More
    KreuOpinionJani Thomai: Keqpërdorime fjalësh a “ngatërrime” gjuhësore

    Jani Thomai: Keqpërdorime fjalësh a “ngatërrime” gjuhësore

    Në fillim dua të bëj një propozim: mendoj se “EXLIBRIS” është organi publicistik më i përshtatshëm për të hapur një rubrikë të veçantë e të përhershme për kulturën e gjuhës, aq e domosdoshme kur shqipja standarde sot po “masakrohet” në shumë fusha të përdorimit të saj, në drejtshkrim e në drejtshqiptim, në leksik e në sintaksë, jo vetëm në të folur, por edhe në të shkruar, – një rubrikë si dritare, në të cilën kushdo mund të përcjellë vërejtje gjuhësore ose nga e cila  kushdo mund të mësojë të jetë më i përpikët në të folur e në të shkruar të gjuhës sonë standarde, të ngrerë kulturën e vet gjuhësore.

    Më parë kam shkruar për një dukuri gjuhësore të ditës, që vihet re ende sidomos në ligjërimin politik e në publicistikë, veçan e nxitur nga “zjarri” i tepruar “i oratorëve patetikë” në luftën politike a konkurruese ndërmjet palëve, siç ndodh me shpërdorimin zhvlerësues të fjalëve (“Gjuha shqipe”, Prishtinë, 2014, 2, f.59-76). Aty kam përmendur, të shoqëruar me shumë shembuj, disa prirje të shpërdorimit të fjalëve në ligjërim, si: shpërdorimi i tepruar e pa vend i fjalëve me forcë të veçantë cilësuese e vlerësuese, veçanërisht i fjalëve me ngjyrim emocionues keqësues (sharje, përbuzje, shpërfillje, tallje, ironi, fyerje, urrejtje, poshtërim, baltosje etj.); fryrja e ligjërimit me fjalë të huaja të panevojshme për “snobizëm linguistik”; fuqizimi tej së vetës i një rasti të veçuar si dukuri e përgjithshme për ta rënduar diçka më shumë se sa peshon, dukuri që vijon ende (“Tashmë nuk ka shqiptar në botë që nuk e di se F. M. nuk gënjen kurrë!”); denduria e përdorimit në shkallën sipërore të mbiemrave e të fjalëve të tjera cilësuese, vend e pa vend, nganjëherë sa folësi a shkruesi, edhe pse përmbledh gjithë fuqitë e mjetet e tij shprehëse, prapë duket që nuk gjen dot më ndonjë fjalë a shprehje më “të fortë” për të thënë, që ta nxijë më shumë dikë a diçka, me dëshirë të zjarrtë që përtej së vërtetës të ushtrojë edhe “trysni gjuhësore” te lexuesi a dëgjuesi, bashkë me tonin e ngritur e me gjeste teatrale; denduria abuzive e përdorimit të disa fjalëve të ditës, kryesisht të huaja (këto me kohë konsumohen e shuhen dhe vijnë të tjera fjalë të ditës, si: implementoj, lajv, perfomancë, trend, problematika, prevalon, shou, në fakt… etj. ).

    Po në këtë ligjërim politik më shumë, e si pasqyrë e tij edhe në publicistikë, vërehet edhe një dukuri tjetër, që tregon më së paku paditurinë gjuhësore të përdoruesve, pakujdesi a, më keq, zell për përshtypje të sforcuar, siç është keqpërdorimi i disa fjalëve a ngatërrimi i njërës për tjetrën, sidomos të fjalëve që janë afër nga shqiptimi (“kuazihomonime”), por të ndryshme, shpesh edhe të kundërta, nga kuptimi. Më shumë se interpretimi në këtë shkrim i kësaj “rrëmuje” në ligjërim, madje edhe qesharake, flasin shembujt që po sjellim këtu, duke kursyer identitetin e burimit për arsye vendi  dhe të përsëritjeve të shumta në ligjëratë të shkruar e sidomos të folur, për të ardhur keq edhe nga ata që mendohet se janë të shkolluar:

    Afrimitet (ndikuar nga afrim) për afinitet: “…sipas interesave personale kanë krijuar një afrimitet të ngushtë e bashkëpunim midis tyre…”;

    Afrofé (e ndikuar nga afro) për aforfé (<fr. à forfait “me akord; me afërsi, pa llogartitje”): “…në mungesë të skuadrës kundërshtare e fituan lojën afrofe bardheblutë…”;

    Guri i Josifit për Guri i Sizifit: “…ta votojmë kët amandament, mjaft ma, se u ba si Guri i Josifit…”;

    Iluzion për aluzion: “…bëri iluzion gjoja se e dinte kush ishte dëshmitar okular…”;

    Komplimentar,-e (krh. fr. complimenter “përgëzoj”) për komplementar,-e (krh. fr. complémentaire “plotësues”): “…këto shoqata duhet të jenë komplimentare dhe jo përjashtuese…”;

    Kopiloj për kompiloj: “… të kopilosh atje dënohesh me ligj, se është si plagjaturë…”; edhe si emër: kopilim,-i për kompilim,-i;

    Monstër për mostër: “Kjo vlen si një monstër edhe për të tjerët që duhet ta ndjekin…”;

    Njehsoj (nga njeh ”numëroj”) për njësoj (nga një: “bëj bashkë; barazoj; unifikoj”): “…le t’i njehsojmë forcat në këtë ndërmarrje kaq të madhe që të arrijmë suksesin…”; edhe si emër: njehsim,-i për njësim,-i; si mbiemër: njehsuar (i, e) për njësuar (i, e): “…gjuha e njehsuar letrare shqipe forcon identitetin tonë kombëtar…”;

    Paralelizoj për paralizoj: “…ia kishte paralelizuar krahun ai thes i rëndë e udha e gjatë…”;

    Përshkruaj për përshkoj: “ …populli ynë ka përshkruar një rrugë të gjatë e të vështirë deri sa arriti Pavarësinë…”;

    Popullarizuar (i, e) për populluar (i, e): “…një lagje kaq e popullarizuar e bën jetën e banorëve të vështirë…”; edhe si emër: popullarizim,-i për popullim,-i;

    Prefekt për perfekt: “…s’ka kritikë, e ka zgjidhur problemin vetë e në mënyrë prefekte, ashtu siç duhej…”;

     Premtoj (it. promettere “premtoj”) për permetoj (it. permettere “lë, lejoj”): “… s’na premton koha ta çojmë deri në fund këtë nismë, sado e mirë…”;

    Prespektivë (ndoshta e ndikuar nga pre-, si te predikoj, prefekturë, preferoj, preokupoj etj.) për perspektivë: “…vendi ynë do të kishte një prespektivë të shkëlqyer, kjo varet nga vetë shqiptarët…”;

    Recension për recesion: “…kush përgjigjet që jemi në një recension të plotë të ekonomisë…”;

    Stimulim për simulim: “…ishte një stimulim i mbrojtësit, që mori kartonin e verdhë…”; edhe si folje: stimuloj për simuloj;

    Traget për target “…e ka realizuar tragetin e ditës, thotë, po asgjë s’ka bërë…”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË