More
    KreuOpinionArmida Laçej: Nje bukuroshe e fjetur … po zgjohet (Përsiatje për Shkodrën,...

    Armida Laçej: Nje bukuroshe e fjetur … po zgjohet (Përsiatje për Shkodrën, nga artisti i madh kroat Hanibal Salvaro Hani)

    Ai eci me hap të shpejtë…. u ul në tokë përpara derës së hyrjes. Lotët i rridhnin…. Nuk më tha gjë për momentin, ndaj për mua ish e papritur. U çua drejt derës së madhe të hyrjes dhe psherëtiu me shpirt, Kafe Savoja…

    Ai më kishte thënë, dua të vizitoj në Shkodër tre vende shumë të dashura. Kafe Savojën, një shtëpi në Zdralje ku ai kishte jetuar disa vite me prindërit dhe Kalanë e Shkodrës. Tërë natën  s’kish vënë sy në gjumë pas ardhjes së tij në Shqipëri, vetëm duke menduar për qytetin e fëmijërisë së tij…

    Për mua ish kënaqësia më e madhe të shkoja në Shkodrën time të origjinës për të cilën jam shumë krenare dhe të shoqëroja mikun tonë Hanibal, kryetarin e shoqatës europiane të qeramikës së bashku me një mik të tij, pronar i shumë galerive të artit në Zagreb.

    Ai kish ardhur për të marre pjesë në ekspozitën ndërkombëtare të qeramikës, që u hap para disa vitesh në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Një event që e nderuan shumë pjesëmarrës, artistë të huaj dhe në mënyrë të veçantë e nderoi vetë kryetari i kësaj shoqate për Europën, artisti me një reputacion të veçante, Hanibal Salvaro Hani nga Zagrebi.

    Një valë kujtimesh u përjetuan nga Salvaro i cili kish një nostalgji të veçantë për Shkodrën, një qytet ku ai kish kaluar fëmijërinë  bashkë me prindërit e tij, i ati i tij që merrej me biznesin e udhëtimeve në Ballkan.

    Kishte shëtitur shumë nëpër botë e Europë me aktivitete artistike, por për të ish fiksuar Shkodra, qyteti më i bukur që nga fëmijëria dhe mezi priste ta shihte. Ai kish fantazinë e tij ngulitur në mendje, apo një kujtesë bindëse dhe e patjetërsueshme me një qytet tjetër në Europë….

    …..Hymë brenda në Kafen e Madhe e unë atëherë i thirra kujtesës, që në një film shqiptar kisha dëgjuar për Kafe Savojën e tani e mora vesh që ajo ish Kafja e Madhe. Kjo kafe ish simboli i Shkodrës, djepi i kulturës shqiptare, streha e intelektualëve të kohës, ishte pikë takimi e shkrimtarëve, emrave të njohur të artit Gaqo Tashko, pianistja Lola Gjoka, Ernest Koliqi, Don Nikollë Koliqi, Tefta Tashko, Asdreni, Lasgush Poradeci, Gjergj Canco, Fishta i madh etj., etj.. Aty bëheshin bisedime e merreshin vendime politike nga figurat kombëtare të kombit si Luigj Gurakuqi me shokë.

    ….U ulëm në Kafen e Madhe… kujtime të renditura i shpalosën fëmijërinë e tij. M’u kujtua një poezi, që bashkë me pranverën do të vish dhe ti… Dhe ai erdhi,  ish me fat që të vizitonte Shkodrën e fëmijërisë së tij dhe të puthte vendin, krevatin ku kishin fjetur prindërit e tij. Austriakët madje në 1914 pasi u larguan nga Shkodra, foton me Kafen e Madhe e shtypën në kartolina, imazhet e së cilës ia dërgonin miqve si kujtim.

    Jeta është muzikë, kujtesë, fantazi, realitet. Ne çajmë hapësira pafund mes deteve e oqeaneve dhe maleve të Shqipërisë, thotë një mike e imja poete.

    – Ngjitemi lart duke shijuar mrekullitë e botës, ëndërrojmë me format e pasionit, dashurojmë hapësirën.

    Aromë lulesh… trëndafilash të Shkodrës, që shpërndahen nga era e lehtë, që të përkëdhelte e të joshte me ëmbëlsinë e saj.

    U ulëm në tavolinën e parë të kafesë, ku koha kalonte pa u ndier me rrëfimin e tij magjik. Një moment pa e pirë ende kafenë u ngrit e më shkoi sipër te kati i dytë, te dhoma si hotel, ku ai kish fjetur kur kish ardhur në fillim në Shqipëri.

     Preferoi të shkonte vetëm dhe u kthye me lot në sy…. – Kafe Savoja, – thoshte shpesh.

    Tregoi elegancën me të cilën ato hanin dikur, pirunët e lugët e argjendta dhe biskotat me format nga më të ndryshmet, që i jepnin veçanërisht fëmijëve.

    E pabesueshmja ish para syve te tij. “S’kishte justifikim Kafeja e Madhe si qendra, si një pikë referimi ku ishin ulur sa e sa figura të kombit”……. Ish thërrmuar para tij si një vazo kristali.

    -A e shihni këtë pjacë, ne kemi qenë në ditët e para të kapitullimit të Italisë fashiste dhe ku jeta këtu mori menjëherë zhvillim. Shkodranët nga më elegantët në Europë (dhe pse e kish parë me dhjetëra kryeqytete të Europës) me pellushet në qafa dhe me skarpinat elegante ishin plot magji… të bukurat e pedonales para Kafesë së Madhe. Por jeta ndryshon…

    – Ishin vitet ’18…. Këtu pianot në familjet e tyre ishin të parat, ku dhe statuti i Shkodrës zbuluar nga një italiane e përkthyer nga Pëllumb Xhufi e sa e sa të tjera pafund.

    Në mendjen time më rrotulloheshin rrëfime të babait tim për Fishtën, pse nga fëmijëria ai dinte përmendësh  shumë poezi të tij dhe më është ngulitur një thënie e Fishtës, që babai më kish thënë disa herë kur shkonim për pushime. Edhe hana do ta dijë, edhe Dielli do t’ketë pa, se përqark kësaj mrekullie, si Shqypnia vend nuk ka.

    Ky frat, ish françeskan, poet, shkrimtar, përkthyes, arkitekt, autor i Akademisë Italiane të shkencave.

    Pedagog euridit, një prej figurave më të mëdha patriotike të historisë së kombit shqiptar. Të tillë ishin pedagogë të tjerë si Prof. Dom Arapi, që i thash nxënësve, -“Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, – por Shqiptarinë e kemi bashkë, etj., etj.”.

    – Ja sa bukur ia fuste në zemër dashurinë për atdheun.

    Kujtesa e origjinës është gjëja më e vyer. Ajo tregon se ku kemi qenë, ku jemi e ku do të shkojmë.

    …Era kalonte si mjegull. Po pranë Kafes së Madhe ishte Fototeka Marubi, e drejtuar nga dinastia e Marubëve, të cilët stampuan me aq bukuri në bardh e zi, historinë dhe figurat e Shkodrës e të Kombit, Libraria pranë Kafes së Madhe, ku mblidhej gjithë rinia, që drejtohej nga vëllezërit Laçej etj., etj..

    Krenari, shpirti në këtë qytet merr jetë duke shpërndarë dashuri. Ai depërton në çdo strehe mbuluar me muret e lartë me gur duke përkëdhelur ndjenjat me ritmin e këngës se famshme Shkodrane… Mirmbrama, Mirmbrama Shkodra jonë. A ke bukë, a ke bukë me na dhënë?… E ajo përgjigjet. Sa ka deti ujë e ranë…

    Kujtime të pashlyeshme me Kafen e Madhe, Arrën e Madhe,  Kishën e Madhe, etj., etj..

    E ti s’ke si të mos i përulesh me modestinë më të madhe, admirimit e kujtimit për të…

    Më tutje vazhdojmë rrëfimin tonë… artistët kroatë kërkonim një shtëpi në lagjen Zdrale ku Hanibali kish kaluar fëmijërinë. E gjeti vetë me kujtesën e tij. I njëjti ritual, u përkul në gjunjë dhe puthi shkallët ku ai kish shkelur në fëmijërinë e tij. Menjëherë kërkoi dhomën e gjumit ku kishin fjetur prindërit dhe e puthi me mall të përvëluar.

    -Ajo moja majko… tha si me dënesë te krevati… jam këtu te ti, ku ti ke fjetur.

    Të përshkruash emocionet… vështirë… ato kujtesa i rrënjos, i rendit si ai arshivisti i apasionuar, për të mos i humbur kurrsesi.

    Nga mendja nuk i hiqet emocioni, që pa Kafen e Madhe. E tash ti Kafja e Madhe je si një nuse e fjetur mu në mes të Shkodrës, që kushdo që shkel i njeh bukuritë e saj. Atë e projektoi me aq mjeshtëri autori i madh, arkitekti, piktori, skenografi shkodran, Kol Idromeno, ai që beri me shpirtin e tij te zjarrte “Mona Lizën shqiptare”, “Motra Tone”, që mban velin transparent me një finese e delikatesë të veçantë ku fshihet si mister, bukuria rrezëllitëse shqiptare.

    Vazhduam me tutje vizitën në Kalanë e Shkodrës, që ish nga më të bukurat, që artisti kish shëtitur.

    …Fryjnë erërat në anën e kodrës dhe kalorësit vrapojnë në kodrën e ngritur, ku gurët ciklopikë rrethojnë kalanë.

    Ndërmjet viteve… dallgët e jetës përplasen pa mëshire… Vitet vazhdojnë rrugën në një trajektore herë të pasigurte… shkruan një mikja ime poete…. Afron kriza. Sëmundjet u përhapën e lëshojnë rrënjë, duke shfarosur jetë njerëzish, lënduar e frikësuar shpirtin njerëzor. Ekzistenca e jetës në vazhdimësinë e saj në dilemë…. Diku po lëviz duke shpërndarë mjegull. Janë kuajt, që me trokun e tyre ngrenë pluhurin e tokës, duke përzierë me mjegullën që s’të lë të shihet me tutje…

    Por dielli ndrin majë kodrës ku është ngritur Rozafa madhështore mbi gurët ciklopikë. Në antikitet kjo zonë ishte e banuar nga fiset e Labeateve, prandaj dhe historiani i madh Titus e quajti këtë vend “Vendi më i fortë i Labeateve”.

    Në 181 para Krishtit, qyteti u kthye në kryeqytet të mbretërisë Iliriane me mbretin Gent.

    Ura e madhe lëvizëse e Bunës, ku kryhej transporti detar të mahnit me shtrirjen e gjerë që soditej aq mrekullueshëm nga maja e kalasë.

    Duke shkruar këto rreshta të vijnë sa e sa mendime… e ti i ndjek, ndaj me krenarinë që të zapton i gëzohesh çdo gjejë të bukur që ti ke e do të kesh, Shkodra jonë.

    E “Kafja e Madhe”, e fjetura magjike do të zgjohet tashme. E ne do te ngazëllehemi përsëri, do të vijë bukuria jote, epiqendra e pjacës së Shkodrës. Dikush do ta zgjojë, që t’i sjellë krenarinë e dikurshme kësaj ndërtese.

    E ne do të themi… do të shkojmë të prijmë kafen te Kafja e Madhe, sepse aty është kafja më e mire. Do shkojmë te Kafja e Madhe, tek Arra e Madhe, Kisha e Madhe, që simbolizojnë Shkodrën, qytetin e veriut me shumë kulturë.

    Shënim: Ishin lotët e një artisti të madh të humorit shkodran Zef Deda, në një emision televiziv për arsye të mendimeve të ndryshme për rikonstruktimin e ndërtesës së Kafes së Madhe, që më ngacmuan të shkruaja kujtimet e një artisti të madh kroat, Hanibal Salvaro Hani.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË