“Një ishull mësimi në mjedis të padijes…” Kështu e fillon vlerësimin e tij Faik Konica për Kolegjin Saverian, shkollën e jezuitëve që javën e shkuar, më 17 tetor kujtoi 145 vjetorin e çeljes së tij. Sipas Ilir Ikonomit në librin “Faik Konica në Uashington”, vlerësimi i tij vijon:
Shkolla e madhe e Jesuitëve në Shkodër është porsi një ishull mësimi në mjedis të padijes që e gjen rreth e rreth në Shqipëri… Mësimet, italisht, latinisht, frëngjisht e gjermanisht, jipen prej Etërve Jezuitë, me atë dije që as armiqtë e tyre s’ua mohojmë.
Të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Evropës, munden të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për shumë punë të barazohen me to… Pra le t’ia dimë të mirat që i bëri Shqipërisë kleri i huaj e na duket detyrë që t’ia dijmë më tepër Etërve Jesuitë.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në ceremoninë inauguruese (17 tetor, 1887) të kolegjit, që mbarti emrin e Shën Françesk Saverit, qenë të pranishëm arqipeshkvi Pooten dhe Atë Zef Lombardini. Ndër kontribuesit kryesorë veçohet Atë Luigji Maca, i cili dhuroi një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij (1100 napolona), si ndihmesë për themelimin e shkollës.
Të angazhuar në çeljen e këtij institucioni arsimor qenë edhe subjekte laike të familjeve të njohura shkodrane Muzhani, Sima, Saraçi dhe Shiroka. Në krye të herës kolegji pati një orientim tregtar, për t’u drejtuar më tej kah një qasjeje klasike. Pjesëtarët e stafit pedagogjik, të krahasueshëm për nga përgatitja me sivëllezërit në shkollat e mesme më të mira të Evropës Perëndimore, ishin në të shumtën e rasteve autorë tekstesh apo veprash me karakter letrar, gjuhësor, historik, filozofik etj. Mes tyre, përmendim: Atë Jak Jungun, Atë Anton Xanonin, Atë Fulvio Kordinjanin, Imzot Bonatin, Filip Ashikun, Gaspër Benusin, Pjetër Marubin, Kolë Demën, Dom Ndre Mjedën dhe Mati Logorecin.
Përtej historikut të shkollës që sot mbart emrin e klerikut dhe poetit Atë Pjetër Meshkalla, dua të ndalem në zbërthimin e disa aspekteve të tjera të shkollës, bazuar në botimet e realizuara prej shtypshkronjës së saj, shtypshkronja e parë shqiptare[1].
Fillimisht, disa nga rregullat e Kolegjës. Botimi i vitit 1925 kur shkolla kishte marrë një soj fame anë e kënd vendit, Rregullorja ndahet në dy pjesë: Rregulla përshpirtnijet, sjelljet e xanaset dhe Rregulla të provimeve tremujore të fundit.
Në pjesën e parë, shohim të ketë rregulla si:
Të gjith ata që njiten në ket Kolegjë t’a dijnë se me xanesë do të bashkojnë përshpirtninë e vadin e vertyteve;
Per gjithë ditë, në kohë të caktueme, të shofin Meshen Shejte (tuj sherbye me red) e nder dit të kremte kan me ndie predkun; nji herë në javë kan m’u rrfye e sadopak per gjith të dile e nder dit tjera të kreme kan m’u kungue;
Të ruhen prej leximit të librave e të fletoreve të kqija e asht leçi krejt mos me prue në Kolegjë kurrfarë fletoresh o librash qi s’i përkasin shkollës;
Të ruhen si në Kolegjë si jashtë prej beve, prej palavive, prej të shameve, prej të gergamave e prej rrenave gaztore, t’a dijnë edhe se asht punë e pagiashme per nji djalë rritë mirë me luejtë me dorë e sidomos m’u rrahë me ndokend;
Xasat do të rrinë urtisht e pa folë si në klasë, ashtu në shkollë;
Kur hin në klasë Msuesi ase nji i huej, xasat do të çohen në kamë me qetsi, e do t’ulen prep mas urdhnit të Msuesit. Kur të niset me shkue Msuesi a i hueji, do të çohen prap në kamë pa zhurmë;
Xasave u ndalohet rrebtësisht shoqnimi me djelm të perxanun prej shkollet, shoqnimi i xasave me xasa të përzanun prej shkollet për amoralitet shkakton edhe të përxanunit e tyne prej shkolle.
Ndërsa në pjesën e dytë janë rregulla të zakonshme lidhur me procesin mësimor, një lloj simbioze mes atyre të arsimimit në Shqipërinë e asaj kohe dhe rregullave të arsimit në Itali.
Por më përpara, sikurse vërejtëm që në fillim orientimi i shkollës sihte ai tregtar. Interes të veçantë paraqet fakti se, pavarësisht se me një profilizim të atillë, gjuha shqipe ishte përherë e pranishme. Kështu, në programin shkollor të vitit 1921, lexojmë lëndët që bëheshin dhe gjuhën respektive.
Në gëjuhë shqype, janë I Tregtare (Lexime udobishte (të kollajshme), ndertime të shpeshta për me vaditë xasat me nji perdorim të gëjuhës.)
II Tregtare (Lexime shum nduersh e suhtrime të shpeshta onomatike mi objekta shpijakë, mi vegla e bimë dushore e mi gjana tregtihet.)
III Tregtare (Lexime të shpeshta mi ushtimet e edukaten tregtare)
IV Tregtare (Lexime ma serjoze e ushtrime të shpeshta letrash mi sende tregut.)
Ndërsa në italisht e në frëngjisht janë nga dy lëndë, sërish të lidhura me tregtinë. Gjithashtu studiohet edhe dheshkronja, lënda e gjeografisë dhe llogaria (Kompustieri).
Me rëndësi të veçantë gjatë punës time me bibliografitë e librit shqip, më është dukur sesi, për hir të mungesave të materialeve bazë mësimore, pra librave që përdoren për nxënjen e lëndëve të ndryshme, vetë profesorët “detyroheshin” t’i përgatisnin ato. Në imazhet më poshtë janë vetëm disa nga kopertinat e këtyre librave…
Vlerësimi i nxënësve kishte një peshë të madhe për stafin e shkollës dhe një nga mënyrat për ta treguar këtë ishte ndarja e disa çmimeve dhe botimi në një libër të veçantë i laureatëve të tyre. Titulli i tij, Të Damit e lulzueshem i Çmimeve.
Kolegji Saverian po ashtu i kushtonte një rëndësi të madhe edhe aktiviteteve jashtëshkollore, sidomos atyre që lidheshin me bamirsinë. Prandaj kishte krijuar një shoqatë, Shoqnija Bamirse e Shejtit Sh’Jozef që për vite me radhë ndihmonte shtresën në nevojë.
Ky është një shkrim modest, ndërtuar mbi bazën e disa tipareve pak ose aspak të njohura të këtij institucioni me vlerë shumë të veçantë në Shqipëri, mespërmes të cilit kanë kaluar dhjetra e dhjetra personalitete letrare e kulturore; institucion nga i cili kanë dalë edhe tre martirë, naltuar në altarë si të lumë nga Kisha Katolike Romane, Atë Daniel Dajani, Atë Giovanni Fausti dhe Mark Çuni. Dhe së fundmi, në shkollën e rinovuar pas komunizmit, gjimnazi me emrin “Atë Pjetër Meshkalla” kam kaluar edhe unë tre vitet e adoleshencës, ku nën hijen e madhe të historisë së tij u ngroha nga dielli i shembujve të shquar që ditëpërditë më paraqisnin mahnitjen e tyre.
[1] Shih. Markus W.E. Peters, “Tipografia e Zojës së Papërlyeme” në Shkodër (1870- 1945), Qendra Botuese e Shoqatës së Jezuitëve, Tiranë, 2016.