More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBehar Gjoka: Magjia e prozës kuteliane

    Behar Gjoka: Magjia e prozës kuteliane

       Vepra letrare e këtij shkrimtari ka kaluar në tre periudha pranie dhe mospranie:

        A   –   Të shkëlqimit si shkrimtar dhe intelektual i dorës së parë, me veprimtari botuese dhe studimore, letrare dhe ekonomike, atdhetare dhe sociale, që përfshin një periudhë të ndritur të historisë së letërsisë së viteve ’30 dhe ulet sipari i saj në nëntor të vitit 1944.

        B    –   Periudha e dyzuar, e heshtjes vrastare të emrit, figurës dhe veprës së gjerë letrare, një heshtje tronditëse dhe shkatërrimtare, si dhe ajo e ndëshkimit me detyrimin e përkthimit të shkrimtarëve të huaj, natyrisht më tepër për nevojat e sistemit dhe të letërsisë zyrtare, deri në vitet ’90, që përkojnë me shembjen e diktaturës.

        C   –    Rizbulimi i Dhimitër Paskos, në ta gjitha përmasat përfaqësuese, si intelektual dhe shkrimtar, e sidomos i krijimtarisë dhe kontributeve të vyera të tij, në letërsi dhe financa, në kritikën letrare dhe në përkthime, e veçmas shkëlqimi i përsëdytshëm i prozatorit, në kuptimin e kahjeve dhe prurjeve që ajo rezervon dhe shpërfaq përpara lexuesit si përvojë shkrimore.

    Çdo shqyrtim i krijimtarisë së tij letrare, ku edhe përfshihet novela E madhe është gjëma e mëkatit i çfarërdo ngjyre dhe natyre qoftë, përmbajtësor apo i domethënies, formalist ose i shprehësisë letrare, strukturalist apo krahasimtar, shqyrtimi krahasimtar, njëra nga vatrat e verifikimit të vlerësisë së letrares, megjithatë mjaft i nevojshëm dhe dobisjellës, u bë rishtas shkas për të evidentuar edhe prirjet kryesore në trajtimin e krijimtarisë, veçmas të prozës së tij, në ndërkohësi:

    Së pari: Një lexim sociologjik dhe i metodës letrare që në fakt, pa shumë zhurmë ka arritur që ta zbehi veprën e tij letrare, mjaft ndjeshëm dhe për jo pak kohë, ka rrëmihur në gjenezën, si me thënë në rrënjët burimore të prozës së autorit.

    Së dyti: Leximi i përqasjes së veprës së autorit, përgjithësisht me letraren librore, kryesisht me përqëndrim të vëmendjes në letërsinë e huaj, por krahasim i deri tanishëm, më tepër është rropatur të vërtetojë marrjen nga ana e shkrimtarit, thjesht si pohim, pa mbërritur tek argumenti i arsyeve, nivleit dhe shkaqeve të huamarrjes së teksteve të Kutelit, me disa tekste dhe autor të letërsisë botërore.

    Burimet, kryesore dhe të dëshmuara, varësisht mënyrave të leximit dhe shqyrtimeve, gjithnjë sipas realitetit verifikues, të këtij teksti që futet në llojin e novelës, më së shumti janë kundruar në disa pamje:

     –  Si një përvojë e huamarrë nga krijimtaria gojore, kryesisht e popullit shqiptar, së paku po të nisesh nga pohimet e vet shkrimtarit, i cili ka përndjekur dhe parapëlqyer krijimtarinë gojore, në poezi dhe prozë, çka zbulohet në disa nga tekstet e autorit.

     –  Si një huamarrje që lidhet, dukshëm dhe qartësisht me artin libror, ku edhe tentohet të shpërfqaet alternativa e përqasjes dhe krahasimit të ndërmjetshëm, qoftë me Biblën, por edhe me letraren autoriale, qysh me Gogolin, Tolstoin, Borgesin, Markesin, Kristoforidhin, Nolin etj.

     –   Së fundi dhe kryesisht rasti i novelës E madhe është gjëma e mëkatit, siç është lënë që të kuptohet se paskërka ndikesa të dyfishta, edhe librore, posaçërisht me romanin Drakula të shkrimtarit irlandez, Braun Stoker, botuar në vitin 1847, si dhe orale, pra nga miti rumun mbi drakulën.

    Fakti i novelës E madhe është gjëma e mëktait, veçmas kjo e fundit, që Kuteli, e shkruan vet qartazi se është mbështetur vetëm në gojëdhënat e vendlindjes së tij, pra të Pogradecit, e ndërlikon jo pak situatën e trajtimit dhe verifikimit të atij teksti, me romanin e Stokerit, gati të pagjasshëm në tekstin e novelës, kryesisht në kuptimin e një hamendje, përgjithësisht po hipotekë përqasje, të artikuluar si krahasim:

    –   Si shenjë e padiskutueshme e shtrirjes dhe pranisë së mitit edhe në folklorin shqiptar, ashtu siç edhe ka ngjarë në të gjithë hapësirën e gadishullit Iliriko – ballkanik.

    –    Si dëshmi e rishkrimit të saj nga ana e shkrimtarit, çka në fakt gati e pamundëson përputhjen e mitit, si mit i pastër rumun apo i përpunuar në romanin e Braun Stoker, si dhe në filma me të njëjtën temë.

    –   Si detaj ndërlidhës i nevojshëm dhe i pashmangshëm, pra ku shfaqet dhe shpërfaqet elementi që lëviz nga njëri popull tek tjetri, nga njëri autor tek tjetri, nga arti gojor në atë të kultivuar, por edhe anasjelltas.

    –    Si lodrim qëllimor dhe funksional i autorit, natyrisht një lojë e dyfishtë dhe e dyzuar, që presupozon dhe fakton marrjen tek miti apo oralja, tek Bibla ose romani Drakula.

    Fillesat e diskutimit të dhëniemarrjes së ndërsjellë, pra të artit të kultivuar me artin oral, mbase do të duhet të kërkohen qysh me Epin e Gigameshit dhe sidomos mjaft të prekshme me veprën poetike të Homerit. Praktika shkrimore, krahasimore dhe verifikuese, teksti dhe parateksti, burimorja dhe prurja shkrimore, simbas teorisë dhe praktikës shkrimore, vështrohen si marrëdhënie organike, mbase fundekrye kundronhen dhe pranohen si ligjësori e mbijetesës së letërsisë si mit a legjendë, si trill a rrëfim, dhe sidomos si fjalë e shkruar. Në këtë kuptim, krejt të ngushtë dhe verifikues, poemat homerike, pra Iliada dhe Odisea, kanë si paratekste mitin e Trojës dhe padyshim edhe dhjetra mite të tjera të antikitetit. Po ashtu, moria e teksteve të tragjedianëve të antikës greke (Eskili, Sofokliu, Euripidi, por edhe komediani Aristofani), kanë si paratekst veprat fondamentale të Homerit, si dhe mitologjinë e lashtë greke. Mjaft interesante, paraqitet gjurmimi i parateksteve të veprave shekspiriane, të cilat natyrshëm të çojnë, në kuptimin e mjeteve dhe frymës dramatike, tek tekstet e Eskilit, sidomos tek gojëdhënat anglike dhe padyshim edhe te gjeneza Biblike. Prapë Shekspiri mbetet Shekspir, magjistar i fjalës letrare, përsëri tekstet e tij lexohen me ëndje të veçantë. Për të kërkuar paratekstet e pamënjanueshme ndihmon sugjerimi i dhënë prej Erich Fromm: Edhe pse është e vërtetë që përmbajtja e mendimeve tona, kur jemi zgjuar, nuk i nënshtrohet kufizimeve të hapësirës dhe të kohës, kategoritë e mendimit logjik janë ato të hapësirës e të kohës.(1998: 23), tek libri Gjuha e harruar, diç sqaron nga makthi përjetues i përqasjeve të burimësisë paratekstuale. Këtij rregulli, ose siç e sugjeron Teodorov tek Poetika e prozës, ndërsa nënvizon: Ligji i mospërsëritjes (sado e vështirë që të jetë për t’u besuar se mund të imagjinohet një ligj i tillë estetik); një tekst autentik nuk ka përsëritje.(2000: 16), nuk ka shanse t’u shpëtojë as ligjërimi letrar i shqipes. Mjaft domethënëse është ideja e U. Ecos: …teksti është një makinë e keqe që kërkon nga lexuesi shumë vëmendje dhe bashkëpunim.(1997: 66), në librin Gjashtë udhëtime nëpër pyjet narrative. Situata e teksteve që mbindërtohen si paratekste, apo përzierja e dy fakturave burimore dhe autoriale, nuk prek ase tanon tekstin kutelian:

    Së pari: Dyfishimi mbindërtues është kapilari i pandërprerë i letërsisë si univers i mëvetësishëm.

    Së dyti: Sprova letrare përtej kohore dhe hapësinore si rimarrje e pashmangshme.

    Së treti: Si ligjësori e brendshme, pavarësisht gjuhës, e magjisë letrare, e cila nuk mund të kuptohet pa praninë e mbindërtimit të zanafillës.

    Prandaj, teksti duhet trajtuar siç e meriton, që të shmanget ajo çka paralajmëron tek Leksione Amerikane Italo Calvino: …se sa shokantë, janë ata që mendojnë ta anatemizojnë tekstin, ata që e teprojnë me close reading (1997:37), si për të shpëtuar nga makthi i kërkimtarisë së tepruar, i kërkimtarisë së pamabarueshme të letrares, të artit që i tejkalon zakonisht përmasat e matshme. Përpjekja e përqasjeve ndërtekstore, në vargje, prozë a dramatikë, do parë në raport me vetveten, ose siç e formulon Xhonatan Culler: …se kuptimi i tekstit është përvoja e lexuesit (një përvojë që përfshin mëdyshjet, hamendjet dhe vetëndreqjet).(2001: 71), në librin Teori Letrare. Teksti letrar, pra proza e Kutelit, pavarësisht rrugëtimit nuk ka gjasa t’u mëshihet dy situatave:

    -Kontekstit shkrimor që mbart vulën reale dhe mbetet e palëvizshme.

    -Kontekstit receptiv (marrës), që është një ndërkohë e pambarimtë dhe krejt dinamike.

    Letërsia, qysh prej lashtërie e gjer në modernitet, ka vijuar frymën e saj thelbësore si një tekst i parateksteve të riformuluara. Teksti ka një paratekst, veçse gjurmimi i të dytit kuptimësohet nëse lexohet dhe shijohet teksti, proza e Kutelit, që bart shenja autentike vlershmërie.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË