More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNamir Lapardhaja: Agron Tufa në dy romane

    Namir Lapardhaja: Agron Tufa në dy romane

    Romani “Ngjizja e papërlyeme” kaloi pa vëmendjen e duhur dhe pa jehonën e merituar. Për nga forma strukturore, ai është ndërtuar mbi bazën e rrathëve interferues rrëfimor, i përbërë nga katër të tillë, që mund të qëndrojnë edhe si pjesë më vete, një prologu dhe epilogu, në qendër të të cilëve është një protagonist (Martin Gega – emër që e ndeshim edhe në romane të mëparshëm të autorit, një lloj alteregoje që e ka shoqëruar në të gjithë procesin krijues), i cili herë rrëfen në vetën e parë (është ai që rrëfen për veten), herë në vetën e tretë (janë të tjerët ata që rrëfejnë për të apo rreth tij); po ashtu, edhe përsa i përket përmbajtjes, romani rrëfen një fenomen të dhimbshëm dhe aspak për t’u krenuar të shoqërisë shqiptare në vitet ’60-të të shekullit të kaluar: ndarjet e vajzave ruse prej djemve shqiptarë në periudhën e prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe vuajtjet, persekutimet, internimet apo dënimet e ndryshme të atyre që nuk pranuan që regjimi t’i diktonte edhe se më kë duhet të ndanin shtratin bashkëshortor. 

    Nga ana tjetër, “Paqja e përgjakur e Adamit” është romani i fundit i shkrimtarit Agron Tufa. Sipas shënimet autorial në faqen e fundit, vepra është përfunduar në Bex të Zvicrës, në shtator të vitit 2022, pra në vendbanimin aktual të autorit.

    Tema e këtij romani, në dallim nga “Ngjizja e papërlyeme”, është marrë nga aktualiteti, ku në qendër të tij është protagonisti Adam Zaganjori, një njeri i mirë, i urtë, i moralshëm, pakëz naiv si pasojë e besimt të shumtë që ka tek njerëzit, veçanërisht tek të afërmit, dhe peripecitë e jetës së tij, nga normaliteti i përditshëm në rrokullisjen e pakthim drejt fatalitetit të vdekjes, pas kalimit të mundimeve të shumta njerëzore. Në ndryshim nga romani paraardhës, “Paqja e përgjakur e Adamit” ka një strukturë rrëfimtare lienare. Ngjarjet në të fillojnë nga fillimi dhe jepen në mënyrë kronologjike drejt fundit, pa përthyerje kohore dhe hapësinore. Duke qenë poet i mirëfilltë dhe i mrekullueshëm, gjuha poetike, karakteristikë për veprat e mëparshme, ka ruajtur tek ky roman veçoritë e gjuhës së prozës, duke dhënë gjithçka me masë, pa tepri, pa ngarkesë emocionale, që vjen si pasojë e thellësisë gjuhësore apo e figuracionit të saj. Në pikënisje të këtij romani gjejmë gjurmë të zanafillës së njerëzimit, por mjeshtëria krijuese e autorit, thurja e fabulës dhe e intrigës së saj, arrijnë ta fshehin dhe ta sendërtojnë rrëfimin, duke e mbajtur lexuesin të gozhduar deri në faqen e fundit për të marrë vesh fatin e protagonistit, i cili, gjatë faqeve të romanit, shpeshherë bëhet, pa kuptuar, edhe fati i vetë lexuesit.

    Të dy romanet e shkrimtarit Agron Tufa ndërthurin fatin e individit. “Ngjizja…” përshkruan individin në diktaturë dhe shtypjen e tij në forma dhe mënyra të ndryshme, që vjen si rezultat i ingranazheve shtypëse të sistemit, ndërsa “Paqja e përgjakur…” trajton fatin e individit në bashkëkohësi, në demokraci, madje në dekadat e fundit, gjë që del edhe nga një mori shenjash tekstuale dhe elementeve të tjera.

    Elementet fantastike të “Ngjizjes së papërlyeme” (ngelja shtatzënë e Ljuba Borisovës si pasojë e gëlltitjes së dorëshkrimeve të të shoqit), janë zëvendësuar nga një realizëm therrës tek “Paqja e përgjakur e Adamit” , saqë të duket sikur gjithçka që zhvillohet është aty përbri teje, ndërsa ti vetëm pret që të mbyllësh faqet e romanit dhe ta shohësh në realitet atë që po përshkruhet.

    Shtypja dhe pafuqia e individit përballë sistemit është një ndër karakteristikat e letërsisë ekzistencialiste. Në faqet e fundit të “Paqes së përgjakur të Adamit” të shfaqet Mërsoi i Kamysë dhe vezullimet prej diellit të ngjashme me të, çka i shkaktojnë vegulli protagonistit apo reflektim në sy të elementeve metalike mbi tavolinë, gjë që shkaktojnë edhe vdekjen e personazheve.

    Jo për ta ekzagjeruar apo për të mos qenë objektiv, kur mbarova së lexuari romanin voluminoz “Ngjizja e papërlyeme” krejt natyrshëm mendova se kjo vepër, nëse do të arrihej të përkthehej në mënyrë mjeshtërore në gjuhën pritëse, do të konkuronte denjësisht në dimensionet evropiane dhe botërore të letërsisë, gjë që do t’i bënte nder kulturës dhe gjuhës shqipe, ndërsa romani “Paqja e përgjakur e Adamit” është një vepër që i qëndron mrekullisht shtratit të letërsisë shqipe dhe dëshmon edhe një herë mjeshtërinë krijuese të shkrimtarit Agron Tufa.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË