More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKosta Nake: sprova e radhës për të çmontuar shtratin e prokrustit

    Kosta Nake: sprova e radhës për të çmontuar shtratin e prokrustit

    Mustafa Nano është gazetari më sfidant dhe më antikonformist i ditëve tona, me ca fjalë e gjeste që nuk guxon t’i bëjë kushdo: një panel televiziv ku shkon me xhinse gjunjëçjerra, një përballje spektakolare me shikuesit “One man show”, dy emisione televizive si vazhdimësi “Provokacija” dhe “Turkmenistan”, botimi i librave polemizues “Unë jam gegë” (2013), “Pax Albanica” (2014),“Sandwich, a është mirë me qenë shqiptar?” (2017), etj. Dhe ja ku vjen me romanin “Një javë në Manastir” (2020) për të vazhduar debatet e hapura, por duke ua deleguar qasjet e veta personazheve që shpesh kamuflojnë figura historike të vërteta.

    Në rrafshin sipërfaqësor kemi një vepër artistike me heroin Robert Bolton që jo vetëm zbulon se vuan nga një sëmundje vdekjeprurëse, por, më shumë se kaq, vihet në dyshim qenia baba, pasi Besa mund të mos jetë bija e tij, por mund ta ketë lindur nga marrëdhënia jo shumë e qartë e Matildës me Fred Potterin. Kjo shtysë e fortë dhe tronditëse nuk e lë Robertin të lëngojë në shtrat, por me torbën e udhëtimit ku kishte gjasë të mbartte vdekjen e vet, udhëton nga Anglia në Manastir për ta sqaruar enigmën, ndoshta edhe për t’u hakmarrë ndaj Fredit, udhëtim që përkon me mbajtjen e Kongresit të Alfabetit pikërisht në Manastir. Udhëtimi kthehet në zbulimin e mjedisit shqiptar i cili i kishte shkuar paraprakisht i deformuar. Është një dukuri që vazhdon të përsëritet edhe në ditët tona, shqiptarët kanë njerëzillëkun që mund të mungojë ose nuk arrin të demonstrohet te popuj të tjerë. Ky njerëzillëk, pavarësisht nga prapashtesa ~llëk, dëshmon vjetërsinë, maturinë, qëndresën, aftësinë për t’u përballuar me të tjerët duke treguar skutat më me dritë të shpirtmadhësisë. Gjithça tjetër janë detaje artistike që aredojnë strukturën e nevojshme të çdo vepre.

    Në një rrafsh paralel me të parin kemi një trajtesë të gjerë që mëton të jetë edhe shkencore, pasi u jep përgjigje fillesave të gjuhës, pengesave dhe akteve asgjësuese ndaj gjuhës shqipe, me një fokusim më të madh te Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij.

    Në rrafshin e nëndheshëm, ose “nën rrogoz”, kemi një leksion të gjatë për shqiptarin dhe shqiptarizmën, për fenë dhe qeverisjen, për kolonializmin dhe sovranitetin, për vendin dhe rolin e gruas në shoqëri dhe aneksin tabu të seksit. Për këto problematika që mbajnë peshën kryesore të kësaj vepre, autori ka thirrur në skenë një numër dëshmitarësh që orientohen dhe përmbushin më së miri porositë e autorit, fshehur diku si sufleri i shfaqjeve dramatike.

    *

    Pjesa e parë “Treni mbërrin në “Ters Dünya” dhepjesa e dytë “Jeta e Grigor Toskës” janë si dy tufa paralele eventesh që nisen njëkohësisht nga stacioni i trenit dhe udhëtojnë drejt Manastirit; tufa e parë vështrohet me sytë e një udhëtari të huaj, tufa e dytë me sytë e një shqiptari, protagonist në çështjen shqiptare. Udhëtari i huaj Robert dhe shqiptari Grigor janë në të njëjtin grup udhëtarësh, prandaj disa prej eventeve përsëriten në të dyja pjesët.

    Fillon si roman historik sepse ka një datë historike, një saktësim të ditës, një qytet të njohur të perandorisë, do të pasohet nga identifikimi i shtëpisë së Zavalanëve që shërbeu si sallë e kongresit. Para se të hapet goja e narratorit vëzhgues, ndjehet dora e gazetarit polemizues, toni deklarativ i veprave të mëparshme ia lë vendin qasjes meditative. Vjen zbulimi i parë i udhëtarit të huaj: ato që shikonte me sy nuk përputheshin me ato që kishte dëgjuar.

    Përplasja e parë shqiptaro-serbe vjen si përballje e moshës së një instrumenti muzikor që shqiptarët e quajnë lahutë dhe serbët gulsë. Nuk jam i sigurt për raportin kohor mes romanit të Nanos dhe njohjes së gulsës si trashëgimi kulturore e UNESKO-s duke lënë pas lahutën, por autori gjen rastin të sjellë dy argumenta: udhëtarët e huaj zbuluan më parë Serbinë, serbët kishin filluar të shkruanin para shqiptarëve. (f.37) Ngarkesa ka zbritur edhe në gjuhë me përdorimet “shiptar” dhe “albanac” nga njëra anë dhe “shkja” e “serb” nga ana tjetër krahasuar me termat përbuzës magjar, nemce, magjyp, arap, çifut, etj. (f.294) Kjo nuk e pengon autorin ta vlerësojë Shën Savën si personazh historik, themelues i Hilandrit dhe kishës autoqefale serbe, nga ana tjetër të argumentojë se ndeshja me serbët e bën Fotin njëqind përqind shqiptar. (f.297, 311) Përplasja shqiptare serbe, edhe pse në këtë roman kalohet tangent, bëhet edhe për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin, sepse ati Gjon dhe vëllai Reposh u serbizuan dhe varret i kanë në Hilander të Athosit. (f.272, f.306) Si lanë një besë e morë një tjetër? “Ndëjei ata, sepse nukë dinë seç bënjënë.” (f.274) Ky raport i vështirë mbyllet me grotesk, serbët e kanë devijuar lutjen e famshme të të krishterëve: “Kosovën që na takon jepna sot e na çliro nga shiptari, më i ligu i të ligjve.” (f.300) Si në një ndeshje sportive, ku dy skuadrat kanë tifozët e tyre, edhe këtu ndodh njëlloj: anglezja Matilda Bolton (kujto Edith Durhamin) dhe  irlandezja Flora Royan, “njëra është e marrosur pas shqiptarëve, tjetra të hidhet në fyt për serbët.” (f.216) Matilda, edhe pse mungon fizikisht në roman, është e pranishme fund e krye veprës. “Shqiptarët iu fanepsën në jetën e vet në një kohë që ajo jetë ishte në pikën më të ulët, e zbrazët, e mjerë, plot zhgënjime. Ata ishin dega ku ajo u kap për të shpëtuar veten.” (f.230)

    Dashurinë e deklaruar më parë te libri “Unë jam gegë” autori e rikonfirmon edhe këtu duke veçuar format arkaike të jetës që u ruajtën më mirë në Gegëri dhe i ilustron me shprehjet: ‘për këtë dhe’, ‘për këtë bukë’, ‘për këtë gur’. (f.38) “Armët janë për gegët. Për toskët janë librat. (f.92-93) Konvertimi fetar i shqiptarëve në myslimanë u bë për të fituar status, pasuri, jetesë të kollajtë, por ka dhe një konvertim kulturor që lidhet me kulturën që të pëlqen. (f.103-104) Kur flasim për organizimin kombëtar të shqiptarëve duhet të mbajmë parasysh se masa më e madhe e ortodoksëve ishin grekofonë ose grekofilë. Myslimanët ndiheshin turq dhe donin shkronjat arabe se ishte gjuha e Kuranit. Ajka e vendit që shkonin pas qerreve të të huajve (f.128) dhe nuk e kishin për gjë as të shiteshin e të bliheshin, as të kacafyteshin me sho-shoqin për pak ndikim, status a pushtet. (f.129) Nuk kishin ideale, ose i shisnin si xhingla-mingla. Ishin të gjithë të korruptuar ose të korruptueshëm. (f.132) Edhe vetë të krishterët shqiptarë ishin ndarë me dy kisha, katolike dhe ortodokse dhe, kur u zgjuan në mes të shekullit XIX, nuk e dinin çfarë ishin. (f.302-303) Pasi krahason katolikët e Shkodrës me myslimanët dhe ortodoksët e Toskërisë (f.59 – 60), vjen ngritja në piedestal: “Po qe se katolikët nuk do të ekzistonin, as vetë shqiptarët nuk do të kujtoheshin  se ishin një komb.” Kështu, krejt natyrshëm, vjen mesazhi i parë i veprës: “Duhet të kthehemi në fenë e të parëve. Me pahir.” (f.61)

    Konstatimi i dytë: shqiptarët kishin admirim bestyt te Perëndimi. (f.68)

    Që në pjesën e parë paraqiten dy alfabetet që do jenë thelbi i punës së kongresit: Alfabeti latin i shqipes do të ishte i pari për një komb pjesërisht mysliman, por kishte një pengesë të çuditshme ekonomike: gërmat dyshe të alfabetit latin zinin një të pestën e tekstit çka nënkuptonte që një vepër kërkonte më shumë faqe se sa po të shtypej me allfabetin shqip të Stambollit, domethënë kosto më të lartë botimi. (f.71)

    Mesazhi i dytë dhe më i rëndësishme që lidhej me alfabetin, vjen në pjesën e dytë: “Nuk kemi ardhur të fitojmë unë e ti kemi ardhur të fitojmë të gjithë. Nëse nuk fitojmë të gjithë, askush nuk ka fituar.” (f.91)

    Pjesa e parë mbyllet me një diskutim fetar e filozofik për vdekjen, kurse pjesa e dytë, sikurse u përmend më sipër, rifillon si narrativë nga stacioni i trenit për të hedhur dritë mbi karakterin e dytë – Grigor Toska, që portretizohet si atdhetari i orientuar drejt progresit. Në antitezë me të dhe me popullin, shfaqen etërit tekanjozë të kombit: nga njëra anë Bato Kosina i cili nuk do të vinte në kongres, po të mos zgjidhej kryetar. (f.65) nga ana tjetër Adam Kosturi (nënkupto Faik Konica) që, siç do ta tregoj më poshtë, njoftohet me vonesë që të mos mundë të marrë pjesë, që të mos bëheshin dy gjela majë plehut.

    Para se të lexoja romanin, isha njohur me sfidën e Faik Konicës për Kongresin e Manastirit dhe nuk është vështirë të zbulohet qejfmbetje nga që një ftesë e dërguar me vonesë është mënjanim nga diskutimet e atjeshme. “Ku u dëgjua që një kongres letrar të jetë si një kurvëtore: Kush të dojë le të vijë! Nuk ka këtu njerës të xgjedhur me arësye dhe të ftuar, s’ka një progamë pune…” (Vepra 4, Dudaj 2001, f.161) Mohimi i tij shkon në ekstrem kur shkruan: “…përparimi i Shqipërisë është lidhur në mos të njohur të këtij kongresi.” (po aty, f.162) Në vazhdën e këtij qëndrimi, në letrën e datës 9 nëntor 1908 ai qëndron i palëkundur në qëndrimin e vet: “Një kongres për abenë do të mblidhet, mos kini frikë. Po “the right Congress, by the right men, in the right ime, at the right place.” (po aty, f.165)

    Në kapitullin e veçantë që pason dy pjesët e para përmenden nominalisht edhe ata që s’morën pjesë në Kongresin e Manastirit përveç Konicës: Noli, Asdreni, Koleja, Vruhu, (f.151) por identifikohet onturazhi i Bato Kosinës si për të mbështetur qëndrimin e Adam Kosturit: Mane Polena që më shumë bërtiste se sa fliste, Kukudhi (Rrumaduci), T’ëmën e s’ëmës, ata dy që u mbaron emri me “o” (Shasho e Kajo).

    Vlen të veçohet paralajmërimi i falltares Meme për konsullin rus: “Zoti konsull, shqiptari i egër ta ha mutin, por shqiptari i butë ta ha kokën.” (f.97) Vrasja ndodhi dhe më vjen mirë që autori ka identifikuar emrin e shqiptarit, ai ishte Halim Bleta nga Bitincka dhe një studiues nga shqiptarët e Maqedonisë, erdhi posaçërisht nga Turqia për ta konfirmuar ngjarjen, madje gjeti edhe një këngë kushtuar njeriut që nuk e përtypi fyerjen e konsullit.

    Autori çel një dritare për të hedhur një sy në kopshtin filozofik ku gjen turmën dhe pafuqinë e njeriut për t’iu kundërvënë asaj, (f.101) nga ana tjetër mohimi nuk është absolut sepse sjell Ibsenin dhe “Armikun i popullit” me idenë e kundërt se edhe një i vetëm mund t’i kundërvihej turmës. (f.103)

    Duke treguar interesimin e Foti Ostrecit për gjuhën shqipe, autori hap një trinë në fushën gjuhësisë duke folur për gërmat, kombin dhe Kuranin (f.107) dhe e ilustron me fjalorin që kishte hartuar me fjalë shqipe duke zëvendësuar ato turke: anësi – tarafllëk, lajm – haber, arsye – hak, vleftë – kimet, ngjyrë – bojë, dobi – qar, e metë – kusur, e zbrazët – bosh, theror – kurban. Deklarohet pëlqyeshmëria e tij për një alfabet latin pa shenja diakritike, njëkohësisht të ruheshin dyshkronjëshet gj, nj, rr, ll për të ruajtur traditën e shkrimtarëve katolikë, sepse “gjuha nuk është vetëm thjeshtësi dhe ekonomi, por edhe emocion, histori, traditë.” (f.116-17)

    Martesa e parë e Grigorit me një serbe që u sëmur dhe u largua, është ekzemplar i vetëm, por kaq mjafton për të shkuar te deklarimi: “Një arnaut e një shkja nuk mund të rrojnë nën një tra. (f.121-122) Në antitezë me të është Nusha – nusja gege nga Malësia e Madhe, femra mendjehapur që pasohet nga deklarimi i nënës Frosinë: “Vdekjen e dija, po që gega të bëhej toskë kaq shpejt, nuk e dija.” (f.123)

    Pjesa e dytë mbyllet me sfidën ndaj tabusë mbi fjalët e seksit. Kënga e Bregut të Lumit (f.141-44), e kënduar nga Mane Polena dhe e shoqëruar nga burrat e çartallosur, i paraprin sfidës tjetër me përmasa më të mëdha te romani “Ngjizja e papërlyeme” e Agron Tufës. Ja vlerësimi befasues: “Mane Polenën e mora zët për shkak se ishte gojëprishur dhe ja tani, po për shkak të fjalëve të pista që nxirrte nga goja, më hyri në zemër.”(f.158)

    *

    Pas dy pjesëve të para, vjen kapitulli kapriçioz “E shtunë, dita e parë e vjeshtës së tretë ku sfidanti Muç Nano, shkruan sipas alfabetit të propozuar nga Grigor Toska ku janë bërë zëvendësimet “ë” me “ə”, “gj” me “gh”, “nj” me “nh”, “ç” me “ch”.

    Vështirësive të organizimit të kongresit, u shtohet edhe karakterizimi si  kongres i qylafëve dhe mustaqeve, (f.146) pastaj vjen shpërthimi kundër Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e cila hapi një shteg ku qëllimet nuk ishin mëmëdhetare, por, fatmirësisht u korrektua me pasojat. Ka ca të dhëna që nuk janë thënë ose sikur janë harruar të thuhen: Nuk pati orthodoksë, nuk pati as toskë, përveç Abdyl Frashërit. (f.147)

    Paragrafë plot dritë janë ata që portretizojnë Ado Benën – gruan shqiptare të civilizuar, të parën grua që del zbuluar  para burrave, të vetmen grua që dinte të shkruante shqip, të parën grua që merr pjesë në jetën publike. (f.154-55)

    Pjesa e tretë “Në ditën e “Shën Fredit” autoririmerr problemet e gjuhësisë: Roberti mban shënim emrat e disa ushqimeve në gjuhën shqipe duke i transkriptuar: sopher, pastirmà, pourshesh, japrack, boureck, petoulla (f.164)dhekrijohet një mjedis pozitiv ku është pikërisht vendi ku zbulon misionin e shkrimtarit si mësues i lexuesve për një përdorim të bukur të gjuhës amëtare, (f.165)që shqiptarët të shpalosen para botës me atë gjatësi vale si folës të shkëqyer të gjuhëve të huaja. (f.167) Pas disa tezave të shtruara për debat, gjuhësia kthehet me rrethanorët e kohës në marrëdhëniet e punës: pastaj, qëparë, më vonë, paradite, padite, nesër. (f.180)

    Nëpërmjet portretizimit të murgut Foti Ostreci autori shfrytëzon mundësinë për t’u shprehur pozitivisht për krishtërimin që ka rëndësi si traditë, histori, qytetërim e jo si logos, si një e mirë e pazëvendësueshme për njerëzimin. Prej aty ngrihet në një lartësi të re qiellore, te Zoti si një tërësi ritualesh, rrëfimesh, fabulash, urdhërimesh, rregullash e normash etiko-morale të cilave njeriu duhej t’u bindej, ndryshe njerëzimi do të humbte drejtpeshimin. (f.173) Duke folur për kanakarët e Zotit, si vdekatarë të zakonshëm: Moisiu bari, Jezusi zdrukthëtar, Muhameti bari e karvanar, (f.253) autori duket sikur guxon shumë për t’u futur në ca katakombe nga mund të shpërthejnë blasfemitë. Përflitet edhe profeti që mbante 13 gra, më e vogla 9 vjeç. (f.275) Raporti mes pushtetit dhe fesë te krishtërimi tregohet me shprehjen e Jezu Krishtit: “Paguani dhe ato që janë të Qesaritë, nde Qesari, e ato që janë të Perëndisë, nde Perëndija.” (f.278) Kjo nuk thuhet në Kuran ku pushteti dhe feja shkrihen në një. (f.279) Në islam hyn e s’del dot. (f.281) Shkrimtari autorizon personazhet e tij të gjykojnë për preferencat e Zotit, marrëdhëniet me njerëz me shpirt e zemër të kristaltë dhe jo me mendjet e mëdha, sepse donte të pushtonte shpirtin, jo mendjet e njerëzve. (f.255) Autori e vuan atë që ndodhi me ne shqiptarët – myslimanë në vendin e gabuar, në mes të të krishterëve. (f.171-72) Kurse serbët, ndryshe nga shqiptarët, me të cilët duket sikur janë të një biçimi, kanë një histori të krishterë pas shpine. f.230)

    Murgu Foti i jep mundësi autorit që ta shohë kolonializmin si një gjë të mirë, sepse pas tij zbulon kombet e përparuara që u bëhen krah kombeve të prapambetura. Kombet e vegjël kanë nevojë të vihen nën kontrollin e të mëdhenjve (f.176) dhe kjo gjë, për koincidencë, duket sikur ilustrohet me qëndrimin e sotëm të qeverisë Kurti në konfliktin me Serbinë. Po këtu mund të shtohet problemi i qeverisjes. “Doket, ojtnitë, qytetërimi në përgjithësi nuk janë lesh e mëndafsh që eksportohen. Modeli i qeverisjes duhet ta marrë legjitimitetin nga traditat, zakonet e mendësitë lokale.” (f.179) Duke diskutuar për kolonializmin, mund të bëjmë një degëzim pyetës: A rrinë dot shqiptarët pa pushtues mbi kokë? Bato Kosina ka një përgjigje që tingëllon aktuale: “Në vend të osmanëve do kesh një fuqi tjetër mbi kokë.” (f.199)

    Vizita e Robertit në shtëpinë e falltares Meme i jep mundësi të tregojë vlerat e veta si piktor dhe të realizojë portretin e saj: “Prej qafës e poshtë ishte e veshur e tëra në të zeza, por në kokë mbante një shami të bardhë. Rrinte pak e përkulur, duke nxjerrë në pah gungën e shpinës, dhe mbështetej mbi një bastun. Mbante një palë syze me xhama të mëdhenj, njëri prej të cilëve kishte marrë një të krisur të lehtë  në anën e sipërme. Rrudhat i kishin pushtuar gjithë fytyrën, duke zbritur deri poshtë te mjekra ku i kishin dalë edhe qime. I përngjante, besa, një shtrige.” (f.182)

    *

    Pjesa e katërt “Prej manastirit në Manastir” është pjesa përmbyllëse e cila duhet të sigurojë gjithë dyert dhe dritaret para se të niset me pushime. Murgu Foti Ostreci është me origjinë arumune nga i ati dhe këtu autori gjen rastin të nënvizojë se rumunët shkonin mirë me të gjithë, por me shqiptarët shkonin shumë më mirë. (f.251) Robertit piktor i takon të deklarohet si profesionist dhe ai bën krahasimin e pikturave europiane që të trazojnë me bukurinë, dhe atyre bizantine që janë të thjeshta e të japin paqe e qetësi në shpirt. (f.258) Arsyetimi shkon më tej me konstatimin se njerëzit janë zemërgjerë e kanë mirëkuptim për krijimet e së shkuarës, por janë të pafuqishëm për t’u bërë një me të ardhmen e për të kuptuar veprat e saj. Pra nuk ka një shije universale. (f.261)

    Leksioni për gjuhësinë vazhdon me traditën e vënies së emrave të njerëzve në Shqipëri dhe merr ngarkesë shkencore kur përpiqet të hedhë dritë mbi etnonimin “shqiptar” (f.264), trajta e shkruar e të cilit nga të huajt shfaqet larushore: schipetars, schkipetares, skipatars, shkypetares, shkipetars, skipetars, schipettari. (f.265). Hidhet një vështrim gjuhësor për fjalën rrënjë, momentin zero, modifikimin dhe evoluimin e aparatit të të folurit, shqiptimin e fjalës së parë. (f.285-87) Jepet dhe një segment kohor i zbulimit të etnonimit, vitin 1741, (f.266) flitet për dokumenta të zhdukura (f.268) sepse pas reklamimit të vrasjes së Fred Potterit për çështje nderi, fshihet thelbi politik që Ndre Mjeda, një nga delegatët me emër real, deklaron se Kongresi ashtu si Rozafati, e mori flinë e vet, (f.234) çka nënkupton se ai kishte dijeni për dokumenta të rëndësishme që lidheshin me gjuhën shqipe dhe historinë e shqiptarëve.

    Kapitulli “E dielë, dita e tetë, e vjeshtës së tretë” i rikthehet vështrimit gjuhësor me ngritjen në normë të alfabetit latin duke i bërë lëshim alfabetit të Stambollit te shkronjë “ç” dhe një nderim arbëreshëve te shkronjën “ë”. (f.325) Intriga e vrasjes dyshohet se i ishte besuar një shqiptari pa atdhe nga Janina, për t’i qëndruar idesë se kombit shqiptar shumë të këqia i kanë ardhur nga brenda. (f.326)

    Romani ul siparin me versionin përfundimtar të vizitës së Robertit. “Kish erdhur atyre anëvet i nxiturë nga një tekë në një moment të pikëlluarë, dhe e gjitha i ishte kthyejturë në një rysni të madhe.” Pastaj, me të vënë këmbë në dheun e Arbrit, vetëm në harkun kohor të një jave, bën deklarimin prekës që vazhdojmë ta dëgjojmë edhe sot nga sa e sa udhëtarë të huaj: “Unë kurrë nuk do ta harronj këtë udhëtim, është më i bukuri i jetës sime.” (f.331)

    Durrës, 8 – 12 qershor 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË