More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAlisa Velaj: Funksioni i poezisë si zhvillim i pandalshëm i vetvetes

    Alisa Velaj: Funksioni i poezisë si zhvillim i pandalshëm i vetvetes

    Përherë është diskutuar kaq shumë dhe asnjëhere mjaftueshëm për funksionin e poezisë. Harold Bloom-i ka një këndvështrim të veçantë, i cili shkrin në një, funksionin utilitar dhe funksionin estetik të artit të poezisë. Ai flet për artin poetik si për një mision që do të na çlirojë nga vetmia dhe padyshim se këtë akt solemn mundet ta kryejë veç poezia e mirë. Teoricieni i mëshon luftës mes vetmisë si zvetënim dhe momentit kur zërin e brendshëm, me të cilin komunikojmë me veten ne heshtje, e adresojmë te dikush. Ja si e shtron Bloom-i tezen mbi vetminë dhe hipotezën e shpëtimit prej saj: “Vetmia është elementi më i spikatur i qenies tonë, si duhet populluar kjo vetmi? Me poezi? Poemat mund të na ndihmojnë t’i flasim vetes më qartë e më fort dhe ta përgjojmë këtë të folme”[1]. Më tej, çdo pyetje hipotetike e gjen përgjigjen e vet po në funksionin utilitar të artit të poezisë, si në kontekstin e krijuesit dhe krijesës (poetit dhe poezisë), si në kontekstin e përjetuesit të vargut (lexuesit). Gjithë çka analizohet si dialog poetik duhet të ngjizet së pari si monolog. “Flasim me veten dhe i drejtohemi vetvetes ose asaj çka kemi më të mirë a më të urtë brenda nesh”, shtjellon teoricieni.

    Këtë të folur me veten e përmend dhe poeti Sadik Bejko në një intervistë në vitin 1996, ndërsa shkruan: “Gjyshja ime këtë punën e të folurit me vete e kishte aq të sajën, sa e merrja vesh edhe kur fliste pa zë. Ajo kishte nevojë të fliste me vete. Kishte nevojë dhe ta dëgjonte me veshët e saj veten e saj”.[2] Në secilin nga librat e tij me poezi (si te çdo poet i mirëfilltë) ai flet me veten duke i adresuar lexuesit pjesën më të urtë dhe më të dijshme të dy realiteteve që ka prekur dhe jetuar: Shqipërinë e izoluar komuniste dhe Shqipërinë e hapur ndaj zvetënimit pas viteve ‘90. Në të dyja kohët, uni lirik dhe poeti (si koncept i pandarë në këtë rast), ndihen krejt vetëm. Duke populluar vetminë e tij, duke përgjuar me besnikëri zërin e kthjellët të vetvetes, Bejko na çliron ne si lexues prej vetmive tona, duke na bindur se zëri që po na adreson mendimet e tij, duhet dëgjuar me patjetër, për të zhvilluar pandalshëm vetveten.[3] Më mirë dhe më bukur se kudo, ky zë i bukur nga pikëpamja estetike dhe kaq i fuqishëm si jehonë e një domosdoshmërie ontologjike, na vjen në vëllimet “Si vdes gruri” dhe “Letër Hamurabit “. Bejko nuk ka në pjesën dërrmuese të këtyre vëllimeve një kontekst tê drejtpërdrejtë social. Aty ku flet me vete nuk e ndjen të nevojshme t’i përmendë zërit të brendshëm  ato çka dihen. Është monolog që u referohet pasojave, ndërsa shkaqet janë shkoqitur e analizuar për sa e sa herë. Përsa i përket lexuesit, referentët kohorë gjenden në datat poshtë poezive, apo në vitet kur janë botuar vëllimet përkatëse. Akoma më tej, në të dy vëllimet e lartpërmendura, poezitë, qoftë më vete, qoftë si pjesë e strukturës së secilës vepër, e kryejnë funksionin e zhvillimit të vetvetes, edhe përmes përmasës universale të artit poetik të Bejkos. Për ta kuptuar më mirë popullimin e vetmisë, le t’i drejtohemi pomthave Degë të thyeraQirinjtë e ditëlindjeve të zhvarrosura (prej vëllimit “Si vdes gruri”) dhe Kishat tona (prej vëllimit “Letër Hamurabit“).

    Poemthi Degë të thyera e popullon së pari vetminë e unit përmes dialogut me tjetrin brenda vetes. Bejko e fton tjetrin të përgjojë të folmen e tij, ndërsa i drejtohet: “Ec vëlla, shkel me zemër mbi qelqe të thyera/e mos gabo të të rrjedhë pikë gjak”. Referenti kohor poshtë poezisë mban datën 1 gusht 1980, ndërsa poezia botohet për të parën herë pas viteve ‘90. Natyrshëm na lind pyetja: përse kjo poezi nuk mund të botohej dot në kohën kur u shkrua? “Ta mbyllim gojën, të mendojmë për çastin”, shkruan poeti. Jemi në vitet e errëta të diktaturës. Përvoja jetësore e ka degdisur Bejkon nga redaktor të këngëve në Radio Televizion, në punëtor miniere. I është hequr ndërkohë e drejta e botimit. Poeti është degë e thyer e relievit të ashpër politik të vendit të tij. Këtë situatë përshkruan dhe poezia. Përgjimi i zërit të poetit, me datën e krijimit poshtë tekstit, na shpie pikërisht në kufirin kur biografia poetike bëhet e pandashne nga biografia jetësore.

    Poezia Qirinjtë e ditëlindjeve të zhvarrosura ç’mitizon konceptet engjëj dhe djaj, duke dashur ta ngjizë modernen tragjike si dekodifikim absurd të arketipeve më kokëforta dhe për rrjedhojë absolutisht të pandryshueshme në thelbet e tyre kuptimore. Engjëjt janë veç ëngjëj të bardhë dhe djajtë janë veç djaj të zinj. Të parët ngjiznin dritën dhe të dytët terrin. Përmbysja e skemës arketipale ngjiz tjetërsimin dhe thepisjen e qenies. Prandaj na duket se vargjet hapëse të poezisë janë monologu i dramës që po në skenë para syve tanë. Lexuesi si spektator i tmerruar përgjon dhe heton realitetim tragjik që aktori po deklamon. Atmosfera e poezisë përcjell një tension që arrin kulmin përmes sarkazmës dhe tragjicitetit të tejskajshëm. Në krijimtarinë e Bejkos dhe në poezinë bashkohore shqipe janë të rralla poezitë e tilla sintezë. Në vetëm njëzetë vargje kalon para syve të lexuesit historia e popullit shqiptar në dy kohë. Zëri që flet bën apel për ndërgjegjësim. Iluzioni se jetojmë në një kohë më të mirë duhet asgjësuar. Është po ai mjerim, po ajo dramë, vetëm se tani në “demokraci”, ëngjejt e zinj përpiqen të na shfaqen si ëngjëj të bardhë. Në thelb, janë po ata ëngjëj-djaj që qeshën dhe pshurrën mbi njerëzit që i varrosnin të gjallë. Mohimi nuk është i vetmi qiell nën të cilin frymon poezia. E mira si ideal dhe kategori filozofike për përtëritje shpirtërore patjetër se nuk mund të asgjësohet. Përherë ka dhe do të ketë njerëz që ngrenë tempuj të rrëzuar. Këta të fundit janë engjëjt e dritës, por janë përherë të pafuqishëm aq sa duhet dhe të sfilitur prej atyre të tjerëve: ëngjejve të zinj që duan të na shfaqen të bardhë.

    Ideali mbetet i viktimizuar dhe i varrosur në të dy kohët. Tempujt e rrëzuar dhe e shkuara tragjike nuk mund të ringrihet nëse xhelatët marrin rolin e viktimave, ndërkohë që idealet e viktimave dhe vetë ata u rehabilitokan në kohën e re nga vrasësit e vjetër. Mohimi ndërtohet në tri kontekste: idealet e vrara njëlloj në çdo kohë, tjetërsimi i frikshëm moral i xhelatëve “të shndërruar” në ëngjëj dhe së fundi, kryemohimi, si mohim/asgjësim i mohuesve. Kryemohimi vjen si një risi e Bejkos. Kryemohimi si grotesk, si përqeshje e mjerimit shpirtëror të secilit mohues më vete, që duke u munduar të dalë triumfator i vetëm, mohon gjithçka tjetër. Janë unët e vetmuar me instikt vrastar, që në fund arrijnë mohimin e vetes së tyre. Situata tepër groteske. Secili mohues mohon tjetrin dhe shpërblimi në fund është asgjësimi kolektiv. 

    “Engjëj të tjerë ngrenë pirgje me kolltukë,

    rrëzojnë njëri-tjetrin në humnerë”

    Pas groteskut në poezi, pas përqeshjes për bijtë e Mohut që i ngrënë leqe vështrimit të tyre, vjen etja e poetit për ringjallje të shpirtit.

    “Shihni se mos zhvarrosni 

    dhe copa të shpirtit tim në ndonjë gropë

    Do t’ua bëj qirinj për tryeza ditëlindjesh

    ëngjëjve të zinj sot me vulë të bardhë në ballë

    atyre që dikur varrosnin njerëz të gjallë”

    Del hapur funksioni i poezisë si zhvillim i pandalshëm i vetes. Te kjo poezi zëri i adresohet jo më tjetrit brenda vetes, por tërë të tjerëve jashtë saj. Është zë i adresuar te lexuesi model. Është pikëllimë për humbjen e idealit të një kohe, të një kombi, të një atdheu. Çuditërisht nuk ka urrejtje, ka vetëm etje për ta kthyer mohimin në tokë dashurie. Nuk ka mallkim si në eposet tona, edhe pse poezia është epope e dhimbjes universale. Copërat e shpirtit i ofron si qirinj për mohuesit e jetës. Bejko i ndez qirinjtë me copëra shpirtrash të burgosur nëntokë. Këto copëra shpirti janë shpirti kolektiv i gjithë asaj pjese të mohuar të kombit në diktaturën që duket se nuk sosi. Në titull nuk shenjohet një shpirt, apo një ditëlindje e zhvarrosur, por shenjohen qirinjtë e ditëlindjeve të zhvarrosura. Tempujt ringrihen vetëm duke rehabilituar të shkuarën përmes engjëjsh që janë të tillë në shfaqje e në thelb.

    Në poezinë Kishat tona e përgjojmë zërin e brendshëm të poetit përmes aktit të lutjes. Është një përshpirtje për dritën lutja plot afsh e unit lirik. Poeti nuk është sarkatik këtu përballë zvetënimit. Uni lirik është krejt i dorëzuar dhe gjithë ç’ndodh është rrëfim i tjetërsimit të pandalshëm, duke kërkuar që shenjat e ringjalljes të vijnë me patjetër tash që jemi lisa zgërbonjë të një pylli të tërë zgërbonjë dhe bash aty, në kufirin më të përtejmë të shpërbërjes, uni lirik kryen misionin e shtegëtimit prej tokës në qiell përmes një shkalle drite. Poeti flet me vete për veten dhe i flet Zotit për vete dhe për ne. Është një poezi ku para se ta kemi përgjuar ne si lexues zërin e poetit, ka përgjuar ky zë i përgjëruar shpirtrat tanë, që janë njësoj si kishat tona si kishat tona pa suva, por vetëm me mure, sikurse ne. Ky zë përgjërues në aktin e lutjes rrëfen ngrehinën dhe pret të ndodhë ringritja e shtëpisë së shpirtit. Poezia në funksion transformues është padyshim funksion vetëm i misionit të shenjtë të përkryerjes së qenies njeri. Bejko i referohet zvetënimit shoqëror dhe politik. Janë krijime që mund të lexohen në kontekst ontologjik të mirëfilltë, por në të njëjtën masë edhe si antropologji e mirëfilltë e kombit shqiptar. Aty ku flet përmes përvojës jetësore, zëri i tij i brendshëm është zëri klithës i yni në kohëra të caktuara, për drama tejet konkrete. Bejko shkruan poezi personale të temave ekzistenciale. Ata që erdhën nga realizmi socialist shkruajnë poezi të temave sociale të fateve kolektive. Temat e poezive të tyre vijnë nga jashtë unit lirik, ndërsa temat e poezive të Bejkos tonë vijnë nga brenda këtij uni. Dukuri që nis nga libri “Rrënjët” më 1972 dhe vazhdon deri në vëllimin më të fundit “Këngë të Solomonit” më 2017

    Përgjimi i zërit të brendshëm të poetit në tekstet e analizuara, si edhe në poezi të tjera të këtij lloji, na shfaq krahas funksionit estetik të poezisë, dhe funksionin utilitar të saj. Funksioni i dytë ka të bëjë me interpretimin e vargjeve në kontekstin social-politik të shoqërisë shqiptare.


    [1]  Mendimet e Bllomit në këtë shkrim janë shkëputur nga Bloom, Harold. (2008). Si dhe përse të lexojmë, Shqipëroi Albana Sala. Tiranë: Dudaj.

    [2]Intervistë me Valdete Antonin, https://alb-spirit.com/2018/03/16/sadik-bejko-nje-malesor-brishte-kur-shkroi-rrenjet-e-denuara/

    [3]  Bloom, ndërsa analizon funksionin e poezisë përmes figurës së Hamletit thekson se: “Poezia e ka një funksion thelbësor të rrallë, të cilin e ushtron brenda nesh” dhe se “e sigurt është vetëm një gjë që ka Hamleti, sensi i tij për zhvillimin e pandalshëm të vetvetes“

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË