More
    KreuIntervistaKufijtë e letërsisë në Ballkan: Bisedë me autorët Drago Jančar nga Sllovenia,...

    Kufijtë e letërsisë në Ballkan: Bisedë me autorët Drago Jančar nga Sllovenia, Dragan Velikić nga Serbia, Kalin Terziyski nga Bullgaria, Mehmet Kraja dhe Jeton Neziraj nga Kosova, Nikola Madzirov dhe Nurie Emrullai nga Maqedonia e Veriu si dhe Stefan Çapaliku nga Shqipëria

    Gjithashtu mendime nga përkthyesit Ben Andoni, Nikollë Berisha, Milena Selimi dhe Rusana Bejleri.

    përgatiti Andreas Dushi

    Në numrin e fundit për vitin 2022, ExLibris prezanton rubrikën e re ExLibris Forum. Herë pas here, tematika të caktuara do të diskutohen mes disa njohësve të tyre dhe specialistëve të fushave ku të këtilla tematika zënë vend. E para është Kufijtë e letërsisë në Ballkan.

    Realiteti gjeopolitik i gadishullit tonë, duhet të jetë edhe realiteti letrar i tij? Pesë çështje të lidhura me këtë, si i mendojnë shkrimtarë nga Sllovenia, Bullgaria, Serbia, Kosova, Maqedonia e veriut dhe Shqipëria? Po përkthyesit e këtyre shkrimtarëve në shqip apo të letërsisë shqipe në bullgarisht?

    ExLibris Forum i parë ndahet në dy panele pra, i pari me shkrimtarë e i dyti me përkthyes. Mendimet janë nga më të ndryshmet, shpesh ai i njërit kundërshton të tjetrit… Por këtu qendron e veçanta!

    Si e shohin raportin mes letërsisë dhe kufjive dy shkrimtarë të Kosovës, Mehmet Kraja – kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, shkrimtar me një karrierë të shtrirë ndër dekada dhe Jeton Neziraj – dramaturgu shqipshkrues më i suksesshëm ndërkombtarisht; si e shohin dy shkrimtarë që banojnë në Maqedoninë e Veriut, Nikola Madzirov i kombësisë maqedonase dhe Nurie Emrullai, shqiptare e Maqesonisë; si e sheh një shkrimtar serb si Dragan Velikić, një bullgar me jetë të larmishme si Kalin Terziyski, një slloven i përmendur edhe si kandidat i mundshëm për “Nobel” si Drago Jančar dhe një shqiptar, akademik i asociuar, profesor për vite me radhë, shkrimtar e studiues, i përkthyer në pjesën më të mirë të gjuhëve ballkanike dhe të tjerave më kryesore evorpiane si Stefan Çapaliku?

    Falenderoj përzemërsisht secilin prej të pranishëmve që ftesën time e pranuan menjëherë, sidomos Milena Selimin e cila përktheu nga bullgarishtja përgjigjet e Kalin Terziyskit dhe Enxhin që më ndihmoi me përkthimin e përgjigjeve të të tjerëve nga anglishtja, sidomos të Nikola Madzirov.

    Paneli I i ExLibris Forum

    “Kufijtë e letërsisë në Ballkan”

    Shkrimtarët ballkanikë

    Drago Jančar është romancier, dramaturg dhe eseist slloven; shkrimtari slloven më i përkthyer. I vetmi shkrimtar që ka fituar katër herë çmimin prestigjioz Kresnik për romanin më të mirë të vitit, së fundmi me “Dhe dashuria gjithashtu” në 2018. Jančar ka marrë disa çmime letrare, si: Çmimin e artit më prestigjioz të Sllovenisë, Prešeren në 1993; Çmimin Europian për Prozën në Augsburg në 1994; Çmimin austriak Jean Améry në 1997; Çmimin Kresnik për romanin më të mirë të vitit në 1999, 2001 2011; Çmimin gjermano-austriak Herder për Letërsinë në 2003; Çmimin Europian në Letërsi (EUPL) në 2011; Çmimin francez Prix de l’Inaperçu në 2012 dhe Çmimin francez të Librit më të Mirë të Huaj në 2014. Në vitin 2020 ai mori Çmimin Shtetëror austriak për Letërsinë Europiane. Është Doktor Nderi në Universitetin e Mariborit.

    Dragan Velikić u lind në Beograd në 1953. Ai është diplomuar për Letërsi të Përgjithshme në specializimin e Teorive Letrare në Fakultetin Filologjik të Beogradit. Editorialist në NIN, Vreme, Danas, Reporter dhe Status. Ai ishte Ambasador i Republikës së Serbisë në Austri (2005-2009). Jeton në Beograd si shkrimtar i pavarur. Romanet e botuara: Via Pula (Çmimi Miloš Crnjanski), Astragan, Hamsin 51, Muri i Veriut, Sheshi Dante, Çështja Bremen, Dosja Domasevski, The Russian Window (2007 – Çmimi “NIN” për Romanin më të Mirë, Çmimi “Meša Selimovic” për librin më të mirë atë vit, Çmimi i Europës Qendrore për Letërsi, Bonavia. Librat e tij janë përkthyer në pesëmbëdhjetë gjuhë europiane. Ai është fituesi i Çmimit të Qytetit Budapest për vitin 2013.

    Kalin Terziyski u lind në mars 1970 në Sofje të Bullgarisë. U diplomua për Mjekësi dhe punoi si psikiatër në spitalin “Shën Ivan Rilski”. Gjatë kësaj kohe ai shkroi një sërë tregimesh dhe tekstesh alternative për gazeta dhe revista. Në fillim të viteve 2000, braktisi karrierën mjekësore për t’iu kushtuar të shkruarit. Vepra e tij përfshin romane, përmbledhje me poezi, si dhe përmbledhje me tregime të shkurtra. Përmbledhja me tregime “A ka njeri që ju do?” (2009), është vlerësuar me Çmimin Europian në Letërsi (EUPL) në vitin 2011.

    Mehmet Kraja u lind më 1952, në Krajë, afër Liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi. Shkollimin e mesëm e kreu në Ulqin, ndërsa të lartin në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 1974-76 ishte kryeredaktor i gazetës së studentëve “Bota e re”. Më pas punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën “Rilindja”. Gjatë viteve 1992-99 jetoi dhe punoi në Tiranë. Pas luftës ishte redaktor i kulturës në të përditshmet “Zëri” dhe “Koha Ditore”. Që nga viti 2002 është edhe ligjërues në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ku jep lëndën e skenarit të filmit dhe prej vitit 2020, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Është autor i pesëmbëdhjetë romaneve, disa vëllimeve me tregime si dhe disa dramave.

    Jeton Neziraj ka shkruajtur rreth 15 pjesë teatrale të cilat janë vënë në skena të vendeve të ndryshme në Europë dhe SHBA. Shkrimet dhe dramaturgjia e tij është përkthyer në më shumë se 10 gjuhë, duke përfshirë këtu: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, sllovakisht, maqedonisht, sllovenisht, kroatisht, rumanisht, spanjisht, turqisht, bullgarisht, serbisht si dhe në gjuhën boshnjake. Drama e tij “Liza po fle” fitoi çmimin e parë në një konkurs kombëtar për shfaqjet teatrale shqiptare, një konkurs i organizuar nga shtëpia botuese “Buzuku” si dhe pati premierën në Teatrin Kombëtar të Kosovës në 2007. Ai ka shkruar shumë skenarë tetral të cilët janë prodhuar dhe ekranizuar më pas në Kosovë. Ai ka shkruar skenarin e filmit me metrazh të gjatë “Donkey of the border”, i cili pati premierën e tij në tetor 2010 dhe që prej atëhere është shfaqur në dhjetëra festivale ndërkombëtare. Ai ka punuar ngushtësisht me teatro dhe kompani si përshembull kudo në Evropë.

    Nikola Madzirov është poet, eseist dhe përkthyes. Ka lindur në vitin 1973 në Strumicë, Maqedonia e Veriut. Poezitë e tij janë përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë. Për librin “Guri i zhvendosur” ka fituar çmimin e poezisë “East European Hubert Burda” dhe çmimin më prestigjioz maqedonas Vëllezërit Miladinov. Çmimin Studentski Zbor dhe çmimin Xu Zhimo Silver Leaf për poezinë europiane në King’s College, në Mbretërinë e Bashkuar. Kompozitorët amerikanë Oliver Lake, Michael League dhe Beça Stevens kanë kompozuar këngë bazuar në poezitë e Madzirov. Fitues i bursave ndërkombëtare: Programi Ndërkombëtar i Shkrimit (IWP) në Universitetin e Iowa-s; DAAD në Berlin; Marguerite Yourcenar në Francë ose Civitella Ranieri në Itali. Nikola Madzirov është një nga koordinatorët e rrjetit ndërkombëtar të poezisë Lyrikline, me seli në Berlin.

    Nurie Emrullai u lind në Kërçovë, më 28 tetor të vitin 1992, të Maqedonisë së Veriut. Ka mbaruar fakultetin e Filologjikut, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin “Fadil Sulejmani” – Tetovë dhe ka përfunduar Masterin për Letërsi po aty. E punësur si mësimdhënëse në shkollë fillore dhe si asistente pranë Universitetit “Fadil Sulejmani”- Tetovë.

    Tani është kandidate e Doktoratës në Fakultetin Filologjik “Blazhe Koneski” Shkup.

    Në vitin 2018 ishte përfaqësuese e letërsisë në Forumin e Literaturës CEEC që u mbajtë në Ningbo të Kinës. U përzgjodh në Karvanin Poetik që u mbajtë në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut në dhjetor të 2018.  Ishte pjesë e edicionit FemArt2019, në Kosovë. Qe pjese e Festivalit të Netëve Strugane të Poezisë, 2021, pjesë e Festivalit të letërsisë “Polip”, 2021. Poezia e saj është vlerësuar kombtrarisht dhe ndërkombtarisht me çmime të ndryshme.               

    Stefan Çapaliku u lind në Shkodër në vitin 1965. Është shkrimtar, profesor dhe publicist. Ai u diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës në 1988 dhe pasoi me studime të mëtejshme në Itali, Republikën Çeke dhe Angli. Dramat e tij janë interpretuar në disa festivale ndërkombëtare të teatrit, ku atij i janë dhënë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Pjesë nga veprat e të tij në poezi, prozë, drama dhe ese janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, polonisht, bullgarisht, serbisht, maqedonisht dhe turqisht. Stefan Çapaliku u shpall nga Ministria e Kulturës dhe organizata të tjera si dramaturgu më i mirë për vitet: 1995, 2003, 2007, 2012, 2016. Në vitin 2021 Stefan Çapaliku u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

    Si mendoni se mund të arrihet që kufijtë e shteteve në Ballkan të mos jenë edhe kufij të letërsisë së secilit vend?

    Dragan Velikić: Kjo frikë nuk është e arsyeshme, diçka e tillë vështirë të ndodh. Letërsia e mirë nuk është asnjëherë burg i një vendi të vetëm.

    Drago Jančar

    Drago Jančar: Kjo është një çështje që shkrimtarët nga ish-Jugosllavia gjithashtu janë përballur që në fundin e luftës dhe shpërpërjen e vendit. Në Panairin e Librit në Frankfurt, 1999, autorët nga të gjitha bagazhet gjuhësore  dhe nga shtetet e reja frimosën një deklaratë të parbashkët në favor të rrjedhës së lirë të letërsisë, librave dhe ideve: Letërsia, me mesazhin e vet njerëzor dhe estetik, në transhedencën e vet të kufijve kombëtar – por kjo rrjedhë duhet të thjeshtëzohet përmes bashkëpunimeve, përkthimeve dhe shkëmbimeve.

    Kalin Terziyski: Nuk ia thek shumë për politikë, nuk kuptoj nga kufijtë. Edhe pse kam qenë 2 vite ushtar në kufi me Jugosllavinë. Por mendoj se përkthimi i mirë mbetet një nga ato fuqitë e mëdha që  i heqin kufijtë. Dikush mund të thotë- a nuk do  të ishte më e lehtë të kalohet në një gjuhë globale dhe pikë? Por unë nuk kujtohem për një poezi të vërtetë, të njohur, ose një letërsi, që të jetë shkruar në gjuhën latine “intelektuale”, pas rënies së Perandorisë Romake të Perëndimit . Aq më pak  të ketë një letërsi të mirë në latinisht, krijuar nga ata, për të cilët ajo ishte gjuhë zyrtare dhe jo amtare. S’ka një letërsi të mirë shkruar në latinisht nga gjermanët, madje as nga italianët.

    Vetëm Erasmus shkroi vazhdimisht në latinisht, por latinishtja ishte qartazi gjuha amtare për të. Do të ishte e njëjta gjë nëse të gjithë do të fillonim të shkruanim në anglisht.

    Të paktën në 200 vitet e parë asgjë serioze nuk do  të lindtte, më duket- sidomos në atë pjesë të letërsisë, që kërkon njohje të thellë të shpirtit. Dhe të frymës kombëtare. Le të kujtojmë këtu hipotezën e Sapir-Whorf,- çdo gjuhë lind mënyra të ndryshme mendimi dhe prej andej – frymë shpirtërore të ndryshme. Kështu – unë i mbetem mendimit për ruajtjen dhe pasurimin e vazhdueshëm të gjuhëve të ndryshme në letërsi. Në diplomaci mund të ketë një gjuhë universale, por në letërsi s’është e nevojshme. Këtu del roli i përkthyesit të mirë. Të interpretit të mirë. Ai merr një krijim dhe e rishkruan në gjuhën tjetër, duke e transportuar në gjuhën dhe frymën e kombit – marrës. Ai krijon një vepër të re – por kjo vepër e re, natyrisht mban frymën  e origjinalit. Vetëm se – ashtu siç mund të  pasqyrohej kjo frymë në botën gjuhësore të kombit tjetër.

    Shkrimtari duhet të shkruajë në gjuhën e vet. Dhe të përpiqet që kjo gjuhë të pasurohet sa më shumë. Ndërsa përkthyesi të bëjë të mundur që vepra e përkthyer të pasurojë edhe gjuhën e vendit ku përkthehet – sepse idetë, të mëkuara nga shpirti i një populli (falë gjuhës dhe kulturës së saj të veçantë), nëse përkthehen saktë- do të jenë një risi e mrekullueshme për kulturën dhe gjuhën ku hyjnë pas përkthimit.

    Mehmet Kraja

    Mehmet Kraja:  Jo, nuk është e mundur, këto janë iluzione, por si koncepte vijnë nga shoqëria civile dhe OJQ, që merren me tolerancën dhe gjëra të këtilla. Letërsia ka kufij gjuhësorë, nuk ka kufij shtetëror dhe unë mendoj se ata kufij janë të pazhdukshëm, sepse letërsia është gjuhë dhe vetëm ai që e ka të zhvilluar sensin e gjuhës mund ta bëjë letërsinë.

    Jeton Neziraj: Gjë mjaft e vështirë, gati e pamundur! E pamundur sepse, megjithatë, qarkullimi i letërsisë përtej ‘kufijve gjuhësor’ kushtëzohet para së gjithash nga përkthimi, i cili pastaj është i kushtëzuar nga interesimi i botuesve dhe lexuesve dhe nga burimet financiare. Dhe, në rrethanat e letërsisë në Ballkan, asnjë prej këtyre kushteve nuk ekzistojnë. Interesim ka fare pak, si nga ana e botuesve ashtu edhe nga ana e lexuesve, por edhe burime financimi ka pak. Njëlloj përpjekje në këtë drejtim e bënë TRADUKI, por kjo ka qenë dhe është e pamjaftueshme. Por përtej këtyre ‘teknikaliteteve’, unë mendoj që megjithatë, problemi kryesor është tek kureshtja. Ka fare pak kureshtje për letërsinë që shkruhet ‘përtej kopshteve tanë’.

    Nikola Madzirov: Kufijtë e letërsisë janë ndryshe; ato u ngjajnë izohipseve në atlasë të cilat lidhin vendndodhjet me lartësi të njëjtë. Këto kufij janë shumë më të hollë se kufijtë shtetërorë, gati të padukshëm, por janë thelbësorë për lidhjet që shkojnë përtej logjikës territoriale dhe historike. Policia kufitare kontrollon vazhdimisht me dyshim valixhen time plot me libra dhe gurë nga vendet ku kam qenë ndërkohë që hija ime, e cila nuk është në pasaportën biometrike, është tashmë në anën tjetër të kufirit. Ashtu siç fjalët tona udhëtojnë shumë më larg se prania jonë fizike. Kufijtë truporë, historikë, dhe letrarë nuk janë të barasvlershëm. Kufijtë historikë më të papenetrueshëm gjenden në Ballkan. Yehuda Amichai e fillon poemën “Diku” me vargjet: “Diku / shiu nuk është më, por kurrë / s’kam qëndruar në kufi, / ku njëra këmbë është ende / e thatë e tjetra laget në shi”. A mund të imagjinohet një imazh më i thjeshtë që shfaq kompleksin absurd të kufijve?

    Nurie Emrullai: Letërsia nuk është gjë e vogël, as nuk është gjë e cila mund të anashkalohet, apo të themi se është e panevojshme. Letërsia është ajo që përmbledh në vete ndarjen e popujve, ndarjen e kufijve, rindërtimin e tyre, shkatërrimin e shumë kulturave e qytetrimeve, e tashmë njësimin e një rruge të vetme që po kaplon të gjithë popujt.

    E përgjithësoj në mënyrë të këtillë, qëllimisht për të treguar peshën të cilën e mban letërsia, e përpara së cilës humbet çdo vijë harte.

    Kufiri i parë që u vendos mes njerëzve dhe gjuhës ishte ndërtimi i Kullës së Babelit. Shpjegim që e jep Bibla, ku njerëz vendosën të ndërtonin një kullë maja e së cilës do të rrokte qiellin. Atëherë Zoti, (një histori që vazhdon të përsëritet), secilit i dha një gjuhë ndryshe nga tjetri, qëllimshëm për të mos u kuptuar me njëri-tjetrin e kështu të humbin forcën që e kishin bashkë. Pra, siç është dëshmuar, forca e njeriut ekziston në gjuhë. Forca e popullit jeton në letërsi.

    Por, nisur nga pyetja juaj, këtu kam parasysh faktorin kohë, faktorin politik, identitetin dhe në anën tjetër është liria për të krijuar, pa të cilën arti nuk mund të ekzistojë apo të jetë art i mirëfilltë; liria e të shprehurit që nuk njeh as kornizë kohore dhe as territoriale.

    Por, a nuk jemi dëshmitarë të historisë që tregon se politika nuk qe dashamire ndaj letërsisë së vendit të saj? Madje e ka dëmtuar, duke ia cënuar lirinë. Ndoshta, po themi ka rast kur ia ka dhënë vendin që e meriton, por dhe atëherë e ka përdorur si karrem për të depërtuar zakonisht më afër masës. Dua të them që letërsia nuk jeton sipas kufijve, madje as nuk i duron ato në vetvete. Përkatësia që shkrimtari e ka të nevojshme është diçka tjetër, madje e kuptueshme, por kurrë nuk është e njëjta nevojë për krijimtarinë e tij.

    Stefan Çapaliku: Përsonalisht mendoj se larushia, diversiteti është pasuria më e madhe që paraqesin Ballkanet në pikpamje kulturore. Antropologjia ballkanase është krejtësisht e ngjashme me natyrën e gadishullit. Tre njësitë gjuhësore të ballkanit klasik: greqishtja, shqipja dhe sllavishtja krijojnë një treshe shumë interesante. Nga një pikpamje këto identitete linguistike janë të pakonvertueshme te njëra-tjetra dhe fatlumësisht na bëjnë ne të ndryshëm. Në këtë kontekst edhe përkthimi në vetvete duhet parë si kitsch.

    Dragan Velikić

    Visar Zhiti i  ka tha një politikani atë shprehje e cila për mendimin tim përshkruan më së miri raportin mes letërsisë dhe politikës: “Letërsia jonë është më e mirë se Shqipëria juaj.” Po ta vendosni në kontekstin e atdheut ku ju jetoni, si e mendoni këtë thënie?

    Dragan Velikić: Nuk është mungesë modestie të thuhet se kjo vlen për të gjithë rajonin. Nuk ka formate të tilla mes poltikanëve tanë ashtu sikurse ka mes artistëve.

    Drago Jančar: Do të guxoja të bija dakord me këtë vështrim interesant. Sllovenia është një vend i hapur dhe demokratik, por politikanët e saj janë në një konfilt të përhershëm interesi, lufte për karrige, mirëqenieje dhe medie. Letërsia përmes historive të veta e kupton më mirë të shkuarën dhe e prezanton në shtetin e saj, mbi të gjitha sepse kupton jetën dhe mallin e qenies njerëzore.

    Kalin Terziyski: Letërsia gjithmonë është më e mirë nga politika e një vendi. Thjesht sepse shkrimtarët janë zakonisht më të zgjuar se politikanët. Përse atëhere- do të pyeste dikush- shkrimtarët nuk qëndrojnë pranë politikanëve? Që edhe politika të bëhet e mirë dhe e mençur? E para- sepse është e neveritshme të jesh politik. I jam afruar politikës- shëmti dhe mërzi më të madhe s’ka. Është e dobishme – por edhe larja e tualetit është gjithashtu e dobishme, vetëm se jo të gjithëve u pëlqen t’i lajnë. E dyta- shkrimtarët që rastësisht bëhen politikanë- sikur budallallepsen. Të paktën përkohësisht. Ata janë njerëz delikatë (flas këtu për shkrimtarët e vërtetë, ata të mirët) dhe fillojnë e marrin parasysh mendimet e të tjerëve. Dhe kështu njerëz të thjeshtë, mashtrues dhe budallenj – nga të cilët ka shumë politikanë – fillojnë t’u imponohen atyre. Dhe shkrimtarët bien në një… ta quajmë “marrëzi e kushtëzuar nga shoqëria”. Kur ikin nga politika- në përgjithësi ndreqen. Mario Vargas Llosa- nuk e di- por mendoj se si shkrimtar ia del më mirë. Si politikan më dukej i çuditshëm. Shkrimtarët më mirë të qëndrojnë jashtë politikës dhe të vëzhgojnë e të shprehin mendime të zgjuara që politikanët (të bëhen të dashur e të arsyeshëm) t’i  lexojnë e të marrin mësime.

    Mehmet Kraja:  Jo, nuk mendoj ashtu, përkundër faktit se kam respekt për Visar Zhitin. Ndarjet e tilla janë artificiale, sepse edhe “letërsia jonë e mirë” dhe shkrimtarët e saj mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për atë “Shqipërinë tjetër”, e politikës ose e kujtdo qoftë. Shkrimtarët nuk janë qenie jashtëtokësore, as letërsia e tyre nuk është fenomen i jashtëkohshëm. Nëse “Shqipëria juaj” ose “Kosova ime” nuk është ajo që dëshirojmë, atëherë në esencë ka dështuar misioni i letërsisë për ta bërë botën më të mirë. Edhe koncepti politikë është i papërthekueshëm…

    Jeton Neziraj: Në çdo rrethanë, kjo shprehje ‘poetike’ e Visar Zhitit qëndron. Letërsia nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë aq shumë e kontaminuar, siç kanë qenë shoqëria e politika, sidomos në vendet tona të rajonit. Letërsia është pararoja, ose aspirata e synuar e një shoqërie, ajo është ‘ëndërra e pajetuar’ e një shoqërie, nga ajo pritet të jetë më e mirë sesa shoqëria të cilën e projekton politika. Projeksioni i letërsisë për një vend është dhe duhet të jetë, sa kritik, poaq edhe utopik. Natyrisht, po flasim për letërsinë e lirë dhe jo për atë lloj letërsie që prodhohet e kontrolluar dhe sanksionur nga kallëpet ideologjike të inxhinierisë politike a religjioze.

    Nikola Madzirov

    Nikola Madzirov: Pohimi i bërë nga Visar Zhiti përmban vlerë universale. Deklarata nga Danilo Kish se “poezia është dyshim dhe ideologjia është mungesa e dyshimit” kap më së miri marrëdhënien mes poezisë dhe ideologjisë. Të vetmet ngjashmëri mes poezisë dhe politikës, sipas Brodskit, janë shkronjat ‘p’ dhe ‘o’. Ideologjia, e cila është mungesa e kohës personale, qëndron në kundërshti me jetën. Është në fazat përfundimtare të vdekjes. Mundet vetëm t’u japë monumente udhëheqësve, nën hijen e bronztë të të cilëve takohen dashnorët që janë të pavetëdijshëm për horroret e historisë. Pavarësisht pamjes së brishtë, poezia shpesh bën kërdinë në shoqëritë me regjiment të lartë. Sepse krijojnë kuptimet e para dhe absolute, udhëheqësit e përjetshëm kanë frikë nga metafora, kuptimi i dytë i fjalës. Në parada festa, varreza ushtarake dhe jubile shtetërorë, gjithçka është simetrikisht e vdekur, gjë që mjafton për të unifikuar frikën dhe për të veçuar fajin e vetëcaktuar si element shoqëror i njohjes. Kanë barazuar realitetin dhe simetria është gjuha e tyre e fuqisë. Ideologët dhe profetët falsë kanë pak të përbashkëta pasi krijojnë të ardhme pa kujtime. Njerëzit gjithmonë do të duan të lënë struktura dhe citate mbresëlënëse në gurët e tyre të varrit, por nuk do të harrojnë etiketat në kavanozat e gjërave që nuk gjenden më apo vendeve ku ngecur kaseta e muzikës. Letërsia është thelbësore pasi na lejon të përdorim historitë tona si dëshmi kundër historisë zyrtare në një sallë gjyqi të pafundme.

    Nurie Emrullai: “Kombin e bëjnë poetët, kjo dihet. Ata, qeveritarët,- ai bëri me dorë në një drejtim si të tregonte këndin ku gjendeshin,- kur bëjnë ndonjë punë, ndonëse bëjnë sikur na kanë harruar, tek ne e kanë mendjen. Ç’do të thotë Lasgushi për këtë? Ç’do të thonë poetët?” (Ikja e Shtërgut, Ismail Kadare)

    Letërsia është grumbullimi i përvojave njerëzore, përvoja që në ne kanë skalitur eshtra. Dhe kjo nuk ka qenë e mundur të kalojë në heshtje. Koha gjithnjë për ne ka çelur plagë, që i kemi përejtuar jo lehtë, si ne nga kjo anë e kufirit, apo edhe popujt e tjerë që kanë pasur histori përsëritëse sikurse ne.

    Por, letërsia nuk e duron një vijë të tillë ndarëse, ndaj ajo është më e vërtetë se çdo gjë tjetër që na rrethon apo na serviret si e tillë.

    Sa e lehtë dhe e kapshme është për syrin që të befasohet me materialen, e do atë që e sheh dhe e pranon shumë më shpejt se sa mund që të pranohet apo të bëhet pjesë e kulturës një vepër letrare.

    Unë jam rritur me atdhe të munguar. Se më thoshin të gjithë se gjithnjë duhet të jemi atje, dhe atje unë nuk e dija ku ishte. Nuk e dija se po të jem këtu, jam dhe atje, jam dhe kudo. Ndaj letërsia është shpëtimi ynë sepse nuk na la kurrë jashtë vetes, na lejoi të jetonim atje, na pranoi si pjesë të saj, se ne të saj edhe jemi.

    Stefan Çapaliku: Ndaj edhe unë të njëjtin mendim me Visarin. Edhe unë e kuptoj krejt qartë se nuk është e thënë që vetëm letërsia të frymëzohet nga historia, por mundet që edhe historia të ndriçohet nga letërsia. Letërsia e ka shpallur prej kohësh veten si një medium pengues që e kaluara të mos i prijë së ardhmes. Modele të tilla letërsie do na duhet që t’i servirim përherë e më shpesh njeri-tjetrit.

    Ballkani gjendet mes dy forcave polare që tërheqin nga kahe të kundërta: nga poshtë kemi historinë tonë të përbashkët ndën perandorinë turke dhe nga lart kemi perspektivën tonë të përbashkët evropiane. Të gjitha forcat e tjera vepruese duket se na ndajnë dhe na diversifikojnë.

    Në Ballkan, a mund dhe a duhet të shërbejë letërsia edhe si një mjet paqeje?

    Dragan Velikić: Letërsia nuk duhet t’i shërbejë askujt, sepse letërsia autentike punon në veteve për të kontribuar lidhur me mirëkuptimin mes njerëzve, sigurisht, mes atyre që lexojnë.

    Drago Jančar: Fatkeqësisht, ishte pikërisht Ballkani vendi ku disa shkrimtarë u përfshinë në lëvizje dhe rryma ideologjike e nacionaliste që çuan në konflikte të tmerrshme. Fatmirësisht, shumica e letërsisë nuk është e tillë.Letërsia gjeneron kureshti dhe interes te komshiu, te historia e tij, kultura e tij, jeta e tij. Në vetevete kjo është gjithashtu një thirrje për tolerancë dhe mirëkuptim. Dhe për paqe, sigurisht.

    Kalin Terziyski

    Kalin Terziyski: Nëse nuk shërben si instrument paqeje- atëhere nuk do të jetë letërsi. Letërsinë që lavdëron luftën, apo qoftë edhe e pranon luftën si diçka të lejuar, e hedh në WC. Dhe shkarkoj ujin.

    Mehmet Kraja: Nuk besoj në misione të tilla të letërsisë, së paku jo deri tani, sepse letërsia projekton një botë ideale, kurse politika shpesh fshihet nën “lëkurën” e saj. Ta zëmë, letërsia serbe është përplot vepra që ngjallin urrejtje për shqiptarët, teksa ju në Shqipëri i përktheni dhe i botoni edhe ata autorë. Të tjerët nuk e bëjnë këtë. Kozmopolitizmi juaj shpesh është i zvjerdhur, një gjellë bajate që nuk ha askush. Më anë tjetër, më duhet t’ju them se në kontekstin ballkanik letërsia shqipe nuk funksionon aq mirë: kryesisht përkthehen vepra të dobëta, jopërfaqësuese.

    Jeton Neziraj: Letërsia, duke qenë e lirë, duke qarkulluar lirshëm, duke u shkruar e duke u zhvilluar e duke komunikuar përtej ‘kufiJve gjuhësor’, ajo po, shërben dhe bëhet edhe mjet paqeje, edhe mjet emancipimi e iluminimi social, politik e kulturor, por edhe mjet transformimi i shoqërisë. Pra, s’kemi pse i ngarkojmë mision “paqeje”, si qëllim në vete, sepse letërsia e mirë, letërsia që shkruhet në shoqëri të lira, e aspiron paqen vetvetiu, dhe shumë më tepër…

    Nikola Madzirov: Një lloj tjetër nervozizmi, ai i kujtimeve personale, lidhet ngusht me letërsinë. Vdekja nuk është një horror i paparashikueshëm në luftë; është vetëm një dashnor. Më shpesh se vitet e kaluara me veten dhe dashuritë e tij, babai im ka folur për kohën e tij në ushtri. Ai fliste me një trajtë vuajtje të ndarë, dhe mund të shihja tatuazhe frike në lëkurën e tij me çdo mendim. A mund të spekulojmë naivisht për pasjetën, edhe nëse nga aty nisin bombat, dhe trajektorja e rënies së lirë të lirisë? “Askush s’do të fluturojë për në qiell”, shkruan Zbigniev Herbert te “Lufta”. Plumbi dhe mishi tërhiqen nga toka. Një zog i gjallë në trupin e vdekur të një ushtari apo një zog i vdekur në pëllëmbë, përfaqësojnë goditjen përfundimtare të lirisë. Edhe pasi shfaq luftëra të brendshme të padukshme, letërsia sjell paqe. Në poezinë e tij “Një nuse ushqen foshnjen mes të ikurve”, Visar Zhiti shkruan, “…Qumesht thithin tragjeditë/
    me buzët e jetës / duar skeletesh shtrëngojnë gjirin më të madh se paqja…”. Tragjedia dhe paqja nuk mund të krahasohen me qëndrueshmërinë e letërsisë.

    Nurie Emrullai: Letërsia po të ekzistonte sipas kufijve shtetëror, paramendoni sa e vogël, sa e trishtë, sa e coptuar do të ishte. 

    Jo vetëm që letërsia duhet të shërbejë si mjet paqeje, por duhet që ne të bëhemi të vetëdijshëm se çfarë po na trumbeton ajo. Të gjithë po sillemi rreth boshtit të njëjtë, që po na rrotullon në vorbullon e gjërave të njëjta. Letërsia është ajo që shfaq njerëzoren tonë, atë që shpesh mundohen të na shtypin apo të na e pushtojnë.

    Duke qenë se letërsia nuk është asgjë më shumë se sa kombinimi i këtyre 36-të shkronjave, apo dikund mund të bëhet kombinimi i 25-së apo 27-të prej tyre, nuk është e rëndësishme se sa.  Se vetë fjala letërsi do të thotë diçka e krijuar prej shkronjave. Ndërsa, tek ne ballkanasit sa shumë është përdorur fjala barbar që etimologjikisht vjen nga fjala “bërbër”, që do të thotë i pakuptueshëm apo i paartikuluar. Pra, sigurisht që sot falë përkthimit, letërsia bëhet urë që lidh të njëjtat paradigma njerëzore.

    Stefan Çapaliku: Fillimisht zakoni e do që t’i jepet përgjigje pozitive kësaj pyetje. Por ne nuk jetojmë vetëm brenda bibliotekave të së sotmes apo aq më pak të së ardhmes. Bibliotekat tona kanë brenda vetes gjithfarë librash. Pra pyetjes suaj i duhet dhënë përgjigje rast mbas rasti.

    Në parim është e padyshimtë që duhet të ndodhë kësisoj, pra jo vetëm letërsia e sotme duhet të mbjellë paqe, por edhe letërsia e djeshme nëpërmjet një mendimi të shëndoshë kritik, sepse siç thotë edhe George Orwell “të gjithë kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta”. Pra që të mos jeshë i barabartë dhe të kthehesh në një faktor emancipues, ka qenë në jëtë të jetëve misioni i një shkrimtari të mirë.

    Është tashmë e qartë se vepra të kontaminuara nga helmet e urrejtjes s’para kanë pasë dhe s’para kanë gëzuar simpatinë e lexuesve mendjehapur.

    A mund të biem dakord dhe të jemi në një mendje se letërsia jonë është më e bukur se historia jonë, duke e tejkaluar në përgjigje cliche-në e zakonshme se janë dy gjëra që s’mund të krahasohen?

    Drago Jančar: Historia është ajo që është. Shkrimet e mia rreken të kuptojnë gjithkënd, nuk ka rëndësi në cilën anë të historisë së trazuar të shekullit XX e kanë gjetur veten. O histori, çrregullimi i verbër i njerëzimit thotë poeti slloven Edvard Kocbek. Të përshkruash dhe të provosh të kuptosh këtë çrregullim njerëzor – kjo është e bukura e letërsisë. Nuk është më e bukur se historia, bukuria e saj qëndron në kuptimin e brishtësisë së qenies njerëzire dhe destinit të tij.

    Dragan Velikić: Nuk mund të krahasohen, sepse ata shkartisen njëra me tjetrën, nuk ekzistojnë të ndara. Nuk di që historia e ndonjë vendi të jetë e bukur pa tragjedi dhe shkatërrime. Ndoshta vetëm eskimezët në Grenlandë kanë një histori të qetë, pasi e imagjinoj Grenlandën si një heshtje e thellë. Veprat më të mëdha letrare nga Homeri te Joyce janë të frymëzuara nga luftrat dhe perzekutimet, tradhtitë dhe hakmarrjet, por në të njëjtën kohë frymojnë me forcën dhe nevojën njerëzore për drejtësi dhe dashuri.

    Kalin Terziyski: Nëse bëhet fjalë për historinë- historia duket si diçka që nuk ekziston realisht- ose të paktën jo tamam si e paraqesim- ajo është një masë e madhe amorfe me fakte “të ndodhura”- në fund të fundit- histori është edhe ajo e para disa muajve, me vajzën që hante akullore, por kaushi u copëtua dhe akullorja ra në tokë. Po- nëse dikush thotë se kjo nuk është thelbësore dhe “histori” është vetëm takimi i dy budallenjve të moshuar që janë kryetarë shteti – nuk do të pajtohem.

    Shikoni këtu – historiografia ose le të themi – shkenca historike – kjo është tjetër gjë. Është një mjet i qeverisë për të manipuluar njerëzit. Asgjë më shumë se kaq. Dhe ne – të mësuar të besojmë se e vërteta është një gjë e mirë – mendojmë se manipulimi i popullit është i shëmtuar dhe imoral. Kush jemi ne? – do pyesni ju. Epo, unë dhe macja ime. Emri i saj është Angela. Angela Merkel. (sepse ben mrrrr). Pra, letërsia – kur nuk harron se është më e pasura nga të gjitha artet – është gjithmonë më e bukura.

    Mehmet Kraja:  Mirë, nuk e do klishenë e pamundësisë së krahasimit, atëherë duhet ta pranosh faktin se letërsia është fiksion dhe në çdo rrethanë fiksionet janë projeksione imagjinare, kurse historia është ndodhi reale. Pra, është krejt normale që projeksionet imagjinare të jenë më të bukura se ajo që na ka ndodhur në të shkuarën e largët ose të afërt. Por, në Ballkan historitë më të besueshme ende i shkruajnë shkrimtarët.

    Jeton Neziraj

    Jeton Neziraj: Është thënë shpesh, rajoni ynë ka prodhuar më shumë histori sesa që ka mundur të konsumojë. Letërsia jonë mund të jetë më e bukur sesa historia, dhe duhet të jetë, por në fakt, duhet poashtu të themi se letërsia në këto anë asnjëherë nuk ia ka dalë t’i bëj karshillëk serioz historisë, t’ia ndrrojë kursin apo t’ia diktojë rrugën. Historia ka qenë gjithnjë më kokëforte dhe letërsia e ka përcjellur me ndërprerje, herë duke e pasqyruar turbull, herë duke e deformuar e herë duke e glorifikuar. Pra ka qenë njëlloj rruge jo fort e lavdishme e bërë së bashku.

    Nikola Madzirov: Këtu, edhe para se të bëhet e tashme, e ardhmja bëhet histori.

    Nurie Emrullai: Ne jemi Sagë Ballkanike. Duke qenë se fjala Sagë do të thotë Rrëfenjë apo Përrallë. Shkrimtari Luan Starova e përthekon mjeshtërisht në veprën me të njëjtin titull. Pra, ne jemi Sagë, në të cilën lundrojmë ishujve të kujtesës për të mbajtur mend letërsinë e cila ishte dikur, por sot është zvogëluar në pjesë më të vogla, më të imta. Është si fonema pa të cilën nuk formojmë fjalën që me të kemi ndërtuar, por pikërisht me atë fjalë nuk mund të ndërtojmë as diçka të re…

    Letërsia, për fat të keq historinë nuk e ka pasur gjithnjë në krah, por ajo ka arritur të thotë ato gjëra që historisë i është ndaluar t’i tregojë.

    Stefan Çapaliku: Politikisht përpjekjet tona të përbashkëta të shikuara nga perspektiva nga më të ndryshmet nuk janë asgjë më shumë sesa lëvizje për t’u shkëputur nga e kaluara, nga historia pra.

    Kulturalisht punët qëndrojnë ndryshe sepse duhet të bëjmë mirë dallimin midis dy koncepteve bazë të cilat e përshkruajnë dhe e përfshijnë jetën e një shkrimtari ballkanas. Shkrimtari jeton dhe banon. Zakonisht ai jeton në një vend, qytet, shtet, të caktuar të Ballkanit dhe banon në kujtesën dhe dëshirat e veta. Shpesh këto dy realitete, pra ai i trupit (fizik) dhe ai i mendjes (shpirtëror) nuk përputhen me njëri-tjetrin.

    Nurie Emrullai

    Cili është roli shoqëror që ndjeni apo keni ndërmarrë si shkrimtar në shoqërinë ju jetoni, punoni e mbi të gjitha shkruani?

    Drago Jančar: Ishte një kohë kur i isha dedikuar demokracisë, lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut. Tani parapëlqej të fokusohem në pyetjet më të thella të ekzistencës njerëzore. Dhe kjo do të thotë të jesh në skajet e shoqërisë. Por ku është skaji dhe ku është qendra?

    Dragan Velikić: Asnjëherë nuk kam marrë ndonjë rol. Shkrimtari përherë prezanton veten.

    Kalin Terziyski: Unë kam mbaruar studimet për mjekësi dhe kam punuar si mjek para se të filloj të shkruaj – dhe në fakt – shkruaja edhe kur isha mjek. Dhe në fund të fundit- unë jam mjek edhe tani. Mendoj se ky është roli im. Mjek – vëzhgues dhe ekzaminues i simptomave – diagnostikues. Mjek – shërues – si i individit ashtu edhe i shoqërisë. Mjek – statisticien. Mjek – prognostikues. Dhe gjëja më e rëndësishme: Mjek-ngushëllues. Një nga romanet e mia quhet Ushtar. Por nëntitulli është Shpresë për të dekurajuarit. Ky roman ka të bëjë me kërkimin e kuptimit. Njeriu është ushtar kundër pakuptimësisë. Shkrimtari – aq më tepër. Ai është një mjek ushtar, një luftëtar kundër pakuptimësisë.

    Mehmet Kraja: Dikur kam qenë aktiv në politikë, në fillim të viteve ’90 isha ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, një kohë mbajta në Tiranë zyrën e Kosovës, më pas ika nga politika, i tmerruar sa shumë korrupsion dhe ndërgjegje të shkatërruara kishte brenda saj. Pas vitit 2000 u mora me publicistikë, godita rëndë fenomenet shoqërore dhe kulturore të shtetit të sapothemeluar të Kosovës. Pasojat e këtij qëndrimi kritik i ndjej akoma. Tani, pozita e kryetarit të Akademisë së Kosovës më ngarkon me përgjegjësi të tjera…

    Jeton Neziraj: Nuk konsideroj që kam ndonjë rol tjetër përtej atij të të qenurit ‘shkrimtar aktiv’, më specifikisht, dramaturg aktiv, që është i lidhur ngusht me të bërit teatër. Nga ky pozicion (dhe i çliruar nga ndonjë barrë e të pasurit ndonjë rol), natyrisht, e kam të qartë që letërsia, e sidomos teatri, nuk është aty sall për ‘kalërime estetike’, por një medium artistik me të cilin ne projektojmë vizionet tona, dilemat, shpresën e frikën mbi shoqërinë, mbi politikën, mbi botën… Dhe duke qenë zotërues i kësaj “hapësire ideologjike” që si shkrimtar e kam në dispozicion, unë natyrisht jam i përgjegjshëm, përpiqem të jem i përgjegjshëm. Dhe ja këtu vijmë te roli i vetëm që ndoshta mund t’i ngarkohet shkrimtarit: të jetë i përgjegjshëm.

    Ndikimi në publik i një shkrimtari nuk është për tu injoruar, sepse njerëzit shpesh preferojnë të “vërtetat letrare”, para të vërtetave që u serviren nga historianët, nga politikanët, nga mediat e nga të tjerët… Në një kohë të “post-truth”, për plot njerëz të humbur në informacione, e vërteta gjendet vetëm në letërsi! Dhe ky është njëlloj pushteti që letërsia vazhdon ta ketë, akoma…

    Nikola Madzirov: Të jetosh në Ballkan do të thotë të lundrosh kufij, qofshin fizikë apo të imagjinuar nga atlase modernë. Më shpesh se sezoni pjellor i bimëve apo dinamikat e urrejtjes së imponuar nga historia, kufijtë kanë lëvizur në Ballkan. Kur isha fëmijë, kujtoj se si im atë na kërkonte të heshtnim kur kalonim kufirin. Nuk jam i sigurt nëse heshtja ishte prej respektit për uniformën e policit apo nga kuptimi i përgjithshëm për ritualin e kalimit të kufirit. Beteja ajrore përmes frekuencave të stacioneve të radiove të ndryshme shtetërore luftoheshin përgjatë kufijve, ku një heshtje e tillë ishte më e fuqishme. Kur isha në një kalim kufiri, doja të mos kuptohesha nga askush dhe uroja të mos kuptoja gjuhët. Kjo gjuhë e re e cila shprehej në heshtje me tingullin rastësor të stampimit të pasaportës, ishte shembulli më i gjallë i pranisë në koleksionin e kthimeve në vetvete. Që të mbjellë farat e tëhuajëzimit, poeti kalon kufijtë e ngritur nga luftërat.

    Nurie Emrullai: A nuk vazhdojmë ne ende të jemi poetët që Platoni urdhëronte të dëbohen? Sigurisht që po. Por a mundet që shpirti të gatuhet në formë tjetër? Dihet dhe kjo që jo.

    Shkrimtarët në çdo kohë kanë pasur rol të veçantë, në çdo periudhe kohore. Kanë qenë shpëtimtarët e gjuhës, mundësuan ruajtjen e identitetit kombëtar.

    Ndaj, çfarë roli kam unë në shoqëri, është diçka që e shoh tani për tani larg vetes, ose është shumë thellë meje. Por, në një retrospektivë jo shumë të largët, kujtoj veten se çfarë kërkoja nëpër veprat që merrja t’i lexoja. Unë që çdo herë ia kam pasur nevojën një fjale, një zëri, dikush që të ma lexonte mendjen njëkohësisht që isha unë duke e lexuar atë.

    Ndaj, nisur nga ky fakt, nevoja thelbësore e njeriut është të kuptuarit. Të kuptuarit në thelb, aty prej ku burojnë gjithë dhuntitë e marrëzitë njerëzore, aty ku frikësohet njeriu se është i vetmi që është afër atij zgripi, e mu aty do të doja të rrinte poezia ime, sepse prej aty dhe është krijuar, për t’i thënë njeriut, që nuk është vetëm në mbretërinë e Kronosit, që një ditë, domosdo një ditë, do t’i gëlltisë fëmijët e tij.

    Stefan Çapaliku: Padyshim që kur shkruaj nuk kam parasysh vetëm lexuesin e lagjes sime dhe as të qytetit apo vendit tim. Projektoj një kokën time një antropomorf shumë herë më universal me të cilin dialogoj, të cilin e kam frikë, i mas temperaturën dhe i përllogaris durimin. Sfida ime është që ta kënaq homo urbanusin tim. Ky homo urbanus e përfshin dhe e inkludon edhe homo balcanikus-in tim.

    Stefan Çapaliku

    Paneli II i ExLibris Forum

    “Kufijtë e letërsisë në Ballkan”

    Mbi përkthimin e letërsisë ballkanike

    Milena Selimi është gazetare, përkthyese, skenariste dhe shkrimtare shqiptare. Ajo ka përvojë menaxhimi në media si “Radio Tirana”, “Gazeta Shqiptare”, revistat “Kult” dhe “Jeta”. Selimi ka qenë Këshilltare për Mediat dhe Komunikimin në Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë në vitet 2013-2019. Ka bashkëpunuar në organizata kombëtare e ndërkombëtare si korrespondente, koordinatore, moderatore dhe anëtare jurie në fushën e gazetarisë, filmit dhe kritikës si: European Theatre Prize, Tirana International Film Festival, Çmimet “Kult”, Festivali “Poeteka”, Balkan Media Magazine, etj. Është autore e disa pjesëve teatrale për fëmijë, të cilat i ka vënë në jetë në skenën e Teatrit “Metropol” në Tiranë, në periudhën 2010-2012. Ajo ka përkthyer në shqip autorë bashkëkohorë të letërsisë ballkanike, si: Nikola Madzirov, Georgi Gospodinov, Alek Popov, Edo Popoviç, Milen Ruskov, Ognjen Spahić, Vladan Matijević, Lidija Dimkovska, etj. Milena Selimi ka qenë fituese e “Eurodrame 2019” me dramat e përkthyera nga Goran Stefanovski dhe Tena Tena Štivčič. Ajo flet dhe shkruan shumë mirë në bullgarisht, italisht, maqedonisht dhe serbisht. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në aktivitete dhe panele të ndryshme që lidhen me zhvillimet e gazetarisë, dramaturgjisë dhe përkthimit, brenda dhe jashtë vendit.

    Nikollë Berisha: Përkthyes dhe autor. Ai ka përkthyer nga gjuha sllovene në shqip autorë me peshë si: Simona Semenič, Milan Dekleva, Janja Vidmar, Gabriela Babnik, Milan Jazbec, Tadej Golob dhe Drago Jančar. Në sllovenisht ka përkthyer nga gjuha shqipe autorë si Ismail Kadare, Millosh Gjergj Nikolla, Qerim Ujkani etj. Gjithashtu ai është autor i disa veprave letrare dhe joletrare si fjalori dygjuhësh “Sllovenisht-Shqip, Shqip-Sllovenisht”. Në vitin 2013 është vlerësuar me çmimin ndërkombëtar “Pretnar Aëard” dhe mban titullin honorifik si Ambasador i Letërsisë dhe gjuhës sllovene dhe kulturës sllave.

    Ben Andoni është gazetar, përkthyes dhe aktivist i njohur, i cili është lindur në Tiranë. Prej vitit 1996 ai punon si gazetar dhe përkthyes i gjuhëve sllave. Ka shkruar për gazeta, si: “Koha Jonë”, “Gazeta Shqiptare” dhe “Korrieri”, ka qenë kryeredaktor i revistës “ABC” dhe zëvendëskryeredaktor i revistave “MAPO”. Për shumë vite ai ka qenë korrespondent i agjencisë së lajmeve “BETA” të Beogradit. Si publicist, ai shkruan për botime periodike kombëtare të Kosovës. Ben Andoni përkthen në shqip nga serbishtja, kroatishtja, gjuha boshnjake, gjuha malazeze si dhe nga anglishtja.

    Russana HRISTOVA BEJLERI, në vitin 1986, mbaroi studimet në Kolegjin Anglez në Sofje, më1991 mbaroi studimet në Filologji shqipe në Universiteti Shtetëror të Shën Peterburgut në Rusi, ndërsa studimet doktorale i mbaroi më 1995 në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Në vitin 2000 fillloi punën në Universitetin e Sofjes “Sh. Kl. Ohridski”si profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe ku punon edhe sot. Nga viti 2013-2017, drejtoi Departamentin e Gjuhësisë së Përgjithshme në Universitet, ndërsa nga viti 1991-2000 punoi në Radion Bullgaria në emisionin në gjuhën shqipe. Përveç si ligjëruese, Hristova Bejleri është e njohur përmes punimeve (mbi 50 të tilla) të shumta shkencore në fushën e letërsisë dhe albanologjisë dhe librave letrarë: Letërsia shqipe si pasqyrë e karakterit kombëtar Sofje 2009, Fjalori frazeologjik ballkanik (bashkëautore) Tiranë 1999, Albanian Identities (bashkëautore) Sofje, 2000. Po ashtu, ka përkthyer veprën e shumë autorëve shqiptarë në gjuhën bullgare, ka krijuar dhe mirëmban faqen e interneti për albanolgojinë në Bullgari www.albanianbg.com.

    Milena Selimi

    A është në nivelin e duhur komunikimi ndërletrar mes letërsisë së shkruar në një nga gjuhët e ballkanit (si gjuhë dhënëse) dhe gjuhës shqipe (si gjuhë pritëse)?

    Milena Selimi: “Unë dua t’ju them diçka. Por kam harruar çfarë”- shprehet për Ballkanin dramaturgu i Maqedonisë së Veriut,  Dejan Dukovski, dramën e të cilit, “Fuçi Baruti” jam duke e punuar në këtë kohë. Përgjithësisht, Ballkani është plot drama. Kjo nuk do të thotë automatikisht letërsi e mirë, por do të thotë se letërsia ka patur dhe ka gjithmonë një rol të rëndësishëm në jetën e këtij rajoni. Letërsia është një gjë e gjallë; ka gjithmonë aftësinë për një reagim të shpejtë ndaj ngjarjeve të jashtme.

    Letërsia ballkanike e kohës së sotme ka autorë të shkëlqyer që gjithmonë mund të zbulojnë një krizë të përgjithshme në kohën e duhur dhe mënyrën e duhur, për të patur një fokusim të hollë të problemit, për të paraqitur komplekse dhe personazhe të dallueshëm, dhe që stili dhe nënshkrimi i rrëfimit të jetë emocionues dhe i freskët. Kur flasim për komunikim ndërletrar nga gjuhët e ballkanit në gjuhën shqipe i pari që mundëson komunikimin është përkthyesi.

    Shpesh harrohet se përkthyesi është një kufitar me shumë kuptime të kësaj fjale. Ai vetëkrijon kufirin përtej të cilit kalon plaçkën e tij. Ai i ngjan lundërtarit, varka e të cilit lundron nëpër detin e trazuar  drejt bregut “tjetër”. Shqipëria ka një mungesë të madhe në drejtim të investimit të këtij ‘lundërtari ballkanik’ që mund të sjellë këtej kufirit kultura, civilizime, ngjarje dhe mjeshtëri shkrimi.

    Sipas një raporti të fundit të TRADUK-it, rrjetit të krijuar në vititn 2008, që me anë të librave, përkthimeve dhe projekteve letrare lidh Europën Juglindore me letërsinë e vendeve gjermanishtfolëse, si dhe letërsinë e vendeve të Europës, përkthime nga gjuhët e Ballkanit në shqip, mbështetur nga ky rrjet  janë 32 tituj, nga 16 përkthyes, shpërndarë në 8 shtëpi botuese në të gjitha trevat shqipfolëse, pra flasim për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut dhe 22 autorë shqiptarë të përkthyer në gjuhët e Ballkanit. Nëse mbajmë parasysh ndonjë botim tek-tuk të shtëpive botuese që kanë një interes për ndonjë autor të veçantë të rajonit, apo programin Creative Europe, kësaj shifre ndoshta mund t’i shtohen edhe rreth 10 tituj të tjerë. Besoj është qartësisht i dukshëm niveli i komunikimit. Pra, në 32 vite të hapjes së kufijve, niveli i komunikimit me autorët e rajonit shkon diku tek një autor në vit e në rastin më të mirë edhe në dy. Por, dua të nënvizoj se autorët e ardhur në shqip janë autorët më në zë të vendit të tyre dhe me njohje e vlerësime ndërkombëtare. Falë këtij bashkëpunimi ne kemi në shqip autorë të shkëlqyer si: Dragan Velikić, Georgi Gospodinov, Alek Popov, Nikola Madzirov, Kalin Terziyski, Vladislav Bajac, Vladimir Arsenijević, Saša Ilić, Šalamun Tomaž, Drago Jančar, Lidija Dimkovska, Andrej Nikolajidis, Dubravka Ugrešić, Daša Drndić, Edo Popović e shumë të tjerë, të cilët përmes një vëzhgimi të hollë na sjellin stereotipet ballkanike sociale dhe kulturore, dashurinë dhe shpresën e paplotësuar të Ballkanit, por edhe një përpjekje për diçka të ndryshme.  Këta autorë e zhvillojnë letërsinë kryesisht nga perceptimi ‘perëndimor’ i Ballkanit, duke mos harruar se kjo hapësirë është vulosur në kodin gjenetik të secilit rrëfim. Një kod që skalit absurditetin e të jetuarit, që gjithmonë përfundon me drama, një akt hakmarrjeje, afekti, padurimi. Ndonjëherë shoqëria, mjedisi, ndërgjegjja kolektive apo e pandërgjegjshme nuk arrijnë t’i regjistrojnë këto kriza. Letërsia mundet dhe ne e kemi këtë deriçkë  të Ballkanit me këta autorë të shkëlqyer.

    Nikollë Berishaj

    Nikollë Berishaj: Definitivisht mund të them se komunikimi ndërletrar në mes të këtyre letërsive nuk është i mjaftueshëm.  Jeta e përbashkët në ish Jugosllavi ka imponuar njohjen, gati të domosdoshme të gjuhës “zyrtare” serbo – kroate, me këtë edhe një komunikimin, qoftë edhe të njëanshëm kur bëhet fjalë për shqiptarët në atë shtet. Të qenit oaze gjuhësore e kanë përjetuar jo vetëm shqiptarët, por edhe sllovenët, e në një masë më të vogël maqedonasit. Them në një masë më të vogël, për arsye të afërsisë më të madhe gjuhësore të maqedonishtes me serbo-kroatishten. Edhe përkthimi i këtyre letërsive ka shkuar në drejtim të serbo-kroatishtes.

    Pas shkatërrimit të dhunshëm të Jugosllavisë, u desh sërish të vendosen urat, nëse jo krejtësisht të rrënuara, së paku të dëmtuara dukshëm. Te shqiptarët na paraqitet një situatë dualiste aspak e lakmueshme. Rrëzimi i sistemit monist në Shqipëri hap një etje të madhe për njohjen e letërsive botërore, deri atëherë të cunguar, të censuruar, “të ndaluar”. Është e kuptueshme që përparësi u dha letërsive “të mëdha” botërore. E them “ të mëdha” (në thonjëza), ngase jam më se i bindur se nuk ekzistojnë letërsi të mëdha dhe të vogla- përpos për nga numri i krijuesve dhe lexuesve- por assesi edhe për nga cilësia.

    Në anën tjetër të asaj situate dualiste kemi në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar dhe dhjetëvjetëshin e parë të shekullit aktual, Kosovën, që përpëlitej në grahmat e dhunës dhe krimeve serbe ndaj shqiptarëve, kur nuk mund të mendohej për kulturën…

    Në këtë situatë ia ofrova lexuesit shqiptar një dritare të re, të panjohur deri atëherë (në Shqipëri flas), letërsinë sllovene.  Për fat të mirë, ndër botuesit tanë hasa në një mirëkuptim dhe  gatishmëri të madhe për të. Pa përjashtim: Toena, Dituria, Uegen, Pegi, Poeteka, së fundmi edhe SHB Dritan botuan me kënaqësinë e madhe autorë dhe vepra nga kjo letërsi. Për fat të keq, jam nga përkthyesit e rrallë, në mos i vetmi në këtë drejtim. Do të ishte më mirë të kisha edhe “kolegë” të tjerë. Besoj se letërsia sllovene nuk është më e panjohur e plotë për lexuesit shqiptar. Veçanërisht nëse flitet për emrat si: Drago Jançar, Boris Pahor, Slavko Pregl, Simona Semeniç, Milan Dekleva, Gabriela Babnik, Tine Golob … Me botuesin kosovar Qendrën Multimedia të Prishtinës kisha, ndërkohë, edhe tri botime nga kjo letërsi.

    Ben Andoni: Rëndësia që i është dhënë në ditët tona komunikimit nuk ka mbetur pa prekur edhe letërsinë, në një aspekt, që ju e përcillni me konceptin ndërletrar. Tashmë, komunikimi si disiplinë ka treguar se është pjesa kryesore e ekzistencës së njerëzimit. Mënyra sesi vazhdon komunikimi në letërsinë ballkanike, personalisht do ta konsideroja si të lidhesh në kushtet e një “komunikimi të nderë”. Që do të thotë elementët bazë të komunikimit kanë qenë e mbeten të privuar pasi, një ose disa elementë të tij kanë qenë e mbeten të kufizuar, që do të thotë komunikimi nuk ka qenë i mundshëm. Nëse do të flasim për rastin e ish-Jugosllavisë, komunikimi ynë ndërletrar përshfaq dy fytyra. Është ajo e trevave shqiptare në ish-Jugosllavi, që duke nisur nga pas vitet ’90 e në vitet në vazhdim u shkëputën nga Federata, por që ndërkohë përcillnin të gjithë krijimtarinë e hapësirës jugosllave dhe ishin lexues të mirë në origjinal të çdo gjëje të shkruar dhe madje ka edhe shumë ndikime prej kësaj letërsie në autorët shqiptarë që shkruanin; kemi edhe rastin e Shqipërisë, kur letërsia e ish-Jugosllavisë deri në mesin e viteve ’90 ishte fare pak e njohur, teksa pas kësaj kohe deri në ditët tona shumë përfaqësues të njohur të letërsisë serbe, boshnjake, kroate, sllovene, malazeze e maqedonas janë sjellë në shqip. Nuk ndodh e njëjta gjë në Republikat e ish-Jugosllavisë, ku kemi pak autorë tanët, ndërsa vazhdon që interesi të mbetet për Kadarenë dhe fare pak për autorë të tjerë. Edhe pse ekziston katedër e shqipes në Beograd, edhe pse në Republikat e tjera të ish-Jugosllavisë ka struktura që merren me shqipen, komunikimi ndërletrar është i vakët. Nuk njihen trendët e kulturës shqiptare, autorët që i përfaqësojnë ato dhe, mbi të gjitha përfaqësitë tona diplomatike nuk janë fare të interesuar të shtojnë rrethin e njohjes për shqipen dhe letërsinë e saj. 

    Në Shqipëri ka qenë e kundërta. Për shkak të ndihmës së “Traduki-t”, Ministrisë serbe të Kulturës dhe fondacioneve të ndryshme të huaja janë përkthyer shumë autorë të hapësirës ish-Jugosllave, megjithatë  pak individë që merren me letërsi e rrethe kulturore (nëse ky është termi i duhur) kanë njohuritë e duhura e të thella për këtë letërsi. Bëjnë përjashtim njohjet e disa autorëve sllavë që kanë renome ndërkombëtare, që duhet të përshtaten në kurrikula dhe nga ata që i japin në lëndët e letërsisë ballkanike. Nëse do ta përmblidhja me pak fjalë: Është shumë komunikim i vakët me asimetri të theksuar: Njerëzit e kulturës së ish-Jugosllavisë nuk njohin fare pjesën sasiore dhe dinë pakëz atë cilësore të letërsisë sonë, kurse ne kemi njohje të emrave që do të thotë letërsinë sasiore dhe pak më shumë atë cilësore.

    Rusana Bejleri: Letërsia klasike bullgare është përkthyer në shqip në vitet deri në vitet ‘80 dhe mund të gjendet në biblioteka akoma me dëshirë të mirë. Pas viteve ’90 procesi nuk ka qenë konsekutiv. Ekziston një antologji të poezisë bullgare në përkthim të Myzafer Xhaxhiut të vitit 2001 (ShB Dudaj) e cila është mjaft reprezantive.

    Aktualisht përkthyesja e vetme e letërsisë bullgare në shqip është Milena Selimi. Ajo ka sjellë në shqip autorët kryesorë që janë në zë dhjetëvjeçarin e dytë në Bullgari edhe janë reprezantivë jashtë saj.

    Mundeni dot të identifikoni problematika të këtij komunikimi dhe të sugjeroni zgjidhje të mundshme, edhe po qenë ato përtej jush?

    Milena Selimi: Kambanat e alarmit për letërsinë e Ballkanit kanë shumë kohë që bien, por nuk i sheh dhe dëgjon askush. Jemi vonë. Jemi shumë vonë. Kemi humbur kaq shumë nga kultura e rajonit. Problematikat nisin siç u shpreha edhe më lart me mungesën e përkthyesit profesionist nga këto gjuhë, mungesën  e vëmendjes nga institucionet e kulturës, mungesën e programeve të përbashkëta ballkanike.

    Investimi i parë, i munguar dhe i rëndësishëm mbetet investimi në gjuhët  ballkanike, duhet të ketë nxitje dhe ndërgjegjësim të katedrave të gjuhëve në Fakultetin Filologjik në Tiranë, Beograd, Sofje, ku mungon lënda e përkthimit. Nuk kemi përkthyes. Kam patur mundësinë t’i shoh nga afër këto katedra dhe interesi për mësimin e gjuhës shqipe ka filluar të rritet. Shpresat për fuqizimin e  nismës “Ballkani i Hapur”, që shërben për të injektuar dinamizëm në bashkëpunimin rajonal, në kuadër të tregut të përbashkët, ka rritur kërkesat e studentëve që e shohin si një mundësi të mirë punësimi në të ardhmen. Njësoj edhe në Sofje, në universitetin “St. Kliment Ohridski”  ku së fundmi është krijuar një webplatformë e përkthimit nga studentët, që sjellin ekstrakte nga veprat e autorëve shqiptarë në gjuhën bullgare.

    Sot kemi programe ballkanike që kanë bërë bashkë institucione të kulturës, shtëpi botuese dhe qendra kulturore, duke krijuar rrjete komunikimi mes Ballkanit dhe Europës, falë projekteve të ndryshme. Por gjithçka mbetet  individuale dhe fragmentare në zinxhirin e investimit.

    Institucionet e kulturës duhet të krijojnë programe të përbashkëta ballkanike në fushën e përkthimit dhe të gjejnë instrumentët e duhur për të lëvizur të gjithë ngrehinën e komunikimit ndërletrar që lëviz vetëm në mënyrë fragmentare dhe me paterica. Si përkthyese i kam pritur këto programe, qoftë edhe në kuadër të  nismës “Ballkani I Hapur”.  Nuk ka kohë. Kemi humbur kaq shumë vite dhe emra autorësh në periudha të rëndësishme të kulturës së fqinjëve. Të mos humbim trenin e  fundit: Autorët bashkëkohorë të këtij shekulli.

    Të mos harrojmë se vendet e rajonit janë më të favorizuara në gjuhë, u përkasin grupimit të gjuhës sllave: serbë, kroatë, maqedonas, bullgarë, ata janë të ngjashëm për sa i përket gjuhës që flasin dhe njohin, kështu që investimi i tyre në përkthimin e njëri-tjetrit është më pak i vështirë. Andaj janë të rrallë pëkthyesit e interesuar për autorët shqiptarë. Më mirë akoma kemi fatin të kemi përkthyesit me origjinë shqiptare, që jetojnë në shoqëri dygjuhëshe. Shqipja është një gjuhë e veçantë në familjen indo-evropiane dhe investimi në nxënien e gjuhëve ballkanike  në Shqipëri duhet të jetë dyfish më i lartë. Nuk flas këtu vetëm për letërsinë, por edhe për studiuesit, hulumtuesit, antropologët, etnografët e muzikologët. Arkivat ballkanike janë të pasura me dokumenta që duhen zbuluar, që i vlejnë historisë dhe kulturës shqiptare.  Për këtë duhen ata, përkthyesit, që i kemi në pakicë. Gjej rastin të falenderoj kolegët e mi për punën e jashtëzakonshme të përkthimit, këta punëtorë të përunjur, që me shumë mund e sakrifica kapërcejnë kufijtë e Ballkanit përmes letërsisë : Janka Selimi Trifonova, Ben Andoni, Virgjil Muçi, Anton Berishaj, Qerim Ondozi, Nikollë Berishaj, Russana Bejleri, Ekaterina Tarpomanova, Merima Krijezi, Dorde Bozovic, Mirjana Jashari, etj.

    E fundit, por shumë e rëndësishme duhet theksuar fort se përkthyesi në Shqipëri është në një përpjekje të vazhdueshme mbijetese. Në Shqipëri rriten çmimet e kastravecit dhe letrës higjenike, por jo tarifat për përkthyesin letrar. Shtetet tona ballkanike dhe institucionet përkatëse të kulturës kanë investuar shumë pak përsa i përket fuqizimit dhe vlerësimit financiar të përkthyesit, aq më shumë kur flasim për gjuhë të vogla ballkanike. Platformat evropiane si Creative Europe, rrjetet e ndryshme si TRADUKI dhe grandet e përkthimit nga Ministritë e Kulturës për gjuhët ballkanike janë mundësia e vetme  për të mbajtur gjallë këtë komunikim ballkanik dhe njohje të Tjetrit. Si një përkthyese e Traduki-t prej vitit 2009 them me bindje se ky rrjet ka qenë dhe mbetet për ne paradhoma e Bashkimit Europian, një model integrimi ku shtete që tashmë janë në Bashkimin Europian, madje dhe në krye të strategjisë dhe politikës së këtij organizmi, si Gjermania, gjejnë gjuhën e përbashkët të bashkëpunimit edhe me shtete aspirantë për në BE, si Mali i Zi, Bosnja, Maqedonia, Serbia apo Shqipëria. Kultura mund të ndërtojë ura që politika demagogjike nuk do të ishte e aftë. Njerëzit e dinë, si ata të qendrës edhe ata të periferisë, pyes veten nëse e dinë edhe qeveritë.

    Nikollë Berishaj: Problemi kryesor që paraqitet në prezantimin e letërsive ballkanike në shqip dhe anasjelltas para së gjithash është mungesa e mjeteve materiale të botuesve. Të gjitha botimet nga gjuha sllovene në atë shqipe që i realizova ishin të mbështetura, ose nga Agjencia Publike e Librit të Republikës së R. së Sllovenisë ose, kohëve të fundit,  nga fondacionet Evropiane (Traduki, Evropa krijuese …). Në Republikën e Shqipërisë, por as të Kosovës nuk kemi një politikë të mirëfilltë për “eksportin” e prodhimit më të vlefshëm shqiptar – letërsisë. Edhe ato pak konkurse që i paraqesin ministritë e kulturës, kufizohen në një numër ekstremisht të vogël të veprave letrare, duke u dhënë përparësi përkthimeve në gjuhë (përsëri) të “mëdha”. Si shembull i mirë, ministritë tona do të duhej ta kishin politikën shtetërore të Sllovenisë, që për çdo vit mbështetë dhjetëra e dhjetëra përkthime të autorëve të vetë në të gjitha gjuhët e mundshme.

    Posaçërisht do të ishte me vlerë investimi në përkthimet e veprave shqipe në gjuhët e Ballkanit. Kultura është ajo që, më së lehti, i thyen barrierat e moskuptimit, gjegjësisht keqkuptimit dhe atavizmave të gjithmonshëm në marrëdhëniet ndërmjet kombeve ballkanike.  Por është shumë me rëndësi edhe përzgjedhja e autorëve. Dikur, në ish Jugosllavi, ishin shpesh kriteret jashtëletrare (më së shpeshti politike) ato që e kandidonin  një autor për përkthim. Kështu, për shembull, përkthehej vepra (letrare) e Sinan Hasanit, Fadil Hoxhës…, por sllovenët nuk e njihnin Anton Pashkon, Mirko Gashin, shumë vonë e njoftuan Ali Podrimjen. Madje edhe përkthimet ishin nga serbo-kroatishtja. Gjenerali  i ushtrisë së vdekur u përkthye nga frëngjishtja!

    Fatkeqësisht, vetëm më 2006 u bë përkthimi i parë i Kadaresë (Prillit të thyer, në përkthimin tim) drejtpërdrejt nga shqipja. Parimi im për përzgjedhje është, medoemos të merren veprat dhe autorët më të mirë të një letërsie për përkthim në një gjuhë tjetër. Në atë rast, dobia është edhe e letërsisë dhe kulturës dhënëse, edhe asaj marrëse.

    Ngase përkthej edhe në gjuhën serbe-kroate-malaziase-boshnjake (gjuhë “e njëjtë” me katër emra) edhe aty kam provuar t’i paraqes vlerat tona më të mira, Ridvan Dibrën, Rexhep Qosjen, Ledia Dushin… e në periodikun e këtyre gjuhëve edhe F. Rreshpjen, Arben Idrizin, Xhevdert Bajrën, Agron Tufën…)

    Ben Andoni

    Ben Andoni: Problematikat janë të shumta dhe më së shumti vinë me mungesën e theksuar të përfshirjes së duhur të letërsisë bashkëkohore ballkanike në kurrikulat tona në sistemin e mesëm arsimor dhe po ashtu edhe në atë të lartë. Nuk mund të flas për letërsinë greke, sepse ka disa nobelistë, apo atë të vendeve të tjera, pasi nuk e konsideroj veten si të përshtatshëm.  Ndërkohë që studiuesit e historisë së letërsisë apo njerëzit e lidhur me të shpeshherë i kthehen problemit të një logjike të re, apo një lloj sistemimi të kurrikulave, përcjellje të segmentuar dhe studimit ndryshe të lëndës së letërsisë, pasi vetëm kështu mund të plotësohen e përmbushen lëshimet e zbrazëtirat e bëra si në rrafshin metodologjik, ashtu edhe në atë teorik të interpretimit të letërsive tona. Në trojet etnike përveç se në Shqipëri, shtuar edhe në Kosovë dhe në Maqedoni studiohet sipas tre sistemeve të arsimit që punojnë me aktet programore të këtyre shteteve. E nëse atyre do t’i shtohen edhe dy sisteme të Malit të Zi e të Kosovës Lindore, shohim se vetëm në trojet etnike praktikisht janë në zbatim pesë sisteme shkollimi, ndaj edhe hartohen pesë lloje librash mësimore, pra edhe ndërtohen pesë parime të hartimit të plan-programeve të teksteve mësimore.

    Një zgjidhje do të ishte që lënda e letërsisë së Ballkanit, sidomos në universitetet tona t’u lihej njerëzve që kanë lidhje me të apo njerëz të saj të ftoheshin më tepër. Po, ashtu në kurrikulat kushtuar letërsisë së Ballkanit në trojet etnike, duhet të kishte një tekst të përbashkët, ku të kishte një lloj hierarkie vlerash, jo thjesht sa i përket autorëve të hapësirës ish-jugosllave që kanë renome ndërkombëtare, por edhe atyre që kanë qenë model ndikimi për autorët shqiptarë. Ndërsa, sa i përket përcjelljes së letërsisë tonë, do të duhej investimi i shtetit përmes antologjive dhe jo vetëm, që autorë tanë të ndryshëm të përcilleshin sistematikisht në tregun sllav dhe mbi të gjitha të ishim prezent në të gjitha aktivitetet e tyre kulturore me statuse ndërkombëtare. Për këtë do të duhej një shkundje e subjekteve që lidhen me Ministrinë e Arsimit dhe sidomos atë të Jashtme. 

    Rusana Bejleri: Problemi kryesor është fluksi i madh i informacionit mbi lexuesit potencialë, në një epokë të zbritjes së interesit ndaj leximit të librave në përgjithësi. Zgjidhjet potenciale: Interesimi sistematik i ndonjë shtëpie botimi për letërsinë bullgare, duke u marrë rregullisht me autorë dhe vepra që mund të gjejnë financim në kuadrin e projekteve ose kollanave se bashku me letërsi të tjera (p.sh. ballkanike, sllave etj.). Vitet e fundit ka financime të tilla, mjafton interes konsekuent. Zgjidhja e dytë është botimi elektronik i tipit antologjik, i cili do të mundësonte rënien në kontakt rastësisht ose në mënyrë spontan me kulturën tjetër.

    Secili vend e shkruan historinë e letërsisë së tij. Ju si ndërtuesit e urave mes letërsive, mendoni se do të ishte gjëja e duhur dhe mbi të gjitha diçka me vlerë shkrimi i një historie të letërsisë ballkanike E shihni këtë si një gjë të mundshme?

    Milena Selimi: Ne, në mënyrë të vetëdijshme, e ndajmë memorjen në të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, për të kapërcyer dhimbjen fshihemi pas kujtesës të së sotmes, që të mos kthehemi pas, tek lufta, kufiri, dhuna, dashuria e humbur dhe ikja përgjithmonë e njeriut të dashur. Thënë ndryshe, ne ndihemi më të sigurtë në kujtesën e përbashkët, siç është historia. Ballkani vuan nga mungesa e dyshimit në historitë e përcaktuara dhe tregimet e mëdha. Ne i pranojmë të gjitha legjendat, gojedhanat, strukemi tek personazhet mitikë,  grindemi kur na ‘i marrin’ fqinjët.

    Ballkani ka patur një mundësi të shkruajë një histori letërsie ballkanike. Në vitin 1991 në Bullgari u krijua  shtëpia botuese “BALKANI”, një ide e Georgi Grozdev, që në një periudhë më shumë se 31 vite arriti të publikojë revistën një-mujore “Literary Balkans” me serinë “Balkan Library Series” , që mbijetoi deri në vitin 2005. Me këtë revistë mbijetonte edhe shpresa që po shpëtohej diçka e vogël nga fjala e autorit ballkanas. Me moton “Borxhi ndaj të ardhmes është më i madh se ndaj të shkuarës” , kjo revistë botoi edhe vepra të plota të autorëve, mes të cilëve edhe Ismail Kadare dhe Besnik Mustafaj, nga përkthyesja e mirënjohur, Marina Marinova. I gjithë projekti bënte bashkë institucione të kulturës të Bullgarisë, Kroacisë, Qipros, Serbisë, Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, ku Shqipëria është e munguar jo vetëm në fillesë, por edhe në vazhdimësinë e realizimit. Aktiviteti i saj letrar, e gjithë puna dhe kontributi sot mund të ndiqet në site-n online: www.balkani.eu. Prandaj na duhen edhe komunikimet, sepse marrim edhe informacione për Tjetrin rreth nesh.

    Po, shkrimi i një historie të letërsisë ballkanike do të ishte me shumë interes, do t’më dukej si një arratisje nga shtëpia në zbulimin e Tjetrit, si  shprehje e luftës së brendshme për identitet. Për fat të keq arratisjet nga shtëpitë e Ballkanit shumë herë janë të shkaktuara më shumë nga luftrat dhe eksodet, nga insinktet vetshkatërruese të liderve ballkanikë. Ia kemi borxh të Ardhmes një histori letërsie ballkanike. Le ta bëjmë.  ExLibris mund ta ndërmarrë një mision të tillë. Unë jam gati!

    Nikollë Berishaj: Do të ishte me interes të madh, por…

    Në CV-në time si përkthyes janë edhe dy antologji të letërsisë sllovene: Antologjia e poezisë bashkëkohore sllovene (Toena) dhe Antologjia e dramës moderne sllovene (Qendra Multimedia). Jam i vetëdijshëm se në çdo përpilim të veprave të tilla, mund të ketë edhe subjektivizëm. Në fund të fundit, të gjithë jemi njerëz. Edhe ne!

    Një antologji e ngjashme për të tjerët pranë nesh e mbështetur nga një fondacion  gjerman u botua në shtatë gjuhët ballkanike dhe në gjermanisht.  Nga secila letërsi ballkanike u morën nga disa autorë me tregime lidhur me temën. Unë isha pjesë e realizimit (si përkthyes) edhe në botimin shqip (Toena, “Ata që janë ndryshe dhe që i kemi pranë”) edhe në atë sllovenisht (Slovenska matica, “Drugi v bližini”). Por, sa njihet sot kjo antologji. Libri nëse nuk shpërndahet, nëse nuk promovohet, nëse nuk vjen në duart e atyre që duhet ta lexojnë dhe “të mësojnë” prej tij, di të bëhet natyrë e vdekur në një raft biblioteke.

    Para disa muajsh Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve të Kosovës, Shqipërisë e Malit të Zi “TEUTA” botoi një pasqyrë të poeteshave (të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi). U prit shumë mirë.

    Më mungojnë shumë festivalet ndërkombëtare letrare që aq mirë i shfrytëzojnë kombet tjera për promovimin e kulturës së vet dhe për  njohjen e të tjerëve. Në Prishtinë ekziston vite me radhë festivali “Polip”, “Ditët e Naimit” në Tetovë, gjithashtu. Vetëm sivjet kishim festivalin e parë të tillë në Tiranë. Aty dëgjohen gjallë gjuhët në të cilat krijohet, ashtu thyhen temat tabu ndërmjet nesh.

    Ai,… por… që e vendosa në fillim të përgjigjes në këtë pyetje i kërkon të gjitha këto, që nga përpilimi, prej njohësve të mirëfilltë, përkthimi në gjuhët ballkanike, promovimi në të gjitha qendrat dhe gjuhët e deri te shpërndarja e librit në çdo cep.

    Ben Andoni: Nëse do t’i referohesha argumenteve të mësipërm, paçka se e vlerësoj shumë pikëpamjen tuaj dhe ekzistojnë tekste për të, e quaj sërish të pamundur. E para se në Shqipëri ka një stigmë për letërsinë e hapësirës sllave. Shikoni me kujdes kur mblidhen juritë, as nuk i referohen librave të kësaj hapësire, kuptohet përveç Ivo Andriq, Sekuliq, Danilo Kish e pak të tjerëve, paçka se ka autorë që janë referencë tashmë edhe në letërsinë bashkëkohore ndërkombëtare. Ndaj, duhet të kemi një cak emancipimi të piramidës sonë zyrtare, që personalisht mendoj se ka ende shumë për t’u arritur. Dhe, shtoj edhe indiferencën e madhe që kanë vendet e ish-hapësirës Jugosllave për letërsinë tonë, pasi njerëzit që duhet ta bëjnë këtë punë janë thjesht burokratë që mbushin raporte shterpë.

    Historia e letërsisë në rajon donte individë idealiste dhe të pavarur si Robert Elsie, që ta referojnë si një masë kulturologjike, ku të evidentohen dhënje-marrjet e çdo letërsie, por edhe gjetja e të përbashkëtave si edhe kalimi me shumë ndershmëri i caqeve të letërsive të mëdha, siç janë ato të Greqisë, Rumanisë dhe Republikave të ish-Jugosllavisë me Shqipërinë, ku mbetemi ende falë emrit të krijuar nga Ismail Kadare dhe shumë pak të tjerëve, si Lleshanaku, Leka e pak të tjerë.                 

    Rusana Bejleri: Është sipërmarrje interesante dhe më duket madje më e lehtë sesa botimi i historive të letërsive përkatëse veç e veç po të duhej të bëhej sot, sepse do të kërkoheshin dukuri reprezantive në 2-3-4 letërsi dhe kështu mund të eliminohej trysnia e trajtimit për një publik të parapërgatitur të brendshëm.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË