More
    KreuLetërsiBibliotekëPër një çeke, çorapet e najlonit Janë xhevahire

    Për një çeke, çorapet e najlonit Janë xhevahire

    Nga Gabriel García Márquez

    Dy vjet më parë, kisha kërkuar në ambasadën sovjetike në Romë një vizë për të shkuar në Moskë, si i dërguar i posaçëm i një agjencie lajmesh. Gjatë katër vizitave të njëpasnjëshme në ambasadë, iu përgjigja katër herë pyetjeve të njëjta, që u formuluan nga katër zyrtarë të ndryshëm. Më së fundi, më premtuan se do më dërgonin me postë një përgjigje që ende nuk ka mbërritur. Në Paris, qenë më të prerë dhe më të qartë. Në ndërtesën e ndërlikuar të rrugës Grenelle, më futën në tri salla të zbukuruara me litografi të Leninit dhe i njëjti zyrtar që më priti te salla e parë m’u përgjigj në sallën e fundit me një frëngjishte pothuajse të pakuptueshme: pa ftesë nga ndonjë organ sovjetik, ishte e kotë të kërkoje vizë.

    Vitin e fundit situata ka ndryshuar. Në Paris organizohen karvane turistike që gjatë pesëmbëdhjetë ditëve vizitojnë me ritëm breshke portet e Balltikut dhe të Detit të Zi. Është udhëtim i rrezikshëm për një gazetar të ndershëm; ka rrezik që të krijosh opinione të sipërfaqshme, të nxituara dhe të pjesshme, që lexuesit mund t’i marrin si përfundim të patundshme.
    Në Berlin, kur m’u dha mundësia për të marrë pjesë në Kongresin VI të Rinisë në Moskë, mendova se kjo ishte edhe më keq se karvanet turistike. Në vend të 500 vetëve, do ishim 40.000. Bashkimi Sovjetik kishte dy vjet që bënte përgatitje për të pritur delegatët nga gjithë bota dhe kjo ishte një arsye për të menduar se në vend të realitetit sovjetik do të gjenim një realitet të stisur për të huajt. Çka është e kuptueshme. Vendet socialiste e dinë se shumica e atyre që marrin pjesë në festivale nuk janë komunistë, se shkojnë me mendjen për të zbuluar të meta dhe se nuk kanë formim të mjaftueshëm për t’i interpretuar drejt përvojat e atyre vendeve. Për më tepër: në festivalin e Moskës u kërkua specifikisht që të akreditoheshin sa më pak komunistë që të ishte e mundur. “Dinakëria e polakëve nuk ka kufi”, më thoshte dy vjet më parë në Romë një vajzë italiane që kishte marrë pjesë në festivalin e Varshavës. “Për të na bërë të besonim se në Poloni ka liri fetare, hapën kishat dhe vunë gjithandej zyrtarë të maskuar si priftërinj”. Në të vërtetë, rindërtimi i Varshavës nisi nga kishat katolike dhe priftërinjtë e paangazhuar politikisht gëzojnë liri të plotë. Kapitalistët më të ndershëm e përçmuan përpjekjen kombëtare të rindërtimit dhe u kënaqën duke parë se në Varshavë nuk ka makina, se njerëzit vishen keq dhe se ashensorët bllokohen midis dy katesh. Në Varshavë, të gjithë pëshpërisnin pse kreu i kishës polake, kardinali Vishinski, ishte në burg. Më anë tjetër, askujt nuk i ra në sy – as edhe delegatëve komunistë – se në burg ndodhej edhe Vlladisllav Gomulka, udhëheqësi komunist që, një vit mbas festivalit, u desh të lirohej nga populli që të merrte përsipër fatet e Polonisë.
    Disa qeveri perëndimore përfitojnë nga pesëmbëdhjetë ditët e festivalit për të futur spiunë me udhëzime të sakta. Në Moskë qarkulloi një fletushkë në anglisht me thirrje kundër Bashkimit Sovjetik. E njëjta gjë kish ndodhur edhe në festivalet e mëparshme. Duke e ditur se këto gjëra ndodhin, vendet socialiste – me plot të drejtë – kujdesen që delegatët të gjejnë një vend të veshur me rroba festive për një të diel që zgjat pesëmbëdhjetë ditë. Unë nuk doja të njihja një Bashkim Sovjetik të krehur për të pritur vizita. Vendet, ashtu si gratë, duhet t’i njohësh kur sapo zgjohen nga gjumi.
    Franko kishte mendim tjetër. Mendonte – dhe tani e kuptoj që kishte të drejtë – se fajin për cektësinë e gjykimeve pjesërisht e kanë vetë delegatët. Duhet të dish se çfarë është një festival për të kuptuar se mund të rrish katërmbëdhjetë ditë në një qytet dhe të mos e njohësh. Në Moskë u bë një festival filmi me katër shfaqje në ditë. Një festival botëror i teatrit u bë njëkohësisht me disa olimpiada dhe me 325 ekspozita pikture, fotografie, arti folklorik dhe kostumesh tradicionale nga mbarë bota. Një konkurs muzike dhe vallëzimi, me gjashtë seanca në ditë, zhvillohej në të njëjtën kohë me seminare për arkitekturën, artet pamore, kinematografinë, letërsinë, mjekësinë, filozofinë dhe elektronikën. Pati ligjërata të panumërta mbi tema të trajtuara prej ekspertësh nga e gjithë bota. Çdo institucion i rëndësishëm sovjetik organizoi një pritje me të ftuar nga të gjitha delegacionet. Çdonjëri nga 382 delegacionet dha një pritje ku ftoi delegacionet e tjera. Vetëm delegacioni francez – pa llogaritur përfaqësuesit kulturorë, sportivë dhe shkencorë – kishte gati 3000 anëtarë. Në orët më pak të ngarkuara, duhej të zgjidhje mes cirkut kinez, një vizite me Pablo Nerudën, një hyrjeje në Kremlin, një ekspozite të kuzhinës japoneze, një ftese në një kooperativë, teatrit çek të kukullave, baletit hindu, një ndeshjeje futbolli midis hungarezëve dhe italianëve, ose një interviste private me një delegate suedeze. Dhe të gjitha këto të grumbulluara në një marzh të ngushtë prej pesëmbëdhjetë ditësh dhe në një qytet rraskapitës, ku të duhet një orë për të shkuar kudoqoftë. Sinqerisht besoj që disa delegatë nuk patën kohë të takonin asnjë rus.
    Franko mendonte se nga rrëmuja mund të përfitohej. Duhej të hiqnim dorë nga shfaqjet dhe të dilnim në rrugë e të flisnim me njerëzit e ardhur nga të katër anët e Bashkimit Sovjetik, të etur për të folur me të huaj mbas dyzet vjetësh shkëputjeje të plotë nga pjesa tjetër e planetit. Duhej të zgjidhnim mes festivalit dhe një ideje goxha të afërt me realitetin sovjetik. Ne sakrifikuam festivalin.

    Nëse viza sovjetike më ka kushtuar gjashtë vjet këmbëngulje, vizën polake e mora për dhjetë minuta dhe pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja. Kisha arritur të pranohesha si vëzhgues në Kongresin Ndërkombëtar të Kinematografisë, në shoqërinë e rehatshme të 22 delegatëve. Kredenciali ishte i shkruar në polonisht, kështu që u paraqita në konsullatë me dy fotografi dhe vura ftesën mbi tryezën e portierit. Përmes derës së zyrës dëgjova zërin e konsullit që fliste në telefon me Varshavën dhe e shqiptonte emrin tim në një mënyrë mjaft arbitrare. Çerek ore më vonë, kisha në xhep vizën polake.
    Zhaklinës i mbaruan pushimet dhe u kthye në Paris. Franko la makinën në një garazh të Berlinit dhe vazhduam me tren deri në Pragë. S’kishim vizë çeke. Udhëtimi zgjati pesëmbëdhjetë orë, po katër prej tyre i kaluam në kufi, në një tren të zbrazët që iu nënshtrua një kontrolli të rreptë. Në fshatin e fundit gjerman bëmë një ndalesë prej dy orësh, ndonëse formalitetet doganore u bënë për pesë minuta. Në të ngrysur, treni lëvizi. E kaloi stacionin ngadalë, me një shpejtësi më të vogël se të ecjes, dhe ashtu kaloi edhe përmes një fshati me tabela në gjermanisht. Në anën tjetër të fshatit u ndal përballë një ure me një tabelë në çekisht, shkruar me furçë në pëlhurë të kuqe. Mbi urë ishin gjashtë ushtarë me automatikë. Treni u vu prapë në lëvizje pasi ushtarët verifikuan që s’kishte njeri të fshehur në boshtet e vagonëve. Pastaj u ndanë nga të dy anët e trenit dhe e shoqëruan duke ecur me hap normal përmes një shtegu të mbuluar me bar. Një kilometër më tej, ishte stacioni i parë çek. Aty pritëm edhe dy orë të tjera.
    Nuk më ra në sy asgjë tjetër përveç muzikës së altoparlantëve dhe grave të veshura me uniforma të hekurudhës. Është gjë e zakonshme të shohësh gra me pantallona. Por është paksa e çuditshme t’i shohësh me uniformë të plotë, me këmishë, kravatë dhe këpucë burrash dhe me një topuz të fshehur nën kapelë. Më pas, vura re se në të gjitha stacionet çeke shërbimi kryhej nga gra të veshura në atë mënyrë. Bënte vapë. Mania ime për të gjetur ngjashmëri mes gjërave europiane dhe qyteteve të mia kolumbiane më bëri të mendoja se ai stacion i nxehtë, i shkretuar, me një burrë që flinte pranë një karroce pijesh freskuese në shishe shumëngjyrëshe, ishte njëlloj si stacionet e pluhurosura të Zonës së Bananeve të Santa Martës. Kjo përshtypje përforcohej nga muzika: bolero nga Los Panços, mambo dhe korrido meksikane. Boleroja “Perfidia” u përsërit disa herë. Pak minuta pasi mbërritëm, u transmetua “Migel Kanales”, i Rafael Eskalonës, në një interpretim shumë të mirë që s’e kisha dëgjuar ndonjëherë. U përpoqa të zbrisja për të parë diskun, por vagoni ishte i mbyllur me çelës. Një grua e shërbimit ma bëri me shenjë se nuk mund të zbrisja për sa kohë nuk qenë kontrolluar pasaportat.
    Inspektorët e doganës ishin dy djem të rinj, të sjellshëm, me uniforma verore të përsosura, të lehta e të rehatshme si ato të ushtrisë amerikane. Njëri prej tyre fliste frëngjisht. Na kërkoi vizën çeke. I thashë se nuk e kishim dhe inspektori nuk u duk i habitur. Pasi foli me kolegun, mori pasaportat. U kthye mbas pak për të na thënë se po telefononin Pragën. Mbas gjysëm ore, kishim vizë tranziti me të drejtë qëndrimi pesëmbëdhjetë ditë në Çekosllovaki.
    Ky thjeshtim i procedurave krijoi kontrastin e parë me burokracinë e Gjermanisë Lindore. Më vonë, hasëm edhe gjëra të tjera. Pijet freskuese, birra e shkëlqyer çeke, shiten në kuti kartoni me një shënim të shtypur: “Prishe kutinë mbas përdorimit”. Këto masa higjienike ndeshen kudo. Restorantet janë të pastra, me dritë, efikase, ndërsa tualetet janë më të mira se në çdo vend të Europës Perëndimore. Natyrisht, ku e ku më mirë se në Paris.
    Me të mbaruar kontrolli, diku duhet të jetë hapur ndonjë portë, sepse një turmë njerëzish doli nga kalimet nëntokësore duke u shtyrë për të hipur në tren. Burrat ishin të veshur mirë. Shumica e grave kishin pantallona burrash, të qepura për burra, me zinxhirë dhe kopsa nga ana e djathtë. Sidomos fëmijët ishin të veshur me kujdes e me shije. Ushtarakët, ngarkuar me valixhe dhe dengje, me gratë e me fëmijët e tyre, ishin të përzier me turmën.
    Njëçikë më pas, treni po shkiste përmes një zone bujqësie të mekanizuar, ku ishte shfrytëzuar çdo centimetër. Gjithkund shihje vepra gjigante të inxhinierisë hidraulike, të përfunduara ose në ndërtim e sipër. Afër Pragës, arat e mbjella u zëvendësuan nga qendrat industriale. Natën e parë u kryqëzuam me një tren të pafund me autobusë të rinj dhe makineri bujqësore të papërdorura. Franko u përpoq të hapte dritaren. Një çek rreth të dyzetave, me një vajzë të vogël të mështjellë me një pardesy dhe që po flinte në prehrin e tij, ndiqte me sy përpjekjet e Frankos për të ulur dritaren e bllokuar. I tha në frëngjisht:
    -Shtyjeni fort përpara.
    Bashkudhëtari ynë na shpjegoi se autobusët dhe makineritë bujqësore ishin material eksporti për në Austri. Na tha se Çekosllovakia furnizonte me makineri shumë vendeve perëndimore dhe krejt botën socialiste, përfshi edhe Bashkimin Sovjetik. Ishte agjent tregtar dhe kthehej nga Franca, nga udhëtimi i katërt që po bënte këtë vit jashtë shtetit. Na tha se nuk ishte komunist, se nuk i interesonte politika, por ndihej mirë në Çekosllovaki. Nuk i interesonte të provonte fatin në Amerikë. Pasaporta e tij kishte një kufizim: mund ta përdorte vetëm për udhëtime që lidheshin me veprimtarinë e tij tregtare. Këtë herë e kishin lejuar të merrte me vete, që të shihte Parisin, vajzën e tij dymbëdhjetë vjeçe. Javë më vonë, gjatë rrugës së kthimit në Francë, takova në tren një familje çeke që shkonte atje për pushime. Një francez u tha një sekret: në Paris ka një vend ku monedha çeke këmbehet me një kurs tri herë më të lartë se ai zyrtar. Çeku nuk e pranoi ofertën.
    -Kjo dëmton ekonominë tonë, – tha.
    Është një rast i veçantë që bie në kontrast me qëndrimin e disa kuadrove të kualifikuar të Gjermanisë Lindore. Në atë vend, regjisorët e teatrove dhe mjekët marrin rroga tepër të larta. Shteti i arsimon, i specializon dhe pastaj duhet t’i paguajë me rroga shumë të larta që të mos emigrojnë në Perëndim. Nuk takova asnjë çek që të mos ishte deri diku i kënaqur me fatin e tij. Studentët thuajse nuk e shprehin pakënaqësinë e tyre për kontrollin e panevojshëm ndaj letërsisë dhe shtypit të huaj apo në lidhje me vështirësitë për të udhëtuar jashtë shtetit.
    Natën që mbërritëm në Lajpcig, Franko pandehu se përshtypja jonë e parë ishte për shkak të dukjeve të jashtme: ndriçimi i zbehtë dhe shiu i imët. Në Pragë mbërritëm në njëmbëdhjetë të natës, me të njëjtin shi të imët, dhe gjetëm një qytet të gjallë, të hareshëm, dhe si të tillë e pamë edhe dymbëdhjetë orë më pas, në një mëngjes të mrekullueshëm vere. Zyra e informacionit ndërkombëtar të stacionit na dërgoi në Hotel Palace, më i miri në Pragë. Aty, na njoftuan se ka dy lloje këmbimi: këmbim i zakonshëm, afërsisht katër korona për dollar, dhe këmbim turistik, që është sa dyfishi. Dallimi ishte se në këmbimin turistik na i jepnin shtatëdhjetë për qind me bono që mund të shpenzoheshin vetëm brenda hotelit. Po t’i bije lapsit, për katër dollarë mund të merrnim një dhomë me banjo, me telefon dhe tre vakte ngrënieje. Darka na u shtrua me një verë të shkëlqyer franceze që nuk e gjen me atë çmim në restorantet e lira të Parisit.
    Në mesnatë përshkuam qendrën e qytetit. Në kafenetë e bulevardit Vencesllav, një fjollë sfondi muzikor përzihej me pëshpëritjet e turmës që dilte nga kinemaja dhe nga teatri. Duke pirë birrë nën pemë nëpër terracat e hapura, kjo turmë të sillte në mendje Spanjën pasi kishte parë dy shfaqjet që gjatë sezonit të fundit i kishin shitur të gjitha biletat: Vdekja e një çiklisti, filmi i Bardemit dhe Mariana Pineda, drama e Garsia Lorkës.
    Një grup që doli nga kinemaja hyri në një kabare që ishte në po atë ndërtesë. Pamë çmimet. Hyrja kushtonte pesë korona dhe birra katër. Ishte një nga ato kabaretë e stilit ndërkombëtar, të cilat gjatë verës europiane kushtojnë një djall e gjysëm. Një këngëtare me një dekolte panoramike këndonte versionin çek të “Siboney”-it.
    Porositëm birrë. E piva timen ngadalë, duke u përpjekur të zbuloja ndonjë hollësi që të më lejonte të mendoja se nuk ishim në një qytet kapitalist. Franko mori për vallëzim një vajzë nga tryeza ngjitur. Ishte e martë. Klientela nuk qe e veshur aq mirë sa në Itali në të njëjtat rrethana. Më saktë, ishte klasa e mesme kolumbiane në një mbrëmje vallëzimi të shtune. Pasi mbaroi vallëzimi, Franko erdhi që të më prezantonte vajzën. Flisnin në anglisht. E ftuam të ulej me ne. Ajo shkoi te tryeza ngjitur për t’u marrë vesh me shokët e saj të dëfrimit dhe u kthye me gotën e birrës. I thashë Frankos:
    -Nuk gjej asnjë tregues ndryshimi të sistemit.
    Ai më bëri që t’i bija në të: çmimet. Kur u çova për të vallëzuar, më paralajmëroi: “Shikoje me kujdes këngëtaren”. E vështrova tek po vallëzoja. Kishte flokë të verdhë platini, ishte shumë e shkurtër, paçka se me taka, dhe e veshur me një fustan mbrëmjeje ngjyrë deti. Nuk zbulova asgjë të veçantë.
    Franko ngulmoi:
    -Shikoja gishtat e këmbëve.
    Aty ishte ajo çka duhej të shihja: çorapet e najlonit me fije të hequra te gishtat. Protestova; s’mund ta ndash qimen më katërsh për të gjetur të metat e një sistemi. Në Paris ka një dynja burrash e grash që flenë trotuareve mbështjellë me gazeta, edhe në dimër, e megjithatë nuk bëhet revolucion. Po Franko ngulmoi që ishte një vlerësim i rëndësishëm. “Duhet të dish t’i vlerësosh hollësirat”, tha. “Për një grua që shqetësohet për fatin e vet, çorapja e grisur është katastrofë kombëtare”. E mbaroi birrën dhe u kthye në pistë.
    Vallëzoi dy turne pa u kthyer në tryezë. Nga mënyra e të vallëzuarit, mendova se po merrej vesh mirë me partneren, një vajzë shumë e hollë, shumë elegante, me shumë sens humori. U zhdukën një copë herë të gjatë. Kur u kthyen në tryezë, kuptova se paskëshin shkuar për të pirë në banak ngaqë Franko ishte gjysmë i dehur. Piu edhe një birrë tjetër. Pastaj, me zërin të zbutur nga dehja, i foli vajzës në vesh duke i propozuar që ta shoqëronte në hotel. Ajo qeshi dhe, duke shkërbyer ëmbëlsinë e Frankos, i pëshpëriti në vesh:
    -Hajde te tryeza tjetër dhe kërkoji leje tim shoqi.
    Atmosfera u zbut. Më pas, dy grupet u bashkuan. Vajza e tregoi ngjarjen dhe të gjithë qeshën. Frankos i ra birra në kokë, po burri i vajzës u kujdes që ta kapërcente situatën. Propozoi të shkonim të shihnim lindjen e diellit që nga kalaja e qytetit të vjetër. Bleu dy shishe vodka polake dhe në tre të mëngjesit zumë të ngjiteshim përmes rrugicash të gurta, duke kënduar korrido meksikane. Papritur, partnerja e Frankos u ul në trotuar, hoqi çorapet e holla dhe i futi në çantë.
    -Duhen mbajtur me kujdes, – na tha. – Çorapet e najlonit kushtojnë një dreq e gjysmë.
    Duke shkëlqyer i tëri nga lumturia, Franko më ra supeve. E kuptoja. Ishte po ai gëzim që kisha përjetuar në Nisë – në plazhin më të shtrenjtë europian – tek zbulova se, kur ka baticë, mbeturinat e qytetit pluskojnë mbi ujërat ku lahen milionerët.

    Përktheu nga origjinali Edlira Hoxholli

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË