More
    KreuLetërsiBibliotekë"Rrëfimi i mbramë i Jahës", tregim nga Shqiponja Axhami

    “Rrëfimi i mbramë i Jahës”, tregim nga Shqiponja Axhami

    Pasi shtrinë të vdekurin në minderin me rripa llasitiku, dy burrat psherëtinë thellë dhe ndezën nga një cigare. I shihja nga vrima e murit të një dhome, ku mbaja të mbyllur që të mos dilnin, dymbëdhjetë fëmijët e kullës sonë.

    Rrëmujaxhi sa s’ka, do e trembnin shpirtin e të ndjerit. Gjyshja na kishte thënë me mijra herë, që kur t’i dali shpirti dikuj, as mizë nuk duhet të ndihet.

    I hodha edhe një herë sytë këmbëve të minderit, duke kujtuar ditën ku brita me të qara. Qava, sepse im atë, të vetmen gjë me të cilën luaja udhëve të pluhurta, gomën, e preu rripa –rripa. Rripat i tërhoqi më forcë, duke i mbërthyer në dy anësore druri dhe sajoi  atë farë minderi. Për të vdekurin nuk dija shumë. Ngatërruar në ato përshtjellime gomazh dhe shpirtrash, kujtoja që ai qe një i afërm i largët, që pati mbetur pa njeri në hise. Dhe se, axha Hazir, ndjesë pastë, i pati liruar një dhomë. Fliste rrallë me të tjerë, përpos tim eti.

    Kur dy burrat, kurshërinjë të largët nga babai, larësit e xhenazes, zunë vend në shtroje, im atë më thirri me një zë urdhërues.

    “Lëri fëmijët të dalin dhe eja këtu!

    U futa në dhomë e tyre me sytë nga i vdekuri, Jaha. Vura re se poshtë kokës së tij një rrip gome përtokej, bri mbulesës prej grepi, që nëna e kishte zgjedhur ndër më të bukurat për të vdekurin. Psherëtiva.

    Do të shkosh të lajmërosh Hallë Dijen, t’i thuash që Jaha na la.

    Për herë të parë në jetën time po caktohesha nga të rriturit, për të lajmëruar për vdekjen e dikujt.

    Në atë kohë në katundin tonë vdekjet ishin të rralla, por të trishta. Më e keqja ishte, se nuk kishim se si t’i lajmëronim të largëtit, nuk kishim telefona. Dhe një dreq poste, kishte muaj që qe mbylllur. E pati rrënuar një ortek i dimrit të fundit dhe askush nuk u kujtua më për të.

    Psherëtiva sërish dhe dola.

    Ngaqë në të gjallë Jaha fliste rrallë më njerëzit, sidomos me fëmijët, të fuste frikën. Mbase nga kjo, ose ngaqë për mua ishte hera e parë që po lajmëroja për vdekjen e dikujt, më kaploi një drithërimë frike. Kur sosa në fund të xhades, fundi i së cilës lidhej me lugajën, që merrte për nga shtëpia e hallë Dijes, zu të errej.  Për të mos u ndier vetëm, nisa të këndoj një këngë. “Idiot, e  si mund të këndosh, kur je nisur që të lajmërosh për një vdekje?”, mërmërita me vete.  Dhe më e çuditshmja qe, se më vinte në mendje vetëm teksti i një këngë, që im atë e kendonte shpesh, kur hapnin gropa gëlqereje.

    “Shtatë Shaljanët kanë ra në Shtaj

    Kanë dhanë besën shoqi- shoq.

    Shoqi- shoq i kanë dhënë besën.”

    Nuk mbaja mend asnjë fjali tjetër nga kënga, vetëm këta rreshta. Kur nisa ta këndoj për herë të tretë, dëgjova rrëzë veshit një zë:

    “ Të dhjevasha në besë, por jepu këmbëve!”

    Isha mpirë. Të ndalesha kisha frikë, të ktheja kokën nga zëri do të bija i vdekur, të kthehesha pas, ishte e njëjta gjë. Për të vërtetuar  që nuk po flisja me veten, i thashë:

    “Eh, se di ka dreqin më erdhi kjo këngë, duhet të këndoj një tjetër.”

    “Mirë e ke.”,  – ma ktheu zëri.

    “E mban mend këngën që kënoje, kur shalonim kuajt për në bjeshkë. Hë mor djalë, pasi unë i mbathja me kujdes dhe ti i hipje Pashkut.”

    Zura të dridhesha dhe nuk guxoja të mendoja asgjë. Para se të niseshim për në bjeshkë,  kuajt na i kishte mbathur gjithmonë, Jaha.

    “Pak e mbaj mend, shumë pak.”, – ia kthej me një zë, që më del si prej një shtambe te thellë.

    “Mos ki frikë. Burrat nuk duhet të kenë frikë”, – më flet sërish zëri.

     “Nuk po të shoh”, – i them duke u kollitur pak, për të rregulluar zërin. Nuk doja ta kuptonte që më ishte ngjirur frike.

    “Jam Jaha, ose më saktë shpirti i Jahës, por mos ki frikë. Shpirtat nuk bëjnë kurrë keq. Janë andralla ato që shpikin të gjallët për ta,më shumë për të trembur fëmijët, që të flenë më vakt.”

    Nuk dija ç’të thosha, kisha grirë. Një mendje më thoshte të kthehesha drejt shtëpisë, por kisha mbërritur tek Lugaja e Errët. Që nga aty, shtëpia ime ishte shumë më larg, se ajo e hallë Dijes.

    “Unë nuk besoj shumë në shpirta”, ia ktheva, si për t’i thënë që nuk kisha frikë; “Por që po të dëgjoj,  madje herë-herë ndjej dhe një si hije, që më fashitet rreth palës së qafës”.

    “Ndërsa unë të shikoj shumë mire, po dridhesh frike.”, –  ma ktheu shpirti i Jahës.

    “Epo, edhe ti po të ishe në vendin tim, do dridheshe apo jo?”, – ia ktheva duke qeshur. Kjo, që ta zbusja, nëse kishte ndonjë mendje të keqe dhe do më merrte për në botën e përtejme.

    Qeshi dhe ai.

    “Jo, jo. Shpirtrat nuk i bejnë kurrë dëm të gjallëve, por desha ta shoh se ç’do thotë hallë Dija, kur të marrë vesh vdekjen time.”, – ma ktheu me një timbër zëri të çuditshëm.

    “Aha, por çdo të thotë, do të ulërijë më të qara, si çdo grua.”, – shtova unë

    Jaha nuk foli, por psherëtiu thellë.

    Herë më fliste dhe herë jo. Qenë fjali të shkurtra si:

    “Merr Lugajës! Zbrit poshtë! Ke një gropë të madhe aty.”

    Dukej që e dinte me saktësi rrugën, si ta kishte shkelur gjithë jetën.

    Kur sosëm në oborrin e hallë Dijes, nuk e dëgjova të fliste më. Biles, për një copë herë mendova se e gjithë ajo bisedë, qe një fortunë në kafkën time të trembur. Por tek po bindja veten për këtë, e dëgjova përsëri: “Shtttt, mos më fol tani. Të them unë kur të më flasësh”

    Iu binda si një Pashai dhe mezi prisja t’i bëja një shenjë hallë Dijes, që aty rrotull ishte shpirti i të vdekurit.

    “Ke fjalë nga im atë, që të na vish për mort. Jaha na la.”, –  i thashë me sytë sa një kupë, që kur të drejtonte fytyrën mes tyre, unë t’i bëja një shenjë, se ai po na dëgjonte.

    Por hallë Dija nuk e vuri re shqetësimin tim, biles për një copë herë nuk hoqi dorë nga krehja e një shllunge leshi të zi, mes gërhanës. Kur sosi punë, më tha me një zë gati të fikur, se nuk mund ta bënte rrugën me këmbë. Kështu që do i hipnim një pele të vjetër, që ishte e vetmja gjë e gjallë, në oborrin e saj të fishkur thatësire.

    Ndërkohë që po shaloja pelën, veshët i mbaja pipëz përpjetë, që të dëgjoja shpirtin e të vdekurit, por Jaha nuk po ndihej. Por sa u rehatuam mbi shalën e pelës, hallë Dija para dhe unë pas, një vorbull ajri më mbështolli, mua fytyrën, ndërsa hallë Dijes, palën e qafës.

    “Dëgjove gjë bir?” – më pyeti hallë Dija, – “Më duket po fryn me vrella.”

    Psherëtiva dhe nuk i ktheva përgjigje, sepse unë e dija që nuk ishte punë vrelle. Pas një copë here, kur pela u ndal, megjithëse unë e ngucja bukur fort në ije, Jaha foli.

    “Nuk janë vrella, Dije, jo. Janë stuhitë e shpirti tim.”

    Hallë Dija u mpi. Këtë e kuptova ngaqë u mbështet fort mbas meje. Zemra po i dilte kraharorit.

    “E mban mend moj kobër, ç’nuk shpife për mua. Se gjoja unë të paskësha ndjekur gëmushave të lajthive, se unë paskësha dashur të të puth e të të kap mes zor.”

    “Mos fol ashtu, pashë atë Zot, Jah. Ne ishim fëmijë.”, –  ia ktheu hallë Dija.

    Unë kisha shtangur, megjithëse ai dialog mes një të vdekuri dhe një plake po më pëlqente, ndaj mezi prisja fjalinë e radhës.

    “Ti shpife, se të pati ikur mendja pas atij kodoshit, fodullit, që kot Zoti nuk urdhëroi që të mbetej sakat. Që t’i bije në sy atij, shpife për mua. Pas këtyre shpifjeve im atë më rrahu. Qyqari, e besoi fshatin që hodhi baltë mbi mua, prej shpifjeve të tua

     “Boll më , pash at Zot, Jah. Mua më ka pikëlluar vdekja jote, ta dish.”

    “Jo nuk do të pushoj, biles kam ardhur të t’i them të gjitha sonte. Ndryshe, ky dreq shpirti nuk do të  prehet i qetë.”

    Unë isha mpirë. Bëhesha i gjallë vetëm kur pela haste në ndonjë pellg uji dhe për dreq ngulte këmbë, që të mos lëvizte.

     “E mban mend moj pelinshë, nëna ime, megjithëse gojëligët flisnin për mua gjithandej, më gjeti një nuse. Qeshë gëzuar, megjithëse ende të doja ty.”

    “Pash at Zot Jah t’i lëmë këto, po e trembim djalin. Nuk na e ka borxh, që të dëgjojë andrallat e njëqind viteve të shkuara. Bir mos e beso, nuk i ka bërë këto halla jote. Por zgjat kokën e shiko nëse duket shtëpia. Edha sa kohë mbërrijmë? Zoti na ruajt çfarë nate paska qenë.” –  pëshpëriste ndër dhëmbë hallë Dija, ndërsa kapërthente duart e saj mbi të miat, që ta tërhiqnim sa më shpesh kapistrën e pelës. Kockat e trupit të saj më ishin ngulur kraharotit dhe më shkaktonin dhimbje, megjithëse shpirti i të vdekurit futej herë –herë mes nesh, si një dredhë e fuqishme dhe e detyronte që të shmangej nga unë.

    “Nusen e urtë e mora një ditë të bukur vere. Por ti moj e çmendur ligësie, i dole para dhe i the që në bark na paskëshe këlyshin tim. Po po fiks kështu i the; -Mos u krekos kot kokëmushkë, se unë kam në bark këlyshin e tët shoqi. Zuzar i babëzitur pas grave është, ja çfarë është ai. E urta nusja ime, lotoi për netë me radhë, derisa një ditë nuk e gjeta në shtroje.”,  – fliste shpirti i Jahës, ndërsa unë gati isha përlotur.

    “Mos fol më, pash at Zot, Jah. Po më merret fryma dhe do të bie e vdekur.”, –  ankohej herë-herë hallë Dija.

    “Por ty as vdekja nuk të do moj pelinshë. Tani le të dëgjojë djali, mëkatin tënd më të madh”

    “Jo, mos, mos e thuaj atë. Po më mpihet gjuha Jahë, beso që do të vdes pas kësaj”

    “Vërtet mendon që kam dhimbje për ty, si në atë kohë. Jo, mos e dhëntë Zoti këtë. Edhe nëse do të plasje në vend, nuk do të mërzitesha. Vec do të hidherohesha që nuk ta thashë mënxyrën e madhe. Erdhe dhe më hyre në shtroje. Erdhe se ai mëzati yt, yt shoq, të la bukur të re. Fjete me mua dhe jargeshe se më doje. Unë, mjerani, të besova, por grykësia jote dëshironte shtëpinë time të bukur, arat e mbjella dhe kodrinat me rrush. Djerrinë tu bë shtëpia pas vdekjes së tët shoqi. Dhe për dreq, ajo vagina jote e dëshiruar nga shumëkush, nuk nxori që nuk nxori një kërthi në dritë.”

    Hallë Dija qe bërë akull. Këtë e dalloja nga duart e saj, që herë- herë kapërtheheshin pas të mijave, duke më ndukur, që të nxisja pelën të ecte më shpejt.

    Një çast, ktheu kokën drejt meje dhe më tha .

    “Mos i beso bir, mos i beso të lutem. Një  shpirt i vdekur vjen që të nxisë  zënka ndër të gjallë.”

    “E shikon sa e lig je,  edhe tani do që të shpifësh Kur more vesh që na ishe ngjizur shtatzënë me mua, të zuri frika kobsare. Ike në mes të natës, pa shenjë  e pa dok. Dhe unë mbeta vetëm me vite, derisa kurshëriri im i largët erdhi më mori, që të mos jetoja vetëm.

     “Mos fol më Jah, pashë atë Zot mos fol”, klithte me të qara hallë Dija, ndërsa shtrëngonte me sa fuqi kishte duart e mia.

    “ Tani që ta marrë vesh yt bir, e le atë në ferra dhe shkova i the tët vëllai, që na paskëshe gjetur një foshnjë kërthi, mes gëmushave të fierit. Dhe se qenka sevap që ai të kujdesj për të, se Zoti do i jepka  fat dhe bereqet.  Këtë nuk  e kam ditur moj kobër. Por kur Zoti më pyeti për evlat, i thashë që nuk kam. Por ai më tha që evlati im na qenkësh udhës, shkuaka të lajmërojë hallën e tij, që në fakt është e ëma e tij. Ja, kështu më tha.”

    Në ato çaste, kur mora vesh që unë mund të isha djali i hallë Dijes, një drithërrimë si rrufeja më përshkoi ijet, ndërsa pela u tremb, duke u hedhur përpjetë, si ta kishte pickuar gjarpëri.

    Po dridhesha. Për herë të parë në jetën time, që po lajmëroja për nje vdekje, zbulova prej një shpirti, që qenkam një kopil.

    “Ptu, ptu , mos e dhëntë Zoti”, – përsërita tri herë dhe pështyva në të majtë, duke e shtrënguar hallë Dijen me shumë forcë, që t’i shkaktoja dhimbje. Ndërsa ajo, tkurrur si t’i kishte rënë vala, më thoshte me një zë të mbytur, si t’i kishin vënë shqelmin në fyt.

    “Mos i beso bir, mos i beso. Edhe sa na duhet të mbërrijmë?”

    Ndryshe nga më parë, nuk ia ktheja fare përgjigjen, por e shtrëngoja edhe më fort. Një mendje më thoshte që ta kërcisja si are. Mes një hamullie ndjesishë mezi prisja të dëgjoja përsëri, shpirtin e të vdekurit.

    Kush ishte në të vërtetë ai njeri? Kush ishte në të vërtetë Jaha? A ishin të vërteta ato që po thoshte? Duke bluar këto në mendje, vrella na përshkoi dhe më fuqishëm. Shpirti i Jahës u kthye përsëri.

    “Mos u tremb bir, tani që e di që e qi që je im bir do të të mbroj gjithë jetën. Sa për të ligën, nënën tënde të vërtetë, hallë Dijen, shpirti nuk do t’i zërë vend. Por ti mos e urre. Urrejtja është gacë e lig, të kalb e të djeg shpirtin.” Ndërkohë që shpirti i Jahës fliste, unë isha mpirë, i përlotur.

    “Sido që të jetë e vërteta, unë do e vuaj këtë dhe për gjithë jetën, Jahë. Përse vendose të ma thuash? Të mos e dija do të qe më mirë.”, – i thashë mes ngashërimave, ndërsa shtërngoja me forcë e gati idhni  hallë Dijen, nënën time të vërtetë.

    “Isha i detyruar, bir. Kur Zoti më peshoi të ligat me të mirat, për dreq peshorja anoi nga të ligat dhe kujt, mua, që gjithë jetës nuk i bëra keq as një mize. E pyeta; Zoti im, unë kurrë nuk bëra një gjë të lig, as kurrë nuk i hyra kujt në hak. Pse? Ai me ktheu: Nëse do të shkosh në dyert e parajsës, fryj këtij pluhuri që kam në pëllëmbë dhe shko nxirr të vërtetën para tët biri. Të tjerat m’i lër mua.

    Dhe që thua ti, unë u tremba, se dhe shpirtrat e vdekur kanë frikë, biles shumë, bir.”

    Pa kësaj fjalie zërin e shpritit të Jahës nuk e dëgjova më, vetëm se sa më shumë i afroheshim shtëpisë, aq më shumë e shtërngoja mes brinjëve hallë Dijen, nënën time të vërtetë.

    Ajo nuk ndihej, sikur e pranonte atë dhimbje.

    Pas nëj copë here, më tha:

    “A kemi shumë, bir?”

    “Hallë Dije, pash atë Zot, mos më thuaj bir. Kemi dhe ca.”

    Kur mbërritëm në shtëpi, gratë filluan me -oi duke vajtuar. Kjo bëhej sa herë që rreth të vdekurit vinin të largëtit.

    Hallë Dija zuri vend tek koka e Jahës, paralel me rripin e varur të gomës, ndërsa unë rrija në fund të dhomës, duke e vështruar me urrjetje, i mpirë.

    Ajo filloi duke vajtuar, ndërsa gratë e tjera e ndiqnin.

    Na le odën shëmtuar, Jaho o vella…

    Na le vallen cunguar, Jaho o vëlla…

    Na le shpirtin këputur, Jaho o vëlla…

    Pas të pestave, im atë, më saktë, ai që e kisha ditur që ishte im atë, që kur kisha marrë mend në këtë jetë, më urdhëroi që të ktheja hallë Dijen në shtëpinë e saj.

    E hipa mbi pelë, duke e shtërnguar fort mes brinjve, që t’i shkaktoja dhimbje dhe mezi prisja që shpirti i Jahës, tim eti, të kthehej. Por ai nuk u kthye. Kur sosëm në oborrin e shtëpisë së saj, zbritëm të dy në të njëjtën kohë. Nuk desha dhe as nuk deshi që ta ndimoja të zbriste. Pas një copë here m’u afrua pranë, ngjit me fytyrën, duke më vështruar me një vështrim të egër, si të një lubie.

    “Kokëtul, trutharë. E dija se një ditë do të më shtërngoje pa dhimbje, gjer në dhimbje, ndaj nuk jam pishman që të braktisa, për gjithë jetën.

    Mua nuk më bënë përshtypje fjalët e saj, por ia futa një shurrë, duke kënduar me të madhe: “Shatë Shaljanët kanë ra në Shtaj…”

    Ndërsa hallë Dija, syzgurdulluar, bëri kryqin dhe rrëmbeu gërhanën e leshit, lënë mbi një trung të prerë peme. Unë nuk doja të lëvizja aty, prisja që të kthehej shpirti i Jahës, tim eti. Dhe vërtetë, pas një copë here, e dëgjova tek më fliste me një zë të mbytur, sikur kishte një peshë të madhe sipër.

    “Ktheu në shtëpi, bir. Mos u lëndo prej fjalëve të saj. Sa për mua jam mirë, por për dreq më duhet të kaloj trupit vrimën e një gome, edhe këmbët më kanë mbetur. Vetëm këtë dënim më dha Zoti, sepse besova si i verbër.

    Unë kisha shtangur…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË