More
    KreuLetërsiBibliotekëLetra e Martin Camajt: Jam i vetmuem, kisha dëshirue të vij në...

    Letra e Martin Camajt: Jam i vetmuem, kisha dëshirue të vij në Amerikë

    Nga epistolari i Zef Nekajt

    Dom Anton Kodrari i beson gazetës “ExLibris” botimin e një pjese të epistolarit të prof. Zef Nekajt, epistolar i mbajtur me figurat më të rëndësishme të kombit jashtë atdheut gjatë viteve ’50 – ’90. Ai do të botohet në një rubrikë të dedikuar në gazetë dhe sot e hap siparin me letrën e Camajt në vitin 1960. Faktet e reja që sjellin këto letra janë përnjëmend interesante. Ata mund të ndahen në fakte biografike, politike dhe filologjike. Në rastin konkret, Camaj paska dashur, madje qenka përpjekur të shkojë në Amerikë (fakt biografik) si dhe, versioni i parë i poezisë “Dita e malit tem” paska pasur një mbyllje krejt ndryshe nga sa ka versioni përfundimtar, botuar në veprën e tij.
    Dom Antoni bën një shpjegim të problematikave të domosdoshëm për korresponcen në përgjithësi, në fillim të kësaj letre dhe në fund na prezanton me emrat e përmendur në letër.
    Për shumë arsye, botimi i kësaj rubrike nuk do të ketë një periodicitet, por sa herë të jetë e pranishme në faqet e “ExLibris”, do të shoqërohet me treguesin e emrave të përmendur në fund.
    Uroj shumë që nëpërmjet kësaj hapësire modeste, të bëhet ajo çka dom Antoni thotë, korrigjimi i disa faqeve të historisë së Shqipnisë.

    Andreas Dushi

    Letrat origjinale të auktoriteteve të diasporës që do të shohin për herë të parë dritën e botimit  në rubrikën që ExLibris u kushton, janë pjesë e epistolarit të prof. Zef Nekaj nga fisi Laci  i Domgjonit të Mirditës. [Veprimtaria e tij në të mirën e kombit t’onë âsht shumë e madhe dhe dogmatikisht e domosdoshme për me korrigjue ato faqe të historisë së Shqipnisë të shkrueme me shkrolat e ndryshkuna të sistemit komunist].

    Gjatë daktilografimit jamë orvatë me i ndejë besnik teksit integral dhe me e ruejtë të paprekun gegnishten, krahinizmat, shprehjet në gjuhë të huej, eufemizmat, batutat e ndryshme e kështu me rradhë, me bindjen që në këtë mënyrë mund të kuptohen mâ mirë ndryshimet që secili prej tyne ka pasë në planin e relacioneve ndërpersonale dhe të formimit permanent akademik përgjatë përshtegtimit të tynë në këtë jetë.

    Tue kenë se për shkak të mungesës fizike të disa letrave që kanë humbë gjatë ndeshtrashave historike âsht e pamujtun të plotësohet në mënyrë organike seria e  letërkëmbimit, e si rjedhojë kjo mungesë sjell vështirësi ‘në kuptim’ për lexuesin që s’parit ndeshët me gjininë e veçantë letrare të ‘letërkëmbimeve të diasporës’, atëherë, si normë metodologjike kam përvetësue: ilustrimin me nji koment të vorfën esplikativ të disa dimensioneve që në mënyrë subjektive i kam gjykue  si të pa asimilueshme lehtësisht nga sensi i përgjithshëm kritik.

    TEKSTI INTEGRAL I LETRES

    Romë, 14/10/1960

    Fort i dashuni Zef,

    Mora letrën tande dhe çekun. Të falnderoj ty me shokë fort e fort. Më bân përshtypje mâ tepër gjesti i juej pse shpesh herë po e ndiej vehten të vetmuem. Kam nji vjerrshë të vjetër që ndër këto dit e mora në dorë kinse me e përpunue. Quhet dita e malit tem; jam habitë dhe prej vehtes se si mbaronte:

    Në muzg, si në të tanë botën, prek ballin

    secili e ndien ndër gishta

    fillin e jetës së vet e trishtohet.

    E bash për ket fund s’e përkita aspak, por e shtina në rresht me vjerrshat e denja për botim.

    Kjo ndjenje vetmije ndoshta âsht e natyrshme për gjendjen tonë mergimtare, por tjerët kombe shof se nuk janë si na dhe dishka gjithmonë i bashkon. Mirë thue dhe për Zef Shllakun, por shka më duhet ndjesija personale e tija ndaj meje kur âsht krejtsisht dallash për sa i përket

    rrugës që duhet të ndjeku një njeri i ri shqiptar në kushtet që gjindet?  Por mbasi ka shkue atje kam përshtypjen se dhe ai nuk âsht i kënaqun me vetvehte: e njof mirë. Kam pasë besim të madh se kultura mund të hjeku shum paragjikime, por ndoshta duhet me pritë shum kohë. Ty po të tham faliminderës fort e fort dhe për kujdesin vllaznuer që pate kur erdha në Romë: s’ta harroj kurr! Tash po dal te pyetjet e prof. Gerës, tue të thanë mâ përpara se për shka më shkruejshe në lidhje me vehten tande, tash kemi me e kapë prap kët argument.

    Qe, pyetja e parë:

    1) A kam menden me mergue në USA?  Kam paraqitë lutjen dhe kam hy në kuotën e atyne që kanë lypë me shkue n’Amerikë në vjetin 1958. Të kam pasë lajmue se si garantuese kam pasë vu prof. Gerën e Lem Koliqin. Kisha me dëshirue shum të vij atje, por përpara due me qenë i sigurtë se do të merrem me zanatin tem.

    2) Si jam me anglisht? Anglishtën e kuptoj pak, por nuk e flas. Nuk më tremb kjo gjuhë aspak sidomos mbas gjuhës gjermanisht, mbasi dhe frengjishtën e zotnoj mirë. Për punën e konferencave në lidhje me degën albanologjike e kam kollaj pse dhe kisha me u pregatitë. Kam njoftë dhe tjerë në kongresin e djalektologjis që gjindeshin në kushtet e mija kur kanë shkue n’USA dhe ia kanë dalë.

    3) Çka do të studjoj në Gjermani e ç’farë titulli do të marr?

    Curriculum i studimeve të mija âsht ky:

    kam mbarue shkollën e mesme në kolegjën e jezuitve në Shkodër, jam diplomue n’Universitetin e Beogradit, gjashtë vjetë mbas diplomimit (si doktorant kam punue dy vjet me prof. Baric) jam doktorue në Romë. Në Gjermani kam me pregatitë nji vepër shkencore dhe do të botohet; kjo vepër ka me tregue vetë se kam ndjekë dhe shkollën gjermane: nuk dij se ç’farë titulli kanë me më dhanë mbas kësaj pune, mbasi un atje jam i thirrun dhe si

    mësimdhanës n’universitetin e Mynhenit. Dega eme âsht albanologjija me specjalizim lingvistikë – filologji; kam ndjekë kurse të rregullta universitare me provime dy e katër vjeçare nga sllavistika dhe filologjija romanxe. Në Gjermani kam me u marrë me djalektologjin shqipe e nga kjo degë ka për të qenë dhe puna (vepra) që do të pregatis. Nëqese mbas Gjermanis s’kam me pasë vistën do të ndalem në Milan, ku prej vjetës 1961 dhe grueja eme ka për të qenë lektore e sllavishtes n’Universitetin Katolik të Milanit. Kjo e din mirë anglishten dhe âsht e diplomueme në sllavistikë në uni., e Beogradit. Prandej dhe ajo kishte pasë mâ mundësi se unë të gjejë punë në ndonji univers., katolik në USA, sidomos mbasi të ketë shërbye n’atê të Milanit. Si puna eme në Gjermani si puna e Ninës në Milan s’kanë fillue ende, por janë të sigurta. Sidomos për Ninën ky asht nji sakrific i madh me u nda për ndonji muej pse tue mos pasë fëmij merzitet, por e kemi vendosë dhe do të bâhet kjo punë. Lajmi se Nina do të jetë lektore na erdh në këto dy dit, prandej s’kemi si ta refuzojmë.

    4) Më bân shum përshtypje e s’do t’ia harroj kurr prof. Gerës interesimin për mue dhe gatëshmenín të ndihmojë gjithsesi: do të mundohem në të gjitha mënyrët qe pa bâ shum përpjekje mos t’i trazoj miqt e dashamirët. Kjo gjâ më nep zemër dhe shof se nuk jam vetëm.

    Nga ana tjetër kam shpresë se do t’i kaloj këto vështirsí: kët punën e Gjermanis e mbaj si nji sukses personal pse nji gjâ të tillë e dëshirojnë njerz mâ të zotët se unë, por ndoshta tue më pa relativisht të ri, kanë dashtë të më ndihmojnë ata profesorat gjermanë.

    5) Po të dërgoj dhetë kopje të punimit tem (natyrisht me postë të zakonshme) dhe nepjani kuj t’iau marri mendja, ndoj profesori apo biblioteke: mbassi shkoj puna kështu, kushton posta pse kisha me e shpërnda krejt. Kësaj herë e mbylli kët letër tue u dërgue të gjithve të fala.

    Zef! njaqeta! dhe ke të fala nga prof. Koliqi, Petraçi.

    Shum të fala të ban dhe Nina.

    I yti Martini

    [n.l.] s’po më mbushet mendja me u shkrue, gjâ si më këshillojshe: a di si âsht puna? Asnji s’e kupton veprën dhe as vlerën nuk ia kuptojnë, prandej në kët rasë më duket taman lypë! Tash për tash e kam rregullue me shtypshkrojë me i pague ka 15 mij lit., në muej; tash për tash ta’po paguej nji muej jo e nji po dhe po e shtyej deri në vjetën e re e mandej e bân Zoti mirë!

    Njaqeta!

    KOMENTI KORRISPEKTIV

    Zef Shllaku – anëtar i Ballit Kombëtar. M. Camaj dhe Z. Shllaku edhe pse ishin miq të hershëm nuk bashkëndanin të njëjtat pikëpamje politike. Camaj ishte përkrahës i BKI.  

    Prof. Zef Gera – ishte lektor i gjuhës shqipe në departamentin e shqipes, në Army Defense Language Institute. Në këtë kohë drejtor i Albanian Department ishte prof. Mhill Marku, kurse mësuesit tjerë shqiptarë ishin: prof. Adalbert Fekeçi dhe prof. Gasper Kiçi, pak mbas tyne në këtë departament nisën punën edhe prof. Zef Nekaj dhe Zef Logoreci.

    Lem Koliqi – vëllau i Ernest dhe i dom Mikel Koliqit.

    Nina Bogdanoviç – bashkëshortja e Martin Camaj, me të cilën u njoh gjatë studimeve në fakultetin e Beogradit.

    Petraçi – Petro Vuçani, ishte anëtar i Blokut Kombëtar Indipendent. Bashkëpuntor i gazetës L’Albanie Libre, organ i BKI dhe i Shêjzave të Koliqit, njëkohësisht edhe kunati i këtij të mbramit.

    Don Anton Kodrari,

    famullitar i Montorsoli – Pratolino, në Firenze.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË