More
    KreuLetërsiShënime mbi libraPreç Zogaj në vibrimet e Melankolisë

    Preç Zogaj në vibrimet e Melankolisë

    Nga Mimoza Ahmeti

    “Ushtrimet e melankolisë”, vëllimi me poezi që i erdhi lexuesit në dorë, me autor Preç Zogajn, ushtron të shpërbëjë në shumësi atë që në vite individualiteti poetik i një poeti rreket të unifikojë dhe të kultivojë në njësi, egon dhe signifikimin e saj në mjedisin shoqëror.
    Duke transformuar gjuhën kolektive nëpërmjet propozicionit artistik, kusht ky për një mënyrë të re mendore të të gjithë grupit nga ku përcillet, kjo poezi kryen një “via de retour”, një rishkrim të objektit – që është vetvetja e spostuar nga “tjetri”.
    Të prekurit e përkohshmërisë së signifikancës, të zhvillimit të botës anonime kundrejt asaj që është unë i shënuar, kjo sfidë lumturuese dhe po aq e hidhur, i dhuron poezisë një dimension të ri dhe një ngjyresë, të cilën nuk e kemi hasur më parë në krijimtarinë zogiane.
    Transformime kuptimore, të përjetuara esencialisht prej autorit e që, në fakt, janë tërësisht formale, si në jetën e çdokujt, krijojnë atë melankoli shoqëruese që mbetet tis i vazhdueshëm në të gjithë veprën. Bashkë me ndryshimin e botës që, në fakt, nuk është objekti parësor i këtij hulumtimi poetik, ka ndodhur edhe spostimi i unit, harrimi i tij, neglizhimi, nën forcën a papërballueshme integrative të së gjithës brenda së gjithës, që mund të quhet ndryshe: procesi. Përthyerja e egos nga procesi, humbja e kufijve të dallueshëm të saj dhe e distancës së saj prej botës, asimetria e botës së jetuar kundrejt principit drejtues; koncepti që deformohet, edhe pse markohet nga fjala e njëjtë, e shndërron poezinë, këtë terminus infinit, në një procesor që nuk përçon tani nga brenda jashtë, si dikur, por në të kundërt: drejt vetes e në të gjitha drejtimet, dhe përsëri kundër vetes.
    Zbulimi empirik, i historizmit të egos, shkakton pikërisht gjendjen e një elegjie melankolike, brenda së cilës bëhen ushtrime të pamundura psiko-letrare, për të dalë përtej, nëpërmjet figurash e simbolesh, duke pranuar dramatizmin e unit të mbetur diku, përtej, ndoshta edhe përpara të tjerësh, por jo më në qendër.
    Është pikërisht humbja e centrizmit që ka shkaktuar kaq shumë përsiatje në poezi, saqë dhimbja buron kënaqësish ndërgjegjësimi. Egoja e suksesimit të dikurshëm, e zëvendësuar me atë të pakënaqësisë dhe harrimësisë së tjerësh tashmë, e kthen poezinë në një metaforë sublimimi, por dilema e nevojshmërisë së një sakrifikimi të tillë e bren vetveten, sepse gjithçka ka ndryshuar… Madje edhe vazhdimi i iluzionit të dashurisë nuk mbahet më në botën mashkull, poeti ëndërron ta dojë të dashurën sikurse ajo e do atë:

    Sa do të doja, e shtrenjta ime, ah sa dua
    me të dashtë ty, ashtu pa mend,
    si ti mua!
    Me pa fytyrën tënde duke ardhur


    nga rrezja e prillit,
    i bindur plotësisht në vërtetësinë
    e kësaj shajnie të shikimit.

    E kam provuar dikur kur dashuria
    e pat shpërbërë kohën time në dritë.
    Që atëherë e kam një ide si mund të flasim,
    si perëndi me perënditë.

    Je e lumtur, e shoh, gëzohem dhe vuaj,
    më ke bërë zotin tënd pa asnjë të metë.
    Me pyet Pader Zefi: Çfarë të dhemb, i bekuar?
    Më vjen t’i përgjigjem: kjo jetë…

    ushtrimet-e-melankolise

    Përtej lëngimit, herë-herë shfaqet një shfokusim gjuhësor nëpër vargje, një bluritet që vihet re te shumica e poetëve bashkëkohorë sot; mund të themi se turbullira shpërblehet nga pafundësia e kuptimeve, e ambiguitetit të mbresës, e, si me thënë, ky shkatërrim psiko-linguistik e ndjek më me valencë dhe autenticitet kuptimin e pashprehshëm dhe është për t´u studiuar një fenomen i tillë, se përse sa më e amullt mbetet pika e departure-s (e shkëputjes prej) të një strukture asociimi, aq më përgjithësuese e më e plotë bëhet lënda poetike dhe aq më në simetri me fenomenin kuptimor qëndron ajo.
    Pasqyrat e padukshme ku shihet autori japin pamje të dukshme, të cilat vetëm në këtë mënyrë bëhen të sinqerta e reale. Një nga tjetër vlerat e këtij vëllimi poetik do të mbetet përgjimi dhe identifikimi i limiteve të botës interiore, lokale, dhe jo pa melankoli procedohet edhe ky gjurmim. Dimensioni dramatik shpërfaqet e bukurohet nga dorëzimi pa kusht ndaj fatalitetit episodik të jetës, që me sa duket është një burrëni më vete për ta pranuar normshëm si kulturë. Procesi i anonimitetit i dyfishtë, dalja nga loja shënuese, sepse vetëm kështu mund të rifutesh në të, dhe zbrazëtia e krijuar prej daljes, që është edhe kjo për t’u gjetur se me çfarë tjetër është mbushur, por lihet enkas e pagjetur…
    Elemente të identitetit: kombësia, krahinizmi, rrjedha e origjina si dhe amza e tyre japin atmosferën shpesh midis vargjeve, sikur janë ato që kanë prevaluar karakterin piktoresk të lëndës dhe kanë trajtuar trajtën kundrejt të pakufishmes si univers në univers. Objekti narraton e transpiron në të gjitha kahet e organizmit krijues, jo vetëm mendja, por fryma, mëria, mërzia, përbetimi, tejkalimi, era; të gjitha, nga të gjitha kahet e mushkërimit krijues, nuk duan të tërhiqen, nëpërmjet tërheqjes, nuk duan të dorëzohen, nëpërmjet dorëzimit.
    Preç Zogaj mbetet po aq tërheqës e lirik për lexuesin, si dhe në shfaqen e tij të parë në vitet tetëdhjetë, kur ishte një shpresë për të menduarit e lirë të poezisë shqipe.
    Gjuha dhe fjalori poetik i zgjedhur, pesha e lehtë e fjalës që në kontekst jep rëndesë, nuancat lokale të latimit të hollë të figurës dhe melodia, e bëjnë poezinë e tij të lërë një eko të gjatë, pothuajse organike, te lexuesi.
    Melankolia është gjendje dhe poezia e gjendjes është e vërtetë si gjendja. Gjendja, thotë M. Foucault, është presimi i fundit që aksioni i kuptimeve lë mbi trupin. Midis vetëperceptimit dhe perceptimit komun, gjendja punon si entropi e rritjes ose e rënies së qenies, e cila vetë ajo, qenia, nuk është veçse një metaforë e të qenit. Në këtë kuptim, melankolia është një përjetim i përjetimeve me stimuj pendimi e rishikimi, për atë që jeta mund të vazhdonte, të kish vazhduar, edhe ndryshe, ku kushti qe zgjedhja, pasi janë harruar të gjitha shtrëngimet.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË