More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBehar Gjoka: Pikëtakimet e romanit “Hasta la vista” me “Porta e diellit” të Simonë...

    Behar Gjoka: Pikëtakimet e romanit “Hasta la vista” me “Porta e diellit” të Simonë Teri

    Romani “Porta e diellit” i shkrimtares franceze, Simonë Teri, është botuar në Paris, në vitin 1939, pra kemi të bëjmë me një tekst letrar, të zhanrit më të gjatë të prozës, që vjen si një përgjigje e flakëpërflakshme ndaj heroizimit, të spanjollëve dhe vullnetarëve të ardhur nga dhjetëra vende në mbështetje të republikës, kundër monarkisë frankiste. Ka shumë mundësi që të jetë edhe ndër të para tekste letrare, që në harkun e dy viteve qëndresë, 1937-1939, që ka përcjellur menjëherë tmerrin dhe lavdinë e kësaj lufte. Romani “Porta e Diellit”[1], vjen në gjuhën shqipe dhe botohet në vitin 1972, dhe hapësira e atij teksti përbëhet nga 483 faqe, një tablo e plotë e kohës së asaj lufte. Në frontespic nuk është shënuar së nga cila gjuhë është përkthyer, sepse me sa duket nuk shënohje gjithnjë. Ndërkaq duke u mbështetur në faktin që autorja Simonë Teri është shkrimtare dhe gazetare franceze, si dhe nga fakti tjetër, që zonja Klio Evangjeli, zakonisht ka përkthyer nga frëngjishtja, arrijmë në përfundimin që libri mbi luftën e Spanjës është përkthyer nga gjuha frënge. Nga ana tjetër, Petro Marko, librin e parë të vetin, pra romanin me titullin domethënës, Hasta la vista,[2] që ka si motiv luftën e Spanjës e boton në vitin 1958.

    Pra, për herozimin e luftës së Spanjës, kemi të shkruar dy romane, ndonëse në një distancë kohore të përfillshme, prej nëntëmbëdhjetë vitesh, ndërmjet dy teksteve, nga Franca dhe nga Shqipëria. Megjithatë, fakti që Hasta la vista,[3] që ka njohur disa botime para viteve ’90, në Shqipëri dhe Kosovës, si dhe ka një numër faqesh teksti të shtuar, është ndër tekstet që ka vënë në qendër heroikën e luftës së Spanjës. Pra, gjithsesi nuk mund të përjashtojë të dhënat e kohës së luftës, të shkrimeve, informacioneve, poezive, hije ditari, ose edhe të ndonjë skicë-ideje mbi këtë libër, shumë më herët se sa koha e botimit të tekstit. Jemi, gjithnjë dhe vetëm në një hipotezë që do të kërkonte hulumtime të thelluara, në dorëshkrimet e mëparshme, në ditaret e autorit, për ta zbardhur këtë fakt, ndonëse e vërteta e faktike e botimit të romanit në vitin 1958, me disa gjurmë të modernitetit shkrimor, si frymë dhe tesktologji, si humanitet dhe lënia pezull e fatit të dy të rinjëve, Gorit dhe Anitës. Kjo shenjë është një e vërtetë thelbësore, që konfirmon kohën e botimit, si dëshmi e identifikimit të romanit të parë të autorit, që ka si epiqendër heroikën e njerëzimit përballë flamës së nazifashizmit, ose fundit të tmerrshëm, që u pasua nga tmerri pafund i socializmit dogmatik, në Shqipëri dhe në një pjesë të madhe të botës.

    Lufta e Spanjës si lajtmotiv

    Shenja e parë, në aspektin sipërfaqësor të prezantuar, në të dy romanet, por edhe në brendësinë tronditëse, të fatit të njeriut dhe njerëzimit, në prag të Luftës së Dytë Botërore. Kjo atmosferë e përndezur e luftës së Spanjës, është shqiptuar në të dy tekstet romanore, pra te “Porta e diellit”, roman i Simonë Teri, botuar në Paris, për herë të parë në vitin 1939 dhe, të Hasta la vista, i Petro Markos, botuar në vitin 1958 në gjuhën shqipe. Pra, pavarësisht kohës së ndryshme të botimit të këtyre romaneve, thelbi dhe lidhja e tyre, ka të bëjë me temën e luftës, problematikën që paralajmëroi përplasjen e madhe, të fashizmit me njerëzimin, ku madje pas lufta solli në një pjesë të madhe të planetit, vendosjen e socializmit, si tmerri pafund, që tashmë në distancë kohore, prekim shkretëtirën që la pas sistemi monist, që e përndau njerëzimin mbi parimin e luftës së klasave, me pasoja fatale për njeriun dhe vlerat e humanizmit. Nëse titulli i romanit “Porta e diellit”, shënon njërin nga sheshet qëndror të Madridit, “kështjellës” së qëndresës së repbulikanëve kundër monarkistëve, duke projektuar kështu epiqendrën e rezistencës së spanjollëve dhe vullnetarëve, në atë ngjarje epokale. Madridi në historinë e betejës, si dhe në faqet e romanit të S. Teri, bart shenjat e simbolit të qëndresës, të një modelit të pazakontë në fatin e qenies njerëazore në kohërat modern. Kurse te P. Marko, në titullin e romanit, është vënë një përshendetje dhe jo rastësisht, Hasta la vista, pra mirë u pafshim, si një klithëm njerëzore, për të mos e harruar kurrë rezistencën, për të mos e lënë në vetmi Spanjën dhe spanjollët e paepur, e sidomos me shpresën që dashuria e dy të rinjëve, Anitës dhe Gorit, nuk do të mbetet në udhëkryqin e fatit të mbrapshtë të luftës. Bota romanore, e të dy romaneve, në strukturim, në narrativë dhe në konfigurimin e personazheve/protagonistëve të klimës së luftës, është qarkëzuar në dy vitet e qëndresës legjendare, 1937-1939, duke u bërë kështu lajtmotivi qëndror, si dhe filli i strukturimit dhe niveleve që përçon optimizmin e luftëtarëve, por edhe fatalitetin e një fundi të pashmangshëm dhe të padëshiruar, duke mbetur kështu besnik i kohës reale, që në dy tekstet vjen i përthyer në imagjinatën e autorëve, pavarësisht njëri-tjetërit dhe kohës së ngjinjur në rrjedhje të shëmtuar të fatalitetit të qarkëzimit të njerëzimit, që herë pas herë kridhet në beteja shkatërrimtar të vetvetes.

    Simone Téry. Francë, rreth 1930.

    Pikëpërkimet rastësore

    Shenjëzimet e shkrimit letrar, janë të lidhura me jetën e secilit prej autorëve, që në romanet e shkruara prej tyre, në kohë të ndryshme, si dhe pavarësisht njëri-tjetrit, kanë vënë në qendër luftën e Spanjës, epopen e njerëzimit, të pjesës së parë të shekullit të XX. Në aspektet jetësore, të jetës së dy autorëve të këtyre romaneve, jemi në dy pikëpërkime, që nga rastësore, janë të shumta, që madje shndërrohen në një realitet faktik dhe historik:

    E para, të dy autorët, pra si shkrimtarja franceze, Simonë Teri, ashtu edhe shkrimtari shqiptar, Petro Marko, kanë qenë pjesëmarrës në luftën e Spanjës, madje të mbërthyer në frontin e kësaj lufte, të ardhur aty si vullnetarë, në mbështetje të republikanëve, që ishte një lëvizje e majtë. Po ashtu, të dy autorët qëndrojnë në territorin e Spanjës në dy vitet e luftës së kohës, si pjesë e qëndresës legjendare, në mes republikanëve dhe monarkistëve, duke provuar vuajtje dhe sakrifica të panumërta, duke mbledhur nga hiri i kësaj lufte, botën e frymëzimit, e mbi të gjitha duke tejkaluar kronikën, por duke zbuluar para lexuesit, amën shpirtërore, madje vetë dashurinë, të përthyer në shumë pamje. Përjetimi, në bërthamën e rezistencës mbinjerëzore, pra aty në vatrën e frontit, ku zhvilloheshin luftimet e ashpra, është shtysa parake dhe tepër e rëndësishme, e realizimit të dy teksteve romanore, ku madje pikëpërkimet e ndërmjetshme janë jo më pak të rrokshme.

    E dyta, që është edhe më domethënëse, por edhe më e faktuar, për kohën që ata kanë qëndruar në front, roli i tyre si gazetar me fushën e betejës, ka qenë tepër i pranishëm, ku Simonë Teri, ishte vullnetare dhe korrespodente e një reviste, e dërguar në front, për të përcjellur lajmet nga fushat e betejës. Pra, në rastin e autores franceze, realisht jemi në një dëshmi faktike, të misionit të saj, madje në vijën e frontit, si korrespondente e dërguar atje, me dijen dhe qëllimet e shpallura. Nga ana tjetër, Petro Marko, shkrimtari shqiptar, ishte bërë pjesë e vullnetarëve që do të shkonin në luftën e Spanjës, mbasi ishte bërë i njohur si gazetar rebel, si botues i revistës ABC, si dhe kishte botuar në gazetat dhe revistat e kohës, me dhjetra poezi dhe tregime të shkurtra, duke u bërë një figurë e njohur në Shqipëri. Po ashtu, shkrimtarin tonë, gjendur në vijën e frontit, e caktuan me detyra të rëndësishme, që të botonte gazëtën e “Garibaldinëve” të ardhur nga gadishulli ilirik, por njëherit edhe të shkruante artikuj të ndryshëm për epopenë e luftës së Spanjës. Pra, fatet e dy autorëve, të dy shkrimtarëve nga vende të ndryshme, që i kishin kushtuar luftës së Spanjës romane, Simonë Teri, “Porta e dielli”, kurse Petro Marko, me Hasta la vista, kanë disa pika të përbashkëta, në praninë e tyre në këtë luftë, por edhe si gazetar që përcollën rrjedhat e saj në shtypin e kohës.

    Pikëpërkime te romanet

    Me interes për letërsinë, pra në atdheun shpirtëror të qenies, është vendosja pranë e pranë, por edhe në një situim përballëvënie e të dy romaneve, përkatësissht të tekstit “Porta e diellit” të Simonë Teri, botuar në vitin 1939 dhe Hasta la vista i Petro Markos, të botuar në vitin 1958. Përqasja e këtyre teksteve, si atmosferë tërësore, në morinë e elementëve përbërës, të sendërtimit të botës romanore, të strukturimit dhe të mozaikut rrëfimor, gjithnjë si optikë krahasimore, do të kundrohet nga dy pika referimi:

    A – Nga vështrimi i të dy teksteve, pra i romanit “Porta e diellit” dhe Hasta la vista, në vendosjen pranë e pranë, gjithnjë në kërkim të rezonimit të tyre, si piketa realiste dhe sendërgjim i shenjës estetike, që përçohet në secilën hapësirë tekstologjike. Kjo situatë e nevojshme, ndërkaq është e ndërvarur nga leximi dhe rileximi i pranshëm i të dy romaneve. Rrethana e solli, që fill pas rileximit të romanit Hasta la vista të P. Markos, lexova për herë të parë romanin “Porta e diellit”, të shkrimtares franceze, Simonë Teri. Për të hedhur një vështrim, sado panoramik, përqasës dhe të ndërmjetshëm të të dy teksteve, rol parësor pati edhe fakti që botimi i autores frenceze, pra i romanit “Porta e diellit”, në gjuhën shqipe realizohet në vitin 1972, ishte shoqëruar me një parthënie të zgjeruar me të dhëna të detajuara për autoren, si dhe më një analizë vlerave të shumëfishta që përçon ky roman, nga Petro Marko. Parathënia e shkrimtarit, është  rast dhe tregues i aftësisë së shqyrtimit të tekstit letrar, nga ana e autorit tonë, gjë që ma shtoj kërshërinë ca më tepër, për t’i vështruar, fillimisht në përqasje të pranëvënë të dy romanet. Nga një vështrim, formal dhe përmbajtësor, në hapësirën e të dy teksteve, bie në sy:

    – Të dy tekstet, romani “Porta e diellit”, i S. Teri, dhe Hasta la vista, i P. Markos, kanë vënë në qendër temën e luftës së Spanjës, si një pasqyrë e tablosë realiste të kësaj ndodhie. Pa drojë, mund të theksohet se objekt i sendërgjimit të botës romanore, të realitetit letrar, është koha e zhvillimit të luftës së Spanjës, në harkun kohor 1937-1939, pra vetë betejat e ashpra të asaj lufte. Përputhshmëria rastësore, e objektit/temës qëndrore, që kanë si epiqendër të dy autorët, të shtjelluara në tekstin e secilit prej romaneve, lidhet me faktin që të dy janë pjesëmarrës aktiv në atë luftë dhe kanë pasqyruar aspekte të saj, edhe si publicist. Qenia e tyre, si dëshmitarë të një njëkohshëm, por edhe gazetar të asaj situate të pazakontë, pra në një kuptim më të ngushtë, kronikanë të asaj situate të përleshjeve, aq më tepër që ata janë protagonistë të ngjarjeve, i bie që përputhja, gjithnjë rastësore, të jetë sa logjike, po kaq edhe organike.

    – Në të dy tekstet vihet re se është trajtuar tema e luftës, e cila befasisht vjen e shqiptuar duke e gërshetuar me linjën e dashurisë. Logjika e pranvënies së luftës me dashurinë, që në ato kontekste, të cilat duken përjashtuese dhe të pamundshme, në fakt është gjetje, është mesazh human se jeta vazhdon në të gjitha gjendjet, vështirësitë ku bie qenia njerëzore, në gropat dhe honet shkatërrimtare, siç janë luftërat, dashuria është ilaçi shpëtimtar i qenies dhe vijimësisë ekzistenciale të saj. Zhozeta nga njëra anë e medaljes, personazhi kryesor i romanit “Porta e diellit”, pasi ka humbur dashurinë me Andre Larbonë, për shkak të ndryshimit të rrethanave shoqërore, që u përkasin si personazhe, për ta fshirë nga jeta, vendos të hidhet në frontin e luftës në Spanjë. Në hapat e parë, në udhëtimin drejt të panjohurës, sërish trokasin rektimat e dashurisë, të cilat i sjellin në shteg aviatorin, Zhan Gireku, që shumë shpejt ia mori lufta. Në udhën e saj, si njeri dhe gazetare, në zjarrin e luftës shfaqet Pakoja, guximtar dhe orator, të cilit lufta ia ndërpreu jetën. Jeta, megjithatë nuk ka kuptim në vetmi, prandaj ndjenja për Ramonin, një luftëtar dhe komisar, e risolli në ekulibër jetën e protagonistes, teksa ikën për ca kohë në Francë, e rikthehet me e vendosur se më parë. Në faqet e romanit Hasta la vista, fekset linja e dashurisë së Gorit, epiqendrës së romanit, me spanjollen e bukur Anita, një dashuri që zbut vështirësitë e luftës, por mbarimi i saj, e la pezull dashurinë e dy të rinjëve, si një gjasë e pamundshme, si makth lumturie, që ka ngrirë në përshëndetjen e një dëshire humane, Hasta la vista, pra mirë u pafshim.

    – Në sendërtimin e romaneve realiste, ashtu siç ngjet në fushën e betejës, duke rënë në disa raste,  në një natyralizëm të pastër, si në romanin “Porta e diellit”, të S. Teri, kurse të Hasta la vista, të P. Markos, mishërohet poetika realiste, në thelbin e zbulesës së realitetit konkret, ndonëse të përthyer në imagjinatën autoriale. Përballë një ngjarje reale, siç ishte lufta e Spanjës, si dhe duke qenë pjesëmarrës në frontin e betejës, që të dy autorët, e romaneve që kanë vënë në qendër luftën e Spanjës, kanë peshën e vetë parësore, kontekstet e betejës dhe të qenies së autorëve si pjesëmarrës, tanimë për të projektuar dhe realizuar një tablo realiste, të asaj ngjarje reale, që pati si protagonistë, vetë Simonë Teri dhe Petro Marko, si dy shkritmarët që kanë shkruar romane për atë periudhë, kur fashizmi dhe komunizmi, kishin nisur kacafytjen, për jeta a vdekje, duke shkaktuar ploja të paimagjunueshme në jetët njerëzore.

    – Fataliteti, si një ndjesi që ndjek fatin e personazheve, e cila lidhet me rrethanat e luftës, me gjasë më fatin e mbrapshtë të luftës, ku jeta e njeriut është në rrezik në çdo hap. Prej kësaj atmosphere të përndezur, të një lufte tragjike, në mes republikanëve dhe monarkistëve, edhe ndjenja e dashurisë gjallon veçse në zgrip ekzistencial. Fati i hidhur i Zhozetës, që u nda nga i dashuri i parë, si dhe humbi dy të dashuritë e saj luftëtar të epopesë së Spanjës, si dhe lidhja me Ramonin që mbeti pezull, teksa lufta mbaroi, linja e dashurisë së tyre, në faqet e romanit, mbeti e papërfunduar. Fati i lidhjes së Gorit me Anitën, i dy protagonistëve të romanit Hasta la vista, të Petro Markos, është i ndërvarur sërish nga lufta, e fati i hidhur i luftës së humbur, solli largimin e dy persoanzheve, duke lënë të vjerrun dashurinë, vetëm në një shprehje, Mirë u pafshim (Hasta la vista), që është shumë e bukur, por edhe shumë e zakonshme, për ta mbajtur të ndezur zjarrin e dashurisë.

    B – Një pikë reference, për të hetuar ndryshimet, mbase duhet thënë nuancat dalluese, në mes dy teksteve. Fushëpamja e këtillë, është jo më pak e vështirë se rrethana e parë, e kundrimit të pranshëm të dy romaneve. Në vështrimin përballëvënës, të të dy teksteve të romaneve, “Porta e diellit”, të S. Teri dhe Hasta la vista të P. Markos, në mes të tjerash vihet re:

    – Se në faqet e romanit “Porta e diellit”, dashuria, ndjenja që pushton Zhozetën, fillimisht si lidhje e ndërprerë, prej rrethanave shoqërore, me Andre Larbonë, ajo në frontin e luftës rigjen dashurinë e saj, me Zhanin dhe Pakon, dhe rihumbjen e tyre sepse u vranë në fushën e betejës, si dhe në faqet e romanit shfaqet dashuria e mbetur pezull me Ramonin. Në romanin Hasta la vista, kemi vetëm një linjë të dashurisë, një pamje të saj, në mes Gorit dhe Anitës.

    – Dashuria si ndjenjë e thellë e romanit “Porta e diellit”, dëshpërimin e ndarjes e përjeton në Francë dhe gëzimin që sjellë kjo ndjesi e bukur për Zhanin, Pakon, Ramonin, zhvillohet në Spanjë, aty në mjedisin e luftës. Kurse te romani Hasta la vista, linja e dashurisë në mes Anitës dhe Gorit, zhvillohet vetëm në mjedisin e luftës dhe lufta e ndërpreu ëndrrën e bukur të dy të rinjëve, dhe mbetet pezull linja e dashurisë, në frazën Hasta la vista, pra mirë u pafshim.

    – Një aspekt që përfaqëson një ndryshim thelbësor është fakti që në faqet e romanit “Porta e diellit”, kemi të pranishëm vullnetarët që kanë ardhur për të mbrojtur republikën, por aty ka edhe brigand-vullnetarë që kanë ardhur të mbrojnë monarkinë e Frankos, që përfaqësohet nga linja e Andre Larbosë. Kurse në romanin Hasta la vista, kryesisht është paraqitur linja e rezistencës së vullnetarëve që kanë ardhur, me i dalë zot republikës.

    – Nga ana strukturore, në romanin “Porta e diellit”, materia e gjerë tekstologjike, është ndarë në trembëdhjetë kapituj, relativisht të gjatë, që janë shënuar me numra romak, nga I – XIII. Po ashtu, në romanin Hasta la vista, të Petro Markos, ka një strukturim të përafërtë, madje me njëzet kapituj të zgjeruar, dhe të ndarë me numra romak. Ndryshimi në këtë rast lidhet me numrin, ku romani i autores franceze ndahet në trembëdhejtë kapituj, kurse teksti i P. Markos në njëzet kapituj.

    Fragment nga libri në proces “Rileximi i Petro Markos”


    [1]  Simonë Teri, Porta e diellit, Tiranë, Naim Frashëri, 1972, përkthyer nga Klio Evangjeli nga frëngjishtja.

    [2]  Petro Marko, Hasta la vista, Naim Frashëri, 1958.

    [3]  Katerina Goshi, Katologimi në botim, Tiranë, BK, 2006, ku jepet botimi i parë i romanit Hasta la vista, 1958, me 470 faqe, faqe 63, botimi i dytë 1966, me 556 faqe, faqe 64, botimi i tretë 1972, faqe 550, faqe 66, botim në Prishtinë, Rilindja, 1981, me 575 faqe. Nga botimi i parë në vtin 1958, me 470 faqe në botimet e tjera ka një numër faqe me të madhe, mbi 100 faqe tekst.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË