More
    KreuIntervistaBisedë me Kenzaburo Oe

    Bisedë me Kenzaburo Oe

    Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, UC Berkeley, 1999

    Sfondi

    Mirë se vini sërish në Berkeley. Ku jeni lindur dhe ku jeni rritur?

    Jam lindur më 1935 në një ishull të vogël të arkipelagut japonez. Duhet të theksoj se lufta mes SHBA-ve dhe Japonisë filloi kur isha gjashtë vjeç. Pastaj, në moshën dhjetëvjeçare, pashë luftën të përfunduar. Kështu që fëmijëria ime ishte gjatë luftës. Kjo është diçka shumë e rëndësishme.

    A ishit shkrimtari i parë në familjen tuaj?

    Ky është një problem shumë delikat. Familja ime vazhdoi të jetonte [në atë ishull] për dyqind vjet ose më shumë. Ka plot gazetarë mes paraardhësve të mi. Kështu që, nëse do të donin të botonin, mendoj se mund të ishin shkrimtarët e parë. Por fatkeqësisht, ose fatmirësisht, nuk kanë botuar, kështu që jam burri i parë i cili e ka botuar atë që ka shkruar; por mamaja ime thoshte gjithmonë se: “Ju burrat e familjes sonë gjithmonë shkruani të njëjtat gjëra.”

    Keni thënë në një intervistë: “Akti i përpjekjes për të kujtuar dhe akti i krijimit filluan të mbivendoseshin, dhe kjo ishte arsyeja pse fillova të shkruaj romane.”

    Po. Nëse mundem të shtoj diçka: kam filluar të shkruaj me metoda të imagjinatës, sipas imagjinatës, dhe drejt imagjinatës.

    Çfarë librash keni lexuar në rininë tuaj?

    Nuk kam lexuar shumë libra deri nëntë vjeç. Isha i mahnitur nga përrallat që më rrëfente gjyshja. Ajo fliste thuajse për çdo gjë në lidhje me familjen time dhe krahinën time; kështu që ishte mjaftueshëm për mua. Nuk më nevojiteshin libra në atë kohë. Por një ditë, pati një diskutim mes gjyshes dhe mamasë. Dhe mamaja ime u ngrit herët në mëngjes, mori një kile oriz – hanim oriz – dhe shkoi te qyteti i vogël i ishullit tonë përmes pyllit. U kthye natën vonë. I dha një kukull të vogël motrës sime, disa kekë vëllait tim të vogël, dhe nxori dy libra xhepi. Volumi një, volumi dy. Gjeta “Huckleberry Finn” të Mark Twain. Nuk e njihja emrin e Mark Twain, emrin e Tom Sawyer apo Huckleberry Finn, por mamaja ime tha – dhe kjo ishte biseda e parë mes meje dhe mamasë për letërsinë, dhe ndoshta e fundit. Ajo tha: “Ky është romani më i mirë për fëmijë apo për të rritur. Kështu ka thënë babai yt.” (Vitin e kaluar babai kishte ndërruar jetë.) “E solla këtë libër për ty, por gruaja së cilës ia këmbeva me oriz më tha: ‘Ki kujdes. Autori është amerikan. Tani është lufta mes SHBA-ve dhe Japonisë. Mësuesja do t’ia marrë librin birit tënd. [Thuaji] se nëse e pyet mësuesja se kush është autori, t’i përgjigjet se Mark Twain është pseudonimi i një shkrimtari gjerman.’”

    Keni lexuar gjithashtu, sipas fjalimit të çmimit “Nobel”, një libër të quajtur “The Wonderful adventures of Nils”.

    Po, këtë libër e ka shkruar një shkrimtare shumë e famshme suedeze [Selma Lagerlöf], një libër që fëmijët e Suedisë të studiojnë atlasin e vendit të tyre. [Në këtë libër] një rreng është të udhëtosh përmes gjithë vendit mbi kurrizin e një pate të vogël. Kjo ishte gjithashtu shumë mahnitëse. Kështu që në fëmijërinë time vetëm dy libra i kam pranë zemrës dhe kam vazhduar t’i rilexoj. I mbaj mend thuajse të gjitha fjalët e këtyre dy librave.

    Dhe një rresht në veçanti ju ka bërë përshtypje. Kur endacaku në libër kthehet në shtëpi, thotë: “Jam sërish një qenie njerëzore.”

    Po, heroi është bërë një djalë shumë i vogël nëpërmjet magjisë së një zane dhe nuk mund ta besonte mundësinë se do të bëhej [sërish] një njeri me përmasa të zakonshme. Kur kthehet në shtëpi, shkon fshehurazi në kuzhinë. E gjen i ati. Më pas ndodh një pasion njerëzor shumë i këndshëm te heroi; pastaj rritet shumë natyralisht në përmasën e një njeriu të zakonshëm. Pastaj bërtet: “Oh mama, jam sërish një qenie njerëzore.” Këtë e kisha shumë të rëndësishme ta shtoja.

    Të qenët shkrimtar

    E keni quajtur veten shkrimtar të periferisë. Nga njëra anë, i referoheni origjinës, por gjithashtu doni të thoni më shumë se kaq. Shpjegoni çdoni të thoni me “Jam shkrimtar nga periferia”.

    Jam lindur në një ishull të vogël, dhe vetë Japonia është në periferi të Azisë. Kjo është shumë e rëndësishme. Edhe kolegët tanë të shquar mendojnë se Japonia është qendra e Azisë. Mendojnë fshehurazi se Japonia është qendra e botës. Them gjithmonë se jam shkrimtar i periferisë – krahinë periferike, Japonia periferike e Azisë, vend periferik i këtij planeti. E them me krenari këtë.

    Letërsia duhet shkruar nga periferia drejt qendrës dhe mund të kritikojmë qendrën. Kredoja jonë, tematika jonë, ose imagjinata jonë është ajo e një qenieje njerëzore periferike. Njeriu që është në qendër nuk ka çfarë të shkruajë. Nga periferia, mund të shkruajmë historinë e qenies njerëzore dhe kjo histori mund të shprehë humanitetin e qendrës, kështu që kur them fjalën periferi, është një kredo imja shumë e rëndësishme.

    Te “A healing family” citoni Flannery O’Connor kur flet për zakonin e romancierit, praktikën e grumbulluar. Çfarë është kjo?

    Si fillim, fjala “zakon” nuk është fjalë e mirë për një artist. Kështu që duhet ta përdor fjalën “zakon” sipas kuptimit të Flannery O’Connor. E mësoi këtë fjalë nga tutori i saj, Jacques Maritain, mendoj. Jacques Maritain ishte në Princeton në atë kohë. Flannery O’Connon ishte lindur më 1935, mendoj, dhe pak pas luftës ajo shkëmbente letra me tutorin e saj, dhe ai fliste për nocionin e Thomas Aquinas, i cili ishte figurë e rëndësishme për Jacques Maritain.

    “Zakoni” është ky: kur si shkrimtar vazhdoj të shkruaj çdo ditë për dhjetë apo tridhjetë vjet, atëherë gradualisht zakoni i shkrimtarit formohet brenda meje. Nuk mund të jem i vetëdijshëm për këtë. Ose nuk mund të jem i pavetëdijshëm. Por, sidoqoftë, unë kam zakonin të rilind si shkrimtar. Kështu që nëse ndodhem në një krizë të cilën nuk e kam përjetuar kurrë, mund të lind, ose mund të shkruaj diçka, nëpërmjet forcës së zakonit. Edhe një ushtar, apo një fermer, apo peshkatar, mund të rilindë nëpërmjet forcës së zakonit kur përballet me krizat më të mëdha të jetës së tij. Ne qeniet njerëzore lindim dhe rilindim dhe nëse krijojmë zakonet tona si qenie njerëzore, mendoj se mund ta përballojmë një krizë edhe nëse nuk e kemi përjetuar më parë. Ky duhet të jetë nocioni i Flannery O’Connor, dhe unë jam student i Fallnery O’Connor.

    Të gjesh një zë në tragjedi

    Lindja e djalit tuaj ishte pika kulminante e gjetjes së zërit tuaj si shkrimtar. Keni shkruar se: “Para njëzet e pesë vjetësh, djali im i parë lindi me një dëmtim në tru. Kjo ishte e papritur, më e pakta. Sidoqoftë, si shkrimtar, duhet të pranoj faktin se tematika qendrore e veprës sime përgjatë shumicës së karrierës sime ka qenë mënyra se si familja ime ka arritur të jetojë me këtë fëmijë me aftësi të kufizuara.”

    Po, pikërisht. E kam shkruar.

    Kur isha njëzet e tetë vjeç, lindi im bir. Kur isha njëzet e tetë vjeç, isha shkrimtar, për më tepër shkrimtar i famshëm i skenës japoneze dhe isha student i letërsisë franceze. Dhe isha zëri i Jean-Paul Sartre apo Maurice Merleau-Ponty. Gjithmonë flisja për çdo gjë prej këtyre veprave. Por kur im bir lindi me një dëmtim shumë të madh në tru, zbulova një natë, doja të gjeja inkurajim, kështu që doja të lexoja një libër – kjo ishte hera e parë që lexoja një libër timin, të vetmin libër që kisha shkruar deri në atë pikë – dhe kuptova pak ditë më vonë se nuk mund ta inkurajoja veten nëpërmjet librit tim; dhe kështu askush nuk mund të inkurajohej nga vepra ime. Dhe mendova: “Unë jam asgjë dhe libri im është asgjë.” Kështu u depresionova shumë; pastaj m’u kërkua nga një gazetar japonez i cili botonte një revistë politike në Japoni që të shkoja në Hiroshima, vendi ku kishte rënë bomba atomike. Në Hiroshima, në atë vit të lëvizjes së paqes – lëvizja kundër bombave atomike – kishte një takim dhe në ato mbledhje pati një sherr mes grupit kinez e atij rus. Dhe unë isha gazetari i vetëm i pavarur aty. Kështu që i kritikova të dyja palët.

    Gjeta spitalin e të mbijetuarve të Hiroshimës dhe aty gjeta të madhin dr. Fumio Shigeto. Në bisedë me Shigeto-n dhe pacientët e spitalit, gradualisht gjeta se kishte diçka që më inkurajonte, kështu që doja ta ndiqja këtë ndjesi se kishte diçka. Kështu u ktheva në Tokio dhe shkova te spitali ku ishte djali im i porsalindur, dhe fola me doktorët për ta shpëtuar. Pastaj fillova të shkruaja për Hiroshimën, dhe kjo ishte pika kulminante e jetës sime. Një lloj rilindjeje e vetes sime.

    Pra, kishte një bashkëveprim mes asaj që patë te viktimat e Hiroshimës dhe gjithashtu çfarë patë duke vëzhguar doktorët që po trajtonin viktimat. Ajo që vëzhguat ju çoi disi në një dimension tjetër për t’u marrë me tragjedinë tuaj personale?

    Po. Shigeto më tha: “Nuk mund të bëjmë asgjë për të mbijetuarit. Edhe sot nuk dimë asgjë për natyrën e sëmundjes së të mbijetuarve. Edhe sot, kaq pak pas bombardimit, nuk dimë asgjë, por bëmë atë që mund të bënim. Çdo ditë një mijë njerëz të vdekur. Por mes atyre trupave të vdekur, unë vazhdova. Pra, Kenzaburo, çfarë mund të bëj përveç kësaj, kur ata kanë nevojë për ndihmën tonë? Tani yt bir ka nevojë për ty. Duhet ta kuptosh se askush në këtë planet nuk ka nevojë për ty përveç birit tënd.” Pastaj e kuptova. U ktheva në Tokio dhe fillova të bëj diçka për tim bir, për veten dhe për bashkëshorten time.

    Romani juaj për lindjen e birit tuaj me aftësi të kufizuara titullohet “A personal matter” dhe shkrimet tuaja për Hiroshimën janë mbledhur te “Hiroshima notes”. Ju shkruani tekefundit: “Kur doktorët e Hiroshimës ndjekin katastrofën e bombës atomike në imagjinatën e tyre, po përpiqen të shohin më thellë dhe më qartë në thellësinë e ferrit ku edhe ata janë kapur. Ka një patos në këtë shqetësim të dyfishtë për veten dhe të tjerët; sidoqoftë, vetëm i shtohet sinqeritetit dhe vërtetësisë së asaj që ndiejmë…” Po thoni se duke e parë këtë dualitet te doktori, ju ndihmoi të shihnit kompleksitetin e dilemës si te Bird, protagonisti i romanit tuaj.

    Po. Deri atëherë, tematika ime e vogël ishte një dualitet apo ambiguitet i qenieve njerëzore. Ky koncept erdhi nga ekzistencializmi në Francë. Mendoj se gjeta dualitetin e vërtetë dhe si mund të jem i ashtuquajtur “autentik”. Por fjala “autenticitet” nuk duhet të jetë kaq e ngurtë në rastin tim. Kam përdorur fjalën nga Jean-Paul Sartre. Sot do të përdorja një fjalë tjetër. Është shumë e lehtë. Doja vetëm të isha një njeri i drejtë. Poeti irlandez Yeats shkroi në poemën e tij: “Djali i ri që rri drejt.” Ndershmëri. I drejtë. Ky ishte lloji i djalit të ri që doja të isha, por pastaj përdora fjalën “autentik”.

    Lionel Trilling shkroi se të rrëfesh ndjenjat e tua është gjëja më e guximshme dhe më e vlefshme që mund të bëjë një shkrimtar. Këtë keni bërë ju tek “A personal matter.”

    Po. Këtë doja të bëja. Në atë kohë nuk e mendoja vlerën e të qenit një njeri i drejtë. Ndieja se duhet të shkruaja për veten. Pse jo? Unë nuk mund të rilind, dhe im bir nuk mund të rilindë. Kështu që kur isha pranë detit [vendosa se] duhet të shpëtoja veten time dhe duhet të shpëtoja tim bir. Prandaj e shkrova këtë libër, mendoj.

    Artisti si shërues

    Biri juaj u bë kompozues. Familja juaj – gruaja juaj, fëmijët dhe ju – gjatë kohës që kujdeseshit për të, identifikuat aftësinë e tij për të komunikuar. Na tregoni se si doli kjo.

    Deri kur im bir ishte katër ose pesë vjeç, nuk bënte asgjë për të komunikuar me ne. Menduam se nuk kishte asnjë ndjesi të familjes. Kështu dukej shumë, shumë i izoluar – një guriçkë në bar. Por, një ditë, i ngjalli interes tingulli i një zogu në radio. Kështu bleva disqe të zogjve të egër të Japonisë. Bëra një kasetë të pesëdhjetë lloje zogjsh – thirrje zogjsh. Aty dëgjohen thirrjet e zogjve dhe një zë shumë monoton i një spikere, që thotë emrat e zogjve. “Tada-dada”, pastaj: “Bilbili”. “Tada-da”. “Harabeli”. “Ky është bilbili; ky është harabeli”. Vazhduam ta dëgjonim këtë kasetë për tre vjet. Gjatë këtyre tri viteve, kur luanim këngët e zogjve, im bir qetësohej shumë. Kështu që nevojitej që ai të qetësohej. Gruaja ime duhet të bënte punën e saj, unë timen. Kështu vazhduam të jetonim të tre së bashku me zërat e zogjve.

    Në verën kur ishte gjashtë vjeç, shkuam te shtëpia në mal dhe ndërkohë që gruaja ime po pastronte shtëpinë tonë të vogël, unë isha në një pyll të vogël, me tim bir mbi shpatulla. Aty pranë ka një liqen të vogël. Këndoi një zog [njëri nga çifti]. Papritur, një zë i qartë e monoton tha: “Është një gjel uji.” Pastaj u shkunda. Heshtje e plotë në pyll. Qëndruam të heshtur për pesë minuta, pastaj u luta për diçka, në kokën time. U luta: “Të lutem, zërin e atij zogu dhe pastaj vërejtjen e tim biri, nëse nuk ishte fantazma ime apo ëndërr.” Pastaj, pas pesë minutash, gruaja e atij zogu këndoi. Pastaj im bir tha: “Është një gjel uji.” Pastaj u ktheva në shtëpi me tim bir dhe fola me gruan time.

    Për një kohë të gjatë, pritëm për një zë tjetër, por nuk pati asnjë zë gjatë natës. Nuk fjetëm. Por herët në mëngjes, një harabel erdhi te një pemë e vogël para dritares sonë. Bëri një tingull të vogël, dhe im bir tha: “Është një harabel.” Pastaj filloi gjithçka, luanim tingullin e një zogu dhe im bir përgjigjej. Bëmë shumë kaseta me tinguj zogjsh, madje dhe zogj nga SHBA-të dhe Europa. Im bir përgjigjej shumë qetë dhe saktë nëse e dëgjonte dy-tri herë emrin e një zogu. Filluam të komunikonim me fjalë.

    “Pooh-chan – im bir quhet Pooh-chan, nga Winnie the Pooh – çfarë është ky zogu?” [Përgjigjej pasi luaja kasetën.] “Harabel”. “Pooh-chan, çfarë dëshiron të dëgjosh?” Ai mendohet [dhe thotë]: “Gjelin e ujit.” “Bilbilin.” Dhe unë do ta luaj.

    Më pas filluam të komunikonim dhe im bir u pranua te një shkollë për të vonuarit mendorë, pastaj shumë pak mësues thanë se nuk mund të kujdeseshin për të. Gjithmonë luanin në radio Handel-in, Bach-un. Pastaj im bir filloi të dëgjonte muzikë. Pasi u angazhua me muzikën, papritur i harroi të gjithë emrat e zërave të zogjve. Kur im bir ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, kishte trup shumë të fortë dhe humbi shikimin tek të dy sytë. Mund të shihte përmes secilit sy, por jo të dyve bashkë. Nuk mund të shihte edhe pianon edhe partiturat. Kështu i humbiste ndonjë notë dhe ishte shumë e parehatshme për të. Kështu hoqi dorë nga pianoja dhe mamaja e mësoi si të shkruante muzikë. Në pesë javë, filloi të shkruante muzikën e Bach-ut me laps. Fillimisht, muzikë shumë të thjeshtë. Për një vit, filloi të kompozonte vetë.

    Tani ka dy disqe të cilat mundët t’i blinit në Berkeley ose Telegraph Avenue.

    Po, kur isha këtu para tetëmbëdhjetë vjetësh, po mendoja për tim bir. Tani dy ditë më parë, po mendoja për leksionin tim. Shkova tek Tower Records, bleva disa disqe nga Pisaro. Kontrollova [te dyqani] dhe gjeta dy disqe të tim biri dhe i luajta këtë mëngjes.

    Biri juaj ka plotësuar ëndrrat e Nilit – duke udhëtuar mbi krahët e zogjve ose, në rastin e tij, tingujt e zogjve.

    Po, kështu, përveçse [ka mësuar] prej zogjve [si Nili], im bir mund të thotë: “Po unë jam një qenie njerëzore, jam një njeri.” Përveç disqeve të tim biri, mendova: “Unë jam njeri.”

    Tek “A healing family” ju shkruani se muzika e birit tuaj ju ka treguar se në aktin e shprehjes së vetes ka një “fuqi shëruese, një fuqi për të ndrequr zemrën” dhe vazhdoni të thoni: “Se në muzikën apo letërsinë që krijojmë, pavarësisht se e njohim dëshpërimin – natën e errët të shpirtit të cilën duhet ta kalojmë – zbulojmë se duke i dhënë shprehi mund të shërohemi dhe të njohim gëzimin e shërimit; dhe teksa këto përjetime të lidhura të dhembjes dhe shërimit i shtohen njëra-tjetrës, shtresë mbi shtresë, jo vetëm pasurohet vepra e artistit, por përfitimet e saj ndahen dhe me të tjerët…”

    I shtoj diçka këtij komenti. Pasi kam shkruar këtë ese, më janë bërë shumë pyetje. Dhe kritikët thanë: “Oe është bërë shumë konservativ tani. Është burrë i qetë; thotë se muzika e të birit e ka shëruar dhe mund të shërohet vetë nga disku. Kjo është shumë negative dhe shumë konservative.” Duhet t’i përgjigjem kësaj. Nuk them të shërohesh në japonisht. Fjala “shërim” duhet përdorur në formë kalimtare. Unë shëroj veten. Një qenie njerëzore shërohet nga diçka. Kjo është një vepër shumë pozitive e qenieve njerëzore. Kur dëgjoj muzikën e tim biri, nuk dëgjoj një vepër pasive. Ndihem sikur po bëj diçka pozitive me tim bir. Të dy po shohim të njëjtin drejtim. Kështu, nëse dikush ndihet sikur e ka shëruar muzika e tim biri, atëherë besoj se ky dikush po sheh në të njëjtin drejtim si im bir. Kështu po e shëron pozitivisht veten me tim bir.

    Pra, biri juaj “po vazhdon me jetën e tij”, si thoni ju. Dhe shembulli i tij mund të frymëzojë të tjerë, t’i ndihmojë “të vazhdojnë” me jetën e tyre. Dhe të shërojnë veten gjatë procesit.

    Po, pikërisht, dua të bëj të njëjtën gjë. Muzika e tim biri është model për letërsinë time. Dua të bëj të njëjtën gjë.

    Temat e një shkrimtari

    A besoni se shkrimtari i zgjedh temat e tij apo i vijnë?

    Nadine Gordimer ka shkruar se nuk e zgjedhim një temë apo situatë apo histori. Tema na zgjedh ne, ky është qëllimi i shkrimtarit. Koha, ditët na zgjedhin ne si shkrimtarë. Duhet t’i përgjigjemi kohës sonë. Nga eksperienca ime mund të them të njëjtën gjë si Nadine Gordimer: Nuk e zgjodha historinë e një biri me aftësi të kufizuara, ose nuk e zgjodhëm temën e familjes së një djali me aftësi të kufizuara. Doja t’i arratisesha nëse do të ishte e mundur, por diçka më zgjodhi që të shkruaja për të. Im bir më zgjodhi mua. Kjo është arsyeja e përcaktuar që vazhdoj të shkruaj.

    Ju shkruani në një ese tjetër: “Stili thelbësor i shkrimit tim ka qenë të nisja me çështje personale dhe më pas t’i lidhja me shoqërinë dhe gjendjen e botës.”

    Mendoj se po i bëj veprat e mia për të lidhur veten, familjen time, me shoqërinë – me kozmosin. Që të lidh familjen time dhe veten me kozmosin, është e lehtë, sepse e gjithë letërsia ka disa prirje mistike. Kështu që, kur shkruajmë për familjen tonë, mund ta lidhim veten me kozmosin. Por unë doja ta lidhja veten dhe familjen me shoqërinë. Kur e lidhim veten me shoqërinë, atëherë nuk shkruajmë çështje shumë personale, por shkruajmë një roman të pavarur.

    Ju thoni tek “A healing family” se ajo që keni mësuar për ta bërë një fëmijë me aftësi të kufizuara pjesë aktive të familjes suaj ishte një shembull se si shoqëria duhet t’i trajtojë personat me aftësi të kufizuar, dhe se si shoqëria duhet të mësojë prej tyre. Në thelb, njeriu mund të krijojë një shoqëri shëruese duke krijuar një familje shëruese.

    Po, ashtu shpresoj, por nuk dua të theksoj rolin e familjes së djalit me aftësi të kufizuara, nuk dua të theksoj individualitetin. Gjithmonë, kur e lidhim familjen me shoqërinë, ka vlerë shoqërore; nëse jo, mendoj, mund të shkruajmë vetëm çështje shumë personale përmes eksperiencës sonë. Kur titullova romanin e parë për tim bir “A personal matter”, besoj se e dija gjënë më të rëndësishme: nuk ka asnjë çështje personale; duhet të gjejmë lidhjen mes vetes sonë, “çështjes tonë personale” dhe shoqërisë.

    Çfarë roli duhet të luajë shkrimtari në politikën e kohës së tij?

    Të kombinojmë shërbimin tonë te shoqëria – kjo është politika. Nuk më duhet një rol si politikëbërës. Kam disa miq të cilët janë bërë politikëbërës.

    Nuk doni të jeni Henry Kissinger.

    Isha në një seminar me z. Kissinger. Z. Kissinger tha në festën e lamtumirës, me një buzëqeshje keqdashëse: “Lepuri shumë i ligë bën një buzëqeshje në filma vizatimorë, buzëqeshjen e ligë të z. Oe.”

    Unë nuk jam njeri i lig. Kundër politikëbërësit ndonjëherë bëj një buzëqeshje të ligë. Nuk jam një burrë me politikë, që bëj politikë. Por nga jeta e një qenieje njerëzore [në shkrimet e mia], dua të bëj diçka për politikën. Kështu që duhet të bëj diçka përmes letërsisë sime apo eseve.

    Çfarë është ajo?

    Personalisht, mund të them me zërin tim të vogël se po e bëj tani këtë.

    Çfarë duhet t’i shtojë një shkrimtar japonez diskursit në Japoni, që me sa duket është kaq materialist dhe me sa duket i mungojnë vlerat humanitare?

    Kam kritikuar qëndrimin e Japonisë kundrejt Azisë, botës, që përpara krizës ekonomike në Japoni. Edhe kur ishim të varfër fillova të kritikoj qëndrimin tonë ndaj Azisë. Vazhdova dhe gjatë periudhës së lulëzimit. Pas kësaj, tani jemi në një krizë ekonomike, dhe duhet të vazhdoj.

    Në Japoni, donim të krijonim një qëndrim vërtet të ri nacionalist pas humbjes së luftës. Për vite donim të krijonim demokraci, njeriun demokratik, një vend demokratik. Mendoj se hoqëm dorë. Kanë kaluar pesëdhjetë vjet. Tani ka një atmosferë antidemokraci në Japoni. Pra sot, ende jo, thonë se duhet të kthehet ultranacionalizmi, por ndihem shumë i dyzuar. Shoqërisë sonë po i vjen një atmosferë nacionalizmi e rrezikshme. Kështu që tani dua të kritikoj këtë prirje, dhe dua të bëj diçka për të parandaluar zhvillimin e fashizmit në shoqërinë japoneze.

    Romanet dhe temat tuaja njerëzore ku fokusoheni a kontribuojnë në klimën e ideve që fashizmi të jetë mundësi më e paktë?

    Kur isha në Hiroshimë, dr. Shigeto tha: “Kur nuk mund të mendosh asgjë për të bërë, duhet të bësh diçka.” Kështu që mendoj se kam një lloj ndikimi mbi intelektualët e rinj, mund të organizojmë një fuqi tjetër. Sepse kriza e sotme është ndjesia e pavetëdijshme e ultranacionalizmit në Japoni. Një ndjesi dhe atmosferë shumë e madhe. Nëse shkruajmë saktësisht për të, nëse e sulmojmë, atëherë intelektualët e rinj mund të bëhen të vetëdijshëm për këtë ndjesi. Është shumë e rëndësishme në fillim.

    Këta intelektualë mund të përballen me këto çështje dhe të ndihmojnë të formojnë debatin publik në mënyrën se si, tek “A personal matter”, i riu Bird përballet me realitetin e situatës së tij.

    Po, dua t’u kërkoj të rinjve të Japonisë, intelektualëve të rinj, të përballen me realitetin e tyre.

    Përfundimi

    Disa prej veprave tuaja fokusohen te rinia; për shembull, “Nip the Buds, Shoot the Kids” mbi bandat rinore ku nuk ka asnjë vlerë dhe qyteti është evakuuar. Çfarë roli të veçantë kanë të rinjtë në formimin e ideve tona për botën?

    Në fund të romanit tim, heroi im po krijon një bamirësi të re, jo të krishterë, jo budiste, por vetëm ata po bëjnë diçka për shpirtin e tij dhe për të rinjtë e mbledhur. Një ditë, udhëheqësi lexon një Bibël para njerëzve, letrën e Efesianëve. Tek Efesianët ka dy fjalë: “Njeri i ri.” Jezu Krishti është bërë Njeriu i Ri në kryq. Ne duhet të heqim pallton e vjetër nga njeriu i vjetër. Ne duhet të bëhemi Njeriu i Ri. Vetëm Njeriu i Ri mund të bëjë diçka, kështu që ti duhet të bëhesh Njeriu i Ri. Heroi im nuk ka asnjë program për të ardhmen, por beson se duhet të krijojmë Njeriun e Ri. Djemtë e rinj duhet të bëhen Njeriu i ri. Burrat e vjetër duhet të ndërhyjnë për të krijuar Njeriun e Ri. Kjo është kredoja ime. Gjithmonë mendoj për rolin e rinisë në Japoni.

    Si duhet të përgatiten studentët për të ardhmen? Fillimisht, si të përgatiten për të qenë shkrimtar? Si të përgatiten për të pasur një ndikim pozitiv në përcaktimin e Njeriut të Ri?

    Fillimisht, uroj që të rinjtë të jenë të drejtë, të pavarur.

    Si Bird-i?

    Po. Në radhë të dytë, shpresoj të kenë imagjinatë. Imagjinata nuk është për të pranuar imazhin e tjetrit, por për të krijuar imazhin tonë dhe më saktë të riformojmë imagjinatën që na është dhënë. Të jesh i drejtë dhe të kesh imagjinatë: kjo mjafton për të qenë një njeri i mirë.

    Thoni për dr. Shigeto: “Pa shumë shpresë apo shumë dëshpërim, ai thjesht u përball me vuajtjen aq mirë sa mundi” dhe vazhdoni të thoni: “Ai ishte një njeri vërtet autentik.”

    Profesori im ishte specialist i humanizmit francez dhe gjithmonë më thoshte: “Çfarë është humanizmi? Është të jesh pa shumë shpresë dhe gjithashtu pa shumë dëshpërim sot.” Pa shumë shpresë, pa shumë dëshpërim. Ky është modeli tipik i një humanisti të sotshëm. Ky ishte komenti i mësuesit tim, dhe ia thashë z. Shigeto, dhe tha: “Po, e kam ditur gjithë jetën time.”

    Faleminderit që ndatë reflektimet tuaja me ne, dhe që u kthyet sërish në Berkeley, dhe shpresoj të ktheheni sërish.

    Faleminderit.

    Përktheu Enxhi Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË