More
    KreuLetërsiShënime mbi libraShpendi Topollaj: Thjeshtësia dhe madhështia e figuracionit të ndjenjave në poezinë e...

    Shpendi Topollaj: Thjeshtësia dhe madhështia e figuracionit të ndjenjave në poezinë e Gjekë Marinajt

    Me një përmbledhje poetike me titull të goditur, “Paradigma e Parajsës”, botim i Sh.B. Faik Konica, vjen kësaj radhe fituesi i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtar, Gjekë Marinaj para lexuesve. Mirëfilli, fjala paradigmë ka kuptimin e të gjithë trajtave gramatikore që merr një pjesë e ligjeratës gjatë lakimit ose zgjedhimit, çka kujdeset ta sqarojë edhe vetë autori. Por në kapriçiot e këndshme të letërsisë në përgjithësi dhe të poezisë në veçanti, zgjedhja e saj si emër për Parajsën që krijon Dashuria me infinitshmërinë e asaj, për të cilën Johann Friedrich Schiller thosh se “… është e vetmja gjë në natyrë ku dhe fuqia e imagjinatës nuk gjen fund dhe nuk sheh kufi”, është më se e përligjur. Ashtu sikurse janë të përligjura edhe faqet ku shtrihen ato “Dy fjalë nga autori”, të cilat zakonisht shkruhen nga dikush tjetër, por që në rastin tonë edhe pse ngjajnë për dikë si shprehje dashurie e besnikërie ndaj gruas së tij të mirë Dusitës dhe për dikë tjetër si deklaratë pafajsie për sa shkruan kur u drejtohet bukurive anonime, por që në të vërtetë kemi të bëjmë me një esse, nga ato mbi të kuptuarit njerëzor të filozofit empirik të Oksfordit, Xhon Lok (John Locke). Ja si shprehet nga ana e tij ky autor: “Poezia për dashurinë ka në vetvete magji të mjaftueshme poetike që kur hyn në bashkëjetesë me mendësitë tona shpirtërore, na nxit të veprojmë drejt dhe të përpiqemi të gjejmë një gjuhë të përbashkët midis vetes dhe të tjerëve, midis vetë dashurisë dhe poezisë”. Poezitë këtu janë grupuar në pesë kapituj apo cikle, por që nuk ka asgjë që t`i ndajë nga njëri – tjetri. Tema është po ajo; e lumturisë së vërtetë që vjen kur dashuron, sipas Konfucit. Dhe askush nuk mund ta kundërshtojë faktin se aq e hyjnore është dashuria, sa edhe pse me përkufizimin apo shpjegimin e saj janë marrë mendjet më të ndritura, qysh nga kohë që s`mbahen mend, në mijra e mijra versione, përsëri kjo temë mbetet e paezauruar, e freskët dhe po njësoj e virgjër. Ndaj i japim të drejtë K.G. Paustovskit kur vërente që “Të mos flasim për dashurinë, se ende nuk e dimë se çfarë është ajo”. Dhe ndofta, pikërisht te kjo mosdije, pra te misteri që e mbulon atë, qëndron edhe bukuria e pazëvendësueshme e saj. Edhe poeti Gjekë Marinaj, patjetër e di fare mirë këtë sekret, por përsëri ai guxon dhe i hyn aventurës së zbulimit: duke gërmuar labirinte të reja, në artin e të pamundurës, do filtroj gjithë tingujt e mallit mbytur nëpër dete, për të qenë pranë saj, do jetë ndriçuesi në fokusin e çekiçit të Mikelanxhelos kur godet daltën, do hyj dhe do t`i shfletoj ëndrrat e tua, kur të harroni të llogarisni shumën e dashurisë time, do të bëhem simfonia që Moxarti për ty nuk e kompozoi, magjinë që ripërcakton esencën e bukurisë do pasuroj, do shtoj fjalën tonë klasipesë në fjalorin e fjalëve misterioze, do t`i ringjall shpresat e të vdekurve, madje edhe varrit të Shekspirit do ja ndryshoj emrin në Romeo e Xhuljetë. (Nga “Klasipesë”). Po kjo shejtan dashurie nuk do t`ja dijë për këto sakrifica. Çfarëdo të bësh e çfarëdo të jesh, do mbetesh rob i dashurisë, pa e ditur se ku qëndron forca e saj dhe pa mundur t`i shmangesh asaj. Dhe kjo sipas poetit, pasi “magjia femërore futi në unazë magjistarin”. Atëherë? “Dashuritë, (në mënyrë lasgushiane), i lëmë të dashurojnë”. Konti Leon Tolstoi kishte bindjen se çdo arsyetim rreth saj e shkatërron dashurinë. Pra, dashuria nuk pranon arsye, por edhe e gjeneron paprerë atë. Nga ana e saj, ajo, sikurse shkruan Paulo Coelho “…është e vetmja gjë që mpreh mendjen, zgjon imagjinatën krijuese, që na pastron dhe çliron”. Pra dashuria dhe arsyeja qenkan të pandara dhe ndikojnë reciprokisht fuqishëm te njëra – tjetra. Ndaj edhe poeti nuk zbrapset; pasi si mund të mbetesh indiferent kur sheh atë që “Venusi romak e Afërdita greke, / Ngjethen nga zilia / Këtë perëndeshë të re duke parë!” (“Ajo e bën horizontin të skuqet”). Njësoj si te Shekspiri që thosh: Po ecën qielli mbi dhe! Pastaj poetin e mundon pyetja pa përgjigje: “Pse ligjet e natyrës / Lejojnë mrekulli të tilla natyrore, / Që kanë kaq pushtet, / Në vrasjen dhe ngjalljen e ndjenjave njerëzore…” (Po aty). Dhe në këtë luftë ndjenjash, shpesh “zhurmat e mia të brendshme / po u shpallin luftë heshtjeve të tua të jashtme”. (“Realitet virtual”). Dhe kur heshtja shkon gjatë, ai zë e shkruan, si për t`u dhënë shfrim ndjenjave: “Poezitë e mia nën lëkurën tënde vajzërore / Japin e marrin metafora melankolike” (“Në inkubatorin e Grabutës”). Ai nuk mund të mos shkruaj, pasi “Sytë e tu / I bëjnë foljet e mia të flasin me vete;.. / Sforcojnë ëndrra surrealiste, / Kthehen në asonanca poetike / Brenda kllapave të himnit njerëzor (“Sytë e tu”). Për ata sy, figurat i gjen te hijeshia që merr dritë nga hëna, fytyra e vizatuar në rërë, zëri i ylbertë, buzëqeshja e ajrit, pilotimi qiejve të bukurisë, shkrirja si dy copa akulli, bërja dashuri në natyrë, natyrisht, te flokët e natës që ia fshimë gjoksit të mëngjesit, dallgët që fshehin thinjat, faqet si dy qiej të përflakur, fytyra, mirazh që ndjek i etur, gjoksi si dy kambana të arta të kthyera përmbys etj. Por tërheqja nga këta sy, dhe që ai i quan dy pranvera, është aq e madhe sa në përditshmërinë e tij, poeti nuk gjen diçka të plotë për të krahasuar, prandaj i drejtohet hapësirës, universit, diellit, planeteve, hënës, erës, vjeshtës, dimrit, pra gjithësisë. Ja sesi e paraqet këtë gjendje ai, teksa kujton përvjetorin e martesës apo 24 Orë dashurie e më tej: I gjithë universi bëhet kor pas meje, Mërkuri u shkëput nga vendi dhe u zhyt në det, Dielli vuri duart në bel e u lartësua plot ëndje, Që asohere, gjithësia rreth nesh digjet si një vullkan, Planetët në qafën tënde ngjajnë si rruaza, Buqeta yjesh të ndezur çelën në gjoksin e saj, Vështrimi i saj, hapësirën e bën të dremisë e kështu me radhë. Hermann Hesse ka shkruar diku se “Kush dashuron vërtetë, bëhet hero dhe poet për një buzëqeshje, për një fjalë, për një shenjë të njeriut që dashuron”. Dhe Gjekë Marinaj e konfirmon këtë, por me besimin se kjo u ngjet të gjithëve. Ja si thotë ai: “Kur kaloj pranë saj fshehurazi bëj kryq… / Helena dhe Çirçia janë të shkrira brenda saj… / Zotit, këtej e tutje, nuk i kërkoj parajsë tjetër” (Te “Do më falin të gjitha gjykatat e botës”). Ai edhe te “Realiteti virtual”, pra, kur ndodhet në avion duke fluturuar, atje e ka mendjen; “ndonëse gjendem kaq i shkëputut nga toka; / sa sateliti i ndjenjave të mia / s`përcjell dot sinjale të kthjellta te bota jote, / prapë e kam të pamundur me dashurinë. / Ndoshta aq të pamundur sa ç`e ka vetë dashuria me ty”. Nuk janë lojra fjalësh këto, por më shumë janë vetë lojrat hipnotike të dashurisë që flasin e këndojnë duke depërtuar drejt e në shpirtin e njeriut. Poeti në këto çaste ka dëshirë të mbyllë sytë për të parë matanë, dhe të dehet me bukurinë e saj. Ai përjeton edhe vetë ëndrrën. I gëzohet dhe e shijon ëmbëlsisht atë. Qëndresa prej burri e ka humbur kuptimin dhe është dorëzuar bri hijes së saj (Tek “E të duhemi aty”). Për të dashuruarin nuk ka fare rëndësi distanca. Për më tepër, ajo duke e pasur prushin brenda, “Sa më larg t`i largohesh, Aq më fort të djeg…” (“Përkundrazi”). Dhe në fund e kupton se edhe fjalët e zgjedhura nuk mjaftojnë për ta përshkruar bukurinë femërore. Ndofta duhet peneli dhe fantazia e Sandro Botticellit për vajzën që del nga deti (Lindja e Venusit), ku ai vendos fytyrën e të dashurës Simonetta Vespucci, por ai ka vdekur qysh në vitin 1510, ndaj poeti kërkon një gjuhë të panjohur; detishten, por për fat të keq, përkthyesit që pritet ta dinë, heshtin. Dhe nga kjo heshtje, nga e cila nuk zbrazet i gjithë shpirti, edhe vetë poezia “Ka rënë nga pesha / Duke vrapuar / Pas nocioneve erotike” (“Ka kohë”). Se, ah! Sikur t`i dinte ajo, ato që nuk janë thënë… Poeti, vërtetë është në kërkim të nocioneve erotike, por ruhet nga rënia në emfazë, pasi ajo do të bëhej e pabesueshme dhe jo e natyrshme. Prandaj i zgjedh fjalët, se e di që ato nuk i drejtohen vetëm vajzës që e ka magjepsur, por edhe lexuesit gjakftohtë e gjykues. Atij lexuesi që dua të besoj se do ta lexojë me ëndje krijimtarinë e tij poetike, do ta vlerësojë për mençurinë e mendimit, për sinqeritetin e ndjenjave dhe do t`i gëzohet faktit se kemi të bëjmë me një poet i cili pa frikë, jo vetëm e meriton cilësimin e Isaac D`Israelit si piktor i shpirtit, por edhe i bën nder letrave shqipe nëpër botë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË