More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKritika letrare mbi veprën e Nonda Bulkës

    Kritika letrare mbi veprën e Nonda Bulkës

    Nga Ermir Nika

    Nonda Bulka dhe vepra e tij letrare, për vetë këndvështrimin dhe optikën e trajnimit të dukurive jo vetëm kulturore, por edhe social-politike të Shqipërisë, zë pa dyshim një vend me rëndësi në kulturën e shkruar shqipe të shekullit XX. Për një trajtim sa më objektiv dhe të shumanshëm të këtij korpusi letrar dhe publicistik të krijimtarisë së tij, është e udhës të analizojmë me hollësi edhe disa nga tiparet më kryesore të formimit të tij që ndikuan drejtpërsëdrejti në konsolidimin e mëtejshëm të personalitetit të tij letrar dhe intelektual.

    Nonda Bulka u lind në fshatin Leusë të Përmetit në vitin 1906. Vazhdimi i studimeve dhe përfundimi me sukses i tyre në Liceun Kombëtar të Korçës mbetet një ndër periudhat që i dha ndihmesën e nevojshme në marrjen e njohurive të duhura të një kulture dhe formimi të përgjithshëm akademik.

    Duke aspiruar më tej në udhën e gjatë të dijes dhe formimit profesional, ai i thelloi edhe më tej dijet e tij duke ndjekur studimet e larta për drejtësi dhe për letërsi në Francë. Në këtë kohë Bulka u njoh në mënyrë më të drejtpërdrejtë me gjuhën, kulturën, rrymat, idetë dhe lëvizjet e mëdha politike dhe shoqërore që gëlonin jo vetëm në Francë, por në krejt vendet e zhvilluara europiane. Kjo periudhë përkon me konsolidimin e mëtejshëm intelektual të tij, si dhe nxjerr në pah ndikimin nga kultura, emancipimi shoqëror dhe idetë përparimtare të kohës të cilat ai jo vetëm i përqafoi, por edhe nisi t’i pasqyrojë në shkrimet e tij letrare dhe publicistike të botuara në shtypin periodik të kohës në Shqipëri. Edhe pse i zhvendosur në një vend të huaj, Nonda Bulka, ashtu si shumë intelektualë dhe atdhetarë të tjerë, nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet e tij më Shqipërinë, me zhvillimet e saj, duke jetuar me shqetësimin për përshkallëzimin e gjendjes së vështirë social-ekonomike që mbizotëronte në të në gjysmën e parë të shekullit XX. Në këtë periudhë emri i tij spikati në shtypin shqiptar të viteve ’30 jo vetëm për origjinalitetin e tij krijues të vënë re në shkrimet letrare e publicistike, ku shkëlqeu me talentin, stilin origjinal dhe satirën problematike, por edhe për këndvështrimin dhe demaskimin e vazhdueshëm të realitetit shqiptar i cili, para së gjithash, shfaqte shenjat e një shoqërie të pacivilizuar dhe në shpërfytyrim të vazhdueshëm të qenies njerëzore. Nonda Bulka u njoh në letërsinë e viteve ’30 me pseudonimin Chri-Chri. Shkrimet e tij, fejtone e skica, arriti t’i përmblidhte më 1934 në vëllimin Kur qan e qesh bilbili, vepër e cila u ribotua në vitin 1962 e më pas në vitin 1967 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Gjithashtu, ai botoi më pas edhe proza poetike, skica humoristike e disa përkthime nga letërsia franceze, në të cilat kulmon shqipërimi i romanit Evgjeni Grande, një vepër kjo tejet e rëndësishme e shkrimtarit të shquar francez Honore de Balzak. Nonda Bulka zotëronte vetinë e shumë shkrimtarëve dhe publicistëve të shquar, i cili me anë të gjendjes intuitive arrin të njohë dhe të depërtojë në problemet më nevralgjike të jetës së përditshme shoqërore, duke i veshur dukuritë e ndryshme dhe paradokset e kohës me ironi e sarkazëm të theksuar, duke mundur në këtë mënyrë të bëjë autopsinë jo vetëm të shoqërisë ku ai bënte pjesë, por edhe të mentalitetit të trashëguar dhe vizionit të zbehtë të individit përballë sfidave të kohës. Në krejt gjeneratën e shkrimtarëve dhe publicistëve që publikuan shkrimet e tyre përgjatë viteve ’30, të bie në sy veçanërisht se si në shkrimet e Nonda Bulkës ashtu edhe te Migjeni më vonë, në krijimtarinë e tij do të pasqyrohet mjerimi, zymtia e jetës së vegjëlisë shqiptare me krijime tronditëse, si Mëm` e bir, Lipësi, Njeriu misterioz etj., si demaskim i hapur për padrejtësinë sociale dhe duke synuar në këtë mënyrë ndërgjegjësimin mbarëshoqëror për të mos lejuar më tej deformimin e karakterit njerëzor dhe diferencat e mëdha që viheshin re në shtresa të ndryshme të shoqërisë. Për energjinë dhe shpejtësinë me të cilën ai iu përgjigj kërkesave të ditës, për shumëllojshmërinë e problemeve që trajtoi, për qartësinë e mendimit, ai dallohet nga shumë bashkëkohës të tij. Nonda Bulka është vlerësuar nga kritika letrare e para, por edhe ajo e pasluftës, si një ndër shkrimtarët e parë të viteve `30 që me krijimet e tij solli kritikën e drejtpërdrejtë, protestën e hapur kundër regjimit të Zogut, demaskimin e shoqërisë së prapambetur feudale, një qëndrim të prerë antiklerikal si dhe denoncimin e politikës antishqiptare të kohës, motive këto që më pas u trajtuan pothuaj nga të gjithë autorët e rinj të viteve `30, sidomos nga Migjeni. Por disa herë ai s’arriti të shmangte përsëritjet e disa motiveve e temave dhe nuk i shpëtoi një fryme të plotë mohuese e ndonjë toni pesimist. Në tërësinë e veprës së tij publicistike ndihet e tërë koha, realiteti objektiv i Shqipërisë, por, sidoqoftë, ajo mbetet brenda kufijve të fejtonit e skicës, ashtu si ajo e Qemal Stafës dhe e Veli Stafës. Megjithatë, ajo që duhet pohuar duke analizuar krejt atë gamë të gjerë të krijimtarisë së viteve ’30, ka të bëjë me treguesin që hedh dritë mbi misionin që u ndërmor në kulturën shqiptare falë krijimtarisë së kësaj gjenerate krijuesish ku një rol të veçantë luajti edhe krijimtaria e Nonda Bulkës. Në këtë kontekst, mund të thuhet se lëvrimi i letërsisë së tyre pati rëndësi dhe ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe përsosjen e mëtejshme të prozës artistike. Kjo krijimtari, duke përvijuar tiparet, qoftë edhe fillestare, të një letërsie militante, solli në tregim temën e ditës, ndihmesën për thellimin e realizmit kritik dhe për afrimin gjithnjë e më shumë të letërsisë me jetën, të gjuhës së saj me gjuhën e gjallë e të përditshme.

    Nëse do ta përqendrojmë vëmendjen pikërisht te shkrimet e botuara nëpër organe të ndryshme të shtypit të viteve ’30, përveç disa motiveve me karakter të përgjithshëm – morali dhe varfëria, të trajtuara si pjesë të realitetit shqiptar të kohës – vëmë re edhe tri motive kryesore: së pari, shkrimet që kanë të bëjnë me kulturën dhe me letërsinë në veçanti. Në këtë aspekt, duke u rrekur të bëjmë edhe pak teori letrare, kuptojmë se Bulka iu kujton dhe ndërgjegjëson shkrimtarët dhe poetët e talentuar mbi rolin e letërsisë dhe iu bën thirrje atyre të lidhen me realitetin e varfër dhe dramatik që karakterizon jetën sociale të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Së dyti, shpalosen shkrimet me karakter fetar. Në këtë rast ai përpiqet që të gjejë një raport midis misticizmit fetar dhe realizmit, duke u ndikuar në mënyrë të dukshme edhe nga formimi i tij ateist. Së treti, në shkrimet me karakter të plotë antifashist ai rreket të ndërgjegjësojë shoqërinë shqiptare të asaj kohe se ç’përfaqësojnë fashizmi dhe nazizmi për paqen botërore, duke nxjerrë në shesh lakuriqësinë tregtare dhe ç’njerëzore të konflikteve me karakter sundues e asimilues.

    Nonda Bulka dhe krejt arsenali i tij letrar ka qenë në fokusin e vlerësimit dhe gjykimit të kritikës letrare. Ai edhe sot, kur po mbushen katër dekada nga vdekja e tij, radhitet si një ndër emrat e shquar ku vëmendja e kritikës ka qenë e përhershme dhe e kudondodhur, në të gjitha trevat ku është folur, krijuar dhe menduar në gjuhën shqipe. Që me daljen në dritë të librit Kur qan e qesh bilbili në vitin 1934, vëmë re se edhe reagimi i kritikës nuk ka vonuar të shfaqet për individualin e ri krijues që po shfaqej në letrat shqipe.

    Dy fjalë Chri-Chri-ut është ndoshta i pari shkrim i kritikës mbi krijimtarinë e Nonda Bulkës me autor Polikseni Mihalin, i botuar në Nr. 4 të gazetës Rilindja, më 14 nëntor 1934, f. 5-6. Në këtë shkrim, ndër të tjera, të bien në sy këto mendime dhe vlerësime ndaj krijimtarisë së saponisur të Chri-Chri-ut: Penda jote, i nderçëm Zotni, është e re, sikurse jini dhe vehtë i ri, por besimi i jonë n’atë është i math, se shohim një përparim kohë më kohë, që na mbush plot shpresa në të ardhmen. Më tej, po në gazetën Rilindja, njihemi edhe me editorialin e këtij organi në të cilin në artikullin Pak fjalë mbi veprën e Chri-Chri-ut, vlerësohen dhe dalin në pah disa nga tiparet dhe karakteristikat kryesore të përmbledhjes Kur qan e qesh bilbili.

    Kohë më vonë, një tjetër shkrim do të tërheqë vëmendjen e opinionit publik dhe veçanërisht të qarqeve letrare, i titulluar Kur e heq barku bilbilë – Ekzistenca e Perëndisë e provuar pa një pa dy, e autorit Terentius Pika, botuar në Gazeta e Korçës, Nr. 2220, 24 prill 1935, f.1.

    Në këtë shkrim trajtohet kryesisht raporti ekzistues ndërmjet Perëndisë dhe Nonda Bulkës, pikëpamjet e tij ateiste si dhe ndikimi i besimit në psikologjinë dhe jetën sociale të vendit. Autori i këtij shkrimi mjaft interesant dhe shpotitës ka parapëlqyer që mendimin e tij mbi veprën në fjalë ta përmbyllë më fjalët: Pastë uratën z. Chri-Chri se do të na zinte gjumi dhe Perëndia i shtoftë inatin!

    Një analizë të hollësishme, duke e shtrirë në një diapazon më të gjerë dhe duke shqyrtuar të gjithë faktorët kryesorë dhe elementet përbërëse që ndikuan në konsolidimin e personalitetit krijues të Nonda Bulkës, i ka kushtuar studiuesi Mark Gurakuqi me rastin e ribotimeve të veprës Kur qan e qesh bilbili në vitet 1962-1967. 

    Në vitet që pasuan emra të shquar të letërsisë, kritikës dhe studimeve letrare dhanë një kontribut të shquar në nxjerrjen në pah dhe përurimin e vlerave letrare, estetike, dhe humane që përcilleshin në kulturën e shkruar si dhe në mendimin shqiptar nëpërmjet penës së Nonda Bulkës. Ndër këta emra do të veçonim: Nonda Bulka për fëmijët nga Bedri Dedja, 70-vjetori i lindjes së Nonda Bulkës – 40 vjet shkrimtar, publicist, pedagog nga Fatmir Gjata, 40 vjet veprimtari letrare e Nonda Bulkës nga Llazar Siliqi, gjithashtu studiuesi i mirënjohur i kohës Myzafer Xhaxhiu në shkrimin Polemika me shoqërinë dhe artin zyrtar të kohës para Çlirimit në veprën e Nonda Bulkës, botuar në gazetën Drita më 07.06.1981, si dhe me shumë shkrime kritike të botuara nga prof. Xhaxhiu mbi veprimtarinë krijuese të Nonda Bulkës, si: Satirizues i mprehtë dhe pohues entuziast ose Në 40-vjetorin e shkrimeve të para të Nonda Bulkës, duke vijuar më tej edhe me studimin hyrës me rastin e botimit të veprës letrare në tri vëllime të Nonda Bulkës, i cili mbetet një ndër njohësit më të mirë dhe studiuesit më seriozë të krejt veprimtarisë letrare dhe publicistike të Nonda Bulkës. Në të njëjtën kohë, një tjetër studiues i njohur, Vehbi Bala, e ka drejtuar optikën e vështrimit dhe të analizës së veprës së Bulkës në dukuritë që lidhen me disa veçanti të korpusit të tij letrar në artikullin Krijimtari me problematikë dhe frymë popullore, botuar në Vepra letrare e Nonda Bulkës. Shkrimtari Naum Prifti ka gjithashtu një kontribut me vlerë në hartimin e parathënies dhe përgatitjes për botim të vëllimit Tregime të zgjedhura të Nonda Bulkës, përmbledhje e cila doli në botim vetëm disa muaj pas ndarjes nga jeta të Nonda Bulkës. Artikuj kritikë dhe mjaft shkrime që hedhim dritë mbi rolin që luajti vepra letrare dhe ajo publicistike e Nonda Bulkës në letrat shqipe kanë botuar emra të njohur të shkencës dhe letërsisë, si: Dhimitër Shuteriqi, Andrea Varfi, Konin Miloti, Perikli Jorgoni, Dionis Bubani, Lipe Nano, Nasho Jorgaqi, Floresha Haxhiaj, Fatos Arapi, Niko Mihali, Hasan Mekuli, Sinan Gashi, Alfred Papuçiu, Adelina Mamaqi, Zisa Cikuli, Iliden Spasse, si dhe studiuesi Stilian Adhami, i cili deri në ditët e sotme njihet si kritiku dhe studiuesi i fundit i veprës së Nonda Bulkës, pasi vitet e fundit ai, krahas një sërë shkrimesh dhe artikujsh të shumtë studimorë që hedhin dritë dhe nxjerrin në pah disa nga vlerat më përfaqësuese të Nonda Bulkës dhe korpusit të tij letrar, realizoi në këtë periudhë edhe veprën studimore monografike mbi jetën dhe veprën e Nonda Bulkës.

    Ajo që duhet nënvizuar në këtë punim, lidhet me faktin se edhe përtej kufijve administrativë të Shqipërisë vepra letrare e Nonda Bulkës ka fituar një vëmendje dhe një vlerësim të gjerë nga kritika letrare, duke i kushtuar një hapësirë të gjerë trajtimi risisë dhe auticitetit stilistikor dhe diapazonit krijues që përfshinte universi letrar i këtij shkrimtari. Në studimin që i kushtohet botimit të veprës së plotë të Nonda Bulkës nga shtëpia botuese “Rilindja” në Prishtinë në vitin 1969, f. 7-26, studiuesi i mirënjohur Rexhep Qosja në punimin e tij Proza e Nonda Bulkës para luftës e mbështet objektin e trajtimit në tri shtylla kryesore: 1. Prijatari i letërsisë së angazhuar sociale, 2. Bota pa maska, 3. Vlera letrare e kësaj proze, në të cilat hidhet dritë mbi kontributin e krijimtarisë së Bulkës në letrat shqipe si dhe në emancipimin e procesit krijues dhe mendimit mbarëshoqëror shqiptar.

    Ajo që vlen të shënjohet si një dukuri mjaft përfaqësuese e profilit të tij letrar është fakti se Nonda Bulka gjatë krijimtarisë së tij letrare asnjëherë nuk e kundroi problematikën shqiptare jashtë zhvillimeve social-politike dhe diversitetit kulturor europian dhe anasjelltas. Ai ishte dhe mbetet një autor i cili u kundër-vihej sistemeve shoqërore dhe politike, normave dhe fenomeneve negative që shfaqeshin në shoqërinë shqiptare të çdo kohe.

    Por ajo që të bie në sy në krejt shkrimet e botuara nga kritika gjatë periudhës së diktaturës ndaj veprës së Nonda Bulkës, lidhet me faktin se krejt korpusi i tij letrar dhe publicistik është gjykuar dhe vlerësuar gjithmonë në optikën e pasqyrimit, goditjes dhe ironisë therëse së tij ndaj periudhës së regjimit monarkik dhe asnjëherë nuk janë nxjerrë në pah rezonancat dhe nënteksti i tij letrar që kishte të bënte edhe me problematikën dhe fenomenet negative që viheshin re edhe gjatë viteve të diktaturës, në të cilën krijimtaria e Nonda Bulkës ishte gjithmonë e  pranishme dhe fshikullonte paradokset dhe tiparet më negative të shoqërisë dhe sistemit poli-tik dhe administrativ të asaj kohe.

    Ky konstatim lidhet edhe me një tregues mjaft domethënës, pasi megjithëse në vitet ’80 të shekullit të kaluar krijimtaria e tij letrare u botua e përmbledhur në disa vëllime, ajo që bie në sy teksa hulumtojmë në arkivin dorëshkrimor të Nonda Bulkës, lidhet me faktin se edhe në këtë përmbledhje e cila u botua disa vjet pas vdekjes së autorit, janë lënë jashtë botimit të kësaj kolane ose janë redaktuar ndjeshëm, për shkak të kushteve dhe normave më të cilat operonte edhe editoria shqiptare e asaj periudhe, një pjesë e konsi-derueshme dhe tejet përfaqësuese e shkrimeve apo e krijimtarisë së shkruar apo të botuar në gjallje të tij. Në një aspekt tjetër, reagimi i kritikës së kohës shfaqet në një trajtim dhe analizë disi anemike, duke analizuar tiparet thelbësore të krijimtarisë së Bulkës nën një këndvështrim të njëanshëm, ku spikat kufizimi i vlerësimit të veprës së tij dhe studimi i sipërfaqshëm në optikën dhe gamën e prolematikës që përfshinte në tërësi krijimtaria e tij publicistike dhe ajo letrare. Ndërsa në vitet ’80 krijimtaria e përzgjedhur e Nonda Bulkës u përmblodh në një kolanë të përbërë me tri vëllime, kolanë e cila u botua dy dekada pas vdekjes së shkrimtarit.

    Gjatë analizës dhe rivlerësimit të veprës së plotë të këtij autori, ajo që spikat në krejt arsenalin e tij krijues lidhet në mënyrë organike me tematikën e krijimtarisë publicistike të Nonda Bulkës e cila përhapet në një horizont të gjerë dhe gjithëpërfshirës. Përveç çështjeve të rëndësishme të ditës, pena e autorit rrok të shqyrtojë edhe probleme të dorës së parë, duke kaluar me guxim edhe tema të rëndësishme ndërkombëtare që prishin apo krijojnë ekuilibrin botëror të paqes së përgjithshme globale. Me anë të veprës letrare dhe asaj publicistike, Nonda Bulka arriti të bënte vetëgjyqësinë e krejt shoqërisë shqiptare të shtrirë në tri kohë: koha e parë është ajo e trajtimit të regjimit monarkik të Mbretit Zog me të gjitha aspektet e tij; koha e dytë përfshin periudhën e diktaturës ku në një sërë shkrimesh (një pjesë e të cilave nuk janë publikuar të plota, ndërsa pjesa tjetër pret të shohë dritën e botimit), goditet me një analizë të thellë, retorikë shpotitëse dhe një sarkazëm therëse aktualitetin shqiptar në krejt kompleksitetin e tij; koha e tretë është ajo që shtrihet përtej kohës së tij, që ka të bëjë me ndikimin që ka vepra e tij në mentalitetin, kulturën, prirjet dhe komunikimin që po krijon tanimë kjo vepër me lexuesin e një gjenerate tjetër, vetëdija e të cilit rend të farkëtohet në dy kahe: tradita dhe bashkëkohësia, dy koordinata që shfaqen si vijimësi dhe pjesë përbërëse e një procesi evolutiv, jo vetëm e mendimit estetik dhe atij letrar, por, para së gjithash, një reflektim dhe ndryshim që po ndodh brenda vetë qenies njerëzore dhe botës së cilës ai i përket.      

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË