More
    KreuIntervistaIntervistë e shkrimtarit Ylljet Aliçka në gazetën Al-Sharq-Al-Awsat për botimin në arabisht...

    Intervistë e shkrimtarit Ylljet Aliçka në gazetën Al-Sharq-Al-Awsat për botimin në arabisht të romanit “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë”

    Në shumë raste, parimet en block, ose rregullat universale që rregullojnë themelet e organizmave ndërkombëtare mbeten joreale dhe të papërshtatshme përballë realiteteve specifike e të ndërlikuara shqiptare.

    Deri në çfarë mase romani “Nërkombëtarët” mund të konsiderohet si një lloj autobiografie?

    Po, është pjesa më e madhe e romanit. Por mund të thuhet se romani është 100% “një autobiografi emocionale”.

    Ndërkohë që puna diplomatike karakterizohet nga rezervimi, mirësjellja dhe rregulla protokolare, romani duket i zhytur nëzbulimin dhe ekspozimin e sekreteve… Si e shihni këtë kontradiktë?

    Vetë kontradikta i ka rrënjët në realitetin shqiptar dhe  veçanërisht realitetin e vendeve në tranzicion, i cili ka dëshmuar të jetë më i ndërlikuar dhe i fragmentuar se parimet e vetë organizatave ndërkombëtare. Në shumë raste, parimet en block, ose rregullat universale që rregullojnë vetë themelet e këtyre organizatave, mbeten joreale dhe të papërshtatshme përballë situatave specifike të realiteteve të ndërlikuara. Madje, në pak raste, ato interpretohen sipas shijeve dhe ndjenjave individuale të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

    Në një vend si Shqipëria, dalë nga një kohë e gjatë dhe ashpër izolimi nën diktaturë, njerëzit kanë përvetësuar një lloj inferioriteti të përzier me mikpritjen tradicionale. Shpesh, një sjellje e tillë është keqkuptuar apo keqperceptuar nga ndërkombëtarët që vijnë në Shqipëri, gjë që ka gjeneruar një lloj superioriteti falls nga ana e tyre.

    Me vetëdije ose pa vetëdije, në një farë mënyre motivimi im në këtë roman ka qenë çmitizimi i kësaj ndjenje sipërfaqësore superioriteti dhe të projektoja një imazh real të ndërkombëtarëve, njerëz normalë, me veset dhe vlerat e tyre gjithashtu, me vetë idenë se ne, pak a shumë jemi të gjithë të barabartë në këtë botë.

    Për një vend të vogël pa shumë peshë në skenën ndërkombëtare, është dhe do të jetë gjithmonë kohë dhe hapësirë ​​për debate lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë me ndërkombëtarët. Për më tepër, ende ka vend për dilema të tilla nëse interesi ndërkombëtar për Shqipërinë ka qenë dhe është parë si një emergjencë, partneritet, bashkëpunim apo në disa raste edhe alibi.

    A mund ta kishit botuar një vepër të tillë kur ishit ambasador i vendit tuaj në Paris?

    Në të vërtetë romanin e kam botuar para se të bëhesha ambasador. Megjithatë, më duhet të pohoj se pas botimit të romanit ka pasur debate,  zyrtare dhe publike mbi lirinë e fjalës, etikën e nëpunësve publikë, rolin e letërsisë etj.

    Ndoshta kjo mund të ketë qenë arsyeja pse romani është përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të tjera, si frëngjisht, italisht, norvegjisht, persisht, arabisht, gjuhën kineze, anglisht..

    Ndërsa në planin personal, dikur në pozicionin e ambasadorit, druhesha se mos edhe unë mund të bëhesha subjekt apo personazh i ndonjë romani të ndonjë shkrimtarit tjetër, në një kohë që ndër punonjësit e ambasadës kisha dhe njerëz të letrave.

    Romani zbulon  ca aspekte që askush nuk flet shpesh për to, sa e justifikon ky vizion letrar një realitet që ekziston tashmë në terren?

    Kjo e ka burimin nga vetë realiteti. Në fakt, ka shumë punonjës dhe zyrtarë ndërkombëtarë, shpeshherë anonimë në vendet e tyre, të cilët me të ardhur në Shqipëri, ndërsa “punojnë për të ndihmuar këtë vend apo për t’u treguar vendasve rrugën e përparimit”, jeta e tyre merr një kuptim të ri, falë vëmendjes dhe mikpritjes së  vendasve.

    Në të njëjtën kohë, në nivel ekonomik, shërbimi në vende të tilla në tranzicion ‘përkon’ me disa privilegje financiare që nuk gjenden gjetkë. Ndërsa në nivel shpirtëror, kjo prirje shkon në favor të mendësisë narcisiste të ndërkombëtarëve duke dëshmuar (në fakt duke vetëdëshmuar) “guximin dhe heroizmin e tyre për të  punuar dhe rrezikuar jetën në këtë vend të humbur”.

    Toni i sarkazmës shfaqet aq i lartë në tekst, sa mund të klasifikohet si një lloj “komedie e zezë”. A e kishit qëllim këtë dhe cila është arsyeja e dozës së lartë të sarkazmës?

    Ky është përgjithësisht stili im i të shkruarit, ndoshta i ndikuar nga shkrimtarë të mëdhenj, si Saramago, Heinrich Boel; me fjalë të tjera, është mënyra ime për t’i parë gjërat.

    Si e kombinuat profesionin e të qenit ambasador, që kërkon shumë disiplinë dhe maturi, dhe profesionin e shkrimtarit, që nënkupton liri apo rebelim?

    Përsëri, mund të jetë rezultat i vetë realitetit shqiptar. “Rebelimi” im ndofta  është frymëzuar nga  ideja se ndjeshmëria ndërkombëtare ndaj vendit tonë ka patur dhe ka një tendencë standardizimi, duke përfunduar shpesh në një retorikë të sfilitur. Sa më sipër, ka shumë paragjykime, madje edhe fetare, klishe dhe stereotipe të ndërkombëtarëve, që shpesh rezultojnë në gjenerimin e qëndrimeve negative ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë. Mendoj se ne jemi ende shumë të panjohur për qytetarët e zakonshëm perëndimorë. Ka një mospërputhje mes identitetit tonë të mirëfilltë dhe kompleks (si e çdo kombi) dhe mënyrës sesi ai perceptohet në mënyrë sensacionale apo ekzotike nga institucionet ndërkombëtare, gjë që shpesh ofron hapësirë ​​për opinione të shtrembëruara. Jo rrallë perceptimet e mësipërme kanë shkaktuar ndjesi zhgënjimi, jo vetëm në planin individual, por, në të njëjtën kohë, duke ngritur barriera serioze institucionale dhe politike ndaj vendit tim. Nga ana tjetër, imazhi iluziv i lirisë dhe imazhi i shtrembëruar i realitetit perëndimor, përballja me realitetin jo fort romantik të Perëndimit, i kultivuar nga shqiptarët, ka shkaktuar zhgënjime apo trauma, gjurmët e së cilave i ndjejmë ende sot.

    A ka ndonjë gjë që ndërthur punën diplomatike dhe veprimtarinë letrare?

    Përvoja botërore, veçanërisht ajo franceze, e ka vërtetuar kombinimin e mësipërm.

    Imazhi i një vendi në vetvete ndërtohet në përfaqësimin kulturor dhe politik. Pranohet përgjithësisht se diplomacia nuk është vetëm mbrojtja dhe promovimi i interesave strategjike apo tregtare, por është edhe vektor i vetëpërfaqësimit, një sistem vlerash dhe një imazh.

    Sinergjia ndërmjet kulturës politike dhe vokacionit krijues mund të konsiderohet rast pas rasti. Nëse u referohemi shembujve nga historia, kjo është një temë sa retrospektive aq dhe prospektive, pasi tipologjia e një shkrimtari-diplomat në vetvete është e gjerë, ndaj nuk ka një portret unik. Mjafton të përmenden disa nga shumë silueta të dalluara që dalin nga majat e letrave botërore të kalibrit Nobel, si: Chatobrian, Stendal, Saint John Perse, Romain Gary, Paul Morand, Paul Claudel, Malaparte, Seferis, Ivo Andriç, Neruda, Miguel. Angel Asturias, Czeslav Milosz, Carlos Fuentes, Roberto Echeverria, Gabriela Mistral, Octavio Paz, etj.

    Keni eksperienca dhe në shkrimin e skenarëve, cili është ndryshimi midis shkrimit letrar dhe shkrimit për kinemanë?

    Të dy kanë të njëjtin objektiv: të zbulojnë misterin e qenies njerëzore, sfidat e tij ekzistenciale dhe në një plan më të gjerë ato të vetë shoqërisë njerëzore.E para (letërsia) përdor fjalët, ndërkohë kinemaja përdor muzikën, fjalën, tingullin dhe mbi të gjitha imazhin.

    Të dy kontribuojnë për shoqërinë. Përveç të tjerëve, ato konsiderohen si vektorët apo instrumentet më të privilegjuar të dijes dhe burimi i një informacioni të mirëfilltë të një shoqërie, qoftë kur kritikojnë, qoftë kur romantizojnë realitetin, në rastin tim, duke nxjerrë në pah përmasat reale të Shqipërisë bashkëkohore dhe shoqërinë shqiptare.

    Çfarë përfaqësojnë çmimet për ju, duke qenë se keni fituar disa prej tyre në letërsi dhe kinema?

    Për një krijues është më mirë të marrësh çmime sesa të mos marrësh!!

    Së fundi, çfarë do të thotë për ju përkthimi i romanit “Ndërkombëtarët” në arabisht… dhe si e shihni pritjen e lexuesit arab.

    Sinqerisht, ishte një kënaqësi e madhe të përkthehesh në këtë gjuhë, pjesë e një kulture të madhe, veçanërisht për një vend si Shqipëria , me të cilën vendi juaj ka shumë lidhje historike.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË