More
    KreuIn memoriamMira Meksi: Lamtumirë, Milan Kundera

    Mira Meksi: Lamtumirë, Milan Kundera

    Tani që Kundera nuk është më, pas dhembjes që lë prapa zhdukja ekzistenciale dhe absurde e qenies, e individit, e shkrimtarit, janë kujtimet që marrin stafetën, që kristalizohen dhe që me qashtërsinë e rreme të pasqyrës na japin përjetime, herë shumë pranë realitetit të dikurshëm dhe herë krejt të mjegulluara e të zbukuruara nga nostalgjia e kohës së ikur përgjithmonë.

    Fondacioni kulturor privat “Velija”, krijuesi i çmimit ndërkombëtar letrar “Kadare”, kish vendosur që ky çmim të ishte i përvitshëm. Laureati i parë i tij ishte një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Amerikës Latine dhe asaj botërore, Ernesto Sabato, me gjak arbëror – nëna e tij ishte me prejardhje arbëreshe. Sabato erdhi vetë në Tiranë më 17 prill 1996 në moshën 85-vjeçare me një dashuri të pakufishme për dheun e nënës së tij, për malet e Shqipërisë, për heroin kombëtar Skënderbeun, portretin e të cilit e mbante në studion e tij, dhe ceremonia e dorëzimit të çmimit “Kadare” ishte madhështore. Vjeshtën e po atij viti, me kërkesën time, Sabato sugjeroi disa emra shkrimtarësh botërorë, të denjë për çmimin në fjalë, mes të cilëve Milan Kunderën, me të cilin kishte një afinitet të madh në shkrimësi.

    Juria e çmimit “Kadare” vendosi për Kunderën. Vërtet Sabato, duke qenë laureat i çmimit “Kadare”, e kish certifikuar atë si një çmim tepër prestigjioz, porse një lloj stepjeje mbetej për ne përpara Kunderës. A do ta pranonte çmimin tonë, kur dihej se kish refuzuar disa çmime letrare ndërkombëtare? Përpos kësaj, të dy, Kadare dhe Kundera, shkrimtarë nga ish-Lindja, jetonin në Paris dhe nuk kishin ndonjë afri me njëri-tjetrin. Që Kundera të pranonte të nderohej me çmimin “Kadare” do të thoshte të pranonte një lloj epërsie të tjetrit në laminë e shkrimësisë. Por pranoi, dhe u ndie i nderuar. Komunikimet me të i kisha me anë të faksit, ose me telefon nëpërmjet së shoqes, Vera Kunderës, e cila drejtonte gjithçka, që nga krijimtaria dhe gjer te jeta e shkrimtarit.

    Në ceremoninë e Tiranës u bë një festë e vërtetë në një sallë të Hotel Tiranës, me njerëz të shkrimësisë, artit, kulturës, trupit diplomatik në Tiranë, me politikanë dhe diplomatë; së bashku me statuetën “Vullneti” të Maks Velos, simbol i fondacionit “Velija”, iu dorëzuan atasheut kulturor të ambasadës së Francës në Tiranë, zotit Michel Tarran, në vitin 1997.
    Në foto: Mira Meksi, presidenti i Fondacionit, Vebi Velija dhe atasheu kulturor i ambasadës së Francës, Michel Tarran

    Çifti Kundera jetonte në një lloj mbylljeje të çuditshme, si të mënjanuar nga bota e madhe, ruanin me një fanatizëm pothuaj religjioz intimitetin e tyre dhe kishin një rreth fare të ngushtë miqsh. Pranimi i çmimit “Kadare” kushtëzohej nga: mosardhja në Tiranë (kuptova se Milan Kundera pothuaj nuk udhëtonte fare), mosregjistrimi i zërit (në rast interviste) dhe mosfotografimi. Për dorëzimin e çmimit u bënë dy ceremoni, një në Tiranë dhe një në Paris. Në ceremoninë e Tiranës u bë një festë e vërtetë në një sallë të Hotel Tiranës, me njerëz të shkrimësisë, artit, kulturës, trupit diplomatik në Tiranë, me politikanë dhe diplomatë; së bashku me statuetën “Vullneti” të Maks Velos, simbol i fondacionit “Velija”, iu dorëzuan atasheut kulturor të ambasadës së Francës në Tiranë, zotit Michel Tarran, në vitin 1997.

    Pas ngjarjeve politike të atij viti dhe shkatërrimit të Shqipërisë, mora një letër shumë të ndier nga Milan Kundera, i cili i lutej Jurisë së çmimit, nëpërmjet meje, që të mos i akordonte pjesën financiare të çmimit, e cila asokohe ishte një vlerë e konsiderueshme – 20 mijë dollarë amerikanë – pikërisht për hir të gjendjes së vendit. Më kujtohet se, së bashku me Jusuf Vrionin, anëtar i Jurisë së çmimit “Kadare”, dhe pasi u konsultuam me anëtarët e tjerë dhe presidentin e fondacionit, zotin Velija, i shkruam një letër Kunderës ku i shprehnim mirënjohjen tonë për gjestin e tij të mrekullueshëm, por i luteshim që ta pranonte çmimin edhe me pjesën e tij financiare, sepse kështu do të ishim krenarë të uleshim në sofrën e madhe të kulturës botërore, si të barabartë mes të barabartëve, duke u gjykuar dhe duke gjykuar në fushën e vlerave të letërsisë ndërkombëtare.

    Mbaj mend se edhe vajtja jonë në Paris në maj të vitit 1998 (presidenti i fondacionit dhe unë, Kadaretë ndodheshin në Paris), ishte edhe më e pazakontë se kushtet e vendosura nga Kundera për pranimin e çmimit “Kadare”. Qëndruam në Hotel Intercontinental, Le Grand, 2 Rue Scribe, 75009. Kunderat do të na prisnin në shtëpinë e tyre si fillim, pastaj ceremonia do të zhvillohej në shtëpinë botuese të Kunderës, “Gallimard”. Deri pak minuta përpara se të hipnim në taksi nuk e dinim adresën e apartamentit të tyre – ma dha në telefon vetë Kundera, tamam në çastin kur ankthi po më paralizonte këmbët dhe kur shpresa se do ta takonim Kunderën me mish e kocka po më fikej.

    Vera dhe Milan Kundera na ftuan të uleshim në sallonin e apartamentit të tyre të vogël, por shumë të këndshëm, dhe na ofruan verë. Ajo ishte një grua trupvogël, me flokë të shkurtër, pa moshë dhe shpuzë, që kontrastonte me Milanin trupmadh, pak të kërrusur dhe me sy të kaltër e të qashtër fëmije që shpesh tregohej hokatar, por edhe sarkastik, kur vinte fjala te letërsia dhe regjimet e vendeve tona të ish-Lindjes. Në çantë mbaja gati një diktofon që ta vija në punë fshehurazi porsa të niste biseda, për ta regjistruar atë. Me sa duket, nuk ishte dita ime, sepse porsa futa ngadalë dorën në çantë për të shtypur butonin e tij, duke gjasmuar se po merrja një shami, diktofoni lëshoi një çirrmë që na hodhi të gjithëve përpjetë dhe Kundera më vështroi akuzueshëm. Por Zoti më dha gjakftohtësi, sepse në çast, pa e humbur toruan, lëshova ngoje një gënjeshtër të papërgatitur, por që më nxori faqebardhë: “Asgjë, një intervistë që porsa ia mora Kadaresë.”

    Pasi kaloi “incidenti” i diktofonit, nisëm të flisnim për gjithçka, për ngjarjet në Shqipëri, për letërsinë, për fondacionin, për çmimin ndërkombëtar letrar shqiptar që ishte pagëzuar me emrin e Kadaresë, shkrimtari më i madh i gjuhës shqipe, por sidoqoftë i gjallë, çka nuk ishte fort e zakontë për emërtime çmimesh, e plot tema të tjera që prekën letërsinë në diktaturë dhe tani në postdiktaturë. Ndenjëm përmbi një orë në mikpritjen e spërkatur me verë të Kunderave. Përpara se të largoheshim, Kundera më dhuroi librin e tij të fundit “Identiteti”, i cili kish dalë para pak kohe, me autografin: “Për Mira Meksin, me gjithë miqësinë time. Milan Kundera, Paris 1998” si dhe albumin e mrekullueshëm të piktorit Francis Bacon me portrete dhe autoportrete, parathënien e të cilit e kish bërë Kundera, dhe që ishte një sprovë e jashtëzakonshme, të cilën më pas e botova në revistën letrare që drejtoja, “Mehr Licht”.

    Vera Kundera u largua e para për në “Gallimard”, që të organizonte pritjen, siç na shpjegoi. Më pas, nën drejtimin e Kunderës, zbritëm ca shkallë dhe hymë në ca korridore labirintike që na nxorën më në fund në “Gallimard”, që ndodhej pranë shtëpisë së Kunderës.

    Ceremonia e dorëzimit të çmimit “Kadare” u bë në një sallë jo shumë të madhe në “Gallimard”, por, ndonëse e thjeshtë, ishte shumë e ngrohtë dhe e këndshme. Kadaretë kishin mbërritur përpara nesh dhe po ashtu disa personalitete, miq të ngushtë të Kunderave. Ishte Philippe Sollers-i, eseist dhe romancier shumë i njohur, së bashku me të shoqen, filozofen dhe romancieren Julia Kristeva, romancieri, kineasti, poeti dhe dramaturgu i famshëm spanjoll, producenti dhe skenaristi i filmit të dëgjuar “Viva la muerte”, Fernando Arrabal, personalitete të njohura franceze të kulturës, e bija e Gallimard-it dhe gazetarë të njohur.

    Sollers-i dukej të ishte shpirti i festës, mik për kokë dhe adhurues i flaktë i Milan Kunderës – përpara hapjes së shampanjave, më rrëmbeu përpara duarve (ishte trupmadh) dhe ashtu me mua në duar shkoi triumfator në mes të sallës së festës dhe tha me një zë të kumbueshëm: “Kjo zonjëz, që quhet Mira Meski (Meksi, e korrigjova unë), ka ardhur nga Tirana me një çmim të madh për një shkrimtar të madh.” Pati duartrokitje dhe shampanja çuçuriti gëzueshëm nëpër gota. Më pas, Milan Kundera iu drejtua Kadaresë dhe presidentit të fondacionit, zotit Velija, duke përsëritur fjalët që na kish dërguar në letrën e parë, se ndihej shumë i nderuar si laureat i çmimit “Kadare”. Bisedat morën zjarr.

    Philippe Sollers-i m’u drejtua në një çast të bisedës në italisht, iu përgjigja po në italisht dhe përpara habisë së tij i shpjegova se shqiptarët e kanë gjuhë të dytë italishten. Më tregoi pastaj për punën e madhe kërkimore që kish vite që bënte për një libër mbi Giacomo Casanova-n që u botua dy vite më vonë me titullin “Kazanova i parezistueshëm”. Se kish mësuar italishten për kërkimet e tij dhe se ndihej venecian njëlloj si ai. Më kujtohej që më tha diçka që nuk m’u shlye nga kujtesa, gjersa vite më vonë bëra kërkimet e mia për Kazanovën për të shkruar novelën “Hakmarrja e Kazanovës”: “Kazanovën kanë dashur ta përshkruajnë si një palaço cirku, i kanë mohuar shkrimësinë nga xhelozia, ndërkohë që ishte shkrimtari më i rëndësishëm i shekullit XVIII dhe një filozof i madh shëtitës.” Më premtoi dhe e mbajti fjalën pas një viti, duke më siguruar “Kujtimet e Kazanovës”, mijëra faqe, të cilat veneciani i kish shkruar në frëngjisht. Në një pikë të bisedës, Julia Kristeva i tha të më tregonte për epitafin e tij. Unë hapa sytë, ndërsa ai ia plasi gazit: “Këtu pushon Philippe Sollers, venecian nga Bordoja e Francës.” Ky tekst do të jetë mbi varrin tim, tha. Qeshëm të tre. Gazetarët nisën të bënin pyetje për shkrimet e tyre. Vetëm Kadareja dukej i papërzier me festën dhe të qeshurat tona. Qëndronte si një sfinks i heshtur në një ambient të vetin në mes të poteres së përgjithshme, si ruajtësi i skeptrit, ndërsa zonja e tij e hijshme ishte bërë me kohë pjesë e festës, ndonëse ishte e përmbajtur. I kisha rrëkëllyer dy gota verë që mora guximin dhe u përpoqa të depërtoja sadopak në misterin e Kunderave. Iu afrova Vera Kunderës dhe e pyeta se përse nuk lejonin t’i merrnin në fotografi, a nuk e kuptonte që, të paktën për ne, ishte i rëndësishëm ky event, dhe që në Shqipëri po flitej shumë nëpër rrethet e artistëve dhe intelektualëve. “A nuk e sheh, pra, që jam bërë rrudhace si kukullat indiane?” – më tha, ndonëse nuk arrita të kuptoja nga ato fjalë se përse Milan Kundera ia kish mohuar vetes kujtimet fotografike. Vite e vite më vonë, Vera më dërgoi me e-mail një vizatim me penë të kohës, portretin e saj me Milanin.

    Në sallën me festë të “Gallimard”-it dëgjova për herë të parë të flitej edhe për “Identitetin”. Mbaj mend mirë se Arrabal-i ishte një nga të pranishmit që fliste me shumë entuziazëm për romanin e fundit të Kunderës; në një çast të mbrëmjes më pyeti nëse e kisha lexuar “Identitetin”. Supozohej që e njihja mirë veprën e Kunderës, çka ishte e vërtetë. Iu përgjigja se ende jo, sapo ma kishte dhuruar autori, por kisha ndjekur me shumë interes komentet që ai kishte bërë gjatë mbrëmjes. Atëherë m’u afrua dhe më tha në spanjisht: “Të ka ndodhur ndonjëherë ta ngatërrosh fytyrën e njeriut që dashuron në mes të turmës? Të të duket se gjen pjesë të tij në çdo fytyrë të huaj?” “Kjo më ndodh shumë shpesh, – iu përgjigja, – sidomos kur jam larg prej tij dhe më merr malli, por jo vetëm”. Qeshëm të dy. “Identiteti”, – m’u përgjigj gëzueshëm.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË