More
    KreuLetërsiBibliotekë"Leaving Las Vegas", tregim nga Shkëlqim Çela

    “Leaving Las Vegas”, tregim nga Shkëlqim Çela

    Avionët që të kthejnë nga Vegasi kanë dicka prej funerali. S’është vështirë të dallosh kufomat e aventurave, të dashurive 24-orëshe, të të fshehtave të vogla që qyteti premton t’i mbajë të ndryra në përjetësi me moton e vet “ç›ndodh në Vegas, mbetet në Vegas”. S’është vështirë të dallosh trillet e marrëzitë, të cilat ngjanin aq të mençura atje, tanimë gjethe të thara që këmbët e stuardesave i shtypin pa mëshirë: “What would you like to drink, sir”?

    Në Vegas njerëzit nuk venë të bëhen milionerë. “Kazinoja”, ose (sipas meje) “shtëpiza”, fiton gjithmonë. Në Vegas njerëzit venë të marrin dozën e marrëzisë që u privohet aq mizorisht tjetërkund. Ata mezi ç’presin të hapin valvolat nga ku del gjithë zhurmë avulli i grumbulluar në mbledhje pafund korporatash, në orë pafund përballë monitorësh pa shpirt, në torturën e pafund të të qenit politikisht korrekt.

    Vegasin nuk e dua se jam bixhozçi, po sepse jam statisticien. Një statisticien që nuk e do Vegasin është si një kërcimtar që s’do muzikën. Pa qenë kumarxhi, më pëlqen prapë se prapë të shoh një “tryezë të nxehtë”. Duarve të bixhozçinjve që përshkruan Zweig-u duhet t’u ngrihet një monument. Në qoftë se dora e bëri majmunin njeri, një palë letra bixhozi i bëjnë duart pasqyrë të shpirtit. “Asgjë njerëzore s’është e huaj për mua” mund të ishte pa frikë logoja e Vegasit, ashtu si për shumë qytete të tjera mund të shkonte për mrekulli “çdo gjë njerëzore është e huaj për mua”.

    Duke perifrazuar një poezi të vjetër, kthimi nga Vegasi i ngjan mëngjesit gri pas një nate pasionesh gjigande. Trupat janë ftohur, përjashta s’ka ngjyra, veç bardh e zi me nuancat e hirta në mes. Ata pak që vazhdojnë lojën në slot machines në aeroport, u ngjajnë më shumë dashurive surrogato të mëngjesit, me tendosje për të përmjerë. Edhe emri slot machine këtu tingëllon më tepër si slut machine. Vullkani i vërtetë ishte atje, në qendrën që përmbledh gjithë botën, gjithë njerëzimin, nga Egjipti i Lashtë te Statuja e Lirisë, nga Forumi romak te kulla Eiffel.

    Ç›mbet pas qe shumë më tepër se dritat llamburitëse dhe arkitektura. Ato janë thjesht lëvozhga me të cilin mbështillet shpirti i qytetit të papritur, shpirt për të cilin s’dëgjon të flitet. Rrallë kam parë njerëz më të qeshur dhe të shkueshëm se aty. Edhe shoferi i taksisë që të shpie nga aeroporti në qendër është ndryshe: një plak me flokë të bardhë, që flet një anglishte tejet të artikuluar për një shofer taksie. “Unë nuk di vend tjetër ku do të jetoja më mirë”, thotë me bindjen e krijuar nga përsiatje të shkuara. Kujtoj padashur taksitë nga aeroporti La Guardia për në Manhattan, brenda të cilave do të dëgjosh lloj-lloj ankimesh nga shoferë me mjekra të lyrshme që edhe erën e duhanit, edhe akcentin, e kanë të rëndë: lloj-lloj rusësh e aziatikësh të tjerë, apo të tjerë akoma nga Lindja e Mesme, që të mbushin kokën me duhma militante, e që qahen se kapitalizmi ua hëngri jetën me taksa e me pagesa urash. Kurse taksisti vegaslli ka vetëm një shqetësim: shumë njerëz po vijnë në Vegas. Tetë mijë vetë çdo muaj ngulen këtu, thotë i pakënaqur.

    Edhe ata që më presin – këtu vij me punë – janë po ashtu shumë të shkueshëm. Si mbarojmë bizneset, zgjedhim restorantin: në do restorante të mira, ata i ke në Vegas, por s’po flas për këto se udhëzuesit turistikë janë të vetëmjaftueshëm. Me miqtë e Vegasit flet pa teklif, si në ndonjë rreth të mirë shqiptar. Kjo është Amerika e vërtetë, të thonë. Ne duam lirinë e individit. Këtu s’ka taksa shtetërore. Ashtu siç nuk ka as spitale të mira. Ky vend nuk është për të sëmurë. Në u sëmursh, do vesh në Feniks, Arizona. Por ama ky qytet e ka gjithnjë një buzz, dhe kurrë nuk fle. Kanë të drejtë. Ajo puna e “city that never sleeps”, që thuhet për New York-un, është thjesht një mit urban. Në zemër të Manhattan-it, pak para mesnate, kam kërkuar me taksi rrugë më rrugë e avenju më avenju për një restorant të hapur. Kurse këtu, në tre apo katër pas mesnate, është e njëjta gjallëri si në nëntë a dhjetë të ditës gjetiu. Sepse nuk ka ndjenjë të kohës. Këtu koha sikur ngrin. Ju mbërrini në Vegas në gati po atë orë që u nisët, të themi nga New York-u apo Washington DC. Këtu do të shihni çifte pleqsh që janë ngulur para makinave të lojrave për 10-12 orë dhe nuk duan t’u besojnë syve që ora vajti pesë e mëngjesit. Prostitucioni? Askush nuk detyron askënd që të zgjedhë këtë apo atë profesion, më thonë. Është zgjedhje e lirë. Është biznesi i atyre vajzave, që zoti i bekoftë! Kurrë nuk kam dëgjuar të flitet për prostitutat me atë respekt dhe dashamirësi. Respektohet zgjedhja njerëzore. Nuk është fare çudi që aty nga vitet ‘60-të këtu kishte vetëm rreth 50 mijë banorë, kurse tani ka mbi një milion e gjysmë. Gjithkund qytetet zgjerohen gradualisht nga zona e dendur urbane në atë suburbane që ngadalë shkon drejt rurales. Këtu ka zonë urbane dhe menjëherë shkretëtirë. Njerëzit luftojnë me shkretëtirën dhe ngadhnjejnë – meqë bie fjala, për mua kulmi i ngadhnjimit është diga Hoover në liqenin Mead, aty pranë. Ngazëllehem një çast dhe më vjen të mbledh rraqet dhe të ngulem këtu, tek magjia. Ok, më thonë duke qeshur, por termat statistikore që llafos ti, vetëm nja tre-katër vetë t’i marrin vesh në gjithë Vegas-in. Qeshim. A e di si është këtu, or mik, vazhdojnë ata duke ironizuar veten. Le të themi, ti keqtrajton gruan tënde. Mund t’ia hedhësh me dhjetë vjet heqje lirie me kusht. Po pa provo një herë të “keqpërdorësh” një makinë kazinoje! Aty s’të fal kush. Ky po, quhet krim kapital.

    Dalim përjashta. Një lypëse me ngjyrë, e droguar rëndshëm, kërkon para. Më bën përshtypje mënyra si e heqin qafe. A pranon kredit-kartë, i thonë. Nëse po, ja ku e keni timen. Asnjë fyerje. E droguara vazhdon rrugën e saj.

    Këtë radhë po bujt në kompleksin MGM Grand, me një stërhotel, thonë më i madhi në USA, me 5 mijë dhoma, i rëndë dhe pompoz, ndriçuar me të gjelbër nga jashtë, me një holl madhështor, në të cilin pothuaj stonojmë të gjithë. Kompleksi parisian, për shembull, është më njerëzor, të kujton Europën. Brenda në hotel të duket sikur je gjithnjë jashtë, ngaqë tavanet dhe muret janë pikturuar si qiej. Shkoj të marr çelësin e dhomës. Sportelistja ka një buzëqeshje kriminalisht të bukur. Si shqiptar, i marr gjërat në favorin tim dhe më duket sikur atë buzëqeshje e ka vetëm për mua. Në psikologji, këtij duhet t’i thonë kompleksi Pitt-Cruise, qesëndisem me vete. Mund të merrni një dhomë të një klasi më të lartë për vetëm 20 dollarë më tepër, thotë ajo. E si mund t’ia prishësh? S’qenka 50 dollarë? Kështu thua teksa buzëqeshja ekonometrike vazhdon rrënimin.

    Nga dritarja e dhomës sodis Vegasin nga sipër, pastaj shkoj në atë që e lë si ëmbëlsirë për në fund, barin Centrifuge. Kamerieret kërcejnë mbi banak çdo 20 minuta. Njëra prej tyre ka fizionomi shqiptare. Nuk dua të bie në sy që e pëlqej veçanërisht. Ndihem ëmbëlsisht qyqar dhe fjalët e një shkodraneje nga Bronxi më vijnë me përdhunë në mend: “Ne shqiptarëve na asht’ pre damari i qejfit.” Qesh me gjysmë buze. Ora tre pas mesnate më mbledh në dhomë. Të nesërmen do të kthehem. Will be leaving Las Vegas.

    Avioni që më kthen nga Vegasi e kupton dramën time – dramën e gjithkujt që po ikën nga magjia për në botën e zakonshme, racionale, ku bëhet paraja që harxhohet në Vegas. Shkëputja nga magjia dhe shafraja vazhdojnë gjatë e ngadalë. Vegasi nuk don të të vrasë, edhe kur i largohesh. Pas shkëputjes prej trillit njerëzor, të rezervohet trilli po aq madhështor i natyrës, The Grand Canyon, që shtrihet poshtë i pafund, përshëndetja e fundit e magjisë para se virania botë reale të të përpijë prapë me ritmin e vet vrastar. Jo rastësisht koha e ditës në Vegas të shtohet me dy orë tek ora që mban në dorë. Atje ku po shkon, të pret gjithë çka kujtoje se mund t’i shmangeshe: kalendarët me mbledhje, afatet e dorëzimit të projekteve, politika e korporatës, përqindjet e bonusit të sivjetshëm… E kap veten duke kënduar “Leaving Las Vegas”, së bashku me Sheryl Crow-n, në Central Park . Ngushëllim i vogël, me të cilin gënjen veten si çdo vdekatar i zakonshëm që kurrë s’e mbërriti një dorë Black Jack të shtunën mbrëma.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË