More
    KreuLetërsiBotime të reja"Një sagë e vogël burgu" e Besnik Mustafajt, botohet në italisht

    “Një sagë e vogël burgu” e Besnik Mustafajt, botohet në italisht

    Tridhjetë vite pas botimit në shqip, gjermanisht e frëngjisht

    Ky artikull është publikuar në Itali nga Tiziano Tussi, në revistën semestrale Il Protagora, Viti XLVII, janar-dhjetor 2020, seria e gjashtë, n. 33-34

    Përktheu nga italishtja: Kriselda Beqaj Rocchi

    Pas gati tre dekadash, publikohet edhe në gjuhën italiane një roman- vërtetë shqiptar, të paktën në qëllimet e autorit që e shkruan si të tillë. Teoria qëndrore, e risjellë edhe në titull, është kjo: nuk dilet nga burgu fizik apo mendor qoftë ai, nga çdo lloj gjendjeje që ai provokon, na ndjek gjithmonë, na përndjek, është i shkruar në fatin e shumë burrave. Në roman janë burrat subjekti i vënë nën shënjestrën e pushtetit shtypës shtetëror, pushtet i cili reduktohet, si precipitat, në një burg. Një sagë e vogël burgu në një vend i cili ka kaluar periudha të ashpra në nivel politik përgjatë Shekullit të Nëntëmbëdhjetë dhe që ende vuan nga problematika që kanë të bëjnë me shtypjen, më së fundmi në vitin 2020. Libri, i shkruar para shekullit të ri, është rimarrë e përkthyer nga Castelvecchi gati tridhjetë vite pas publikimit të tij në gjuhën shqipe dhe përkthimeve në gjuhët gjermane e franceze. Autori ka përshkuar disa faza politike dhe tashmë, prej vitesh, i është përkushtuar vetëm shkrimit. Por, mund ta gjejmë nën maskën e një personazhi në fund të tekstit, në kërkim të së vërtetës, mbi historinë e një roje burgu, i cili, besnik i rolit të tij, nuk e braktis burgun edhe pasi ai është boshatisur nga të burgosurit në fazat konvulsive të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Detyra mbi të gjitha!

    Madje, rrotull asaj detyre që mbyll tregimin, bashkëlidhen tematikat e mëparshme, historitë e tjera, gjithmonë me në qendër burgun. Burg jo i drejtpërdrejtë për të birin e personazhit të parë të burgosur, epoka politike e mbretit Zog si qendër e një tjetër historie, asaj të parës në libër. Një burrë krenar që dëshiron t’i tregojë botës atë çka është e për këtë burgoset. Ama trasformohet në imagjinarin e familjes dhe djalit të vet, po ashtu edhe në komunitetin e afërt, në një burrë shkëmb, një luan. Por, burgu shndërron çdo gjë në një grumbull zbrazëtie. I biri, që takon për herë të parë babain, nuk arrin ta njohë dhe të lidhë përshkrimin që komuniteti i bën të atit me figurën që ka përballë. Heroi i lavduar nga të gjithë ata që e kujtojnë tashmë shfaqet si jo më shumë se një burrë i parëndësishëm, i përkulur nga periudha e burgut. Kur Bardhyli shikon të atin, i përshkruar nga të gjithë si një hero, i cili, njësoj si luani, ulërin sa frikëson pushtetin, ngelet thellësisht i zhgënjyer. I ati, pas dekadash të kaluara në burg, është katandisur në një burrë të gjorë që ka përvetësuar edhe fizikisht frikën dhe dhunën e burgut. Një relike.

    Ashtu siç është një burrë i gjorë në historinë e dytë burri i cili pret të shoqen, pas një viti kaluar në izolim, për një natë dashurie të fituar me vështirësi nga pushteti i burgut. Takimi do të rezultojë dramatik dhe nga ai takim do të lindin një sërë fantazmash që nuk do ta lënë më të qetë të burgosurin. Nga ai takim do të lindë edhe një vajzë, nga ai takim, por jo në atë takim, pra, një bijë produkt i asaj nate frike dhe fantazmash që gruaja e të burgosurit do të lindë nëntë muaj më vonë, jo si efekti i një nate dashurie, por makthi.

    Zgjidhja finale i shtyn të gjithë këta preçedentë të precipitojnë në veprën e pastrim-zhdukjes nga e keqja që roja i burgut kryen në familjen e tij dhe kundrejt atyre që i ndodhen afër. Pra, supozohet, tjetër periudhë burgu për të.

    Tre kapituj, një sagë, që fillon nga një situatë politike e dhjetëvjeçarëve të parë të Shekullit të Nëntëmbëdhjetë, të ambientuar në pushtimin fashist dhe regjimin komunist. Nuk ka rrugëdalje! Burgu afrohet dhe mundësia për t’i shpëtuar është pothuajse zero, të paktën për burrat. Gratë kanë mundësi më të mëdha për t’ia dalë, duket se horizonti femëror i shpëton një fati kaq të hidhur. Autori, siç e përmenda, ka jetuar të paktën dy prej këtyre kalimeve politike, atë komunist dhe atë që erdhi më pas, që në libër nuk shihet, por mund t’i afrohet llojit të sistemit të trajtuar në pjesën e parë, me i ngjashmi me aktualitetin dhe përvojat personale të Mustafaj. Pasi ka mbuluar pozicione me rëndësi për vendin e tij pas rënies së komunizmit, ambasador në Francë dhe ministër i Punëve të Jashtme për dy vite në qeverinë e Sali Berishës, në krijimin e partisë së të cilit ka dhënë kontribut, prej kohësh autori i dedikohet vetëm shkrimit.

    Kërkimi i së vërtetës duhet të vazhdojë, për t’iu arratisur burgut që na shtrëngon si në darë, të paktën kështu duket se na thotë Besnik Mustafaj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË