More
    KreuOpinionCancel culture (kultura e anulimit) në optikën e Imzot Gjergj Metës, Rita...

    Cancel culture (kultura e anulimit) në optikën e Imzot Gjergj Metës, Rita Petros dhe Azem Deliut

    Përgatiti Andreas Dushi

    Duke parë reagime dhe sjellje që imponojnë zhbërjen e disa tipareve thelbësore të një vepre arti me arsyetimin e të qenurit korrekt me të gjithë dhe të shmangies së diskriminimit, reduktimin e njeriut vetëm në seksualitetin e tij, gjithëpranimit etj., kërkuam të dinim çfarë mendojnë disa personalitete me një zë publik në Shqipëri për këto zhvillime digresive. Këto ditë, për shembull, librat e Virginia Woolf-it po ribotohen pa termin negro apo ato të Roald Dahl pa fjalën shtrigë. Gjithashtu po kërkohet të mbulohen apo hiqen nga muzeumet disa vepra arti… Pra, pak a shumë, kultura e krijuar dje po gjykohet e parë nga një pikëpamje e sotshme politikisht korrekte.

    Nga autorët e gjallë, dy shembuj që kishin dhe vijojnë të kenë jeohë të fortë në publik, për hir të medieve si dhe nga vetë lexuesit janë ai i Salman Rushdie-s dhe ai i J.K. Rowling. Autori me një fatwa mbi vete për vite me radhë, vitin e shkuar u sulmua me thikë para një auditori që po mbushej me dëgjuesit e referimit të tij. Ndërsa autorja e “Harry Potter” prej vitesh mbart damkën e të qenurit transofobe pasi nuk bie dakord me ndërrimin e gjinisë para se të arrihet mosha e pjekurisë së individit. Të dy rastet kanë veçantitë e veta, i pari shumë i njohur nga të gjithë, unik për shekullin kur ndodhi, ndërsa i dyti shumë më larg të mpleksurit disi me botën e debatit në Shqipëri, ku ndryshimi i gjinisë diskutohet vetëm në studio televizive kur asgjë s’ka ndodhur dhe duhet diçka për të mbushur hapësirën e emisionit.

    Paçka se Billy Bragg nuk do të ishte dakord me mua, J.K. Rowling po vuan një lloj bullizimi kolektiv pasi akuzohet se po bullizon një grupim të caktuar njerëzish, dhe kjo po ndodh në një arenë virtuale ku vetë target-i i interesuar është shumë pak i përfshirë. Ndërsa Rushdie vetë, prej thuajse katër dekadash tanimë e ka mbështetjen e të gjithë botës, të shprehur në shumë mënyra, mes të cilave edhe letra e famshme firmosur nga shkrimtërt më të mëdhenj të kohës.

    Po t’i futemi një krahasimi mes dy rasteve, ngjashmëritë i gjejmë veçse në disa pika krejtësisht të diskutueshme si thelbësore ose të parëndësishme, prandaj shkrimi në vijim bazohet në disa raste të tjera, ku diskutimi nuk mund të realizohet duke u vendsoru në një boshllëk gri, por vetëm në njërën anë, atë me ngjyrë të bardhë ose atë me ngjyrë të zezë.

    Mendimi im si Andreas kornizohet vetëm në pak fjali, dhe pikërisht nevoja për ta shtrirë këtë çështje në një hapësirë më të gjerë përqasjesh të thjeshta e më të ndërlikuara, nxiti këtë shkrim ku ftova dhe pranuan Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit dhe publicist i njohur; Rita Petro, shkrimtare e botuese si dhe Azem Deliu, shkrimtar nga Kosova, i ri në moshë dhe me plot risi në vepër. Ata i pyeta bazuar shembujt e pushimin nga puna të një drejtoreshe shkolle në Florida pse u tregoi nxënësve një fotografi të “Davidit” të Mikelanxhelos pasi kjo u quajt “nuditet”; tentativën për të rishkruar veprat e Virginia Wolf-it duke shmangur fjalët “zezak” dhe të tjera me natyre diskriminuese… ndalimin e veprës së Dostojevskit si masë kundër Rusisë për agresionin e saj të pajustifikuar ndaj Ukrainës etj.

    Sipas meje, kjo dukuri është një prej lëvizjeve të përkohshme që nuk lënë ndonjë gjurmë domethënëse në rrjedhën e evoluimit të botës, artit dhe kulturës së saj si veçanti e secilit komb e në të njëjtën kohë, si tërësi për hir të globalizmit. Pikërisht globalzimi, kam përshtypjen se ka marrë kot por përkohesisht, dhe kjo kotmarrje ka sjellë këtë kotsjellje (po t’ia besoja krijimin e këtyre fjalëve parimeve të gjuhëresë së Orwell-it, jo pa qëllim: Kultura e anullimit më duket një manifest shumë pranë reales i asaj çka profetizonte Orwell-i). 


    Imzot Gjergj Meta duke e quajtur Cancel culture si antikulturë, thotë:

    Nuk jam fort i sigurt nëse cancel culture është kthyer aktualisht në një fenomen masiv, por s’ka dyshim që përdoret fuqishëm nga grupime të ndryshme të tipit politik apo ideologjik. Kjo nuk do të thotë se shumë shpejt nuk mund të bëhet realitet pjesa e parë e fjalisë hyrëse. Megjithatë, “nuk ka asgjë të re nën diell”, sikurse thotë libri i Kishtarit.

    Në kuptimin zanafillor të saj, cancel culture ka të bëjë me botën virtuale dhe pikërisht me opsionin “cancel” në tastet fizike dhe/ose virtuale të një kompjuteri, tableti apo smartphone-i. Shprehur thjesht: ti fshin një koment prej postimeve të rrjeteve të ndryshme sociale apo heq dikë prej listës së miqve a të ndjekësve virtualë, sepse nuk i përshtatet mendimeve të tua, nuk bashkëndani të njëjtat interesa ose sepse iu qaset gjërave në mënyrë krejt të ndryshme dhe/ose  të kundërt në krahasim me ty a thjesht sepse ti nuk e quan etik. Në këtë pikë, “cancel” dhe “censurë” janë sinonime. Kjo është një përvojë shumë njerëzore, që ka ngjarë edhe përpara së të ekzistonte kompjuteri, të cilën e shprehim metaforikisht me formulime të tipit: “Të kam fshi nga jeta ime,”, apo për të qenë më konkretë dhe praktikë, të cilën e kemi provuar sa e sa herë kur kemi fshirë me gomë gabimet në detyrat e shtëpisë apo të klasës.

    Me kalimin e kohës, kjo lloj mendësie është shtrirë tek personat e ashtuquajtur “VIP-a”, artistë, shkencëtarë apo politikanë, të cilët për shkak të një fjalimi, një qëndrimi, një veprimi të papëlqyer, etj. “bojkotohen” nga fansat e tyre. Ajo ka mbërritur po ashtu edhe në fushën ekonomike. Kemi parasysh këtu bojkotimin e mallrave ose prodhimeve të një x vendi apo marke, jo për shkak të cilësisë së mallit, por për shkak të qëndrimeve politike, ekonomike apo ushtarake të atij vendi ose të asaj marke të caktuar.

    Le të vazhdojmë tani me tipologjinë më të butë të cancel culture, e cila sipas mendimit tim, shkakton pasojat më afatgjata dhe konkretisht, e kam fjalën për rastet kur kjo e ashtuquajtur “kulturë” prek sferat e artit, letërsisë, filozofisë e shkencës. Edhe këtu nuk ka ndonjë gjë të re, nëse i referohemi faktit se një nga përkufizimet e ideologjisë është pikërisht “leximi i së kaluarës me kriteret interpretuese të së tashmes”. Pak a shumë kjo ka ndodhur në fillimet e komunizmit në shumë vende ku janë dënuar fjala vjen priftërinj katolikë, duke i akuzuar për djegien e Giordano Bruno-s në turrën e druve, për Natën e Kristaleve apo për Kryqëzatat ose së paku janë përdorur si argumente sulmi ndaj tyre disa gjëra, shekuj më vonë pasi kanë ndodhur si ngjarje. E jo vetëm kaq, por gjatë komunizmit e në përgjithësi në sistemet diktatoriale, e kaluara modifikohet për të nxjerrë në pah diçka që nuk është e vërtetë ose një të vërtetë të ndryshuar, në mënyrë që t’i shërbejë mbajtjes së pushtetit dhe eleminimit (edhe kujtimor) të armiqve.

    Kur flasim për cancel culture në kontekstin bashkëkohor, kemi të bëjmë me një fenomen që niset kinse nga të drejtat e njeriut dhe nga moscënimi i dinjitetit të tij. Kur këto të fundit kthehen në ideologji, mëtojnë të modifikojnë jo vetëm të tashmen, por edhe të kaluarën. Në pamje të parë, motivi duket shumë fisnik: shmangia e një fjalori diskriminues, e shprehjeve ksenofobe, raciste apo seksofobe e kështu me radhë, për ta ruajtur të paprekur dinjitetin e një personi ose një grupi personash. Për më tepër, me të drejtë kërkohet që shpehje të tilla të mos përdoren në asnjë lloj ligjërimi publik, si­ç edhe me pa të drejtë, kërkohet që shprehje të tilla, nëse ekzistojnë, të fshihen nga tekste të ndryshme që janë shumë larg në kohë në krahasim me mendësinë aktuale.

    Ky i fundit është një problem që sipas meje vjen për dy arsye thelbësore, të cilat do të mundohem t’i shpjegoj më poshtë.

    Arsyeja e parë është kryekëput ideologjike. Aq e fortë bëhet një bindje dhe aq rrënjësisht ngulen në të disa grupime të caktuara, saqë ajo bindje bëhet fundamentale, duke u kthyer në fundamentalizëm dhe lobet përkatëse në fundamentaliste. Në këto lloj lobimesh nuk ekziston gjë tjetër veçse bindja apo interesi i tyre dhe në emër të atyre, ata mund të flijojnë gjithçka tjetër. Që Dante Alighieri mund të ketë pasur mendimin e tij, jo në përputhje me mendimet e sotshme, sa i përket fjala bie, Islamit apo homoseksualëve, kjo është e qartë, por që Dante Aligieri të ndalohet që të studiohet në shkolla ose t’i hiqen (fshihen) pjesë të veprave të tij për këtë shkak, kjo është ideologji e pastër dhe antikulturë. Lentet me të cilat shihet historia e kulturës, e letërsisë apo e filozofisë nga qarqe të tilla, është totalisht antihistorike dhe antishkencore.

    Ka dhe një arsye të dytë, që për mua është shumë më shqetësuese, ndonëse në dukje shumë praktike. Ka vite tashmë që në shumë institucione shkollore të perëndimit, raporti me klasiken ka humbur shumë. Klasike në përgjithësi është një vepër letrare, arti apo një autor i mendimit a i letërsisë, që i ka rezistuar kohës. Kështu, mund të quajmë klasik si Homerin ashtu edhe Hygo-në; si Platonin ashtu edhe Hegel-in apo Marx-in; si Giotto-n ashtu edhe Caravaggio-n, pavarësisht se në të gjitha rastet, çiftet e mësipërme i ndajnë shekuj. Prej disa kohësh, mësimi i gjuhëve klasike: greqisht e latinisht, por edhe i gjuhëve semite apo persishtes, gjuhë në të cilën janë shkruar tekstet zanafillore të njerëzimit, është gjithnjë e më i paktë, ndoshta edhe më i rrallë, jo vetëm në licetë klasikë, por edhe në universitete. Kjo sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX, gjë që ka sjellë dobësimin e cilësisë së atyre që kanë për detyrë të përcjellin dijet klasike tek studentët. Prandaj, mundi i një pune studimore dhe hermeneutike zëvendësohet me kulturën e fshirjes, gjoja në emër të dinjitetit të personit.

    Sot, një nga rrymat filozofike më të njohura dhe më avangardë është hermeneutika apo thënë ndryshe filozofia e gjuhësisë. Ajo është e hershme dhe e ka zanafillën qysh në përpjekjet për të kuptuar mens auctoris në veprat e antikitetit grek (Homerit p.sh.). Zhvillohet dukshëm brenda krishtërimit, për të kuptuar tekstet e shenjta, sidomos duke nisur me Reformën luterane. Pretendimi i një hermeneutike universale lindi diku nga shekulli XVIII, në ambientin gjerman, me Schleiermacher-in. Më vonë, kjo u shtri edhe në fusha të tjera tekstuale, sidomos në filozofi, letërsi dhe gjuhësi, duke arritur kulme të tilla si M. Heidegger, H. -G. Gadamer dhe P. Ricoeur.

    Është më se e qartë atëherë se detyra e një mësuesi nuk është që t’i diktojë nxënësit se cilin kapitull të mësojë e cilin të fshijë e as të përcaktojë se cilat fjalë duhet t’i zëvendësojë me të tjera, meqenëse të parat janë fyese, por t’i shpjegojë atij fjala vjen, se pse Parmenidi në shekullin V p.K. apo Dante Alighieri në shekullin XIV, kanë thënë këtë apo atë shprehje, cili ka qenë mens auctoris dhe ta ndihmojë dishepullin e tij që nëpërmjet analizave filologjike, tekstuale dhe kontekstuale, ta kuptojë vetë vlerën e një fjale ose fjalie të ngulitur në një kontekst konkret historiko-kulturor.

    Një mungesë e tillë, që unë do ta quaja dembeli hermeneutike, sjell në injorancë e kështu në trashëgimin e saj tek brezat e ardhshëm. Derisa injoranca të jetë e pavetëdijshme, edhe mund të rikuperohet, por kur ajo bëhet e qëllimshme kthehet në kriminale.

    Në fakt, historia e letërsisë, e filozofisë apo e njerëzimit në përgjithësi, i ngjan jetës personale. Nuk fshihet asgjë, sepse është e pamundur, por bëhen përpjekje për të kuptuar e integruar edhe çka nuk ka qenë bash krejt e drejtë në jetën tonë. Duke sintetizuar për sa thashë më sipër, mund të përfundoj me fjalët që cancel culture është një kulturë e mohuar, pra një antikulturë e që për mua do të thotë se nuk është kulturë.


    Rita Petro: ca mendje të sëmura duan të na kthejnë në Mesjetë 

    Rastet që përmendni janë kaq shumë të pranishme sot dhe ne i hasim shumë shpesh në punën tonë me librat. Veçse janë shumë të ndryshme nga njëri-tjetri.

    Rasti i mësueses në Florida që u tregoi nxënësve fotografi të Davidid të Mikelanxhelos dhe reagimin e kundërt që patën prindërit, mbledhja e bordit të shkollës dhe largimi i saj nga puna, është vërtet njëfarë tragjikomedie. Në shekullin e sotëm, kur zhvillimet teknologjike po ecin me shpejtësi marramendëse, dhe mendohet se dhe mendja njerëzore duhet t’i përgjigjet këtij zhvillimi, ca mendje të sëmura duan të na kthejnë në Mesjetë. T’i heqësh artit nuditetin, provokimin e bukur artistik dhe ta barazosh me pornografinë, kjo do të thotë që t’i lësh fëmijët pa formim thelbësor. Aq më tepër kur flitet për vepra të tilla gjigante. Kur e lexova këtë lajm m’u kujtuan dy raste teksa punonim me tekstet shkollore gjatë fundit te viteve ’90 dhe fillimit të 2000-shit, kur dhe shoqëria jonë ishte hapur drejt Perëndimit. Së bashku me autorin që do të trajtonte pjesën e letërsisë moderne botërore po zgjidhnim disa ilustrime në përshtatje me jetën dhe analizën e poezisë së Bodlerit. Më pëlqeu jashtë mase skulptura kushtuar një prej të dashurave të tij, Apollonie Sabatier-it, (Gruaja e kafshuar nga një gjarpër; Auguste Clesinger) nudo e shtrirë me një lëvizje të zhdërvjellët trupi, aq shumë në përshtatje me logjikën poetike bodleriane. Teksa ia tregova bashkëpunëtorëve të mi, njëri prej tyre reagoi duke qeshur por dhe që tregonte frikë: -Do të na bëjnë namin për këtë imazh. -Jo, thashë – nuk ka mundësi, është art, jo poronografi. E lamë foton dhe me gjak të ngrirë prisnim ndonjë reagim, veçanërisht të prindërve. Nuk ndodhi. Por, ama, ndodhi me një ilustrim në një atlas biologjie në klasën e 9-të. Sepse ishin nudo një djalë dhe një vajzë pranë njëri-tjetrit. Dhe ku, në një shpjegim shkencor?! Pra, reagimet e disa prindërve tregon se sa mendjembyllur janë disa prej tyre dhe politikat e edukimit nuk mund të shkojnë paralel me ta, përkundrazi. Raste të tilla mendoj se mbeten të izoluara. Fakti që shkolla në Florida u tërhoq pasi plasi skandali jo për mësuesen, por për masën që ata morën ndaj saj.

    Rasti i dytë që lidhet me krijimtarinë e Virginia Wolf-it, mund të jetë shqetësues, por një libër mendoj se duhet të mbetet siç është në origjinal, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një libër për të rritur. Në fund të fundit, këta libra janë edhe pasqyrë e kohës me kufizimet e veta, kur kanë shkruar shkrimtarët. Një autore aq e madhe si Wolf, që i jep dhe i flet aq fuqishëm lexuesit të sotëm dhe arrin t’i futet në shpirt e ta bëjë atë të ndiejë katarsis brenda vetes, nuk mund të ndikojë negativisht, pavarësisht disa etiketimeve apo qëndrimeve të asaj kohe. Nga ana tjetër, do të thosha se këto probleme ne i kemi hasur teksa përgatisnim kolanën me veprat e klasikëve për fëmijë. I njëjtë si rasti i Wolf, paraqitet dhe Mark Twain. Ka momente që ndihet një lloj racizmi tek ai. Është problem. Jemi munduar ta zbutim pak, veçanërisht dhe rastet e bullizmit shumë të theksuar dhe te ndonjë shkrimtar shqiptar për fëmijë para viteve ’90. Më parë dhe personazhet negative për fëmijë thërriteshin me nofka që bullizoheshin. Sot kohët kanë ndryshuar. Nuk të lejon kush të thuash sakat për një person me aftësi ndryshe (disa vite më parë quheshin me aftësi të kufizuar). Gjithsesi një roman, një libër artistik duhet dalluar nga librat didaktikë apo nga ata me karakter kulturologjik.

    Në rastin e ndalimit të veprës së Dostojevskit kemi të bëjmë me censurë politike. Edhe në këtë rast mendjengushtësia e disa personave që marrin vendime dhe nuk arrijnë të dallojnë politikat e mbrapshta nga arti, se duan apo s’duan ata letërsia dhe arti i kanë kapërcyer vetë kufijtë dhe çdo ndalim ka qenë kaq i përkohshme dhe i kufizuar. Gjuha e Dostojevskit është aq universale sa edhe sot ngrihet kundër politikanëve (aktualisht Putinit), që nxisin te njerëzit e thjeshtë instinktin e dhunës dhe të krimit, në vend që t’i udhëheqin ata si liderë të vërtetë shpirtërorë drejt paqes.


    Azem Deliu: Përndryshe, do të përfundojmë duke censuruar gjithçka

    Unë besoj që veprat artistike, jo vetëm ato letrare, bartin me vete shenja të epokave nga të cilat kanë ardhur. Është e papërligjshme në sytë e mi, që për çfarëdo moraliteti të kohës së sotme, të lexojmë me syzet ideologjike të tashme tekste që burojnë nga botë e epoka të tjera.

    Besimi se mund të ndërhyjmë duke cenzuruar atë që koha s’e ka hedhur vetë në kosh, përkundrazi e ka rikonfirmuar si vlerë, është shenjë e ndjenjës së vetëvlerësimit të tepërt të njeriut të sotëm.

    Sidomos kur e ke parasysh që elementet që goditen te veprat e caktuara, fort shpesh nuk janë fare qëndrore, përkundrazi. Nuk dua të them që duke mos qenë qëndrore këto elemente nuk reflektojnë bindje të papranueshme me standardin e sotëm, por dua të them që këto bindje, nëse s’i ndajmë, s’kanë pse na shqetësojnë.

    Përndryshe, do të përfundojmë duke censuruar gjithçka sepse çdokund mund të gjesh diçka nga e cila të fyhesh, nëse e sheh me syzet e duhura.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË