More
    KreuIn memoriamXhahid Bushati: Duke kujtuar poetin Ndoc Gjetja…

    Xhahid Bushati: Duke kujtuar poetin Ndoc Gjetja…

    “Mbylla sytë dhe pashë zemrën,

    pakëz dritë prej saj mora.”’

     Ndoc Gjetja, poezia “Një natë”

    1.

    Para viteve ’90, ashtu si Tropoja, edhe Lezha ishte një vatër që buronte dritë të hijshme poetike. Madje të rëndësishme për peizazhin poetik të poezisë shqipe (aso kohe), si dhe për të  ardhmen e saj shumë premtuese, besuese e mikpritëse. Dhe profecia doli: Lezha përsëri është një vatër e dritshme poetike.

    Studiuesit dhe kritika e asaj kohe “vatrën poetike  lezhjane” e çmoi, e lartësoi me shumë epitete e kode. Duke parë arritjet e atyre krijuesve sot (aso kohe të rinj), mendoj që kritika letrare ka pasur të drejtë. Arritjet e tyre janë domethënëse dhe kudo shndrisin si ato yje, që i gëzohesh dritës së tyre e rrezatojnë çdo ditë.

    Në vatrën krijuese lezhjane, kurorën e poezisë e mbante poeti Ndoc Gjetja. Nuk bëj gabim po të them se, at’ kurorë ende s’e ka hequr nga koka, edhe pse kanë kaluar dekada vitesh. Ende është një model poetik. Ende është një brilant në panteonin e poezisë shqipe. Mbetet një “ishull” plot thesare poetika e tij. Poetikë, ende e pastudiuar në thellësinë e saj, veçanërisht në hapësirat e shpirtit njerëzorë. Një poetikë e thjeshtë gjer në madhështi. Një poetikë e vetmuar (nuk di: po apo jo), por e mbarsur me një qiell të kaltër e dëlirësi shpirti. Një poetikë estetikisht e bukur me besim të plotë te njerëzit e thjeshtë,  e rrëfyer dhe e shtruar me ‘qilimin’ e shpirtit të tij si mjet komunikimi. Një poetikë që sa herë e lexon dhe e rilexon të ngroh, të kthjellon, të pushton, ta rrëmben zemrën dhe rrezaton…

    Ky është poeti Ndoc Gjetja që flet me heshtjen e tij…

    2.

    N

    doc Gjetja është nga poetët e rrallë, që ‘harrohet’ nga dashuria e dashurisë për njerëzit dhe… mbetet ashtu në atë përjetësi dhe komunikim ‘Pa e parë orën’. Kjo është ‘Formula e Pagëzimit’ të tij.  Në thelb, ky është misioni njerëzor e poetik i poetit të shquar Ndoc Gjetja. Ky mision reflektoi me njerëzillëk e fisnikërisht në gjithë krijimtarinë poetike. Me një mjeshtri paraqitëse prej rrëfimtari e me një narracion magjepsës. Mision që lëviz në kohën e largët, në të sotmen dhe sigurisht në të ardhmen. Lëviz, edhe kur poeti Gjetja është përballë personazheve të njohur e takuar në jetë, edhe kur njerëzori e fisniku Gjetja është përballë ndërgjegjes së vet. Poeti shprehet: ‘Ai, (poeti) erdhi që të kryejë porosinë e shpirtit: / me alkiminë e fjalëve të shkrijë gurë Sizifi, / Ai është heshtja e thellë që do të mbytet me fjalë, / Ai është lufta e dritës me të kundërtën e saj.’ (poezia: “Poeti”)

    Një nga tiparet e krijimtarisë së Gjetjes është komunikimi me njerëzit (nënkupto personazhet), ndriçimi i figurës dhe i botës së tyre. Ky ndriçim bëhet përmes një dashurie, pikëllimi dhe dhimbjeje. Bëhet me një arsenal mjetesh e figurash letrare që t’i fal gjinia e poezisë, por, ama poezia e vërtetë. Bëhet përmes një ‘intimiteti’, shpesh, të thellë, ku ka shumë lëng e peshë jete. Dhe ja se si: ‘Dita na sheh tek ecim udhëve / dhe na dëgjon çdo fjalë që themi. / Para saj s’mund të jemi engjuj, / Po të paktën njerëz të jemi.’ (poezia: Sytë e ditës); apo: ‘Ai nuk dinte se si quhem, / unë s’e dija ç’emër kishte, / njëra thirrje porsa shuhej, / thirrjen tjetër shpirti ndizte.’ (poezia: “Një natë”).

    Gjetja është një vëzhgues i hollë i jetës. Një vëzhgim poetik që e shkruan me mjeshtëri. Një vëzhgim plot ndjenjë, prekës. Një vëzhgim mjeshtëror, shpesh, i dhimbjes. (Oh, dhimbja dhe trishtimi “lëvizin’ në përjetimin e një kohe, të një vendi dhe të një realiteti shoqëror të caktuar. Një vëzhgim… përmes vargjeve dhe figurave të thjeshtë e të kapshme, të cilat u ngjajnë yjeve dritëbekuar që ‘dalin’ nga qielli i shpirtit të poetit Ndoc Gjetja. Njerëzorja, aty shndrit, aty rrezaton! Njerëzorja e të jetuarit njerëzisht nga poeti fisnik Ndoc Gjetja. Kjo është arsyeja që në magjinë e vargjeve të Ndocit  gjejmë dramën e shkrimtarit, të personazheve të tij, heshtjen dhe gjalljen e tyre. Dashurinë! (‘Ti, dashuri, më solle në jetë kaq dhembje’) Një dashuri poetike që flet për zemrat dhe shpirtin e njerëzve. Ajo i flet ndershmërisht. Nuk ka një fjalë të tepërt. Nuk ka klishe. Dhe ja ca vargje prej mrekullie të poetit: ‘Belbëzon ca rrokje. Mos flet pellazgjisht? / E ku merret vesh se ç’thotë i miri! / Ndoshta thotë gjëra që kanë ndodhur kur s’ishim, / ndoshta kujton gjërat e harruara nga shpirti.’ (poezia: “Peshimi i fëmijës”).

    3.

    G

    jatë udhëtimeve të mia për në qytetin e Lezhës, njoha edhe Ndoc Gjetjen. Shkëmbeva biseda, dialogë, piva kafe e tok me të mora pjesë edhe në promovime librash.

    E kam si tani parasysh at’ burrë. I menduar. Gjithnjë i menduar. Në ballë – rrudha. (Ato rrudha seç më ngjajnë me rrugë vuajtjesh e privacionesh, vetmie por ndershmërie.) Me një buzëqeshje të rrallë, por i qeshte shpirti, teksa fshihte dhimbjen, vuajtjen, pikëllimin e trishtimin. Fliste pak por çmueshëm. Nuk e di pse fjalët e tij i kam krahasuar me gurët kilometrikë, gurë ku “të flasin” e të ndihmojnë të ecësh paqësisht e lirisht më tej në rrugët e jetës. I kam krahasuar me ato gurët që peshojnë rëndë, që të japin siguri të plotë dhe janë të rëndësishëm në qoshkun dhe themelet e shtëpive.

    E sjell ndërmend dhe tani një thënie të Ndocit: “Një prirje për t’u mbyllur më tepër se ç’duhet në vetvete e kam pasur gjatë gjithë jetës, por ajo është theksuar shumë vitet e fundit prej goditjeve që i kanë bërë botës sime shpirtërore disa fatkeqësi familjare dhe ai shëmtim i madh njerëzor që u manifestua me kaq denduri gjatë tranzicionit.”

    Kjo thënie e Ndoci vërteton se Gjetja mbeti i vërtetë tërë jetën! I vërtetë edhe në këto vargje që koha i gdhend në kujtesën e saj: ‘Fort po shndrit e pak po nxe / kjo e vërteta përmbi dhe! … Për ta gjetur të vërtetën / duhet sot t’i kthesh përmbys / dhjetë mijë vargmale letrash / dhe çdo fjalë ta thyesh si arrën / mos ka brenda varrin tonë. // Po ballë për ballë me dhelpërinë / na mos vdekshim me gungë në shpinë! Ani se, ani se!’ (poezia: “Këngë me lahutë”).

    Nuk e di pse mendoj dhe tani, ku dhe si duhet ta ndaj: Ndocin filozof, mendimtar, profet, poet, dijetar, urtak… apo? Kjo është e pamundur… Ai erdhi në jetë i kompletuar dhe iku me plot ëndërrime… Jo, ai ëndërron çdo ditë… Mjafton të lexoni vargjet e tij të mrekullueshme!

    Shkodër, 18.09.2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË