More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAnila Omari: Dhimitër Kamarda, "Për një shqipe 'të gjithakushme edhe të gjithakundme'...

    Anila Omari: Dhimitër Kamarda, “Për një shqipe ‘të gjithakushme edhe të gjithakundme’ & të tjera vepërza”

    Vepra e vëllimshme e përgatitur nga Dhori Qirjazi, tashmë e botuar nën logon e QSPA-së, u kushtohet disa kontributeve minore të Kamardës, që kanë mbetur në hijen e veprave të tij madhore “Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese” (Livorno, 1864) dhe “Appendice al saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese” (Prato, 1866), por që kanë rëndësi për t’i vendosur në një kontekst më të plotë idetë e tij për gjuhën letrare shqipe dhe alfabetin e përgjithshëm të saj.

    Qëllimi parësor i punimit ka qenë ndriçimi më i plotë i figurës së intelektualit të shquar arbëresh, Dhimitër Kamardës, në 200 vjetorin e lindjes së tij (tetor 2021), ku së pari vëmendja përqendrohet në përkthimin e studimit të Dora D’Istrias mbi kombin shqiptar sipas këngëve popullore, me titullin shqip “Fyletia e arbënore prej kënëkatë laoshima”. Për të arritur në përkthimin e Kamardës dhe ndriçimin e problematikës që lidhet me të, autori e ka parë me vend të paraqesë në libër materialet që çuan deri te ideja e Kamardës për përkthimin në shqip të këtij studimi dhe pastaj edhe gjuhës që përdori ai në këtë përkthim. Kështu në vëllim janë përfshirë origjinali frëngjisht i studimit të Dora D’Istrias, përkthimi shqip i tij prej Drita Siliqit si dhe përkthimi në italisht prej E. Artomit në 1867, i cili, siç vëren autori, duhet t’i ketë shërbyer si nxitës dhe model Kamardës për përkthimin e tij në gjuhën shqipe. Vijon ribotimi i përkthimit të Kamardës, i paraprirë nga parathënia e tij si shkrim origjinal prej 20 faqesh, në dy mënyra: faksimile e origjinalit dhe transkriptim në alfabetin e sotëm. Transkriptimi shoqërohet me shpjegime të natyrës leksikore që ndahen në dy pjesë: “e para shpjegon fjalë të tekstit të panjohura për lexuesin e sotëm, kryesisht neologjizma të Kamardës, duke iu referuar zakonisht origjinalit frëngjisht apo burimesh të tjera, ndërsa e dyta përqendrohet te greqizmat e shumtë të Kamardës”. Duhet theksuar se Kamarda është shumë e vështirë, madje e pamundur të lexohet e të kuptohet pa njohur greqishten. Sipas parimeve që ai vetë kishte përvijuar në parathënien e përkthimit të tij të punimit të Dora D’Istrias, Prekallëzimë, për fjalët abstrakte e diturore që nuk gjendeshin në shqipe, ai përdori së pari fjalëformimin me brumin e shqipes, dhe së dyti huazimin. Këtu u mbështet kryesisht në gjuhën greke, sipas idesë së tij të afërisë së shqipes me greqishten në kuadrin e teorisë “pellazgjike” të prejardhjes së të dy gjuhëve, dhe duke zgjedhur këtu ato fjalë që mendonte se kanë rrënjë të përbashkët me shqipen, pra që nuk ishin krejt të huaja. Siç konstaton autori, “greqizmat që përdor Kamarda nuk u përkasin përgjithësisht greqizmave specifikë të të folmeve arbëreshe”, pra janë greqizma që përdoren në greqishten e re. Së dyti, siç pohon me të drejtë autori: “përkthimi i Kamardës përfaqëson pas shumë gjasash ndërmarrjen më të thellë e më të gjerë neologjike që njohu shqipja e shkruar e shek. XIX dhe një nga pikat kulmore të neologjisë në mbarë historinë e shqipes”, gjithsesi neologjizma “të pafanë”, pasi nuk patën jehonë në lëvrimin e mëtejshëm të shqipes. Por ai shumë nga neologjizmat e formuara me brumin e shqipes, i krijoi sipas modelit semantik të greqishtes, pra në formë kalkesh kuptimore nga fjalët gjegjëse të greqishtes. Për këtë arsye, Dhori Qiriazi ka qenë studiuesi i duhur dhe ndoshta i vetmi ndër albanologët që mund të merrte përsipër të realizonte një ribotim të përkthimit të Kamardës në alfabetin e sotëm, duke shtuar dhe shënimet e nevojshme për fjalë të caktuara, pa të cilat leximi i veprës në kohën e sotme do të ishte i pamundur. 

    Parathënien e Kamardës, që është krijim origjinal i tij dhe me shumë vlerë për të njohur e kuptuar metodën që përdori Kamarda në krijimin e “idiolektit” të tij letrar, autori e ka përkthyer në shqipen e sotme, duke i qëndruar sa më pranë gjuhës dhe stilit të origjinalit autorial. Për sa i përket gjuhës letrare që krijoi Kamarda në këtë përpjekje të tij përkthimore, autori i vëllimit e ka parë me vend të botojë dy artikuj të studiuesve Gëzim Gurga dhe Anila Omari për këtë çështje, të cilët plotësojnë nga ana studimore parashtresën e Kamardës duke analizuar parimet dhe metodën e tij eklektike të krijimit të një gjuhe letrare të përbashkët për shqiptarët.

    Në vijim autori i vëllimit, duke dashur të përcjellë jehonën që pati përkthimi i Kamardës ndër bashkëkohësit e tij dhe ndikimin që pati në kohë, sjell katër variante të përkthimit të parathënies së Kamardës nga Thimi Mitko të përshtatura në shqipen “ballkanike” të kohës së tij, të kryera në kohë të ndryshme që përfshijnë periudhën para vitit 1875 e deri në kohën pas vitit 1878. Vetë ky mbledhës e hulumtues i pasionuar i folklorit dhe i shkrimeve shqipe saktëson se e ka ripërshtatur punën e Kamardës në të folmen dangëllishte-toskërishte. Autori i ka ndjekur gjurmët e këtyre përshtatjeve dhe i ka mbledhur qoftë nga “Bleta shqiptare” qoftë në dorëshkrim nga Arkivi i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë në Tiranë. Një hipotezë e goditur e autorit është se studimi i Dora D’Istrias ka qenë për Mitkon “hyrja ideale për “Bletën shqiptare” që ai po përgatiste, madje “Bleta” do të mund të konsiderohej si një vazhdim i natyrshëm, me lëndë folklorike, i sprovës së njohur të Helenës së Gjikajve”. Mitkoja, siç ka vënë në dukje autori, ishte një urë lidhëse mes kolonive të reja të shqiptarëve, themeluar në shek. XIX, me atdheun mëmë, dhe, në anën tjetër, me arbëreshët e Italisë dhe arvanitët e Greqisë. Këto variante apo motërzime të Mitkos autori i sjell në alfabetin e sotëm të shqipes, të transliteruara nga alfabeti grek i origjinalit, dhe në një kapitull të veçantë që mbyll pjesën e parë të librit, i bën objekt të një studimi krahasues me përkthimin e Kamardës, duke vënë në çdo rast për ballafaqim edhe tekstin përkatës të origjinalit të Dora D’Istrias. Në këtë studim ai ndalet sidomos në përpjekjet e Thimi Mitkos për ta kthyer gjuhën eksperimentale “in vitro” të Kamardës në një shqipe të kuptueshme nga shqiptarët e Shqipërisë, një shqipe të gjallë, “in vivo”. Autori vë në dukje këtu një aspekt të pavënë re të punës së Mitkos me përkthimin e Kamardës dhe të autorëve të tjerë arbëreshe, faktin se ai ka përfshirë në veprën e vet leksikografike prurjet leksikore të tyre. Nga krahasimi me fjalorin e Mitkos që autori e ka përgatitur  e botuar më parë, atij i rezulton se Mitko është ndoshta “i vetmi që regjistroi sistematikisht fjalë të arbërishtes, dhe madje nuk la jashtë fjalorëve të vet edhe neologjizmat e “pafanë” të Kamardës, marrë kryesisht nga “Fyletia…”, në mënyrë selektive”. Që këtej del dhe një perspektivë studimi që shtron autori për sa i përket hartimit të një fjalori të neologjizmave të shqipes të periudhës së Rilindjes, në të cilin kjo vepër e Kamardës ka për të qenë burim i pasur, dhe, nga ana tjetër, vetë Fjalëtorja shqip-greqisht e Mitkos do të konsiderohet ndër veprat e para që i pasqyron neologjizmat në këtë masë.

    Në pjesën e dytë të veprës paraqiten tri vepërza pak të njohura të Kamardës.

    E para është një letër e gjatë në greqisht e Kamardës, botuar në gazetën greke Elpis në vitin 1861, pra më herët nga kontributet e tjera më të mëdha të tij. Kjo letër na bën të njohur me idetë dhe pikëpamjet e studiuesit arbëresh si dhe me faktin se ndërkohë ai e kishte gati veprën e tij të gjuhësisë historike-krahasuese në fushë të shqipes dhe pret mundësinë e botimit të saj.  Që këtej mësojmë se Kamarda e kishte përfunduar që në vitin 1861veprën madhore të tij “Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese” e cila u botua në vitin 1864.

    Përmes kësaj letre mësojmë evoluimin e ideve të Kamardës në çështjen e gjuhës së përbashkët letrare shqipe. Në këtë letër, në përputhje me idenë e tij për rrënjët e përbashkëta pellazgjike të shqipes dhe greqishtes, ai shkruante:

    “Gjuha e shqiptarëve, duke qenë dialekt i kryehershëm i greqishtes së qëmoçme, mund të selitet dhe të drejtshkruhet më tej; sigurisht, jo për t’u bërë gjuhë letrare, çka është e pamundur dhe e padobishme për shqiptarët, por për t’u ruajtur, sa i lejohet, e gjallë dhe e pacenuar, si një jehonë e moteve pellazgjikë, dhe për t’u përdorur si mjet përvetësimi të kulturës greke, në dobi të atyre që e flasin.”. Me kalimin e kohës, siç vë re dhe autori, “Kamarda do t’i rimarrë këto ide dhe më 1869 do të botojë një broshurë të shkurtër, me të cilën propozon që shqipja të shkruhet, sipas rastit, me dy lloj alfabetesh, mbështetur gjegjësisht në alfabetin grek dhe latin”.

    Këtë lloj evolucioni kanë përjetuar edhe përfaqësues të tjerë të Rilindjes kombëtare, si Thimi Mitko apo Jani Vreto. Nga adhurues të gjuhës dhe kulturës greke në fillimet e veprimtarisë së tyre kulturore-letrare, me përparimin e Rilindjes dhe rritjen e ndërgjegjes kombëtare ata u shndërruan në patriotë të flaktë shqiptarë e madje kundërshtarë të helenizmit.

    Një vepërz tjetër e Kamardës që është përfshirë në vëllim është ajo mbi Alfabetin e përgjithshëm të shqipes (Alfabeto generale albano-epirotico) i vitit 1869, i riprodhuar në mënyrë anastatike.

    Vepërza e tretë është një përmbledhje e tri këngëve popullore shqipe të Epirit (Shqipërisë së Jugut) që i kushtohen kryengritjes greke të vitit 1821-27, botuar në Livorno në 1875. Edhe kjo vepër është riprodhuar si faksimile e origjinalit. Vjershat, dy nga të cilat i kushtohen vdekjes së Marko Boçarit dhe njëra kryengritjes greke, janë përshtatur në italisht në prozë dhe janë pajisur me shënime shpjeguese nga Kamarda. Kjo vepërz është përkthyer në italisht nga Vilma Proko.

    Autori i vëllimit që kemi në dorë i ka kushtuar një paragraf problemit të kërkimit të vjershave origjinale shqip dhe, në bazë të një njoftimi të Vilma Prokos, ka rënë në gjurmë të këtyre vjershave të botuara nga Thimi Mitko në Bletën shqiptare të botuar në Aleksandri. Vjershat riprodhohen si faksimile të origjinalit dhe të transkriptuara.

    Më në fund, në vëllim është përfshirë edhe një broshurë e Kamardës me titull “Pochi versi in greco”, botuar në Livorno në vitin 1874, edhe kjo riprodhuar si faksimile e origjinalit dhe e përkthyer në shqip prej Anna Shkrelit.

    Autori vë në dukje në një paragraf më vete edhe një kontribut gjuhësor të Kamardës për një përkim të tipologjisë “ballkanike” mes greqishtes dhe shqipes, po edhe gjuhëve të tjera si bullgarisht e arumanisht, për sa i përket formimit të së ardhmes me do, duke riprodhuar edhe dy faqet origjinale të Kamardës nga vepra “Saggio di grammatologia comparata…” ku trajtohet kjo çështje.

    Vepra e përgatitur nga Dhori Qiriazi hedh një dritë më të qartë e më të plotë në figurën e Dhimitër Kamardës, i cili me veprën e tij albanologjike dhe me idetë e përpjekjet e veta për një gjuhë të përbashkët të letërsisë shqipe, në funksion të bashkimit të shqiptarëve për pavarësim nga sundimi turk, mund të renditet me plot të drejtë ndër pararendësit e veprimtarëve të Rilindjes kombëtare shqiptare. Paraqitja e plotë e përkthimit të tij të studimit të Dora D’Istrias në alfabetin e sotëm dhe me shpjegimet e neologjizmave dhe huazimeve të tij të shumta, sidomos nga greqishtja, si dhe kthimi në gjuhën e sotme i parathënies së tij origjinale, për herë të parë këto në studimet tona filologjike, i japin lexuesit dhe studiuesve të ardhshëm një lëndë të gatshme për studime të mëtejshme mbi gjuhën e tij letrare. Në këtë drejtim kontribuojnë edhe shkrimet e tjera minore të Kamardës të paraqitura në këtë vëllim.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË