romani i tij; “Franc Baron” Prej këtij shkrimtari në Kosovë janë botuar mbi 12 romane nga shtëpia botuese Buzuku. Por pak është shkruar për të, mesa kam kuptuar, ai hyn tek ata autorë që nuk iu pëlqen publiciteti. Lavdia është dielli i të vdekurve, shkruan Balzaku. Një stoicizem ky, një vetëpërjshtim, për të mos rendur pas zhurmës e bujës së ditës dhe që përbën përjashtim nga rregulli. Bisedoja shpesh me Abdullah Zenelin për këtë rrallësi të çuditshme në sjelljen e autorëve në raport me reklamën. Ky është Rolandi, më thoshte, ai mendon se vepra dhe autori kanë jetë të ndarë nga njëri-tjetri. Vepra duhet të ecë me këmbët e veta, ndryshe s’ka dinjitet.

    Sapo nisa leximin e këtij romani të Roland Gjozës, m’u kujtua “Dekameroni” i Bokaçios. Jemi në kohën e Monarkisë. Në ditët e fundit të saj. Në rrethanat e parapushtimit italian të Shqipërisë. Kudo ndjehet aromë lufte dhe frike. Në jetën e njerëzve ka hyrë ankthi e pasiguria. Sikur gjithkund hetohet një parashthurje, nje kaos. Njerëzit janë të brengosur për fatin e tyre. Kjo sikur ua shton atyre dëshirën dhe epshin për një jetë të shfrenuar deri në absurd e banalitet. Autori, mjeshtër i mendimit dhe i rrëfimit, sjell në roman, krejt natyrshëm, paralajmërimin e një të keqeje të pashmangshme, që po i afrohej Shqipërisë.

    Por çfarë ndodh në të vërtetë në Shqipërinë e asaj kohe?

    Një mjek italian është vendosur në Tiranë, ka hapur nje klinikë mjekësore. Fati e do që ai të takohet me Frosinën, një grua me bukuri të rrallë, që të kujton gratë e Renesansës, gratë e afreskeve të Mikelanxhelos. Kështu nis një romancë që shndërrohet në një dashuri të thellë pasioni. Por, a ndodh vërtet kjo mrekulli, apo është thjeshtë një nga ato dashuri që shuhen papritur një ditë? Ata nuk arsyetojnë asgjë, por vetëm i jepen njëri-tjetrit, sikur të jenë rinjohur pas një mungese të gjatë. Adriano vuan nga një sëmundje tepër e rëndë dhe misterioze, për të cilën ai nuk mund t`i rrëfehet askujt. Ngjashmëria e Frosinës me gruan që është bërë shkak i sëmundjes së tij, e shtyn atë që ta dashurojë çmendërisht gruan e bukur. Por, mjeku detyrohet të shkojë në luftë dhe Frosina ndërkaq mbetet fillikat vetëm, e pafuqishme t’i rezistojë joshjeve dhe tundimeve.

    Aria Nessun Dorma e operës Turandot, do të përshkojë si lajtmotiv të gjitha ngjarjet në roman. Ajo do të këndohet në situatat më dramatike dhe në çastet më intime, ne gjendjet më të thella shpirtërore, si për të paralajmeruar se është e vështirë, ose gati e pamundur që bukuria e dashurisë të triumfojë mbi mizoritë e luftës. Herë për të shprehur gjithë dramatikën, që bart jeta në kohë lufte, herë për të përmbushur një çast a një skenë deliri apo ekstaze shpirtërore, veç aries së famshme të Puçinit, kemi dhe letrat e padërguara të Frosinës që u bënë libra. Vuajtja dhe vetmia e shndërrojnë Frosinën në një Colette, në shkrimtaren franceze të skandaleve, që rrëfen gjithçka, pa fshehur asgjë, qofshin ato dhe mëkate vetjake, apo skena të një shthurrjeje morale. 

    Pastaj do të shfaqen një grusht personazhesh, që në shikim të parë na duken të paktë për të bartur e shprehur gjithë ngjarjet dhe dramat, aq të shumta e aq të mëdha në roman dhe tronditjet, ndryshimet, që shkaktojnë përplasjet dhe pjesëmarrja në konfliktin “e dy perandorive”, (siç do të shprehet Rolandi). Kaosi dhe konflikti, që krijohet në këto rrethana, e vështirësojnë skajshmërisht drejtimin e rrugës te secilit. Kahjet janë të ndryshme, qëndrimet kontradiktore, me një mundësi rreziku gjithmonë, me pandehmën e gjithëkohëshme të një humbjeje totale. Këto rrethana shndërrohen në një sfidë të vërtetë si për mbretin ashtu edhe për qytetarin, si për oficerin ashtu edhe për ushtarin, si për tregtarin ashtu edhe për lypësin, si për të dashuruarin ashtu edhe për te shthururin, ne boten e tundimit dhe epshit.

    Frosina, (kryepersonazhi ne roman), rreth të cilës ndërthuret i gjithë rrëfimi, është një femër tmerrësisht e bukur, por fatalisht e mjerë dhe fatkeqe. Ajo është nje grua e pambrojtur që, ose duhet të dorëzohet pa kushte, ose duhet të qëndrojë duke sakrifikuar gjithmonë e më shumë në përballje me ralitetin. Ajo e përshkon këtë kalvar dhe i mbijeton gjithë këtij kaosi shoqëror e moral, rrebesheve të kohës e përplasjeve tronditëse në arenën botërore. Kësaj gruaje natyra i ka dhënë bukuri përrallore, por si paracaktim, asaj i ka rezervuar dhe fatkeqësinë. E mbetur e ve në moshë të re, joshëse dhe tunduese deri në tronditje për secilin mashkull, ajo kthehet në fatkeqësi e vetvetes. E bukur, në përmasë të magjishme, me një dhunti të skajshme talenti ajo, nga dëshmitare e të gjitha ngjarjeve të mëdha e dramatike, shndërrohet në dëshmitare të vetvetes. Ajo bëhet interprete e egoizmit dhe fatkeqësisë së vet qe mundohet t’u shmanget, por pa ia arritur gjer në fund.  Është një rënie e lirë e saj, një vetëdorëzim para rrethanave të jashtëzakonshme, por gjithsesi ajo mbijeton. Herë e qetë dhe krejt e ftohtë, herë e zjarrtë e gjithë epsh. Sa njerëzore, aq edhe e pashpirt (në dukje) ajo merr fuqi për të lëvizur neper ngjarje e rrethana aq të paimagjinueshme dhe krejt të pamundshme.

    Pjesën më të madhe të librit e përbëjnë letrat, që Frosina ia shkruan së bijes. Ajo kishte qenë një nga dashnoret e mbretit dhe tani ndodhej me te në egzil. Por letrat e Frosinës, të shkruara për të bijën, kurrë nuk iu dërguan asaj. Ato ngelën një formë rrëfimi intim për vetë Frosinën.  Njëlloj katarsisi dhe ngushëllimi në orët e vetmisë. Më vonë ato u botuan si libra dhe autoren e bënë të famshme.

    I biri, me të cilin Frosina kishte humbur kontaktet prej shumë kohësh, ishte një i ri fatkeq. Fatkeqësia e tij ishte e kundërta e fatkeqësisë së saj. Asaj fatkeqësia i vinte nga bukuria, ndërsa të birit nga shëmtia, ai vuante nga sëmundja e akromegalisë. Ai jeton i përbuzur dhe i terrorizuar, endet rrugëve në izolim të plotë. Në mëshirën e të pashpirtëve. Leonardo do të kryejë atentat ndaj gjeneralit italian, në çastin kur e ëma eshte duke darkuar me të. Autoritetet italiane arrijnë ta kapin Leonardon. Ai do të dënohet me varje! Por ja, përsëri, pushteti i bukurisë e kapërcen fuqinë e çdo pushteti. Komandanti i Gestaposë, me të parë Frosinën, dorëzohet para bukurisë së saj, si para një magjie. Ai do t`ia falë jetën Leonardos për të kaluar vetëm një natë me gruan që zotëron një bukuri kaq magjepsëse. Leonardo lirohet. Ai sërish do të ngjitet në mal per t’iu bashkuar partizanëve. Autori (si për të dhënë përmasën e fatkeqësisë së pafundme të Frosinës), na jep dhe një detaj tejet tronditës e rrëqethës. Në mbarim të luftës, pas kapitullimit të fashizmit, Leonardo do të hartojë listën e të dënuarve me vdekje të bashkëpunëtorëve të armikut. Aty, ai ka vënë dhe emrin e Frosinës, nënës së tij. Me këtë autori na jep kumtin e lig se vendin po e pushtonte një fatkeqësi tjetër, që do ta denatyronte njeriun, duke i marrë lirinë, në një mënyrë tjetër, pa ndjenjë, pa shpirt e pa asnjë kod moral, për një kohë shumë të gjatë. Por këtë herë, shkrimtaren, tashmë të njohur, do ta shpëtojë oficeri partizan, që e donte letërsinë, të cilit i kishin pëlqyer shumë librat e saj. Por ai kishte edhe një peng tjetër; donte te shpetonte nga pushkatimi Frosinën si nënë. Librat tani, në rrethanat e reja, ato ç’ka ajo kishte rrëfyer me aq ndjenjë dhe bukuri stili, nuk do të ishin fare aktuale. Pa dyshim librat e saj do të ndaloheshin, do të zhdukeshin nga duart e lexuesit, si të dëmshem. Kjo do të ishte edhe një “njollë” e fatkeqësi për gruan e bukur, shkrimtaren, që nuk besonte se ishte e tillë. Mbase kjo do të ishte edhe përmbyllje e fatalitetit të një gruaje, sa të pafajshme, aq edhe mëkatare. Adriano shpëton nga lufta. Por nuk ndodhet ne Shqiperi. Emrin e Frosinës e ka hequr nga lista e të dënuarve me vdekje vartësi i Leonardos. I biri donte ta ekzekutonte vetë të ëmën. Vartësi e qorton; si mund të vritet një nënë? Leonardo, që tashmë mban një post të lartë, pajtohet që ekzekutimin të mos e kryejë vetë, por ia beson këtë shoqeruesit të tij. Janë vërtet çaste dramatike, kur duket se gjithçka do të mbarojë me aq, por jeta tregohet e mëshirëshme me Frosinën. Leonardo nuk do që të jetë i pranishëm në ekzekutimin e nënës së tij dhe largohet. Këtu autori bën një kthesë radikale. Në një gjendje tmerri, kaosi dhe amoraliteti të pafund, ai sjell diçka njerëzore. Adriano vjen nga Italia dhe, pas nje sage kërkimi gati të pashpresë, e gjen atë më në fund. Dhe i rrëfen gjithë historinë e sëmundjes së tij. Shoqëruesi i Leonardos nuk e kishte vrarë Frosinën, por e kishte fshehur në shtëpinë e tij. Faqet e fundit të librit janë nga më tronditëset.

    Në nënshtresat e këtij romani dashurie, në ato që Heminguej i quan nëntë të dhjetat e ajsbergut, lëvizin metafora dhe simbole poetike. Autori ka bërë kujdes që ato të fshihen nën rreshta, duke i dhënë mundësi lexuesit për një interpretim vetjak. Ky është një roman i lirizmit të thellë, i gjuhës elegante, i detajeve dhe i gjendjeve emocionale, që të lënë mbresa të forta.

    Shkrimtari Roland Gjoza, me këtë mbyllje të romanit, tërheq një paralele letrare dhe historike dhe kështu krijon ndërlidhjen e kohëve dhe të epokave ndërmjet tyre. Ai, nëpërmjet këtij motivi, na e kujton edhe njëherë frymën tragjike të kompleksit te Edipit. Autori këtu sikur na thotë se tragjedia e Edipit mbret, nuk i takon vetëm antikës. Ai na e sjell në vëmendje edhe njëherë se kompleksi i Edipit dhe fryma tragjike e tij, është e pranishme po aq edhe në kohën e sotme dhe të gjithëhershme të jetës dhe të dramës njerëzore!

    Mendoj se ky është një ndër romanet më të mire të letërsisë shqipe, botuar vitet e fundit,

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË