More
    KreuLetërsiShënime mbi libraA. S. Byatt: Magu i veriut – Arti i Sigurjó Birgir Sigurôsson...

    A. S. Byatt: Magu i veriut – Arti i Sigurjó Birgir Sigurôsson (Sjón)

    Herë pas here një shkrimtar ma ndryshon gjithë hartën e letërsisë që unë mbaj në kokë. Më i fundit ka qenë islandezi Sjón, vepra e të cilit është tërësisht e ndryshme nga çdo letërsi tjetër që kisha lexuar dhe ndërkohë, mjaft emocionuese. Sjón u lind në vitin 1962 dhe përmbledhjen e tij të parë me poezi e botoi kur ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç. Ai është një ndër themeluesit e grupit neo-surrealist Medúsa. Ka botuar tetë romane dhe libra me poezi, drama dhe librete. Ndërkohë shkruan tekste për këngëtaren e famshme islandeze Björk dhe është nominuar për Çmimin Oscar për tekstet e tij në filmin e gjeniut Lars von Trier Dancer in the Dark.

    Unë islandezët i përfytyroj si eruditë, të veçantë, të rreptë dhe të panënshtruar. Sjón është të gjitha këto bashkë, por ai gjithashtu është kaq i gjallë, i ngazëllyer dhe surreal. Emri i tij i artit Sjón, është shkurtim i emrit të plotë Sigurjón Birgir Sigurðsson – Sjón, që do të thotë vështrim.

    Tri nga romanet e tij janë përkthyer në anglisht: Dhelpra blu, Nga goja e balenës dhe Muza pëshpëritëse. Ato janë vendosur në periudha shumë të ndryshme historike. Dhelpra blu (botohet së shpejti nga Aleph – sh.p) është vendosur në vitet 1880. Ai ka dy personazhe kryesore – Fridrik Fridjónsson, natyralist dhe Baldur Skuggason një prift i rreptë dhe gjahtar dhelprash. Ashtu si të gjitha veprat e Sjón-it, ky roman i shkurtër përmban dy botë njëherazi, të cilat në fund të fundit janë e njëjta botë – toka e fortë (e ashpër dhe islandeze, zjarr i furishëm nën malet e ngrira dhe të stuhishme) dhe bota që ndryshon formën e magjisë dhe rrëfimit (gjithashtu islandez). Është Fridjónsson ai që deklaron në Kopenhagen, “Unë e kam parë universin! Është i përbërë nga poezia!”

    Narrativa mesa duket mbahet në dy linja të veçanta, të cilat në fund bashkohen në mënyrë të përkryer. Baldur Skuggason niset për të gjuajtur dhelprën blu në mes të një stuhie. Ai është kaq kokëkrisur dhe kaq i neveritshëm, por në njëfarë mase ne thjesht e pranojmë ekzistencën e tij të sikletshme – kënaqësinë me të cilën ai gllabëron kokën e një merluci, shtresat e rrobave që vesh, qetësinë e tij kur e gjen veten të burgosur në dëborë. Ai e vret dhelprën dhe e merr me vete të futur në pallto. Dhelpra befas përmendet dhe të dy bien dakord të diskutojnë për energjinë elektrike në një shpellë – Skuggason beson se është e gabuar t’i kufizosh në tela impulset elektrike të krijuara nga Zoti.

    Ai e vret përsëri dhelprën, ndërsa ajo është e hutuar. Emri i tij pasqyron emrin e saj – një dhelpër blu në islandisht quhet Skugga-Baldur.

    Fridjónsson natyralisti është  zemërbutë dhe i qytetëruar. Ai ka shpëtuar një vajzë “mongoloide” që e quan veten Abba. Në këtë kohë, këta fëmijë u mbytën gjatë lindjes – kushdo që mbijetonte shitej  si skllav dhe dhunohej. Abba, nën kujdesin e Fridriksonit, bëhet natyraliste në llojin e vet, teksa mbledh florën dhe puplajën islandeze e teksa shpik hap pas hapi një gjuhë të vetën.

    Nga goja e balenës është vendosur në vitin 1635. Edhe ky libër ka të bëjë me shkencën, fenë, magjinë dhe mënyrën se si ato transformojnë njëri-tjetrin. Heroi i saj, Jónas Pálmason i dituri, ishte një njeri i vërtetë, veprat dhe fatin e ashpër të të cilit Sjón i ka studiuar thellë. Ai jetoi në një kohë kur magjia, feja dhe shkenca ishin të gjitha pjesë e njëra-tjetrës; shkroi një poemë autobiografike të quajtur “Zgalemi”, dorëshkrime mbi historinë natyrore, një koment mbi Edda-n, legjenda, balada heretike, gjenealogji dhe arriti të shohë dhe të skicojë balenat. Kisha jepet edhe njëherë tjetër mjaft e ashpër në këtë rrëfim—ngaqë është dënuar për blasfemi Jonas internohet në një ishull në brigjet e Islandës, ku jetesa është mezi e mundur, së bashku me gruan e tij, një grua tejet e zgjuar, e dhënë e gjitha pas hetimit të shkaqeve që shkaktojnë eklipset e diellit dhe hënës.

    Romani është i mbushur me vëzhgime plot vërtetësi për krijesat mitike, peshqit dhe balenat e vëzhguara saktësisht, algat e kuqe dhe gurët. Ai vëren se “kur një gjallesë është e klasifikuar saktë, ajo vetiu zbutet”. Megjithatë, kjo vërejtje bëhet  përgjatë një episodi kur ai dhe një poet tjetër po mundohen të lodhin një kufomë që shtyhet me këmbët e veta, duke i treguar asaj rrugën ndërsa i recitojnë vargje ekzorciste. Sjón është mjaft i zoti në përshkrimin që iu bën kufomave. Ai është po aq i mirë kur përshkruan ndjesitë që jep era e keqe, prishja e mishit ndërsa ndryshon ngjyrën.

    Jonasin e shpëton përkohësisht një i huaj me varkën e vet, i cili e çon në Danimarkë për të takuar natyralistin Ole Wurm. Ndërsa atje ai gjen rast ta shfryjë mitin sipas të cilit, tufat e narvalit janë brirët e njëbrirëshve – duke e dëmtuar kështu tregtinë islandeze të këtyre objekteve. Përpara se të niset, atij i vjen një vizion edenik i të gjithë zogjve të ajrit, peshqve të detit, kafshëve dhe bimëve – vizion ky i tërësisë, rendit dhe plotësisë, i cili përsëritet në veprën e Sjón-it krahas vizionit të anasjelltë, atij  të shkatërrimit dhe shpërbërjes. Shkruan Jonas:

    Zogj në ajër,

    gjitarë në mal,

    peshq në det,

    mbjellë në breg.

    Guri në tokë,

    njeri në mes,

    përbindësha e tingujve,

    të zbutur – jo më?

    * * *

    Poezitë e Sjón-it janë herë lirike, herë absurde, herë komike. Libri i tij sóngur steinasafnarans (“kënga e koleksionistit të gurëve”) u nominua për Çmimin Kombëtar Letrar Islandez në 2007. Disa nga poezitë e tij përbëhen nga lista këngësh. “Danse grotesque”, për shembull, i kushtohet Cindy Sherman dhe rendit nëntë vende ku nëntë gra “vdiqën pak çaste më parë” – në një pastrim pylli, në një shtëpi periferike, në një kanal, në një plazh, nën një urë, në një fushë të papunuar, në dyshemenë e dhomës së gjumit, në fund të një pellgu të butë me alga, në bodrumin më të ulët të një garazhi parkimi. Poema rendit rrobat e tyre – kadife, najlon, mëndafsh, lesh, thasë, pambuk, plastikë, “asgjë/ përveç qimeve të trupit” – dhe vazhdon me renditjen

    Dy milionë e tetëqind mijë këmbë nerva

    gjashtëqind mililitra biliare

    treqind e shtatëmbëdhjetë kilogramë yndyrë

    njëqind e njëzet gishta

    (nëse njëra përfshin gishtin e unazës që është shqyer nga e majta

    dora e gruas që u vra nën urë)….

    Ai gjithashtu përshkruan dekompozimin dhe kërcimin që vjen më pas.

    Ka poezi të ndryshme për gurët – kënga e një koleksionisti gurësh, një litografi e bërë nga Edvard Munch pas një vizite imagjinare tek Marie Kyri – “fotografia ka humbur – të ëndërruarit parashikon vdekjen e ëndërrimtarit”. Ekziston një “përpjekje mjaft prekëse për të ringjallur du’a Khalil Eswad” i cili u vra me gurë – “guri i madh” “zbarkon në trupin e një vajze shtatëmbëdhjetëvjeçare të dashuruar”. Ekziston një poezi e çmendur që rendit trembëdhjetë njerëz dhe krijesa që janë “goditur me nga një gur në kokë”:

    Unë po këmbej letra me anëtarë të shoqatës

    së mineraleogjisë në Londër – kur lexojnë raportet e mia për

    gurët islandezë ata mëdyshen se vështirë të  mbijetonin

    sikur dhe një ditë në reykjavik :

    iu përgjigja se jam kaq i përgjegjshëm me njërëzit e edukuar

    si ata të cilët duhet të ndihen mjaft të sigurt edhe këtu

    Ne jemi të mashtruar në kohën tonë nga një ngatërresë rreth fjalëve “modern” dhe “modernizëm”. Modernizmi tanimë nuk është aspak modern—na është thënë një histori rreth kësaj që thotë se, po ta kemi kuptuar Lawrence Sterne-in dhe James Joyce-in, atëherë të gjitha mënyrat e shkrimit të letërsisë bëhen të pamundura. Ne kemi njohur postmodernizmin dhe lojërat e tij, të cilat tanimë nuk janë moderne. Ne kemi nevojë për një fjalë për modernen, e cila nuk është e njëjtë me “bashkëkohore”, por diçka që ka të bëjë me natyrën e formave letrare. Mendoj se përdorimi i shumë historive të ndërthurura nga Sjón, të vjetra dhe të reja, është një fenomen i ri modern. Në një intervistë dhënë për revistën The Coffin Factory, ai deklaroi se “jam pothuajse imun ndaj romanit realist. E kam të vështirë të lexoj një roman realist dhe sigurisht, jam gjithmonë shumë i lumtur kur zbuloj diku në romanin realist se romancieri i është dorëzuar një lloj elementi folklorik.”

    Ai citon Borges-in, i cili thotë se “e ndjeu [se] fiksioni realist ishte një tradhti ndaj letërsisë në thelb të saj, sepse abuzohet ngado me tregimin dhe vetë letërsinë në përgjithësi, duke mos përdorur elementet e sublimes, fantastikes, mitikes apo folklorikes. Sepse kjo është ajo që ne po mbajmë gjallë.” Ai beson se njerëzit janë në thelb tregimtarë dhe se historitë i bëjnë njerëzit njerëzorë, më tepër sesa shkrimtarët që bëjnë tregimet.

    Sjón na thotë se romani “Mjeshtri dhe Margarita” i Mihail Bulgakovit është “libri i tij i parapëlqyer i të gjitha kohërave”, sepse tregon njëkohësisht shumë histori dhe shumë lloje historish, edhe sepse merret me ide të përhershme, si natyra e së keqes dhe natyra e historisë.

    Bulgakov dhe Borges janë të dy shpikës elegantë të tregimeve që e bëjnë të vjetrën të re. Unë e lidh Sjónin me një grup shkrimtarësh – kryesisht europiano-jugorë – të cilët gjithashtu tregojnë dhe ritregojnë rrëfime të vjetra. Roberto Calasso, Italo Calvino dhe Claudio Magris riformësojnë historinë dhe historinë e mendimit me përralla të ndërthurura. Mendoj se vetëm Sjón mund të kishte filluar të ritregonte epikat e vargjeve të William Morris-it, viktoriane dhe plot lulëzim, gjë që do ta kishte kënaqur Morrisin me pasionet e tij për Islandën dhe për të ritreguar përralla të vjetra. Është interesante që vështrimi prapa në kohë i Sjón-it shkon kryesisht drejt klasikëve grekë dhe romakë, më tepër ndaj tragjedive greke dhe metamorfozave të Ovidit, edhe ndaj tregimeve dhe formave të krishtera, sesa drejt miteve të Eddas, Voluspas dhe atyre nordike.

    Nga goja e balenës hapet me versionin e vet të Prologut në Parajsë të Goethes tek Fausti. Luçiferi kthehet në shtëpi nga gjuetia dhe gjen Qiellin e Shtatë në një gjendje tmerri dhe rrëmuje. Engjëjt janë të tronditur:

    Më të ndjeshmit u rrëzuan pas shtyllave dhe stolave, duke vjellë në mënyrë spazmatike, ektoplazma që buronte nga goja e tyre derdhej pa kontroll mbi dyshemetë e kaltra të Parajsës. Në themel të këtij spektakli të tmerrshëm qe tingulli i pëshpëritjes që formohej kur dëshpërimi i tejdukshëm depërtonte nëpër puplajat e fluturimit, duke bërë që shtëllungat e buta të dridheshin dhe ajri të luante mbi to me një fishkëllimë drithëruese, si një fije bari që e fryn fëmija….

    Fatkeqësia që ka ndodhur është krijimi i Njeriut dhe bashkë me të “erë e keqe e gjakut dhe urinës, djersës dhe spermës, mukusit dhe yndyrës”. Luciferi refuzon të përkulet para krijesës së dobët në dorën e Krijuesit, i cili po përpiqet të thotë fjalën e tij të parë, “Unë”. E kam cituar këtë sepse është një shembull i mënyrës se si Sjón përdor një motiv të vjetër dhe e imagjinon atë përsëri. Në fund të romanit, ai përshkruan Jonasin Të Urtin duke u futur brenda “një balenë veriore; një leviat’hani të keq që rritet në thellësira deri në tetëdhjetë ose nëntëdhjetë ele, njëlloj të gjatë edhe të gjerë, dhe ushqimi i tij sipas të gjitha gjasave është terri ​​dhe shiu, megjithëse disa thonë se ushqehet edhe nga dritat veriore.” Përsëri imazhi është shumë i vjetër dhe specifika e Sjón-it e bën atë njëherësh krejtësisht të ri, nxehtësinë, dinamikën, teksturën e brendësisë së krijesës.

    Ndoshta është kjo specifikë e palëkundur, kjo saktësi e shpikjes, që e bën mjeshtërinë e Sjón-it kaq të pazakontë. Ai përshkruan një masakër të balenave baskë nga një turmë islandezësh. Përshkrimi i masakrës është i tmerrshëm – dhe Sjón ka thënë se ka lënë jashtë edhe disa detaje nga përshkrimi origjinal historik – por më befasues dhe i tmerrshëm, është meditimi i Jonas mbi mënyrën se si mjete të jetës sonë të përditshme shndërrohen papritur në armë:

    Cili peshkatar do ta kish bluar në mendjen e vet idenë se do ishte diçka e shkëlqyer të ngulje grepa të mëdhenj e të vegjël në mishin e një njeriu? Cili farkëtar i ngriti i pari pincat e skuqura nga zjarri dhe u nxit nga shtysa e fortë për t’ia shtypur te gjoksi motrës? Si quhej zbutësi i kuajve që pati idenë e shkëlqyer të fshikullonte kamzhikun mbi kurrizin e djalit endacak, ose t’ua jepte hua kafshët e tij të pazbutura autoriteteve, për të shqyer gjymtyrët e njerëzve të gjallë? Cili historian i natyrës sheh te uji dhe zjarri mjetet me të cilat mund të mbysë apo djegë dikë, apo te era dhe bimët mjetet për t’ia marrë jetën me etje apo helm? Kush qe ai që mendoi i pari t’i përdorte gjithë këto objekte të dobishme torture gjer në vdekje, mbi njerëzit e tjerë si ai? Dhe përse këto kthehen kaq lehtë në instrumente vdekjeprurëse në duart e njeriut?

    Një herë e dëgjova Sjón-in që po fliste për disa mendime të vetat mbi fatin e Caenis/Caeneus tek romani tjetër i tij The Whispering Muse. Ai ndodhej në Athinë teksa po vizitonte tempullin e braktisur të Poseidonit, ku askush nuk e adhuronte më. Më pas, tregon ai, eci në majë të shkëmbit me pamje nga deti dhe befas përfytyroi detin teksa po derdhej drejt tokës dhe pa se si do të dukej e gjitha po të pushtohej nga ajo forcë dhe fuqi e gjithpushtetshme, nga shkuma, nga uji i errët, nga pafundësia. Sjón vuri në dukje se njerëzit nuk e imagjinonin me të vërtetë se çfarë nënkuptonte përdhunimi nga Poseidoni, dhe më pas, me paturpësinë e tij të zakonshme, bëri një përshkrim që të sigurohej mirë që ne e kuptuam.

    E megjithatë, në mënyrë paradoksale, ai krijon një botë në të cilën asgjë nuk qëndron e njëjtë, gjithçka është në fluks, gjërat ndryshojnë formën dhe ndryshojnë marrëdhëniet e tyre me njëra-tjetrën.

    Në fund të librit Nga goja e balenës, Jonas mediton gjatë mbi imazhet groteske në dorëshkrimet e vjetra dhe se si këto kombinohen në forma të reja – “një centaur këtu, një plakë me këmbë zogu atje, një qen me tre koka”. Kjo e çon atë në natyrën e vetë perceptimit:

    Nëse dikush shikon një lumë llave, re avulli ose përrenj të mëdhenj, ose një fushë që valëvitet nga era, syri dhe mendja nuk do të pushojnë derisa të kenë gjurmuar imazhe të njohura nëpër atë rrjedhë….

    Groteskët janë njësoj si ato imazhe kalimtare që unë vetë i kam perceptuar shpesh tek tymrat, likenet ose retë….

    Oh, ato pamje!… Oh, ata mijëra përbindësha dhe absurditete të ndërthurura që më dhanë gjallëri ndërsa pengohesha rrugës nëpër ato vëllime të trasha në muzeun Wormianum… Njeriu s’e kuptonte kurrë se ku niste një krijesë dhe ku mbaronte tjetra… Këmbët e pasme të një dhie, po ta shihje më me kujdes, shndërroheshin në fillimin e një kërcelli luleje… Ama nga kërcelli nuk çelnin petale, por pupla lejleku, në majë të të cilave ulej një tufë me krahë fluturash… Madje, nuk ishte e sigurt as se trupi i dhisë qe i përbërë prej mishi, mineralesh apo vegjetalesh… Dhe nëse njeriu ishte aq i sigurt se gjysma poshtë e trupit të tij qe prej mermeri, ishte po aq i sigurt se gjaku rridhte nëpër venat e tij të ngurta dhe a ishte gjaku i kuq dhe i ngrohtë, apo i gjelbër dhe i ftohtë? Gjithçka rritet nga diçka tjetër, sikur natyra të kishte gjithmonë pishmane dhe brerje ndërgjegjeje. . .

    Kjo është mënyra e vetë Sjón-it për të vazhduar, gjërat konkrete gjithmonë ndryshojnë formën, metaforat bëhen krijesa dhe objekte. Në romanin Nga goja e balenës, Jonas kundërshton mjeshtrin e madh Snorri Sturlusson, i cili përshkrun qëndrueshmërinë rigoroze në imazhet që përdor:

    Një metaforë mendohet të jetë e konceptuar mirë nëse nocioni që është adoptuar ruhet përgjatë gjithë vargut. Por nëse një shpatë quhet gjarpër, e më vonë peshk apo shkop, . . . njerëzit e quajnë atë monstruoze dhe e quajnë atë si prishje të vargut.

    Receta e Snorrit çon në një lloj madhështie solide. Por Jonas dhe Sjón dëshirojnë krejt të kundërtën:

    Gjepura, them unë, le të kthehet shpata në një nepërkë dhe nepërka në salmon, dhe salmoni në thupër mështekne, dhe thupra e mështeknës në shpatë, dhe shpata në një gjuhë… Le të vrapojnë bashkë kaq shpejt sa të mos ndalen më… Shenjat e muzgut që avitet e kanë përmbysur botën nga themelet e saj… Gjithçka po del nga binarët… Qiejt përdoren për të ecur mbi ta…

    Islanda është tokë e kontrasteve të ashpra, zjarrit dhe akullit. Është një vend ku njerëzit e vërtetë besojnë në mënyrë të vërtetë se bota jonë e dukshme është e ndërthurur me magji – një tokë në të cilin dihen mirë vendet ku jetojnë dhe punojnë kukudhët. Kam parë gurë të shënuar ku dihet se janë dyert për në botën tjetër. Shumëllojshmëria e madhe e figurave të Sjón-it, në të njëjtën kohë shumë të forta dhe që ndryshojnë formën dhe më pas zhduken, janë islandeze dhe përtej asaj që cilësohet si europiane. Ai tanimë ma ka ndryshuar mënyrën se si unë i shoh gjërat.

    Përktheu: G. Ç

    ________________

    *) A.S. Byatt është sot një prej shkrimtarëve dhe kritikëve më të rëndësishëm në Britaninë e Madhe. Këtë ese ajo e botoi së pari tek The New York Review of Books; këtu botohet me disa shkurtime.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË