More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFatbardh Amursi (Rustemi): Guri i pendesës

    Fatbardh Amursi (Rustemi): Guri i pendesës

    Sikurse dihet, Namik Dokle, në monizëm ka shërbyer si gazetar, në pluralizëm si politikan dhe së fundi, si shkrimtar. Aktualisht i është shtuar numërit të të penduarëve, që janë marrë me politikë. Pandemia, thotë ai në librin “Covid 1984”, botim i “Toenës”, u kthye në pendimi. Ndryshe nga të penduarit e mafies, shkrimtarët rrëfehen para lexuesit, duke mos kursyer as veten. Një shembull i admirueshëm është ai i Fatos Kongolit, i cili pohon se ka dëshmuar në gjyq ndaj një kolegu të shtëpisë botuese “Naim frashëri”. “Poeti gjerman, Von Platen, i cili nga një pendesë e madhe kishte shkuar enkas në një lagje kolore, e kishte marrë sëmundjen dhe kishte vdekur. Dhe e gjitha kjo nga një pendesë për grindjen e tij me potin e madh Hajnëri Hajne.”-shkruan autori në roman, duke më kujtuar kritikun Sent Bëvi, i cili, ia nxiu jetën Balzakut, por, në mortin e gjeniut i vuri supin arkivolin dhe nuk iu shqit deri në varrezë. Vajtimi i gabimeve të jetës nuk vlejnë, na këshillon autori. Gjithsesi: “Është e mërzitshme jeta pa pendesë.”-shton ai.)

    Me fjalën merret gazetari, parlare-parlare parlamentari, sikurse dhe shkrimtari. Pra, një jetë që, Dokle, i kushtohet fjalës, si: ujë për të larë, ujë për të pirë, ujë i bekuar apo ujë në gazetë, fjalime e libra? Nuk ka gjë tjetër ku njeriu ta shpreh veten, se sa tek e shkruara, ndaj në libër marrin përgjigje pyetjet e më sipërme. Romani nis me një subjekt të thjeshtë, i cili ndërlikohet rrugës, por, pavarësisht mbivendosjeve të episodeve, rrëfimi rrjedh pa e humbur qartësinë dhe pa iu rënduar subjektit. Romani është modern pa modernizma. Me rrëfime emocionale pa rënë në narrativë sorollatëse, me një kompozim pa hyçkla, ku ndihet dora e një të kulturuari pa e përdorur atë si stoli. “Me kalimin e viteve ndryshon aroma e frutave. “Ndoshta ndyshon nuhatja jonë”, mendoi. Kështu na ndodh edhe me shumë ngjarje të jetës, pas njëfarë kohe i shikojmë krejt ndryshe nga mënyra apo këndvështrimi që i kemi parë.” Aftësia për të kapur dialektikën e ndryshimeve, qofshin këto: sociale apo psikologjike, për më tepër kur flitet me alarm për ndryshimet klimaterike, “të ecësh me kohën” thuhej dikur nga ata që mbetën pa kohë, do e quaja “gurë prove” për shkrimtarin, duke i munguar kjo veti gazetarit që ka preferuar “gurët dekorativë” apo dhe politikanit i joshur pas “gurit të qoshes”? Ky është evolim, pa trukuar me veten, meqë sot po flitet edhe për gjuhën e trupit. Kush ka jetuar në dy kohë, përfshihet vetvetiu në dramën e mëdyshjes, sikurse ndodh dhe me personazhin e romanit: “Ndonjëherë e shikonte veten në dy trupa, njëri që pushkatohej dhe tjetri që kishte ngrirë aty për të parë vrasjen e vetvetes.” Kjo mëdyshje nuk shfaqet tek fajtorët, por, kryesisht tek viktimat, të cilat, edhe kur u vjen rasti të hakmerren: ndjehen të kapura, ngaqë persekutori ka mundur t`i inkriminojë. Gjithkush përjeton dramën e vet, që ia ka shkaktuar një tjetër, i cili e bën jetën pa dilema. Dikur dëmtoheshe dhe duke të lavdëruar, sikurse është rasti i gazetarit që i lexonte Enver Hoxhës shtypin e ditës. (Shkrimtarët kuksian janë të vetmit që kanë një qytet të fundosur nën ujë dhe një mbi ujë, duke na kujtuar “teorinë e ajzbergut” në art, në raportet e së dukshmes me të padukshmen, të shkuarës dhe të sotmes. Siç kemi Drinin e Bardhë dhe Drinin e Zi ka dhe “ujëra të bardha” dhe “ujëra të zeza”, ku realiteti bardhezi dominon edhe në kohën e kolorit. “E kaluara vret si pushka”-thotë një nga personazhët e romanit, ku gjendet dhe çelësi i të sëmurëve që hidhen nga katet e spitalit. E vërteta e vetvrasjes fshihet pas Covidit, duke i kapur telashe një të pafajshme, si doktoresha Bora, kur vrasësi real i viktimës, vjen prej së shkuarës që vret. Kjo gjetje është shtysa e të gjitha kërkimeve për të shkuar tek e vërteta dhe Dokle e përdor me efikasitet mjeshtëror.)

    Një i sëmur nga covidi hidhet nga kati i tretë i spitalit. Më parë se trupi të çohej në morg mbërrijnë gazetarët, gjithmonë me etjen ndaj “kronikës së zezë”, nisur dhe prej faktit që në Shqipëri është bërë e zakonshme, të bëhet politikë me vdekjen. Ndërkohë drejtori i spitalit bën një mbledhje urgjente, duke i kërkuar llogari doktoreshës Borjana Damani se ku e kishte bluzën e bardhë, kur duhej të ishte në krye të detyrës, ndërkohë që pacenti i saj vetëvritet. Në morg isha, i përgjigjet Bora. Bluzën e bardhë e kishte hedhur të mbulonte kufomën e të ndjerit, për të mos u kthyer në një kavje për kamerat. (Drejtori, Bernard Bimo, aktori i dështuar që ishte bërë mjek, mezi e kishte pritur rastin të hakmerrej, pasi kohë më parë, kur nga Ministria e Shëndetësisë kishte ardhur një ekip kontrolli për zbatimin e orarit, ajo e zemëruar qe tallur me ta, ngaqë ishin krejt indiferent për sistemin e ngrohjes, ku sallat e operacionit kishin zënë myk, se kompania që furnizonte spitalin me ushqime u jepte të sëmurëve pula të krimbura dhe patate të kalbura. Tek shefja e pavionit drejtori ndjente rivalen me një shkallë të lartë rrezikshmerie, ndaj aktorit të dështuar që qe bërë mjek, i duhej të bënte politikë me vdekjen për ta eliminuar kundërshtaren. Në këtë rast nuk i duhej përballja me profesionin e mjekut, veçse të aktronte. Hidhet dhe një pacient i dytë, ku e keqja e shefes dyfishohej dhe e mira e drejtorit ngrihej në katror. Doktoreshë Bora qe kthyer në një grënzë, e cila: “Sipas ligjeve të aerodinamikës është e pamundur që, me përmasat e saj, të fluturojë.” Të fluturosh duke sfiduar aerodinamikën është veti e supermenit, por në këtë rast e manifeston këtë dukuri një mjeke pasionante. Pickimi i doktoreshës vihet përballë kafshimit të drejtorit, i cili merr dhe mbështetjen e kryeministrit, duke e shkarkuar nga shefe e pavjonit, e paragjykuar si fajtore, edhe prej medias, për rastet e vetëvrasjeve, që ndodhnin kudo në botë, ku fajsia nuk binte mbi mjekët. Njësoj, si t`i kërkoje llogari mjekut personal, pse ish kryeministri Shehu vrau veten?! Nëse do të shkatërrosh një njeri, thotë shkrimtaria ruso-amerikane Ayn Rand, mvishi një faj. (Për inerci, dënimi i të pafajshmëve në diktaturë, përshfaqet dhe në demokraci, se: ata që bëhen ofiqarë e trashgojnë mentalitetin e dhunuesit, ngaqë posti blihet, dhurohet dhe shumë rrallë meritohet. Në një shoqëri postkomuniste: “Të jetuarit me ndjenjën e fajit ishte diçka e tmerrshme”, shkruan autori. Problemi nuk ishte tek të njollosurit, por tek ata që të bënin pis, të cilët për nga pastërtia e figurës ia kalonin dhe shenjtëve.) Doktoresha e infektivit nuk tenton të kërkojë të drejtën e saj në instancat shtetërore, pasi shtegu i komunikimit rezultonte i bllokuar, që nga drejtori deri tek kryeministri. Ky shteg është i përngjashëm me tubacionet e ajrimit në tunelet nënujore. Nëse një me covid shpëtimin e gjen tek bombula e oksigjenit, një kryeministër e gjen shpëtimin vetëm duke pastruar tubacionet e ajrimit. (Në demokraci nuk funksionon që rrugët e kalimit të karvanëve të ruhen nga plaçiktësit.) Pa dashur, heroina e romanit, kthehet në një investigatore, duke u përfshirë në labirinthet e jetës së pacienteve të saj. “I qenë lehtësuar supet nga emri i rëndë “shefe” dhe mund të lëvizte më lirshëm në ujërat e jetës së vet.”-na përditëson autori. “Më vonë e mori vesh se profesori qe internuar për nëntë apo dhjetë vjet, vetëm pse në atë fshat kishte zbuluar një sëmundje, të cilën të tjerët, ata të shtetit, nuk donin të pranonin.”-shkruan autori për profesorin e vjetër, i të njëjtin fat me doktorin e dramës së Ibsenit “Armiku i popullit”, ngaqë denoncoi ujin e helmuar të një llixhe, ku njerëzit shkonin të kuroheshin. Sipas të rejave të fundit të virologjisë disa lule dhe barishte kishin lidhje me disa psikoza njerëzore. Profesori zbuloi se sëmundja shkaktohej nga ndalimi i dashurisë së të rinjëve të fshatit, prej ushtarëve që ruanin kufirin e shtetit, dhe, për këtë arsye ndalonin dhe daljen e djemëve në dritaret e vajzave, për të folur dhe për t`u përkëdhelur me to. Ai kishte dëgjuar për herë të parë për një lloj bari që quhej strashec, të cilin plaka e Bukojnës e përdorte për fëmijët e frikësuar… Frika e fëmijëve u zhduk, por e burrave jo.”-del në përfundim shkrimtari. Në fakt, frika në diktaturë nuk kursente askënd, por ajo u kthye në stres në demokraci. 

    Por, Covidi që iu turr botës si një flamë, nuk kishte nevojë të zbulohej, edhe pse rrethohej me misterin se kush ia lëshoi botës këtë kolerë, ku teoritë konspirative po krijonin idenë se njerëzimi ishte lënë i vetëm nga qeveritë e tij, se njerëzit e dijes po komplotonin së bashku me mafien dhe kompanitë e barnave. Këto i thoshte mjeku i dështuar i bërë drejtor. Bota nuk po rrotullohej më në boshtin kozmik, por në diametrin e një shishke të vogël vaksine, shprehet autori. (Shishkën me helm piu Sokrati, shishen me helm piu në Hagë para trupit gjykues dhe krimineli i luftës, kroati Slobodan Prajlak. Mos vallë të dy duhet të prehen në një altar?) Covidi po jepte çrregullime mentale si në zgjimin e kompleksit të frikës, turpit dhe pendesës. I vetmi që s`vuante prej asnjërës prej këtyre të këqijave ishte sigurimsi Zenun Vëngu, i krahasuar me gjarpërin e Galapagos, ishulli, ku Darvini kishte studjuar origjinën e specieve dhe kishte nxjerrë teorinë e tij të evolucionit, i cili mbahej i paprekur dhe mbrohej nga UNESKO, por që gjarpëri, i futur fshehurazi nga dikush, mund ta shkatërronte atë areal i ruajtur prej qindra vjetësh. “Po pse po më qarkulloni?”-u thotë sigurimsi Zeno, kur po e çonin në një dhomë të një pavioni tjetër. Gjithkush mund të ishte i lëvizshëm në këtë botë, veç tij. Si në diktaturë dhe në demokraci pushteti i sigurimsit Vëngu mbetej i njëjtë. Atëherë e ushtronte në emër të popullit dhe tani të vetes. Dje duke urdhëruar mvartësit dhe sot duke u përdorur atyre dosjet. “Ah, si nuk mora më shumë dosje”, ishte ankesa e tij. “Nuk e hanë më “Koromanen” thatë, por e shoqërojnë me “Rrush”, “Qershi” dhe, kur e teprojnë, i japin edhe “Dajës” sa për të kërruar “Sqepin”. Bërthamat që ngelen nga cokatja e “Qukapikut” mblidhen në një “Trastë” ngarkohen në “Kalë Shale” dhe dërgohen në “Polin e Veriut”.”-ironizon autori duke krijuar këtë fabule më pseudonime fuksash. “Unë hoqa nënën tënde nga internimi, unë i gjeta shtëpi në Tiranë, unë kam qenë engjëlli mbrojtës i yti”-i drejtohet përdhunuesi djalit të saj, që kish ardhur të përballej me persekutorin e prindërve të tij. “Zambaku” ishte pseudonimi i nënës sate. Ajo e denoncoi babanë tënd. Gjeje tani se cili nga ne është mashtruesi i mutit! Dhe zhdukmu nga sytë!” Ndryshe nga shoku i tij, i cili për shkak të punëve të zeza që bënte, kishte fshehur identitetin, por që hakmerrej ndaj fisit që ishte në gjak, duke shtënë në dorë femrat e tyre, Bekimi braktis të ëmën.

    “Ç`faj kanë librat?”-i thonë familjarët sigurimsit Vëngu, i cili bënte kontrollin rutinë në shtëpinë e të arrestuarit. “Ata e kanë fajin, për më tepër që në rafte nuk ka asnjë vepër të shokut Enver.”-ishte përgjigjia. Por, pikërisht librat fajtorë, i përvetëson duke i vendosur në raftet e bibliotekës së tij personale. Ishte një imitim i udhëheqësit, që preferonte të rrethohej nga librat. (Ata hiqen sikur duan librat duke luftuar autorët. Kjo histori vazhdon edhe sot, kur sheh ofiqarë në promovime librash, duke mos i lexuar ato.)

    “Kam shtatëmbëdhjetë orë që kam vdekur dhe akoma s`po më varrosin.”-thotë përkthyesi i spanjishtes, Petro Murra. “Mua më vuri dorën në sup dhe më shpëtoi, por për supin e tij nuk u gjend asnjë dorë.”, shprehet Zizja, e braktisur prej të birit, duke kërkuar dhe ajo vdekjen. “Mos e ka shtyrë ai?”, ngre ajo dyshimi për vdekjen e përkthyesit të spanjishtes. Zenun Vënga ishtë një vrasës serial, pasi e gjitha jeta e tij ishte ngritur mbi krimin, që, për turp të kësaj shoqërie, që hiqet humane, i toleron vrasësit. Ndoshta ngaqë është inkriminuar aq shumë, dhe pendesa mund ta shpjerë në vetëvrasje?! Nëse në diktaturë flitej për “gurin e provës”, në demokraci do përmendej “guri i pendesës”. Sipas një zakoni poshtërues fetar mëkatari për të shlyer fajin duhet të mbante mbi kurriz Gurin e Pendesës dhe të sillej rreth kishës me të. Katoliku, Nikollë Lesi, rrëfen një histori në Vatikan, ku politikanë dhe gazetarë kishin patur një takim me Papën Gjon Palin II. Pasi mbaruan takimin, gjatë shëtitjes në oborr, shoqëruesi u tregon Gurin i Pendesës. “Nëse e prek dhe thua: “Zot më fal pë gabimet që kam bërë”, ato të falen. Nëse gënjen ngrin dhe ngelesh aty.” Sapo dëgjuan këtë shpjegim, askush nuk e preku dhe të gjithë ikën njëri pas tjetrit. Shoqëruesi i drejtohet Lesit: “Delegacion më mëkatarë se ky nuk ka hyrë ndonjë herë në Vatikan.”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË