More
    KreuLetërsiBibliotekëTre tregime nga Artur Baku

    Tre tregime nga Artur Baku

    I HUMBURI

    Nuk e di si u gjenda në atë zall lumi, i rrëzuar si një pemë me gjysmën e trungut në ujë dhe gjysmën tjetër në breg. Ndjeva rrjedhën e lumit që me shtynte pjesën e baqthit, ndërsa me duar kacavirresha mbi zallishte për kah bregu. Kur dola matanë, pashë një plak dhe një djalosh që po tërhiqte lehtë fildispanjën me aparatin e një kallami peshkimi.

    -There! – u dëgjua plaku.

    Djali tërhoqi fort kallamin nga vetja. Diçka kish rënë në grep. Filloi ta tërhiqte me ngut. 

    -Avash! Lëshoje pak ta lodhësh dhe tërhiqe përsëri lehtë. Lësho dhe tërhiq, – ia pat plaku. 

    Vazhduan me sy nga lumi, thua se unë isha një qenie a padukshme për ta. Nuk kishin fare kureshtje, kush isha, si u gjenda në atë breg lumi, gjysmë i vdekur, gjysmë i gjallë. Kalova pas shpinave të tyre, asnjëri nuk ktheu kokën. Kisha frikë t’i flisja, pasi në të vërtet as unë nuk dija kush isha, nga kisha ardhur, pse ndodhesha aty… Në ikje e sipër u thashë: 

    – Qëllofshi!

    Plaku ma ktheu:

    – Hidh diçka sipër, se do ftohesh.

    Pastaj dëgjova zërin e hareshëm të djalit: 

    -Asht nji krapuliq… Asht nji krapuliq!

    Ndërsa largohesha zërat e tyre treteshin në ajër bashkë me zhumhurin e lumit. Muzgu më zuri në mes të një pylli me mështekna. Eca kuturu nën një dritë hëne që shfaqej dhe zhdukej mbi kurorat e pemëve. Ndoqa përndritjen hënore si një anije det-humbur që orientohet me dritën e një fari të largët, deri sa e pashë veten buzë rruge. Rreth një kilometër nga aty ku mbaronte pylli, rrëzë një kodrine shtrihej një qytezë. Dritat vezulluese të shtëpizave pulsonin si një dritë e vetme, si drita e një galaktike që ndodhet në skajin tjetër të universit, por brenda saj ka miliarda histori njerëzore që fiken dhe shuhen çdo çast.

    Vazhdova ndanë asfaltit për kah qyteza. Në hyrje të qytezës më ra në sy një shtëpi e bardhë druri rrethuar nga një gardh me thurima dekorative lulevilesh. Shtyva lehtë derën e oborrit dhe eca drejt verandës. Drita okër e hënës praronte përreth.

    – Ka njeri këtu? – lëshova një zë.

    Askush nuk u përgjigj.

    Trokita te dera e brendshme. Heshtje si ajo e hapësirave të humbura të kozmosit. Ndjeva një prekje të lehtë në thembrën e majtë, atë çast zemra me rrahu fort si tingulli i një kitare bass. Një maçok i zi u përshkua poshtë këmbëve dhe shtyu me kokë derën gjysmë të hapur të shtëpisë, pas la mjaullimën që u tret në verandën ngjyrë okër. Ndodhesha në prag të derës, sytë e mi dhe sytë e verdhë të maçokut të zi u kryqëzuan. Kërceu mbi tavolinë sikur donte të thoshte: Më ndiq!

    Kur hyra brenda gjithçka ishte e bardhë. Perdet, muret, tavani, poltronat, biblioteka, tapeti, tavolina ovale, karriget… Thua se ajo shtëpi ishte e pushtuar nga re të bardha qumështore dhe aroma e lulevilesh. Kalova nga salloni në dhomën ngjitur. Ishte një dhomë fëmijësh, e rrethuar me një bardhësi më të dendur, si një shtresë bore e re që sapo ka nisur. Në pasqyrën e njërit prej kapakëve të dollapit pashë veten. Isha një plak me flokë, mjekër dhe rroba të bardha. Në atë bardhësi i vetmi kontrast qe spikama e maçokut të zi që përvidhej nëpër dhoma.

    Nga honet e kujtesës filluan të më ktheheshin imazhe, aroma, copëza bisedash… Kisha lexuar diku se: “Dyert e parajsës dhe ferrit janë ngjitur dhe identike”.


    SHËN VLADI

    “Kjo është ëndrra; tani do të japim interpretimin përpara mbretit.

    Danieli 2:36” – Bibla

    Tutje rrafshnaltës së Vlagës, në një nga shtatë kodrinat, ndodhet Manastiri i Shën Vladit.

    Çdo fund maji pelegrinët mblidhen nga anë e anës për të kujtuar shenjtin. Dorëshkrimet e manastirit të publikuara në një tabelë me ndriçim të zbehtë, ndanë hyrjes kryesore, tregojnë se Vlaga pat qenë një vend i shkretë, humbëtirë bjerrajetesë. Kryekalorësi Vlad në fillim të mijëvjeçarit të dytë i printe një dërgate që hierarkët e lartë të Patriarkanës kishin dërguar për zbulimin e një krimi të ndodhur në Manastirin e Vlagës. Gjatë rrugës së kthimit, dërgata ishte sulmuar nga një grup kusarësh. Kryekalorësi Vlad ishte goditur i pari nga një shigjetë me pupla të bardha, bash në lug të gjoksit. Atë çast nga thelloma e shpirtit kishte kumtuar:

    – O Atë, vadite këtë bokërimë me gjakun tim!

     Dorëshkrimet tregonin se, që nga ajo kohë, tokat e djerra të rrafshnaltës së Vlagës ishin kthyer në kopshte të bleruara. Patriarkana e Shenjtë, jo veç nga akti martirizimit, por dhe nga mrekullitë e ndodhura në rrafshnaltë, e kishte shpallur Kryekalorësin Vladsi Shën Vladi i Manastirit të Vlagës.

    Përveç variantit zyrtar, në rrafshnaltë qarkullonte dhe një gojëdhënë, sipas së cilës thuhej: Vladi kish qenë kryekusar me nam atëbotë. Prijësi i një çete të vogël kusarësh që kontrollonte udhët e karvanëve që përshkonin rrafshnaltën. Thuhej se vendi ku ndodhet sot manastiri pat qenë një harvallinë ku strehoheshin Vladi dhe çeta e tij. Një ditë Vladi me të tijtë, me një sulm rrufe kishin goditur karvanin e Hirësisë së Tij, Patriarkut Vladimir, pa e ditur se kush ishte ajo lëndë e bekuar njerëzore që përvidhej nëpër rrafshnaltë. Patriarku Vladimir ishte ekzekutuar së bashku me dymbëdhjetë shoqëruesit e tij. Kumti për ekzekutimin e Patriarkut kish marrë dhenë. Fisnikët e kryeqendrës kishin dërguar një grup prej rreth 50 kalorësish për të gjetur trupin e Patriarkut Vladimir dhe ndëshkuar çetën e kusarëve të Vladit. 

    Gojëdhëna thoshte se kalorësia, pasi shestoi çdo detaj të sulmit, pa pritur dhe pa pandehur goditi çetën e kusarëve në strofullin e tyre, bash në harvallinë. Në çastin e sulmit nga harvallina dëgjoheshin zëra të mbytur:

    – I ndritë shpirti Shën Vladit… O Shën Vlad vadite këtë bokërimë me gjakun tonë…

    Kalorësia e sprovuar e kryeqendrës për pak minuta kishte arritur ta bënte theror çetën e kusarëve. Për çudi, as trupi i Patriarkut Vladimir dhe as vetë Kryekusari Vlad nuk ishin gjetur kurrë. Kërkimet kishin vazhduar me vite…  Asgjë… asnjë shenjë nga Patriarku dhe Kryekusari.

    Në kujtim të Patriarkut Vladimir, Patriarkana e Shenjtë, së bashku me fisnikët e kryeqendrës, e kthyen harvallinën në manastir. Vetë statuja e Patriarkut Vladimir, e vendosur në hyrje të manastirit, ka shëmbëlltyrën e Kryekusarit Vlad, thoshte gojëdhëna.

    Pelegrinët që udhëtojnë me karvanë drejt manastirit në muajin maj tregojnë se netëve nëpër rrafshnaltë u është shfaqur imazhi i Kryekusarit Vlad, veshur me rrobën e bardhë dhe petrahilin e praruar të Patriarkut Vladimir.

     Ndërsa ca të tjerë thonë se kanë parë imazhin e Patriarkut Vladimir, veshur me pelerinën e errët të Kryekusarit Vlad.

    –  Paçim bekimin e “Shën Vladit”, – u dëgjuan zërat e pelegrinëve edhe këtë fund maji, ndërsa përshkonin rrafshnaltën në një qiell të pastër me yje në drejtim të kodrës.

    “Dhe pyetjet mbeten…”, shkruhej në piedestalin e statujës së Patriarkut Vladimir.


    SINESTEZI

    “…Nga sa parashtruam sa më sipër, arrijmë në përfundimin se shkaku i humbjes së dëgjimit në qytezën e Kosmaçit janë zhangëllimat e fuqishme të objektit qiellor të paidentifikuar që u shfaq mbi qiellin e qytezës, natën e Shën Agustinit”, – përfundonte raporti i «ISFP – «Instituti i Studimeve të Fenomeneve Paranormale».

    Që nga ajo natë, jetët e tyre kishin ndryshuar krejtësisht: mënyra e festimeve, ritet mortore, diskutimet në baret e qytezës… Mirëpo përtej këtij ngërçi jeta vazhdonte… Banorët kishin gjetur mënyra të reja komunikimi: Këshilli i komunës së qytezës kishte miratuar një rregullore të re komunikimi që normonte rregullat e komunikimit publik në mënyrë të detajuar.

    Dasma e parë në qytezë u bë pak muaj pas natës së Shën Agustinit. Dasmën e hapi babai i dhëndrit, i cili mbante në duar një pankartë të bardhë ku shkruhej me shkronja bojëqielli:

    – Mirë se na urdhëruat! Jua shpërblefshim në gëzime!

    Sapo mbaroi urimin i zoti shtëpisë, të gjithë të ftuarit ngritën njëherazi kartonët e gjelbër ku shkruhej:

    – Jetë të lumtur çiftit! 

    Përballë me të ftuarit, në vend të orkestrës, ishte vendosur një pëlhurë e bardhë e cila derdhej mbi gjithë faqen e murit. Një video projektor filloi të lëshonte ngjyra. Projeksionet e ngjyrave diktonin ritmin e kërcimit. Mbi pëlhurë pulsonin tre ngjyra bazike: E kuqe, e verdhë dhe blu, të cilat ndërkalleshin dhe shpërbëheshin në nuanca dhe ngjyra të tjera. Ritmi i kërcimit gjallërohej nga lloji i ngjyrave dhe shpejtësia e pulsimeve.

    Brenda pak sekondave tri ngjyrat bazike ndryshonin nuancat nga e kuqe gjaku në të verdhë luledielli, blumarinë, e kuqe shegë, e verdhë tulipan, blu saks, e kuqe trëndafil, e verdhë okër, blu kobalt… Të ftuarit filluan të harbohen nën pushtetin e ngjyrave pa dëgjuar as dhe një tingull.

     Raporti analitik i ISFP kishte parashikuar se një nga pasojat e humbjes së dëgjimit do të ishte përjetimi i disa llojeve të sinestezisë nga banorët e qytezës.

    Për njerëzit që përjetojnë simptoma sinestezie bota është plot shije, ngjyra dhe tinguj, në varësi të llojit të veçantë të sinestezisë së tyre, ata përjetojnë ndijime të tilla: E hëna të ketë ngjyrë të vjollcë, e shtuna të gjelbër, e diela të bardhë, e gjitha në varësit të ngjarjeve që mbushin ditët e tyre.”

    Ceremonia e parë mortore u mbajt pas një jave nga dasma e parë. Avokati i njohur i qytezës, Gjergj K, ishte ndarë nga jeta krejt papritur nga një ishemi cerebrale. Trupi i pajetë i avokatit ishte vendosur në mes të sallës mortore.

    Një fashë drite depërtonte nga kupola e xhamtë dhe binte pingul mbi arkëmort. Në krah të djathtë ishin rreshtuar të afërmit: bashkëshortja, dy djemtë, vëllezërit dhe motrat. Lotët e familjarëve rridhnin në heshtje. Shprehja e ngushëllimeve bëhej me dorë në zemër. Kishte dhe nga ata që përdornin komunikimin me duar, sipas alfabetit të miratuar nga Këshilli komunal i qytezës. Humbja e dëgjimit kishte zhvlerësuar ritualet e bërtiturave, ulërimave dhe vajtimit më zë. Fundja, kujt i duheshin ulërimat në një ambient ku zëri nuk ngjallte më emocione!

    Një i panjohur lëvizi gishtat në ajër, duke formuar fjalën:

    – Ngushëllime!

    Familjarët e rreshtuar në vijë të drejtë në karriget ndanë arkëmortit ia kthyen me dorë në zemër. Por para se të largohej, i huaji formoi një fjali të shkurtër me gishtat e dorës:

    – Në lagjet e periferisë është kthyer dëgjimi!

    Bashkëshortja e avokatit ia dha virrmës… E pasuan dhe familjarët e tjerë. Kori i virrmave ushtoi aq fort sa një tufë zogjsh fluturuan nga kupola e xhamit pa orientim. Burrat e shtëpisë u drejtuan nga arkëmorti duke bërtitur:

    – “Hou! Heu! Ho!”.

    Filluan të heqin duart nga mesi dhe t’i çojnë anash fytyrës dhe të ngulin thonjtë në tëmtha e në faqe duke gërvishtur fytyrën derisa filloi t’u rridhte gjak. U ulën në gjunjë me radhë, duke vazhduar thirrjen dhe mbështetur ballin mbi dysheme ndërsa përkëdhelnin me duar dyshemenë. Qëndruan kështu, deri sa një nga djemtë e shtëpisë u shkoi afër, duke u thënë:

    – Boll, o burra! Paçi faqen e bardhë!

    I panjohuri u shpall në kërkim nga autoritet, pasi kishte dhënë deklaratë të rremë në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 6969.

    Thonë se ishte halucinacion i banorëve, pasi ai nuk u gjet kurrë.

    Vigjilja e fushatës elektorale për zgjedhjet komunale të qytezës përkoi me një vjetorin e natës së Shën Agustinit. Kryetari në detyrë i komunës rikandidonte, ndërsa rivali i tij ishte një biznesmen i njohur. Stafet e fushatës kishin rënë dakord që përballja e fundit e dy kandidatëve të bëhej në sallën e kinemasë së qytezës. Kryetari në detyrë dhe stafi i tij ishin vendosur në të majtë të sallës. Sfondi pas shpinës së tyre ishte mbushur me pankarta ku spikatnin premtime të shumta elektorale, nga ato që i njohim të gjithë.

    Sfidanti kish zënë vend në të djathtë të sallës. Sfondi pas tij ishte bosh. Asnjë premtim! Veç një pëlhurë e bardhë bosh. Moderatori i takimit i bëri shenjë me duar rivalit të fillonte prezantimin e programit të tij elektoral. Ai u ngrit në këmbë dhe filloi komunikimin me duar sipas alfabetit të miratuar nga Këshilli i Komunës.

    E gjithë salla hodhi shikimin në një pikë të hapësirës, aty ku lëviznin gishtat e rivalit. Fjalia filloi me përemrin vetor “Unë…”. Ai bëri një pauzë dhe vazhdoi: Ju premtoj se brenda një jave nga fitimi i mandatit të parë do t’ju kthej 100%… Fjalën e fundit e hodhi në hapësirë me shkronja kapitale: DËGJIMIN”.

    Pasi formoi në hapësirë tri pikëçuditëse si shtylla betoni, njerëzit filluan të linin sallën.

    Dëgjoheshin fishkëllimat mosaprovuese.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË