More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. Asoc. Dr. Bashkim Vrekaj: Studimi “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit”, i...

    Prof. Asoc. Dr. Bashkim Vrekaj: Studimi “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit”, i autorit Fatmir Toçi kontribut për njohjen e historisë dhe kulturës arbëreshe

    Studimi Arbëreshët i autorit Fatmir Toçi, pavarësisht modestisë së autorit që e cilëson si një vështrim të shkurtër historik dhe kulturor është aktualisht studimi më i plotë për arbëreshët dhe, pa dyshim, ky përbën edhe  kontributin më të rëndësishëm. Kjo lidhet me faktin se deri më sot studimet për arbëreshët kanë qenë fokusuar kryesisht në gjuhën dhe kulturën e tyre dhe sudiuesit që janë marrë me arbëreshët kanë qenë kryesisht gjuhëtarë. Përkundër kësaj tendence z.Toçi ndjek linjën kronologjike të emigracionit arberëresh duke sjellë informacione me interes që e datojnë fillimin e tij që në fund të shek.XII dhe, më konkretisht, fillimisht në vitin 1199 dhe, më pas, në vitin 1272 me dokumenta që dëshmojnë praninë e një ngulimi arbëresh pranë Brindisit. Dëshmi të tilla ndryshojnë perceptimin e deritanishëm për emigrimin e arbërve drejt Italisë si një process i nxitur nga pushtimi osman i trojeve arbërore pas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Dokumentet noteriale të përdorura nga autori që dëshmojnë shitëblerje pronash nga arbëreshë dhe, rrjedhimisht,  themelimin e ngulimeve arbëreshe gjatë viteve 1396-1429 në Palermo, ashtu si dhe themelimin e ngulimeve të tilla në rajone të tjera sidomos në Italinë e Jugut dëshmojnë qartë se emigrimi i arbërve drejt Italisë ishte, sipas autorit, një dukuri në rritje gjatë shek.XV që u nxit ndjeshëm pas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe rënies së kalave të Krujës (viti 1478), të Lezhës dhe Shkodrës (viti 1479) dhe pushtimit osman i Peleponezit (në vitet 1533-1534). Sigurisht emigrimi i arbërve ishte një zgjedhje personale që kishte si shtysë kryesore motivin ekonomik. si në shumicën e emigrimeve, por në rastin e arbërve emigrimi pas pushtimit Osman kishte edhe motiv fetar dhe social, pasi osmanët imponuan një mënyrë jetese lindore në dallim nga ajo perëndimore që arbërit ushtronin para pushtimit Osman. Lidhur me shkaqet e emigrimit arbëresh autori vë në dukje disa veçori që lidhen jo vetëm me motivin ekonomik, por edhe me faktin se një pjesë e emigrantëve si burim jetese zgjodhën mercenarizmin duke ofruar shërbim ushtarak jo vetëm për mbretërinë e Napolit apo republikat dhe pricipatat e ndryshme italiane, veçanërisht asaj veneciane, por edhe për mbretëri si ato franceze, spanjolle, angleze dhe deri tek Rusia cariste. E veçanta e mercenarizmit arbëresh lidhet me faktin se ata merrnin me vete familjet e tyre duke u vendosur përfundimisht në vëndet ku shërbenin. Mbretëria e Napolit ishte vendi ku mercenarët arbëreshë gjetën terrenin më tërheqës, duke filluar nga viti 1444 duke u vënë në shërbim të mbretit Alfons në luftën e tij kundër anzhuinëve dhe, më pas, të dërguar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në ndihmë të aleatit të tij, mbretit të Napolit, Ferdinandit,  për të mundur kundërshtarët e tij. Mbretëria e Napolit i mirëpriste emigrantët nga trojet arbërore dhe gatishulli i Peleponezit jo vetëm si mercenarë por edhe për të populluar rajone të mbetura shkretë nga luftrat dhe epidemitë. Ngulimet arbëreshe në Itali u pasqyruan edhe në topografinë e rajoneve të ndryshme, si në rastin e krijimit gjatë viteve 1461-1466 të Albania Tarantina dhe Albania Salentina, në territorin e mbretërisë së Napolit, të banuara kryesisht nga mercenarë arbëreshë dhe familjet e tyre. Lidhur me emigrimin arbëresh në Itali autori zgjeron njohuritë tona duke dëshmuar vështirësitë e këtij emigrimi sidomos në fazat më të hershme të tij që lidhen si me qëndrimin nganjëherë jomiqësor të banorëve vendas ashtu dhe me gjendjen e vështirë ekonomike që bëhej shkak për revolta kundër feudalëve vendas që shfrytëzonin arbëreshër e varfër. Krahas kontinentit emigracioni arbëreshë u vendos edhe në ishuj si Korsika dhe Sardenja, ku ngulimet u themeluan nga emigrantë nga trojet arbërore dhe nga Peleponezi. Në emigracionin arbëresh drejt Italisë, krahas njerëzve të thjeshtë dhe të varfër u përfshi edhe një pjesë e aristokracisë arbëre të kohës duke filluar nga bashkëshortja dhe djali i mitur i Gjergj Kastrioti Skënderbeut, pjestarë të familjes së Vrana Kontit (Kastrioti), familjarë dhe pasardhës të Muzakajve që u vendosën në mbretërinë e Napolit dhe në Pulia, fisnikë arbër si Dukagjinët dhe Topiajt që u vendosën në Venecia, me të cilën kishin vendosur raporte gjatë procesit të kalimit të qyteteve bregdetare arbërore (me përjashtim të Vlorës) nën sundimin venecian me kërkesë të finsikëve arbër që nuk donin pushtimin e këtyre qyteteve nga osmanët.

    Me interes për emigracionin e fisnikërisë arbërore në Itali është harta e feudeve të tyre, një pjesë  të dhuruara nga mbretëria e Napolit dhe pjesa tjetër e blerë prej tyre. Lidhur me fatin e bashkëshortes dhe djalit të Gjergj Kastrioti Skënderbeu autori sjell të dhëna interesante duke ndjekur gjenealogjinë e tyre dhe duke arritur në përfundimin se kjo gjenalogji u shua me vdekjen e Irenës, e bija e Ferdinandit, biri i Gjon Kastriotit dhe stërmbesë e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, dhe vazhdimin e trashëgimisë kastriote nga fëmijë të paligjshëm të Ferdinand Kastriotit. Autori në studimin e tij sjell paralele midis arbëreshëve si luftëtarë në atdheun e tyre dhe si mercenarë, që në atë kohë quheshin stratiotë, jashtë vendit të tyre, duke filluar nga Italia deri në mbretëritë e Spanjës, Francës, Anglisë dhe deri në Rusinë cariste. Me këtë rast duhet sqaruar se stratiotët e shek.XV nuk kishin të bënin me stratiotët bizantinë të shek.X pasi, ndërsa këta të fundit ishin bujqë që kishin marrë në përdorim ngastra toke nga Perandoria Bizantine për të shërbyer në ushtri kur u bëhej thirrje, ndërsa stratiotët e shek.XV ishin mercenarë që luftonin me pagesë në shumicën e tyre ndërsa në mbretërinë e Napolit një pjesë e tyre shpërblehej edhe me ngastra toke. Fakti që një pjesë e arbëreshve shërbenin si mercenarë jo vetëm në Itali por edhe jashtë saj dëshmon se ata kishin zgjedhur shërbimin ushtarak si mënyrë për të siguruar jetesën dhe, natyrisht, kjo lidhet me aftësitë luftarake të tyre në vazhdim të një tradite shumëshekullore. Lidhur me mercenarët arbëreshë duhet vënë në dukje se ata që shërbenin në vende të tjera bazën e kishin në Itali ku jetonin familjet e tyre. Aq të kërkuar ishin mercenarët arbëreshë sa me ta ishin krijuar reparte të veçanta të përbërë nga himariotë në Venecia dhe reparti Mbretëror (Real maqedon), në fakt i përbërë nga arbëreshë, në mbretërinë e Napolit.

    Krahas kronologjisë së emigracionit arbëreshë në Itali autori sjell të dhëna për mënyrën e jetesës së tyre duke theksuar faktin e krijimit të ngulimeve arbëreshe pranë njëri – tjetrit, gjë që ndikonte në marrëdhënie më të ngushta midis tyre dhe në ruajtjen më të mirë të gjuhës, traditave dhe kulturës. Rol të rëndësishëm në ruajtjen e traditave dhe kulturës arbëreshe luajti kisha rrugëtimin e së cilës autori e ndjek hap pas hapi deri në ditët tona. Në historikun e religjionit arbresh në Itali autori thekson rolin e papa Klementi IX (Albani) me origjinë arbëreshe. Siç dihet kisha krahas religjionit në atë kohë luante rol të rëndësishëm në arsimimin e njerëzve pasi pranë institucioneve kishëtare ose me iniciativë të tyre krijoheshin kolegje, seminare dhe manastire.

    Duke filluar nga viti 1731 institucione të tilla arsimore krijuan edhe arbëreshët me Kolegjin Korsini, në vitin 1734, me themelimin e seminarit abëresh në Palermo, dhe në vitin 1733 edhe me themelimin e Kolegjit Shën Maria në Siqeli, për vajzat arbëreshe. Pavarësisht se në këto institucione mësimore fetare nuk mësohej gjuha arbërishte ato patën rol vendimtar për arsimimin e arbëreshve dhe krijimin e elitës intelektuale të tyre që do shquhej sidomos gjatë shek.XVIII-XX.

    Lidhur me intelegjencën arbëreshe autori krahas figurave të njohura si Barleti, Beçikemi, Lekë Matranga, Jul Variboba, De Rada na njeh edhe me figura pak apo aspak të njohura si  Nikollë Brankati, Nikollë Filja, Nikollë Keta dhe Gjergj Guxeta, i cili themeloi kolegjin arbëresh në Palermo dhe botoi në vitin 1734 veprën “Kronikë e Maqedonisë deri në kohën e Skënderbeut”. Në kohën kur në trojet shqiptare të pushtuara nga osmanët kultivohej kryesisht letërsia fetare me botime në gjuhën arabe, në mjedisin arbëresh botoheshin vepra shqip si “Doktrina e Krishterë” me autor Lekë Matrenga (1592), e cila përbën botimin e dytë shqip pas Mesharit të Buzukut (1555) dhe përmban vlera të veçanta gjuhësore pasi dëshmon gjuhën arbërore të shek.XV, pikërisht gjuhën e folur  të kohës së Gjergj Kastrioti Skënerbeut. Letërsia arbëreshe njohu lulëzimin e saj gjatë shek.XIX me autorët e njohur De Rada, Dhimitër Kamarda,Gavril Dara I Riu, Zef Serembe, Zef Skiroi etj, sipas autorit e vijuan në shek.XX autorë si Françesko Solonaja, Domeniko Beliçi, Karmel Kandreva, Luka Perone etj. Nga institucionet arsimore arbëreshe dolën edhe figura të njohura politike, midis të cilëve Françesko Krispi dy herë kryeministër i Italisë së bashkuar (1887-1891 dhe 1893-1896). Lidhur me kishën e frekuentuar nga arbëreshët autori sqaron se, pavarësisht se ajo quhej kisha greke e ritit bizantin, pasi arbëreshët e vendosur në jugun e Italisë vinin kryesisht nga viset jugore të Arbërisë dhe nga  Peleponezi, ku praktikohej i njëjti rit, ndërkohë ushtruesit e fesë ishin në shumicën e tyre arbëreshë.

    Lidhur me religjionin autori trajton dhe konfliktet midis kishës së të ardhurve (shumica arbëreshë, por edhe grekë) dhe kishës latine vendase, e cila synonte konvertimin e praktikantëve arbëreshë nga riti bizantin në atë latin, gjë që pati rezultate konkrete. Sipas autorit arbëreshët që u vendosën në Italinë e Veriut, sidomos në Venecia, dhe që vinin kryesisht nga viset veriore të Arbërisë gjetën të njëjtin rit latin si në vendlindje dhe kjo ndikoi në një asimilim më të shpejtë të tyre, në krahasim me arbëreshët e jugut të Italisë, pasi kisha nuk shërbeu si ruajtëse e traditave dhe kulturës arbëreshe.

    Autori në studimin e tij për arbëreshët nxjerr në pah rolin e tyre si pararendës të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe kontribues aktiv për krijimin e një Shqipërie të pavarur. Në katedrën e gjuhës shqipe të themeluar dhe drejtuar nga De Rada u arsimuan jo vetëm rilindas, si Luigj Gurakuqi, Thimi Mitko e Zef Jubani por edhe intelektualë dhe patriot të mëvonshëm si Mehdi Frashëri, Anvi Rustemi, Kolë Kamsi, Gjikë Kuqali, Aleksandër Xhuvani, Sejfulla Malëshova etj. Për ironi të fatit atë që duhej të bënte Dheu mëmë për bijtë e vet të larguar e bënë pikërisht bijtë e larguar për Dheun mëmë të pushtuar.Të vendosur në një vend pa paragjykime racore dhe pa  synime ekspansioniste ndaj trojeve shqiptare, diaspora arbëreshe jo vetëm u konsolidua si komunitet duke ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat, por duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me tokën mëmë u bë në një farë mase një Atdhe i dytë që ndihmoi me sa mundi atdheun mëmë.

    Tani në kushtet e një asimilimi gradual por të vazhdueshëm arbëreshët kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e atdheut të tyre. Autori duke parë dhe njohur nga afër gjëndjen e komunitetit arbëresh në Itali konstaton me keqëardhje pikërisht rrezikun e asimilimit dhe shuarjes graduale të identitetit arbëresh në kushtet e globalizmit.Sigurisht nuk bëhet fjalë për ndonjë politikë asimiluese të shtetit italian, i cili ligjërisht garanton të drejtat e arbëreshëve si komunitet, por problemi është më i komplikuar dhe i vështirë për t`u zgjidhur pa një mobilizim jo vetëm të elitës arbëreshe, por sidomos të shtetit shqiptar, i cili e ka detyrë kushtetuese kujdesin ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë.

    Le të shërbejë ky studim   si një kujtesë për institucionet që e kanë për detyrë kujdesin ndaj diasporës shqiptare të vjetër dhe të re.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË