More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFjollë Mehmeti: konflikti shqiptaro-serb në dy skajet e një shekulli (“Një roman...

    Fjollë Mehmeti: konflikti shqiptaro-serb në dy skajet e një shekulli (“Një roman i pamundur” i Besnik Mustafajt)

    Besnik Mustafaj është poet, romancier e eseist, përveç jetës letrare një rol të veçantë te ky krijues luajti gjithashtu jeta politike. Nga viti 1992 shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Francë. Autori në fjalë është krijues i disa veprave si: “Motive të gëzuara”, “Bishti i kometës”, “Pragu i verës”, “Ëndrra e doktorit” etj. Me veprën, “Daullja prej letre” ka fituar çmimin Mesdhetar për letërsi. Së fundmi Besnik Mustafaj ka botuar sprovën letrare të titulluar “Një roman i pamundur”. Një ndër problematikat fillestare me të cilat ndeshet lexuesi në krijimin e lartpërmendur do të jetë përcaktimi i llojit, të cilit i përket ai krijim letrar. Teksti i mësipërm nuk është një roman, por që vendos shenja të një romani. Që në vështrim të parë ne ndeshemi me titullin e krijimit, e  në realitet e gjithë brendësia ndërlidhet me atë çfarë përkufizon vetë titulli i saj. Besnik Mustafaj bën shpërfaqjen e manovrimeve të ndryshme mbështetur në dy ngjarje, të cilat në njërën anë paraqesin luftën serbo-shqiptare, e në anën tjetër orvatjet e vet autorit për romanin e dëshiruar, por, të pamundur… E pamundura nuk lidhet drejtpërdrejt me pamundësinë letrare, por që ka të bëjë me aspekte joletrare.

    Struktura në funksion të semantikës

    Krijimi “Një roman i pamundur” i Besnik Mustafajt shquhet për strukturën e shpërfaqur, e cila vihet në funksion të përmbajtjes. Konflikti shqiptaro-serb, është trajtuar në shumë vepra të letërsisë shqipe, por që tekstin e autorit në fjalë e bën të veçantë forma, stili, mënyra se si ai ka zgjedhur të sjellë për lexuesit një formë të re, të një problematike të vjetër. Që në ndeshje të parë me tekstin lexuesi arrin të etiketojë tendencën e autorit për të tërhequr vëmendjen përmes: titullit, formës, lojës që ai ofron. Për një qasje të tillë, autori pati ndikim nga poetika postmoderne. Shenja të një këndvështrimi të tillë janë të dukshme, duke filluar nga forma e tërsishme që shpërfaq vepra, inkuadrimi i interteksteve të shumta e mbi të gjitha të folurit për procesin krijues, që në terminologjinë postmoderne njihet si fundi i magjisë (poioumenon). Në shkrimet e mëhershme vepra vinte thjesht si rezultat, Mustafaj bën të kundërtën, në qendër vendos procesin krijues, kështu duke lënë hapësirë për inkuadrim edhe të vetë lexuesit. Fokusi në një element të tillë, i jep risi, veçanti tekstit. Krijimi i Mustafajt tejkalon format e zakonshme, përqëndrimi nuk është te personazhet, përmbajtja, por te forma e cila i shërben semantikës. Ajo se çfarë e karakterizon veprën ka të bëjë me vendosjen, tekst mbi tekst. Krijimi i ri realizohet mbi rimarrjen, më konkretisht duke u mbështetur në dy tekste bazë; tekste këto që në esencë trajtojnë konfliktin shqiptaro-serb. Storia e dytë e vitit 1999 bëhet arsye e rikthimit në kujtesë të ngjarjes së vitit 1914. Në aspektin kohor, dy ngjarjet përfshijnë shekullin XX, më saktësisht dy skajet e këtij shekulli.

    Me një vështrim të parë lexuesi vëren se vepra nuk ndjek një linearitet, por që në vazhdimësi bëhet lëvizja para-prapa. Një teknikë e tillë tërheq vëmendjen e lexuesit, përmes lojës e cila realizohet nga elementi i kohës. Në aspektin strukturor elementi kohor e shquan krijimin në fjalë, autori na ofron dy pamje: në njërën anë vendos kohën që përfshin dy ngjarjet dhe në anën tjetër kohën e cila inkuadron vitet e orvatjes së autorit mbi të njëjtin sinopsis. Nga pozicioni i së tashmës bëhet inkuadrimi i të kaluarës, përmes perspektivës narrative personale, gjegjësisht narratorit të vetës së parë i cili identifikohet drejpërdrejt me vetë autorin. Qasja narrative më tepër ndërlidhet me tekstet bazë, rimarrjet ndërsa vepra në tërësi më tepër se rrëfim është një lloj komentimi i teksteve, duke i vendosur këto të fundit në disa këndvështrime. Autori rimarrjen në rastin e parë e sjell si parafrazim ndërsa në rastin e dytë si citat dhe më tutje manovron përmes këtyre dy teksteve. Komentimi i Mustafajt vendoset paralelisht me rimarrjet, ku njëkohësisht kemi ndërfutjen e këtyre dy elementeve.

    Euridicioni është një karakteristikë tjetër e poetikës postmoderne, një gjë të tillë e vërejmë edhe në veprën e Mustafajt. Autori pothuajse në secilën situatë arrin të inkuadrojë lidhshmëri, analogji me tekstet tjera. Ky veprim i tij e bën veprën njëkohësisht komplekse dhe të veçantë. Në aspektin letrar pikëtakimet e tilla të cilat i bën autori, cytin tutje zhvillimin e situatës si dhe vendosin pikëpyetje, dilema te lexuesi. Një gjë e tillë është e dukshme në përafritë që autori gjen  në mes të luftës greko-trojane si dhe asaj shqiptaro-serbe. Autori bën rikuptimësim të rimarrjes, duke e vendosur atë në një kohë më të vonshme, në një problematikë të re që në tërësi ka analogji, por që veçohet përmes karakteristikave individuale. Këto dy histori nuk i bashkon fundi i tyre, autori lë hapur mundësinë që ndoshta edhe problematika shqiptaro-serbe do të kalojë në një mitologji, ngjashëm me atë greko-trojane. Në disa raste të tjera autori rimarrjen e lë në të njëjtin nivel, duke e shfrytëzuar thjesht në kuptimin e parë. Një gjë të tillë e bën përmes inkuadrimit të veprës “100 vjet vetmi” të autori Gabriel Garsia Markezi. Qasja vihet në funksion të procesit krijues, Besnik Mustafaj dëshiron që edhe krijimi i tij të përfshijë polifoni, disa këndvështrime njëkohësisht, ngjashëm siç ndodh te vepra e Markezit. Rimarrja nuk qëndron vetëm në këtë nivel, më tutje autori rikuptimëson interteksin e shtratit të Prokrustit, duke e vendosur një element të tillë, në shërbim të shpërfaqjes së politikës totalitare.

    Në pamje të tërsishme, inkuadrimet intertekstuale e plotësojnë veprën në aspektin psikologjik, duke paraqitur dilema, pikëpyetje të mëdha, e mbi të gjitha ndërlidhen me vetë thelbin e tekstit, mundësinë apo pamundësinë krijuese. Një element të tillë Mustafaj e bën fundamental, duke manovruar përmes një çështje të tillë, e si rezultat i këtij manovrimi sjell në jetë krijimin “Një roman i pamundur”, që nga kritika më tepër se roman, është parë si një projekt-roman, që vendos shenja të një romani lehtë të realizueshëm. Të gjitha elementet stukturore si: koha, rrëfimi, komentimi, loja me tekstin bazë, vihen në funksion të aspektit semantik. Duke bërë paraqitjen e problematikës shqiptaro-serbe, që njëkohësisht obligon dhe pamundëson shkrimin për një çështje të tillë. Pamundësia krijuese nga ana e autorit Besnik Mustafajt, vjen si shkak i dy pikave kyçe: mosdëshira e nënvetëdijes për të shkruar diçka që më tepër i atribohet gjendjes emocionale, si dhe mosdëshira për të shkruar nën politikën e kohës.  Janë të gjitha këto elementet e lartpërmendura që e bëjnë realizimin e projekt-romanit të autorit Besnik Mustafajt.

    Dimensioni psikologjik dhe paralelizmi në veprën e Besnik Mustafajt

    Tërësia e veprës “Një roman i pamundur” karakterizohet përmes dilemës, pikëpyetjeve të shumta, hapësirave të vazhdueshme të cilat autori i inkuadron. Një perspektivë e tillë tekstin e dërgon drejt një dimensioni psikologjik. Një qasje kjo e cila bëhet pjesë fundamentale, që plotësohet vazhdimisht nga ana e autorit. Rol të veçantë në këtë pikë luan e jashtmja dhe e brendshmja, përplasja ndërmjet tyre sjell si rezultat përballjen e individit me vetveten. Në rastin tonë në një gjendje të tillë ndodhet vetë autori.

    “Nuk kam arritur dot deri më sot ta shkruaj këtë novelë dhe prapë s’jam i sigurt se do të arrij ta shkruaj një ditë, siç edhe e di se vullnetarisht nuk do të heq dorë kurrë prej saj”[1]. Citati i mësipërm e dëshmon mjaft mirë gjendjen. Një dilemë e tillë ka të bëjë me mundësinë dhe pamundësinë krijuese. Besnik Mustafaj përmes këndit të tij do të paraqes disa nga arsyet e mosrealizimit të romanit të cilin ai e dëshiron. Në të vërtetë e gjithë kjo perspektivë është një lojë e autorit përmes së cilës ai na sjell dy pamje:

    Realiteti i përballjes me të njëjtin sinopsis, për të sjellë një kryevepër

    Shfrytëzimi i një orvatjeje të tillë, për krijimin e veprës “Një roman i pamundur”

    Themi se autori përmes krijimit ka shfaqur edhe nuanca të realitetit, të përballjes për të sjellë një krijim, por që njëkohësisht e ka shfrytëzuar një manovrim të tillë për ta bërë esencë të veprës “Një roman i pamundur”.

    Një rëndësi dimensionit të lartpërmendur i shton figura e gjyshes. Heshtja e saj kishte ndikuar në botën e brendshme të autorit. Gjyshja nuk pranonte ndërhyrjen, ajo preferonte heshtjen. Një reagim i tillë dukej i paqartë në të kaluarën, por i zbërthyeshëm në të tashmen. Heshtja për autorin u bë një luftë në vetvete për të sjellë një roman apo novelë.

    Tërheqja e paraleleve do të jetë një ndër fokuset kryesore të autorit në fjalë. Besnik Mustafaj përmes një qasje të tillë inkuadron disa problematika njëkohësisht, që në vështrim të parë lexuesi arrin të kuptojë se krijimi në qendër ka dy histori tragjike të cilat pikëtakohen në të njëjtën dhembje. Përveç kësaj autori vendos në fokus dy fëmijë, të cilët janë përfaqësues të gjeneratës së re… Kjo është pamja kryesore e cila na jepet, por jo vetëm në këtë pikë, paralelet vazhdojnë tutje, ku kemi aspektin historiko-politik në njërën anë si dhe në anën tjetër poetikën socialiste (komunizmin) si ndikuese në qasjen ndaj sinopsisit.

    Paralelizmi kryesor i shpërfaqur është vendosja e dy ngjarjeve njëkohësisht, storie këto të cilat e plotësojnë njëra-tjetrën. Ngjarja e fundit e cila lidhet me vitin 1999 bëhet shkas i të kthyerit në kujtesë të ngjarjes së ngjashme, që ka ndodhur në po të njëjtin shekull, nga i njëjti agresor. Autori përmes një inkuadrimi të tillë bën të qartë për lexuesit se këto histori nuk janë të vetme, por janë vetëm dy nga historitë e shumta… Një gjë e tillë vërtetohet përmes dy historive të cilat përfshijnë dy polet, skajet e shekullit XX. Ngjarja e vitit 1914 inkuadrohet nga ana e autorit si një sinopsis i dëgjuar që në vegjëli; ku autori e vendos subjektin e shkurtër për lexuesin dhe më pas gjatë gjithë kohës manovron me të njëjtin subjekt. Përballja e autorit me sinopsisin realizohet nga disa këndvështrime, ndërsa rëndësinë tekstit ia shtojnë pyetjet retorike, pikëpyetjet e shumta të cilat vazhdimisht shtrohen nga autori…

    Kënga e Shog Sokolit ka në fokus figurën fëmijë, babain e tij si dhe banorët e fshatit Vuthaj. Në qendër autori vendos aspektin historiko-politik që ndërlidhet me agresorin serb, malazez. Banorët e fshatit detyrohen të hapin varrin e tyre të përbashkët dhe të përshëndeten me jetën. Në mesin e të rriturve ndodhet edhe fëmija 12-13 vjeçar, që i shton tragjicitetin këngës. Në njërën anë kemi dhembjen, trishtimin ndërsa në anën tjetër shpërfaqet kënga e kënduar nga Shog Sokoli, fëmija këndon disa minuta para vdekjes. Agresorët Serbë arsyetojnë veprimin e tyre si shkak i moskristianizimit të shqiptarëve. E vërteta është se një paraqitje e tillë ishte dhe mbetet thjesht një arsyetim, ndërsa realiteti nënkupton krejtësisht diçka tjetër. Dy ngjarjet e vendosura njëra pas tjetrës plotësojnë trysninë, torturën e shkaktuar… Masakra e vitit 1999 nuk përfshin arsyetim, fshehje, por paraqet rritjen e tensionit, tashmë nuk kursehet asgjë, madje pika më e dobët e shoqërisë bëhet qendra kryesore e agresorit. Në sinopsisin e parë fati i Shog Sokolit është vdekja, i njëjti fat nuk e pret Dren Cekën, ky i fundit shpëton në mesin e 21 viktimave. Ky paralelizëm që inkuadron njëkohësisht dy ngjarje,  që kanë në fokus, një shekull, një agresor dhe një gjenocid përfshin fajin, fatin dhe fundin tragjik të shqiptarëve. Historia e Shog Sokolit dërgon lexuesin në një trini të tillë të njohur, që nga antika Greke.

    Tërheqja e dy problematikave të tjera të cilat vendosen paralelisht ka të bëjë me sistemin diktatorial në njërën anën, dhe në anën tjetër luftën Serbo-Shqiptare. Përveç problemit me armiqtë Shqiptarët kishin gjithashtu një problem tjetër, që ka të bëjë me sistemin diktatorial; një gjë të tillë, torturë, mbyllje Besnik Mustafaj e shpërfaq përmes inkuadrimit të intertekstit nga mitologjia greke, që ndërlidhet me shtratin e Prokrustit. Interteksti autorit i jep hapësirë të përçojë përmes pak fjalëve diktaturën e Enver Hoxhës. Ndërlidhja e periudhës me shtratin, kohë kjo kur sistemi vendos dhe përshtat trupin për shtratin, përshtatet gjithçka përreth në dobi të kornizës politike.

    “Një keqardhje pa adresë. Ne ishim të mësuar tashmë të jetonim si njerëz pasivë, të cilët vëmendjen e tyre e pohojnë brenda hapësirës, që u jepet, një hapësirë e detyrueshme dhe e përcaktuar si liri..”[2] Një citat i tillë dëshmon mjaft mirë kufizimet me të cilat është përballë populli shqiptar, jo vetëm në kuadër të lirisë personale, por një mbyllje e tillë ishte mbi të gjitha mbi atë se çfarë servohej për lexuesit. Besnik Mustafaj sinopsisin e tij provon ta përshtat në raport me kohën, pasi që edhe ishte pjesë e saj. Te historia e vitit 1914 ai provon me radhë dy personazhet Shog Sokolin dhe babain e tij për protagonist të krijimit të tij, por nuk arrin realizimin, sipas tij nuk mund të shndërrohet në hero romani, dikush, që në realitet nuk ka qenë i tillë. Problemi kryesor qëndron te mungesa e heroit, në të vërtetë diçka tjetër jepnin personazhet e diçka tjetër kërkohej nga poetika socialiste. Këtu qëndron njëra ndër problematikat për mosrealizimin e romanit. Poetika e tillë kërkonte që vepra të ishte në shërbim, të bëhet shpërfaqja e personazheve bardh e zi etj.  Besnik Mustafaj provon realizimin e romanit edhe pas vënies në dyshim të poetikës socialiste, por që tani gjendet në një problematikë tjetër, e brendshmja gjegjësisht nënvetëdija bëhet shkak i mosrealizimit.

    Krejt në mbyllje të veprës autori për të ngritur lart figurën e shqiptarit, e vendos atë në përballje me karakterin serb. Pikërisht përmes një elementi të tillë tërheq dy kënde, për të realizuar kështu figurën e Dren Cekës. Besnik Mustafaj vendos në kontrast figurën e fëmijës dhe figurën e Ivo Andriqit. Në njërën anë figura e Dren Cekës përfaqëson popullin shqiptar, e në anën tjetër autori fokusin e vendos tek Ivo Andriqi, një shkrimtar i atillë si ky i fundit që luan me dy fytyra. Personi i lartpërmendur dhe figura të tjera të rëndësishme të kombit Serb shërbyen për të keqen, gjenocidin që u bë kundrejt popullit shqiptar. Në njërën anë cytin të keqen, e në anën tjetër ngrisin lart personazhet Serbe duke i shpërfaqur si shenjëtorë… Besnik Mustafaj demaskon një gjë të tillë. “Nuk rri dot pa përmendur veçanërisht njërin prej tyre, pa dyshim më të madhin, Ivo Andriç, diplomat i lartë i mbretërisë serbo-kroate dhe i komunizmit serbo-kroat dhe nobelist në letërsi. Shembull i mjaftueshëm. Ai ka shkuar aq larg sa të marrë pjesë edhe në hartime platformash të turpshme për t’u shërbyer politikanëve e policëve të çmendur, që duhej të kryenin shfarosjen e shqiptarëve nga Kosova, pastrimin e kësaj toke nga joserbët…”[3]. Autori thekson diferencën në mes të figurës fëmijë dhe përfaqësuesve me ndikim nga populli Serb, këta të fundit ishin shumë larg Dren Cekës.

    Përmes një këndvështrimi të tillë kemi arritur të sjellim dy çështjet themelore të veprës. Në njërën anë aspektin strukturor dhe në anën tjetër aspektin semantik. Një qasje e tillë na ndihmoi të kuptojmë veçantitë kryesore të veprës në fjalë.


    [1]  Besnik Mustafaj “Një roman i pamundur” shtëpia botuese Bard books, faqe 17

    [2]  Besnik Mustafaj “Një roman i pamundur”, shtëpia botuese Bard books, faqe 42

    [3]  Besnik Mustafaj “Një roman i pamundur”, shtëpia botuese Bard books, faqe 108

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË