More
    KreuLetërsiShënime mbi libraTeuta Dhima mbi romanin e ri të Bashkim Hoxhës, "Asnjëherë të martën"

    Teuta Dhima mbi romanin e ri të Bashkim Hoxhës, “Asnjëherë të martën”

    “Asnjëherë të martën”, është romani më i ri i shkrimtarit Bashkim Hoxha. Titulli, na vjen si një bestytni e cila ka mbetur nga e kaluara. Ishte e martë, 29 maji i vitit 1453, kur Mehmet Fatihu hyri në mënyrë triumfale në Kostandinopojë. Rënia e këtij qyteti madhështor, që ishte një prej kryeqendrave  të botës së krishterë, u përjetua si një apokalips. Kjo është edhe arsyeja pse e marta u shpall si “ditë tersi.” 

    Po këtë ditë, personazhi kryesor i romanit, një vrasës me pagesë, e ka pushim. Ai nuk punon, nuk kryen vrasje pasi e ka për ters. Romani nis me një vetëvrasje. Një kufomë e shtrirë në mes të dhomës, me kokën e zhytur në një pellg gjaku. Vladi, personazhi kryesor i romanit, jepet në fund të udhëtimit të tij brenda veprës.

    Faktori kohë në roman. 

    Menaxhimi i faktorit kohë mund të përcaktojë suksesin e një libri. Është shkrimtari ai që merr vendimin për t’i kushtuar më shumë kohë një ngjarjeje të caktuar, për ta zvogëluar atë, ose për ta zmadhuar. Në “Asnjëherë të martën” iu është dhënë kohë dhe rëndësi e ndryshme ngjarjeve të caktuara, ngjarjeve që duken se kanë përparësi dhe shërbejnë si pika të strategjike në rrëfim. 

    Në jetën  reale ngjarjet ndodhin në një  rend kronologjik. Në romanin tonë, autori e ka përmbysur këtë rend, duke përdorur teknikat e rrëfimit të cilat ai i njeh mirë dhe i përdor në mënyrë të sostifikuar. 

    Në hyrje të romanit jepet pika kulmore, vrasja e personazhit bosht, për t’u kthyer pas me retrospektivë. Kjo lloj teknike, shton kuriozitetin e lexuesit, duke e nxjerrë këtë të fundit nga ajo gjendja pasive, ku  thjesht pret cfarë i servir autori. 

    Ndërsa në romanin paraprirës, të Hoxhës  vdekja vjen si “Një shaka e vogël”, në “Asnjëherë të martën”, flitet për vdekjen sikur po bëhet shaka. Sa shumë shaka me vdekjen në shoqërinë tonë! 

    Çdo shoqëri e krijon modelin e njeriut sipas modelit të vet. Një mesazh ky që na i sjell Sokrati nga lashtësia. Një nga këto modele njerëzore dhe figura kryesore e romanit është Vladi, një vrasës me pagesë, atë që bënte universin të ndalej, para se të shuante yllin e një jete. 

    Ai me të vërtetë ishte një fëmijë që erdhi në jetë si rezultat i një dashurie të pakurorëzuar, por më pas, u adoptua nga dy prindër që ishin, i ati ushtarak dhe e ëma mësuese dhe që i dhanë Vladit, më të mirën e tyre. Ishte 20 vjeç, kur mbeti pa ata. Njohu luftën si ushtar, ku po të vrisje ishe hero, u punësua në një Agjensi Kombëtare Sistemimi dhe u bë vrasës me pagesë. Vrasësi me pagesë sistemon konfliktet, edhe pse Vladi për asnjë porosi vrasjeje nuk u interesua. Për asnjë të “hequr qafe” nuk e ktheu kokën pas. 

    Personazhet në roman janë të paktë por më se të mjaftueshëm për të sjellë me historitë e tyre, problemet dhe shqetësimet e gjithë botës. 

    Vladi vendoset mes dy personazheve femërorë, me të cilat ka lidhje të ndryshme. Marina, marrëdhënia me të cilën nis si një shfrim epshi dhe përfundon si një nevojë e brendshme për ta pasur pranë dhe për të ndarë me të cigaret në mbrëmje. Është pikërisht ky personazh që e zhvesh Vladin nga zhgualli që i kishte vënë zemrës edhe pse për pak. Lidhja e tyre do të mbetej si një klithmë që e mundonte Vladin: – Mos e vrit këtë fëmijë! Një klithmë që nuk i shqitej bashkë me mendimet që e mundonin nëse: Marina ishte ende gjallë, nuk ishte mbytur në liqen, apo nuk ishte çmendur. Dashuria e tyre nuk mund të lulëzonte dhe të kishte fryte, pasi mallkimet e të gjithë atyre që ka vrarë i ati, do të binin mbi fëmijën. Një fëmijë që i shkulet trupit të ngrohtë të nënës që në embrion, një syth dashurie që vyshket.

    Personazhi i dytë femëror që i vihet pranë Vladit është Natalia. Vladi e njeh Natalian në Durrës, kur i duhej të bënte një vrasje tjetër me pagesë. E gjithë bota është një rrëmujë e madhe. Botën Vladi do ta njohë nëpërmjet udhëtimeve të tij të shkurtra që ndërmerr për të marrë jetë njerëzish, si të ishte zoti që caktonte fatet e tyre. Vladi, pjellë e një bote me ajër të ndotur, me ligësi, ku njerëzit vrasin njëri-tjetrin, ca për para e ca pa shkak. Natalia mban mbi supe dëshpërimin e një njeriu të larguar nga atdheu për shkak të luftës. Ka lënë prindër e të fejuar dhe ka marrë me vete vetëm saksofonin, pasionin e saj.

    Roli i elementëve natyrorë.

    Përdorimi i tyre spikat tek Hoxha jo vetëm në rrëfim por edhe në titull. Përmend këtu romanet: “Kronikat e mjegullës”, “Gruaja e shiut”. Shiu është konsideruar si një mjet ekspresiv për të shprehur ndjesitë e shpirtit njerëzor, si frika, nostalgjia melankolia. Në një ditë me stuhi, Vladi përdhunon Marinën; shi dhe baltë kishte  në llogoret e luftës; në një ditë me shi u përcoll ai në banesën e fundit, me shiun do të rrinte poeti.

     Një tjetër dukuri natyrore e përdorur në roman është perëndimi i diellit. Perëndimi që Vladi soditi dhe u magjeps atë pasdite të marte kur kishte pushim dhe nuk bënte vrasje. Atë ditë kur mendja dhe shpirti i tij u kapluan nga një dalldi filozofike që e çuan atë në vetëvrasje. Vladi 43 vjeçar, asnjëherë nuk kishte pasur kohë të sodiste perëndimin, të ndalej e të përhumbej përpara përflakjes së tij. Jo, Vladit i duhej të luftonte, të zinte pritë, të përzgjidhte se cilin do të vinte në shënjestër mes grupit, të gjurmonte deri në asgjesim viktimat e tij.

    Si rrallë herë një dukuri natyrore përdoret me kaq mjeshtëri në një rrëfim, bëhet shkak për vijëmësinë e ngjarjeve dhe merr një interpretim të tillë. Perëndimi i diellit simbolizon përfundimin e një udhëtimi, që mund të jetë vetë jeta. Muzgu i jetës njerëzore shpesh krahasohet në mënyrë metaforike me perëndimin e diellit. Bukuria mahnitëse e perëndimit të diellit është gjithashtu simbolikë e bukurisë dhe misterit të jetës. Perëndimi i diellit është mënyra e natyrës për t’i kujtuar njerëzimit forcat e së mirës dhe të së keqes. Ndërsa dielli perëndon, drita zbehet, dhe mbizotërojnë forcat e errësirës.

    Vendi në roman dhe emri i personazhit Vlad.

    Nuk dihet nga vjen Vladi, ai udhëton dhe vret në të gjithë botën. Botën, e ka njohur nëpërmjet vrasjeve, ka akumuluar në shpirtin e tij urrejtje, por edhe atë e ka gjysmë të fikur, pa adresë, pasi ai nuk i njeh viktimat e tij, vetëm iu shuan diellin e jetës. Në romanet e tij të fundit Hoxha sjell në fokus probleme thelbësore të shoqërisë sonë, probleme që në rastin e romanit “Asnjëherë të martën”, “i shuan” Vladi.

    E gjithë bota një rrëmujë e madhe, – shkruhet në roman.  A do të shtypet butoni i kuq i bombës automike? Fati i gjithë botës në duart e një njeriu në dëshpërim. Luftë në Ukrainë, shpërthim bombe në një xhami në Pakistan. Vrasje, tërmete, epidemi, përmbytje, therje me thika për një gardh, vrasje, vrasje me shumicë. Mes gjithë kësaj bote të madhe në një cep të vogël të saj është Vladi që në veprën tonë sillet në Durrës. Në Durrës, në atdheun e dashurisë si shpirtërore (sepse ai ishtë vendi i Nënë Terezës) dhe fizike dhe trupore (sepse ishte atdheu i Ferid Muratit, mjekut që shpiki viagrën). Duke e sjellë Vladin  në Durrës, ngjarjet bëhen më konkrete, aktualizohen pasi ato vijnë edhe si përditshmëri e qytetit ku autori jeton. Vladi një personazh që ka tri emra: Martin se ka lindur të Martën,(ia vunë në shtëpinë e foshnjës), Vlad si shkurtim i Shën Gjon Vladimirit,(ia vunë prindërit adoptues dhe Denis Petushi emri me të cilin kishte rezervuar hotelin buzë detit.

     Një vrasës me emrin e një shenjti, tri emra kishte personazhi, tri herë u varros Gjon Vladimiri. Sipas studiuesit Moikom Zeqo, eshtrat e Gjon Vladimirit u ruajtën në kishën “E papërlyemja e Krajës” deri në vitin 1215, kur Despoti i Bizantit Mihal Komneni, i mori dhe i vendosi në Durrës. Në 1381, Karl Topia i mori eshtrat e shenjtit dhe i çoi pranë Elbasanit, ku ndërtoi një manastir që iu shërbeu si besimtarëve ortodoks dhe atyre katolik deri sa u dogj nga gjermanët në vitin 1944. Vladimiri, Princi që u thirr në besë dhe u vra në pabesi në oborrin e Carit bullgar. Ai i sapoegzekutuar, mori kokën e tij ndër duar, i hipi kalit dhe u nis me një gallop të harbuar. Në gjendjen e dalldisë filozofike që e pushton, në një gjendje shpirtërore të turbullt,Vladi e sheh veten me kokën e tij në duar. Paska pasur në dorë  kokën e tij. Kështu ka ecur në jetë. Me kokën e tij në duar. Si ka mundësi?

    Koka e prerë për Gjon Vladimirin ishte simbol i pabesisë, për Martinin (që kishte lindur të martën), për Vladin, ishte simbol i pabesisë së jetës, së shoqërisë që në ngjizjen  e tij e deri në vdekje.

    Nënshtresëzimi kuptimor nëpërmjet muzikës. 

    Vladi u nis për në Durrës me zërin e Marinës në vesh dhe me klithmat e pulëbardhave që i ngjasonin me zëra fëmijësh. Duke i vënë pranë Natalian dhe muzikën që ajo luan në saksofon, sillet gjendja shpirtërore e Vladit, i cili pret agun të lindë në amfiteatrin e hapur. Një përzgjedhje më se e gjetur: “Nokturn” nga Shopen, “No man no Cray” dhe “Lily was here”, janë pjesët e luajtura. “Nokturn” në rastin tonë, në rastin kur dëgjohet nga Vladi dhe bëhet kolonë zanore e trishtimit të tij, nuk është më materie muzikore, por ekzistenciale. Koncepti i Nokturnit, i referohet njeriut që sodit veten dhe gjërat që e rrethojnë të zhytur në një vizion të jashtëm dhe të brendshëm të errësirës, ​​që nuk shihet si një mungesë, një mohim i dritës, por si kalim i pashmangshëm i një shtegu ciklik. Si hapa të caktuar ose një rrugë e caktuar në të cilën alternimi midis dritës dhe errësirës i lejon njeriut për të perceptuar gjërat, ndjesitë, vizionet që i ishin mbyllur më parë.

     “No man no Cry”, një tjetër kolonë zanore që na kujton se dashuria e Vladit nuk mund t’i dhurohet askujt, sepse ai nuk mund ta shohë dritën se është një vrasës që sheh vetëm errësirë. Shpirti i Vladit “qan” rëndë, ashtu siç qajnë njerëzit që nuk iu del loti.

     Vladi dhe profesori Vladi nuk kërkonte asnjë të dhënë për personat që vriste, pasi iu druhej arsyetimeve. Indiferenca i bëhej aleate në harresë. Ndërsa për profesorin Bujar Hodo ishte ndryshe. Ai ishte pushim, kishte të gjithë kohën e duhur për ta vëzhguar viktimën e rradhës, të mendonte mbi arsyen e vrasjes së tij. Edhe pse Vladit i dukej e çuditshme të vritej një njeri për një konstatim, thjesht pse ai e mendonte ndryshe. Këndvështrimet e ndryshme për historinë kishin shpallur edhe armiqësinë e hapur të kryeministrit (që dikur kishte qenë nxënës i tij) me profesorin.

    Në mendjen e Vladit, vijnë me mijëra pyetje dhe konstatime të cilat në roman na vijnë si mesazhe të fuqishme për botën në të cilën jetojmë, për botën në të cilën edhe për më pak, ende shpërthejnë luftra.Vladi e ndoqi profesorin një ditë më parë hap pas hapi, nga lokali, biblioteka, deri aty ku u përball me të bukurat e jetës: festimin e përvjetorëve të martesës, ftesave për vizitë, të ardhurve të rinj në familje, fëmijëve.

    Pse e vrau veten Vladi? Me siguri nga dashuria, edhe pse askush nuk e mori parasysh këtë pistë, – shkruhet në roman, në romanin ku sillen të vërteta të mëdha, të vërteta me të cilat ne ndeshemi çdo ditë, na shqetësojnë kur i dëgjojmë, i anashkalojmë dhe në mbrëmje i hedhim tej, për të pritur të vërtetën e rradhës me shpresën që ajo të jetë më pak e dhimbshme. Pena e sprovuar e autorit, i ka bërë bashkë ato, i ka  renditur dhe kombinuar bukur, duke ia veshur situatave në roman, ku disa prej tyre janë emërtuar me tituj që me kuptimin metaforik të tyre, u thonë shumë lexuesve. Romani fillon me një vetëvrasje dhe mbyllet me një varrim, varrimin e Vladit njeriut që erdhi nga larg dhe vdiq i magjepsur nga një perëndim dielli, në Durrës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË