More
    KreuLetërsiBibliotekë"Viçi i artë", tregim nga Gani Mehmetaj

    “Viçi i artë”, tregim nga Gani Mehmetaj

    “Ti vet e njeh këtë popull dhe e di që ai është i prirë ndaj së keqes”, i tha Aroni Moisiut (Nga Bibla).

    Gjetja e viçit të artë i hutoi banorët e katundeve përreth qytezës së vjetër, të braktisur prej kur nuk mbahej mend, e zgjoi nga letargjia edhe qytetin provincial rrëzë bjeshkëve të larta. Çdo gjë nisi me pëshpërimë, ndërsa u rritë si orteku i borës. Gratë e morën vesh të parat, burrat u shastisen, fëmijët u shushaten nga frika, foshnjat qanin si asnjëherë më parë.

       Viçin e artë e nxorën nga rrënojat e qytezës së braktisur. Do të mbetej nën dhe, edhe mijëra vjet të tjera, sikur të mos vinin të panjohurit, që thyen kryqet mbi varre, e shkulën kembonaren gjysmë të rrënuar, prenë pemët mijëravjeçare, hapën gropa si gojë përbindëshi. Vendësit i shihnin me habi të huajt që prishnin varre, përmbysnin kryqe e nxirrnin eshtra, që nuk respektonin shenjtëri as nuk i druanin mallkimit. Legjenda fliste për qytezën- vend të shenjt po aq sa të mallkuar. Vendësit më shumë nuk sqaronin. Ua kishin thënë të parët se qyteza e vjetër nuk duhej të prekej. Dy herë erdhën ushtritë e huaja, dy herë rrëmuan në qytezë, morën gjëra të shenjta, lanë gropa të hapura që i mbuloi shiu, por nuk u shkoi gjatë, ushtritë e huaja u bënë hi e pluhur.

       Fëmijët nuk shkelnin mbi këto varre, nuk preknin rrënojat e kishës, të rriturve nuk u shkonte ndër mend të ndërtonin shtëpi të reja me gurët e rrënojave. Druanin se mund të zgjonin a të trazonin shpirtrat e fjetur. Kur lopët kullosnin mbi varre, barinjtë e vegjël s’guxonin as t’i dëbonin.

       Për viçin e artë secili përpiqej të mësonte më shumë. Disa thoshin se ai sillte mbrothësi, shumica frikësoheshin se ai do t’u sillte prapsi, disa i druanin mallkimit, tw tjerwt prisnin të përmbytej bota, ashtu u kishin thënë të vjetrit, apo mbase e kishin lexuar diku, nuk e sqaronin dot ku, sepse mjegulla kishte rënë mbi kujtesën e tyre. Gjëra u ngatërroheshin, kohërat u përziheshin, nuk e dinin mallkimi për viçin e artë ishte para apo pas, ndërsa emrin e atij para e pas nuk ua nxirrte goja, sepse edhe atë e kishin braktisur. Dinin që viçi i artë është mallkim, por pse është mallkim nuk e dinin. Dinin  se e tradhtuan dike, prapë pse e tradhtuan nuk e kapnin. Tisi i mjegullës u kishte rënë mbi kujtesë. Sa më shumë përpiqeshin ta hiqnin rrjetin e merimangës nga truri, më shumë u rrëshqiste legjenda, që  e mbështillte e fshehta.

       Për të parë viçin e artë vinin kureshtarë nga anë e anës, i afroheshin vjedhurazi rrethojës, ku bëheshin gërmime misterioze, përpiqeshin të ngriheshin mbi maje të gishtave që të shihnin më shumë, mirëpo të huajt i dëbonin më egërsi. Askush nuk e dinte çfarë bënin njerëzit e panjohur, habiteshin pse e prishnin qetësinë varreve të vjetra.

       Legjenda tjetër ishte edhe më e frikshme. Prapa viçit të artë renditeshin të vrarë e të gjymtuar, kundërmonin kufoma ende të patretura në dhe; për viçin e artë vëllai vrau të vëllanë, tata të birin. Një mallkim qëndronte ende pezull mbi ta.

       – Mund të shkrepte reja për s’kthjelli, e t’i banë hi e pluhur mekatarët- parathoshte Fana e Ukws, plaka më e vjetër e qytezës. Fana mbante në mend ushtrinë e parë që erdhi me egërsi, vrau e dogji, ndenji një kohë, rrëmoi varret e qytezës së vjetër, mori kryqe të praruar, gjëra të shenjta e iku. Ushtria u bë hi e pluhur nga ushtria tjetër edhe më e fortë, që po ashtu preku mbi varre. Plaka mbante në mend se ata e morën edhe kumbonën e madhe të kishës. Nuk shkoi shumë kohë dhe ushtria u shkri. Fana ishte e sigurte se shkreptima do t’i digjte të huajt që rrëmihnin në varret e vjetra, do t’i zinte mallkimi edhe vendësit që lejonin të përdhoseshin varret e faltoret e vjetra. Por të huajve askush s’ guxonte t’u kundërvihej.

       Të panjohurit vazhdonin punën e tyre. Ata s’kuptonin gjuhën tonë, as nuk dëgjonin gjë. Krijuan një mur me vendësit, që s’kishte kush e shpërthente. Ata nxorën shumë eshtra mbi dhe. Dikush tha se habiteshin me numrin e madh të eshtrave. Një tmerr kishte ndodh në këtë qytezë mijëra vjet më parë, një mallkim, murtajë, kolerë apo sëmundje e dërguar nga qielli që e goditi qytezën e mirëqenies e të bollëkut, qytezën e banjave termale me mermer e mozaik shtruar, me ujët e ngrohtë që shëronte njëqind e një sëmundje. Por njeriu si njeriu, gjithnjë i pakënaqur me ato që ka, bëri një përdhosje. Cila ishte përdhosja, askush nuk e nxirrte nga goja, ndërsa të gjithë e dinin.

    -Koftëlargu i futi llugave, – thoshte gjyshja ime.

    -Viçin që e maruen n’vend t’zotit, e bani maraz zotin, – fliste plaka tjetër që nuk ishte as e kësaj feje, as e asaj feje, ndërsa zotit i falej me devotshmëri.

       Kronikat e vjetra, që thuhet se njerëzit e ditur i nxorën nga bodrumet e lagështa të qendrave më të ditura, nuk e thoshin se e ka goditur qytezën e banjave termale murtaja, kolera, shkreptima nga qielli a lufta e përgjakshme. Dhe megjithatë eshtrat dilnin si patatet qindra metra përtej qytezës, madje përtej varrezave të shënjuara. Kështu u gjet edhe viçi i artë, kur gërmuesit nxorën eshtrat e fundit, nën një sarkofagë mermeri të gdhendur me mjeshtri.

    Shkëlqimi i bëftë  i verboi punëtorët e parë, disa thonë i goditi verbimi i përjetshëm, të tjerët i trallisi sa nuk mund ta preknin me dorë shtatoren e floririt, sepse ua digjte duart sikur të dilte nga furra e gëlqeres. Ata që u vinin në ndihmë punëtorëve, të mallëngjyer nga klithmat, pësonin fatin e dy grupeve të mëparshme. Rrëzëllima lëbyrëse e ndriçoi gropën e madhe, u përhap kodërvarreve, shtriu ndriçimin luginës së Drinit. Drita e fortë  nga sarkofagu u ngjitë në qiell.

    Pas kësaj qytezën e vjetër e mbuloi misteri. Policët nuk lejuan kureshtarë të afroheshin, atyre më të guximshmeve një herë u fishkëllenin thekshëm, pastaj u afroheshin, i mbërthenin për supesh dhe i nxirrnin xhadesë së vjetër. Megjithë ndalesat, kureshtja e vendësve shtohej. Ndërkaq flitej se eshtrat që u nxorën u ekspozuan disa ditë, pastaj i dërguan në kryeqytet. Çfarë do t’ u bënin të vdekurve të para dymijë vjetësh, askush nuk e mori vesh. Sa më shumë që hapeshin varre aq më shumë mistifikohej qyteza e vjetër.

    Kalonin javë e muaj, arkeologët bënin punën e tyre, banorët afër qytezës termale punonin nëpër ara, mbrëmjeve flisnin për atë që po bëhej prapa rrethojës në qytezën e braktisur. U fol edhe për varrin e mermerit fisnik të princit e princeshës që u gjetën të përqafuar. Gratë ishin ato që ua nxisnin imagjinatë burrave, i bënin të përflakeshin. Por varri i princit e princeshës të përqafuar përjetësisht ra nën hijen e viçit të artë.

     Ajo që i habiste dhe i zemëronte të gjithë-viçi i artë nuk qenka djegur, shkatërruara as shkrirë, sikurse thoshe libri i shenjtë, sepse dikujt i ra në mend të kërkonte librin e shenjtë, megjithëse  më parë nuk kishte shkelur në kishë.

    “Ti vet e njeh këtë popull dhe e di që ai është i prirë ndaj së keqes”, i tha Aroni Moisiut, citonte prifti i katundit fqinj, ndërsa u ula në cep të karriges për ta dëgjuar, sepse dikush tha se prifti i katundit fqinjë  do të lëshonte mallkimin për ata që do t’i faleshin viçit të artë, në vend t’i faleshin zotit. Nuk kuptoja asgjë, me hutoi prifti, predikimin e të cilit nuk e kuptova, me hutoi edhe më shumë i moshuari që pas meshës tha me shpoti:  – eu sa herë e lamë Moisiun e shkum mbas djallit! Djajtë po na prijnë edhe tash.

       Njerëzit i mbërtheu lemeria kur morën vesh se të parët e tyre në qytezë qenkëshin fal para viçit të artë. «Bretkosa e peshq binin nga qielli», rrëfente legjenda. «Toka e qielli u bashkuan», vazhdonte tutje. Dikush tha se e braktisen shpëtimtarin dhe shkuan pas qoftëlargut. Kështu e kuptuan fjalën e priftit që u përfol gjatë  edhe nga ata që nuk shkonin kurrë në kishë.

    Gjyshja ime priste kob e mallkim.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË