More
    KreuOpinionDurim Çaça: Mjerimi i një laureati antologjik

    Durim Çaça: Mjerimi i një laureati antologjik

    Në parashtrimin tonë të gjatë polemist kritik- kulturologjik të një jave më parë (“Objeksione dhe përsiatje, “Veshun me diell, mbathun me hanë”, ExLibris, 29 prill), sillnim argumente për mangësi të antologjisë më të re të poezisë shqipe, (por dhe një përligjie të një botimi të tillë poetik prej një poeti, sipas ndjesisë së tij estetike subjektive, që s’mund të diskutohet, veç se kjo ndjesi duhej të ishte më e zgjeruar dhe në poetë të tjerë të rëndësishëm të shqipes sonë poetike të sotme), përgatitur nga poeti R. Marku, në aspekte kryesore të konceptimit dhe publikimit në fjalë.

    Në reagimin e tij prisnim të shtjellonte në të njëjtën mënyrë, (jo për të “mbrojtur’ të ashtuquajturën veprën e vet, sepse në kohën tonë nuk akuzohet askush për shijet dhe përzgjedhjet e tij estetike por, thjesht, me dashamirësinë dhe fisnikërinë e krijuesit të një lloj idealiteti të kësaj përmbledhjeje të re të lirikës sonë, (inspirimi, frymëzimi estetik, përfshirja e autorëve të tij të dashur, përmes mbresës vetjake, etj.).

    Kështu, p.sh. përse ai e ndien intuitivisht Bogdanin si poet modern, ndërkohë që arti i tij i sibilave është ai klasik, (gjë që ne paraqitëm gjerësisht dallimin mes këtyre drejtimeve estetike, duke sjellë shembull, bie fjala, modernen, manieristen spanjolle të Gongorës dhe klasiken monumentale të poetit tonë, të dy, thuajse bashkëkohës të shek.XVII).

    Apo, përse mendon se poetët e Shqipërisë politike përfaqësojnë më mirë poezinë e re moderne shqipe, (të cilët, mendon se i njeh më mirë, ndërkohë që një poet laureat mendohet ta njohë poezinë e gjuhës së tij, jo vetëm atë që shkruhet në territorin shtetëror, por dhe atë në të gjithë hapësirat ku ajo krijohet në botë), ndërsa ata të trojeve, që patën ndikimin dhe inspirimin e modernitetit më të lartë artistik, për shkak të rrethanave historike, (ndërkohë që në Shqipëri vepronte terrori komunist, poetët e trojeve ishin të lirë për të gjitha drejtimet moderniste, me kusht që të mos kërkonin lirinë kombëtare në terrorin shovinist serb), duke lënë pa përfshirë poetë të mëdhenj të lirikës moderne shqipe të kohës së re, (që i kemi përmendur tashmë, gjer te postmodernisti i gjeneratës së sotme, A. Apolloni, etj.).

     Gjithashtu, përse mendon se antologjia e tij individuale, (personale, vetjake), është më e mirë se një antologji kolegjiale e poezisë që, siç paraqitëm me shembuj botimesh, këto të fundit, janë më të sukseshme dhe shpërfaqen si monumente letrare të poezisë shqipe dhe asaj botërore.

    Dhe, së fundi, përse mendon se është e pranueshme, paraqitja e antologjisë së tij, me krijime të poetëve të tjerë, si një vepër autoriale, kur në të gjithë botën dhe në traditën shekullore të publikimeve të këtij karakteri, paraqiten thjesht, si përzgjedhje, përmbledhje, përgatitje, përpilim, nga përzgjedhësi, përmbledhësi, përgatitësi, përpiluesi përkatës, (për të cilat sollëm shumë paraqitje veprash të tilla letrare). Gjë që nuk duket të jetë shumë legale dhe e ndershme, në moralitetin e dinjitetin e krijuesit, duke e paraqitur (përmbledhjen apo përzgjedhjen e “sajuar” me poezi të të tjerëve) me emrin e vet autorial, që në ballinë, me të cilin paraqiten veprat origjinale. Sepse kështu, me “vepra” të përpiluara apo të kompiluara, do të na shfaqeshin “autorë” “origjinalë” pa fund.

    Por, ndërsa Marku “ligjëron” se “shkrime akademikësh, me tituj profesorë, doktorë shkencash, të cilët nuk mund t’i dallosh prej shkrimeve të njerëzve të rrugëve, me inatin që mbartin, me mungesën e elegancës dhe sofistikimit të të shprehurit, pa llogaritur mungesën e argumenteve profesionalë, në debatin ku duan të marrin pjesë”, vetë ky, “mentori” ynë, një inatçor sarkastik, shpërfaq gjuhën e rrugës, me fyerjet, denigrimet, përçmimet ndaj kritikëve të përmbledhjes së tij, që “vërshojnë” veçanërisht ndaj studiuesve të letërsisë të nivelit të lartë, “me tituj shkencorë”, përmes “paravolive” të tij ironike “elokuente” meskine, që, në thelb, janë po “kulturë” e rrugës së injorimit dhe poshtërimit. Për shkak se këta, vënë në dyshim autoritetin e tij letrar të poetit laureat. Ngaqë, poezia më e bukur shqipe e kohës sonë, për Markun, është ajo e anëtarëve të komisionit zyrtar të ministrisë së Kulturës që e votuan dhe i dhanë titullin “Laureat i Poezisë” dhe ai, si “mirënjohës”, iu kthen “nderin” duke i përfshirë në antologjinë e tij pragmatiste.

    Dhe, në vend të objeksionit fisnik, që përmendëm në krye, Marku, ky “masovik revolucionar” i “kontrollit punëtor e fshatar në veprim”, iu vë një “fletë-rrufe” (apo “dacibao”, që përmend ai), gjithë kritikëve krijues e intelektualë e, veçanërisht, siç vumë në dukje, ndaj atyre të nivelit më të lartë, (akademikëve, doktorëve të shkencës, etj.), për “shfaqje të huaja intelektualiste”. (Dhe, ndoshta, do të ëndërronte t’i shihte me gjunjë të përveshur e krahë të përveshur, në baltrat e orizoreve të Kinës së Revolucionit të saj Kulturor të dikurshëm).

          Por, siç duket, është hera e parë që ndeshet me një frymë kritike kaq totale, (ndoshta, nuk mund të sjellë dot asnjë rast që të jetë vlerësuar pozitivisht ky publikim i tij antologjik), në gjithë këtë polemikë disajavore, herë-herë të dhembshme e të sertë. (Ngaqë është mësuar, siç duket, vetëm me lavde parathëniesh e reçencash të porositura miqsh). Dhe nis kështu, me një mllef të hidhtë të “logorive” e “paravolive” kundër studiuesve shkencorë, ngaqë “laureati” ynë nuk mund të përballojë një kritikë të nivelit të lartë, por, shumë-shumë, do të pranonte një kritikë të gjuhës të rrugës të cilëve mund t’iu kthehet e t’iu hakërrehet po me këtë nivel. (Dhe në ato pak parashtrime apo “argumente të tij”, mes “lumit” të fyerjeve dhe përçmimeve, paraqitur me një “elegancë të sofistikuar”, përsërit e përsërit po ato pasazhe të pasthënies së vet, për një luftë antologjish që na qenka bërë dikur në Amerikë, apo që, gjithkush që paska në mendje antologjinë e tij, ta botojë e ta bëjë publike, etj., a thua se kjo qenka e gjithë kultura artistike e këtij laureati).

    Dhe ja, pasi kërkoi në gugëll dhe pa që “Antologjia e poezisë ballkanike”, botuar dhe në shqip, në Athinë, më 2006, ku përfshihet dhe ajo shqipe, me përfaqësimin historik (të Shqipërisë politike, Kosovës e diasporës, të pandarë, unike e tërësore, si shpirti i kombit të vet), pa se nuk ekzistonte, (M. Buçpapaj, Fb, 2 maj), ndërkohë, më pas, zbuloi se ishte vetëm një “fletushkë”, (antologjia në fjalë, me 525 faqe) dhe më tej pa se ekzistonte, por e kishin krijuar ca “zhdanovistë”. Dhe, ç’është më e dhembshme, antologjia e poezisë shqipe e këtij grupi kolegjial “zhdanovist” bashkëpunëtorësh, (Y. Çiraku, A. Uçi, D. Shapllo, A.Zarballa, Z. Morava, A. Mato), në përbërje të poezisë së Ballkanit, qëndron më lart se antologjia personale e krijuesit “perëndimor” Marku. (Që, përveç të tjerash, ky i fundit, ka treguar një mungesë serioziteti dhe sjellje “çapraze” në paraqitjen tekstuale duke i shfytyruar nga ngjyrimi i tyre leksikor e drejtshkrimor të origjinalitetit, si, bie fjala, në poezitë e D. Agollit, (për të cilat ankohet, me të drejtë, e bija e poetit të shquar lirik). Kështu, vargun e poetit :” e ndofta kjo ish dashuria”, Marku e sjell në trajtën : “dhe ndoshta kjo ish dashuria”; apo vargun original: “ atyre, -vajzave të bukura, shën. ynë,- dorën me gaz mund t’ua zgjatja”, “antologjisti” ynë e sjell në formën :”atyre dorën me gaz mund t’ua mbaja”, etj.. Pa folur pastaj për pikësimin, që ky se ka fare “për hatër” ta pasqyrojë besnikërisht atë të origjinalit,e që ka aq shumë rëndësi, në shpërfaqjen e ndiesisë së lirizmit, etj.).    

    Pas kësaj, fshin komentin tim kritik dhe më bllokon mua në fb-un e vet, duke parë si të vetmen mënyrë “komunikimi”, me tjetrin, mendimin tjetër, këndvështrimin ndryshe, bllokimin e këtij tjetri.

    Pasi injoroi, përçmoi dhe denigroi studiues dhe personalitete të shquar të shkencës letrare shqiptare, në të dy anët e kufijve, në tv dhe gazeta dhe, duke parë një parashtrim tonë të gjatë polemist kritik e kulturologjik, në një pasqyrim me detaje të argumentimit rreth problematikës së publikimit antologjik në fjalë, në numrin e mëparshëm të “ExLibris”, 29 prill, botuar dhe nga “Nacional”, 30 prill, (përmendim, me këtë rast, se në botimin në këtë të fundit, të shkrimit tim, ka qenë në të drejtën e botuesit, për mënyrën e tij të nxjerrjes në pah të një shkrimi, që e çmon të rëndësishëm, për vëmendjen e lexuesve të tij kulturorë, duke e përforcuar titullin e shkrimit, me një okelio të vet, sepse unë nuk çoj shkrime me okelio të gatshme gazetareske), këtë radhë, Marku, në “ExLibris”, (6 prill), me sajesa libreske të groteskes së tij, me paravoli historish sançopançe, universitete lakrash etj. bën objeksion dhe nis së pari, “debatin” e tij, me “një farë Dr. D. Çaça”, pra, me mua, që, siç shprehet, një emër jo i njohur, që mund të identifikohet vetëm përmes një titulli shkencor. Pastaj vijon me “argumente” të tilla, në lidhje me polemikën time, (rreth antologjisë në fjalë), për universitetin e Laknasit, laknash e lakrash, (siç quan ai Universitetin shtetëror të Tiranës dhe Akademinë e Studimeve Albanologjike, dy institucionet më të rëndësishme shkencore të shtetit tonë, të fushës së studimeve të mia filologjike universitare e doktorale), për bibliotekën e pasur të Babrrukës, më tej, për Synejin e vendlindjes sime, një fshat i rrethit të dikurshëm të Durrësit, sipas kartës sime të identitetit, pranë Kavajës, (se ç’lidhje ka vendlindja ime, kaq larg me Tiranën dhe rrethinat e saj, ku unë nuk banoj e jetoj atje, vetëm ky “laureati” ynë i “shquar” mund t’i japë “dum”).

    (Bëjmë një parantezë, me këtë rast, se vendlindja, qoftë ajo toponimi më i padëgjuar, prejardhja familjare, shoqërore, etj., që burojnë prej saj, në kontaktet e para me botën e njerëzit, kurrë nuk mund të jetë objekt denigrimi, për më tepër, për një poet që mban shpirtin e botës dhe që ndihet, me humanizmin e tij të pakufishëm, si qytetar i gjithë kësaj bote. Përkundrazi, edhe Laknas-i, edhe Babrruja e rrethinave të Tiranës, që përçmon aq shumë poeti ynë “elitar”, edhe Syneji, vendlindja ime e dashur, etj., janë po kaq të dashur e të shenjtë për secilin bir të tyre e që çdokush e merr me vete, këtë vendlindje të vet të përjetimeve të para, (aq më tepër, poetike), jo thjesht, për nostalgji e mall, por dhe si nderim, kudo që shkon nëpër botë. (Ashtu si dhe malet e Lezhës së Markut, marrin rrugën dhe bëjnë udhëtim të gjatë deri në Britani, për të shkundur borën në prag dhe për të hyrë brenda, -në ëndërr, në përmallim,- në shtëpinë e tij në Londër. Poezia “Malet”, “Një ballkanas në Londër”, 2012).

    Por, veç kësaj, (vendlindjes sime që s’ka lidhje me Tiranën periferike, ku unë nuk banoj e jetoj atje), “syrit vigjilent të Partisë”, “operativit të zonës” “informatorit” të Markut, që zhbirilon akoma dhe sot, në biografitë personale të para tridhjetë viteve, (madje “ushta” e tij e ndryshkur e denigrimit, po të vazhdonim dhe ne me parodinë e tij të groteskes libreske donkishoteske), e “kalorësit fytyrëvrerosur të vetë sojliut tonë mendjemprehtë”), pasi ka “çpuar” me radhë dinjitetin e personaliteteve dhe krijuesve të shquar të kulturës e shkencës letrare shqiptare të Kosovës e Maqedonisë që, sipas tij, na paskan qenë bashkëpunëtorë të pushtetit represiv serb dhe të atij shtypës sllavomaqedonas (A.A., M. K., A.V., etj.), dhe, pasi iu vë nga Dr. përtallëse gjithë të tjerëve, (S.Ç. etj.), “çpon” më tej një tjetër kritik të tij, “si pinjoll të një ish-sigurimsi, D. M.,etj., – shih, “ExLibris”, 6 prill), pra, teksa merr hov drejt meje, “syrit vigjilent” të tij i ka shpëtuar “fakti”, apo “argumenti”, se, kursi im i plotë i anglishtes është zhvilluar, jo nga Shuaipi, që nuk e njoh se kush është e që s’ka asgjë të keqe dhe po të ishte “mësuesi” im, madje do të ketë qenë njeri i kulturuar, përderisa zotërontë gjuhën angleze që, në qytete të vegjël, në vitet ’80, pak njerëz e kishin një kulturë të tillë, (se ç’lidhje ka kjo, se nga kush e paskam mësuar anglishten, me “antologjinë” e tij të poezisë shqipe ”të tjetërsojtë” dhe me parashtrimet tona kritike rreth saj, një zot e di, siç thuhet në këto raste, por ja që duhet t’i japim një përgjigje, ironisë harbute të Markut), por nga Beat Foster, një misionar zviceran, që kishte kryer studimet e larta për teologji në Britani dhe që erdhi dhe u vendos bashkë me familjen e tij, në një banesë pranë vendlindjes sime, duke hapur një qendër misionare dhe humanitare, në vitin 1992, ku unë, krahas leksioneve metodike të metodave të kohës, zhvilloja dhe një anglishte të bisedave fillestare familjare, me atë, fëmijët e tij dhe me të shoqen, teksa na shërbente çajin ritual të pasdites me biskotat përkatëse, (që iu shpreh, me këtë rast, gjithë nderimin e sinqertë, kudo që të jenë). Dhe që, për shkrimësinë time eseistike letrare shqipe, nuk më ka dalë e nevojshme ta perfeksionoj njohjen e kësaj gjuhe, me një anglishte refugjati të Londrës, si poeti në fjalë.

    Në parantezë, kjo, ngaqë brezi im, në të gjithë arsimimin e tij, ka patur si gjuhë të huaj, rusishten, thuajse në të gjithë Shqipërinë, -qytete të vegjël e shkolla rurale,- ndërsa anglishtja zhvillohej vetëm në pak qytete kryesore, (nderoj, me këtë rast, mësuesen time të mrekullueshme të rusishtes të gjimnazit të Kavajës, Dh. Karkini, si dhe pedagogen time dinjitoze të gjuhës ruse të fakultetit të filologjisë së Universitetit të Tiranës, (ose kujtimin e saj), Gj. Aleksi. (Një rusishte që s’na hyri kurrë në punë, por që sot është bërë një gjuhë e vlefshme kulturore, turistike, biznesi, etj. si çdo gjuhë në botën tonë të hapur të sotme).

    Por një mendje e kthjellët, (pa delirin e madhështisë apo marrëzinë e madhështisë) thotë, (në këto raste) jasht sarkazmës së pafuqishme dhe groteskes libreske se nuk ka ndonjë lidhje kursi i anglishtes së dikujt të zhvilluar nga dikush, para  më shumë se 30 viteve, më 1992, me polemikën rreth antologjisë së re të poezisë shqipe, të promovuar pak javë më parë.

    Siç duket, për Markun, mendjen bizare të tij, funksionon ende, dhe pas dekadash demokraci, taktika e vjetër (komuniste): Godit dhe zhvlerëso autorin e shkrimit kritik, me “fakte” të jetës personale të dhjetëra viteve më parë, se shkrimi me materien e tij të përmbajtjes, zhvlerësohet vetiu, “për arsye biografike”.

    Duke qenë se për Markun e “famshëm” jam një anonim, pa ndonjë emër dhe që, në vend të tij, përdorkam për identifikim një titull shkencor, le t’i paraqitem thjesht dhe përmbledhtas. (Edhe pse nuk merrem me letërsi, për emër, por si një mënyrë të jetuari që më plotëson, më realizon e më përmbush shpirtërisht e estetikisht, ndërkohë që, po qe se ajo që krijoj e shpërfaq, – poetikë e eseistikë letrare kritike,- paraqiten si vlera më të gjera kulturore të jetës sonë shoqërore, aq më mirë. Ndërsa bërja “emër” me pagesë deri në 500 euro për 10 minuta televizive te moderatore emisionesh tv-sh, -të veshur me zhveshje që s’kanë lexuar një libër në jetën e vet, – apo me recensione me pagesë, më neveriten). Jam autor i disa botimeve artistike dhe studimore, botimi më i fundit, ai i para disa muajve me eseistikë letrare kritike, “Shenjime të literaritetit” që, nëse do të kishte ndonjë kureshtje, mund ta shfletojë (dhe kalimthi), në librarinë “Adrion” dhe në libraritë e tjera kryesore të Tiranës. Po, kështu, nëse do të vijonte më tej interesimi i tij kulturor, mund të shfletonte gjithashtu dhe botimin tonë tjetër, “Diskursi i tragjikes në letërsinë shqipe”, këndvështrime të thelluara kulturologjike, në “një horizont të ri të dijes”, siç do të thoshte Hans Gadamer, (vlerësuar kjo punë ime, si një ndihmesë me vlerë në studimet tona të disiplinave të reja shkencore siç janë ato semiolinguistike e hermeneutike të shkencës sonë të sotme, nga akademikët tanë etj.). (“Për dreq”, përsëri na dalin këta akademikët që, ky lloj mizogjini, i urren dhe i ka tmerr kaq shumë, -jo gratë,- por studiuesit letrarë të nivelit të lartë). Madje, indinjohet që gazeta serioze “ExLibris”, i jep një hapësirë të gjerë polemikës sonë kulturologjike duke menduar se faqet e saj janë veç për broçkullat e tij, me lakra e synete.

    Nëse do të shërbenin si parashtrime kritike letrare, për “Antologjinë” aktuale “argumente” të tilla mjerane, (të dhëna biografike të dhjetëra viteve më parë, apo sarkazma të tij parodike, me marrëzi të tilla, si “universiteti i lavdishëm i Laknas-it”, “doktori i Laknasit”, “çorbë laknasiane për artikull kritik”, “mjeshtri i Laknasit”, “biblioteka më e pasur deri në Babrrukë”, “anglishtja e kursit të profesorit ambulant” e marrëzi të tjera “plot elokuencë” të këtij deliranti, (një mjerim i skajshëm, shpirtëror, intelektual e “poetik”), mund të vazhdonim dhe ne me të tilla “të dhëna”, por që s’janë argumente, (apo, dhe po të ishin, do të qenë po aq mjerane, sa dhe ato të antologjistit në fjalë), si: vepra letrare, që mund të konsiderohet e plotë, e këtij autori, tashmë në një moshë prej kohësh, mbi të shtatëdhjetat, nuk ka zënë vend në programet, tekstet e antologjitë shkollore të sistemit të arsimit tonë parauniversitar dhe, kuptohet, as që bëhet fjalë për detyra kursi apo punime diplome të studentëve të letërsisë, aq më pak për teza doktorature të studiuesve të rinj, rreth veprës së tij poetike e romanore (ndërkohë që poetë të tjerë të brezit të tij janë prej kohësh pjesë programesh shkollore dhe monografish studimore. Madje, kur pyeta njëherë studentët e mi të letërsisë, të Universitetit publik të Durrësit se ç’kishin lexuar nga poetët e sotëm duke iu paraqitur dhe një botim të fundit poetik të autorit të polemikës sonë, përveç përmendjes së dy-tre autorëve të rinj, vetëm një vajzë tha se e kishte dëgjuar një herë këtë emër në një emision televiziv, etj.).

    Këtu është rasti të bëj një parantezë për një gjykim tonë në parashtrimin tonë të gjatë të mëparshëm, (Objeksione dhe përsiatje,”Veshun me diell, mbathun me hanë”, ExLibris, 29 prill), në lidhje me tre poetë, poezia e të cilëve , në perceptimin tim, është e një niveli mesatar, ndërkohë që shpërfaqen si prozatorë të spikatur. Autori i romanit të shquar, ”Dueli”, lexuar që në botimin e parë, (në revistën e çmuar “Alef” të botuesit “të vogël” fisnik, G. Çoçoli, që ka sjellë në shqip 10 poetët e mëdhenj amerikanë të shek. XX, në përmbledhje antologjike të tyre më vete, në shqipërime mjeshtërore, (sigurisht, jo përkthime të Markut), si dhe shkrimtarë të shquar për herë të parë në shqip, si: L.Kraznohorkai, T. Bernhard, etj.), por dhe në romane të tjerë të këtij shkrimtari të njohur, si, romani po kaq i shquar “Fabula rasa” e të tjera vepra romannore të mëpasme, deri te më e fundit, ndoshta, (meqenëse akoma s’më ka rënë në dorë)“Ngjizja e papërlyeme”, është një nga autorët që e çmoj së tepërmi, edhe për eseistikën e tij letrare , bie fjala, në paraqitjen e poetëve, si Hatibi, Belliu, etj., gjer dhe me entusiazmin me të cilët inkurajon të rinjtë në librat e tyre të parë poetikë, si poeten e re, Sh. Axhami, revista “Illz”, etj; si publicist me “Thembrën e akcilit”, por dhe si përkthyes i poetëve të mëdhenj rusë, Brodski, (“Stacioni në shkretëtirë”, Mandelshtam, (“Tristia”), etj.. Ndërkohë që poezia e tij, nuk më “ngjit” në shijen time subjektive estetike, (kriteri kryesor, i pretenduar, edhe i Markut, për antologjinë e tij të poetikës shqipe), ngaqë më duket e një sintakse të kalkuluar dhe të komplikuar, megjithëse, siç kam parashtruar gjatë në shkrimin e mëparshëm, e ndërlikuara dhe e tensionuara janë vetitë e modernes, ndaj qartësisë dhe të harmonishmes së strukturës prozodike klasike. (Le të jemi njëherë të sinqertë me veten, ta hajë dreqi, jasht politesës dhe kortezisë hipokrite të klaneve dhe tarafeve kulturore të kryeqytetit, -që janë jo drejtime e rryma letrare, – ku provincializmi është ulur “këmbëkryq”, më shumë se në qytetet e vegjël të ashtuquajtur provincialë)!

    A nuk do të ishte më bukur që, për antologjistin tonë, në vend të arrogancës e fodullëkut cinik, p.sh. kur përçudnon emrin e poetit (të ndjerë) të njohur të viteve “60, Vehbi Skënderi, në Skënder Vehbiu, kur përtall filologen e shquar, tashmë e moshuar, duke iu drejtuar si “zonjusha K.K.”, a “poetin doktoral” A. V.;

    apo, në vend të megalomanisë, (kur shprehet se antologjinë më të bukur e krijon ai që lexon që në fëmijëri e që bëhet shkrimtar më pas, duke aluduar për antolologjinë e tij, kur, kush shkrimtar i ardhshëm nuk është magjepsur fillimisht nga leximet e tij fëmijërore, si kontakti e komunikimi i parë me artin e letërsisë?!);

    apo që, në vend të narcisizmit, (kur përzgjedh veten e vet, në antologjinë që bën po vetë, për poezinë e të tjerëve, me një arrivizëm të paskrupullt, teksa përjashton prej saj poetët e mëdhenj Podrimja e Shkreli, ndërkohë që “në Kosovë, -siç vë në dukje, portali kulturor “Hejza”, në një editorial të saj për antologjinë në fjalë,- ka shkolla të poezisë shqipe e që as nuk e kanë në “hesap” poezinë e Rudolf Markut”).

    Sjellim në vëmendje, se poeti laureat, në këtë rast, R. Marku, kishte për detyrë, në mandatin e tij 2-vjeçar “shtetëror”, (2020-2022), pikërisht të promovonte poezinë shqipe të gjithë hapësirës së saj, siç shpresuan edhe dy ministret e Kulturës të dy shteteve tona, të pranishme në ceremoninë zyrtare të laureimit në fjalë, të cilat nuk do të dëshironin ta shihnin të ndarë në: poezi të Shqipërisë, poezi të Kosovës, poezi të diasporës, (në një botim të financuar, natyrisht, nga “shteti amë” e që Marku e “paska kuptuar” kaq ngushtë “estetikisht”, vetëm për poezinë e Republikës së Shqipërisë), siç doli të ishte, dhe në të vërtetë, e ashtuquajtura “Antologji e poezisë shqipe” e të ashtuquajturit “Laureat i poezisë shqipe”.

    Pra, a nuk do të ishte më bukur që përgatitësi i antologjisë në fjalë, në vend të reagimeve nervoze përtallëse, përçmuese e poshtëruese për kritikët e përmbledhjes së tij, të mund të bënte jo një “mbrojtje”, (se nuk mund të gjykohet shija estetike e dikujt, siç thamë që në krye), por një shpërfaqje të mrekullueshme të “veprës” së vet, (në vend të këtij dufti idhnak, pa argumente), si, bie fjala, çfarë e ka ngazëllyer në perceptimin estetik të një poeti, ç’e ka tronditur në personalitetin krijues të një poeti tjetër, ç’metaforë e ka “goditur” në një poezi, p. sh. të një poeteje të re fillestare që, menjëherë, pa një, pa dy, e ka shënuar ta përfshijë, i lumturuar befasisht? Dhe kështu, për të gjithë autorët e tij të dashur, po të ishte e nevojshme, (apo për ata që janë parë me mëdyshje nga kritika), gjer tek i fundit.

     Një projeksion “argumentesh” estetikë shpirtërorë të sinqertë, siç e do natyra e fisnikëria e poetit, por dhe dinjitoze, njëkohësisht. Duke u shpërfaqur kështu, njerëzor e i ndriçuar, me qashtërinë e çiltërinë e një profeti, edhe sikur kritikat e gjithë botës, të drejtoheshin kundër publikimit të tij.

    Për ta përmbyllur, i gjithë publikimi në fjalë (që bëmë objeksion të parashtrimit tonë të gjatë të mëparshëm kritik – kulturologjik dhe të këtij reagimi polemik), në rastin më të mirë mund të merret si një trill antologjik poeti, (i bukur “çmendurisht”, në ajthin e tij vetjak estetik), por që, edhe s’duhet t’i jepet kaq rëndësi e të merret seriozisht, si çdo trill.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË