More
    KreuLetërsiBibliotekëMehmet Elezi: Amaneti, ku afrohet dhe ku dallohet nga besa

    Mehmet Elezi: Amaneti, ku afrohet dhe ku dallohet nga besa

    Isuf Barami, arkiv këngësh e kallëzimesh popullore në fëmininë time, e tregonte  Kangën e Ali Bukurisë [1] duke i shqiptuar fjalët kryeulët, me zë të njëtrajtshëm, sikur po  fliste me përtejbotën. Skenat me rrasën e vorrit që çohet nën hënën e natës së maleve, me engjëllin që shtrihet me e ruejtë gropën deri të kthehet i zoti që humb nëpër terrnajë, na ngadalësonin frymëmarrjen. Përfytyrimet mistike përplaseshin me hijeshinë e djalit. Për shkak të dramës dhe lëpesë së legjendës, bukuria e tij zdriste më fort në mungesë.

    Poema është krijim në stilin e epikës legjendare. Janë 374 vargje të bardha tetërrokëshe, të përthyera me ndonjë dhjetë a dymbëdhjetërrokësh. Ritëm i ngadaltë, i rëndë, si nëpër një vjeshtë rrafshnalte, ku fushëtirën e natës së thellë e thyen herë pas here shkreptima gjarpëruese e një reje: sekuencat me kalorësin e vdekur.

    Një lexim për së kiemi krijon përshtypje të rreme. Përshtypjen sikur Kanga e Ali Bukurisë  nuk është tjetër veçse degëzim i baladës Kostandini e Doruntina, motiv i njohur në Shqipëri dhe te arbëreshët e Italisë. I njohur edhe te grekët e sllavët e Ballkanit. Por Kanga e Ali Bukurisë shfaq e përcjell diçka tjetër, krejt tjetër. Aty përvijohet ngrehina e një institucioni moral me fuqi të pazakontë.

    Motor i veprimit dramatik te Kanga e Ali Bukurisë nuk është fjala e dhënë. Aq më pak Besa.

    Motor i veprimit dramatik te Kanga e Ali Bukurisë është Amaneti. Me sa ka vënë re autori i këtyre shënimeve, ende mungon një studim pak a shumë i plotë për Amanetin.

    Në kodin moral shqiptar përmbajtja e fjalës amanet u ngrit shumë mbi kuptimin fillestar. [2]  Gjuha shqipe ndjeu se lënda kuptimore kërkonte veshje gjuhësore tjetër dhe krijoi fjalën e përshtatshme ndorejetë.  [3]  Del në revistën Cirka, që botohej në Shkodër në vitet 1936 – 1939.

    Amaneti ose Ndorejeta është i afërt me Besën. Eshtë një lloj kushëriri i parë ose le të themi vëlla i saj. Vijat antropologjike në fytyrë u shëmbëllejnë, duken si të njëjta. Por kur i këqyr me vëmendje, përvijohen qartësisht ndryshimet.

    Janë tri dallime të qenësishme  ndërmjet Besës e Ndorejetës. A vihen re:

    1. në shtrirjen e autoritetit institucional;

    2. në strukturën e ndërtimit;

    3. në natyrën e aktorëve dhe në mënyrën e përfshirjes së tyre në veprim.

    T’i këqyrim më konkretisht.

    1. Dallimet në shtrirjen e autoritetit institucional

    Autoriteti i Amanetit ose Ndorejetës del tripërmasor.  Ushtrohet:

    – në tokë;

    – në nëntokë;

    – dhe në qiell.

    Thënë ndryshe: në këtë botë, në botën e përtejme dhe në botën hyjnore.

    Për të çuar në vend një amanet çohen në këmbë të gjallët; rishpirtëzohen të vdekurit e shpirtëzohen sendet; hyn në skenë vetë Zoti.

    Ndërsa autoriteti i Besës formalisht është dypërmasor. Ushtrohet në këtë jetë dhe në jetën e përtejme. Engjëjt dhe Zoti nuk shfaqen drejtpërdrejt me përmbushë një besë të dhënë. Nuk dalin si aktorë në skenë.  Prania e tyre nënkuptohet, por nuk shihet.

    Ndërhyrja e qenieve mitologjike ose e fuqive të mbinatyrshme është faktor tek Epi i Gilgameshit, tek Iliada, tek Eposi i Kreshnikëve, te Lahuta e Malcisë e Fishtës. Perëndi e gjysmëperëndi, orë e zana, dragoi e kulshedra. Në Kangën e Ali Bukurisë ndërhyrja qiellore është në shkallën më të epërme: në veprim hidhet drejtpërdrejt Zoti. Ai i jep shpirt dhe e ngjall Ali Bukurinë.

    Me urdhër të tij çelet varri.

    Me urdhër të tij engjëlli hyn në varr për sa kohë është e nevojshme.

    Me urdhër të tij Ali Bukuria nis me u sjellë si i gjallë.

    Emni  [4] i Zotit aty çka po ban

    Ia shtie shpirtin Ali Bukurisë 

    Me emën t’Zotit vorri â çelë

    Me emën t’Zotit Alia kanka çue!

    Ali Bukuria ngjesh armët, niset me e përmbushë  amanetin. Gjoku hov, kërcen pup mbi avlli. Bën “krismë të madhe”, thua vrau reja diku. 

    Kah kthehet me motrën, Ali Bukuria kalon përskaj “nandë vorreve”, ndalet tek i veti. Gropa çelet. Gjatë tërë kësaj kohe paskesh qenë e banuar. Në mendësinë popullore “vorri nuk lihet thatë: po hoqe eshtnat n’atë gropë, duhet me shti dishka, bare nji shishe me ujë”. [5] Por aty s’ka enë me ujë. Aty është meleqi, engjëlli. Ka dy muaj e një natë, kaq sa zgjati rruga kthyese, vajtje-ardhje, që rri shtrirë në vend të tij. Ia ruan varrin.

    Shenjtëria e varrit del edhe në Kangët e Kreshnikëve. Në mungesë të të zotit, dikush duhet me e ruejtë.

    Del ndoiherë për me lodrue

    Bje ndër gurra me u freskue

    Kërkoji majet bashkë me zana

    Se ty vorrin ta rue nana

    More i miri i nanës-o!

    Janë fjalët e Ajkunës për të birin te Ajkuna kjan Omerin.

    Shenjtëria e varrit shprehet edhe në bé të moçme. Pasha vorrin. Pasha vorrin e babës. Pasha rrasën e vorrit! Pasha natën e vorrit!

    Dhe deri në mallkime. Mos e lashtë vorri mbrenda! Iu rrenoftë (harroftë) vorri!

    Tash e mbrapa je i lirë, i thotë engjëlli Ali Bukurisë, kur sheh se e pruri të motrën. “Amanetin e kie la!”. E këshillon me ba edhe një veprim të fundit,  me e përcjellë motrën deri në oborr të shtëpisë. Dhe pastaj:

    Ti n’oborr kie me dredhë

    Ti, me ardhë në vorr me hi!

    Mbyllet rrasa e varrit.

    Engjëlli gjithnjë aty, duke e ruajtur. Me emer të Zotit, me urdhër të tij. Deri sa të kthehet banori i vet, Ali Bukuria.

    2. Dallimet në strukturën e ndërtimit

    Besa:

    Në njërën anë, ai që lyp besë.

    Në anën tjetër, ai që jep besë.

    Kjo është struktura klasike. Besa ndërtohet përgjithësisht mbi këtë strukturë,  mbi një marrëdhënie dypalëshe të vullnetshme. [6]  Burri, të cilit i lypet besë, edhe mund të mos e japë. Eshtë në të drejtën e tij me dhanë ose mos me  dhanë besë. Vetëm për rastet e gjakut, që janë specifike, [7] Kanuni Kanuni i Lekë Dukagjinit thotë “me dhanë besë asht detyrë e burrni”. Dhe nuk shkon më tej. 

    Detyrimi i njëmendtë nis pasi jepet besa. Duhet me e mbajtë në daç i gjallë, në daç i vdekur. Te Kostandini e Doruntina ai s’i ka mbajtur motrës në të gjallë besën e dhënë dhe çohet prej dheut me e përmbushë. Besa në rast lufte vëllazëron edhe familjet në gjak. Kanuni saktëson se “gjaksit në këtë rasë bahen shokë e vllazën me ata qi luftojnë krahas kundër anmikut të përbashkët deri në ditë të shenjueme prej beset lidhun”.

    Amaneti:

    Te Amaneti është ndryshe. Aty s’ka marrëdhënie dypalëshe të vullnetshme.

    Ai që i le dikujt një amanet, ia le në mënyrë krejtësisht të njëanshme, pa  pyetur e merr a nuk e merr përsipër. Tjetri vihet para faktit të kryer. Kur dikush thotë amanet ta paça lanë, s’ka vend me shnotë, me u mëdyshë. Amaneti i lënë shndërrohet në detyrim të prerë. Thuhet “me la amanetin”, siç thuhet me la një përlim, një borxh. Por ky nuk është borxh dosido.

    Amaneti peshon më rëndë se jeta.

    Më rëndë se vdekja.

    Amanetin as deti nuk e mban, e qet në ledinë. Amanetin s’e tret (s’e mban) dheu. Amaneti ngjall të dekunin. Amaneti shterr detin.

    Kjo strukturë me detyrim të njëanshëm spikat te Kanga e Ali Bukurisë.

    Motrës së martuar në tretdhé s’i teren lotët, vëllezërit nuk po shkojnë me e marrë në tëpanë. Një miku të vëllait i bie rruga asajt, ai përsërit skemën e njohur: vëllezërit janë ngujuar për shkak të një gjaku. Motra nuk heq dorë nga dëshira me e pa gjininë e vet:

    Amanet ta paça lanë

    Me m’i thanë Ali Bukurisë

    Mos me e lanë kurrqysh pa më marrë në tpanë

    Amanetin ty ta paça lanë!

    Kumti është në dy vargjet e mesit, por rëndesa është te i pari dhe i katërti, që nuk janë veçse i njëjti varg i përsëritur. Kërkesa e motrës hapet e mbyllet me të. Në vargun e fundit theksi bëhet edhe më i fortë, amaneti del në trajtën e shquar: amanetin ty ta paça lanë!

    Barra e ndorejetës nuk bie mbi vëllain, si te Kostandini e Doruntina.

    Bie mbi shpatullat e një të treti,  që rastësia e ka hedhur aty dhe krejt papritmas e sheh veten në skenë.  Këtë rol ai s’e ka lypur dhe s’e ka dashtë, por ia lënë në derë pa i marrë miratim. Ngjau si ngjau, tashti je brenda, është amanet. Eshtë detyrim përmbi gjithçka tjetër. Shpatullat i përvëlojnë prej peshës së rëndë. Amaneti – gur mulliri. Vihet fill për udhë, ec një muaj pa u ndalur dhe i bie “kah vorret”. Çka me ba me ndorejetën? I është lënë për një të gjallë, i gjalli nuk është më, kujt me ia përcjellë, qysh me u lirue prej barrës?

    Amanetit s’po din kah me i dhanë!

    Nëse flasim me gjuhën e medias së sotme, ndihet si me pasë në duar një valixhe me ngarkesë bërthamore. Prej saj mund të çlirohet vetëm duke e dorëzuar në vendin e duhur, sipas një protokolli tepër të rreptë teknik. Ku është ky vend?

    Kumti në fund të fundit është për Ali Bukurinë. Eshtë në këtë jetë a në atë jetë, ç’rëndësi ka? Ndorejeta  fshin kufijtë midis dy jetëve. Mjafton që Ali Bukuria ndodhet diku dhe ka një adresë. Banesa e tij quhet varr. Aty duhet me cokatë. Aty mund të shkarkohet ndorejeta.

    Ti si je Ali Bukuria

    Amanet motra të ka çue

    Në tpanë motrën për me e marrë

    Amanetin ty ta paça lanë!

    Valixhja e tmerrshme shpërthyese lëshohet në vendin e duhur, te njeriu i duhur. Menjëherë përgjegjësia i kalon atij njeriu.

    I lehtësuar, i gjalli ngihet me frymë. Del prej skene.

    Në vend të tij në skenë hyn një i vdekur. 

    Ndryshe nga sa ndodh te Kostandini e Doruntina, vëllai këtu nuk i kish dhënë besë motrës në të gjallë të tij; kurrkund në Kangën e Ali Bukurisë nuk flitet për ndonjë premtim a marrëveshje me të. Por ky fakt nuk ndryshon gjë. Detyrimi është njësoj madhështor, i tejjetshëm, motra sapo i la amanet, nëpërmjet një të treti. Kaq mjafton që eshtrat të lëvizin në dhé, ashtnimi  (skeleti) nis me u lidhë e me u mbushë, duke rimarrë trajtën e shtatit të njeriut të gjallë, që fillon me veprue.

    Ndryshe nga detyrimi i besës, detyrimi i ndorejetës bie në mënyrë arbitrare. Arsyeja është madhore. Madje hyjnore.

    Ndorejeta, si rregull, është pjellë e një rrethane tejet tragjike. Lënësi i amanetit i ka të gjitha dyert mshelë, gjithçka e mbyllur, e drynuar, as shteg as dritë nuk duket kund. Ai mund të jetë duke ndërruar jetë ose në gjendje pa kurrnjë shpresë. Mundësia e fundit është amaneti. [8] I le amanet një të njohuri ose të panjohuri, cilitdo që ndodhet aty afër ose e qet rruga pahiri asajt.

    Tjetërgjë ndodh me besën. Ajo jepet në rrethana dramatike, por jo domosdo tragjike. Rrethanat në të cilat lypet besë ose jepet besë kanë hije të rëndë, gjithsesi nuk janë pa një rrugëdalje. 

    Çkado qoftë a kushdo qoftë, me t’iu ngarkuar amaneti, nga i rastësishëm shndërrohet në protagonist. Tashmë e mbush i vetëm skenën. Të tjerët mbeten figurantë.

    Amaneti është shumë më tepër se dëshira e fundit (la dernière volonté).

    Siç është edhe besa shumë më tepër se fjala e nderit (la parole d’honneur).

    Amaneti nuk është thjesht dëshirë. Eshtë thirrje për jetë a vdekje, është kushtrim, SOS në detin e çartur të jetës.  Eshtë mundësia e fundit për jetën ose për diçka që vlerësohet si jeta, më fort se jeta. Eshtë vullnet i Qiellit. Në Bibël thuhet: “Zoti i mbron të pambrojturit”.  Amaneti del si zgjatje dore e Zotit për të pambrojturin në një ditë të zezë tej çdo përfytyrimi.

    Filozofia që përshkon amanetin, ndorejetën, përputhet me filozofinë e librave të shenjtë “Zoti i mbron të pambrojturit”.

    3. Dallimet te aktorët dhe natyra e tyre

    Besa:

    Besa ka të bëjë me banorët e kësojetshëm. Vetëm një i gjallë lyp besë. Dhe vetëm një i gjallë mund të japë besë. Një të vdekuri mund t’i përmendet besa vetëm në qoftë se e ka pasë dhënë në të gjallë dhe ka ndërruar jetë pa e përmbushur dot. Pra vetëm si detyrim i prapambetur, si përlim që nuk është larë.

    Amaneti:

    Amaneti mund t’i lihet drejtpërdrejt edhe një të vdekuri. I lëshohet si gur te varri. Amanetin ty ta paça lanë!, i thotë Ali Bukurisë me shtatin e dêjun (tretur) në dhé miku që kish bujtur te shtëpia e së motrës.

    Amaneti mund t’i lihet edhe një kafshe.

    Amaneti mund t’i lihet edhe një sendi.

    Te Amaneti  natyra e aktorëve është në konflikt të përhershëm me kufijtë e botëve. Nuk i pranon. Nuk njeh kurrfarë gardhi a muri ndërmjet tyre. I shpërthen, i thyen të gjithë. Përmasat shtrihen pafundësisht në tokë e në qiell. 

    Në disa degëzime të baladës, mbledhur në Has e në Kukës, [9]ku Ali Bukuria dhe e motra dalin me emra të tjerë,  amaneti i lihet ku një korbi e ku një kaçubeti.

    Halili i lidhur këmbë e duar, te Martesa e Halilit, i qitur në log me u therë si berr faqe tërë krajlisë, s’ka kurrfarë hapësire me i çue fjalë Mujës. [10] Mundësinë ia krijon Ndorejeta. I drejtohet një zogu, që këndon në degë:

    Amanet more zogu i malit

    A ke flatra me fluturue?

    Pashë njat degë ku rri pushue

    Falëmeshndet Gjeto Basho Mujit

    E atë gjumi n’e pastë xanë

    Kurr kryet shndosh o mos e çoftë

    Për n’kjoftë bjeshkëve kah çeton

    Kurrë te shpija shndosh mos voftë

    E për n’kjoftë kund ksajt tuj ndi

    Kurrë ma ngushtë vedin s’e di!

    Në jetë ka ndodhur e papërfytyrueshmja: shpirtëzimi i sendeve e vetëdijesimi i kafshëve si përmbushje e një ndorejete në mbrojtje të të pambrojturit, janë pranuar e janë marrë të mirëqena edhe në të drejtën dokesore, ku nuk vepron fantazia si në krijimtarinë artistike, por vendos matematika e ligjit. Në shkrimin Besa e gjâsë e e çobanit, në pjesën me nëntitull Ndorja e skjapit të kumbonës, [11] Gjeçovi përshkruan një ngjarje të ndodhur në Mirditë. Në mënyrë të përmbledhur:

    Një burrë në gjak kalon malit me drojën se mund ta vrasin në pritë, ndaj i thërret dy-tri herë një çobani diku asajt, për me i lypë ndore. Meqë çobani nuk dëgjon e nuk përgjigjet, udhëtari i thotë sqapit të kumbonës: “O skjap i kumbonës, thuejmi tyt zot se po më gjeti gjâ pa kalue qafën e asaj kodre, ta dijë se i jam pre mik!”.  Sikur e kish parandier, burri pas disa hapash vritet në pritë. Një bari tjetër e kish dëgjuar rastësisht fjalën që i vrari ia kish lënë si amanet sqapit të kumbonës dhe i kallëzon të zotit të sqapit. I zoti i sqapit del dhe e vret vrasësin e udhëtarit që kish lypë ndore nëpërmjet sqapit. Pa e pasë njohur njërin as tjetrin. Pleqtë me kanun i dhanë te drejtë, ke vrarë dorasin, “mik i premë e mik i marrun”, thotë Gjeçovi. Çështjes iu vu mshelci (kapaku).

    Shihet se instituti i ndores funksionon edhe si amanet, që i lihet një njeriu ose një sendi. [12] S’ka ndarje të prerë midis tyre, nuk dallohet ku mbaron njëri e ku fillon tjetri. Siç mungon një ndarje e prerë edhe ndërmjet mikut, besës e ndores. Ndorja quhet mik ose dikush i marrun në besë. Premja e ndores quhet premje e mikut. Këto institute përshkohen prej së njëjtës frymë ose filozofi. Parimet e Kanunit Atë Zef Valentini i gjen të mishëruara te “ndorja, mikpritja, gjakmarrja, dorzanija e amaneti (nënvizimi im – m. e.)”.

    S’kishte ndonjë amanet klasik me i shpëtue hebrenjtë. Nuk i kish thënë dikush ndonjë shqiptari po jua lë amanet këtë familje hebreje, këtë hebre të vetëm, kujdesuni për të, ma ruani, ma shpëtoni, amanet jua paça lanë.

    Megjithatë midis shpëtimit të hebrenjve dhe ndorejetës ka një lidhje të thellë, të brendshme. Po ajo filozofi që kishte strukturuar ndorejetën, po ajo frymëzoi shpëtimin e hebrenjve: mbrojtja e të pambrojturit; ruajtja e Jetës së Njeriut, e cila është dhuratë e  shenjtë e Zotit. “Zoti i mbron të pambrojturit”, shkruhet në Bibël.

    Thotë Nëna Terezë:

    Jeta është himn, këndoje…

    Jeta është jetë, mbroje” [13]

    Në sytë e shqiptarëve hebrenjtë ishin asgjë tjetër veçse njerëz të pafajshëm me qenie të kërcënuar, popull që ndiqej me u shfarue. Vendimi me u dalë zot pa pyetur për çmim buroi natyrshëm. Prej ndërgjegjes vetjake, prej ndërgjegjes kolektive.

    (nga libri Hebrenjtë dhe Republika e Kanunit)


    [1]  N. Lushaj (mbledhur e përgatitur për botim), Këngë popullore trimërie nga Tropoja, Tiranë, 2003.

    [2]  Sipas T. Dizdarit, Fjalori i Orientalizmave të Gjuhës Shqipe, fjala amanet, hyrë në shqip nëpërmjet turqishtes, në gjuhën arabe ka kuptimin zotim, ruajtje, besim. 

    [3]  M. Elezi, Fjalor i Gjuhës Shqipe, Gj. Fishta, 2006. Me sa duket edhe për shkak të rrethanave politiko-shoqërore, në të cilat u fut  Shqipëria me dhunë pas Luftës së Dytë, përhapja e fjalës ndorejetë mbeti e kufizuar.

    [4]  Emer, siç shtjellon Dizdari në fjalorin e cituar, është fjalë me gurrë arabe, hyrë në shqip nëpërmjet turqishtes, dhe ka kuptimin urdhër, porosi hyjnore. Duket se ka ndërhyrë fjala shqipe emër/ emën, prandaj herë-herë del edhe në trajtën emën, çka nuk është e saktë.

    [5]  Atë Kolë Berishaj, Malsia e Madhe, etnografi, Tiranë, Gj. Fishta, 2004.

    [6]  Në raste të veçanta edhe besa mund të jetë fryt përzgjedhjeje të njëanshme, jo i një marrëdhënieje dypalëshe.  Mësyn dikush me armë, i thua në besë tande, ai ndalet, ul pushkën. Por kjo ndodh fort rrallë, sepse ai që i bie në besë ndjekësit të tij nuk cilësohet trim. Në raste të tjera i kërcënuari mund të thotë jam në besë të akëcilit, duke përmendur një emër të njohur, dhe prapë s’guxon kush me e prekë, sepse bie në gjak me tjetrin. Në këtë rast instituti i Besës afrohet shumë ose përputhet me institutin e Ndores.

    [7]  Është fjala për besën që i jepet gjakësit me marrë pjesë në varrimin e viktimës së tij, edhe “me ndejë për drekë”. Kjo besë mund të zgjatë njëzet e katër orë deri në tridhjetë ditë.

    [8]  Herë-herë mekanizmi i amanetit vihet në lëvizje edhe për çështje që nuk janë përcaktuese për jetën, por kanë ndjeshmëri veçanërisht të lartë për lënësin e amanetit; mund të vihet në lëvizje edhe për sende shumë të çmueshme. Në librin e Fejzulla Gjabrit Legjenda të Drinit të Zi (Klubi i Poezisë, 2015),  një burrë tejet i varfër e kujton mikun e vet me një lakër – vetëm atë dhe zemrën kish, kurrgjë tjetër – këtë lakër ia le dikujt amanet me ia çue mikut.  Po aty një udhëtar që bujt në Hanin e Kalasë së Dodës le amanet me ia ruejtë strajcën me pare (ia le një bolle në grazhd të hanit, ajo ia ruan). Te ky rast dëshmohet sërish edhe vetëdijësimi i kafshëve për ndorejetën.

    [9]  Epikë Legjendare nga rrethi i Kukësit, mbledhur nga Sh. Hoxha, Tiranë 1983.

    [10]  Në Këngët e Kreshnikëve, edhe në botimin origjinal Visaret e Kombit, në të njëjtën poemë ndeshen njëkohësisht trajtat Muja, Muji, Mujo. Autori mendon se trajta e saktë është Muja. Shih Çeto Bashe Muja kundër Gjeto Basho Mujit në librin e M. Elezit Kush i nemi “Bjeshkët e Nemuna”, ALSAR, 2017.

    [11]  Akademia e Shkencave e RPSSH, E drejta zakonore shqiptare, Tiranë 1989.

    [12]  Vërehet edhe në mënyrën e formimit të fjalës ndorejetë, prej ndore + jetë,  jetë e marrun me ndore.

    [13]  Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, Mësomë të dua, Prishtinë, Rozafa 2003. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË