More
    KreuLetërsiShënime mbi libraYmer Çiraku: Ziaudin Kodra për letërsinë arbëreshe

    Ymer Çiraku: Ziaudin Kodra për letërsinë arbëreshe

    Ziaudin Kodra (1909-1965) është nga studiuesit e njohur të letërsisë arbëreshe në Shqipëri. Sidomos për një farë kohe, pikërisht në vitet e para të pas luftës, ai do të jetë më aktivi në studimin dhe përcjelljen e vlerave të saj. Duhet kujtuar se kësaj kohe, ishte krijuar një boshllëk i ndjeshëm në këtë fushë të studimeve. Namik Ressuli, Karl Gurakuqi, Rosolin Petrotta e bashkë me ta Ernest Koliqi, me kontribute të shquara në studimin e letërsisë arbëreshe, për rrethana të njohura politike, ishin larguar përfundimisht nga Shqipëria dhe studimet e tyre mbi letërsinë dhe botën arbëreshe në përgjithësi, ata i vijuan suksesshëm në aulat universitare dhe mjediset arbëreshe në Itali. Kuptohet, duke lënë një boshllëk të ndjeshëm në Shqipëri, aq më tepër se këtu, do të ishte i ndaluar dhe i anatemuar qarkullimi i kontributit të tyre.

    Kurse At Justin Rrota, ai që do të sillte për herë të parë në atdhe kopjet fotografike të origjinalit të veprës “Meshari” të Buzukut (1929), me studimet e tij të njohura edhe për autorët e hershëm arbëreshë si L. Matrënga, J. Variboba, vijonte të ishte në Shqipëri. Porse duhet kujtuar se tashmë, në vitet e një moshe të thyer, ai ishte tërhequr në Kuvendin e Fretënve Françeskanë, duke u marrë kryesisht me hulumtimin e çështjeve gjuhësore, deri kur ndërron jetë më 1964.

    Pra, Z. Kodra, mund të thuhet se për një kohë, do të mbetej pothuaj ndër të vetmit, që u muar me studimin e kësaj letërsie, duke qënë autor i kapitujve të zgjeruar për letërsinë arbëreshe te vepra e njohur “Historia e letërsisë shqipe” (1959, I,II), si dhe i disa shkrimeve për De Radën, Santorin, Gavril Darën (i Riu) etj., të botuara këto në shtypin e kohës. Ndërkohë, duket se dora dorës, po vinte një radhë studiuesish të tjerë, që do ta rroknin në prerje të ndryshme historiografike studimin e kësaj letërsie si: Dh. S. Shuteriqi, J. Kastrati, K. Kodra, A. N. Berisha, Sh Sinani, A. Xhiku, N. Jorgaqi, E. Kabashi etj. 

    I ardhur nga zona e Dibrës së Madhe, si kishte mbaruar studimet në liceun e Korçës, Z. Kodra u diplomua për letërsi e filozofi në Firence. Në vitet 1939-1944, për qëndrimin e tij antifashist, qëndroi si i internuar në Itali. Nuk na rezulton ndonjë e dhënë e shtjelluar biografike, por krahas njohjes së gjuhës e letërsisë italiane, në mjaft vitet e qëndrimit të tij në Itali, atje me siguri që do të ketë patur edhe kontakte me mjediset arbëreshe, prej nga i lindi edhe ai interesim dhe pasion i ngulët për ta njohur e studiuar atë.

    Këto studime të autorit, vështruar nga sot, pas jo pak dekada vitesh, duhet kuptuar se ato mbartin vlera brenda kohës dhe kontekstit, kur ato u shkruan e u botuan, si dhe brenda metodës së zgjedhur dhe ndjekur prej tij. Pasi dihet se për letërsinë arbëreshe, nuk kanë rreshtur deri më sot studime rë shumta nga një varg autorësh arbëreshë dhe shqiptarë, me këndvështrime gjithnjë e më të thella dhe me pikëvështrime të larmishme metodolgjike. Kjo larmi studimore, doemos që lidhet me vet vlerat e shumëfishta, që vazhdon të sugjerojë kjo letërsi tejet sugjestionuese dhe me vlera pasuruese estetike e kulturologjike për letërsinë shqipe.

    Në studimet e tij, krahas vlerave të tjera, ky studiues çmon rolin e rëndësishëm të folklorit në ngjizjen e letërsisë arbëreshe. Kjo krijimtari popullore, do të rezultonte të ishte shtrati i sigurt për të ruajtur në shekuj identitetin e këtij komuniteti. Dhe letërsia e krijuar në këto mjedise, gjeti te kjo krijimtari popullore jo vetëm një thesar të pasur identitar, por edhe tematik dhe estetik. Prandaj nuk është e rastësishme, që pothuaj tërë shkrimtarët arbëreshë, ishin edhe mbledhës të zellshëm të folklorit. Përmes tij, ata dëshmonin tërheqjen konstante ndaj vlerave identitare, si dhe gjenin rastin të projektonin manifestin letrar të artit të tyre.

    Në vlerësim të këtij roli të folklorit në letërsinë arbëreshe, në vitin 1957, Z. Kodra botoi përmbledhjen “Poezija popullore arbëreshe”, me rreth 200 faqe. Siç shkruan autori në hyrje, ato krijime janë mbledhur dhe përshtatur e vënë në gjuhën e sotme shqipe prej tij. Vështruar sidomos prej kohëve të sotme, besoj se do të “kërciste” kjo rrugë e ndjekur për “përshtatje” në shqipen e sotme. Por duhet vënë re se autori, në fakt nuk ndërhyn në strukturën e teksteve, veçse kryesisht sa vendos fjalën gjegjëse të shqipes së sotme – ndaj atyre fjalëve që kanë kuptim tejet të ngushtë në variantin arbërisht. Pra, në tekste ka ndërhyrje nga aspekti kryesisht leksikor. Dhe për më tepër, i vendos përballë të dy variantet e teksteve, duke krijuar kështu mundësinë, që ato krijime të shijohen të pandara për lexuesin dhe njëkohësisht,  pse jo, për të krijuar mundësinë e njohjes, ambientimit  dhe pastaj edhe të aktivizimit dora dorës të leksikut arbëresh – në një rreth të interesuar folësish të shqipes. Autori nuk shënon se në cilat katunde arbëreshe janë mbledhur këto krijime, apo prej cilave dorëshkrime dhe botime, janë vjelur ato prej tij. Sigurisht, që do të ishte vlerë e shtuar për studiuesit e tjerë, përcjellja e këtij informacioni identifikues.

    Duhet kujtuar se ndër arbëreshët, është një traditë e hershme ajo e mbledhjes, botimit dhe studimit të folklorit të atyre anëve, duke nisur qysh nga shek 17-të me autorë si N. Filja e më pas me Xh. Avati, V. Dorsa. Dh. Kamarda, J. De Rada, A. Santori, Z. Skiroi, G. Dara, Ll. Perrone dhe mjaft të tjerë, duke e vazhduar këtë traditë, deri në ditët e sotme.

     Për të shijuar bukurinë e këtyre krijimeve popullore arbëreshe, po shënoj më poshtë në variante të shkurtuara 3 prej poezive lirike. E para, është ajo e titulluar “Mëkati i dashurisë”. Nga një anë është vajza që dëshiron të takojë djalin (trimin) e zemrës dhe nga ana tjetër nëna, që e pengon të bijën prej merakut që ka. Djali i thotë të dashurës që t`i bëjnë asaj “kurthin”, sikur ai del për gjah dhe vajza për ca shkarpa, e ata të mund që të takohen fare “rastësisht”, diku larg katundit.

    …vasha më të dalur drita,

    Muar litarin dhe sëpatën

    Dolli atje lart përroit,

    Mënjëherë bashkë me trimin.

    Atje brodhën shum`a pak,

    Brodhën gjithë ditën e lume,

    Pastaj aty afër mbrëmjes

    Vasha u ngrit e mori malin

    E më bëri ca karthija,

    Trimi mori fushave,

    E më vrau gjah të pasur,

    Kur u kthye në shpi në mbrëmje,

    Vashën e qortoi e jëma:

    -Bijë ç`qe vonesa jote? –

    -Më zuri ferri këmbëzin –

    -Djegtë zjarri atë ferr –

    -Djegtë tij, mëma ime,

    Si deshe ti pjakun tënd,

    Unë dua trimin e ri.

    Poezia e dytë popullore titullohet “Lëngimi i dashurisë”. Një i ri i molisur nga dashuria për vajzën, hiqte shpirt, duke u dergjur në shtrat. E ëma e tij, vendos atëhere që të niset tek shtëpia e së bukurës, për t`i dhënë lajmin për ç`hiqte biri i saj për të. Dhe vajza, gjithë helm e lë qëndisjen dhe me shportë në dorë, zbret në kopësht dhe e mbush atë me degë ulliri, ullinj të zinj, ftonj të bardhë e mollë të ëmbla, vesh këmishën e hollë të linjtë, brezin e argjendë, fundin e artë, këpucët e “mundashta” dhe, e mbështjellë nga poeti anonim me këtë dekor të harlisur “frutash” sensuale, niset drejt e në atë shtëpi:

    …në shtëpi të të dashurit,

    Gjeti priftëra e jatronj,

    Priftëra që e psalnin,

    Gra të mbledhura për vajtim

    -O ju priftëra, bujarë,

    Rreshti e ljemni të shkonj,

    Të shoh të sëmurmin,

    Çë ju duket se vdes –

    Trimit si i ra ndër veshë

    Ai zë si një muzikë,

    Ndër veshë e ndër zemrët,

    Mbi ata hapi sizit

    E më shikoi vashëzën

    Vasha sipër ju livar,

    Butë e daljë m`i folji trimit:

    -Trim se çë më do ka vasha,

    Njota vasha më të sjell,

    Trim, hidhu e ngreu.

    Trimi tha: – Vashëz, u dua

    Se këtu të rrish me mua,

    U të ljutinj vashë parraisi

    Të më flaç e të më shikosh,

    Borë çë ftohën e shëron.

    Pra, teksti mbyllet me një metaforë të formatit referencial mbi dashurinë. Ajo është ndërtuar kuptimisht në model kundërthënës: “Borë çë ftohën e shëron”.  Pra, ajo, dashuria, ndodh të jetë e bashkëshoqëruar njëherazi me efektet e haresë dhe vuajtjes, të dritës dhe territ, të lindjes dhe shkatërrimit, të kthjellësisë dhe marrëzisë, të rënies dhe triumfit. Duke ia mbërritur përmes kësaj rruge golgote, në ekuilibrin dhe paqen këndellëse mes të dashuruarve.

    Në krijimin e tretë  “Kënka e pjakut”, përcillet motivi i etjes së njeriut për ta ruajtur fort zjarrin e dashurisë edhe para sfidave të moshës. Është dilema tronditëse, e cila vjen qysh nga “Epi i Gilgameshit” dhe nga tërë mitologjitë e qytetërimeve të lashta, për mos nginjien e njeriut me jetë e me dashuri. “Robi plaket kur do vet…”, kujton një këngë e njohur popullore, e dëgjuar aq shpesh edhe sot, që në fakt, më shumë se mosdorëzimin e njeriut para destinit biologjik, dëshmon në fakt, sado drojshëm, praninë e të kundërtës.  Një temë e trajtuar aq mjeshtërisht kjo, edhe nga Kuteli, tek novela “E madhe është gjëma e mëkatit”. Këtij motivi i është avitur edhe Poeti i liqerit, Lasgushi, tek novela e tij provokuese mbi një dashuri aq të dëshiruar, të kërkuar e të realizuar ndritshëm e rrezikshëm njëherazi, ndaj limiteve njerëzore.

    Në krijimin arbëresh , si në një aventurë baladeske kalorsiake, përshkruhet nisja e nëntë të rinjve që të gjenin nëntë vasha të bukura arbëreshe. Udhës i takon plaku (pjaku) dhe mes çudisë e shpotisë së të rinjve, dëshiron edhe ai që të shkojë me ta në kërkim të pasionit. Si ecën gjatë, ata mbërritën në qytet, ku morën vashat e zgjedhura. Sipas tekstit të këngës, “më e bardha e më e njoma, ajo plakut i takoi”. U nisën të dy për udhë e diku, qëndruan të pushojnë. Plakun e lodhur, e zuri gjumi dhe:

    Vajza q`ish shum` e zgjuar

    Nxuari skjep e kreut saj

    E i mbullti sizit;

    Zgjidhi brezin nka mesi

    E m`i ljidhi duarzit,

    Duarzit e këmbëzit

    Kur m`u zgjua pjaku,

    Vasha kish kaptuar malj

    Atë majl e jatërin…

    Pra, vasha e bukur dhe e mënçur, iku e kaptoi malin për te fati i saj. Dhe kur e pa veten ashtu plaku, aq i madh ishte dëshpërimi i tij, sa shkuli nga marrazi i braktisjes mjekrën e tij të bardhë dhe na u zbardhua tërë dheu (“zbardhulloi dhethi”). Dhe nga lotët që derdhi, erdh` e u shtua përroi, që rridhte aty pranë tij. Rapsodi apo bardi anonim, këtu ka ndërtuar një strukturë dramatike rrëfimore, të ndërthurrur me tone gazmore, qortimi dhe zhgënjmi, si dhe me figura stilistike të befta dhe sugjestionuese.

    Prej letërsisë arbëreshe, një studiues i zellshëm si Z. Kodra, ka arritur të sjellë e dëshmojë kumtet shpirtërore të një komuniteti të larguar prej shekujsh nga toka e të parëve, por që e mbajtën përherë gjallë kujtimin e saj. Siç e ka theksuar Eqrem Çabej, në këtë letërsi, krahas ndikimeve prej lëvizjeve letrare vendase, atje ku u vendosën arbëreshët, është fort e dukshme dhe e pranishme vatra shqiptare, jeta e përditshme nëpër fusha e ara, nëpër bregore e vreshta, me skenat idilike ndaj kroit. Duke e marrë me vete këtë vatër, edhe kur vanë e jetuan nëpër qytetet e mëdha të Italisë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË