Mihal Hanxhari tërë jetën ledhatoi librat e të tjerëve, por nuk arriti kurrë të prekte librat e tij. Ai punoi gjatë si punonjës biblioteke në bibliotekën e Universitetit të Tiranës.Veprat e tij në proze dhe poezi u botuan pasi ai ndërroi jetë, në vitin 1999. Arsyeja kryesore e mospublikimit të këtyre teksteve, ose arsyeja e fshehjes në kohë të këtyre teksteve, gjendet te vetë këto tekste. Shkrimtaria dhe vepra letrare e Mihal Hanxharit bie ndesh me metodën dhe produktet e vetdijes kolektive të shkrimtarëve të socrealizmit.
Pas botimit, tekstet letrare të Mihal Hanxharit shpejt ranë në sy të lexuesit dhe kritikës letrare për shkak të diskursit origjinal dhe modern të tyre. Poezia e Mihal Hanxharit, ndonëse pak e studiuar dhe pak e lexuar, ka një nivel artistik që shkakton habi estetike te lexuesi. Shkrimtari Mihal Hanxhari ende nuk e ka zënë vendin e merituar si poet e prozator në letërsinë shqipe. Mihal Hanxhari me tekstet e tij letrare përfaqëson atë letërsi që qe krijuar dhe shkruar gjatë diktaturës, por nuk qe çuar kurrë në shtëpinë botuese, sepse pengohej prej frikës se nuk do të pranohej për botim. Autori ishte i vetdijshëm se kjo letërsi nuk ishte nyjëtuar sipas metodës së realizmit socialist. Këto tekste nuk janë çuar për botim prej frikës së dënimit të tekstit dhe prej frikës së dënimit edhe të autorit të tekstit, siç kishte ndodhur rëndom.
Mihal Hanxhari me tekstet e tij letrarë përfaqëson atë letërsi të penguar që u shfaq pas rënies së diktaturës dhe shkaktoi habi estetike te lexuesi. Mihal Hanxhari i përket si shkrimtar një letërsie tjetër, e cila u zhvillua krahas letërsisë së realizmit socialist në Shqipëri gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Kjo letërsi, për shkak të dallimeve esenciale me letërsinë e realizmit socialist, mund të emërtohet si letërsia e penguar. Ajo ekziston si rrjedhë e veçantë si shkrimtari dhe si produkt letrar. Kjo letërsi me tekste letrare të autorëve si Mihal Hanxhari, Zef Zorba, Visar Zhiti etj. zë një vend të rëndësishëm në mozaikun e “Letërsisë shqipe”, si vazhdim i letërsisë së modernitetit të viteve ‘30, letërsi e ndërprerë dhunshëm nga metoda e realizmit socialist, por që vijoi rrjedhën pikërisht në kushte ilegale ose gjysëm ilegale, ndonëse i ruajti tiparet e modernitetit si shkrimtari dhe si tekst, duke i pasuruar më tej këto tipare.
Mihal Hanxhari ka qënë njohës i disa gjuhëve perëndimore dhe e ka ndjekur me vëmëndje rrjedhën e letërsisë botërore, gjë që ka ndikuar edhe në formën e nyjëtimit të teksteve të tij letrare. Në teoritë e sotme të leximit ka mendime se kuptimi i një teksti gjendet dhe zbulohet edhe te lexuesi. Përfytyrohet fati i keq i teksteve që burgoseshin në kohë. Këto tekste humbnin lexuesin e kohës së tyre, por humbnin edhe një pjesë të kuptimit të tyre që gjendej pikërisht te ky lexues. Dihet se një tekst që është shkruar dyzet vjet më pare, nuk lexohet krejt njëlloj nga lexuesi i dyzet viteve më pas. Mungesa e lexuesit, sidomos lexuesit të kualifikuar, mungesa e krahasimit të teksteve letrare, mungesa e konkurimit të tyre e dëmton krijimtarinë letrare. Mungesa e receptimit në kohë të veprës letrare të Mihal Hanxharit dhe e disa shkrimtarëve të tjerë si Zef Zorba, Astrit Delvina, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, natyrisht ka deformuar rrjedhën normale shkrimtar – vepër letrare – lexues, duke krijuar një hierarki vlerash letrare me mungesën mbreslënëse pikërisht të këtyre autorëve.
Tekstet letrare të Mihal Hanxharit, krahasuar me tekstet letrare të autorëve bashkëkohës me të, dallojnë qartë. Diskurset e kësaj letërsie nuk ishin qëllimore, nuk ishin ideologjike, por tekste me funksion estetik. Në këto tekste ndihet ankthi, absurdi, vetmia, malli, trishtimi, humbja e unit poetik, sikurse në poezinë bashkëkohore europiane.
Shkrimtarët bashkëkohës të Mihal Hanxharit, të cilët i ngjizën tekstet e tyre letrare sipas metodës së realizmit socialist, me disa përjashtime, lanë pas një letërsi të zotuar, një letërsi qëllimore, e cila në mjaft tekste të saj nuk i qëndron më kohës për shkak të politizimit, nivelit të zbehtë artistik, mungesës së mesazhit universal. Edhe përpjekja e ndonjë shkrimtari me talent letrar për të bërë “martesën” e letrares me propagandën mund të prodhonte një farë teksti letrar apo vepre letrare që mund të klasifikohet si letërsi e zotuar. Krahasuar me tekstet letrare të krijuesve bashkëkohës të tij, tekstet letrare të Mihal Hanxharit kanë epërsi sepse janë shkruar pa autocensurë, duke refuzuar parimet e ngurta të socrealizmit dhe publikimin e tyre në kohën e diktaturës. Vepra e tij i shpëtoi kontrollit të censurës zhdanoviste për faktin e thjeshtë se nuk u botua e për rrjedhojë nuk kaloi nëpër morsën e shtërnguar fort të letërsisë së socrealizmit, gjë që kishte ndodhur me të gjithë tekstet letrare të botuara të autorëve bashkëkohës të tij. Tekstet letrare të Mihal Hanxharit, për nga niveli artistik qëndrojnë pranë teksteve letrare të autorëve më të shquar të brezit të tij, por pa ato “tatuazhet” që lë në to autucensura dhe censura.
Në tekstet letrare të Mihal Hanxharit miti i turmës, që gjendet rëndom në tekstet letrare të bashkëkohësve të tij, zëvëndësohet me mitin e vetmisë. Te teksti i poezisë “Ajsberg” njeriu është peshk i vetëm nën trysninë e ajsbergut të vetmisë:
Ajsberg i vetmisë
Kujtimi yt i bardhë flet me yllin polar
Po dëshpërimi yt i heshtur nën ujë …
Një tekst i tillë zor se mund të shihte dritën e botimit para viteve ’90, ndonëse është krijuar dhe shkruar në ato vite. Miti i fitores, aq shumë i pranishëm në tekstet letrare të autorëve të brezit të tij, te Mihal Hanxhari zëvëndësohet me mitin e humbjes, miti i krijimit të njeriut të ri zëvëndësohet me mitin e metamorfozës:
… Dhe ne të gjithë jemi memecë
Ngjajmë me thnegla që venë e vinë
Me nga një mal sipër në shpinë… ( poezia “Fjalët”)
Në tekstet letrare të shkrimtarëve bashkëkohës, me një farë futurizmi i këndohet betonizimit dhe pallateve me shumë kate, ndërsa Mihal Hanxhari shkruan:
… Zot shpëtoje Tiranën
Lërja këto ura nate me hënë…
Lërja aromat e lashta
Që derdhin pjergullat
Lëri mos i tremb shpirtrat e bardhë
Të stërgjyshërve tanë
Që janë aty aty… ( Poezia “Tirana” ).
Disa nga tekstet poetike për dashurinë të poetit Mihal Hanxhari, parë në aksin estetik dhe atë kuptimor janë antologjikë, krahasuar në kontekstin e brezit të tij letrar e më gjerë. Uni poetik në lirikën e Mihal Hanxharit ndihet i lirë pikërisht kur arratiset në dashuri:
…Atë natë në ajrin e vakët
Sikur qemë zhytur lakuriq në qiell… ( Poezia “Ti ankora ime”).
Në tekstet poetikë të Mihal Hanxharit dukuritë, objektet, njerëzit, ngjyrat, tingujt, format shfaqen në një dritë zanafillore, që projekton skenën e pandërprerë të shndërrimeve të tyre. Kjo mënyrë konceptimi e ndihmon mjaft poetin për të ndërtuar realitete artistike, ku shenjat sjellin imazhe të gjalla të metamorfozës nga zanafilla deri në çastin fatlumë të shfaqjes.
Poezia “Fjalët” është tipike. Ashtu siç krijohet një stalakmit duke pikur për mijra vjet, ashtu është krijuar edhe fjala. Onomatopeja pike pike krijon muzikën e këtij krijimi:
Sa mija vjet sa mija vjet
Sa errësirë sa terr në net’
Sa vezullim e sa shkëlqim
Pikë pikë pikoi pikoi
Shkronja me shkronjë u lidh ngadalë
U bë rrokje u bë fjalë…
Në këtë tekst autori ka parathënë fatin e poezive të tija:
… Të gjitha fjalët e bëra gurë
Të gjitha fjalët e bëra rërë
Ah si do të vijnë të gjitha tok
Në këmbë do ngrihen do marrin krahë
Do hedhin tej plloçën e gurtë
Me dritë qiellore me kor qiellor.
Në tekstin e poezisë “Hije reshë” kemi pamje tronditëse me këto shndërrime: ëndrrat kthehen në pije, drita shndërrohet në gjak të mpiksur, poezitë kthehen në natë, vjershat vdesin dhe shndërrohen në fantazma, vitet kthehen në merimanga, që thurin pëlhura që masin kohën, fijet e merimangës së viteve shndërrohen në tela me gjëmba, ku koha gërvishej dhe pikonte gjak mbi vëllezërit, qielli fshihej nën pullaz, ose nën brinjët e njeriut si në fillimin e kohëve, vjershat shndërrohen në dallëndyshe, që rrinë në pragun e çerdhes dhe nuk do të fluturojnë kurrë, këngët ikin nëpër natë herë zbathur, herë në erë, vjershat kthehen në gjethe, vjershat bien në tokë si gjethet, poezitë ishin pa plang pa shtëpi, poezi të varrosura me nga një kryq te kryet, poezi me nga një plagë, me nga një plumb a goditje thike. Kjo poezi sjell energjinë e pazakontë që ka fjala tek tekstet e Mihal Hanxharit për të shprehur dhembjen për mungesën e lexuesit:
Ku drita kish ikur nëpër terr
Për t’u bërë gjak i mpiksur në një varg
Poezia “Elegji për Kosovën”, mendoj se është një poezi atdhetare unitare për këto arsye: Eshtë një lutje e gjatë drejtuar Zotit për të shpëtuar sytë e fëmijëve të Kosovës:
…. Zot shpëto ata sy të kaltër të peshqve blu
Që flenë në shi dhe ëndërrojnë engjëjt e tu…;
për të shpëtuarheshtjen e pleqve të Kosovës:
Zot shpëto ato heshtje të pleqve të Kosovës
Që flasin me brazdat e baltës plot ujë të vjetër
Ujë nga shiu i pare i botës që njomi këtë dhe …
Në poezinë atdhetare bashkëkohëse të Mihal Hanxharit kemi urrejtje, kushtrime, vringëllima armësh, luftime, heronj, ndërsa te ky tekst kemi një lutje. Një lutje elegante, sa njerëzore aq edhe poetike, ku poeti i përunjgjur i drejtohet të Gjithfuqishmit.
Mihal Hanxhari ka shkruar mjaft poezi në forëm proze, apo siç emërtohen proza poetike, ndër tekstet e tij poetike më të arrira. Në antologji mund të sjellim njërën prej tyre të titulluar “Dritaret e hapura”. Autori me një frymë, vetëm me një fjali të përbërë, vizaton një pejzazh mahnitës, ku fjalët janë edhe ngjyrë, edhe muzikë, edhe mendim.
Dy poemat për dashurinë të titulluara “Aldebaran” dhe “Menhir” janë unikale në llojin e tyre dhe është pakëz e vështirë për të gjetur simetrinë e tyre në poemat lirike të kohës. Në poemat lirike të poetëve bashkëkohës të Mihal Hanxharit nuk gjen tekste që t’i këndojnë dashurisë nga fillimi deri në fund; aty lirika e dashurisë ndërthuret me atë të krijimit të koncepteve të reja për jetën, krijimin e mardhënive të reja midis njerëzve në kantiere etj., ndërsa te dy poemat e Mihal Hanxharit i gjejmë të gjithë arketipet e dikursit poetik të tij si: dashuria si zanafillë dhe njëkohësisht si përjetësi e ekzistencës së njeriut, dashuria si perandori e përjetshme, dashuria si kontinuitet i pandërprerë i jetës njerëzore.
Menhir emërtohet një gur i gjatë, i ngulur në tokë si monument i kohës prehistorike. Menhirët dhe dolmenët janë monumente megalitike, që gjenden me shumicë në Francën veriore dhe në Itali. Poema në fillesën e saj ka edhe pyetje të tilla: Ku është ajo faqe shkëmbi në cilën shpellë / Ku janë afresket e duarve tona të lashta/. Në tekst, shohim se njeriu është po ai: duart e tij kanë pikturuar shpellat në mug të qytetrimit. Kujtesa e shekujve që bie pike – pikë formon kujtesën shekullore në forëm stalakmiti: Në çdo pikë që bie në kumbim vetmie. E tillë është edhe dashuria që vjen nga thellësia e shekujve duke lënë pas monumente si menhiret dhe dollmenet, që janë dashuria e shndërruar në kujtesën prej guri:
Në çdo vis të largët shtrirë në gjakun e përndimeve memece
Ngrihen dollmenët e menhiret e fushave të menduara
Klithma të ngrira puthje motesh që s’mbyllën sy kurrë
Lëshim ku nis fill era që do të shkojë te buzët e yjeve
Poemat lirike të Mihal Hanxharit “Aldebaran” dhe “Menhhir” janë dy krijime antologjike. Të dy poemat janë ndër krijimet më të arrira të llojit në gjithë lirikën e dashurisë të krijuar nga poetët e brezit të tij. Poeti Mihal Hanxhari, siç nënvizuam edhe më lart, e sheh dashurinë të vjetër sa bota, dhe të dashuruarit të vjetër sa dashuria. Në rrafshin semantik ky përcaktim është i përligjur. Te njeriu ekziston e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja në forëm kujtese, gjuhe, genesh, experience, tiparesh. Edhe dashuria e sotme shndërrohet dhe krijon menhiret e së nesërmes:
Dhe aty buzë detit lëshuam hijen tonë
Hije menhiresh dashurie që përqafohen përjetë me kujtimin
Mahnia estetike e lexuesit është e përligjur kur takon vargje të tillë:
O natë erdh’ muzika zbathur nëpër erë
Deti nisi zërat me gjemit’e tia
Këngë, o këngë ku mbytet dashuria
Shpirti rri zgjuar, dhembjen vë të flerë
O natë erdh’ muzika zbathur nëpër erë.
(vargje nga poema “Aldebaran”).
Mendoj se dy poemat janë menhirë të gdhendur në gjuhë nga poeti Mihal Hanxhari. Ai e shihte dashurinë edhe si strehë, ku mund t’i shmangej urrejtjes dhe dhunës, ku mund të ndihej i lirë.