More
    KreuIntervistaErmira Godo: “Shekspiri” u shkrua nga Hygoi në mërgim kurse në shqip...

    Ermira Godo: “Shekspiri” u shkrua nga Hygoi në mërgim kurse në shqip u përkthye në internim nga Abdulla Rami

    Më 29 janar përkujtohet 50 vjetori i vdekjes së Abdulla Ramit. Një bisedë me mbesën e tij,

    Ermira Xhomaqi Godo, bashkëpërkthyese me të e librit “William Shakespeare” të Victor Hugo-së.

    Bisedoi Andreas Dushi

    A.D.: Së fundmi, është botuar “William Shakespeare” nga Victor Hugo, një libër që i vjen për herë të parë lexuesit shqiptar duke i paraqitur, gjithashtu për herë të parë, një tjetër aspect të Hygosë. Ky përkthim i realizuar nga ju dhe gjyshi juaj, Abdulla Rami, ka një histori të bukur (ose edhe të veçantë), që do të doja shumë të na e tregonit…

    E.G.: Ky përkthim është një udhëtim sa i bukur aq edhe i vështirë… Gjeneza e tij merr udhë në vitet e internimit të tim gjyshi dhe dorëshkrimet e para të tij u takojnë fundit të viteve ’60, kur i sapo liruar nga burgu i Burrelit, e i internuar në Gosë të Kavajës, Abdulla Rami projektoi sjelljen e kësaj vepre në shqip. Vdekja e papritur e tij, në 29 Janar 1973, nuk i la mundësinë ta rishikonte dorëshkrimin, i cili u ruajt nga nëna ime për vite e vite me radhë në një sënduk të vjetër prej druri dhe më pas u rikopjua tërësisht me shkrim dore nga tezja ime. Ka qenë pikërisht viti 2014 kur i mora në duar për t’i riparë këto shënime, – dhe shtysën për vazhdimin dhe finalizimin e kësaj pune ma dha padyshim e pikësëpari “la voix du sang” sikurse themi në frëngjisht – “zëri i amanetit”, detyrimi shpirtëror, një thirrje kumbuese e tim gjyshi, veprën e të cilit gjithmonë e kam konsideruar si një akt lirie më shumë se letërsi. Por nga ana tjetër, po aq e rëndësishme, ka qenë për mua në këtë prurje, edhe dëshira, për të plotësuar një hapësirë ende të lirë në kulturën e lexuesit shqiptar, në radhën e përkthimeve nga frëngjishtja dhe në vargun e veprave të Hygoit në shqip. Megjithëse puna ka qenë e vështirë, e lodhshme e thuajse e frikshme, ardhja e kësaj vepre në shqip mbetet një palimpsest i marrëdhenieve njerëzore shumëdimensionale… një bashkëbisedim në heshtje, midis dy kohëve, dy epokave e dy botëve, një vullnet e guxim i përbashkët, për të përshkruar shekuj, vende, breza e histori.

    A. D.: Sikurse e thashë, ky libër na paraqet një tjetër aspekt të Hugoit si shkrimtar… Pse mendoni se gjyshi juaj ka përzgjedhur pikërisht këtë vepër për ta përkthyer?

    E.G.: Mendoj se kjo vepër është një përzgjedhje jo rastësore. Ajo është shkruar gjatë viteve të ekzilit të Hygoit dhe pikërisht në vitin 1864 – viti i 13-të i mërgimit të tij, kur ai ndodhej larg Francës në Guernesey, një ishull të Anglisë. Mërgimin e Hygoit dhe internimin e Ramit, i lexoj si dy realitete paralele, të cilat në harkun kohor të 150 viteve ngjizën ardhjen e kësaj vepre fillimisht në frëngjisht e më pas në shqip. Konteksti historik si edhe temat filozofike të cilat trajton kjo vepër, mendoj se janë pikësëpari shtysa determinuese e përzgjedhjes së saj prej tim gjyshi.

    Tjetër faktor i kësaj përzgjedhjeje është edhe dëshira e arratisjes prej një bote të prangosur; me fjalë të tjera, mungesa e lirisë së Ramit, internimi dhe burgimi i tij do ta bënin përkthimin e kësaj vepre për të, një urë shpëtimi nga realiteti i vështirë i atyre viteve drejt një bote të lirë… Hugo bëhet kështu mënyra dhe mjeti, për të përmbushur, shprehur e transmetuar idetë, angazhimin dhe misionin e tij. Ky përkthim i jepte jetës së Ramit jo vetëm një përmasë lirie, por edhe një rrafsh materialpër të gjetur të bukurën në artin e angazhuar, për të vazhduar betejën, rezistencën dhe ruajtjen e dinjitetit edhe atje, në internimin e tij.

    Hugo thotë: “Për aq kohë sa e mundshmja ende nuk është bërë, detyra ende nuk është përmbushur!” Dhe Rami i mbeti besnik kësaj devize deri në fund të jetës së tij.

    A.D.: Ju ka kohë që punoni me këtë tekst dhe, pse zgjodhët ta sillni ashtu sikurse erdhi, pra pse tani, pse me atë botues… shumë pse, shumë “sepse”…

    E.G.: Përzgjedhja e “Onufrit” është kushtëzuar nga faktorë sa realë e objektiv aq edhe subjektiv. Gama e botimeve dhe e letërsisë spikat në mënyrë të veçantë tek kjo shtëpi botuese. Dëshira gjithashtu që Kadaresë dhe personaliteteve të tjerë në fushën e letërsisë dhe studimeve letrare t’u rrinin përkrah rishtazi këta dy gjeni: Hygoi dhe Shekspiri, të cilët në mënyrë gjithpërfshirëse sjellin në kulturën shqiptare gjithë vargun e artë të gjenive të kulturës botërore: nga Homeri tek Jobi, nga Eskili tek Isaiu, nga Ezekjeli tek Lukresi e Juvenali, nga Tasiti tek Pavli e Jani, nga Dante e Rabële tek Servantesi, Hygoi e Shekspiri…

    A.D.: Nga pikëpamja juaj, çfarë e bën të veçantë këtë vepër në raport me të tjerë libra të Hugoisë? Çfarë risie sjell kjo vepër në raport me veprat e përkthimet e tjera të tij?

    E.G.: Kjo është një vepër e cila vërtet mban emrin e Shekspirit, por gjithsesi titulli i saj është paksa “i zhdrejtë”, sepse subjekti i vërtetë i saj janë një mori shkrimtarësh të cilët Hugo i konsideron si “gjenitë më të mëdhenj të të gjithë kohërave”. Kur Victor Hugo filloi ta shkruante, ai synonte veçse një parathënie në koleksionin e përkthimeve të dramave të Shekspirit prej djalit të tij, François-Victor Hugo. Megjithatë, kjo hyrje u rrit në rreth 400 faqe dhe Hugo kurorëzoi kështu këtë ndërmarrje, të vetmen në eseistikë në krijimtarinë e tij. “William Shakespeare” shënon në rrjedhën e shekujve, pikëtakimin e gjenivë në kohëra duke përshkuar kritikë, botues, komentatorë, novela, romane, kronika, drama, komedira, mbarë veprat e tyre… Kjo vepër, mund të bëhet një libër tavoline për lexuesin e specializuar, për specialistin e letërsisë, për studiuesin e gjuhës e të letërsisë, për hulumtuesin e filozofisë e të shkencave humane…

    A.D.: Fusha juaj kryesore, ajo ku ju keni kontributin më të madh, nuk është letërsia, por gjithsesi, i jeni përkushtuar me një seriozitet të veçantë. Prandaj, duhet thënë se keni botuar edhe një vepër me titull “Pertej Harrimit” kushtuar pikërisht gjyshit tuaj. Sërish, rimerret gjyshi, nga një pikëpamje tjetër, si bashkëpërkthyes… Por, nëpërmjet këtyre dy punëve tuaja, si e shihni raportin e shkrimtarit me përkthyesin brenda vetes?

    E. G.: Përkthyesi nuk mund të barazohet asnjëherë me autorin. Autori është krijuesi, përkthyesi është trasmetuesi. “Përtej harrimit” ka qenë si një udhëtim drite drejt së panjohurës, për të ngritur më këmbë e krijuar mbi dokumente e dëshmi modelin e tim gjyshi, një intelektuali idealist, jeta e së cilit humbi në terrin e diktaturës… Rrafshi i përkthimit është tjetër gjë; Përmes tij mundësohet një komunikim efektiv midis dy kulturave të ndryshme. Në këtë kuptim, përkthyesi ka një përgjegjësi të padiskutueshme për të respektuar origjinalin duke i dhënë jetë atij, në një vend, mjedis, kulurë, edukim e rrethanë krejt tjetër. Për t’ia arritur kësaj, perkthimi nuk është e s’mund të jetë asnjëherë automatik dhe mbetet i vetmi mjet me anë të të cilit njerëzimi mund të njohë vepra të ndryshme të cilat zgjerojnë njohuritë e tyre për botën e letërsinë.

    Përkthyesi Abdulla Rami

    A.D.: Në një kohë kur Hugo është një nga shkrimtarët më të dashur për lexuesin shqiptar, si prezantohet ai përpara këtij lexuesit në këtë vepër?

    E.G.: Po është e vërtetë, ne shqiptarët e adhurojmë dhe e njohim mirë Hygonë… kjo edhe pse frëngjishtja tek ne ka rrënjë të thella: nga liceu francez i Korçës, në liceun e Gjirokastrës e deri tek Normalja e Elbasanit. Një nga arsyet për të cilat mendoj se një lexuesi i mirë shqiptar e njeh Hygoin, Balzakun apo edhe Molierin më mirë se një lexues i zakonshëm francez është edhe fakti se në programet e letërsisë gjatë viteve shkollore e deri në maturë, ne i studjojmë më shumë klasikët francezë se ata vetë.

    Gjithsesi çdo epokë ka Hugoin e vet, çdo brez ka Hugoin e vet, e çdo kush nga ne ka Hygoin e vet… por përpos kësaj kjo vepër përshfaq përpara lexuesit një Hugo ndryshe: Hugoi i Gavroshit, i Kozetës, i Kazimodos, i Esmeraldës, shndërrohet këtu në një Hugo të Gjenive. “Për veprat gjigande, duhen lexues atletë” shkruan mes të tjerash ai. Kjo ese filozofike, historike e angazhuar dhe shkencore, përqafon ngrohtë një lexues të kujdesshëm e kurioz, i cili zbulon nëpërmjet penës së këtij vigani, majat e gjenive.

    A.D.:Duke e parë sot, të shkëputur nga historia e shkrimit dhe përkthimit të saj, cilat janë ato risi, veçanësi apo hapësira të reja që kjo vepër krijon në lexuesin e sotshëm?

    E.G.: Për ta përcaktuar me një fjalë do të thoja se kjo vepër eshte nje himn për mbarë letërsinë botërore dhe gjenitë e saj. Por më mira do të ishte të mund të citoja atë që shkruan vetë Hugo kur thotë: “Letërsia prodhon qyetërimin, poezia krijon idealin. Prandaj, letërsia është e nevojshme për shoqërinë. Prandaj poezia është dëshira e zjarrtë e shpirtit. Prandaj poetët janë edukatorët e parë të popullit. Prandaj duhet në Francë të përkthehet Shekspiri dhe në Angli të përkthehet Molieri. Prandaj duhen përkthyer, shpjeguar, komentuar, botuar, shtypur, ribotuar, fotokopjuar, stereotipuar, përhapur, trumbetuar, recituar, shpërndarë, dhënë të gjithëve me çmim të lirë, me çmimin e kostos, madje të jepen për asgjë, të gjithë poetët, të gjithë filozofët, të gjithë mendimtarët, të gjithë krijuesit e shpirtrave të mëdhenj…”

    A.D.: Shkrimtarë si Shekaspeare kanë shfaqur shpeshherë probleme përballë shkrimtarëve të tjerë. Përshembull, dihet konsiderata që kishte për të George Bernard Show. Ndërsa Hugo i dedikon një vepër një shkrimtari atij? Pse? Çfarë të panjohure të tijë do të na shfaq dhe si shfaqet ajo?

    E.G.: William Shakespeare është ndoshta ndër ata personazhe historike të cilët nuk kanë nevojë për përkufizim. Ai ishte një dramaturg, poet dhe aktor anglez i cili konsiderohet gjerësisht si shkrimtari më i madh në gjuhën angleze dhe dramaturgu më i shquar në botë. Shakespeare shpesh quhet edhe poeti kombëtar i Anglisë. Dramat e tij janë përkthyer në çdo gjuhë kryesore të gjallë dhe janë interpretuar më shpesh se ato të çdo dramaturgu tjetër. Ai mbetet padyshim shkrimtari më me ndikim në gjuhën angleze dhe veprat e tij vazhdojnë të studiohen dhe riinterpretohen edhe sot. Janë këto cilësi që e kanë intriguar shkrimtarin e madh francez ti kushtojë atij një vepër të pazakontë. Hugo e konsideron William Shakespeare si “gjeniun suprem”. Por sikurse theksova edhe më lart, vepra është në të vërtetë një biografi gjithëpërfshirëse e vetë letërsisë botërore, një nderim prekës për frymën e krijimtarisë që përcakton jetën e njerëzimit në shekuj dhe më gjerë.

    A.D.: Sipas jush, çfarë i përbashkon këto dy gjeni të letërsisë?

    E.G.: Mendoj se shkrimtarët, e në menyre të veçantë kolosët e literaturës kanë të përbashkët lartësinë e mendimit dhe thellësinë e shkrimit. Të dy këta janë kronikanë të paarritshëm të pjesëve përkatëse të historisë në vendet e tyre dhe ajo që i bashkon padiskutueshmërisht është, mes të tjerash, pavdeksia në sytë e lexuesit.

    Dorëshkrimi i përkthimit

    A. D.: Në ç’raport është ndërtuar qasja juaj gjuhësore me atë të gjyshit tuaj në dhënien e dorës përfundimtare të këtij përkthimi nga ju?

    E. G.: Në rastin konkret të përkthimit të Hygoit, dhe të fillesave të tij, do të doja të nënvizoja faktin se dorëshkrimi sigurisht, nuk mund t’i drejtohej lexuesit të sotëm nëpërmjet kodit ligjërimor të para 60 vjetëve të tim gjyshi i cili mbart gjithashtu mbi supe kodin e tij ligjërimor të para 100 vjetëve, pasi padyshim, gjuha dhe dinamikat shoqërore kanë ndryshuar e ndryshojnë vazhdimisht. Ashtu sikurse, fjala vjen, përkthimi i mrekullueshëm i vëllimit të parë të “Don Kishoti i Mançës” nga Fan Noli mbart kodin ligjërimor të asaj kohe, dhe sjell mrekulli të cilat i përkasin më shumë shqipërimit e rikrijimit, e vijojnë me vëllimin e dytë të përkthyer nga Petro Zheji, i cili e transmeton veprën përpara lexuesit në një tjetër epokë, nëpërmjet një kodi ligjërimor të ri. Të dy këta përkthyes, i takojnë dy shkollave të ndryshme dhe secili nga ne, në mënyrë individuale e ndoshta paksa subjektive, krijon prioritet e veta dhe gjen vetveten në kodin ligjërimor të preferencës së tij. Nga ku ideja se përkthimi është funksion matematik edhe i shkollës së përkthimit: Stili Barok fjala vjen ka tjetër ngjyrim nga stili bashkëkohor.

    Por përpos kësaj e njohjes së gjuhës, mendoj se është e rëndësishme që përkthyesi të ketë gjithashtu informacion mbi autorin e veprës, kulturën vendase, ngjarjeve dhe kontekstit historik. Përkthimi i Hygoit i mbetet besnik origjinalit, por ka marrë përsipër të përmbushë një detyrë e ta bëjë shkrimin sa më të lexueshëm e të kuptueshëm për publikin e vendit dhe kulturës pritëse. Ndaj unë kam përdorur në përkthim jo pak shënime në fund të faqes pikërisht për ti bërë referencat historike dhe kulturore, emrat e personazheve permenduar aty, sa me të lehtë për tu kuptuar e absorbuar nga lexuesi shqiptar.

    Gjithsesi përkthimi mbi të gjitha mbetet “frymë”, që ashtu sikurse shkrimi në momentet e punës me një tekst të caktuar, e bën mendjen dhe gjithë qenien e përkthyesit të notojë në një oqean fjalësh, trupi vetë trupëzohet në fjalë dhe në këto moment kufiri midis gjuhës burimore dhe asaj pritëse shkrihet në të njejtën fondëri…

    A.D.: Kjo vepër bën pjesë në ato që quhen zhanere të ndërmjetme, pra me përcaktim jo fort të qartësuar… Si e shihni këtë?

    E.G.: Po është e vërtetë…”William Shakespeare” është një vepër komplekse dhe e veçantë, e cilësuar si “e paklisifikueshme” në rrafshin e zhanereve letrare. Kjo, jo vetëm sepse në të përzien zhanre – mund të tregohet lehtësisht se është njëkohësisht një ese, një biografi, një autobiografi, një manifest dhe një pamphlet – por mbi të gjitha, sepse buron nga një përpjekje e ndërgjegjshme e autorit për t’i shpëtuar gjinisë. Në gjestin e tij, në qëndrimin e tij etik dhe në pragmatikën e tij, kjo vepër është për Hygoin një kushtrim i ditëve të mërgimit, është “klithma” e tij në ekzil… Rami e dëgjon këtë “klithmë-kushtrim” në internimin e tij, e trupëzon, e i jep asaj jetë në shqip, duke përcjell kështu një mesazh të përshpirtshëm dhe hyjnor, mesazhin e një akti lirie, e duke shprehur mirënjohjen ndaj dy kombeve e dy gjenive: Francës me Hygonë dhe Anglisë me Shekspirin.

    A.D.: Zakonisht, në kopertinat e librave vihen shënime nga personalitete, studiues a njohës të mirë të letërsisë. Shënimet nuk janë të gjata, diku një paragraf… Po t’jua kërkoja atë paragraf për veprën në fjalë, çfarë do të thoshit?

    E.G.: Mendoj se publiku është gjithnjë i lirë të lexojë e të interpretojë një vepër letrare sipas mënyrës së vet. Është pikërisht kjo bukuria e leximit i cili as mund të jetë i njejtë për të gjithë e as i njëtrajtshëm njëkohësisht. Ne mund të lexojmë a shohim të njejtën gjë, por përjetimet tona mund të mos jenë të njejta, Kjo ndodh me artin, me letërsinë, me pikturën, me muzikën. Për shumë studiues, “Gjenitë” do të ishte titulli i vërtetë i kësaj vepre. Pjesa e parë përcakton natyrën e tyre, e dyta përshkruan funksionin e tyre, dhe e treta profetizon ardhjen e tyre. Ndaj për ta ndjekur atë, lexuesit i duhet të përshtasë syrin e veshin ndaj ndryshimeve të papritura në amplitudat e saj, variacione të pranishme në të gjitha shkallët kosinusoidale dhe sinusoidale të përshkrimeve të saj: Gjeneza e saj e veçantë, titulli i saj mashtrues, gjinia e saj e përbërë, hapja e gjithanshme e subjektit dhe e shtrirjes së saj letrare, estetike, politike, filozofike. Hugo alternon regjistrat: lirik, elegjiak dhe nostalgjik kur evokon jetën e tij personale; studiues, tregimtar a veprimtar, kur flet për historinë e teorinë letrare; bëhet apologjist, satirik dhe profetik kur analizon jetën publike; shqyrton “të gjitha çështjet që prekin artin”, “misionin e artit”, “detyrën e mendimit njerëzor ndaj njeriut… E pikërisht nga zgjerim i këtij këndvështrimi ka lindur ky libër.”       

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË